Berisha: Rama nuk vjen dot në parlament, sepse në çdo faqe të raportit e ndjek fantazma e Ergys Agasit dhe hija e zezë e Lubi Ballukut

PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA JASHTË KUVENDIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi gjatë një prononcimi për media jashtë Kuvendit ditën e sotme se, zgjedhjet në Shqipëri janë zhvilluar në kushte të “partisë-shtet” dhe i cilësoi ato një “farsë elektorale”. Berisha tha se raporti denoncon procesin zgjedhor, i cili është zhvilluar nën ndikimin e strukturave qeveritare, duke cenuar ndarjen mes institucioneve dhe partisë në pushtet.

Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për manipulim të procesit zgjedhor, blerje votash dhe përdorim të burimeve shtetërore për qëllime politike. Ai tha se raporti i Komisionit të Jashtëm të PE-së denoncon ndërhyrje në zgjedhje, financime të paligjshme dhe lidhje të pushtetit me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Berisha theksoi gjithashtu se raportit evidenton probleme serioze në Shqipëri, përfshirë rrezikun e varfërisë për fëmijët, korrupsionin dhe ndikimin e grupeve kriminale në politikë dhe ekonomi. Kryedemokrati tha se këto zhvillime dëmtojnë procesin e integrimit europian të vendit.

Në deklaratën e tij, Berisha u ndal edhe te funksionimi i Kuvendit, duke e akuzuar mazhorancën se po e dobëson rolin e saj si institucion debati dhe kontrolli. Berisha theksoi Rama nuk vjen dot në parlament, sepse në çdo faqe të raportit e ndjek fantazma e Ergys Agasit dhe hija e zezë e Lubi Ballukut dhe familjareve te tij.

Në një pjesë të deklaratës, kryetari i PD komentoi edhe një debatin me deputetin socialist Erion Braçe në Kuvend lidhur me çmimin e karburantit. Berisha tha se taksat mbi naftën në Shqipëri janë ndër më të lartat dhe se barra e tyre bierëndë mbi qytetarët shqiptarë krahasuar me vendet e BE-së, duke përmendur Gjermaninë si shembull krahasues.

Në përmbyllje, Berisha bëri thirrje për protestën e ditës së nesërme në kryeqytet, duke e cilësuar si një kryengritje qytetare dhe një reagim ndaj qeverisë. Ai tha se protesta synon të mbështesë denoncimet për farsën elektorale dhe korrupsionin, ndërsa paralajmëroi vijim të aksioneve opozitare nëse situata politike nuk ndryshon.

FJALA E PLOTË

Se zgjedhjet në Shqipëri, u zhvilluan në kushtet e partisë-shtet, në kushtet e fshirjes së linjës ndarëse midis institucioneve shtetërore dhe strukturave të partisë. Ky është vlerësimi më objektiv, më i rëndësishëm i pranisë së farsës elektorale në Shqipëri. Natyrisht, denoncon blerjen, denoncon financimet e paligjshme të partisë së krimit, denoncon ndërhyrje të tjera. Por raporti dëshmon se, Edi Rama zgjedhje nuk bën, por bën farsë elektorale. Raporti ndalet në mënyrë të veçantë tek parlamenti. Kërkon që parlamenti të jetë forumi qendror i debatit, i mikqyrjes së procesit të integrimit. Por, siç e dini ju, janë përpjekje të jashtëzakonshme të Edi Ramës për ta asgjësuar parlamentin dhe ai ka tani një fobi të tmerrshme nga salla e parlamentit. Nuk duron dot t’i thuhet në sy si burri burrit që ke vjedhur qindra milionë euro tek AKSHI, që gjysma jote më e mirë, siç thotë ai, ka bërë kërdinë me kunatin e saj në paratë e taksapaguesve shqiptarë, siç faktojnë dokumentat e pakundërshtueshme. Nuk i duron dot këto, prandaj s’vjen në parlament. Nuk i duron dot t’i lexohen mesazhet e Lubisë. Por, të gjitha këto kanë sjellë këtë raport.

Raporti denoncon qëndrimin ndaj ligjit të konfliktit të interesit, qëndrim që është dhe burimi themelor i korrupsionit. Nuk vjen në parlament, nuk lejon debat, se i ka firmat e tij mbi prodhimin e vëllait të vet me tokë private 38.000 m², nuk vjen dot se dhe sarajet e Surrelit i ka ndërtuar nga kompani të cilat i ka shpërblyer dhjetëfish. Nuk vjen dot se pallati në Pajë i familjes është ndërtuar nga ndërtues që kanë fituar qindra milionë tendera me rrugë të shkatërruara. Nuk vjen dot ai. Nuk vjen dot, se Ergys Agasi, fantazma e tij është në çdo faqe të raportit. Nuk vjen dot, se në raporti thotë se mbi 50% e fëmijëve në Shqipëri janë në rrezik varfërie. Nuk vjen dot. Nuk vjen dot për lidhjet e tij të tmerrshme me krimin, për sistemin korruptiv që ka ndërtuar. Nuk vjen dot, sepse me letrën që ka shkruar në Frankfurt Allgemeine Zeitung, me urdhër të Vuçiçit, damkoset si minues i procesit të integrimit. Nuk vjen dot se absolutisht në çdo paragraf të këtij raporti është hija e zezë e tij, Lubi Ballukut, familjarëve të tij dhe ministrave të tij. Ndaj dhe lutja ime për të gjithë ju, për të gjithë mediat, ta trajtojnë në mënyrën më transparente dhe më serioze këtë raport i një rëndësie kapitale për procesin e integrimit të Shqipërisë.

Çfarë taktike po ndjekin këta ndaj raportit? Dy taktika. Balla falenderon për raportin dhe fillon: ja thotë, se ligji lejon zgjedhje kompetitive, po nuk thotë që nuk u bënë zgjedhje kompetitive. Dhe mbyllet me kaq dhe merret me përralla, jo faleminderit këtij, faleminderit atij, në një kohë kur këta janë autorët e vërtetë të këtij raporti. Veprat e zeza të tyre kanë shkruajtur këtë raport. Në 35 vite, një raport të tillë nuk ka patur. Krahasojeni pak me raportin e vitit të kaluar, e keni aty. Krahasojeni. Dallojnë si nata me ditën. Për ne nuk ka gjë të re. Ne i kemi thënë të gjitha këto. Por, deputetët e Parlamentit Europian, Komisioni i Jashtëm solli këtu misionin faktmbledhës. I gjeti dhe ato që janë shkruajtur aty me dorë të kursyer, sepse edhe më zi mund të ishin paraqitur. Pra, thirrja ime është, mos e censuroni këtë raport se bëhet një krim i shëmtuar. Censurimi i këtij raporti është krim madhor në komunikim. Ndaj dhe mos të rendin ndaj temave që i dikton zyra e Edi Ramës, por të lexojnë para shqiptarëve raportin, të komentojnë si interes i tyre, sepse ju garantoj se në qoftë se nuk bëhet kthesa, raportin tjetër Shqipëria do ta shohë me dylbi integrimin. Ndaj dhe është e rëndësishme të shënohet një kthesë e madhe dhe mediat kanë një rol të madh këtu. Mediat kanë rolin e tyre të pazëvendësueshëm. Faleminderit!

Gazetarët: Z. Berisha, pak çaste më parë nga salla e seancave plenare ju kemi parë duke komunikuar  me deputetin socialist Erion Braçe. Me thënë të drejtën, pamje që rrallë ndodhin.

Sali Berisha: Jo, shumë e vërtetë, shumë e vërtetë. Braçe tha se Gjermania… sepse Braçen, pse e hoqi ajo andej? Nga Myzeqeja? Se Braçe në vend se të fillonte grevë urie aty për fermerët, rrinte dhe në një mënyrë e turbullonte, e fajin e qeverisë për çmimin e naftës. Tani, edhe ju jeni gazetarë, çmimi i naftës në Shqipëri, taksa mbi çmimin e naftës, mbi litrin e naftës, është absolutisht ndër më të lartit në Europë dhe në botë, në mos më e larta.

Gazetarët: Po pse nuk ia sugjeruat grevën e urisë, z. Berisha?

Sali Berisha: Prit një minutë, se ai e kishte protagonizmin, se ai beson se është protagonist. Po unë nuk bëj hipokrizi. Unë u them shqiptarëve që taksën e keni dhuratë nga Edi Rama, çmimin e lartë e keni nga Edi Rama dhe faktoj, dhe ky nuk ua thotë që e keni nga Edi Rama. Po thotë, e dëgjuat vetë, ishte 7 lekë thotë, por ne zgjodhëm 28 lekë. Nga 7 e bëmë 28, ishte politika jonë thotë kjo. Po si është politika jonë? Politikën tuaj e paguajnë fshatarët, e paguajnë qytetarët politikën tuaj. Pse e marrim shtatë ne? Pra, e kuptuat ju? Dhe ai erdhi dhe solli një tabelë ku donte të më bindte mua se Gjermania e paska më të shtrenjtë, më të lartë taksën e naftës se ne. Tani, ku qëndron e vërteta? E vërteta është që Gjermania e ka 45% të çmimit. Shqipëria e ka gjer në 55% të çmimit. Por, ka një tjetër, po hyjmë në krahasime. Në qoftë se gjermani punon një orë ose më pak se një orë për litrin e naftës, shqiptari punon një ditë. Pra, në buxhetin familjar, shqiptarit i kushton nafta 7 herë më shtrenjtë se gjermanit. Kjo.

Gazetarët: Z. Berisha edhe diçka tjetër. Nesër ju keni thirrur protestën e radhës. Nëse mund të zbuloni diçka për mediat, cili do të jetë skenari?

Sali Berisha: Thirrja ime është: nesër çdo shqiptar të paraqitet në protestë në mbështetje të fuqishme të këtij raporti, të paraqitet në protestë për t’i dëshmuar çdo shqiptari dhe partnerëve e miqve tanë se dosja Rama-Balluku s’mbyllet kurrë, se AKSHI nuk mbyllet kurrë, se farsa elektorale nuk mbyllet kurrë. Edi Rama është i plagosur politikisht për vdekje. Ka frikë dhe tmerr nga parlamenti, nuk shkel dot në sallë.

Gazetarët: A mos po bëhet gati për në gjykatë, z. Berisha?

Sali Berisha: Aty po ka krijuar, një këshillë më kanë thënë, po le të vazhdojë, se aty do të ballafaqohemi. Do ta shihni ju vetë një ballafaqim ku do shihni se ç’përfaqëson ai. Por e paralajmëroj mos guxojë të kundërshtojë thirrjen në gjykatë. Jo vetëm në rastin tim, por në çdo rast tjetër. Edhe më mirë të shkonte bashkë me Lubinë, të bënte prova. Të bënte ca prova, të mësohej me sallën e gjyqit. Se unë ju siguroj që atje do përfundojë. Atë, atë mos e keni fare ju.

Ndaj edhe të dashur qytetarë, qytetare, nesër mbasdite në ora 7:00, të gjithë në Tiranë. Është kryengritja jonë, është zëri i fuqishëm i shqiptarëve, i elitës së guximit të shqiptarëve, në emër të interesave më të mëdha të çdo individi, të çdo familjeje, të vendit në tërësi.

Gazetarët: Z. Berisha, do të jetë e njëjta protestë si herët e tjera, pra marshim në disa institucione apo do të jetë një…

Sali Berisha: Tani do shpaloset kundërshtari, nuk mund ta mësojë tani online skenarin tonë. Faleminderit! Mirupafshim!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale