FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, deklaroi se Shqipëria ndodhet përballë një grushti shteti dhe një degradimi të plotë institucional, duke akuzuar kryeministrin Rama se ka shndërruar vendin në një narkoshtet të drejtuar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Berisha tha se Rama po përpiqet të marrë nën kontroll sistemin e drejtësisë, përfshirë SPAK-un, përmes ligjeve të reja dhe veprimeve të jashtëligjshme, me qëllim mbrojtjen e vetes dhe bashkëpunëtorëve të tij nga ndjekja penale. Kryedemokrati theksoi parlamenti është uzurpuar dhe përdoret për të bllokuar çdo mekanizëm kontrolli, ndërsa opozitës i janë hequr të drejtat kushtetuese për debat, interpelanca dhe komisione hetimore.
Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë bashkëbisediëmit me qytetarët në rrjetet sociale u shpreh se me Edi Ramën nuk ka asnjë kompromis dhe se çdo reformë zgjedhore apo kushtetuese është e pamundur pa largimin e tij nga pushteti. Ai e cilësoi qeverisjen aktuale si një regjim që ka grabitur buxhetin dhe pasuritë publike, duke përmendur aferën e inceneratorëve, tenderët e AKSHI-t, portin e Durrësit, projektet infrastrukturore dhe abuzimet me pronat publike.
Berisha kërkoi hetime të plota ndërkombëtare nga institucionet e Bashkimit Europian për disa prej këtyre aferave, përfshirë marrëveshjen për Kolegjin Europian dhe tokën e kampusit të Universitetit të Tiranës, duke akuzuar qeverinë për marrëveshje të fshehta dhe korruptive.
Në sesionin pyetje-përgjigje me qytetarët, Berisha u shpreh se opozita do të vijojë betejën për rrëzimin e qeverisë përmes një kryengritjeje paqësore dhe të qëndrueshme, duke theksuar rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare në protesta dhe sensibilizim ndërkombëtar. Ai bëri thirrje për organizimin e protestave edhe para ambasadave shqiptare jashtë vendit.
Në lidhje me Partinë Demokratike, Berisha konfirmoi se primaret do të mbeten një mekanizëm vendimmarrës, duke pranuar se ka nevojë për përmirësime, por duke theksuar se heqja dorë prej tyre do të dobësonte demokracinë e brendshme të partisë. Ai u shpreh i hapur për bashkëpunim me partitë e reja opozitare dhe forcat politike që kundërshtojnë qeverinë Rama.
Në fjalën përmbyllëse, Berisha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen në protestën kombëtare më 24 janar në Tiranë, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për shpëtimin e vendit, rikthimin e shtetit ligjor, demokracisë dhe shpresës për të ardhmen.

FJALA PËRSHËNDETËSE
Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërta nga unë, të dashur qytetare dhe qytetarë që ndiqni këtë bisedë me ju në rrjetet sociale.
Zhvillimet në vend faktojnë degradimin total të narko-shtetit, faktojnë se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama në ethet e tij, në urinë e tij të pashuar për pushtet dhe për të vendosur në kontroll çdo qelizë të narko-shtetit, ka porositur rezultoi së fundmi hakerimin te kompjuterëve të SPAK-ut të partisë, vetëm e vetëm që t’i ketë ata në kontroll të plotë.
Skandalet njëri pas tjetrit nuk kanë të sosur.
Edi Ramës po i nxihet çdo ditë e më shumë figura e tij me gjithë dhjetëra në mos më shumë milionë euro dhe dollarë që ai shpenzon për imazhin e tij, për ta paraqitur atë si një lider me vlera, në fakt del një lider i antivlerave të vërteta.
Ai po merr çdo masë që drejtësinë ta bllokojë.
Dje informoi se kishte ndërmend me procedura të shpejtuara të miratonte ligje që bllokojnë veprimin apo përpjekjen e institucioneve të drejtësisë për zbatimin e ligjit, ndjekjen e tij penale dhe ndjekjen e bashkëpunëtorëve të tij.
Ai do kalojë me sa duket kodin e ri të ish-bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, një kod i vërtetë i një narko-diktature, kod me të cilin ai sigurisht bllokon veprimet e pushtetit gjyqësor, mbron aktet kriminale të vetat, familjes së tij dhe qeveritarëve të tij.
Ndërkohë që u zotua gjithashtu se do bëjë gjithçka për t’i shkurtuar, për t’ia gjymtuar përfundimisht dhe atë hapësirë minimale që ka opozita në parlament për të marrë fjalën për procedurë, pasi nuk bëhet më fjalë për debate dhe ligje, nuk bëhet fjalë për interpelanca, nuk bëhet fjalë për komisione hetimore parlamentare dhe të gjitha të drejtat e tjera që i takojnë sipas Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit opozitës.
Pra, de facto ai ka pushtuar parlamentin dhe po e përdor atë në një grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë.
Këto janë rrethanat, këto janë zhvillimet.
Fjala është vetëm e qytetarëve.
Fjala është e qytetarëve, të cilët duhet të ngrihen me forcën më të madhe dhe do ngrihen me forcën më të madhe për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim që po vjedh me një shpejtësi të paimagjinueshme buxhetet, pronat publike dhe po largon çdo ditë e më shumë shqiptarët.
Hetime të shumanshme ndërkombëtare po zhvillohen në drejtim të krimit të organizuar në Shqipëri dhe karteleve të drogës.
Por u siguroj se shpëtimi i Shqipërisë do i vijë vetëm nga opozita shqiptare.
Opozitë kjo e vendosur.
PD dhe aleatët e saj bashkë me qytetarët janë të vendosur në një betejë përfundimtare për largimin e përfaqësuesve të narko-shtetit, vendosjen e një qeverie teknike me dy qëllime kryesore.
Së pari, reformën zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve,.
Së dyti, reformën territoriale dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale.
Dhe natyrisht heqjen dorë nga çdo formë bllokimi të veprimeve, të urdhrave të sistemit të drejtësisë.
PYETJE-PËRGJIGJE
Fatos Doçi: Përshëndetje doktor, edhe sa do të vazhdojmë ta trajtojmë këtë bandë kriminale në mënyrë paqësore. Ne jemi PD apo jemi media që merremi vetëm me denoncime, sepse iku dhe janari.
Sali Berisha: Pyetja juaj është e drejtë. Ne jemi PD, do të ndalemi këtu. Çfarë do të thotë kjo. Ne jemi partia që nuk e kemi synuar kurrë pushtetin me dhunë, përkundrazi, kur këta e kanë marrë me dhunë pushtetin ne i kemi përzënë me votë.
Ne besojmë se me një kryengritje paqësore të qëndrueshme, është plotësisht e mundur largimi i tyre nga pushteti. Ndaj dhe duhet të krijojmë një bindje të gjerë, tek qëndrestarët, opozitarët, tek të gjithë ata që duan të shpëtojnë Shqipërinë nga kjo e keqe; se një kryengritje e zgjatur, paqësore është jetike dhe vendimtare për fatin e Shqipërisë, për shpëtimin nga kjo bandë, organizatë kriminale të vendit.
Po bëjmë përgatitjet tona dhe besojmë se shumë shpejtë qytetarët, opozitarët do të jenë të gatshëm për këtë akt, proces, lëvizje.
Andon Kello: A do ketë kontribut opozita në ndryshimet kushtetuese për të cilat foli kryeministri?
Sali Berisha: Me Edi Ramën nuk ka asnjë kompromis.
Edi Rama të japë dorëheqjen dhe të paraqitet para ligjit për të gjitha aktet e tij, vjedhjet e tij monstruoze.
Të dashur miq, dosja Balluku në fakt është dosja Rama.
Ne 6 mijë mesazhe të asaj dosje, shumica dërrmuese lidhet direkt me Palloshin e gjatë dhe janë të tijat direkt.
Në tre rreshta të asaj dosje, dy janë akuzë direkt për Edi Ramën.
Por një dosje kriminale e shkallës më të lartë është dosja e AKSHI-t.
Ergys Agasi, ish-koordinatori i Edi Ramës për kartelet e drogës dhe bandat, është njeriu që me urdhër të Edi Ramës ka kontrolluar çdo të dhënë private, çdo telefon celular, çdo email të cilitdo person që Edi Rama i ka kërkuar atij, qoftë ky shqiptar apo i huaj.
Edi Rama me Ergyg Agasin ka kontrolluar në mënyrën më mafioze, duke ushtruar pengmarrje të pjesëmarrësve në tender, tenderat e AKSHI-t me qëllimin e vetëm që qindra milionë euro të shkojnë në kontot e familjes Rama nëpërmjet kunatit të Lindës së Surrelit dhe në fakt jo Lindës së AKSHI-t.
U faktua dje nga dosja se hakerat e kompjuterëve të SPAK-ut, komunikonin direkt me Edi Ramën dhe i nisnin atij direkrt të dhënat që hakeronin nga këto kompjutera.
Dhe këto janë vetëm një pjesë e aferave.
Ju e mësuat Duranën se çfarë vjedhje e paimagjinueshme.
Miq, kur ju mësuat se inceneratori i Tiranës 130 milionë euro nuk ekziston, por ato janë paguar, kjo ishte në bindjen time rasti i parë në jetën tuaj që kishit dëgjuar për një gjë të tillë.
Kurse pas tij na rezultojnë tenderat e AKSHI-t, në të cilat baxhanaku me prestanome fiton tendera me 98 përqind fitimin, pa bërë asnjë blerje, asnjë shitje, asnjë punë, asnjë faturë për tenderin që ka fituar, por thjesht një transfertë të parave nga thesari i shtetit në kontot e tij bankare.
Edi Rama i jep kunatit në AKSHI tender me 75 milionë euro për përmirësimin e inteligjencës artificiale, një trillim fund e krye se si të marrin edhe 75 milionë të tjera pasi nuk ngopen.
Kështu që në këto rrethana, fjala e qytetarëve është vendimtare për shpëtimin nga ky regjim.
Ejona Rusa: Kampusi i Universitetit të Tiranës do të kalojë në Durrës, sipas Ramës. Kjo po ndodh në një kohë kur kolegji i Mogherinit ka marrë tokën e Universitetit Publik të Tiranës dhe kur kampusi i premtuar prej vitesh këtu në Tiranë, nuk po ngrihet. Cili është qëndrimi juaj?
Sali Berisha: Qëndrimi ynë është ky. Ne i bëjmë thirrje Komisionit Europian, prokurorisë publike Europiane, OLAFI-t dhe EuroJust të hetojnë aferën Mogherini në Shqipëri, e cila sipas të dhënave tona paraprake është të paktën 7-8 herë më e madhe se ajo e Bryzhit.
Frederica Mogherini lobistja e Edi Ramës, ka një marrëveshje sekrete me Ramën për kampusin e Kolegjit Europian, të cilën Edi Rama e mban sekret dhe nuk ja dha ndonjëherë parlamentit me të cilën këta grabisnin tokën e kampusit për studentët e Universitetit të Tiranës. Tokë e kadastruar dhe përcaktuar përfundimisht kampusin e studentëve. Për të cilin është bërë dhe projekti. Për të cilin ishin përcaktuar dhe fondet dhe në një marrëveshje korruptive të plotë, këtë tokë Edi Rama e grabit së bashku me Mogherinin dhe nuk dihet se çfarë fature kanë taksapaguesit shqiptarë dhe çfarë fature kanë taksëpaguesit europianë.
Prandaj e garantoj Edi Ramën se, pa një hetim të plotë nga institucionet kompetente të akuzës së BE-së, asnjë lloj veprimi nuk do pranohet në këtë vend, dhe se historia e turpshme e korrupsioni Rama-Mogherini duhet të sqarohet në gjykatë.
Shyqyri Myrtollari: Përshëndetje. Nuk mendoni se Niko Peleshi duhet denoncuar në SPAK sepse po mban pezull heqjen e imunitetit të Ballukut.
Sali Berisha: Procedurat po shqyrtohen. Por në fakt, peng Niko Peleshi nuk është gjë tjetër veç se një ushtar mjeran i Edi Ramës.
Por çdo procedurë për shkelje të ligjeve dhe kushtetutën ne jemi të gatshëm ta paraqesim në institucionet përkatëse.
Arbër Mitrushaj: Ftesës së Salianjit për foltore, si duhet t’i përgjigjemi?
Sali Berisha: Salianjit t’i përgjigjeni si një njeri që ka përjashtuar veten nga PD.
I dashur Arbër, as ti, as unë dhe asnjë njeri, asnjë njeri, nuk është përgjegjës për aktet e paligjshme ndaj atyre që janë përgjegjës për aktet e tyre të paligjshme.
Ndaj atyre që mbrojnë interesa të paligjshme.
Nuk ka asnjë përgjegjësi.
Ndaj dhe u garantoj që ai ka vetëm interesa private, strikt private, të faktuara me dokumente, ndaj dhe i është thënë anëtarësisë se ai zotëria ka përjashtuar veten nga PD.
Kemi një nen ne, neni 24 i statutit, kur kapesh në shkelje flagrante të tij, dhe të detyrojnë pastaj të shëtisësh poshtë e përpjetë, ajo është veprimtari private e jotja, nuk ka asnjë lidhje me PD-në.
Kjo është përgjigjia ime për ju dhe çdo demokrat.
Mos harroni një gjë, opozitarizmi është i vështirë, nuk është i thjeshtë, dhe të mos mendojë kush se ndarja me këta njerëz, e dëmton PD-në.
U garantoj se e forcon.
A e patë tjetrin? Disa vrapojnë drejtora, disa vrapojnë andej, nuk na duhen ne ëkta Arbër, ata janë mish i huaj në opozitë.
Ata nuk janë opozitarë, janë pseudoopozitarë.
Ne duhet të qëndrojmë parti e hapur pa asnjë mëdyshje, por kurë ndaj atyre që interesave të tyre personale përpiqen të shfrytëzojnë partinë për të avancuar interesa të paligjshme apo veprimtari në shkelje të rënda të ligjeve.
Jo, atë nuk e bëjmë ne.
Nuk jemi ne avoketër.
Ne jemi parti e shtetit ligjor dhe i qëndrojmë asaj.
Geraldina Kola: Jo pak eksponentë të PD-së janë shprehur edhe pse jo me forcë për primaret si problematike. Ndërkohë, dje ju riktheksuat se ato do të mbeten. Në zgjedhjet e fundit, duhet pranuar se disa fitues primaresh nuk u futën në listën e mbyllur, madje disa figura të pëlqyeshme në opinion dhe parti, nuk fituan në primare. A ka këtu një standard të dyfishtë si tuajin, si të primareve dhe a lidhet ngulmimi juaj për primaret me ngulmimin për primaret me premtimin që keni bërë kur filluar foltoret, apo me një filozofi politike.
Sali Berisha: Qëndrimi im për primaret lidhet absolutisht vetëm me dy faktorë. Së pari, unë dhe askush tjetër nuk mund të thotë se, ka një mënyrë më të mirë për të marrë mendimin dhe opinionin e anëtarësisë së partisë dhe për ti bërë ata pjesë e vendimmarrjes se sa vota e tyre.
Së dyti, nuk di një proces tjetër që të ketë transparencën që ka procesi i votimit të anëtarëve.
Duke thënë këto jam plotësisht dakord që këto ngjallën debate, të cilat po ti marrin dhe ti analizojmë më gjakftohtësi nuk lidhen direkt me primaret, por me faktorë të tjerë ekstraprimarë.
Përshembull, ajo që thoni ju, në rast se jo të gjithë ata që ishin më të votuarit u futën në listë, kjo erdhi sepse lista ishte e mbyllur dhe e hapur, pra e diktoi sistemi që kishte kufizimet e veta.
Së dyti, problemet me listat. Çfarë po bëjmë ne për të adresuar problemin e listave. Listat janë dhe do të jenë atribut total i degëve të PD-së, në kuptimin që çdo degë duhet të ketë identifikuar çdo anëtar të vetin dhe kjo është elementare besoj.
Së treti, sigurisht po bëhet një diskutim mjaft i shëndetshëm. Edhe dje është zhvilluar një diskutim i shëndetshëm në takim.
Janë pikërisht këto që thoni ju. Një fakt është se një person që zgjidhet kryetar nga ajo trupë, ai do jetë gjithnjë i votuari për çdo post, në një kohë kur edhe mund të mos jetë ashtu.
Së dyti, në domosdoshmërinë e hapjes së partisë, e angazhimit të personaliteteve dhe figurave të reja me reputacion, por që nuk kanë një karrierë të gjatë në PD, është e domosdoshme që statuti të parashikojë mënyrën e mundësisë së angazhimit të tyre.
Së treti, mënyra se si i kemi zhvilluar ne primaret, do ta quajmë bashkërisht natyrale. Çfarë do të thotë kjo. Cilido që ka dëshiruar ka kandiduar. Në të vërtetë në shumicën dërrmuese që i aplikojnë, primaret zhvillohen, por ka një komitet seleksioni të kandidaturave.
Unë nuk jam që ne të heqim dorë nga primaret. Heqja dorë nga primaret, ju them unë ju, vetëm sa forcon pushtetin e kryetarit lokal dhe kryetarit në qendër. Kryesisë lokale dhe kryesisë në qendër. Por në një interes që të ua heqim edhe atë pushtet që meritojnë anëtarët, nuk kemi.
Prandaj dhe eksperiencën e krijuar po e shqyrtojnë, po e studiojmë, po e amendojmë por unë nuk jam që të heqim dorë prej tyre.
Besnik Ala: Çfarë do bëhet me reformën zgjedhore se me kodin aktual, organizata kriminale i ka 50 përqind në tavolinë?
Sali Berisha: Besnik, me Edi Ramën çdo lloj reforme është iluzion.
Edi Rama nuk pranon asgjë që kërcënon qoftë edhe minimumin e minimumit të pushtetit të tij.
Ai ka kryer krime të rënda.
Ju e shihni se si po zhvillohen.
A mund të imagjinoje ti që një kryeministër i një vendi në një republikë parlamentare do guxonte të imagjinonte mbrojtje me imunitet të vjedhjeve dhe korrupsionit të bashkëpunëtorëve dhe të tijat personalisht?
Kurrë!
Ja të them unë, unë kam qenë kryeministër, kam qenë president me fuqi ekzekutive, ju i dini të gjitha konsideratat e mia për Ina Ramën, që nuk i lëviz as sot, por udhrat e saj për imunitetin nuk janë vënë kurrë në diskutim, sado ta supozojmë se mund të mendojë se ishin politike.
Jo, nuk janë vënë në diskutim.
Nuk mund të vihen.
Cilido ministër që iu kërkua imuniteti, e dorëzoi vetë menjëherë.
Dorëzoi detyrën dhe imunitetin Fatmir Mediu.
Dorëzoi detyrën dhe imunitetin Ilir Meta pa e kërkuar akoma prokuroria.
Për hir të të vërtetës, e ka dorëzuar dy herë Lulzim Basha imunitetin, pavarësisht kërkesës politike të qartë që kishin.
Nuk mund të mendojë kurrë kryeministri, siç bëri Edi Rama me Saimir Tahirin, vetëm e vetëm që të gjithë trafiqet dhe kanabizimin e Shqipërisë, Saimir Tahiri e kishte bërë sipas porosive të Edi Ramës.
Dhe kishte frikë se Saimir Tahiri do ta denonconte.
Ju u kujtohet angazhimi i Gaz Demit me seanca të tëra me Saimir Tahirin, gjersa nuk u hoq imuniteti dhe e dorëzoi pas dy-tre vitesh.
Kjo është me Lubinë sepse Lubia i thotë që unë do të marr me vete në bankën e të akuzuarve, sepse në Ankara më ke marrë ti, nuk kam shkuar vetëm.
Ndaj dhe kjo betejë është betejë për shtetin ligjor, për Kushtetutën, pa të cilën nuk ka as liri, as zgjedhje, as reforma, nuk ka një shoqëri të lirë.
Shkëlqim Gjonpalaj: Në protestën e ardhshme do të rrimë 1 orë para kryeministrisë, apo do të bllokojmë të gjitha rrugët e Shqipërisë, se të vijmë nga Greqia në Tiranë që të pimë një kafe nuk kemi mundësi.
Sali Berisha: Unë të falënderoj shumë për pyetjen dhe gatishmërinë. Sugjerimi im për ju dhe të gjithë opozitarët në diasporë të organizojnë protesta para ambasadës që përfaqëson narkoshtetin shqiptar, në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së dhe para këtyre ndërtesave në mënyrë që bota të mësojë se ato nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, por përfaqësojnë narkoshtetin e Edi Ramës.
Përfaqësojnë kryeministrin më të korruptuar në Europë dhe botë, përfaqësojnë njeriun që me grusht shtetit po asgjëson edhe sistemin e drejtësisë.
Paulin Mete: Po nuk u bëmë ne palë, nuk ikën Rama. A duhet t’i bëjmë ne thirrje diasporës për protestë ndërkombëtare?
Sali Berisha: Diaspora është e ftuar të organizojë protesta të fuqishme pranë ambasadave të narkoshtetit. Republika nuk ekziston më, Edi Rama e ka asgjësuar republikën. Në një vend ku kushtetuta shkelmohet, ku drejtësia bllokohet, Republika është një letër e vdekur.
Ndaj dhe të ndërmerrni protesta të fuqishme para ambasadave, të gjuani vezë dhe domate në drejtim të tyre, si dhe protesta pranë institucioneve ndërkombëtare për të demaskuar Ramaduron, ndërtuesin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Miliarderin, hajdutin më të madh që kanë patur shqiptarët në të gjitha kohërat.
Desada Xhetani: Doktor, Rama është në ditën më të keqe dhe largimi është çështje dite. Por një nga arsyet që po mbahet edne është edhe mungesa e alternativës politike që ta zëvendësojë. Ju e mendoni kështu dhe a po e mendoni largimin?
Sali Berisha: Faleminderit Desada. Ka një propagandë të tillë dhe duhet të ruhesh dhe të mos biesh viktimë e saj.
Se për të rënë viktimë e saj, duhet të pranosh alternativë Edi Ramën.
Edi Rama në të vërtetë është e keqja më e madhe që kanë pasur shqiptarët pas Enver Hoxhës në histori.
Ata që duan të mbrojnë Edi Ramën shtrojnë një alternativë të tillë.
Por PD është një forcë politike që ka transformuar Shqipërinë me vepra dhe jo me fjalë.
Desada, në tetë vite PD ka administruar një buxhet total prej rreth 30 miliardë euro se ka qenë parti e taksave të ulëta.
Por me ato 30 miliardë euro ka mbidyfishuar rrogat dhe pensionet.
Ka nxjerrë Shqipërinë nga grupi i vendeve me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Me ato 30 miliardë euro kjo qeveri ka ndërtuar në Shqipëri autostrada, superstrada, rrugë rurale, parësore, dytësore, tretësore.
Ka ndërtuar tunele dhe ura.
Ka ndërtuar mbi 1300 shkolla dhe kopshte.
Mbi 720 sisteme kanalizimesh dhe ujësjellasash.
Në qeverisjen e saj, për ata që duan të krahasojnë të krahasueshmen, Shqipëria u krahasua në NATO, mori propozimin për statusin e vendit kandidat, firmosi MSA-në.
Po në qeverisjen e saj, Shqipëria nga fundi i botës në përdorimin e internetit, mos harro se interneti ishte 4.8 përqind penetrimi i tij në vitin 2006, arriti në 63 përqind penetrimi i tij.
Pra, nga inekzistent u arrit në moshën e Shqipërisë dixhitale. Atë vit mesatarja e Europës ishte 64 apo 66 përqind.
Një kthesë e madhe e jashtëzakonshme u bë në energjetikë. U firmosën kontrata për ndërtimin e 430 hidocentraleve, ndër të cilat më të mëdhatë, siç është Devolli.
Por kryeprojekti ishte TAP, në të cilin Shqipëria pas Azerbajxhanit luajti një rol kryesor.
Dhe sot Europa merr, korridori kryesor nuk është më në duart e rusëve,por është një gazsjellës që vjen direkt nga Azerbajxhani në Itali, dhe Shqipëria ka çdo mundësi për të qenë një nyjë e rëndësishme e shpërndarjes, por nuk përfiton asnjë litër për shkak të qëndrimit të këtyre qeveritarëve.
Pra, cilido që flet për alternativë, të marrë të krahasojë dy personat. Duhet krahasuar kjo.
Edi Rama dhe jo vetëm Edi Rama, por edhe diplomatë korruptokratë, bënë çdo gjë për të hapur padi penale ndaj Sali Berishës.
Çfarë doli pas hetimit 4-vjeçar dhe vetingut të veprimtarisë së tij 35-vjeçare? Doli se ai dhe fëmijët e tij nuk kishin thyer kurrë ligjin. Asnjëherë.
Doli që ai u akuzua tërësisht fals, akuza ndaj tij ishte një piramidë mashtrimi.
Se toka që kishte marrë dhëndri i tij ishte toka e gjyshërve të dhëndrit.
Se ajo nuk ishte shpronësuar kurrë nga autoritetet italiane, por ishte konfiskuar nga regjimi komunist.
Dhe se nga dhjetëra zyrtarë që kishin firmosur procesin e njohjes, të kthimit të pronës, parablerjes së objekteve të qeverive të majta dhe të djathta, sot nuk ka asnjë zyrtar në ndjekje, nga dhjetëra, se kanë zbatuar ligjit.
Dhe është vënë Sali Berisha me akuzën false se ka dhënë tokë të shpronësuar në një kohë kur gazeta zyrtare e asaj kohe tregon se toka ishte e pronarëve, toka nuk u shpronësua, por u rekuizua për një afat kohor 6-mujor.
Tjetër se duhet të bëjmë krahasimet.
Hetimi i pasurisë së Sali Berishës për 32 vite tregon se 100 mijë euro kursime bashkë me të shoqen e tij dhe një apartament 40 metër katrorë më të madh se atë që kishte në diktaturë.
Të marrim pak Edi Ramën, në vitin 2013, OSBE publikoi raportin ku thotë se Edi Rama ka të fshehura në bankat offshore 200 milionë euro.
Jo vetëm kaq, por në qoftë se për Sali Berishën nuk ke dëgjuar njeri të thotë se i dhashë një qindarkë, Edi Rama është i akuzuar në mënyrë të përsëritur se më kërkoi 1 milion, se më koërkoi 600 mijë, se më kërkoi kaq dhe aq.
Se duhet t’i marrim gjërat siç janë për të shpërbërë propagandën e asaj që thonë se nuk ka alternativë.
Le të shkojmë pak tek martesa e fundit e Edi Ramës, u martua me një pallat një pajë. Një pallat i zonjës Rama, për të cilin ajo nuk paraqiti dot asnjë faturë ndërtimore, tatimore, doganore apo bankare.
Një pallat që sikur mbiu, dhe kur u pyet se si u ndërtua, është ndërtuar me para gjaku, tha.
Kur u pyet Edi Rama për pallatin, u përtyp dhe nuk u përtyp se duhet të fliste për vilën e tij.
Unë kam pasur rroga më të larta se ai në detyrën time, por unë thashë dhe njëherë kam arritur të kem 100 mijë euro kursime dhe të blej një apartament 40 metra më të gjerë se ai që kisha.
Ai jeton në saraje 720 metra themelet e gjata, ndërtuar me materiale ultra të kushtueshme.
Me xhama superspecialë. Me pigmentet më të kushtueshme. Me një kopsht 830 metra katrorë.
Nuk ka një kryeministër në Europë që të ketë një kopsht të tillë.
Ndaj dhe e them këtë, pastaj urdhëro pas një hetimi shqiptar dhe ndërkombëtar, Sali Berishës iu gjet zero, u detyruan ta akuzojnë se vajza e tij i ka paguar pushimet.
Historia më e turpshme në akuzën e botës.
I ka paguar një javë pushime.
Se vajza dhe dhëndri i tij kanë paguar tre fëmijë me autizëm në qendrën që e drejton e shoqja prej 20 vitesh pa asnjë qindarkë përfitim.
Thjesht vullnetarisht.
Ndaj dhe Desada, ruaju nga propaganda se bëjnë gjithçka për të mbrojtur Edi Ramën.
Edi Rama është një e keqe e tmerrshme.
Është një gjenerator të zezash për këtë vend që duhet të ikë një minutë dhe më parë.
Emanuel Pirra: Jam themelues i PD Romë dhe një seri organizimesh të tjera në Itali. Unë jam i bindur se pa diasporën, është e zorshme shumë. A do të ndërtojmë ndryshe nga se punuam për 3 vjet, a do të ndërtojmë një skemë të kryqëzuar selia e PD dhe diasporë, që do të thotë derë më derë në Shqipëri për të krijuar një databaze të demokratëve.
Sali Berisha: Ju garantoj se dimensioni i problemit të diasporës është një çështje madhore për ne, dhe ne do bëjmë gjithçka për elaborimin sa më të shpejtë dhe të saktë të të gjithë rolit të saj, angazhimit dhe kontributit të saj. Por edhe njëherë shfrytëzoj këtë rast të ftoj diasporën, të organizojë protesta më të fuqishme para përfaqësive të narkoshtetit kudo që ndodhen, para institucioneve ndërkombëtare në mënyrë që të demaskohet Edi Rama dhe përfaqësitë e tij.
Engjëll Demça: Si do të veprojë Sali Berisha të bashkojë partitë e reja në një bllok të vetëm?
Sali Berisha: Unë absolutisht jam shumë i hapur dhe i mirëpres pa kushte ato.
E vërteta është që partitë e reja duhet t’i dallojmë pak. Njëra prej tyre është e majtë dhe duket nuk e konsideron me vend apo të arsyeshme të bashkohet kundër të keqes së madhe që quhet Edi Rama. Uroj që drejtuesit dhe forumet e saj të kuptojnë se përballë kësaj të keqeje, bashkimi është imperativ.
Partia Shqipëria Bëhet po proteston dhe unë kam mbështetur protestën e saj dhe jam 100% i hapur ndaj asaj dhe çdo partie opozitare të bashkërendojmë përpjekjet dhe luftën tonë kundër kësaj të keqeje.
Uroj që gradualisht të gjendet në pikat e përbashkëta kundër narkoshtetit dhe kundër narkoqeverisë.
Sahit Muja: Doktor, nuk ka tender që nuk është vjedhur, nuk ka tokë publike që nuk dhënë pa korrupsion. Ky nuk është shtet por grupi i strukturuar kriminal më i madh në Europë. A do angazhoni ekspertë të PD të monitorojnë dhe denoncojnë këto krime që e kanë shndërruar vendin në një narkoshtet?
Sali Berisha: Jam plotësisht dakord dhe u përshëndes përzëmërsisht Sahit për pyetjen dhe interesin tuaj për këtë bisedë.
E vërteta është se sot, si buxheti, ashtu edhe pasuritë publike, janë në një plaçkitje që tejkalon çdo lloj imagjinate.
Por kjo plaçkitje e buxhetit, kjo plaçkitje e pasurive publike ka promotor kryesor Edi Ramën.
Ju besoj e dëgjuat për Duranën dhe historikun e saj.
Tre vite më parë një kompani shumë e madhe dhe e respektuar amerikane, vendos të shkëputet nga Ukraina dhe zgjedh Shqipërinë.
Dhe natyrisht u jep edhe idetë e veta për një park teknologjik të njohura me kuadrin ligjor lehtësues, etj.
Çfarë bënë këta?
Këta përzunë kompaninë dhe e morën idetë dhe e përdorën për mafien e tyre.
Sot aty ku do ndërtohej parku teknologjik janë livadhet e Troplinit, e klanit kryesor të kokainës, një nga klanet kryesore të kokainës në Europë.
Janë çdo gjë fiktive.
Janë kompanitë e kontrolluara nga kunati i Linda Ramës, por me një prestanome që quhet Ermal Beqiri.
Nuk kisha dëgjuar kurrë. Kishte krijuar klubin me të cilin ai, për shkak të lidhjeve që ka me kryeministrin, u jepte akses të veçantë kompanive jashtë të gjitha tenderave për çfarëdo që donin.
Është jetik një audit sepse janë në 12 vite 67 miliardë vetëm buxheti.
Po të garantoj se prona publike janë të paktën 70 miliardë nëse do bëjmë vlerësimin e tyre. Që janë zhdukur.
67 miliardë euro buxheti i 12 viteve.
Le të zbresim 8 miliardë pagesa të rrogave.
Të tjerat sipas të gjitha vlerësimeve janë vjedhur në masën 90 përqind edhe të Bankës Botërore.
Ka të tjerë që thonë edhe më shumë.
Shiko çfarë ka ndodhur.
Me 30 miliardë që ishte totali i buxhetit në 8 vite u ndërtuan 11 mijë kilometra rrugë dhe sot e kësaj dite ato qëndrojnë.
Nuk ka ndërtuar as 1 mijë kilometra rrugë dhe të gjitha shemben se janë të gjitha jashtë çdo standardi se janë vjedhur.
Pra, auditi që thoni ju, ne po vazhdojmë ta bëjmë dhe do ta bëjmë.
Por i dashur Sahit, është një postulat në doktrinën e korrupsionin që thotë se kur vjedh kryeministri, korrupsioni bëhet sistem.
Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri.
Megi Zoga: Çfarë mesazhi shprese u jepni atyre që duan ndryshim, por kanë humbur besimin?
Sali Berisha: Unë garantoj ata të cilët duan ndryshimin, se kjo pranverë do të jetë pranvera e ndryshimit të madh. Se duhet të bëhen bashkëluftëtarë kundër kësaj të keqeje.
Ne jemi një komb që kemi kaluar përplasje të mëdha, por ja kemi dalë, kemi arritur. Vërtetë sot jemi të kapluar nga një e keqe e madhe, por ju garantoj ju se, Shqipëria ka gati çdo gjë për të kapërcyer pasojat e saj, përveç njërës që është demografia, e cila do të dojë dekada. Sepse të kesh humbur 1 milion e 400 mijë qytetarë në 10 vite, goditje më të tmerrshme një komb nuk mund ta marrë.
Të tjera, çfarë kërkojnë. Shumë thjeshtë, kërkojnë shtetin ligjor, Kushtetutën. Por ato janë. Ligjet tona janë të mira, kushtetuta jonë është demokratike.
Problemi është se shumëzohen me zero.
Problemi është se procedurat zëvendësohen me sms-ra.
Problemi është se krijohen mekanizma nga vetë kryeministri për të rrëmbyer dhe aty ku rrëmbehen thotë se, unë kam respektin më të madh për Lindën e AKSHI-t, sepse e di shumë mirë që Linda e AKSHI-t është një shërbëtore e Lindës së Surrelit.
Pra, vërtetë dëshpërimi është real sot, por mundësia dhe potenciali është edhe më i madh dhe po kaq real dhe ndaj të bashkohemi të luftojmë së bashku këtë të keqe që nuk e meriton asnjë shqiptar që do të jetojë me punën dhe djersën e tij. Dhe unë jam i bindur se do e realizojmë.
FJALA PËRMBYLLËSE
Thirrja ime është për çdo qytetar shqiptar në datën 24 Janar, në një përpjekje të fuqishme të ngremë zërin tonë, të bashkuar që të dëgjohet në çdo votër shqiptare, të dëgjohet në të 4 anët e botës.
Vërtetë Shqipëria ka një organizatë kriminale si qeveri, vërtetë ka një kryeministër i cili pasi ka vjedhur dhe shpërdoruar miliarda para të taksapaguesve shqiptarë dhe prona publike. Po të kemi parasysh këtu portin e Durrësit, po të kemi parasysh 222 mijë metra katrorë në Gjipe, kanionin më panoramik të Shqipërisë, një nga kanionet më panoramike të botë.
Po të kemi parasysh Duranat, etj., etj., duhet pra të bashkohemi kundër kësaj te keqeje, në mënyrë që të rikthejmë në vatrat tona shpresën, të rikthejmë të ardhmen, të rikthejmë besimin tek ky vend i bekuar nga Zoti, por i keqtrajtuar në mënyrë ekstreme nga hajdutët në pushtet.
Ndaj dhe në 24 Janar ftoj çdo shqiptar në rrugë dhe sheshe të Tiranës.
Faleminderit!


