Berisha: Rama shpenzoi 490 milionë euro për luks dhe afera! Vetëm me 1/4 e tyre do ishin blerë së paku 7-10 avionë kundër zjarreve, 4 helikopterë dhe 180 makina zjarrfikëse

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, akuzoi kryeministrin Rama si përgjegjës kryesor për dëmet e shkaktuara nga zjarret e kësaj vere, për situatën në Theth dhe për lidhjet e qeverisë me kartelet e drogës, duke e cilësuar si një “krim të mirëfilltë shtetëror”.

Berisha tha se mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, pyje dhe banesa janë djegur nga flakët, duke shkaktuar gjithashtu humbje të bagëtive, bletëve dhe dëme të tjera të pallogaritshme. Kryedemokrati theksoi se shqiptarët u ndjenë më të braktisur se kurrë, ndërsa qeveria zhvillonte propagandë mashtruese për forca të angazhuara që në realitet mungonin.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se Shqipëria u gjend “e çarmatosur” përballë emergjencave, me një sistem zjarrfikës të vjetruar e të paaftë, ndërkohë që Rama ka shpërdoruar rreth 490 milionë euro për luks dhe afera korruptive. Berisha solli në vëmendje 24 milionë euro të shpenzuara për udhëtimet me avion qeveritar, mbi 200 milionë euro për inceneratorët që nuk funksionojnë, 50 milionë euro të vjedhura nga diferencat në tunelin e Llogarasë, 13 milionë euro të zhdukur në aferën e Porto Romanos, si dhe miliona të tjera për projekte luksi si “Kopshti i Edenit”, lobime dhe aktivitete sportive.

“Vetëm me një të katërtën e kësaj shume, Shqipëria do të kishte 7 deri në 10 avionë Kanadair, 4 helikopterë dhe 180 makina zjarrfikëse. Ndaj dëmet nga zjarret janë një krim i mirëfilltë shtetëror”, – deklaroi Berisha, duke shtuar se qeveria ka detyrimin ligjor dhe kushtetues për zhdëmtime maksimale dhe urgjente për çdo banesë, fermë apo pasuri të djegur.

I ndalur te situata në Theth, lideri Opozitar, Sali Berisha tha se edhe ndërhyrjet e fundit në këtë zonë janë një “krim shtetëror”, pasi ndërtimet ishin të ligjshme dhe në tokat e banorëve. “Qeveria vetëm vjedh dhe nuk zhdëmton. Thethi është një tjetër krim shtetëror dhe ne do të bëjmë gjithçka që autorët të ndëshkohen dhe viktimat të kompensohen”, – theksoi Berisha ndër të tjera.

Në një artikull kushtuar nga gazeta britanike The Telegraph, në lidhje me aksionin e fundit të SPAK për goditjen e grupit kriminal Çela-Çopja, Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se për herë të parë po ndodhin sekuestrime pasurish në nivele të tilla. Ai e interpretoi këtë zhvillim si një dëshmi se Europa po bindet për rrezikun që përfaqëson Shqipëria si një “narkoshtet”.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se është “miliarderi i fshehtë më i madh i drogës në Europë” dhe shtoi se qeveria shqiptare është e lidhur ngushtë me kartelet që kontrollojnë tregun e kokainës në kontinent.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, miliarda euro të trafikut të drogës po pastrohen përmes sektorit të ndërtimit dhe turizmit, me autorizime e leje të dhëna nga vetë Rama në këmbim të aksioneve në këto biznese. Ai përmendi gjithashtu faktin që mbi 250 krerë dhe anëtarë bandash kriminale mbeten të lirë, pasi paralajmërohen nga policia dhe SPAK.

“Edi Rama është kryetar i organizatës kriminale më të rrezikshme në Europë, qeverisë së tij, e lidhur dhe e mbrojtur nga çdo aferë. Ai është sot miliarderi i fshehtë më i madh i Europës, nga droga”, – u shpreh Berisha në konferencën me gazetarët.

FJALA E PLOTË

Sot jam para medieve për të denoncuar si një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe, pyje.

Djegien e qindra banesave në fshatrat e Gramshit, Delvinës dhe në një seri zonash të tjera.

Djegien e qindra dhe mijëra bagëtive, pa llogaritur këtu kafshët e egra dhe rrafshimin e të gjithë florës dhe faunës në këto zona.

Djegien e qindra mijëra koshereve të bletëve.

Shqipëria, zjarre të tilla shkatërrimtarë nuk ka njohur ndonjëherë.

Pati viktima, pati të djegur të plagosur. Shqiptarët u ndjenë më të braktisur se kurrë.

Me këtë rast, dënoj me forcën më të madhe të gjithë ata individë të cilët kryen krimin e shëmtuar të zjarrvënies dhe ata meritojnë ndëshkimin ligjor më të madh.

Shpreh solidaritetin tim të madh për të gjithë të dëmtuarit, viktimat, të plagosurit dhe ata qindra e mijëra familje fermerësh, fshatarësh që humbën gjithçka kishin për shkak të zjarreve.

Por dënoj si një krim shtetëror propagandën e neveritshme, mashtruese të narkoqeverisë, e cila bënte fjalë për dhjetëra mijëra forca të angazhuara, në një kohë kur nga fushë beteja, gazetarët informonin se atje numëroheshin me gishtërinjtë e duarve zjarrfikësit apo forcat e tjera në shuarjen e zjarreve.

Por sot, unë jam këtu për të qartësuar shqiptarët se pse shkatërrimet e zjarreve këtë vit janë një krim i vërtetë shtetëror.

Janë një krim shtetëror për arsye se në mënyrë të papërgjegjshme për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr.

Shqipëria pësoi zjarre dhe djegie me përmasa dy gjer në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit. Dhe jo se zjarret nuk shpërthyen në të gjithë rajonin, por çdo vend ishte shumë, shumë më i përgatitur se Shqipëria në betejën kundër zjarreve.

Në tërësi, sistemi i zjarrfikëseve, i vjetër, i trashëguar nga 15-20 vite më parë, i dorëzuar tek bashkitë socialiste, u tregua i ndryshkur dhe dizfunksional.

Në 15 vite, Edi Drama apo Ramaduro tregoi indiferencë të plotë ndaj këtij problemi madhor për çdo vend mesdhetar.

Flota ajrore ekzistuese, ndër vite u përgjysmua, nga 8 helikopterë, sot janë në funksion as 3.

Ndërkohë është krim shtetëror sepse Edi Rama për udhëtimet e veta me avion në dispozicion ka shpenzuar në dy vite në 140 udhëtime, 24 milionë euro.

Mungesa e mjeteve antizjarr dhe dëmet e mëdha të zjarreve janë krim shtetëror se në këto vite Edi Rama ka paguar vetëm për djegësin e Tiranës 130 milionë euro dhe atij nuk i gjenden as gjurmë, dhe për djegësit në tërësi mbi 200 milionë euro dhe asnjë nuk funksionon.

Edi Rama është përgjegjës direkt për situatën katastrofale të mjeteve antizjarr në Shqipëri, ndaj dhe dëmet e zjarreve janë një krim shtetëror sepse nga paratë e taksapaguesve shqiptare, i paguan Beketit 120 milionë euro, për faktin e vetëm se Ramaduro nuk duronte dot fjalën e lirë dhe kritikat nga një media e pavarur.

Dëmet nga zjarret janë një krim shtetëror jo se ato i shkaktoi qeveria, por qeveria u tregua e papërgjegjshme dhe Shqipëria kishte shkallën më të dobët të pajisjeve, të mjeteve, të reagimit ndaj tyre.

Vetëm në Porto Romano, në aferën e Porto Romanos, iniciativë direkt personale e Edi Ramës, nga 19 milionë euro që dolën nga buxheti i shtetit, u shpenzuan për punimet gjithsej 6.7 milionë, 13 milionë u ndanë me Edi Ramën dhe hajdutët e tij.

Për dëmet e tmerrshme të zjarreve këtë vit, shkoni shihni Delvinën si është bërë. Asnjë luftë nuk i ka shkaktuar Delvinës ato që i shkaktuan këto zjarre.

Është përgjegjës Edi Rama direkt. Vetëm me tunelin e Llogarasë, për shkak të diferencës mes ofertës së parë dhe të dytë, janë vjedhur 50 milionë euro.

Kopshti i Edenit, vendi nuk ka zjarrfikëse, nuk ka helikopterë, nuk ka Kanadair apo avionë të tjerë të shuarjes së zjarreve, as të blerë dhe as të kontraktuar me qira, ndërkohë Edi Rama paguan 5 milionë për të vendosur Kopshtin e Edenit në oborrin e kryeministrisë, paguan 7 milionë euro kompaninë private ditën e zgjedhjeve për të manipuluar zgjedhjet, Giro D’Italia, paguan 10 milionë euro për lobim, satelitët që na duheshin për zjarret.

Dhe pikërisht në vitet kur kishim edhe shikimin satelitor, zjarret bënë kërdinë si asnjëherë tjetër më parë.

Të gjitha këto shuma të paguara nga qytetarët e Delvinës dhe qytetarët shqiptarë, nga taksat e tyre, janë rreth 490 milionë euro.

Në qoftë se vetëm një e katërta e tyre do përdorej për mjetet antizjarr, Shqipëria do të kishte së paku 7 deri në 10 Kanadair të përdorur.

Do të kishte katër helikopterë të tjerë dhe së paku 180 zjarrfikëse.

Me një të katërtën. Po në qoftë se përdorej gjysma, këto shifra do ishin dy herë, tre herë më të mëdha.

Ja pse dëmet nga djegiet janë një krim shtetëror.

Cili është qëllimi im sot para jush?

Është të mbroj interesat e qytetarëve të dënuar, sepse duke i njohur si një krim shtetëror, qeveria ka detyrimin ligjor dhe kushtetues për zhdëmtime maksimale, urgjente të të gjitha dëmit të bërë, në banesa, në bahçe, ullishte, bagëti dhe çdo gjë tjetër qindra e qindra fermerëve të dëmtuar.

Pra, sigurisht që, Edi Rama është përgjegjës kryesor dhe e them edhe njëherë, është autori kryesor i këtij krimi shtetëror.

Por nuk është ky qëllimi im kryesor, akuza në këtë rast, qëllimi im kryesor është të ndërgjegjësoj qytetarët e dëmtuar se në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, njohja e përgjegjësisë nga qeveria për krimin shtetëror, përbën detyrim madhor për t’iu përgjigjur zhdëmtimit maksimal të çdo fermeri, për çdo dëmtim në banesë, për çdo dëmtim fizik, për viktimat që u varrosën nga djegiet, për të plagosurit, për bagëtitë, për rrënjët e ullinjve, për pyjet, për bletët dhe çdo gjë tjetër.

Pra, kjo ishte një verë e një krimi monstruoz shtetëror.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Çerma, Syri Tv: Z.Berisha, të paktën nga reagimet e kryeministrit Rama, sa i takon situatës së zjarreve, përpos një justifikimi që ka bërë me vendet e rajonit, ka patur dhe jnë premtim mes rreshtash që do të ketë dëshpërblim një për një për të gjithë banorët e prekur. Sa i besueshëm është ky premtim i kryeministrit Rama, duke marrë parasysh edhe raste të mëparshme të fatkeqsive natyrore, përfshirë tërmetin apo edhe çdo dëm tjetër shkaktuar shqiptarëve?

Berisha: Që kjo qeveri vjedh dhe nuk zhdëmton, shko e pyet të dëmtuarit nga tërmeti në Durrës, në Laç, në Kurbin, Lezhë, Tiranë dhe kudo. Këta janë të pamëshirë. Pasurohen dhe mbi fatkeqësinë.

Por unë i garantoj të gjithë banorët e zonave të djegura, garantoj gjithashtu banorët e Thethit të cilët u përballën dhe ata me një krim shtetëror. Edhe ajo që ndodhi në Theth është një krim i mirëfilltë shtetërorë. Ndërtimet kanë qenë në zonën e lejuar për ndërtime. Ndërtimet kanë qenë në tokat e tyre.

Edhe ai është një krim shtetëror dhe do të bëjmë gjithçka që ndaj krimit shtetëror, të ndëshkohen autorët dhe të dëmshpërblehen viktimat e krimit shtetëror.

Marsi Çerma, Syri Tv: Z.Berisha, bëhet fjalë për një artikull të gazetës britanike të ‘Telegraph’, e cila i ka kushtuar një artikull aksionit të SPAK, të goditjes së grupit Çela-Çopja, ku vihet në pah fakti se, autoritetet shqiptare për herë të parë po bëjnë sekuestrim të pasurive, por nuk kanë hetuar kurrë burimin e parave të pisëta që pastrohen në ndërtim dhe turizëm. Si e komentoni ju këtë, një artikull të një gazete britanike?

Berisha: Së pari, e përshëndes artikullin e gazetës ‘Telegraph’.

Së dyti, gradualisht Europa po bindet se çfarë narkoshteti i rrezikshëm është Shqipëria.

Në fakt është në meritën e disa prej medieve më serioze të Europës, përfshi këtu edhe mediat britanike si BBC, Financial Times, Guardian, Independent, që kanë dhënë alarmin për narkoshtetin shqiptar.

Por, zhvillimet e fundit po nxjerrin në pah atë që kemi thënë.

Kur ne deklaronim se kartelet e drogës në Shqipëri janë më të fuqishmet në Europë, të tjerët rrudhnin buzët.

Por të dhënat e fundit dëshmojnë se, ata janë, siç thotë edhe artikulli, fuqia më e madhe e krimit në Europë, që dikton tregun e kokainës, çmimin e kokainës.

Kur ne deklaronim se nën mbrojtjen e Edi Ramës, për të larë paratë në Shqipëri, kartelet groposnin në dhe miliarda euro me kontejnerë apo mënyra të ndryshme, të tjerët nuk e besonin.

Por tani, del nga telefonatat se Çela porosit që të vendosen në rrënjët e ullinjve 180 çanta. Po kjo është një bisedë dhe kjo nuk është e sotmja, kjo është e vitit 2020-2021.

Pra, Europa po e kupton se pse Edi Rama donte me çdo kusht amnistinë fiskale gjoja për diasporën.

Edi Rama është kryetar i organizatës kriminale më të rrezikshme në Europë, që është qeveria e tij, e lidhur kokë e këmbë me kartelet, e mbrojtur nga Altin Troplini.

I mbrojtur në çdo aferë. I mbrojtur në dosjen McGonigal. Ka një dënim në SHBA.

Në atë dosje, 14 herë citohet emri i Edi Ramës. E mbron Troplini. E mbron Troplini!

A e dëgjuat ju që 250 krerë dhe anëtarë të organizatave kriminale me mandat arresti ndërkombëtar janë të lirë sepse Skapi dhe vartësia e tij, edhe policia- nuk mund të them, i njoftojnë përpara arrestimit dhe ata janë të lirë.

Pra, për ta mbyllur, këto miliarda që investohen në ndërtime dhe turizëm, janë të gjitha firma të Edi Ramës, autorizime dhe leje të Edi Ramës, me dijeni të plotë se çfarë përfaqësojnë, dhe që në mënyrë absolute ky e bën kundrejt aksioneve të tij në të gjitha ato.

Edi Rama është sot, bazuar në këto të dhëna, në këto flukse të tmerrshme të drogës, miliarderi i fshehtë më i madh i Europës ndoshta. Nga droga. Se këto favore ai nuk ua bën pa aksione.

Nuk mund të bëhen pa aksione.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale