Berisha: Rama po kërcënon në mënyrën më të egër integrimin në BE për të mbrojtur veten dhe Ballukun. Rruga e vetme është kryengritja paqësore më 10 shkurt

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Në konferencën e sotme me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të rënda ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar atë si një kërcënim madhor për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Sipas Berishës, vendi ndodhet përballë një rreziku historik, pasi ‘Edi Rama dhe mafia e rrezikshme që qëndron prapa tij, në qeveri, parlament dhe institucione të tjera, po kërcënojnë në mënyrën më të egër procesin më jetik të shqiptarëve, procesin e integrimit në BE’.

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, sipas tij informacionet që vijnë nga Brukseli dhe kancelaritë evropiane, na thonë se, kryeministri shqiptar është futur në atë që ai e quajti ‘rreth të kuq’. ‘Lajmet që vijnë nga kancelaritë evropiane dëshmojnë se Edi Rama, në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, është i gatshëm të marrë çdo vendim për interesat e pushtetit të tij, pavarësisht se bllokon plotësisht integrimin në BE’, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës me gazetarët, lideri i opozitës Sali Berisha vazhdoi sërish me denoncimin e dosjes AKSHI-t, që sipas tij, është afera që ka tronditur jo vetëm opinionin publik shqiptar, por edhe institucionet ndërkombëtare. ‘AKSHI është dosja që ka lënë pa mend kancelaritë evropiane… është dosja që tejkalon çdo lloj imagjinate, deklaroi Berisha, duke shtuar se ekzistojnë – qindra dhe mijëra video dhe fotografi në të cilat edhe vetë Edi Rama është kokë e këmbë i damkosur’.

Sipas kreut të PD, refuzimi i Edi Ramës për të lejuar hetimin dhe heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut lidhet drejtpërdrejt me frikën e implikimit personal. ‘Ai absolutisht nuk do të pranojë kurrë t’i heqë imunitetin Ballukut, sepse e di se së bashku me të, në bankën e të akuzuarit është i detyruar të ulet edhe ai vetë’, tha kreu i opozitës. Në këtë kontekst, Berisha e akuzoi Ramën se po ‘loz me fatet e vendit dhe me fatin e çdo shqiptari për të mbrojtur krimet e tij’, ndërsa paralajmëroi se pasoja e kësaj qasjeje mund të jetë edhe ‘zhbërja e plotë e procesit të integrimit në BE’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi këtë situatë si një pikë kthese për shoqërinë shqiptare, duke e lidhur reagimin opozitar me mobilizimin qytetar: ‘Marrja në dorë e fatit tonë është rruga e vetme… 10 shkurti është dita e çdo qytetari, dita e dinjitetit, e guximit dhe e vendosmërisë’. Berisha artikuloi qartë linjën politike të opozitës, duke e përcaktuar si të vetmen rrugëdalje ‘kryengritjen paqësore deri në largimin e Edi Ramës’, një mesazh që ai e përsëriti edhe në përgjigjet ndaj gazetarëve, duke nënvizuar se, sipas tij, ‘nuk vjen njeri nga jashtë për ta larguar; do ta largojmë ne’.

FJALA E PLOTE

Sot jam këtu për të denoncuar kërcënimin madhor që Edi Rama dhe mafia e rrezikshme që qëndron prapa tij, në qeveria, parlament dhe institucione të tjera, po kërcënojnë në mënyrën më të egër procesin më jetik të shqiptarëve, procesin e integrimit në BE.

Lajmet që vijnë nga kancelaritë evropiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq.

Se Edi Rama në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij, për të mbrojtur veten nga krimet e rënda që ka kryer, është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE.

Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë evropiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes së tij, por në aparencë Ballukut dhe AKSHI-t.

Unë kam paralajmëruar dhe paralajmëroj prapë shqiptarët se marrja në dorë e fatit tonë është rruga e vetme pasi Edi Rama, absolutisht nuk do të pranojë kurrë t’i heqë imunitetin Lubi Balluku, pasi e di se së bashku me të në bankën e të akuzuarit është i detyruar të ulet edhe ai vetë.

Ai e di mirë se jo në një, por në dy përfaqësi kryesore të Europës dhe të botës, Gerond Meçe ka dhënë çdo detaj të implikimit direkt të Edi Ramës, baxhanakut dhe Lindës në aferat e AKSHI-t.

Edi Rama e di mirë se tashmë gjithçka ka dalë në dritën e diellit, se ai nuk është gjë tjetër veçse një Ergys Agas.

Ndaj dhe përpëlitet në këtë mënyrë.

AKSHI është dosja që ka lënë pa mend kancelaritë evropiane, por edhe të vendeve të tjera të mëdha.

Është dosja që tejkalon çdo lloj imagjinate.

Për të mos folur pastaj për qindra dhe mijëra video dhe fotografi në të cilat edhe vetë Edi Rama është kokë e këmbë i damkosur.

Edi Rama po loz me fatet e vendit.

Me fatin e çdo shqiptari për të mbrojtur krimet e tij.

Ndaj dhe 10 shkurti është dita e çdo qytetari, është dita e dinjitetit, e guximit, e kurajës, e vendosmërisë për të marrë fatin në duar.

Ju e patë edhe sot, pavarësisht se Peleshi i parlamentit e kishte hequr, por në takimin që bëri në Departamentin e Shtetit, citohej fjalë për fjalë lufta kundër organizatave kriminale transnacionale, çka parakupton rrezikun që kartelet shqiptare dhe organizatat e drogës paraqesin për vendet e tjera.

Dhe ai e censuron, duhet të lexojmë njoftimin e departamentit për të marrë vesh të vërtetën e njoftimeve të SHBA.

Këta janë bashkëpunëtorë në krim.

Niko Peleshi që bën këtë censurë është bashkëpunëtor në krimet e Edi Ramës.

Ndaj dhe njëherë rruga e vetme është kryengritja paqësore.

Nuk kanë asnjë interes përveç vjedhjeve për pasurim të tyre.

Kam edhe një mesazh për të gjitha familjet shqiptare në zonat që përmbyten.

Unë e kuptoj se janë krejtësisht të braktisura nga një qeveri mafioze, nga një organizatë kriminale.

Por të marrin çdo masë vetë, të bëjnë çdo përgatitje në mënyrë që të zvogëlojnë në maksimum mundësitë e dëmeve të një përmbytje në potencial.

Të dhënat janë për mot të madh dhe ky mot rrezikon më shumë se i pari për një seri arsyesh sepse nuk është marrë asnjë masë, nuk është bërë asnjë rregullim pas përmbytjes së parë dhe gjendja është akoma më e rëndë.

Sigurisht deputetët e PD dhe këshilltarët e saj do gjenden në terren për solidaritet, por vetëkuptohet ekzekutivi nuk ka ndërmarrë dhe nuk ndërmerr asnjë masë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, në rast se një rreziku të mundshëm potencial për negociatat e Shqipërisë për në BE, Edi Rama zgjedh të sakrifikojë integrimin e vendit për të mbrojtur dhe për të mos lëshuar Belinda Ballukun, cila do jetë përgjigja e opozitës?

Sali Berisha: Përgjigjja e opozitës është një dhe vetëm një. Kryengritja paqësore deri në largimin e tij.

Ne jemi vënë në dijeni, kemi marrë dijeni për zhvillimet në kancelaritë evropiane dhe në BE, por ne jemi të sigurt se pavarësisht nga vendimet, nuk vjen njeri për ta larguar, do ta largojmë ne Edi Ramën.

Ky është gjithnjë qëndrimi ynë.

Natyrisht është shumë, shumë e hidhur sepse një zhbërje e procesit e nxjerr Shqipërinë absolutisht në një orbitë krejtësisht tjetër.

Por ama një gjë, me shkrim dhe me gojë, para jush por edhe në audienca të tjera shumë të rëndësishme, ne kemi paralajmëruar se ky vend, kjo qeveri dhe ky regjim nuk plotëson në mënyrë absolute asnjë kriter në procesin e integrimit përveç pozicionit gjeostrategjik të Shqipërisë.

Ne e kemi thënë edhe atëherë kur Edi Rama ngrihej në qiell si frymëzim për reformat që ka bërë. Ja tani që po i shkelmon me këmbë ato, të cilat i paraqiste si të jashtëzakonshme.

Ja cili është Edi Rama sot.

Po e kujtojnë, por pak me vonesë.

Sigurisht na takonte ne të ishim të parët, dhe ne ishim.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Z. Berisha, edhe një pyetje tjetër që lidhet me kulmin e debateve për rrogat e gjyqtarëve. Ish-ministri i Drejtësisë dhe njëherazi kryetari i Komisionit të Ligjeve të Partisë Socialiste, Ulsi Manja, ka paralajmëruar gjyqtarët e GJKKO-së që ‘të vënë gishtin kokës’ dhe të mos bëhen noterë të prokurorëve, përndryshe do të ndërhyhet, pra ka paralajmëruar ndryshime në sistemin e drejtësisë. A do të ndërhyjë Partia Demokratike?

Sali Berisha: Partia Demokratike nuk bëhet pjesë në mënyrë absolute e asnjë ndërhyrje. Edhe radhën e kaluar dhe theksova, dhe tani. Gjykatësit dhe prokurorët e vendit kanë të drejtë 100% të pretendojnë një piramidë rrogash në frymën e Kushtetutës dhe ligjeve.

Kanë të drejtë të refuzojnë një piramidë rrogash e cila është ndërtuar totalisht mbi baza, qëllimesh të zeza politike.

Gjykatësit dhe prokurorët me gjithë plus-minuset që kanë, siç kanë të gjithë grupet e tjera, nuk kanë patur as vërejtjen më vogël, edhe në atë kohë kur, rrogat e tyre, të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, po marr atë, nuk shkonin më shumë se 1400-1600 euro, sepse piramida e rrogave ishte ajo që duhej të ishte sipas frymës së Kushtetutës.

Kurse Edi Rama për të ndërsyer një grup mercenarësh kundër opozitës, u vuri atyre rrogat më të larta në Europë, rroga që nuk ekzistojnë, në vendin me rrogat më të ulëta të tjera, në Europë.

I bëri ata mercenarë të superpaguar për të gjuajtur opozitën.

Nuk e di a e morët vesh apo jo, për një kompani të quajtur ‘Mektrin’, është kontrolluar para pak ditësh dy herë.

Pse u kontrollua kompania thoni ju? Na duhen dokumentet e veturës së Flamur Nokës, që ka blerë Flamur Noka, ‘Range’ mos gaboj.

Shkuan njërën ditë, i thanë ata s’kemi. Shkuan ditën tjetër, u thanë nxirrni. Çfarë doli. Veturën e kishte blerë Lul Basha. Se është skenë e bukur. Sapo punonjësi i tha që, o zotëri ai nuk ardhur kurrë për të blerë veturë. I dha ai të dhënat e veturës, i tha ai, që këtë veturë e ka blerë Lul Basha, ja ku e ke.

As nuk i mori fare dokumentet. Jo. Se krim duhej të ishte për Flamur Nokën.

Por kjo është ngjarje reale, taze. Ja tha ku e ke firmën, e ka blerë Lul Basha këtë veturë, merre dosjen. Jo i tha, nuk më duhet për Lulin.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale