Berisha: Rama po pasuron anëtarët e familjes, po bëhet pronar i Dubait në Durrës duke përvetësuar 1 mln m2 tokë

EKSTRAKT

Pas daljes nga salla e parlamentit, Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha foli për gazetarët në lidhje me aksionin e opozitës në sallën e parlamentit.

Berisha akuzoi Edi Ramën se po pasuron anëtarët e familjes së tij dhe se po bëhet pronar i Dubait në Durrës ku ka përvetësuar 1 milionë metër katror tokë.

Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama edhe jashtë sallës së kuvendit.

Para gazetarëve, Berisha theksoi se Rama nuk lejon komisionet parlamentare, pasi është vetë strumbullari i të gjitha vjedhjeve.

FJALA E PLOTE:

Siç konstatoni, Edi Rama me akte të turpshme antiligjore, antikushtetuese të Lindës së parlamentit bllokon jetën parlamentare të vendit.

Opozita po bën këtu një betejë në emër të qytetarëve opozitarë, por jo vetëm, me të cilën kërkon rivendosjen e të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës në parlament. Siç është bërë e ditur, Edi Rama ka anuluar, pezulluar gjer tani, përveç komisionit hetimor për djegësat ku u zbulua vjedhja e shekullit, të gjitha komisionet e tjera hetimore parlamentare.

Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore sepse ka vendosur në pushtet piramidën më të rrezikshme të krimit. Edi Rama nuk lejon komisionet hetimore parlamentare, sepse vetë ai është flamuri i zi i korrupsionit në Shqipërisë, sepse ai në dhunim flagrante të kushtetutës favorizon dhe pasuron anëtarë të familjes së tij.

Sepse vetë ai ka ndërtuar sarajet dhe parajsën e tij në Surrel duke pasë deklaruar gjithsej, 3800 euro dhe 400 mijë lekë. Sepse vetë ai, e shoqja e tij ka ndërtuar pallatin 5 katësh për të cilin nuk gjendet asnjë faturë e vetme. Sepse toka e parkut 5 mijë metra rreth sarajeve të Surrelit është marrë në kundërshtim flagrant të të gjitha ligjeve të vendit. Është blerë me një çmim sipas Edi Ramës, 2.5 dollarë metri katror, në një kohë kur në atë periudhë toka aty ka qenë e certefikuar me 20-25 dollar.

Edi Rama është personi për të cilin OSBE deklaroi kur u bë kryeministër se disponon në bankat ofshore 200 mln euro.

Edi Rama është personi që del strumbullar kryesor i vjedhjes së shekullit me djegësat. Strumbullar kryesor i vjedhjes me koncesionet e shëndetësisë. Së fundi ai po bëhet pronar me Alabarin e tij, i Dubait të Durrësit duke vjedhur dhe përvetësuar mbi 1 milionë metër katror truall publik dhe duke larë aty, miliarda euro me Olsin dhe Amant Josifin, të vjedhura taksapaguesve europiane.

Të gjitha këto janë një motiv që të qëndrojmë për kushtetutën. Ka një nen kushtetuta që njeh të drejtë të pacenueshme të pakundërshtueshme të deputetëve të opozitës që me numër të caktuar të firmave të ngrenë komisionet hetimore parlamentare.

Edi Rama nuk e lejon këtë sepse në të gjitha komisionet ai del strumbullar i tyre. Ai del strumbullar në aferën McGonigal, në të cilën vetë Charls McGonigal ka pranuar fajësinë për të gjithë dosjen shqiptare. Kjo dosje lidhet me tre persona, Edi Ramën, Dorian Duçkën dhe Agron Nezën.

Edi Rama nuk lejon komision hetimor parlament për patronazhistët se është vetë njeriu që e ka ndërtuar atë.

Nuk lejon komision hetimor parlamentar për TIMS sepse ai me të ka zhdukur, do të zhdukë gjurmët e udhëtimeve me dhjetëra e dhjetëra herë me trafikantët. Të Edi Ramës me charterin e tij privat.

Lidhet dhe fluturimet e Taulant Ballës me bajlozët e krimit dhe drogës.

Edi Rama nuk lejon Komisionet sepse gjer tani u ka dhënë trafikantëve të drogës, bajlozëve të krimit, qeveritarëve të krimit mbi 6 mln metër katrorë tokë troje turistike të lirë nga taksat për 20 vite.

PYETJE-PERGJIGJET ME GAZETARET:

Pyetje: Sot mund të flisnit në foltoren e parlamentit për shqetësimet që ju keni …

Sali Berisha: Kjo pyetje që bëni ju, besoj ka marrë përgjigje. Kjo betejë ka filluar dy javë para, është shpallur si betejë pa kthim dhe është shpallur për këto motive që deklarova. Është shpallur dhe nuk vazhdohet më tutje.

Pyetje: A po e përdorni parlamentin për betejën me drejtësinë?

Sali Berisha: Kështu po thotë Karlo Bolino ose ndonjë tjetër i cili ka vjedhur tokën, i cili mashtron. Këto janë tezat e Bolions që i merr nga Edi Rama. Unë e kam përdorur gjithnjë tribunë të qytetarisë. Ai ka rrëmbyer 5 mijë metër katrorë tokë të pronarëve për të ndërtuar me Edi Ramën, pallatin. Po mbrojmë kushtetutën që është jetike për çdo qytetar shqiptar. Pa mbrojtjen e kushtetutës nuk mund të mbrojmë shqiptarët nga hajdutë si Edi Rama. Nuk mbrohet Kushtetuta nga kriminelë si Edi Rama. Pa mbrojtjen e kushtetutës nuk mbrohet Kushtetuta nga plaçkitësit Karlo Bollino me shokë.

Pyetje: Kur deputeti Arben Noka deputetin Gent Strazimiri, ju e dënuat këtë akt në parlamentin e Shqipërisë. Sot jemi përballë një tjetër akti. A e dënoni aktin.

Sali Berisha: Mos bëj gjykatësin. Ti Muhamet që je i famshëm për paanësinë tënde, besoj se e more përgjigjen.

Pyetje: Si do ta mbroni Kushtetutën kur ju përjashtojnë, sepse mazhoranca po përgatiten përjashtime të tjera.

Sali Berisha: Mazhoranca mund të përjashtojë, por popullin nuk mund ta përjashtojë dot kurrë mazhoranca, ju  garantoj unë ju. Beteja jonë këtu është betejë pa kthim. Hiqeni nga mendja. Do të përdoren të gjitha format e qëndresës parlamentare, ne jemi të vendosur të mbrojmë pluralizmin demokratik në parlament. Nuk ka parlament dhe parlamentar të cilët përfaqësojnë opozitën të cilët nuk mund të hartojnë ligje, nuk mund të krijojnë komisione hetimore parlamentare, nuk mund të marrin dokumentat që ju duhen për të kryer funksionet e tyre.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale