Berisha: Rama po sillet si ‘lopë e çmendur’, kërkon të korruptojë gjykatësit kushtetues për të mbrojtur veten

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN ME GRUPIN PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë mbledhjes me grupin parlamentar ditën e sotme, akuzoi kryeministrin Rama për shkelje të Kushtetutës dhe përpjekje për të penguar drejtësinë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se situata në vend po bëhet çdo ditë më e rrezikshme dhe se Rama “po sillet si lopë e çmendur” dhe jashtë çdo norme institucionale. Berisha tha se ndryshimet ligjore të propozuara nga mazhoranca synojnë të krijojnë “mburoja” për të shmangur zbatimin e kërkesave të prokurorisë speciale dhe për të mbrojtur zyrtarë të lartë nga pezullimi.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se Kushtetuta parashikon pezullimin e gjyqtarëve kushtetues dhe zyrtarëve të tjerë, ndërsa argumentoi se kryeministri nuk ka imunitet nga pezullimi, pasi nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Ai akuzoi mazhorancën për përpjekje për të ndikuar mbi Gjykatën Kushtetuese dhe për të penguar veprimet e prokurorisë speciale.

Kreu i opozitës, Sali Berisha e cilësoi Ramën si përgjegjës për përkeqësimin e klimës politike dhe institucionale në vend. Ai paralajmëroi se veprime të tilla rrezikojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha i bëri thirrje Ramës të japë dorëheqjen, duke theksuar se, sipas tij, qytetarët do të reagojnë për të mbrojtur Kushtetutën dhe shtetin ligjor.

FJALA E PLOTË

Situata, gjendja në Shqipëri po bëhet çdo ditë dhe më e rrezikshme.

Edi Rama po sillet si lopë e çmendur.

Po të marr hua një term nga veterinaria, nuk mund të ketë kualifikim tjetër.

Në një sfidë të hapur të Kushtetutës së vendit, në një sfidë të hapur të ligjeve, kodeve të vendit, ai vendos në vend të zbatimit të tyre, në vend të zbatimit të kërkesës së bazuar të prokurorisë speciale, vendos krijimin e barrierave speciale për mbrojtjen e vetes së tij.

Vendos të tejkalojë Kushtetutën nëpërmjet ligjeve personale, krijimin e mburojave në mënyrë që ai dhe organizata kriminale që kryeson të vazhdojë plaçkën, grabitjen, plaçkitjen e shqiptarëve pa asnjë llogari para ligjit.

Ju do thoni pse unë them lopë e çmendur?

Them sepse ka degraduar psiqikisht në mënyrë totale.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, në amendamentin që ka sjellë për mbrojtjen e vetes së tij, për të korruptuar me ligj gjykatësit kushtetuese, i ka përfshirë edhe ata më mburojën e turpit ligjore ndaj pezullimit nga detyra.

Po duhet të jesh lopë e çmendur të mos lexosh Kushtetutën, e cila në mënyrë taksative përcakton se gjykatësi kushtetues pezullohet.

Pra, Kushtetuta për gjykatësin kushtetues ka përcaktuar pezullimin, çka do të thotë se gjithçka tjetër për të ngjashëm, përfshi presidentin e Republikës, që nuk është i zgjedhur nga populli, është i pezullueshëm për Kushtetutën.

Kushtetuta në frymën e saj, dhe ligji në zbërthim të Kushtetutës, nuk pranon pezullimin e të zgjedhurve direkt nga sovrani.

Pra, çfarë bën Kushtetuta? Pse ligji e ndalon këtë?

Sepse ligji i referohet frymës dhe nenit të sovranitetit kushtetues. Sovranitetit që buron nga populli. I zgjedhuri nga populli nuk pezullohet, kryeministri pezullohet sepse nuk zgjidhet nga populli.

Atyre që mund të thonë, jo u them, ka kryeministra që zgjidhen direkt nga populli.

Po. Ai ka emrin, kur bëhen zgjedhjet, kryeministri votohet direkt si kryeministër. Janë jo një, por disa vende të botës.

Kurse ky është i zgjedhur nga presidenti. Nuk ka asnjë mburojë nga pezullimi.

Ky po shkel Kushtetutën.

Pra, e thashë edhe njëherë, duhet të jesh edhe njëherë si duhet të jesh si ai që të mos lexosh Kushtetutën.

Çfarë tregon kjo?

Kjo tregon se ai me çdo kusht kërkon të korruptojë gjykatësit kushtetues, të cilët nuk mund ta pranojnë kurrë një nen të tillë.

Po si mund të pranojë gjykatësi kushtetues një nen të tillë, kur Kushtetuta thotë pezullohet?

Ishin të pandërgjegjshëm, pa karakter, katër gjykatësit që nuk votuan së bashku me të tjerë në favor të masës së SPAK për Lubi Ballukun.

Imagjinoni ju Fionën, Papajorgjin, një ekstremiste ekstreme. Ta pyes unë atë, zonjë, kur Kushtetuta të pezullon ty që je në hierarkinë më të lartë të këtij shteti, na thuaj pak, thuaju pak shqiptarëve pse nuk pezullohet Lubi Balluku apo ka paguar?

Dhe sa të paguar ty dhe të tjerët apo atë Sandër Becin me kompani.

Shikoni se çfarë turpesh ka.

Dhe tani ky, për të shpëtuar ligjin, se e di se ky ligj nuk qëndron, vetëm një njeri si ai mund të ndërmarrë një nismë të tillë, tani thotë po u përfshi edhe ju.

Dhe me mercanarë të llojit Papajorgji apo Beci, beson se do mund ta bëjë të përtypshëm ligjin.

Këta nuk kanë ligj as moral.

Kodi i tyre etik është vetëm hajnia, vjedhja dhe vetëm vjedhja.

Që në momentin që Kushtetuta thotë se gjykatësi kushtetues pezullohet nga detyra, Kushtetuta, libri themelor i shtetit, i ka dhënë legjitimitet masës së pezullimit pavarësisht nga dega e pushtetit, përveçse kur ai buron direkt nga populli.

Kur buron direkt nga sovrani.

Deputeti dhe kryetarët e bashkive.

Këta kemi ne pushtet që buron direkt nga qytetarët.

Po, kur ke kryer me çdo firmë krime dhe plaçkë, sigurisht që verbohesh, nuk lexon dot as Kushtetutë, nuk lexon as ligje, nuk njeh asnjë normë morale.

Dhe e bën këtë veprim pavarësisht nga paralajmërimet ultimative që ka marrë nga partnerët tanë se nuk do të tolerohet asnjë pengesë për drejtësinë.

Tani, këta partnerët tanë, duhet t’ua them shqiptarëve, në mënyrë absolute nuk kanë asnjë interes tjetër përveç interesit të qytetarëve shqiptarë.

Por ama, këta partnerët tanë, kanë dhënë për qytetarët shqiptarë gjatë këtyre 35 viteve të paktën 8 deri në 10 miliardë euro në mijëra e mijëra projekte nga Kakavija gjer në Vermosh, që e kanë nxjerrë këtë vend nga koha e prapambetjes më të thellë, e kanë sjellë në këtë.

Kanë kontribute substanciale.

Se ç’po kërkojnë ata?

Ata sigurisht ato ndihma, ato projekte që janë me mijëra, ujësjellësa, ferma, ato projekte kudo, i kanë dhënë për qytetarët e një vendi që duhet të gëzojnë ligjin, të drejtat, që të zhvillohen.

Nuk i kanë dhënë për një diktaturë.

Nuk ndihmojnë diktatura.

Dhe ky tani do t’u thotë se nuk jemi Gjermania, se nuk jemi Danimarka, se nuk jemi Austria.

Pse? Sepse kërkojnë zbatimin jo të Kushtetutës së tyre, por të Kushtetutës sonë.

Qytetarët duhet ta dinë se ky po sillet në mënyrën më antishqiptare, po shkelmon interesat e çdo qytetari.

Po shkelmon të ardhmen e shqiptarëve.

Po detyron partnerët tanë që të mbyllin çdo ndihmë ndaj Shqipërisë, integrimin ndaj Shqipërisë, sepse si ky nuk ka absolutisht asnjë kryeministër në vendet që pretendojnë për të ecur drejt BE, që të mund të imagjinojë të marrë masa të tilla.

Ky ka humbur çdo moral.

A e dëgjuat dje se si i përulej si lëngaraq Mirlindës së krimit?

Se ka hall se mos bëhet pentito.

Ekzakt.

Po si mund të admirosh një njeri, në sipërmarrjen e të cilës janë marrë pengje? Ka funksionuar si një organizatë e mirëfilltë kriminale e drejtuar nga Ergys Agasi.

Ju flisni për Epstein.

Nuk është gjë Epstein se çfarë është Ergys Agasi për Shqipërinë.

Ergys Agasi për Shqipërinë është gropa e zezë më e madhe që mund të imagjinohet.

Se kontrollonte çdo qytetar shqiptar.

Vidhte çdo qytetar shqiptar.

Vidhte të dhënat.

Vidhte çfarë kishin shqiptarët në telefona, në shtëpi dhe kudo tjetër. Të regjistruara në institucione shtetërore.

Shërbimin Informativ e kishte një gotë ujë, një kafe, se edhe atje është një Mirlindë tjetër.

Se edhe ajo është si Mirlinda.

Ua them unë.

Një Mirlindë në llojin e vet.

Shteti ishte Ergysi, ishte Edi Rama.

Kjo është e vërteta.

Prandaj dhe sot qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e vet, fatin e Shqipërisë.

Lopa e çmendur duhet të përcillet ku e ka vendin.

Ky po sillet në këtë mënyrë, tejkalon çdo lloj… në vend se të japë dorëheqjen menjëherë, të largohet urgjentisht nga pushteti, po bën gjithçka, edhe plumbat mbi demonstruesit janë me urdhër të tij.

Se të qëllosh në ballë, të qëllosh në kafkë, ke vetëm qëllim që t’i lësh të vrarë në vend.

Unë i them Edi Ramës, jep dorëheqjen  se absolutisht nuk ka forcë në botë që të pengojë shqiptarët pa të larguar ty se po sillesh në mënyrën më të pakonceptueshme.

Ishte e lehtë ajo që thashë lopë e çmendur, por je një armik i urryer i shqiptarëve me këto që bën dhe që ke bërë.

Tani, sot niset dhe ai do përpiqet në propagandë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, Shqipëria është anëtare e Bordit të Paqes, e cila është themeluar nga presidenti Trump.

Natyrisht, do ketë një përfaqësues.

Po shkoi ky, apo do shkonte Harami, të dy një fatkeqësi kombëtare.

Dhe kështu siç shkon, do kthehet.

Shkon hajdut kudo që shkon, kthehet hajdut kudo që të kthehet.

Ndaj dhe u siguroj se ftesa ka lidhje me Shqipërinë dhe nuk ka asnjë lidhje në mënyrë absolute me personin e shpërfytyruar që është Edi Rama sot.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale