Berisha: Rama mashtroi hapur, integriteti i prokurimeve publike ka rënë me 14 pikë që kur ne ishim në pushtet! Mafia qeveritare nuk lejon asnjë kompani europiane të fitojë qoftë dhe një tender

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ku paraqiti të dhëna nga organizata europiane Open Tender EU mbi gjendjen e prokurimeve publike në Shqipëri, duke kundërshtuar haptazi deklaratat e kryeministrit Edi Rama. ‘Integriteti i prokurimeve publike ishte 80 përqind në vitet 2010-2012. Në vitin 2026 kjo rënie është në 66 pikë, është një rënie prej 14 pikësh. Një rënie dramatike.’, tha ai. Berisha u shpreh se qeveria ka manipuluar shifrat e prokurimit publik duke llogaritur edhe tenderat e anuluar, duke e çuar artificialmente nivelin nga 4.9% e GDP-së në 10%. Ai e cilësoi këtë ‘mashtrim të paskrupullt’ ndaj Komisionit Europian.

Sipas kryedemokratit Sali Berisha, asnjë kompani nga vendet e BE nuk ka fituar tendera me vlerë të konsiderueshme në Shqipëri, duke shkelur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Ai evokoi shembujt e qeverisjes së mëparshme, kur rrugë kombëtare u ndërtuan nga kompani italiane, greke dhe amerikane. ‘Kodi i mafies: asnjë i huaj nuk mund të futet në territorin e mafies shqiptare. Ky shkel marrëveshjen me BE.,’ theksoi Berisha. Kreu i PD-së deklaroi se, kompanive europiane u kërkohej të aplikonin nëpërmjet e-Albania, procedurë që zgjaste 38 ditë, ndërkohë që tenderat grabiteshin brenda 34 ditësh, duke i përjashtuar de facto nga gara.

Lideri i opozitës shqiptare paraqiti listën e kompanive fituese të tenderave, midis të cilave veçoi kompaninë Gjoka-Olsi Rama Konstruksion, me afro 500 milionë euro tendera në vit, si dhe firma të tjera si 4AM, Salillari, Fusha dhe GBG. ‘Pasi janë përjashtuar të gjitha kompanitë europiane, 1 miliard e gjysmë euro shkuan vetëm për 10 firma shqiptare. Koncentrim total mafioz pa tendera.’, tha Berisha.

I pyetur në lidhje me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se kryenegociatorja Majlinda Dhuka u kap ‘në flagrancë duke mashtruar parlamentin’, duke dhënë shifra të kundërta me ato të institucioneve zyrtare. Ai theksoi se kohëzgjatja e shqyrtimit të dosjeve gjyqësore ka arritur deri në 16 vite, kundrejt 3-4 viteve para reformës. Gjithashtu, Berisha pretendoi se raporti i COELA-s për Shqipërinë nuk u votua me unanimitet, ndryshe nga ai për Malin e Zi, dhe konferenca ndërqeveritare e planifikuar për prill nuk u mbajt.

FJALA E PLOTE

Njeriu që në çdo fjali nxjerr një gënjeshtër është bërë barsoletë e vërtetë në Shqipëri, në Evropë dhe më gjerë.

Edi Rama doli dje me shifra dhe statistika para, rrahu gjoksin për prokurimet transparente me pretendimin se ato kanë shënuar përmirësime spektakolare duke qenë i paaftë të lexojë shifrat, t’i interpretojë grafiqet, tabelat e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që faktojnë absolutisht të kundërtën.

Shqipëria, siç dihet, është vendi i parë në botë që aplikoi sistemin dixhital të prokurimeve, për çka në vitin 2010, OKB i akordoi Shqipërisë, pasi BB certifikoi këtë sistem, i akordoi çmimin e dytë në botë për transparencën në shërbimin civil.

Ky sistem në vitin 2010-2011-2012, pra integriteti i prokurimeve publike ishte 80 përqind. Vlerësohej me 80 përqind.

Integriteti i prokurimeve publike pas kësaj periudhe ka rënë në një mesatare 70 përqind. Ka rënë me 10 pikë dhe jo vetëm kaq, por në vitin 2026, kjo rënie është në 66 pikë, është një rënie prej 14 pikësh.

Një rënie dramatike.

Shkaqet do i shohim më poshtë.

Pra, e kuptoni. Sistemi i vendosur në vitin 2010, që në vitet e para kishte treguesin e integritetit 80 përqind, dhe në vend se të njihte përmirësime, sepse sigurisht teknologjia e vitit 2026 është më e avancuar dhe lejon mundësi më të madhe, jo vetëm që nuk njohu përmirësim, por njohur përkeqësim progresiv.

Së dyti, janë këto të gjitha nga Open Tender EU, organizatë kjo e besueshme e BE.

Po kriteri i transparencës?

Kriteri i transparencës është shumë i ulët. Vlerësohet gjithsej 54.5 pikë, ndërkohë që sistemi elektronik është përdorur nga viti 2010.

Pra, tregon që këta ia mbyllin sytë sistemit elektronik. Këta e zhurmojnë sistemin elektronik.

Treguesi i transparencës ka një rënie katastrofale.

Por ka edhe një tregues tjetër. Treguesi i mafies. Mbajeni shënim.

Ky tregues, thotë, se mafia qeveritare shqiptare, në ligjin e mafies dhe jo në ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar, nuk lejon asnjë kompani evropiane të fitojë qoftë dhe një tender në Shqipëri.

Narkoqeveria Rama, është rasti i vetëm, kur në listën e kontraktorëve me tendera me vlerë të konsiderueshme, nuk ka asnjë fitues kompani nga vendet e BE apo kompani prestigjioze. E ndaluar!

Kjo është një shkelje e rëndë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).

Injorimi i këtij fakti është një akt i rëndë që dëmton shumë, për aq sa mund të dëmtojë Shqipëria tregun.

Në MSA, Shqipëria është e detyruar të trajtojë si të barabartë investitorët, kompanitë që paraqiten në garat brenda vendit.

Më duhet të them, dhe shpreh keqardhje të madhe, se për këtë akt të rëndë, ka një heshtje.

Dhe kjo heshtje është e papranueshme.

Pse kjo heshtje është e papranueshme?

Sepse kjo Shqipëri ka një eksperiencë.

Cila është kjo eksperiencë?

Nga Hani i Hotit në Kakavijë, të gjitha akset kombëtare rrugore janë ndërtuar nga kompani evropiane ose amerikane më të njohura.

Kanë fituar tenderat, edhe ndërkombëtarë ka prej tyre, absolutisht jo duke diskriminuar kurrë kompanitë shqiptare, por duke qenë i drejtë.

Në emër të interesit të taksapaguesve shqiptarë është zgjedhur gjithnjë oferta më e leverdishme.

Rruga Hani i Hotit- Shkodër është ndërtuar nga kompani italiane e mirënjohur.

Bechtel Enka ndërtoi Rrugën e Kombit.

Rruga Lushnje- Fier është ndërtuar nga kompani italiane e njohur.

Rruga Levan- Vlorë nga dy kompani të njohura.

Autostrada Tiranë- Elbasan nga një prej kompanive më të mëdha të Greqisë, Aktor.

Rruga Levan-Tepelenë-Memaliaj nga Todini, një nga kompanitë më serioze italiane.

Rrugët e ndërtuara nga këto kompani sot pas 15 vitesh qëndrojnë pa asnjë problem.

Ndërsa të gjitha rrugët e ndërtuara nga klientela Rama-Balluku janë shembur, po shemben sikur të ishin ndërtime kashte.

Por nga ana tjetër, pra, ky është një shkelmim i interesave të taksapaguesve shqiptarë.

Unë e kam denoncuar me dhjetëra herë, ju jeni dëshmitarë këtu.

Si i përjashtonin?

Ua them unë. Aplikoni në e-Albania. U kërkohej kompanive evropiane dhe të tjerave të aplikonin në e-Albania.

Aplikimi në e-Albania kishte një kohëzgjatje 38 ditë, në një kohë kur tenderat grabiteshin në një kohë 34 ditë.

E kuptoni ju se si Republika e Shqipërisë që ishte frontrunner në procesin e integrimit, përjashtonte të gjitha kompanitë e vendeve anëtare të BE me një diskriminim kriminal dhe me pasoja shumë të rënda për qytetarët shqiptarë.

Sepse ja ku janë punimet e kompanisë së klientelës.

Flet vetë.

E kishte tmerr, nuk e paraqiti dje.

Është statistikë evropiane kjo.

Shikoni këtu.

Pasi janë përjashtuar të gjitha kompanitë evropiane dhe amerikane qofshin, të gjitha, shikoni fitimtarët e tenderave tani.

Kompania Gjoka-Olsi Rama. Dhe ky Gjoka e ka pasion shumë Olsin ky. A e keni vënë re apo jo? Ja ku e keni. Shikoni. Gjeniu i prokurimeve paçka se i shemben rrugët si kashtë. Urdhëroni. Ky paguhet më shumë se të gjithë të tjerët. Kompania Gjoka-Olsi Rama Kontruksion.

Tjetër. Kompania 4AM. Këtë nuk e di se kush e ka, por do ta gjejmë.

Famozi Salillari.

Fusha nuk mund të mungonte kurrsesi.

Modeste. Edhe kjo vjen pas Fushës.

GBG kompani. Edhe kjo. Këta duhet t’i gjejmë të gjithë kush janë.

Urdhëroni pra, 10 kompani, 1 miliard e gjysmë euro. Koncentrim total mafioz pa tendera.

Kompania Gjoka-Olsi Rama Konstruksion, pothuajse 500 milionë euro tendera në vit. Imagjinoni ju se ku shkon.

Tani, ku kanë shkuar 1 miliard e 500 milionë euro.

Lubia. Lubia urdhëroni sa ka marrë. Rreth 1 miliard e 400 milionë.

Dhe kur unë thosha që kjo, gjatë gjithë mandatit të saj, ka shpërdoruar, ka vjedhur dhe ka shpërdoruar 12 miliardë euro, kishte njerëz që mendonin se ka një ekzagjerim.

Ja ku e keni.

Urdhëroni Lubia sa ka marrë.

Pastaj vjen Fondi Shqiptar i Zhvillimit me Agollin e famshëm, që lumturoi djalin me 500 milionë, Gidën me autor kuzhinierin e djalit.

Pra, me një fjalë mbi 300 milionë ka pasur vitin e kaluar vetëm Lindat e AKSHI-t.

E kuptoni ju apo jo se ç’ka qenë kjo?

Tani një mashtrim tjetër i paskrupullt që Tirana i bën Komisionit Evropian dhe BE-së.

Edi Rama dhe qeveria e tij e mashtrimit deklaron se ka prokuruar në vit 10 përqind të GDP-së dhe e shpall veten kampion.

Mashtrues i paskrupullt.

Si e ka realizuar mashtrimin?

Ka llogaritur prokurimet publike dhe prokurimet publike të anuluara.


Në qoftë se nga prokurimet publike të vendit zbriten prokurimet e anuluara, Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta në botë të prokurimit publike, dhe jo që nuk e ka 10, por e ka gjithsej 4.9 përqind.

Histori banale kjo e një njeriu delinkuent që ose mashtron me qëllim ose është tabula rasa dhe nuk di çfarë thotë.

Siç bënin me eksportin, në një kohë kur eksportet këtu binin në pikiatë, këta llogarisnin eksporte, ri-eksportet nga Durrësi në Kosovë. Mallrat e importuara nga tregtarët e Kosovës dhe të shkarkuara në portin e Durrësit me destinacion Kosovën. Dhe këto mallra, Edi Rama i llogariste si të prodhuara në Shqipëri.

Të njëjtin mashtrim bën sot, por jo me mallrat që kalojnë në Kosovën, por e bën me tenderat e anuluar.

Dhe shto ato sa herë anulohet tenderi, llogaritet prokurim i bërë.

Kjo është një papërgjegjshmëri tjetër e plotë e tij.

Njeri që gënjen zyrtarisht, gënjen pafytyrësisht.

Gënjen në takime zyrtare.

Tjetër, pas ndërhyrjeve ndërkombëtare, ligji i PPP-ve pësoi ndryshime në vitin 2024.

Që nga viti 2024 gjer sot, asnjë PPP nuk është dhënë bazuar në ligjin e ndryshuar.

Ndërkohë janë 10 ndryshime qeverie për dhënie PPP-sh, sidomos për agjencinë e investimeve strategjike dhe resortet turistike.

Pra, edhe njëherë, janë 10 koncesione të dhëna në kundërshtim, në anashkalim të plotë të ligjit të amenduar të vitit 2024.

Ky është sistemi mafioz.

Çfarë ka ndodhur tjetër?

Ka një rritje të jashtëzakonshme të prokurimeve sekrete.

Në 8 vite të qeverisjes së mëparshme ka pasur gjithsej 18 prokurime sekrete, që të gjitha të SHISH dhe Prokurorisë së Përgjithshme.

Sot, me dhjetëra ka drejtoria që prokuron për Edi Ramën, qeveritarja.

Sot, qindra e qindra prokurime me procedurë sekrete ka fituar Armand Frangu, që ju nuk ia gjeni dot.

Por ka një gjë, për të kuptuar se çfarë peshkaqeni është ky, shkoni në Thesar dhe vetëm në një vit ky ka 800 pagesa nga Thesari i Shtetit.

A mund të imagjinoni ju?

A mund të imagjinohet të marrë 800 pagesa i pangopuri kunati i Linda Ramës dhe Linda Rama dhe Rama bashkë se janë bashkë ata të gjithë.

AKSHI ka firmosur mbi 500 procedura sekrete. Asnjë nuk ka pasur gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme.

Drejtoria qeveritare me dhjetëra e dhjetëra, asnjë nuk ka pasur gjatë qeverisjes së mëparshme.

Duhet të falënderoj Open Data Albania dhe Open Tender EU për këtë studim jashtëzakonisht të dobishëm, të çmuar, për të dëshmuar se si kjo qeveri vjedh dhe ka vjedhur qytetarët shqiptarë.

Urdhëroni. Kodi i mafies, asnjë i huaj nuk mund të futet në territorin e mafies shqiptare.

Po vetëm për këtë ky meriton kartonin e kuq. Ky shkel marrëveshjen me BE. Etj, etj.

PD dënon me forcën më të madhe këtë qëndrim ndaj prokurimeve publike, këtë abuzim masiv.

Sepse këto janë vetëm të një viti. Këto janë vetëm të vitit 2025. Imagjinoni ju të marrësh vitet e Lubisë së bashku sa bëjnë, çfarë kërdie bëjnë mbi paratë e shqiptarëve.

Ndërkohë, PD i bën thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare të insistojnë në zbatimin e MSA nga Shqipëria.

Të mos pranojnë përjashtimin e kompanive të tyre nga gara në Shqipëri sepse në këtë mënyrë ndëshkohen edhe taksapaguesit shqiptarë, të cilët paguajnë punët publike, 5, 8 gjer në 12 herë më shtrenjtë se në vendet e BE për shkak të mafies dhe klientelës së Edi Ramës.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Berisha: Kryenegociatorja e Ramës u kap sot në flagrancë duke mashtruar parlamentin dhe opinionin publik! Imagjinoni si e mashtrojnë këta BE-në

Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, sot në Komisionin e Jashtëm është kryenegociatorja Majlinda Dhuka që po përjashton raportin e Këshillit të Ministrave për ecurinë e negociatave, një raport i kontestuar nga anëtarët e opozitës në këtë komision. Ndërkohë që sot pritet që vendet e BE, COELA dhe grupi i punës do të diskutojnë për Shqipërinë. Çfarë po ndodh në të vërtetë me integrimin, përtej asaj që po paraqet qeveria në Komisionin e Jashtëm dhe më vonë ndoshta në Kuvend?

Sali Berisha: Një raportim paraprak që kam nga raporti i saj, ajo është kapur në flagrancë duke mashtruar në mënyrë të shpërfytyruar parlamentin dhe opinionin publik.

Ajo ka dhënë shifra të cilat janë të kundërta nga ato që kanë dhënë institucionet zyrtare të Shqipërisë.

Imagjinoni si e mashtrojnë këta BE-në, se çfarë mashtruese është kjo.

Në qoftë se ILD apo KLGJ-ja deklarojnë se për shqyrtimin e një dosje- dhe në raportin e fundit- për shqyrtimin e një dosje duhen 16 vite, mashtruesja e Edi Ramës, ky tregues thoshte se është më i mirë se para reformës. Imagjinoni se ç’person i papërgjegjshëm është ky.

Ndërkohë që para reformës, dhe jo para vitit 2013, por në vitin 2014, 2015, 2016, statistika tregon se duheshin jo kurrë më shumë se 3 gjer në 4 vite. Apo 2 gjer në 4 vite.

Kurse tani 16 vite. E fundit fare.

Apo thotë se stoku i dosjeve është ulur në një kohë kur statistikat e institucioneve zyrtare të drejtësisë, thotë se është rritur me 4 mijë dosje të tjera. Ishte 143 mijë thotë statistika e tyre, që edhe e fshehin, por tani është 147 mijë.

A e kuptoni ju se si këta me mashtrime duan të ecin, duke u dërguar statistika mashtrimi dhe përpiqen të gjejnë dëshmitarë të rremë për të certifikuar mashtrimet e tyre?

Por opozita është këtu për të thënë të vërtetën.

Dhe ky është vetëm një fragment i mashtrimeve të saj.

Se unë një informacion të pjesshëm mora mbi raportimin që bëri.

Por ajo do mbahet përgjegjëse për mashtrimet që bën para shqiptarëve dhe partnerëve tanë evropiane.

Lidhur me COELA-n, gjatë gjithë këtyre kohëve, ne kemi denoncuar publikisht praktikën okulte, mafioze, sekrete që qeveria shqiptare ndjek në procesin e integrimit duke mos informuar as parlamentin, as opozitën, as dhe publikun. As shoqërinë civile.

Ne e kemi denoncuar me forcën më të madhe.

Raporti i ndërmjetëm, se nuk është përfundimtar, për themeloret, për të drejtat, për drejtësinë, për luftën kundër korrupsionin, dhe për këtë nuk thoshte asnjë fjalë kjo Dhuka.

Asnjë fjalë për dosjen Balluku nuk e përmendte. Nuk e përmend se po të përmendë dosjen Balluku e pëson si Ogerta apo Elisa.

Pra, vijmë tek COELA. COELA është një forum në Bruksel i përfaqësuesve të vendeve të BE, në të cilin kur diskutohet për Shqipërinë, ftohet edhe qeveria shqiptare. Kur diskutohet për Serbinë, ftohet përfaqësuesi i qeverisë serbe.

Ku është dallimi?

Serbia, pas çdo mbledhje që bëhet, njofton popullin e vet, opozitën e vet se u bë mbledhja, u shtruan këto probleme, u paraqitën këto kërkesa dhe u lanë këto rekomandime.

Kurse ka pesë muaj, nuk e di për sot, ka pesë muaj që qeveria shqiptare nuk thotë një fjalë të vetme, ndonëse aty falë njoftimeve të shtypit të Brukselit, por edhe të miqve tanë, është marrë vesh se ndonëse raportin për Malin e Zi e votuan me unanimitet, raportin për Shqipërinë nuk e votuan. Jo, thanë, nuk jemi dakord, Shqipëria ka probleme.

Dhe janë mbledhur gjer tani shumë e shumë herë.

Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur që raporti është përmbysur. Presidenca ka paraqitur raport tjetër. E ndryshoi mbi bazën e ndërhyrjeve të 9 vendeve sepse nuk binin dakord.

Ishte parashikuar të mbahej konferenca ndërqeveritare me datën, mos gaboj, 18 ose 20 prill. Po e sigurt që një nga këto dy data.

Nuk u mbajt. Jo, nuk u thirr. Sepse raporti ishte përsëri në, nuk ishte votuar, nuk votohej. Nuk japin asnjë dhënë. Nuk japin asnjë sqarim. Edi Rama e mban në pronësi, e ka pronësuar procesin. Po i bën një dëm të jashtëzakonshëm. Pse? Sepse sot është i damkosur ai.

Atje ju mund t’ju duket çudi, po ai identifikohet me Lubinjën më shumë se ç’e identifikoj unë atë. Se janë mësuar. A e keni marrë vesh ju? Ajo vendos çdo gjë, ajo është zv/kryeministrja në hije. Kjo tjetra që ka shkuar aty, kjo nuk firmos. Edhe e përgëzoj.

Kjo, siç më thonë, ka deklaruar që unë firmos vetëm në përputhje me ligjin, atëherë kur më lejon ligji. Çka, pavarësisht se është emëruar nga Lubia, po ndoshta kanë filluar t’i vijnë mend. Çfarë bën ajo? Ajo gjithë ditën vjen tek në zyra, tek kjo, tek Karakaçi, tek këto.

Ajo është hija e zezë e Këshillit të Ministrave. Zëvendëskryeministre në hije. Dhe mendon ky se nuk e dinë, nuk po e shohin të tjerët, të gjithë e shohin. Të gjithë e kanë marrë vesh që pushtetin e ka Lubia. Ne kemi bërë, kemi ngritur zërin.

Dhe në qoftë se ju keni lexuar raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, raporti në mënyrën më të vendosur shtron rolin e parlamentit dhe të opozitës në procesin e integrimit. Që janë, i ka përjashtuar ky. Por raporti i shtron. I shtron.

Ka një zhvillim tjetër shumë pozitiv. Kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, zoti McAllister, pikërisht për këtë çështje, në përgjigje të një letre që zonja Tabaku i drejton për këto probleme, për përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit, i drejton një letër shumë të rëndësishme komisioneres për zgjerimin, zonjës Marta Kos.

Pra, janë këto momente, kurse lidhur me debatin e sotshëm apo mbledhjen e sotme të Koelios, nuk kam asnjë informacion. Do përpiqem të siguroj informacion dhe natyrisht do t’i informoj shqiptarët sipas mundësisë që kam. Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale