KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në konferencën e sotme për shtyp, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka lëshuar një akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar udhëtimin e tij të sotëm në Bruksel si një moment kapitullimi përpara autoriteteve të Bashkimit Europian. Sipas Berishës, Shqipëria ndodhet në prag të një katastrofe diplomatike, ku për herë të parë që nga viti 1992, vendi rrezikon zhbërjen e plotë të procesit të integrimit për shkak të asaj që ai e quajti ‘çmenduri pushteti’ për të mbrojtur korrupsionin qeveritar.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e nisi fjalën e tij duke u ndalur te vendimmarrja e fundit e Gjykatës Kushtetuese lidhur me pezullimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, të cilës ai i referohet si ‘Lubi Balluku’. Ai akuzoi drejtpërdrejt katër gjyqtarë se kanë vepruar nën diktatin e kryeministrit, duke krijuar një ngërç 4 me 4 që, ndonëse la në fuqi pezullimin, sipas tij, ekspozoi kapjen totale të drejtësisë.
‘Lubia mbeti e pezulluar, por gjykata pezulloi veten e vet,’ deklaroi Berisha, duke shtuar se ky rast është dëshmia e gjallë e paralizës që ekzekutivi i ka bërë organit më të lartë ligjor në vend. Sipas tij, Rama është betuar të mbrojë Ballukun deri në fund, sepse ‘ajo është vetja e tij dhe ajo ia ka bërë betë: me vete do të marr.’
Duke komentuar thirrjen urgjente të Ramës në Bruksel nga numri një i Këshillit të BE-së, kryedemokrati Sali Berisha e cilësoi kryeministrin si një personazh që po shkon të mbrojë vjedhjet e familjes dhe bashkëpunëtorëve të tij, duke flijuar ëndrrën europiane të shqiptarëve. Ai ironizoi fort paraqitjen diplomatike të Ramës: ‘Ai shkon në Bruksel me fustanin e Lubi Ballukut. Shkon si avokat i turpshëm i saj, por në mbarë kryeqytetet është kuptuar se çfarë kalbësire përfaqëson Edi Rama.’
Lideri i demokratëve Sali Berisha paralajmëroi se partnerët ndërkombëtarë tashmë e shohin kryeministrin si një ‘kufomë politike’ që nuk përmbush asnjë kriter të MSA-së, përveç faktorëve gjeostrategjikë, të cilët ai po i përdor si mburojë për regjimin e tij.
Në deklaratën e tij për mediat, kreu i PD-së bëri thirrje për veprim popullor. Duke e cilësuar situatën si një ‘grusht shteti’ të hapur, Berisha deklaroi se opozita nuk do të njohë më asnjë proces parlamentar apo ligjor të iniciuar nga kjo mazhorancë, duke i hapur rrugën përballjes në rrugë. ‘Në këtë udhëtim, ai do të shkelmojë në Bruksel interesat e çdo shqiptari. Ndaj dhe nesër është dita e qytetarëve. Ftoj të gjithë qytetarët në kryengritjen paqësore, t’i faktojmë botës se ne nuk mposhtemi nga një grusht hajdutësh.’
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh prerë, opozita nuk do të japë asnjë votë për një mazhorancë false, e cila kërkon të ndryshojë rregullat në mes të lojë. Ai theksoi se, përballë një kryeministri që ‘kërcënon Europën dhe shqiptarët’, e vetmja gjuhë e mbetur është ajo e revoltës dhe qëndresës qytetare për të kthyer vendin në shinat e kushtetutshmërisë.

FJALA E PLOTE:
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, më saktë mosvendimit të kësaj gjykate, për të hequr pezullimin ndaj Lubi Ballukut, pasi 4 gjyqtarë të saj votuan kundër heqjes së pezullimit, votuan duke shkelmuar ligje dhe Kushtetutë, votuan në diktatin e egër të Edi Ramës, faktikisht çfarë ndodhi?
Lubia mbeti e pezulluar, por gjykata pezulloi veten e vet.
Ndodhi një akt i rëndë, që në aparencë edhe qëndron, por probabilistët japin një fakt tronditës, se në probabilitet kjo mund të ndodhë një në 500 herë.
E kuptoni?
Kurse këtu ndodh një në dy herë.
Se sa i tmerrshëm është veprimi politik, ndikimi mbi gjykatën.
Nuk mund të ndodhte ai vendim, katër me katër, pavarësisht se pezullimi mbeti në fuqi, por pezullimi nuk duhej të mbetej në fuqi për votat e katër gjyqtarëve, por duhej të mbetej në fuqi me votat e të gjithë gjyqtarëve.
Kjo është dëshmi edhe njëherë e paralizës nga ekzekutivi i Gjykatës Kushtetuese.
Edi Rama kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt prokurorinë, gjykatën dhe u zotua se do mbrojë gjer në pikën e fundit të tij veten dhe Lubi Ballukun.
Ai është thirrur sot në Bruksel. Sipas medieve, sepse nuk dihet, por mediat shkruajnë se ka takim, është thirrur direkt nga numri një i Këshillit të BE për t’i komunikuar qëndrimin e prerë të BE ndaj qëndrimeve të tij antikushtetuese, antidemokratike, ndaj zotimit të tij për të vazhduar grushtin e shtetit.
Pra, ju e patë, ju e shihni, ai shkon në Bruksel me fustanin e Lubi Ballukut, në kuptimin që shkon si avokat i turpshëm i saj dhe të gjitha i ka për veten e tij.
Në Bruksel, dhe në mbarë kryeqytetet, është kuptuar se çfarë përfaqëson, çfarë kalbësire përfaqëson Edi Rama.
Është kuptuar se autori i aferave të Ballukut është direkt Rama.
Është kuptuar se Edi Rama, për fatin e mirë të shqiptarëve, është Ergys Agasi.
Është kuptuar se ata, në sipërmarrjen e dominuar tërësisht nga familja e tij, në agjencinë e dominuar tërësisht nga familja e tij, AKSHI, jo vetëm kanë vjedhur qindra milionë, por kanë urdhëruar pengmarrje dhe krime të shëmtuara.
De facto pra, Edi Rama po shkon drejt fundi të tij të merituar.
Mirëpo, siç bëjnë të ditur mediat, sepse nuk ka njoftime, por mediat që u referohen burimeve zyrtare ndërkombëtare, atij i komunikohet se ky qëndrim është aq i rëndë dhe i papajtueshëm me shtetin ligjor, me Kushtetutën, me standardet evropiane, saqë do të provokojë zhbërjën e plotë të procesit të integrimit me Shqipërinë.
Kthimin mbrapa të këtij procesi në vitin 1992 kur u firmos marrëveshja tregtare.
Akt, i cili nuk është ndërmarrë kurrë ndaj një vendi.
Nuk është ndërmarrë sepse nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston në historinë 76-vjeçare të BE një rast i vetëm i ngjashëm me Edi ramin dhe Lubi Ballukun.
Asnjë.
U rikujtoj këtu një moment.
Një prokurore speciale e Rumanisë, e cila në dallim nga mashtrimet e paskrupullta dhe banale që bën Edi Rama se nuk ka pasur pezullime, ka pezulluar jo një, por disa ministra.
Dhe kur ajo përgatiti dosjen e pezullimit të kryeministrit rumun, ai e mori vesh dhe dha dorëheqjen.
Pezullim ministrash, siç ua kam faktuar me emër, mbiemër, me data e të gjitha kanë ndodhur me dhjetëra raste në Europë, në Azi dhe në botë.
Pra, Edi Rama po mbron veten e tij.
Po mbron veten e tij dhe po ndëshkon Shqipërinë në mënyrën më ekzemplare.
Por sot meqë është kjo ditë, dhe ai kërcënonte Europën duke deklaruar se ne dhe vetëm ne jemi perspektiva evropiane e shqiptarëve, mashtrim i madh, unë deklaroj sot atë që kam deklaruar prej 2-3 vitesh me dhjetëra herë.
Shqipëria nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kusht të procesit të integrimit.
Sukseset e Shqipërisë me Edi Ramën janë mashtrimi më i madh.
Shqipëria plotëson kushtin gjeostrategjik, i cili është një kusht i rëndësishëm.
Por duke thënë këtë, garantoj partnerët tanë, garantoj BE-në se PD ka objektivin e saj më madhor integrimin e Shqipërisë në Europë.
Por, në një rrugë tjetër.
Asnjëherë me mashtrime dhe lobimet mashtruese, gjithçka në meritën, performancën dhe meritën.
Kurrë nuk kemi ndjekur rrugë tjetër dhe ajo ka qenë rruga e suksesit.
Ne kemi plotësuar për MSA-në dhe ajo është firmosur, është votuar në të gjitha parlamentet e BE, diku me ndonjë hezitim, diku me ndonjë vonesë, diku shumë shpejt, por ne kemi pasur argumente pse ne e meritojmë MSA-në.
Ne nuk iu lutëm askujt, absolutisht, për heqjen e vizave, jo.
Përkundrazi, ne të gjitha kancelarive të vendeve të BE, kishim një mesazh: të nderuar zotërinj, zonjë, ne kërkojmë nga ju që në vendimin që do merrni, ta bazoni ose në një mision tuaj në Shqipëri, nëse janë plotësuar kushtet apo jo për heqjen e vizave, sepse ishin nja 120 kërkesa, ose të sjellim ne, përfaqësuesit tanë t’u brifojnë ju për këtë.
Dhe kjo ka funksionuar në mënyrë më serioze.
Unë e kam thënë dhe ua them prapë këtu, kancelarja Angela Merkel dërgoi këtu drejtorin e përgjithshëm të policisë gjermane, një personalitet shumë të njohur dhe ai bëri një raport të shkëlqyer.
Erdhi problemi i statusit të kandidatit. E njëjta gjë.
Ne nuk i kërkonim lëmoshë askujt.
Ne duhet të performojmë që të meritojmë atë që kërkojmë.
Dhe morëm statusin e kandidatit që e bllokoi Edi Rama me këshilltarët e Fierit.
Kjo është e vërteta.
Ne besojmë se kjo është rruga e interesit maksimal të shqiptarëve për t’u integruar.
Sepse procesi i integrimit evropian ka synimin t’i bëjë shqiparët më të lirë, më të begatë, më të sigurtë.
Kjo rrugë ka funksionuar.
Merrni pak rrugën tjetër. Ja se si është. Ja se çfarë regresi.
Ndaj dhe unë i siguroj partnerët tanë që ne kemi qëllim më kryesor integrimin e bazuar në meritë dhe jo në suksese imagjinare.
Këtë ne nuk e kërkojmë, nuk e bëjmë.
Shqipëria sot është një vend i dhunimit masiv të ët drejtave të njeriut.
Njeriu që lëvizte me hekura nëpër ekrane, ankohet sot se janë mbushur burgjet.
Po kush i mbushi burgjet? Burgjet i mbushi politika terrorizuese, burgjet i mbushe ti që i le shqiptarët pa të drejtën e procesit gjyqësor.
Dhe tani kërkon të fajësojë askërkënd.
Në këtë udhëtim, ai do të shkelmojë në Bruksel interesat e çdo shqiptari.
Në këtë udhëtim, ai do të mbrojë vjedhjet e veta dhe të Lubi Ballukut dhe sojit e sorollopit të tij.
Ndaj dhe nesër është dita e qytetarëve.
Ndaj dhe ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria, ftoj të gjithë qytetarët e Tiranës në kryengritjen paqësore, t’i faktojmë kombit, Europës dhe botës se ne nuk mposhtemi kurrë nga një grusht hajdutësh që nuk kanë interesa të tjera përveç interesave të pasurimit të tyre.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Marsi Korreshi, SYRI TV: Përtej rrezikut që keni denoncuar se vjen nga Brukseli për procesin e integrimit europian dhe përtej vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, kreu i qeverisë Edi Rama e ka bërë të qartë edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se do të vijojë betejën ligjore për Belinda Ballukun, madje duke paralajmëruar edhe ndryshime në legjislacion. Keni një koment për këtë dhe cili do të jetë qëndrimi i opozitës përballë zhvillimeve të fundit në vend.
Sali Berisha: Qëndrimi i opozitës, do të jetë, protestë, protestë dhe vetëm protestë.
Revoltë, revoltë dhe vetëm revoltë dhe në mënyrë kategorike asnjë votë, për asnjë hap të kreut të organizatës kriminale dhe organizatës kriminale në mbrojtje të vjedhjes dhe krimeve të tyre.
Asnjë votë nuk do të ketë.
Ne kemi tani dialog konstant me qytetarët, i ftojmë ata me guximin e tyre, ti tregojmë vendin këtyre narkoqeveritarëve që nuk kanë asnjë normë e parim tjetër, përveç vjedhjes së qytetarëve.
Osman Stafa, News24: Ka rreth 1 javë që banorë të fshatit Rrjoll në Shkodër, po protestojnë me pretendimin se në tokat e tyre po ndërtohet një resort nga një sipërmarrës dhe për këtë qeveria shqiptare ka dhënë edhe leje. Një nga protestuesit ka bërë një pyetje publike; si është e mundur që PD na thërret të protestojmë në Tiranë, ndërkohë që PD nuk është krah nesh.
Sali Berisha: Së pari në mbështesim absolutisht çdo protestë të drejtë.
Së dyti, ne kërkojmë dhe insistojmë respektin e plotë të të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të tjera të qytetarëve.
I them atij qytetari që nuk është e vërtetë që PD nuk është interesuar. Ai mund të mos e dijë, e kjo është normale. Por deputetët të PD-së kanë qenë aty dhe janë marrë me problemin dhe merren.
Natyrisht ne mbështesim protestën pa diskutim, kur problemet janë gjithçka bazuar mbi dokumente të sakta, zyrtare, të vërteta. Çka unë nuk i diskutoj. Apriori nuk hedh poshtë asnjë pretendim të atyre protestuesve, ndaj dhe ne po shohim, po e ndjekim.
A duhet bazohet mbi dokumente, duhet. Sepse nuk kam asnjë lloj dijenie, është blerë, nuk është blerë. Po ne po e ndjekim këtë zhvillim.
Por ne jemi kategorikisht kundër prekjes qoftë edhe të një metër katrorë tokë të pronarëve privatë.
Ky qëndrim është i palëkundur i yni.
Nëqoftëse parashikohen, është detyrë e sipërmarrësit të zgjidhë me kushte tregtare problemet që ka me banorët. Ne nuk kemi asnjë lloj lëvizje, hezitimi. Nuk pranojmë që të tjerëve tu mirret, konfiskohet toka e tyre.
Osman Stafa, News24: Pyetja e dytë, përpara disa muajsh zoti Berisha, u kam pyetur në lidhje me rritjen e çmimit të biletës së urbanit në Kamëz dhe ju deklaruat se do merrnit kohë për ta verifikuar si rast. A e keni verifikuar se këshilltarët demokratë jo vetëm e kanë votuar, por në Kamëz thonë se këshilltarët demokratë e kanë iniciuar rritjen e çmimit të biletës? A e dini këtë gjë?
Sali Berisha: Përsëri ne do e shqyrtojmë problemin. Çfarë ka ndodhur, jam informuar. Kompania ka ndërruar mjetet e transportit, i ka blerë më moderne, dhe mbi këtë bazë, në mos gaboj, megjithatë ne do informohemi më mirë dhe do u përgjigjemi.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, edhe një pyetje në lidhje me paralajmërimin e Edi Ramës për ndërhyrje në drejtësi. Kur ndërhyhet në legjislacion, pra te reforma në drejtësi, teksa një zyrtar është nën hetim, a përbën shkelje të Kushtetutës?
Sali Berisha: Shkelje flagrante dhe grusht shteti përbën. Elementë të grushtit të shtetit.
Nuk dua t’i vë epitete unë atij, Ergys Agas e ka të mjaftueshëm.
Bënte thirrje të arrestohej lideri i opozitës, arrestonte në mes të rrugës kryetarin e dytë opozitare, hapte çështje penale për një çështje të parashkruar për të tretin, dhe këto që i konvenonin për mandatin e këtij krimineli, këto ishin veprime të drejtësisë së reformuar dhe këto i quante ai suksese të mëdha dhe i rrihte gjoksin Europës se njeri tjetër reformë të tillë nuk ka bërë.
Kurse tani, u betohet shqiptarëve për kokën e Lubisë se Shqipërinë e jap, Lubinë nuk e jap.
Se integrimin e jap, Lubinë nuk e jap.
Se është vetja e tij, se po të mos ishte vetja e tij, Lubia kishte marrë fund pesë herë deri tani.
Po të mos ishte vetja e tij, po është vetja e tij.
Dhe ajo ia ka bërë betë, me vete do të marr.
E rrahur me vaj dhe uthull siç është, ky e ka kuptuar se ajo mëshirë nuk ka.
Ajo do e marrë me vete.
Ky është i gjithë problemi.
Ai po mbron veten e tij.
Isa Myzyraj, OraNews: Cila është detyra kryesore e një opozite, kur qeveria e cila ka dhe shumicën parlamentare, nis një proces për të ndryshuar rregullat e lojës, për të ndryshuar Kodin Penal, Kushtetutën dhe më pas parlamenti i cili nuk mbledh Këshillin e Mandateve prej disa kohësh. Ka një rrugë që opozita e një vendi mund të ndërmarrë të dalë nga ngërçi.
Sali Berisha: Kryengritja paqësore që tund themelet e narkoparlamentit, narkoqeverisë dhe regjimit. Kjo është rruga.
A e kupton. Ai dje u betua para shqiptarëve se, të harrojë Europa se do të lëshoj unë Belindën, veten e tij. Çfarë e ka parlamentin. E dëgjuat se çfarë tha apo jo, kryeministri dhe kryetari i mazhorancës parlamentare, është edhe pse është fake mazhorancë. Kështu që tani çdo shqiptar e ka të qartë, ka vetëm një rrugë; revoltë, revoltë deri në rrëzimin e tij.
Por ama gjithçka po zhvillohet në favor të shqiptarëve.
Është thirrur sot për ti komunikuar nga autoriteti më i lartë i Europës, verdiktin. Kjo është një ndihmë e jashtëzakonshme për qytetarët shqiptarë, është një apel, është një kushtrim.
Ishte Peleshi në Departamentin e Shtetit, e kishte heqë frazën e karteleve të drogës. E patë ju. U detyrova të lexoj në faqen e DASH, ajo ishte në mes. Në mes. Nuk del më nga rrethi i kuq ky. Ky është një kufomë politike, çfarëdo që të bëjë nuk do të shpëtojë dot.


