Berisha: Rama po përballet me krizën më të rëndë, largimi i tij është objektivi i PD! Demokratët të mobilizohen në parlament dhe në protestë

KRYETARI I PD, SALI BERISHA, NË MBLEDHJEN ME KRYESINË DHE SEKRETARIATET NË PD

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, kërkoi mobilizimin e strukturave të opozitës dhe intensifikimin e aksionit politik kundër qeverisë. Në mbledhjen me Kryesinë dhe sekretariatet e PD-së të mbajtur këtë të mërkurë, Berisha deklaroi se vendi ndodhet në një moment kritik dhe akuzoi kryeministrin Rama për përgjegjësi direkte për situatën politike dhe institucionale në vend.

Gjatë komenteve mbi hetimet ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, Berisha ngriti akuza për cenim të sigurisë kombëtare dhe përfshirje të zyrtarëve të lartë në një skemë kriminale. Ai përmendi emrat e Vlora Hysenit, Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe Linda Karçanajt, duke theksuar se veprimet e tyre janë kryer me urdhër të Edi Ramës.

Berisha akuzoi mënyrën se si po trajtohet çështja nga institucionet e drejtësisë dhe u ndal te komunikimet mes Hysenit dhe Agasit.

“Që nga dita e arrestimit të Ergys Agasit gjer në ditën e lëshimit të urdhër-arrestit për Vlora Hysenin kanë 510 komunikime. Në 45 ditë kanë mbi 10 komunikime çdo ditë”, deklaroi Berisha.

Lideri demokrat kërkoi që opozita të mos bojkotojë Parlamentin, pavarësisht përplasjeve me mazhorancën dhe shkeljeve të të drejtave të deputetëve të opozitës.

“Vendimi më i lehtë i kësaj partie do të ishte bojkoti i Parlamentit. Por unë kam qenë dhe mbetem i bindur se ky do ishte një avantazh për Edi Ramën”, tha ai.

Sipas Berishës, deputetët demokratë duhet ta vijojnë përballjen politike brenda Kuvendit, ndërsa strukturat e partisë duhet të shtojnë aktivitetin në terren dhe kontaktet me qytetarët.

Ai u bëri thirrje demokratëve të marrin pjesë në protestën që zhvillohet prej 112 ditësh në Tiranë, duke e cilësuar mbështetjen ndaj saj si detyrë madhore të Partisë Demokratike.

Berisha kërkoi gjithashtu një proces të ripërtëritjes së PD-së, përmes ndryshimit të mekanizmave të funksionimit, modernizimit të partisë dhe përditësimit të programit politik.

“Është një kohë historike”, u shpreh ai, duke kërkuar nga drejtuesit e partisë të afrohen edhe më shumë me anëtarët, mbështetësit dhe qytetarët.

Në përfundim të fjalës së tij, Berisha e vendosi largimin e Edi Ramës në qendër të aksionit politik të opozitës dhe kërkoi mobilizimin e strukturave të PD-së për përballjen me qeverinë.

FJALA E PLOTË

Të nderuar anëtare dhe anëtarë të kryesisë së PD, nënkryetarë të saj, sekretarë të kësaj partie, të dashur demokrate e demokratë dhe mbështetës të PD.

Kryesia e PD mblidhet sot në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin.

Ne mblidhemi në një kohë kur regjimi i narkoshtetit, regjimi i Edi Ramës, ka marrë goditjet më të rënda në tërës ekzistencën e tij.

Diskreditimin më të madh.

Ka humbur çdo legjitimitet që të qeverisë këtë vend.

Është sot qeveria më e damkosur në Evropë dhe më gjerë.

Çdo ditë e më shumë ky regjim u provua ashtu siç e kemi paraqitur, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë.

Është faktuar si vendi në të cilin shteti ligjor është zëvendësuar me shtetin e mafies dhe të drogës.

Është faktuar si regjimi, në të cilin kartelet e drogës, që përbëjnë një rrezik të madh jo vetëm për shqiptarët, por për rajonin, Evropën dhe hemisferën perëndimore, ka humbur prapë çdo të drejtë të qeverisë këtë vend.

PD është përpjekur të paraqesë të vërtetën e Shqipërisë para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ajo është pararendëse e denoncimit në Shqipëri dhe në botë të të gjitha zhvillimeve në këtë vend.

Prej 112 ditësh, në rrugë dhe sheshet e Tiranës, qytetarët e Tiranës, ndër ta edhe qindra dhe mijëra demokratë, vazhdojnë një betejë të pandërprerë me të cilën në rrafshin moral kanë tërhequr zvarrë njëlloj si rinia dhe qytetarët në vitin 1991, shtatoren e Enver Hoxhës, kanë tërhequr zvarrë Edi Ramën dhe regjimin e tij.

Zinxhiri i skandaleve, libri i zi i këtij regjimi shpalos çdo javë një kapitull të ri gjithnjë e më të shëmtuar.

Në qoftë se Lubia ka vjedhur qindra e qindra milionë euro, Lubia tjetër e SHIK-ut ka vjedhur më të çmuarën e një shteti, më të çmuarën e një kombi, atë që quhet siguri kombëtare.

Me Kushtetutë, me ligje, personi më përgjegjës direkt i sigurisë kombëtare dhe sekretit shtetëror rezulton një anëtare e shëmtuar e një grupi të strukturuar kriminal që e kemi quajtur me të drejtë grupi mafioz më i rrezikshëm i Evropës.

Grupi mafioz i AKSHI-t është grupi mafioz më i rrezikshëm në Evropë sepse ai vendosi me urdhër të Edi Ramës, në kontroll të plotë dhe total, internetin dhe komunikimin me internet për shqiptarët dhe të huajt në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Një akt i pashembullt.

Vendosi të gjitha këto të dhëna në dispozicion të grupeve dhe organizatave kriminale, por edhe të armiqve të NATO-s, armiqve të Shqipërisë dhe armiqve të partnerëve tanë.

Njeriu, që përfaqësonte Shqipërinë në partneritetin më të rëndësishëm, më delikat, më serioz, partneritetin me shërbimet e vendeve mike, rezulton se ishte një anëtare e grupeve më të rrezikshme mafioze kriminale.

Rezulton se ajo ishte e padenjë për asnjë lloj besimi.

Të dashur miq, ajo që është katërcipërisht e faktuar, por përpiqen të mos e thonë, është se Ergys Agasi, Vlora Hyseni, Ermal Beqiri, Linda Karçanaj, kanë kryer çdo veprim absolutisht me urdhër të Edi Ramës.

Kanë zbatuar vetëm porositë e tij!

Dhe ky sot, me propagandën e tij, përpiqet të lajë duart me aferën më skandaloze të një shteti, aferë e cila sot është lajm botëror.

Agjencitë më prestigjioze të botës, Reuters, AFP, etj, kanë mbushur faqet e shtypit botëror, ekranet e televizioneve dhe valët e radiove me lajmin e Vlora Hysenit.

Ndërkohë, përpjekjet e narkoregjimit për të mbrojtur Vlora Hysenin janë kriminale.

Së pari, prokuroria e partisë nuk e cilëson atë anëtare të grupit të strukturuar kriminal.

Lexoni akuzën.

Nxjerrje sekreti shtetëror dhe ndihmë të një krimineli.

Kujt duan t’ia shesin këtë këta?

A nuk është ky institucion që shpalli grup të strukturuar kriminal, me të drejtë, grupin e Lindave dhe të Ermal Beqirit dhe të Ergys Agasit?

Po çfarë bashkëpunimi do të jesh anëtar i këtij grupi se sa t’i tregosh sekretet shtetërore njërit prej kryesorëve të grupit?

Se sa të japësh të gjitha të dhënat, sa herë thoni ju? A e dini ju se që nga dita e arrestimit të Ergys Agasit gjer në ditën e lëshimit të urdhër arrestit, për Vlora Hysenin kanë 510 komunikime.

Në 45 ditë ata kanë mbi 10 komunikime çdo ditë.

Dhe kjo qenka nxjerrje sekreti dhe ndihmë, kjo është anëtare kryesore e grupit më të rrezikshëm kriminal.

Edhe njëherë, në qoftë se Balluku ka vjedhur me Edi Ramën, qindra e qindra milionë, kjo iu ka dhënë bandave dhe krimit sekretet shtetërore, sigurinë kombëtare.

Të ndalemi për një moment, ku është sot siguria kombëtare e shqiptarëve?

Një president hajdut, i akuzuar për plaçkitjen me Edi Ramën të pronave të ushtrisë.

Ermal Raketa, i përzgjedhur nga Roni Yeffet për kontrabandën dhe aferat e tij. Ermal Nufi.

Ergys Agasi me Lindën dhe Vlora Hysenin.

Ervin Demo, që zuri vendin e atij që ishte për faktin e vetëm se ai nuk kishte lidhje krimi siç ka Ervini.

Kurrë ndonjëherë siguria kombëtare e këtij vendi nuk ka qenë në duart e botës së krimit siç është sot dhe për arsyen e vetme se Edi Rama është një padrino i vërtetë.

Përpiqen, kanë 24 orë që e gjithë propaganda, të gjitha tentakulat e SHIK-ut në media dhe kur unë denoncoja publikisht rekrutimet që ajo bënte, mediat mërziteshin me mua. Unë i bëja ato denoncime në interesin e tyre më të mirë.

Shikoni tani se çfarë bëjnë, si i bëjnë avokatinë një njeriu, që pas Edi Ramës është turpi më i madh kombëtar.

Shikoni se si Edi Rama po përpiqet të fajësojë për këtë Vali Bizhgën.

Ajo mund të ketë 1 mijë të zeza, por në ligje dhe Kushtetutë ajo nuk ka asnjë lidhje, ka zero lidhje me shërbimin informativ kombëtar dhe shërbimet e tjera inteligjente.

Ligjet dhe Kushtetuta përcaktojnë shumë qartë se para kujt janë përgjegjës ato shërbime.

Në mënyrë që të mos kishte një të dytë në shërbimin informativ kombëtar, në kundërshtim me Kushtetutën nuk është propozuar i dytë aty, sepse zëvendësdrejtori në këtë shërbim është nomenklaturë me Kushtetutë e kryeministrit dhe presidentit.

I dyti i është besuar Vlora Hysenit është një drejtor Jurgen Kola, drejtori më i rëndësishëm, me një lokal në Bërzhitë ku këta bënin takimet. Lokal në të cilin Vlora Hyseni dorëzonte sekretet, i dorëzonte mjetet.

Ajo kishte pajisur këtë kriminel mafioz me mjetet më të sofistikuara të përgjimit dhe survejimit dhe filmimit.

Kishit dëgjuar ju dhe keni dëgjuar se si zyra e tij në bllok, sapo vije këmbën, ishe i regjistruar me zë, figurë dhe me të gjitha.

Që të gjitha këto mjete dhe dhuratë e Vlora Hysenit për Ergys Agasin, koordinatori e grupeve dhe karteleve të drogës të Edi Ramës.

Dhe në atë zyrë, siç pohon dhe ai vetë, janë të filmuar, të regjistruar një numër i madh ministrash, zyrtarësh të lartë, gjyqtarë, prokurorë, të cilët faleshin dhe qanin hallet tek Ergys Agasi.

Merrnin emërime dhe shkarkime sipas vendimeve të tij të përcjella.

Janë një seri skandalesh, ua them këtu dhe ju i keni parë sigurisht, që presin radhën të dalin.

Por sot më shumë se kurrë, lipset që PD, forcë kryesore politike opozitare, të ndërmarrë të gjithë përpjekjet e saj për largimin e Edi Ramës dhe regjimit të tij, për përmbysjen e këtij regjimi.

Koha fton sot çdo demokrate e demokrat, të gjithë mbështetësit tanë, të ngrihen në këmbë dhe me të gjitha mjetet demokratike të përballen me këtë regjim.

Të dashur miq, sot ne kishim një mbledhje të zgjatur të grupit parlamentar.

E vërteta është se, të drejtat themelore kushtetuese të deputetëve shkelmohen dhe nuk respektohen.

E vërteta është se, Edi Rama bën gjithçka që PD të privohet nga jeta parlamentare dhe komponenti i saj parlamentar.

Mohohen njëra pas tjetrës të drejtat më themelore kushtetuese me një qëllim të vetëm, që roli ynë, funksionet tona si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë të asgjësohen.

Në këtë kuadër, vendimi më i lehtë i kësaj partie do të ishte bojkoti i parlamentit.

Por unë kam qenë dhe mbetem i bindur, mbetem thellësisht i bindur se ky do ishte një avantazh për Edi Ramën.

Ky do përbënte një avantazh për Edi Ramën, sot i damkosur më shumë se kurrë.

Çdo njëri nga ne duhet ta ketë të qartë se ai lufton për ekzistencën e tij dhe e di që nga ajo karrige, për atë nuk ka vend tjetër përveçse në qeli me dhjetëra e dhjetëra vite burg për krimet monstruoze që ka kryer.

E them këtë për ta pasur të qartë secili nga ne se ai është i aftë për gjithçka për të ruajtur pushtetin e tij, për të ruajtur karrierën e tij.

Megjithatë, me gjithë këtë situatë shumë të vështirë në parlament, grupi parlamentar do të përshtatet, do të arrijë t’i japë përgjigjet e merituara.

Thashë edhe njëherë, ne në parlament jemi në kushte shumë të vështira, por në këto kushte ne duhet t’i japim atij po në parlament përgjigjet më të forta të mundshme që mund t’i japim.

Ne zhvilluam një Kuvend dhe një seri forumesh me moton e Ripërtëritjes, dëshmi më e qartë, ose fryt më i qartë i kësaj motoje është kjo kryesi. Jeni ju që u zgjodhët me votën e demokratëve, për të cilët duhet të bëjmë çdo gjë për ta justifikuar atë.

Ndaj dhe kjo mbledhje është një apel, një kushtrim për secilin prej nesh të shkojmë tek qytetarët.

Të shkojmë tek anëtarët tanë.

Të shkojmë tek mbështetësit tanë.

Drejtues të një force politike opozitare kryesore, është nder, është përgjegjësi e madhe.

Por asgjë nuk dëmton, nuk zvogëlon forcën tonë se sa distanca me njerëzit tanë.

Kjo është në çdo kohë, por kjo është sot më shumë se kurrë në kushtet në të cilat ne ndodhemi.

Për ne është jetike të japim çdo kontribut, të bëjmë çdo përpjekje për një PD funksionale.

Për një PD të ripërtërirë.

Të bëjmë çdo përpjekje që të përballemi me këtë regjim me eficencën dhe qëndresën më të madhe.

Të bëjmë çdo përpjekje për të mbështetur një protestë epike në karakterin e saj, e cila po zvarrit Edi Ramën çdo natë në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Në kuptimin moral, sepse në kuptimin fizik ai është një kufomë e pakallur që qëndron në pushtet me forcën e drogës dhe bandave.

Ndaj dhe njëherë, mbështetja e kësaj proteste është detyrë madhore e PD.

Anëtarët, mbështetësit e saj, me qindra dhe mijëra, janë pjesëmarrës në këtë protestë.

Dhe unë dhe të gjithë së bashku u njohim atyre një meritë shumë të madhe.

Dhe ju të gjithë pa përjashtim, përveçse dy-tre veta që mund të bëhen problem për simbolikën qytetare, të gjithë të tjerët së bashku me zgjedhësit tuaj, mbështetësit tuaj, anëtarët tuaj, duhet të jeni në atë protestë.

Edi Rama, të ardhme nuk ka.

Edi Rama ka një rënie, e cila bën të pashpresë në mënyrë absolute rimarrjen e tij.

Por ai kërkon që ne t’i japim shtytjen që meriton.

Ai kërkon që opozita të ngrihet gjithnjë e më fuqishëm kundër tij.

Si PD, në njëfarë mënyre, u them ju, kjo është një fillim në kushte krejt të tjera. Në kushte nga më të favorshmet, por edhe në kushtet e vështirësive më të mëdha.

Ndaj dhe ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi, çdo potencial që kemi për ripërtëritjen e forcës tonë politike, ripërtëritje e cila po ta mbledh me një fjalë të dytë, do të thotë rritje e vitalitetit të saj.

Ripërtëritje në vlera të reja.

Ripërtëritje në mekanizmat e funksionimit të saj.

Ripërtëritje në modernizimin e saj.

Ripërtëritje në programin e saj.

Që të gjitha këto mbeten absolutisht fjalë në letër në qoftë se ne nuk i jetësojmë ato në takime me anëtarët, mbështetësit tanë dhe qytetarët shqiptarë.

Është një kohë historike.

Një regjim, ndoshta ndër më të urryerit e të gjitha kohërave sepse dëmet që Edi Rama i ka bërë Shqipërisë në rrafshin demografik janë kolosale dhe të pakrahasueshme me asnjë pushtim dhe asnjë regjim tjetër. Jo.

Çfarëdo që të bëjmë ne, ne e nisim në rrafshin demografik me një lindshmëri si para 100 vitesh.

Dhe për ta sjellë në vitet 2013, ndoshta do të duhen afatet më të shpejta 40 vite. Dhe do të duhet një politikë solide e ripopullimit të këtij vendi.

Mora një aspekt, mund të marrim çdo aspekt tjetër.

Por u ndala në këtë aspekt për të theksuar se çfarë rëndësie jetike ka përpjekja jonë, anëtarët e kryesisë së PD, janë drejtuesit, janë udhëheqësit kryesorë të kësaj force politike, dhe unë kam besim të madh, besim të plotë se kësaj sfide, kësaj kërkese, kësaj emergjence ne do i përgjigjemi në mënyrën më të vendosur.

Asnjëherë, çdo shqiptar, askush nuk duhet të harrojë se matter matrix e të gjithë këtyre problemeve të mëdha e ka emrin Edi Rama apo Padrino i Shqipërisë.

Pa largimin e tij, në Shqipëri dhe për shqiptarët ka rrokullisje dhe vetëm rrokullisje.

Edi Rama nuk është i rrezikshëm, Edi Rama është i rrezikshëm për rajonin, për Evropën dhe më gjerë.

Ndaj dhe në këtë kuadër ne përmbushim një mision kombëtar dhe shumë më të gjerë se kombëtar.

Demokratët dhe vetëm demokratët mund t’i japin përgjigjen përfundimtare, goditjen përfundimtare këtij regjimi.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale