KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi sot atë censurën e egër ndaj opozitës dhe manipulim të të dhënave të Autoritetit të Mediave Audiovizive nga kryeministri Edi Rama. Në konferencën e sotme me gazetarët, Berisha deklaroi se të dhënat e AMA-s nuk tregojnë ndikimin real të partive në media, por vetëm numrin e rasteve kur emrat e tyre përmenden.
‘Përmendja e partive apo individëve nuk tregon aspak ndikimin e tyre mbi mediat, tregon se sa herë lakohet emri i tyre’, tha Berisha, duke akuzuar Edi Ramën se përpiqet ta paraqesë sulmin mediatik ndaj opozitës si hapësirë të dhënë për të.
Sipas liderit të demokratëve, Sali Berisha, monitorimi i bërë nga zyra e shtypit e PD-së për katër televizionet kombëtare, RTSH, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, tregon një panoramë krejt tjetër. ‘Këto katër media kombëtare, i kanë kushtuar Edi Ramës dhe PS në 30 ditë të marra së bashku 15 orë, 10 minuta dhe 59 sekonda’, tha Berisha. Për opozitën, sipas tij, koha ishte vetëm 4 orë, 46 minuta dhe 43 sekonda.’
Lideri i opozitës Sali Berisha Berisha solli si shembull edhe datën 26 qershor, kur, sipas monitorimit të PD-së, opozita mori vetëm 1 minutë e 30 sekonda, ndërsa PS 48 minuta e 45 sekonda. ‘Pra një raport 32.5 me 1. Kjo është pabarazia ekstreme që diktohet nga qeveria mbi mediat e kontrolluara prej tij’, tha ai. ai akuzoi gjithashtu Ramën se lajmet dhe raportimet për protestën e opozitës llogariten artificialisht si kohë televizive në favor të PD-së.
Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha i pyetur nga gazetarët komentoi edhe deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për Kosovën, duke e cilësuar atë ‘krejtësisht të papranueshme’ dhe ‘fatkeqe’. ‘Ne nuk e harrojmë dhe ne nuk pranojmë këtë deklaratë’, tha Berisha, duke theksuar se Shqipëria duhet të vijojë mbështetjen për Ukrainën pavarësisht qëndrimit të Zelenskyt.
Sipas tij, Serbia ka qenë për një kohë të gjatë ‘Kali i Trojës i Kremlinit në Ballkan’, ndërsa qëndrimi i presidentit ukrainas për Kosovën bie ndesh me interesat e vetë Ukrainës. Berisha kritikoi gjithashtu nismën Rama-Vuçiç për një model të ri marrëdhëniesh me Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë një propozim të bërë ‘pa pyetur kombet e tyre’. ‘Si diktatorë autokratë të korruptuar, kërkonin që nuk kemi nevojë për veto apo komisionerë, por vetëm na jepni tregtinë e lirë dhe lëvizjen e lirë’, deklaroi kryetari i PD-së Sali Berisha në konferencë për mediat.

FJALA E PLOTE:
Jam sot për të denoncuar censurën e egër që ushtrohet mbi opozitën dhe mashtrimin e shpërfytyruar të Edi Ramës, bazuar në të dhënat e motrave siameze të AMA-s, siameze në mashtrim të turpshëm.
Edi Rama, duke përdorur një tregues që nuk ka asnjë lidhje me kapjen apo moskapjen e medieve, përpiqet të bindë të tjerët se mediat, sipas përmendjes, të themi, e injorojnë Ramën dhe PS-në dhe u kushtohen atyre vetëm 36 përqind kundrejt 64 përqind që i kushtojnë PD-së.
Në këtë analizë, që AMA me porosi të Edi Ramës, i servir atij, dëshmohet se mediat e kontrolluara nga qeveria merren ditë e natë me shkrime, artikuj, lajme, debate kundër opozitës.
Përmendja e partive apo individëve nuk tregon aspak ndikimin e tyre mbi mediat, tregon se sa herë lakohet emri i tyre.
Dhe natyrisht, në lakimin për keq nga mediat e qeverisë, ka një person që është kampion dhe ky është Sali Berisha.
Ka një kampion, me artikujt, trillimet dhe mashtrimet me qindra mijëra miliona janë ndërtuar vila, pallate nga çakejt e qeverisë. Janë bërë milionerë.
Dhe Edi Rama, të gjitha koprolalitë 24-orëshe të Ymer Çorapës, Karlo Bolinos, Sokol Ballukut, që janë non-stop me opozitën dhe Sali Berishën në gojë, i quan dedikim, i quan hapësirë për opozitën.
Cila është e vërteta?
Përsëri ne, zyra e shtypit ka monitoruar 4 televizionet kombëtare, të cilët janë mamuthët, oligarkët, janë në një mënyrë apo në një tjetër censorët dhe xhelatët më kryesorë të fjalës së lirë.
Këto katër media kombëtare, televizioni shtetëror, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus i kanë kushtuar Edi Ramës dhe PS në 30 ditë të marra së bashku 15 orë, 10 minuta dhe 59 sekonda.
Pra, 15 orë kundrejt vetëm 4 orëve, 46 minutave dhe 43 sekondave apo 23.9 përqind opozitës.
Sipas ligjit universal, par condicio, i çdo vendi demokratik, këto media duhet t’u akordonin kohë të barabartë pozitës dhe opozitës.
Por Edi Rama ndër të tjera llogarit edhe lajmet që japin non-stop për protestën 71-ditore mediat, ia llogarit si kohë PD-së.
E vërteta është që ka ditë të caktuara në të cilat për PD-në, nga këto media është dhënë 1 minutë e 30 sekonda, kurse për PS-në, dhe kjo është data 26 qershor, për PS janë dhënë 48 minuta e 45 sekonda, pra një raport 32.5 me 1.
Kjo është pabarazia ekstreme që diktohet nga qeveria mbi mediat e kontrolluara prej tij.
Dhe dy binjaket siameze në mashtrim në AMA i servirin Ramës dhe publikut për tregues të vërtetë, treguesin që më shumë se çdo gjë tjetër flet për sulmet e shfrenuara që bëhen çdo ditë nga puthadorët e qeverisë ndaj opozitës dhe drejtuesve të saj.
Ftoj organizatat e gazetarëve shqiptarë, të cilat nuk duhet të pajtohen me një situatë të tillë dramatike pabarazie të monitorojnë dhe t’u thonë shqiptarëve të vërtetën.
Janë edhe dy portale që merren me këto analiza.
Edhe ato, sa merren me analizën e retorikës së Sali Berishës, i sugjeroj më mirë të merren me të vërtetën e hidhur të kapjes së egër të televizioneve kombëtare private dhe shtetëror nga narkodiktatori Edi Rama.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, pavarësisht shumë takimeve që kryeministri shqiptar ka zhvilluar me presidentin Zelenski, ky i fundit ka deklaruar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. A keni një koment në lidhje me qëndrimin e tij dhe mbi performancën e diplomacisë shqiptare për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës?
Sali Berisha: Sot kemi një deklaratë në të cilën ne shprehim keqardhje për deklaratën e presidentit Zelenski në Beograd për pavarësinë e Kosovës, të cilin ai u shpreh se është e njëanshme. Kjo deklaratë e presidentit Zelenski vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, me planin e Ahtisarit të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Vjen në kundërshtim të hapur me vendimet e vendeve kryesore anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Vjen në kundërshtim të hapur me të drejtën dhe ligjin ndërkombëtar, të interpretuara ato me kërkesë të Beogradit nga Gjykata Ndërkombëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila është shprehur për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Por nga ana tjetër, deklarata është dhe në një aspekt tjetër jashtë çdo konteksti historik.
Shqiptarët janë një komb mik me kombin ukrainas dhe në Shqipëri dhe në Kosovë, ata janë solidarizuar plotësisht me luftën heroike të popullit të Ukrainës nën udhëheqjen e presidentit Zelensky kundër agresionit barbar rus.
Kurse Serbia gjer para pak kohëve ishte Kali i Trojës i Kremlinit në Ballkan. Është Rusia e vogël, e cila në mënyrë të pamohueshme shërbeu dhe vazhdon në një farë mënyre të shërbejë si prapavijë e fuqishme e Rusisë në Ballkan.
Edhe në këtë kuadër deklarata e presidentit Zelenski është jashtë çdo konteksti, dhe mendoj unë, interesi për vendin e tij. Ndaj dhe Partia Demokratike e cilëson atë një deklaratë krejtësisht pa vend, krejtësisht të papranueshme dhe do të thosha një deklaratë fatkeqe në një vend që s’duhej bërë kurrë dhe për pavarësinë e Kosovës.
Mariglen Kume, MCN TV: Në vijim të pyetjes së koleges, a duhet që Shqipëria të ndryshojë qëndrim karshi Ukrainës pas kësaj deklarate dhe cila do të ishte masa proporcionale që do të duhej të bënte Shqipëria?
Sali Berisha: Mendoj se shqiptarët dhe Shqipëria duhet të mbeten të palëkundur në mbështetjen e Ukrainës ndaj agresionit rus.
Në qoftë se presidenti bëri një deklaratë të tillë, ne nuk e harrojmë dhe ne nuk pranojmë këtë deklaratë, por natyrisht nuk mund të bëhet fjalë që ne të ndryshojmë qëndrimin ndaj agresionit barbar rus, ndaj popullit të Ukrainës dhe kombit ukrainas që po bën një luftë heroike, në fakt në mbrojtje të pavarësisë dhe të integritetit.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Ndërkohë, po të qëndrojmë tek kjo temë, zoti Berisha, të paktën ashtu sikurse theksojnë artikujt e mediave gjermane, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka ftuar Zelenskin që t’i bashkohet nismës së tij me Edi Ramën për një anëtarësim pa të drejta të plota në Bashkimin Europian. Si e komentoni këtë?
Sali Berisha: Sot në Bashkimin Europian ka një debat dhe një problem real madhor për çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Europian.
Qëndrimet janë nga kërkesa e Kievit për anëtarësim të plotë tek propozimet e bëra nga kancelari Merc, i cili propozoi fillimisht për Ukrainën statusin e një vendi të asociuar.
Nuk ekziston kjo në traktate, por ekspertët ligjorë nuk e quajtën të pamundur statusin e një vendi të asociuar me një seri të drejtash të garantuara.
Po në këtë propozim, kancelari Merc propozoi një status më të pakët, të jemi realistë, për Shqipërinë dhe Serbinë, të cilat mund të kishin statusin e vëzhguesit (observer). Në të cilin, përsëri këtyre vendeve u njihen disa të drejta, më shumë nga këto që kanë tani, por vëzhgues, dhe sipas rregullit, ato nga vëzhgues duhet të kalojnë në asocim, nga asocim në anëtarësim të plotë.
Të gjithë këtë sipar, të jemi realistë, e hapën padroni dhe argati i tij, Vuçiçi dhe Rama, me një letër që publikuan në gazetën më të madhe gjermane, ku ata, pa pyetur kombet e tyre, si diktatorë autokratë të korruptuar, kërkonin që nuk kemi nevojë për veto apo komisionerë, por vetëm na jepni tregtinë e lirë dhe lëvizjen e lirë, gjë e cila ishte një propozim, në vlerësimin tim, i bërë, thuhet me njëfarë konsenti nga një vend, por pa asnjë konsultim me asnjë institucion, në mënyrën më autokratike.
Këta që bënë këtë propozim treguan fytyrën e vet si diktatorë autokratë që nuk pyesin për vullnetin e qytetarëve të tyre.
Por ky propozim nuk u hodh në kosh.
Ky propozim, në një mënyrë jo siç u propozua nga këta, por për shkak të problemeve të mëdha që Shqipëria dhe Serbia kanë me shtetin ligjor, korrupsionin dhe lidhjet me krimin, atëherë është thënë që këta mund të kenë status vëzhgues.
Më vonë kancelari Merz dhe presidenti Makron bënë një letër drejtuar vendeve të tjera anëtare se duhet një miratim i gjerë për këtë dhe duhet që ekspertët ligjore të gjejnë hapësirat ligjore brenda traktateve mbi të cilat bazohet BE.
Ndërsa kërkesa e Vuçiçit që Zelenski të barazohet me Serbinë, është qesharake sepse Ukraina faktikisht ka një pozicion më të fortë se Serbia në këtë aspekt.
Nuk besoj që të ketë shprehur ndonjë simpati ose ndonjë miratim për këtë propozim.


