Berisha: Rama po shkel rëndë Kushtetutën për të mbrojtur veten dhe Ballukun, ky është një grusht shteti. Të japë dorëheqjen, qytetarët po presin ndëshkimin e tij

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Në konferencën e parë me gazetarët për vitin 2026, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, lëshoi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për shkelje të rëndë të Kushtetutës, grusht shteti institucional dhe mbrojtje të zyrtarëve të korruptuar, në veçanti të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se vendi ndodhet përballë një situate jashtëzakonisht të rëndë kushtetuese, ku sipas tij, “Edi Rama po shkel Kushtetutën dhe ligjet e vendit për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij’. Ai theksoi se bllokimi i procedurave parlamentare për heqjen e imunitetit të Ballukut përbën një akt të paprecedentë në historinë politike të vendit. “Kanë kaluar mbi 20 ditë nga dorëzimi në Parlament i kërkesës së prokurorëve për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut për vepra të rënda penale, ndërkohë që rregullorja e Kuvendit parashikon një afat maksimal prej dy javësh. Kjo është një shkelje flagrante dhe një grusht shteti ndaj rendit kushtetues,’ deklaroi Berisha, duke e cilësuar këtë veprim si mbrojtje direkte të aferave korruptive me vlerë mbi 1.2 miliardë euro.

Lideri i opozitës Sali Berisha gjatë deklaratës së tij me median, pasi e cilësoi sërish Edi Ramën si “narko-diktator’ dhe duke bërë paralelizma me regjimin autoritar të Venezuelës, ku SHBA arrestoi diktatorin, Nicolas Maduro, i bëri thirrje Ramës që të largohet, duke dhënë dorëheqjen. “Koha e narko-diktatorëve po perëndon me shpejtësi,’ tha Berisha, duke shtuar se ngjarjet ndërkombëtare kanë zgjuar popujt për t’u përballur me regjimet represive. Sipas tij, edhe shqiptarët janë gati për një përballje të tillë. “PD dhe opozita shqiptare do të organizojnë të gjitha format e qëndresës qytetare për ta çliruar Shqipërinë nga narko-diktatori i vetëm në Europë,’ u shpreh ai, deklaroi kreut i PD.

Në fjalën e tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha i bëri thirrje Edi Ramës që të japë dorëheqjen menjëherë, duke theksuar se çdo vonesë vetëm sa do të thellojë krizën politike, institucionale dhe morale të vendit. “Dorëheqja është e vetmja rrugë. Shqiptarët po presin drejtësi,’ u shpreh Berisha.

Gjatë pyetje përgjigjeve me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, ditën e premte opozita mbledh tryezën e aleatëve për të marrë vendimet për ecurinë e mëtejshme të protestave. ‘Opozita pa asnjë diskutim do të ketë protesta ndër më të fuqishmet. Opozita thërret ditën e premte tryezën e të gjitha forcave politike dhe faktorëve influentë në shoqërinë shqiptare për të krijuar një bashkërendim, një front të gjerë kundër narko-regjimit të Edi Ramës dhe për të ndërmarrë të gjitha lëvizjet, protestat, demonstratat, revoltat e domosdoshme për largimin e tij një minutë e më parë’, theksoi Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve për emrat që qarkullojnë si propozime për kryeministra të qeverisë teknike, ai u shpreh se, pa marrëveshje për qeverinë teknike, nuk diskutohet asnjë emër. ‘Partia Demokratike, nuk avancon as edhe një emër, pa u arritur marrëveshja për qeverinë teknike. Pasi të arrihet marrëveshja për qeverinë teknike, pa diskutim PD do të avancojë, ose do të paraqesë propozimet e veta krahas forcave të tjera politike’, deklaroi në fund të deklaratës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Dhe njëherë, gëzuar Vitin e Ri ju, të gjithë gazetareve dhe gazetarëve, punonjësve të medieve, shtypit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Sot jam para jush për të denoncuar shkeljen e rëndë të Kushtetutës, ligjeve të vendit, rregullores së parlamentit nga Edi Rama në mbrojtje de facto të vetes, në aparencë të Belinda Ballukut.

Në qoftë se rregullorja e parlamentit parashikon se brenda dy javësh raporti i Këshillit të Mandateve paraqitet në parlament, unë u them sot se kanë kaluar 20 ditë nga data e dorëzimit në parlament të kërkesës së prokurorëve për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Lubi Ballukut për vepra të rënda penale, afera të cilat shkojnë me një dëm ndaj qytetarëve shqiptarë të barabartë me 1.2 miliardë euro.

Edi Rama sfidon në këtë mënyrë, në një grusht shteti, qytetarët shqiptarë, të cilët presin me të drejtë dhe padurim të shohin para ligjit qeveritarët hajdutë që janë bërë milionerë dhe miliarderë me taksat dhe pasuritë e tyre.

Edi Rama, në vend të dorëheqjes së tij të menjëhershëm, iu bëri të ditur shqiptarëve se ai është i gatshëm të përdorë 83 mandatet e krimit për të mbrojtur miliardat e vjedhura prej tij dhe bashkëpunëtorët e tij.

Ai u bëri të qartë shqiptarëve se vjedhjet monstruoze të qindra e qindra milionë eurove nga Linda, nga baxhanaku i tij me ndihmën e Lindës kunatë dhe Lindës drejtoreshë e AKSHI-t, nuk janë asgjë, janë përdorim parash dhe jo grabitje e plaçkitje.

Dhe, për të parandaluar çdo mundësi që Mirlinda e AKSHI-t të bëhet e penduar e drejtësisë, i shprehu asaj konsideratën maksimale për mundësinë apo pasurimin e tij me qindra milionë euro të AKSHI-t përmes prestanomeve të baxhanakut të tij dhe Ergys Agasit, Ermal Beqirit me kompanitë e tyre si prestanome të Armand Frangut.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen menjëherë.

Koha e narko-diktatorëve po perëndon me shpejtësi.

Ajo që forcat Delta realizuan në një operacion të përsosur, të paparë ndonjëherë në histori, për mënyrën perfekte të realizimit kundër një narko-diktatori të urryer të popullit të Venezuelës, ka zgjuar popujt në të gjitha vendet e tjera që të ngrenë krye kundër diktatorëve të tyre.

Kam besim se shqiptarët, të cilët e kanë pritur siç keni parë ju, me interesin më të madh arrestimin në dhomën e tij të gjumit të narko-diktatorit të Venezuelës dhe paraqitjen e tij në sallën e gjyqit në Nju Jork, presin me padurim për t’u përballur me diktatorët e tyre dhe narko-diktatorin e tyre në rastin e tyre në Shqipëri, dhe për t’i dhënë atij ndëshkimin dhe vendin që meriton.

PD dhe opozita shqiptare është e vendosur të organizojë të gjitha demonstratat, protestat, revoltat në mënyrë që të çlirojë vendin nga ky narko-diktator, i parë dhe i vetëm në Europë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYRI TV: Krahas foltoreve, do të ketë në Janar protestë opozita, protesta kombëtare.

Sali Berisha: Opozita pa asnjë diskutim do të ketë protesta ndër më të fuqishmet.

Opozita thërret ditën e premte tryezën e të gjitha forcave politike dhe faktorëve influentë në shoqërinë shqiptare për të krijuar një bashkërendim, një front të gjerë kundër narko-regjimit të Edi Ramës dhe për të ndërmarrë të gjitha lëvizjet, protestat, demonstratat, revoltat e domosdoshme për largimin e tij një minutë e më parë.

Për opozitën, bllokimi nga Edi Rama i heqjes së imunitetit të Lubi Ballukut, marrja në mbrojtje e delinkuentes Mirlinda Karçanaj, e njohur tashmë për abuzimet e tmerrshme me Ergys Agasin në favor të familjes Rama, janë një thirrje e madhe për shqiptarët për t’u ngritur në revoltë për t’i dhënë narko-diktatorit të tyre atë fund të turpshëm që pati narko-diktatori i Venezuelës.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Çfarë pritshmërish keni për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ballukun, duke qenë se më herët keni denoncuar se, disa prej gjyqtarëve janë kërcënuar apo vënë nën presion për një vendimmarrje, siç e ka kërkuar qeveria.

Sali Berisha: Mendoj unë se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj për të pezulluar masën e sigurisë dëshmoi nënshtrimin e saj të plotë dhe total ndaj Edi Ramës.

Ftoj çdo shqiptar të pyesë çfarë morali kanë këta gjykatës apo gjykatëse të gjykojnë në themel masën e pezullimit pasi votuan njëherë për heqjen e saj në kundërshtim me ligjin.

Cili është morali i tyre?

Morali i tyre është zero, në rrafshin ligjor flas.

Ata u nënshtruan, u paritën, u kërcënuan, por morën një vendim në kundërshtim flagrant me çdo praktikë të mëparshme.

Mos harroni se ata nuk legjitimuan kërkesën e një të pestës së deputetëve të opozitës në rastin e Sali Berishës duke deklaruar në mënyrën më të turpshme se nuk legjitimohen ata, por parlamenti.

Një turp i paparë ndonjëherë në një kohë kur neni i Kushtetutës është taksativ, një e pesta e deputetëve legjitimohen për të paraqitur ankesa dhe kërkesa në Gjykatën Kushtetuese.

Prandaj Gjykata Kushtetuese nuk është gjë tjetër vetëm një organizatë e shpifur e PS.

E thashë edhe në mëngjes unë, mblidhen me datën 17 për të të shqyrtuar kërkesën e avoketërve të mi të paraqitur një vit më parë, nuk marrin vendim dhe nuk njoftojnë sikur të ishte shpellë mafie dhe jo një gjykatë me rregullat e veta.

Nuk bëjnë asnjë publik në faqen zyrtare sepse marrin urdhra politikë.

Elda Menga, TCH: Ju kërkoni largimin e Edi Ramës për ti hapur rrugë krijimit të një qeverie teknike, për të bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fundjavë ju u pyetët për shkrimtaren Lea Ypi, si kryeministre teknike. Ndërkohë Adriatik Lapaj në fundjavë ka hedhur emra të tjerë, Përparim Kabo dhe Tritan Kalo. A keni menduar se cilët do të jenë emrat e qeverisë teknike, ka ndonjë ide, propozim PD dhe si ju duken këto dy emrat e fundit që ju citova.

Sali Berisha: Partia Demokratike insiston dhe do të insistojë për një qeveri teknike për përgatitjen e një procesi të drejtë zgjedhor.

Partia Demokratike, nuk avancon as edhe një emër, pa u arritur marrëveshja për qeverinë teknike.

Pasi të arrihet marrëveshja për qeverinë teknike, pa diskutim PD do të avancojë, ose do të paraqesë propozimet e veta krahas forcave të tjera politike.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale