Berisha: Rama ka vendosur një censurë të plotë për parlamentin e lirisë. Mediat nuk guxojnë të japin fjalët tuaja. PD ka programin më të shkëlqyer! Kemi trashëgimi për realizimin e premtimeve

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar ka akuzuar Edi Ramën se ka vendosur një censurë të plotë në parlamentin e lirisë në rrugën e Shpresës.

Sipas Berishës, asnjë nga mediat nuk guxon të transmetojë fjalën e të ftuarve që flasin në rrugën e Shpresës.

Gjatë fjalës së tij në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se Edi Rama është një hajdut, që i ka shndërruar punët publike në një mallkim qytetar.

‘Se sa merr një rrugë për të ndërtuar, shqiptarët e kanë mësuar prej kohësh. Nuk kanë nevojë të pyesin askund sepse ata kanë parë se rruga Rrëshen-Morinë është ndërtuar në më pak se dy vite’, tha kreu i PD-së gjatë fjalës së tij.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, prej 70 ditësh ndodhet në ‘arrest shtëpie’ sepse Edi Rama e di shumë mirë që nuk ka më asnjë fitore për të.

‘Shqipëria pret shpëtimin dhe shpresa e vetme e saj është PD’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTË:

Qëndrestare dhe qëndrestarë, misionare dhe misionarë të të vërtetës dhe dinjitetit, ju përshëndes përzemërsisht.

Përulem me nderimin më të madh para jush që keni shndërruar Rrugicën e Shpresës në parlamentin e fjalës së lirë.

Që me protestën tuaj të përnatshme, me oratorët tuaj të mrekullueshëm jeni shndërruar në një burim të pashterrshëm frymëzimi për çdo shqiptar.

Në një burim të vërtetë drite për mendjet e shqiptarëve, për zemrat e tyre.

Thirrja juaj është thirrja e luftëtarëve, e guximtarëve, e burrave dhe grave, djemve dhe vajzave të pamposhtur, që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo diktaturë e dytë, nga ky regjim që po shpërbën me shpejtësi marramendëse kombin shqiptar.

Të dashur miq!

 Çdo ditë që kalon bëhet më e rëndë pesha e krimit, pesha e vjedhjeve, pesha e mashtrimit, nga regjimi diktatorial për qytetarët shqiptarë.

Çdo ditë që kalon, ky regjim mbjell dëshpërim, mbjell varfëri, mbjell largim dhe vetëm largim të shqiptarëve nga Shqipëria.

Theksoj këto fjalë sepse jemi në një emergjencë kombëtare.

Jemi në një pushtim të egër për të cilin qytetarët janë vetëm për t’u vjedhur, për t’u mashtruar, për t’u përzënë nga Shqipëria.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, çdo ditë që kalon është mbijetesë e këtij regjimi.

Çdo ditë që kalon është rrënim për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Edi Rama me gjithë propagandën e tij mbjell mashtrim 24 orë mbi 24 orë.

Ai ka vendosur një censurë të plotë totale për parlamentin e lirisë.

Mediat, të terrorizuara, nuk guxojnë të japin fjalët tuaja.

Nuk guxojnë t’u thonë qytetarëve të vërtetat.

Përkundrazi, transmetojnë me një jehonë të shpifur njëra pas tjetrës, mashtrimet, trillimet e deklaratave të Edi Ramës, anëtarëve të organizatës së tij kriminale që quhet qeveri, anëtarëve të organizatës kriminale që ka pushtuar drejtësinë e vendit.

Çfarëdo që ndodh, justifikohet me një frazë, me një mashtrim, ndërkohë që vazhdohet të vjedhin në mënyrë të tmerrshme këta qytetarë.

Sot, kreu i regjimit ishte në Dibër.

Atje foli për opozitën, por nuk foli një fjalë për Skavicën.

A e dini o miq se Skavica përveçse përmbyt rreth 37 fshatra, përveçse shpërngul nga Dibra dhe Shqipëria mbi 20 mijë banorë, do peshojë mbi xhepat e qytetarëve shqiptarë, do rëndojë mbi supet e qytetarëve shqiptarë 1 miliard euro.

Kostoja për ndërtimin e Skavicës, nga 360 milionë u rrit në 500 dhe ka përfunduar në 1 miliard.

Asnjë pushtues barbar nuk do mund të sillej në këtë mënyrë ndaj qytetarëve të vendit të pushtuar.

Ai e bën sepse qytetarët për të janë për t’u vjedhur, janë për t’u mashtruar, janë për t’u përzënë nga vatrat e tyre.

Të dashur miq, ai e bën këtë se ky vend nuk ka drejtësi, sepse ai drejtësinë e ka shndërruar në

një seksion të partisë së tij të krimit.

Seksion i cili ndëshkon vetëm ata që i përcakton Edi Rama.

Ai e bën këtë sepse ai edhe kur korrupton kryezbuluesin e SHBA, kur faktohet se ka hequr licenca dhe dhënë licenca në akt korruptiv ndaj tij, se i ka dhënë 225 mijë dollarë, përsëri për të nuk ka drejtësi.

Drejtësia nuk ekziston, drejtësia ekziston vetëm në SHBA.

Atje ai dënohet, McGonigal dënohet me rreth 3 vjet, kurse Edi Rama vazhdon të tallet me shqiptarët me një cinizëm ekstrem.

Vazhdon t’i vjedhë ata, t’i mashtrojë ata, t’i përzërë ata nga vendi.

Koha është të veprojmë.

Muaji i madhnueshëm i Ramazanit është muaji i sakrificës, është muaji që afron njeriun me Zotin.

Ju uroj dhe njëherë të gjithë ata që agjërojnë dhe e nderojnë këtë muaj.

Por uroj gjithashtu të frymëzojë shqiptarët në nderim të sakrificës së tyre, të ngrihen, të ndahemi nga kjo e keqe e madhe.

Të mos presim nga askush përveçse vetja jonë.

Miq!

Fatin duhet ta marrim në duar vetë.

Vetëm ata që marrin fatin e tyre në duar e kanë atë në anën e tyre.

Ndaj dhe ne të bashkohemi me mbarë qytetarët e këtij vendi, të bashkohemi si opozitë dhe të ngrihemi.

Mosbindja civile është rruga e vetme.

Ata të cilët ju predikojnë rrugë tjetër, ose nuk arrijnë të kuptojnë se me Edi Ramën zgjedhje nuk ka, ose edhe më keq, duan të justifikojnë vjedhjen e votës nga ky kriminel elektoral i pashembullt në Europë.

Ndaj dhe koha nuk pret, le të ngrihemi ne, të sigurt në fitoren tonë, në ngadhënjimin tonë.

Miqtë e mi!

Me të drejtë ju dëgjoni bashkëbisedues, dëgjoni qytetarë të shprehen cili është programi i PD.

Ju garantoj se PD ka programin më të shkëlqyer për të adresuar, për të zgjidhur të gjitha problemet e mëdha me të cilat përballet vendi.

Atyre që mendojnë se këto janë fjalë boshe, atyre u përgjigjemi se ne kemi një trashëgimi dhe ajo trashëgimi është dyfishimi i rrogave dhe pensioneve për shqiptarët.

Ajo trashëgimi është transformimi i infrastrukturës për Shqipërinë.

Ajo trashëgimi bëri që Shqipëria të kalojë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.

Ajo trashëgimi bëri që shqiptarët, më të varfrit e më të varfrit jo vetëm në rajon, por ndër 3 më të varfrit në planet në vitin 1992, të jenë më të mirëpaguarit në rajon në vitin 2012.

Ajo trashëgimi bëri që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, të luftojë me zero tolerancë krimin, të marrë liberalizimin e vizave.

Dhe u shndërrua në një faktor të pazëvendësueshëm të pavarësisë së Kosovës.

Kjo nuk është asgjë për t’u projektuar për të ardhmen.

Por askush nuk mund të na thotë ne se nuk kemi realizuar ato që kemi premtuar.

Askush nuk mund të na thotë ne se nuk dimë rrugën e dy dhe trefishimit të rrogave.

Askush nuk mund të na thotë ne se nuk çelim dot dyert e integrimit të plotë të Shqipërisë në Europë.

Por të gjitha këto miq, kanë vetëm një kusht dhe ky kusht është krijimi i qeverisë teknike. Vota e lirë e shqiptarëve.

Ju e patë, pa vulë, pa logo, pa emër në fletë votimi, pa kryetar koalicioni, pa asnjë qindarkë për

61 kandidatë.

Ju e patë, duke ndryshuar qendrat e votimit të 1.3 milionë zgjedhësve.

Ju e patë, pa komisionerë në qendrat e votimit dhe gjysmë milionë shqiptarë hodhën votat.

Ju i patë bandat vrastare, vrasësit serialë se si terrorizuan Shkodrën, Durrësin, Elbasanin, Lezhën, Kurbinin dhe shumë qytete të tjera.

Ndaj dhe asnjë njeri nuk duhet të mashtrohet.

Ne jemi fitimtarë, ne jemi fitimtarë, ne jemi fitimtarë.

Sali Berisha prej 70 ditësh ndodhet në arrest shtëpie sepse Edi Rama e di mirë se nuk ka të ardhme, se nuk ka më fitore, se do marrë atë që meriton.

Shqipëria pret shpëtimin dhe shpresa e vetme e saj është PD.

Shpresa e vetme e saj është opozita.

Ndaj dhe ne të ngrihemi në lartësinë e idealeve tona. E dashurisë tonë për këtë vend.

Të krijojmë qeverinë teknike. Zgjedhjet e lira. Opozita në pushtet.

Rrofshi ju, rroftë PD.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale