Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Rama po përjeton grahmat më të vështira të regjimit! PD do vazhdojë mbështetjen e fuqishme ndaj revoltës studentore me çdo çmim dhe pa asnjë hezitim

BASHKËBISEDIMI ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi këtë të shtunë bashkëbisedimin e përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, ku foli për protestën studentore, dhunën policore, paketën e re fiskale, çështjen e Belinda Ballukut, zgjedhjet lokale dhe qëndrimin e opozitës për krijimin e një qeverie teknike. Berisha paralajmëroi se PD do të vijojë aksionin opozitar dhe nuk do të kufizohet vetëm në mbështetjen e protestës së studentëve.

Lideri demokrat, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të ndërmarrë çdo përpjekje dhe protestë për largimin e kryeministrit Rama, duke e cilësuar krijimin e një qeverie kujdestare si një nga kërkesat kryesore politike të Partisë Demokratike.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal edhe te zhvillimet politike në Serbi, duke komentuar largimin e Aleksandër Vuçiçit nga pushteti dhe ardhjen e një elite të re politike në Beograd. Sipas Berishës, ndryshimet në Serbi kanë shkaktuar tronditje në Tiranë, duke e lidhur këtë zhvillim me situatën politike të kryeministrit Edi Rama.

“Java ishte javë ndryshimesh të mëdha. Ndryshime të cilat sjellin ndërmend Pranverën Arabe, pasi në Beograd një autokrat i lidhur me krime lufte, gjenocid, me vrasje, u përmbys në Serbi dhe një elitë e re politike erdhi në pushtet”, deklaroi Berisha.

Duke folur për zhvillimet e fundit politike në vend, kryetari i PD-së, Sali Berisha, u ndal te protestat e zhvilluara në Tiranë dhe përplasjet mes Policisë së Shtetit dhe protestuesve. Berisha akuzoi policinë për përdorimin e plumbave të gomës dhe saçmeve ndaj protestuesve, duke deklaruar se si pasojë e përdorimit të këtyre mjeteve janë plagosur 16 persona. Ai veçoi rastin e të riut Erion Vishkulli, i cili ka marrë një saçmë në njërin sy. Kreu i PD-së uroi që ndërhyrja kirurgjikale të ketë rezultatin e dëshiruar dhe që i riu të rikuperohet. Sipas Berishës, shumica e protestuesve të plagosur janë qëlluar në pjesë të trupit ku përdorimi i këtyre armëve ndalohet me ligj. Ai e cilësoi dhunën ndaj protestuesve si një nga zhvillimet më të rënda të ditëve të fundit në Tiranë.

Kryetari i PD-së vlerësoi pjesëmarrjen e studentëve dhe gjimnazistëve në protestë, duke theksuar se Partia Demokratike ka qenë e pranishme që në momentet e para, por pa pretenduar se e drejton revoltën studentore.

Duke iu përgjigjur një qytetari që e pyeti përse PD nuk thërret protesta me simbolet e saj dhe me kërkesa politike, Berisha argumentoi se në protestat e mëparshme opozita kishte zgjedhur të mos përdorte simbolet partiake, me qëllim që të mos përçante bashkimin qytetar. Ai tha se protesta e zhvilluar në fund të majit dhe gjatë qershorit kishte bashkuar qytetarë me bindje të ndryshme politike dhe se PD kishte mbështetur kërkesat e saj, duke marrë pjesë në protestë pa simbolet partiake.

Berisha akuzoi gjithashtu disa prej grupeve që iu bashkuan protestës, se tentuan ta devijonin atë nga objektivi kryesor, ndërsa kritikoi sloganet që barazonin Partinë Demokratike me Partinë Socialiste.

Në një nga pyetjet, një qytetare kërkoi të dinte nëse Partia Demokratike do të mjaftohej vetëm me mbështetjen e protestës studentore.

Berisha e përjashtoi këtë mundësi, duke deklaruar se opozita do të vijojë aksionin politik për largimin e kryeministrit Rama.

“Partia Demokratike nuk do të mjaftohet, ajo do të mbështesë fuqishëm protestën e studentëve, por Partia Demokratike do të ndërmarrë çdo përpjekje, çdo protestë, për realizimin e largimit të Edi Ramës, ngritjen e një qeverie kujdestare që bën reformën zgjedhore tashmë të kërkuar gjerësisht dhe përgatit të gjitha kushtet për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”, u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD e konsideron jetike edhe krijimin e një agjencie për konfiskimin e pasurive të paligjshme, si dhe funksionimin e pavarur të sistemit të drejtësisë.

Gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve, një prej temave që mori vëmendje ishte edhe publikimi në media i një fotografie, ku raportohet se shfaqet një kuti e kuqe e mbushur me euro në një vilë në kompleksin turistik “Ëhite Rocks” në Dhërmi, e lidhur me Belinda Ballukun.

Qytetari e pyeti Berishën për mënyrën se si po trajtohet kjo çështje nga drejtësia, si dhe për faktin që fotografia ishte publikuar në mënyrë ekskluzive nga një media.

Në përgjigjen e tij, kryedemokrati përdori tone të ashpra ndaj Ballukut dhe institucioneve të drejtësisë.

“Kutia me euro e Lubisë, në vilën e kuqe të saj, se edhe ajo ka vilë të kuqe, janë paratë e xhepit të kësaj lubie të vërtetë. Qofshin dhe miliona, janë paratë e xhepit të saj”, deklaroi Berisha. Ai përmendi gjithashtu rastin e ministrit Arbjan Mazniku, duke pretenduar se në banesën e tij ishin gjetur 900 mijë euro, ndërsa në procesverbal ishin shënuar vetëm 3 mijë euro. Berisha akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta në trajtimin e çështjeve që përfshijnë zyrtarë të qeverisë dhe përsëriti qëndrimin e tij kritik ndaj këtij institucioni.

Një pjesë e rëndësishme ishte dhe paketa e re fiskale të qeverisë, të cilën Berisha e cilësoi si një barrë shtesë për qytetarët dhe ekonominë. Sipas tij, ndryshimet e propozuara prekin veçanërisht tri kategori: shtresat në nevojë, bizneset e vogla dhe shtresën e mesme.

Berisha theksoi se përfshirja e më shumë bizneseve në skemën e TVSH-së do të sjellë rritje të çmimeve dhe vështirësi financiare për sipërmarrjet e vogla. Ai deklaroi se rreth 18 mijë biznese rrezikojnë falimentimin si pasojë e këtyre ndryshimeve.

Kreu i PD-së kundërshtoi gjithashtu rritjen e taksës së dividendit nga 8 në 15 për qind, duke argumentuar se kjo masë mund të dekurajojë investimet e huaja në Shqipëri.

Ai akuzoi edhe trajtimin fiskal të profesioneve të lira, duke thënë se vendosja e TVSH-së prej 21 për qind mbi shërbimet do të përkthehet në kosto më të larta për qytetarët. Në këtë kontekst, Berisha prezantoi edhe disa nga angazhimet fiskale të PD-së në rast të ardhjes në pushtet. Ai deklaroi se asnjë taksë, përfshirë TVSH-në, nuk do të jetë mbi nivelin 12.5 për qind. Sipas tij, profesionet e lira do të përjashtohen nga taksimi ose do të përfitojnë një nivel tatimor prej 12.5 për qind. Ai premtoi gjithashtu ndryshime në taksimin e karburanteve dhe heqjen e taksës së qarkullimit të paguar përmes karburantit.

Një tjetër çështje e ngritur nga qytetarët ishte përgatitja e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe vonesa në prezantimin e kandidatëve për bashkitë.

I pyetur se kur do të bëhen publikë emrat e kandidatëve, Berisha tha se kësaj çështjeje do t’I jepet përgjigje shumë shpejt.

Në përgjigje të një tjetër pyetjeje, Berisha rikonfirmoi mbështetjen për listat plotësisht të hapura dhe për sistemin zgjedhor të Kosovës. Ai deklaroi se Partia Demokratike është e gatshme për koalicione dhe aleanca sa më të gjera politike, ndërsa këmbënguli se problemi kryesor i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është sistemi zgjedhor, por mënyra se si zhvillohet gara politike.

Në një tjetër përgjigje, lideri opozitar foli edhe për çështjen e Erion Veliajt, duke deklaruar se çdo person duhet të gëzojë të drejtat që i garanton ligji, pavarësisht akuzave ndaj tij. Megjithatë, ai e interpretoi mënyrën se si po trajtohet kjo çështje si një mesazh politik brenda mazhorancës.

Në përfundim të bashkëbisedimit, Berisha u rikthye te protesta studentore, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mbështesin të rinjtë dhe duke theksuar se beteja e tyre lidhet me të ardhmen e vendit.

“Çdo student dhe studente, çdo qytetar në atë protestë, po bën një betejë për secilin prej nesh. Po bën një betejë për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, përfundoi Berisha.

FJALA HYRËSE

Java ishte javë ndryshimesh të mëdha.

Ndryshime të cilat sjellin ndërmend Pranverën Arabe, pasi në Beograd një autokrat i lidhur me krime lufte, gjenocid, me vrasje, u përmbys në Serbi dhe një elitë e re politike erdhi në pushtet, erdhi në fuqi.

Le të urojmë që kjo elitë e dalë nga zgjedhjet e ditës së diel të kaluar t’i përmbahet një vizioni në interesin më të mirë të kombit serb, vizionit euroatlantik dhe të fqinjësisë së mirë.

Kjo përmbysje e padronit në Beograd ka sjellë tronditje të mëdha të argatit të tij në Tiranë, i cili po përjeton grahmat më të vështira të regjimit të tij narkodiktatorial, Edi Ramës.

Java u karakterizua nga dhuna më e egër që Tirana në rrugët dhe sheshet e saj ka parë ndoshta në tërë historinë.

U karakterizua nga breshëritë me plumba goma dhe saçme derrash mbi protestuesit paqësorë.

16 prej tyre u plagosën me këto armë, shumica e tyre në pjesët e trupit të ndaluara me ligj për t’u qëlluar me këto armë.

I riu Erion Vishkulli mori një saçme në njërën sy dhe urojmë nga zemra që rezultati i operacionit të jetë ai që dëshiron.

Komisariatet u mbushën plot me studentë, protestues, por ajo që spikat, spikati solidarizimi i madh me studentët në revoltën e tyre.

Spikat një vendosmëri e zakonshme e studentëve, gjimnazistëve për t’u përballur me këtë regjim dhe PD, siç ka deklaruar në krye të radhës, do mbështesë dhe ka mbështetur me gjithë potenciali e saj revoltën studentore dhe ka bërë gjithçka për mbrojtjen e tyre.

Në kulmin e kësaj krize, Edi Rama ndërmori në mënyrën më të papërgjegjshme një akt në pabesi të plotë rritje gjer në dyfishim të taksave mbi shqiptarët pa asnjë paralajmërim, pa asnjë konsultim.

Bazuar në një mashtrim të madh, ai informoi shqiptarët se me këto rritje taksash buxheti do arrijë në 10 miliardë.

Unë u them shqiptarëve se sipas KLSH, buxheti që vidhet dhe zhduket 90 përqind, kjo do të thotë më shumë vjedhje nga qeveritarët dhe varfërim më të madh për shqiptarët.

Por në qoftë se ndalemi në këtë paketë, paketa është një goditje e rëndë për këto tre kategori, për më të varfrit, për bizneset e vogla, për shtresën e mesme.

Është një goditje e rëndë për më të varfrit sepse paketa që në aparencë do të ulë çmimet e ushqimeve bazë, në të vërtetë duke futur në fashën e TVSH të gjithë dyqanet, i detyron ato të rrisin me 6 përqind çmimet, i detyron shqiptarët të paguajnë 6 përqind më shumë se ç’paguajnë tani.

Dhe ky është një akt shumë i papërgjegjshëm.

Në qoftë se Edi Rama donte të lehtësonte vërtet qytetarët nga taksat e ushqimeve, të vendoste mekanizmin e kompensimit të plotë të çdo kilogrami, të çdo grami që blihet në dyqane në kuadrin e 52 mallrave që ka shpallur se iu ul TVSH-në.

Së dyti prek prapë më të varfrit sepse në qoftë se uli TVSH për 52 mallra, e rriti TVSH për 5 mijë mallra të tjera, të cilat çdo ditë e më shumë bëhen mallra të ndaluara për të varfrit e këtij vendi.

Së treti, shqiptarët, analistët, por edhe ekspertët e huaj kanë konstatuar një paradoks, rritjen më të madhe të çmimeve në Shqipëri se sa në çdo vend tjetër, rritje e cila në studim tregon se është në përpjesëtim të zhdrejtë me rritjen e pagave. Pagat rriten, por më shumë rriten çmimet.

Çfarë ndodh?

Sigurisht që kjo ka shumë shkaqe, por shkak ndër më kryesorët janë droga, paratë e drogës.

Banka e Shqipërisë për të mbrojtur jo lekun, po euron, e cila zhvlerësohet në mënyrë katastrofale me zhvlerësimin më të lartë në botë sipas EUROSTAT, pret kartëmonedha, lekë dhe i hedh ato në treg me tonelata.

Për shembull ka hedhur gjatë këtij viti 90 miliardë dhe ka blerë 1 miliard euro.

Po kjo para në qarkullim, e cila nuk diktohet aspak nga prodhimi, por diktohet nga narkoeuro, këto rrisin inflacionin në vetvete.

Dhe këtu çmimin e paguajnë më të varfrit e vendit. Po nuk janë pak, janë mbi 700 mijë pensionistë, nga të cilët 460 mijë janë me pensione të pjesshme.

Janë mbi 49 përqind e popullatës në rrezik varfërie.

Janë një përqindje e lartë që jetojnë në varfëri absolute.

Pra, në çdo lëvizje dhe rrethanë, ai që ndëshkohet është i varfri.

Çmimin e paketës fiskale të Edi Ramës e paguan biznesi i vogël. Me hyrjen e saj në fuqi, rreth 18 mijë biznese të vogla shkojnë drejt falimentimit sepse futen në fashën e TVSH.

Edi Rama vendos nivelin më të ulët të xhiros për të vendosur TVSH mbi bizneset. I godet ato në mënyrë fatale.

Ato jo vetëm do rrisin çmimet, por ato shkojnë drejt falimentimit. Do të thotë emigracion më shumë, do të thotë të largohen nga vendi me ato pak kursime që kanë për të nisur jetën diku tjetër.

Ata që goditen më shumë në këtë paketë të re janë ato që quhen shtresë e mesme, e cila ka si skelet të saj profesionet e lira, ekspertët, specialistët, që përbëjnë një ushtri të tërë shërbimi për qytetarët.

Sot në tërësi shërbimet përballohen nga këto grupe, këto studio, këto ekspertë, këto stomatologë, këta specialistë të të gjitha fushave.

Duke i kaluar ata me TVSH 21 përqind, faktikisht së pari ata detyrohen të rrisin çmimin e çdo shërbimi dhe ti në këtë mënyrë ke gjobitur qytetarët e tu.

Së dyti ti i dërgon ata drejt falimentimit dhe largimit nga Shqipëria.

Por, dyfishimi i taksës së dividentit do ketë pasoja shumë të rënda për investimet e huaja, asnjë investitor nuk do të preferojë Shqopërinë para një vendi që nuk ka taksë dividenti ose që e ka taksën e dividentit sa e kishim ne, 8 përqind.

Rritja e saj në 15 përqind de facto është një thirrje për investitorët e huaj, mos hajdeni në Shqipëri.

Aludimi se modelet taksëlarta janë modele nordike dëshmon një cinizëm të paimagjinueshëm.

Vendet nordike, është e vërtetë që janë më taksa të larta, por janë edhe vendet më sociale të Evropës dhe më gjerë. Janë vendet e shpërndarjes më të mirë të të ardhurave. Janë vendet e shërbimeve më të shkëlqyera për qytetarët dhe të kujdesit më madhor. Dhe është e vërtetë që kjo gjendje sociale në këto vende është ndërtuar në shumë e shumë dekada.

Ato vende nuk janë qeverisur ndonjëherë nga grupe kriminale kleptokratike si Shqipëria, por nga qeveri të përgjegjshme para ligjit dhe funksionim të shtetit ligjor.

Ndaj dhe të përdorësh si justifikim, si argument taksat e vendeve nordike për qytetarët më të varfër të Evropës, dëshmon cinizmin më ekstrem.

Unë garantoj çdo qytetar shqiptar, së pari në republikën e Shqipërisë për PD në pushtet nuk do ketë asnjë taksë mbi 12.5 përqind, përfshi TVSH-në.

Nën këtë nivel do ketë një seri taksash, mbi të, asnjë.

As sigurimet shoqërore për punëdhënësin, as sigurimet shoqërore për punëmarrin. Asnjë lloj takse.

Së dyti, profesionet e lira totalisht të përjashtuara apo zbritja e taksës së tyre në 12.5 përqind.

Së treti, nafta që si sharlatan u ankua dhe u tha qytetarëve se e blini më shtrenjtë në pompë, tani do ua nxjerr unë tek makina, i papërgjegjshëm, se ua merr tek pompa, ua merr ta makina, ua vjedh ato. Nuk merr kush një taksë të atillë as më pompë, as në makinë. Shiko sa merr Kosova dhe Maqedonia. Ndaj dhe garantoj qytetarët se në pompë në Shqipëri nuk do shitet kurrë një litër naftë më shtrenjtë se në vendet përreth.

Kurse taksa e qarkullimit nuk do paguhet në makinë.

Ndërkohë, PD ka vazhduar mbështetjen e saj të fuqishme për revoltën studentore dhe iu është mirënjohëse pafundësisht të gjithë atyre pjesëmarrësve në revoltë, demokratëve dhe mbështetësve tanë që kanë mbështetur këtë revoltë, të gjithë atyre që ngritën zërin në mediat ndërkombëtare, institucionet ndërkombëtare në mbështetje të studentëve shqiptarë.

Garantoj se kjo mbështetje do të vazhdojë me çdo çmim dhe pa asnjë lloj hezitimi.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT

Vis Bejleri: Doktor, pse nuk thërret Partia Demokratike protesta? Pse duhet ta katandisim protestën në luftë me Arlindat dhe Agronat? Pse mos dalin demokratët me flamur e kërkesa politike me ofertë qeverisëse? Nuk na bashkon asgjë me komunistët e matrapazët politikë. Pse duhet demokratët të bëhen pjesë e makinacioneve të Edi Ramës. Ne s’kishim turp nga flamuri e Partia Demokratike kur kishim gjithë botën kundra.

Sali Berisha: Ne jemi e do jemi përjetë krenarë me këtë flamur, i dashur z. Bejleri. Të garantoj që qëndrimi ynë non-stop ka qenë protesta dhe në protestë.

Por Partia Demokratike është forcë politike, e cila detyrimisht bën vlerësimin e situatës dhe analizën politike. Duhet të pranojmë realitetin se në fundin e majit dhe qershorin e këtij viti, në Shqipëri shpërtheu protesta më madhështore qytetare në historinë e saj. Protestë, e cila ngriti peshë zemrat e mbarë shqiptarëve, e vërteta është edhe të majtë, edhe të djathtë, edhe të paparti.

Në këtë protestë dolën me kërkesa, të cilat kishin qenë secila pa asnjë përjashtim, kërkesat e Partisë Demokratike. Pa përjashtim të gjashta kërkesat. I kishte mbrojtur për vite të tëra me protesta, në parlament dhe kudo.

Tani, në kulmin e saj kjo protestë, shumica besonin se do rrëzonte qeverinë.

Z. Bejleri, në qoftë se kjo do ndodhte, ju garantoj se njeriu dhe partia që do përshëndeste me gjithë zemër këtë e para do ishte Partia Demokratike, e cila çdo ditë ishte e pranishme në protestë pa simbolet e saj.

Pse kjo? Sepse një protestë me simbolet e Partisë Demokratike do të përçante këtë protestë të madhe. Dhe ne kurrë nuk e merrnim përsipër atë.

Së dyti, ne jemi patriotë që kemi Shqipërinë të parën dhe jo partinë të parën. Ne kemi Shqipërinë të parën, dhe në rast se protesta madhështore e qershorit do të arrinte të përmbyste narkodiktaturën, ishte shërbimi më i madh që i bëhej Shqipërisë dhe për të cilin Partia Demokratike lufton dhe do luftojë.

Pra, ne nuk mund të merrnim përsipër të përçanim një protestë, e cila duhet ta pranojmë se fitoi mbështetjen më të madhe që mund të ketë pasur ndonjëherë një protestë në këtë vend.

Mirëpo ajo protestë, për një sërë shkaqesh që s’është momenti tani, me gjithë mbështetjen tonë dhe vendimin tonë, së pari për të mos e përçarë, së dyti për të marrë pjesë sa më shumë në protestë, së treti duke ftuar një bashkëpunim sa më të gjerë, ajo protestë me gjithë kulmet e saj të papërsëritshme, kreativitetin e jashtëzakonshëm të dekorit dhe skenarit të saj, për fat të keq u tradhtua nga Jago dhe besëprerë të cilëve historia s’do t’ua falë kurrë.

Një ndër këta ishte opozita e opozitës. Që mendoi se tani do bëhej opozita e madhe duke harruar se aty ishte një popull në këmbë, dhe u hodhën sloganet, u krahasua Partia Demokratike, lokomotiva e vërtetë e të gjitha protestave dhe opozitarizmit në Shqipëri, lokomotiva e betejës kundër narkoshtetit dhe narkodiktaturës, e dokumentuar me qindra e qindra akte e dokumente, u krahasua me Partinë Socialiste dhe u bë lajtmotiv pikërisht për ta dështuar protestën. Çka s’ishte fare në kërkesat e përfaqësuesve.

Slogani i ekstremistëve të majtë dhe sorosianëve që s’ia falim kurrë Sali Berishës, ‘Rama ik, Berisha ik’ ose ‘opozitë e shitur’, slogane që kishin si qëllim bllokimin e popullit opozitar për të marrë pjesë në protestë, pra faktikisht ata nuk kishin qëllim rrëzimin e qeverisë, ishin Jagot më të ndyrë në politikën shqiptare në 35 vite. Sa Lulzim Brava e ndonjë tjetër.  Pse e them këtë? E them këtë unë, sepse në fund si përfunduan? Merrni intervistën e Qorrit të Ramës tek Neës24 ku thotë se ne protestojmë dhe Rama na dëgjon dhe korrigjon gabimet.

Faktikisht pra, ai ishte një hipokrit i poshtër që mashtronte, gjoja kërkonte largimin e Ramës në një kohë kur ai kërkonte korrigjimin e tij sepse mbahet me miliona të destinuara për taksapaguesit shqiptarë, por në mënyrat më të paligjshme i kalojnë në kontot e tij e bëhen siç bëhen me to. Po, kjo është e vërteta.

Megjithatë, urrejtja ndaj Edi Ramës dhe regjimit shpërtheu në mënyrën më të fuqishme në protestën studentore.

Këtu z. Bejleri do më lejoni t’ju sqaroj: Protesta studentore e datës 13 tetor 2026 është thirrur nga sindikata e universitetit, për kërkesa që i kishte drejtuar shumë kohë më parë Ministrisë së Arsimit.

Strukturat tona të forumit rinor në universitete dhe gjimnaze qenë ndër më të parat që iu përgjigjën, por jo të vetmet. Me datën 13, pjesa dërmuese e pjesëmarrësve në atë protestë ishin studentë, gjimnazistë, apo anëtarë të degëve të Partisë Demokratike për Tiranën. Edi Rama përdori dhunën më të egër.

Të pranishëm më 13 kishte dhe plot të tjerë pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Pra, ishin studentë pa parti, ishin të rinj jashtë universitetit e të tjerë.

Edi Rama ushtroi dhunën më të egër ndaj tyre. Dhe kjo bëri që strukturat, në bashkëpunim me të tjerë, të thërrasin më 14 protestën, dhe dua t’u them dhe njëherë, t’ua përsëris atyre që s’u pëlqen se më 14 ato kanë qenë jashtëzakonisht aktive në organizim dhe në bojkote në universitete dhe gjimnaze, sikundër degët e Partisë Demokratike në të gjitha rrethet.

Pra, në këto kushte, ne shpallëm se Partia Demokratike mbështet fuqimisht protestën studentore. Dhe mbron studentët.

Besoj, keni konstatuar, se çdo ditë në protestë ka patur qindra e qindra demokratë, dhe çdo të shtunë protestë kombëtare ka patur mijëra e mijëra prej tyre.

Tani, ato incidente, ata nuk janë përfaqësues të protestës. Ata janë përfaqësues të zgjatimeve të protestës dhe unë po të doni ju, i kam këtu emër për emër po nuk ia vlen t’u tregoj se çfarë përfaqësojnë ata. Se janë gjithsej katër pesë mashtrues, ordinerë. Njëri thoshte Brava kryeministër, tjetri thoshte Rama është më i mirë se Berisha, çfarë tregonte se kishte dalë me mbrojtur Ramën në protestë.

Ndërsa, ekstremistët e majtë që parakalonin si falanga në rrugët e Tiranës me grusht përpjetë duke besuar se do mund t’u rikthenin shqiptarëve kohërat më të zeza, ata marrin dhe do marrin përgjigjen e merituar.

Garantoj se Partia Demokratike fton dhe do ftojë në bashkëpunim çdo forcë politike e shoqëri, e cila është për largimin e Edi Ramës. Por Partinë Demokratike, nënën e protestave në Shqipëri, nuk ka horr, nuk ka bandit, nuk ka kriminel që mund ta pengojë në protestën kundër narkodiktatorit Edi Rama dhe organizatës së tij kriminale.

Partia Demokratike nuk ka deklaruar kurrë se protestën e studentëve e udhëheq ajo, se në mënyrë absolute nuk e udhëheq. Ajo është në këtë protestë që minutën e parë, që në orën e parë me strukturat e saj në universitete dhe gjimnaze dhe ajo del në respekt të plotë të pluralitetit të studentëve, të cilët nuk janë strukturat tona, janë strukturat e partive të tjera, apo s’janë fare në struktura partish.

Del në mbështetje të plotë të tyre, pikërisht duke respektuar pluralitetin e kësaj proteste.

Besoj se ua sqarova, po t’u them një gjë, dy-tre provokatorë të ulët, që i kemi me emër dhe mbiemër, të paguar, apo një grup i vogël ekstremistësh të majtë, nuk mundet kurrë t’i diktojnë Partisë Demokratike asnjë lloj qëndrimi dhe ndryshimi ndaj revoltës studentore dhe ndaj protestave në tërësi.

Sabjan Maho: Përshëndetje Doktor, sot është bërë publik një tjetër fragment nga dosja e Ballukut në media. Në mesazhin e ËhatsApp të dërguar nga një punonjëse e Ballukut, të cilin e disponon SPAK, shikohet një foto me një kuti të kuqe plot me euro, që sipas prokurorisë, janë në vilën e kompleksit turistik ‘Ëhite Rocks’ në Dhërmi, që është në pronësi të Lubisë. Pyetja ime është, përse drejtësia po vepron me dy standarde me Lubinë? Pyetja tjetër është, përse këtë foto e ka në mënyrë ekskluzive vetëm media e Karlo Bolinos? A është kjo një luftë e hapur mes dy grupeve në PS?

Sali Berisha: Faleminderit shumë për pyetjen.

Kutia me euro e Lubisë, në vilën e kuqe të saj, se edhe ajo ka vilë të kuqe, janë paratë e xhepit të kësaj lubie të vërtetë. Qofshin dhe miliona, janë paratë e xhepit të saj.

Nuk ka pasur Shqipëria një racë të shpifur në pushtet si këta hajdutë.

Meqë pyet për këtë, po ta tregoj dhe një rast tjetër. E ke parë nga ekrani në ekran përballë studentëve një farë Mazniku. Ministri Mazniku.

Mazniku, që ta dinë shqiptarët, edhe atij iu gjet arka me euro, me 900 mijë euro në shtëpi, me procesverbal. Në fakt, që ta dini mirë, i denoncuar nga të afërm të tij. Se le t’ia themi edhe qytetarëve se si u bë kontrolli.

Dhe në procesverbal u shkruajtën 3 mijë euro.

Dhe gjer sot, këto paratë e xhepit që u gjetën atij aty, 900 mijë euro, nuk e penguan atë të bëhet ministër, nuk e penguan atë të bëhet deputet. Vetëm e vetëm se është avokati i padronit dhe e nxjerr nga studio në studio.

SPAK-u është i partisë, zotëri. E ka thënë vetë Edi Rama.

Një gjë u them, është gabim të mos u besohet diktatorëve pohimet e tyre. Ai e ka thënë: SPAK-u është krijesë e Partisë Socialiste.

Kur ka thënë që SPAK-u është krijesë e Partisë Socialiste, duhet të kuptosh që SPAK-u është i zhytur në krime po aq sa eksponentë të Partisë Socialiste dhe janë seleksionuar mbi bazën e krimit. Dhe kjo është e vërteta.

SPAK-u janë maznikër, janë ballukër. Ndoshta ballukër jo në përmasat që s’kanë patur në dorë, po me aq sa kanë patur në dorë janë jo pak.

Kështu që thjesht arka është një inventar, i bëhet një inventar Lubisë, edhe ato para të shohim sa do t’i regjistrojnë, do t’i regjistrojnë 1 milion apo do t’i regjistrojnë 5 mijë euro, çfarë të duan i regjistrojnë.

Vaske Mehmeti: Doktor, me Ramën apo pa Ramën, zgjedhjet lokale janë pas gjashtë muajsh. Kur do t’i bëni prezent emrat e kandidatëve për bashkitë? S’e kuptoj këtë zvarritje. Në rast se PS-ja ka komplekse me hajdutët, PD-ja çfarë kompleksi ka të gjejë 46 njerëz të përsosur për kandidim?

Sali Berisha: Ke shumë të drejtë. Jemi të vonuar.

Do bëjmë gjithçka që të japim përgjigje sa më shpejt kësaj çështjeje shumë të rëndësishme.

Jam dakord me ju.

Spartak Dano: Përshëndetje Doktor. A nuk do të ishte më e drejtë që t’u bëhej me dije atyre që refuzojnë drejtuesit e Partisë Demokratike në protestë, se pa 500 mijë votat e Partisë Demokratike nuk mund ta heqin kurrë Edi Ramën nga pushteti absolut që ka. Faleminderit.

Sali Berisha: Ata absolutisht nuk synojnë heqjen e Edi Ramës, por përkundrazi mbrojtjen e tij. Të garantoj që ata synojnë vetëm mbrojtjen e Edi Ramës.

Po ndalem edhe njëherë në këtë moment, në dy gjëra. Me tezën se Partia Demokratike është opozitë e shitur apo janë njëlloj me Partinë Socialiste, çfarë bëjnë këta? Këta kripto-ramistët mbrojnë si fanatikë Edi Ramën.

Po pse e mbrojnë? Sepse krahasojnë opozitën, e cila nuk ka asnjë lloj kompetence për 8 miliardë e 10 miliardë euro buxhet të shtetit shqiptar. Asnjë lloj kompetence për asnjë tender, për asnjë koncesion, për asnjë pagesë. Asnjë lloj kompetence për asnjë punësim, për asnjë legalizim, për asnjë leje ndërtimi. Në qoftë se urrejtja popullore ndaj Ramës është pikërisht për vjedhjen e miliardave, për abuzimet e tmerrshme me pasuritë publike, çfarë bën ti? Ti thua që është njëlloj me Partinë Demokratike, e cila s’ka asnjë nga këto, e cila në të vërtetë është 10 mijë herë larg asaj që thua ti.

Krahason Ramën ti me atë që s’ka asnjë kompetencë për buxhetin, për lejet, për koncesionet, për tenderat. Por ti i bën ortak atij, atë që s’është.

Atëherë qytetari thotë, epo thotë këta njëlloj janë. Duke krahasuar partitë me njëra-tjetrën ti thjesht çliron nga përgjegjësia Edi Ramën.

Nuk qenka qeveria, e cila paska të gjitha përgjegjësitë për 10 miliardë euro, që paska të gjitha përgjegjësitë për çdo tender që zhvillohet, për çdo koncesion, për të gjitha, për rendin, për policinë, për të gjitha. Po këtë e paskan njëlloj këtë përgjegjësi, e paska dhe opozita që s’ka asgjë në dorë.

Në fakt ta çlirosh hajdutin nga përgjegjësitë dhe kriminelin nga krimet, do të thotë të të korruptosh fjalën, të korruptosh mendimin, të përdorësh gjuhën për të bërë krahasime të pakrahasueshme dhe të mashtrosh.

Jo zotëri, këta mbrojnë Ramën.

Tjetër, këta zotërinj duke krahasuar Berishën me Ramën apo PD-në me PS-në, këta vrasin shpresën. Këta vrasin shpresën çdo orë. Me mediat e tyre të drejtuara nga mafia më e rrezikshme e vendit. Sepse qytetari thotë kur këta qenkan njëlloj, hajt se s’po votoj. S’po votoj, s’kam shpresë këtu.

Këta vrasin votën. S’ke vlerë të votosh.

Shiko, kjo nuk është problem, këtu është mburoja që këta horra, ky llum i llumit të shoqërisë shqiptare, i bën kreut të organizatës kriminale.

Më falni edhe një moment shumë i rëndësishëm. Thonë që Partia Demokratike nuk ka alternativë. Mashtrues ordinerë.

Partia Demokratike ka alternativën më të shkëlqyer që ka pasur Shqipëria ndonjëherë.

Por që alternativa të votohet duhet të ketë zgjedhje. Dhe me këtë qëndrim, se zgjedhjet i humbi opozita se opozita s’kishte alternativë, këta sharlatanë përkrahin farsën zgjedhore.

Këta nuk thonë që në Shqipëri asnjë alternativë nuk mund të fitojë në farsë zgjedhore përveç autorit të farsës.

Jo, jo, këtë nuk e thonë dot. Sepse po ta thonë këtë nuk paguhen.

Po kjo është elementare mor zotëri. Qytetarët duhet të votojnë të lirë për alternativat.

Lexojini pak raportet ndërkombëtare, por s’kanë rëndësi raportet. Kanë rëndësi paratë dhe porositë që marrin nga mafia shtetërore apo klanet kriminale të vendit, me të cilat Partia Demokratike është në luftë frontale.

Ndaj dhe po ju garantoj se shqiptarët kanë aq mençuri për të kuptuar këtë llum-llumi, se këta janë llumi i llumit. Këta janë shërbëtorët më të shpifur të Edi Ramës.

Ka faj, thotë edhe Partia Demokratike Se mori ai 80 mandate. Po kujt ia mori votat ai? Kujt ia mori votat? Cilës parti ia mori votat ai me 83 mandatet e krimit? A nuk ia mori Partisë Demokratike?

Partia Demokratike e denoncoi, e damkosi, e gozhdoi atë në rrafshin ndërkombëtar. Bëri atë që duhet të bënte.

Pse ti shndërrohesh në një shërbëtor mjeran, në një puthador dhe vë një maskë.

A i patë o qytetarë sesi i nxirrte nga dera e Ministrisë së Brendshme gangsterët që bërtisnin Rama në burg, për të vazhduar pastaj Berisha në burg, në turmë.

Po unë kam bindjen që shqiptarët nuk mashtrohen nga këto.  Sigurisht që Partia Demokratike mund të ketë të meta, mund të ketë gabime, duhet të përmirësojë të metat, duhet të përmirësojë gabimet, duhet të përmirësojë alternativën, duhet të përshtatet. Por, asnjë nga këto nuk mund të mbulojë siç bëjnë këta kripto-ramistë, ky llum i llumit të shoqërisë shqiptare, nuk mund të mbulojë krimet monstruoze, skandalet monstruoze të Edi Ramës, Lubi Ballukut, Vlora Hysenit e të tjerëve, me radhë me radhë se kush po i citon emrat. Erion Velisë me radhë.

Pra, sigurisht edhe ajo që thatë ju, është luftë e brendshme midis qenve në një stan.

Unë kam bindjen se fundi i tyre po vjen dhe ligji është përgjigja më e merituar ndaj tyre.

Sami Telha: Doktor, Erion Veliaj vemje është, por veprimet e Ramës me të të kujtojnë ato të diktatorit me Kadri Hazbiun. Sa në rrezik janë qytetarët dhe sistemi nga ky njeri? Pra, çfarë rrezikojmë ne në analizën tuaj?

Sali Berisha: Së pari, dua të theksoj atë që thatë dhe ju. Ai është një nga figurat më të më të urryera të korrupsionit në Shqipëri.

Por, çdo njeri, kudo që të ndodhet, në një vend demokratik, por kjo është një narkodiktaturë, duhet të gëzojë ato të drejta që i jep ligji.

Ndërsa me aktin që bëri ndaj Erion Velisë, ai u çoi një mesazh të gjithë Erionëve të tjerë në qeveri dhe në parlament, që fatin e tij do pësoni po lëvizët bishtin, se në fakt ata nuk janë qenie me bisht, por në shumë aspekte ata shkelin çdo normë morale të qenieve njerëzore.

Edi Rama ka një shprehje dhe mos harroni: “E ke personale me mua” thotë. Dhe në fakt, në raste të caktuara, atyre që u ka thënë personale, ata janë zhdukur nga faqja e dheut.

Çka do të thotë që hakmarrja e tij është e pakufishme. Ai udhëhiqet nga hakmarrja.

Rruga e vetme është të ngrihemi kundër tij me të gjithë forcën, me të gjitha mundësitë tona.

Jogert Mercira: Doktor, të përshëndes. Në media qarkullon një lajm se Ergys Agasi është dhunuar nga dy të burgosur të përjetshëm në burgun e Fierit. Është ky një thashethem apo e vërtetë, e cila po mundohet të fshihet nga publiku? Dhe në fakt avokati e cilësoi si thashethem, po nëse mund ta shtjelloni pak…

Sali Berisha: Nuk kam asnjë dijeni, por e vërteta është që Ergys Agasi, dhe fatmirësisht jo vetëm Ergysi, dinë gjithçka pothuaj për aktivitetin kriminal të Edi Ramës, Linda Ramës, Olsi Ramës. Në këtë kuptim, njeriu që është i interesuar që ai të mos ekzistojë asnjë minutë mbi këtë tokë është Edi Rama.

Por e ka gabim, e ka të kotë, nuk di a e kanë rrahur apo s’e kanë rrahur, por e ka gabim, e ka të kotë sepse sa Ergysi, aty afër dinë dhe disa të tjerë.

Janaq Toti: Ju keni deklaruar më parë se i qëndroni një sistemi zgjedhor si modeli i Kosovës. I qëndroni kësaj ideje? Jam marrë shpesh me zgjedhje dhe mendoj se në këto kushte të patronazhimit politik që është vendosur, vetëm një sistem i tillë mund të krijojë deri diku kushte të barabarta loje.

Sali Berisha: Në asnjë rrethanë me praninë e narkoshtetit dhe Edi Ramës kurrë nuk mund të ketë kushte të barabarta loje.

Po janë dy momente që dua të theksoj i dashur mik.

Momenti i parë, narkoshteti.

Sot kur narkoshteti është bërë fuqia më shkatërrimtare e kombit shqiptar në historinë e tij.

Sot kur në katër vite narkoshteti ka shkatërruar 28% të ndërmarrjeve të eksporteve dhe i ka përzënë punëtorët nga nëpër botë.

Sot kur në pesë vite, prodhimi industrial ka rënë për shkak të narkoeurove 15.3%.

Sot kur në 10 vite, mbi 1 milion e 99 mijë shqiptarë kanë emigruar vetëm në zonën e Shengenit.

Të hezitosh të flasësh për narkoshtetin, me heshtjen tënde përkulesh dhe në fakt si qytetar, si politikan nuk bën detyrën tënde.

Në qoftë se kthehemi në mitologji, dhe mitologjitë kanë lindur nga realiteti një pjesë e tyre, narkoshteti është një kuçedër e rrezikshme që po gllabëron ekonominë e Shqipërisë dhe po përzë shqiptarët nga Shqipëria.

Së dyti i dashur mik, a i dëgjon këta zotërinj nëpër studio në intervista të flasin për farsë zgjedhore. Këta nuk flasin për farsë zgjedhore asnjë, pse? Sepse në një mënyrë ose në një tjetër, kërkojnë që mos jenë aq armiqësorë me Edi Ramën.

Të mos flasësh për farsë zgjedhore sot, në heshtje ti mbështet farsën zgjedhore. I paguar apo i papaguar nga Edi Rama, ti i bën shërbim Edi Ramës.

Po, unë të garantoj që Partia Demokratike është plotësisht për listat e hapura, plotësisht për sistemin që ka Kosova, dhe unë besoj se ai sistem është më i miri, sot pa diskutim.

Po unë nuk besoj kurrë se sistemi është fajtori siç bëjnë këta, dhe më fal këtu, injoroje besimin tim, por ekspertiza ndërkombëtare thotë se sistemi ligjor në Shqipëri lejon garën e pranueshme, kompetitive, me gjithë defektet.

Por garën nuk e lejon Edi Rama, nuk e lejon narkoshteti.

Thënë të gjitha këto dhe njëherë, jam i gatshëm për listat plotësisht të hapura.

Jam i gatshëm për sistemin që ka Kosova.

Jam i gatshëm për koalicionet dhe aleancat më të gjëra në betejë kundër Edi Ramës.

Ndaj dhe krijimi i qeverisë teknike para zgjedhjeve është vendimtar për të shpëtuar vendin në mënyrë që qytetarët shqiptarë të zgjedhin atë që duan.

Arjan Aliaj: Përse nuk i kërkoni nga prokuroria e Hanoverit dosjen e Xibrakës për Olsi Ramën? Ju a keni të drejtë të kërkoni dosje të tilla? Ju lutem një përgjigje.

Sali Berisha: Prokuroria e Hanoverit nuk ka detyrim për t’ju përgjigjur një opozite.

Prokuroria e Hanoverit i përgjigjet Prokurorisë Shqiptare dhe Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë.

Por të garantoj që në atë dosje, siç kemi faktuar me dokumente, Olsi Rama është një nga më kryesorët.

Marinos Camulis. Nëse Rama ju fton të krijonit një qeveri të përbashkët për të hartuar së bashku një kod të ri zgjedhor dhe të përgatisnit vendin për zgjedhje, a do të pranonit?

Sali Berisha: Unë i qëndroj kërkesës së përgjithshme, të cilën ne e kemi formuluar fill pas zgjedhjeve të përgjithshme dhe më vonë e kanë formuluar me zërin e tyre qindra mijëra qytetarë në protesta: Rama dorëheqjen, një qeveri kujdestare e cila do të bëjë reformën zgjedhore, e cila do t’i hapë rrugën drejtësisë për të gjitha vendimet e saj kundër korrupsionit dhe përgatitjen e një fushe të barabartë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Merita Bogdani: Të gjitha këto dihet tashmë, dimë dhe SPAK-un që është i partisë. Çfarë do të bëhet? A do të mjaftohet Partia Demokratike me protestën e studentëve?

Sali Berisha: Jo. Partia Demokratike nuk do të mjaftohet, ajo do të mbështesë fuqishëm protestën e studentëve, por Partia Demokratike do të ndërmarrë çdo përpjekje, çdo protestë, për realizimin e largimit të Edi Ramës, ngritjen e një qeverie kujdestare që bën reformën zgjedhore tashmë të kërkuar gjerësisht dhe përgatit të gjitha kushtet për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Sikundër hap pa asnjë lloj rezerve të gjithë mundësitë që drejtësia të veprojë në çdo rast për politikanët.

Garanton se, ne e konsiderojmë jetike, si ngritjen e agjencisë për konfiskimin e të gjitha pasurive të paligjshme, ashtu dhe funksionimin e pavarur të sistemit të drejtësisë.

FJALA PËRMBYLLËSE

Duke përfunduar, ju falënderoj shumë për pyetjet dhe komentet që bëtë.

Dhe ju ftoj të bëjmë çdo përpjekje në mbështetje të revoltës studentore.

Çdo student dhe studente, çdo qytetar në atë protestë, po bën një betejë për secilin prej nesh.

Po bën një betejë për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Po bën një betejë që këta të rinj, më guximtarët që ka regjistruar ndonjëherë ndonjë vend, që bëjnë krenar me guximin e tyre çdo shqiptar, të ndërtojnë në Shqipëri ëndrrën e tyre më të bukur.

Dhe të mos e marrin atë mbas krahut në strajca nëpër rrugët e botës.

Të gjithë me studentët, të gjithë në mbështetje të tyre.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale