FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIM ONLINE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në bashkëbisedimin e sotëm online me qytetarët deklaroi se, Edi Rama dhe qeveria e tij po përballet me një krizë të thellë politike dhe morale, ndërsa protesta qytetare, po fiton përmasa gjithnjë e më të mëdha. Kreu i opozitës e cilësoi javën që lamë pas si një nga më të tensionuarat e muajve të fundit, duke akuzuar Edi Ramën se përdori shumicën parlamentare për të miratuar ligje në funksion të interesave të tij kriminale dhe të oligarkëve, ndërkohë që, sipas tij, iu shmang plotësisht kërkesave të protestuesve.
‘Në vend që të dëgjonte zërin e qytetarëve, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar ligje që mbështesin interesat e tij kriminale dhe të oligarkëve’, u shpreh Berisha gjatë të fjalës së tij, duke shtuar se protesta nuk është zbehur, por ‘dallga e kësaj lëvizjeje jo vetëm që nuk po shuhet, por po bëhet gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij.’
Kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi kryeministrin se ka refuzuar të përballet me kërkesat që, sipas tij, janë shprehur prej javësh nga protestuesit. Sipas kreut demokrat, kërkesa kryesore mbetet largimi i Edi Ramës nga detyra, pasi, sipas tij, ‘Edi Rama nuk është kryeministër legjitim’, duke pretenduar se qeveria aktuale buron nga zgjedhje të manipuluara dhe nga një sistem që mbështetet te korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Lideri i opozitës Sali Berisha ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij edhe reformës territoriale. Ai akuzoi qeverinë se u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga procesi konsultues, duke mos marrë në konsideratë propozimet e opozitës dhe të ekspertëve. Berisha tha se Partia Demokratike kishte përgatitur një projekt alternativ të reformës territoriale, ndërsa akuzoi Ramën se zgjodhi përplasjen politike në vend të dialogut institucional. ‘Ai bën gjithçka për një konfrontim’, deklaroi Berisha, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos e lënë reformën ‘në duart e Edi Ramës’, por të mbështesin protestën qytetare.
Drejtuesi i PD-së Sali Berisha, u ndal edhe te zhvillimet e fundit që lidhen me sjelljen publike të kryeministrit ndaj një fëmije me autizëm. Berisha e cilësoi këtë episod si një akt të papranueshëm dhe tha se ‘gjest më të ulët dhe më çnjerëzor nuk mund të kishte’. Ai shtoi se sjellja e Ramës ‘e nxjerr në nivelin e instinkteve më bazale, më shtazore të njeriut’, ndërsa kritikoi edhe mungesën e reagimit nga organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve.
Gjatë përgjigjeve ndaj pyetjeve të qytetarëve, kryedemokrati Sali Berisha paraqiti edhe disa nga propozimet ekonomike të Partisë Demokratike për përballimin e rritjes së çmimeve. Ai përmendi vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh, uljen e TVSH-së për produktet ushqimore në 6 për qind ose heqjen e saj, si dhe dyfishimin e pagave dhe pensioneve. Sipas tij, këto masa do të ndihmonin në zbutjen e krizës së kostos së jetesës dhe në mbrojtjen e shtresave më të goditura nga inflacioni.

FLAJA E PLOTE
Java që lamë pas ishte një javë e nxehtë.
Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të kodit civil, të kodit detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale.
Edi Rama përdori kartonat e tij të krimit për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë dhe për t’ua dhuruar ato miliarderit Kanye West.
Në një koncert që synonte mbi të gjitha një sfumim apo zhurmim të kryengritjes paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria që nga vitet ’90.
Përveç kësaj, ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë të protestës rinore qytetare.
Por, duhet theksuar se dallgët e kësaj lëvizje jo vetëm që nuk po shuhen, por po bëhen gjithnjë e më tronditëse për Edi Ramën dhe regjimin e tij.
Miq, ju që e ndoqët dje në Pallatin Presidencial, ju patë aty një dyfytyrësh, një cinik dhe një njeri të falimentuar.
Një njeri që injoroi de facto totalisht kërkesat e ligjshme të protestuesve që po bëhen prej dy muajsh.
Kërkesat më themelore të kësaj proteste janë pesë pikat, nga të cilat e para është, Edi Rama jep dorëheqjen të parevokueshme, të panegociueshme.
Nuk ka kërkesë më legjitime se Edi Rama nuk është kryeministër legjitim.
Edi Rama është instaluar në pushtet nga zgjedhjet e plaçkitura, të vërtetuara tashmë nga të gjithë raportet ndërkombëtare.
Edi Rama qëndron në pushtet pasi kanë vjedhur qindra e qindra milionë euro së bashku me Lubi Ballukun dhe e mbrojti atë për të mbrojtur veten e tij në një akt të paprecedent.
Dhe në një shkallë të plotë papërgjegjësie u thoshte dje se në 100 vitet e fundit, nuk është dënuar ndonjë zyrtar për korrupsion, paçka se vetëm 30 vitet e fundit, dy ish-kryeministra socialistë kanë bërë burg për veprën penale të korrupsionit.
Por kur nuk ke turp, bën çdo gjë dhe thua çdo gjë.
Pra, opozita në një përpjekje të jashtëzakonshme, e mbajti parlamentin pesë orë me dy çështje kryesore, reforma territoriale dhe çështja e dytë, kërkesat e protestuesve jashtë parlamentit, të cilët kishin vetëm një kërkesë: nuk përfaqësonin një të vërtetë absolute.
Ky parlament dhe këta deputetë të pseudomazhorancës nuk përfaqësojnë qytetarët.
Ata përfaqësojnë miliarda e miliarda euro të taksapaguesve të përdorur sipas dokumenteve ndërkombëtare për të ndikuar, për të kontrolluar vullnetin e zgjedhësve.
Ata përfaqësojnë grupe terroriste të shpifura të patronazhistëve që sillen si polici politike e votës.
Ata përfaqësojnë kartelet më të rrezikshme të drogës në Evropë.
Ata përfaqësojnë plaçkitjet më të mëdha të pasurisë publike dhe vjedhjet e buxhetit.
Përfaqësojnë votën e krimit dhe në asnjë rast, në asnjë rrethanë qytetarët shqiptarë.
Ja sepse PD kërkoi me insistimin më të madh shkrirjen dhe përfundimin ditën e enjte të parlamentit shqiptar.
Sikundër denoncuam para shqiptarëve dhe mbarë botës aktin e papërgjegjshëm të Edi Ramës të tërheqjes së njëanshme nga reforma territoriale.
Të dashur miq, në krye të radhës kam deklaruar se me Edi Ramën, reformë nuk ka.
Por nga ana tjetër jo një apo dy, por dhjetëra dhe qindra e më shumë qytetarë nga të katër anët e vendit, kanë kërkuar që PD të marrë pjesë në komisionin e reformës territoriale për të mbrojtur interesat e tyre në këtë komision.
Dhe ne këtë bëmë.
Zoti Luçiano Boçi në krye të këtij komisioni nga ana jonë dhe deputetët tanë bënë një punë jashtëzakonisht serioze.
Përgatitën me seriozitetin më të madh së bashku me ekspertët e fushës projektin më të mirë të reformës së ardhshme territoriale, ku bashkitë nga 60 jo që nuk zvogëloheshin, por dyfishoheshin.
Në të cilin përveç bashkive shtoheshin dhjetëra e dhjetëra komuna sipas territoreve ku ato është e mundur të ngrihen dhe ndryshimet e thella demografike lejojnë ngritjen e tyre.
Pas konsultave të gjera bipartizane, në të cilat qytetarët e të gjithë spektrit politik demaskuan njëzëri reformën e shkuar të Edi Ramës, Edi Rama vendosi të mbyllë punimet e komisionit, të tërhiqet dhe e votoi në mënyrë të njëanshme dhe të kundërligjshme raportin e Maznikut, i cili nuk ishte paraqitur në komision.
Pra, ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij.

BASHKEBISEDIMI ONLINE ME QYTETARET
Dejona Ruka: Doktor, çmimet janë rritur aq shumë dhe nuk po ia dalim dot të mbyllim muajin. Po blejmë gjithnjë e më pak produkte ushqimore. A keni ju ndonjë plan konkret se si ta zbusni këtë inflacion të çmimeve? Po ndonjë plan konkret për rritjen e pagave në përgjithësi?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen Dejona. Pa diskutim që dara e varfërisë në këtë vend shtrëngohet para së gjithash nga rritja e madhe disproporcionale e çmimeve në raport me rrogat. Rritje kjo, e cila ka si shkak themelor narko-euron dhe narko-shtetin.
Por rritje kjo, për të cilën Partia Demokratike ka një përgjigje flakë për flakë për neutralizimin dhe zbutjen e saj.
Së pari, vendosja e minimumit jetik 200 euro për çdo shqiptar. Së dyti, heqja e TVSH-së ose zbritja e saj në 6% në të gjitha produktet ushqimore.
Së treti, dyfishimi i rrogave dhe pensioneve me një politikë agresive të rritjes së tyre.
Unë kam besim se me këto tre masa, kjo darë që shtrëngohet çdo muaj e më shumë në fytin e shqiptarëve, do mund të bllokohet dhe të lirohet.
Gjon Lajthia: Përshëndetje Doktor. Jam Gjon Lajthia nga Shkodra, kam një pyetje: Përse pranuat të uleni në tavolinë për reformën territoriale pa ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve, Doktor? Ju më mirë se askush e dini se me Partinë Komuniste në pushtet nuk ka marrëveshje.
Sali Berisha: I dashur Gjon, së pari të përshëndes dhe të falënderoj për pyetjen.
Pyetje e drejtë, por cila është e vërteta e uljes në tavolinë?
E vërteta e uljes në tavolinë është kjo: kjo reformë është sponsorizuar në mënyrë bujare, në mënyrë shumë bujare nga Ambasada e Konfederatës së Zvicrës e cila ka qenë e interesuar për kontributin më të madh në këtë reformë duke ditur rëndësinë që ka kjo për qytetarët shqiptarë.
Së dyti, kjo reformë, në qoftë se lexoni raportin e muajit tetor të vitit të kaluar, jo të këtij viti, por të tetorit të vitit të kaluar, të Komisionit Europian për Shqipërinë, reforma territoriale dhe reforma elektorale me pjesëmarrje të gjerë, pra pozitë-opozitë, janë përcaktuar si kushte themelore për integrimin e Shqipërisë, për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë.
Së treti, në këtë kuadër, komisioni dhe të dy bashkëkryetarët miratuan me konsensus një axhendë, e cila fazën e parë e kishte konsultime në të gjitha qarqet e vendit me qytetarët dhe grupet e interesit.
Dhe këto konsultime vazhduan në shumicën e qyteteve të vendit. Në këto konsultime qytetarët pavarësisht nga përkatësia partiake sulmuan ashpër reformën e Edi Ramës dhe deklaruan se ajo nuk ishte në funksion të interesave të qytetarëve, por në funksion të interesave elektorale të Edi Ramës.
Kështu që pikërisht në kohën kur duhet të paraqiteshin ndërmjetësit e huaj, përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale për të dhënë mendimin e tyre, për të vlerësuar draftet, projektet e përgatitura nga ne dhe nga Partia Socialiste, të cilat janë shumë të ndryshme, Edi Rama u tërhoq në mënyrë të njëanshme.
Tani, të them të vërtetën Gjon, për të marrë pjesë në këtë reformë, ne kemi pasur kërkesa të pafundme nga demokratët, mbështetësit dhe qytetarët tanë, që ju duhet të jeni aty dhe jo, me mungesën tuaj, të lejoni që Partia Socialiste të bëjë çdo gjë.
Unë isha i bindur se Edi Rama do bënte çdo gjë siç do, por ne bëmë punën më serioze për një reformë të vërtetë territoriale.
Albi Topi: Doktor, të përshëndes. Një miku im ka një hotel të vogël në zonën e plazhit. Vuan për punëtorë pasi rinia ka ikur në emigracion. Ka punësuar me shumë mund dhe me kosto të lartë disa punonjës të huaj dhe me këtë sezon thotë se do të ishte me fat sikur të dilte pa humbje. A keni ndonjë program për bizneset e turizmit dhe çfarë do të bëni për t’i rikthyer të rinjtë në vendin e tyre?
Sali Berisha: I dashur Albi.
Dy sektorë të ekonomisë së vendit janë goditur në mënyrën më fatale nga narko-euro.
Së pari prodhimi dhe eksportet.
Së dyti turizmi.
Turizmi, i cili vetëm për shkak të kursit të eurove është bërë 30% më i shtrenjtë. Po në qoftë se shton këtu rritjen stratosferike të çmimeve të ushqimeve dhe çmimeve të tjera, atëherë përveç dhomës së hotelit që turisti e paguan sot për shkak të kursit të euros 30% më shtrenjtë, të gjitha të tjerat e bëjnë turizmin shqiptar një turizëm të papërshtatshëm krahasuar me çmimet.
Kjo ka bërë që të rinjtë shqiptarë të largohen masivisht.
Ju keni të drejtë, sot sipas një statistike paraprake në Shqipëri janë të punësuar mbi 23 mijë të huaj. Dhe sigurisht punësimi i tyre është mjaft i kushtueshëm.
Po, projektet tona janë shumë të rëndësishme.
Së pari, lufta me zero tolerancë ndaj karteleve të drogës dhe trafiqeve të drogës në mënyrë që kursi i këmbimit lek dhe euro të jetë normal.
Së dyti, sistemi i tatimeve për hotelet duhet të shihet me përparësi të madhe. Sot, të gjithë investitorët strategjikë që në tërësi janë baronë droge e të tjerë, i kanë hotelet dhe resortet e tyre pa taksa. Kurse ti me një hotel të vogël, apo miku yt me një hotel të vogël paguan dhe çmimet e kokës. Këto marrin fund.
Së treti, është e domosdoshme, zoti Topi, që punonjësit sezonalë të kenë një trajtim gjithëvjetor. Dhe ky trajtim gjithëvjetor i tyre nuk mund të bëhet vetëm nga sipërmarrja. Ky trajtim gjithëvjetor i tyre bëhet me një bashkëkontribut me shtetin. Dhe kjo është e domosdoshme, këtë e bën Greqia, e bëjnë shumë vende të tjera.
Merita Bogdani: Partia Demokratike ka lëshuar sheshet. Çfarë do të bëhet, kështu do të hyni në zgjedhje me ndryshimet që vendos Rama, me Ramën kryeministër?
Sali Berisha: Kjo, Merita, është relative. E vërtetë është ajo, që protesta që po zhvillohet, nuk është e thirrur nga Partia Demokratike, por të garantoj se pjesëmarrja e Partisë Demokratike është e fuqishme në këtë protestë dhe do të jetë. Dhe ne e ndjekim me shumë interes, me shumë vëmendje dhe do bëjmë gjithçka për mbështetjen e saj.
Sikundër pas përfundimit të gjithë procesit të brendshëm të partisë, ne do të riformulojmë axhendën tonë në funksion të zgjedhjeve të ardhshme, në funksion të suksesit të protestës dhe të largimit të Edi Ramës.
Tom Berisha: Doktor, në Kosovë ish-kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, u dënua me dy vite për shkak për 170 mijë euro të padeklaruara. Po këtu Belinda me 300 apartamente apo Rama me vilë në Surrel si nuk preken? Në Kosovë nuk ka as SPAK as BKH.
Sali Berisha: Nuk preken sepse SPAK-u është në kontroll të plotë të Edi Ramës, i dashur Tom.
Sepse SPAK-u është një seksion i Partisë Socialiste. Kjo është e vërteta.
Dhe vjedhjet e Edi Ramës, të Lubi Ballukut dhe ministrave të tij, ju garantoj se janë miliarda euro. Por në rastin e Ballukut siç e patë dhe ju kur një prokuror vendosi të zbatojë ligjin, ai u përball me egërsinë e pakufishme të Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe bandave të tyre.
U përball me votën e atyre mandateve të krimit në parlament.
Kështu që faktikisht SPAK-u është sot thjesht një organizatë e Partisë Socialiste.
Marjan Geci: Në 27 vendet e BE-së, shpenzimet për ushqime përfaqësonin mesatarisht 6.2% të prodhimit të brendshëm bruto në vitin 2021. Në Shqipëri, pesha prej 20.4% ishte mbi tre herë më e lartë se mesatarja europiane. Pra, shqiptarët, sipas Eurostat, paguajnë më shumë se kushdo në Europë për ushqimin. A duhet një nismë konkrete për çështjen e TVSH-së dhe a duhet t’i bindni shqiptarët se kjo vjen nga paratë e drogës që futen në ekonomi?
Sali Berisha: Marjan, të përshëndes për pyetjen. Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa njerëzit me pagat më të ulëta në Europë, paguajnë ushqimet me çmimet më të shtrenjta.
Është e vërtetë ajo që thoni ju. Në të gjitha raportet, shpenzimet për ushqimet për qytetarët shqiptarë janë tre herë më të mëdha se për qytetarët europianë. Është e vërtetë.
Por përveç kësaj, Marjan, ka një të vërtetë edhe më të hidhur, shumë më të hidhur se kjo. Dhe kjo e vërtetë më e hidhur është se sot janë të paktën 450 mijë pensionistë që nuk janë me pensione të plota dhe që marrin mesatarisht 100-110 euro në muaj.
A mund të imagjinosh, Marjan, si mund të blejnë ata ilaçe, çfarë ushqimesh mund të blejnë ata me 100 euro?
Pra, ata janë në mjerim. Janë në një mjerim të madh, të plotë. Sigurisht që prerja me gërshërët e ligjit, zero tolerancë ndaj bosëve të drogës, do të rikthejë normalitetin e çmimeve në Shqipëri. Por tashmë kjo nuk mjafton.
Është e domosdoshme të hiqet TVSH-ja për ushqimet.
Është e domosdoshme të dyfishohen rrogat dhe pensionet, në mënyrë që laku i kafshatës të mos shtrëngohet më tej, po të lirohet në qafën e shqiptarëve.
Fatmir Topi: Kritikët thonë se në drejtimin e Partisë Demokratike janë zgjedhur të rinj pa përvojë politike apo partiake, apo persona pak të njohur për publikun. Si i përgjigjeni këtyre kritikave?
Sali Berisha: Të falënderoj Fatmir për pyetjen. Kritika nuk është se nuk qëndron, e ka një të vërtetë.
Por Fatmir, në qoftë se analizojmë së bashku kalvarin që kaloi Partia Demokratike katër vitet e fundit, të them me sinqeritet se për mua demokratët kanë treguar një heroizëm epik. Kanë bërë një gjë të jashtëzakonshme.
Cila është kjo gjë? Kanë sakrifikuar në mënyrë që Shqipëria të ketë opozitë të vërtetë. Kanë paguar çmim, jo të vogël. Janë përballur me presione të të gjithanshme. Por rezistuan, mbrojtën kauzën e tyre të drejtë.
Kauza e tyre ishte kjo dhe vetëm kjo: Shqipëria duhet të ketë opozitë të vërtetë.
Opozitë që të kontrollohet nga anëtarësia e saj dhe jo nga Edi Rama apo të tjerë.
Kaluam katër vite, partia e përçarë u bashkua. Ia doli, siç e dini dhe vetë, me përpjekje të jashtëzakonshme të tejkalojë çdo izolim, të garantojë mbështetjen më të madhe ndërkombëtare, ia doli t’u faktojë shqiptarëve dhe botës se zgjedhjet ishin një farsë elektorale.
Me gjithë këto, në të gjithë bindjen time, por jo vetëm timen, por dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të mi në tërësi dhe të mbarë demokratëve, ndoshta edhe juaja Fatmir, ekzistonte një kërkesë: Partia Demokratike duhet të ripërtërihet.
Projektin e ripërtëritjes unë e kisha përgatitur, të them haptas këtu, dhe në qoftë se ju kujtohet kur ndërmorëm nismën e rithemelimit, motoja jonë ishte kjo: ‘Për një Parti Demokratike më të fortë, më të hapur, më të bashkuar’.
Por hapja, për të cilën kishim punuar jo pak bashkë me bashkëpunëtorët e mi, u bllokua në një farë mënyre për shkak të arrestimit tim 333 ditë.
Dhe ju keni të drejtë, dhe ata kritikë nuk gabojnë. Unë nuk them se këto janë figura të njohura. Por këto figura do ishin promovuar, se çdo njeri duhet të promovohet.
Vetëm ka një gjë Fatmir, këto figura, për sa u përket të dhënave, të siguroj se i kanë ndër më të shkëlqyerat.
Shumë prej tyre janë grup ekselence, që kanë ardhur dhe janë bashkuar me Partinë Demokratike në ditë të vështira.
I takon PD, por u takon atyre në radhë të parë që të shpalosin të gjitha aftësitë e tyre para demokratëve dhe shqiptarëve, dhe unë kam besim se do ta bëjnë.
Sikundër Fatmir, në këtë ripërtëritje duhet të pranojmë se Partia Demokratike në kalvarin e saj humbi disa proporcione që i ka pasur të lindura, native, të saj.
Kjo ripërtëritje solli gjithashtu rivendosjen e proporcioneve të duhura në parti. Ne jemi parti kombëtare dhe kjo u realizua.
Dhe së fundi, ju garantoj se këto janë hapat e para shumë të rëndësishme, hapa të tjera shumë të rëndësishme do ndërmerren që shqiptarët të kenë një Parti Demokratike të ripërtërirë, me ekipet më të afta dhe më të mira për të sotmen dhe të ardhmen e saj.
Ema Bushati: Banka e Shqipërisë çdo vit blen miliona euro, pra de facto banka po blen euro të drogës që futen në mënyrë informale. A është kjo arsyeja pse guvernatori i Bankës së Shqipërisë kërkon imunitet?
Sali Berisha: Ema, edhe unë jam çuditur me amendimin e ligjit të kërkuar gjoja në standardin e Bashkimit Europian.
Por, siç e dimë, do bëhet një kontroll i legjislacionit europian për këtë qëllim.
Mirëpo në Shqipëri ndodhi një gjë që s’ndodhi në asnjë vend tjetër ndonjëherë.
Edi Rama, me të ardhur në pushtet, arrestoi papritmas guvernatorin e bankës, sikur të ishte roje e tuneleve të saj.
E arrestoi, ju them unë juve, vetëm e vetëm për urrejtjen e tij ndaj tij, sepse Edi Rama kur shihte ndërtimet masive të rrugëve, veprave publike, besonte në marrëzinë e tij se guvernatori printonte para për qeverinë.
Injorant në shkallën më ekstreme. Ai nuk kupton se një qeveri që urdhëron bankën për të prerë para për të, në qoftë se banka ia zbaton, i hap gropën e ardhshme.
Dhe ky, në atë bindje, në një akt pabesie, në një akt primitiv, gjeti një njeri që urdhëroi arrestimin.
Guvernatori, dhe çdo njeri, arrestohet në një vend të shtetit ligjor, por arrestohet mbi bazën e veprave të argumentuara penale.
Kështu që jemi duke e studiuar.
Kurse guvernatori ka një problem të madh për mua, dhe e tërë banka. Ata kanë një përgjegjësi të madhe për heshtjen që mbajnë ndaj narko-euros.
Ata janë përpjekur në treg për normalizimin e saj, por pa sukses, kanë blerë miliarda euro dhe ndokush mund të thotë po janë rezervë, po problemi është se kjo narko-euro, guvernatori duhet ta dijë, dhe e dinë mirë dhe zëvendësguvernatori dhe të tjerë me radhë, nga kjo narko-euro kanë falimentuar me dhjetëra mijëra sipërmarrje shqiptare.
E theksova dhe herën e kaluar, e theksoj prapë. Kam qenë në Çeki në vitin 2012. Çekët dikur ishin prodhuesit kryesorë të këpucëve në një pjesë të madhe të Europës. Nga vizita konstatova se ata pothuajse prodhonin fare pak këpucë. Ndërkohë vendi im, Shqipëria, ishte renditur e teta në botë për prodhimin e këpucëve. Shqipëria prodhonte veshje të të gjitha kategorive përfshirë modën më të lartë, në qytetet e saj.
E gjitha kjo industri e ngritur me guximin, mendjen dhe energjinë e investitorëve shqiptarë dhe të huaj, dhe punën e mundin e djersës së punëtorëve shqiptarë, u shkri si bryma para diellit nga narko-euro.
Këto ndërmarrje falimentuan masivisht njëra pas tjetrës. Mbi 100 e sa mijë punëtorë humbën vendet e punës.
Kur ne po në vitin 2013, ia dolëm të bëheshim eksportues vezësh, eksportues qumështi. Çfarë do të thotë kjo? Shqiptarët blinin vezët, blinin qumështin, me një çmim dy herë më të lirë se sot. Ndërsa sot shqiptarët marrin qumështin pluhur që vjen nga Serbia. Sot çmimi i tij është dy herë më i shtrenjtë se ç’ishte. Kështu që guvernatori i bankës dhe bordi, në qoftë se ka bord, se është organizatë e Partisë Socialiste tani, duhet të kenë minimumin e përgjegjësisë dhe të ndërgjegjes për këtë dramë që ndodh nga narko-euro.
Nuk e fshehin dot.
Shqipëria sot është vendi në të cilin euro është zhvlerësuar më shumë se çdo vend tjetër të planetit.
Dhe kreu i ekzekutivit, që është kreu i meduzës së mafies, deklaron se jam krenar me narko-euron. Se kjo tregon ekonomi të fortë. Në një kohë kur Norvegjia, që vetëm fondin e investimeve e ka 1 trilion, dhe që nuk është në sistemin e euros, gjatë 10 viteve ka pësuar një zhvlerësim, jo të euros, një zhvlerësim të koronës në krahasim me euron, zhvlerësim prej 10-12%.
E po kështu zlloti polak, e po kështu shumë më tepër forinta hungareze.
Pra banka dhe guvernatori kanë një përgjegjësi të madhe në fshehjen që i bëjnë këtij zhvillimi dramatik, këtij fenomeni toksik për ekonominë shqiptare.
Këtu ka një përgjegjës për këtë dhe ky është Edi Rama. Kreu i karteleve të drogës më të fuqishme në Europë.
Shyqyri Myrtollari: Mirëdita edhe ju përshëndes Doktor. Ka njerëz që kanë investuar çdo kursim të jetës së tyre në biznes dhe janë në rrezik falimentimi pasi përballen gjithmonë e më shumë me konkurrencë të pandershme dhe disa taksidarë që vetëm presion bëjnë. Si i garantoni ju sipërmarrësit e bizneseve të vogla apo të mesme që kur të vini në pushtet, të rritet besimi dhe konkurrenca e ndershme, dhe për t’i shpëtuar ata nga falimentimi?
Sali Berisha: Faleminderit Shkëlqim për pyetjen. Garantimi i parë dhe i fundit është zbatimi i ligjit. Ligji, ligji dhe vetëm ligji.
Se kemi zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, po të garantoj që kanë qenë pothuajse inekzistente ankesat nga bizneset për sulme partiake.
Mos dëgjoni ju Gjergj Lucën, të cilin qeveria edhe organet ligjzbatuese e ndiqnin si një trafikant të damkosur dhe thotë se i shkatërroi bizneset Saliu.
Sigurisht që, ata të cilët e kanë mendjen tek droga, ata do shkatërrohen.
Po bizneset e ndershme do mbrohen pa asnjë lloj konotacioni dhe ndërhyrje.
Shkëlqim, mos harro se ne ulëm barrën fiskale, vendosëm mbi bizneset barrën fiskale më të ulët në Evropë. Dhe prapë i rikthehemi asaj.
Ne krijuam klimën më miqësore ndaj biznesit. Dhe e vërteta është që numri i bizneseve në Shqipëri në ato tetë vite u rrit me 250%. Dhe ato janë të gjitha të evidentuara.
Ndaj dhe ne i rikthehemi me vendosmërinë më të madhe zbatimit të ligjeve dhe lehtësirave për biznesin.
Ben Xhorxhi: Lexova se Rama po fal te trojet e policisë në Dhërmi e Palasë për vila e hotele. A do e ndalojë njeri këtë mostër, doktor, se po fal çdo pasuri dhe po zhbën vendin? Pse nuk i çoni deputetët tuaj ta denoncojnë këtë aferë, jo vetëm në Dhërmi e Palasë, por kudo që ndodh?
Sali Berisha: Ne do e denoncojmë këtë aferë, të jeni i sigurt dhe ne po merremi me të, dhe shqiptarët duhet ta dinë se ato posta policie kanë qenë në vendet më të lakmuara në të gjithë bregdetin.
Dhe në mënyrë absolute kam dyshime shumë të mëdha se aty janë investimet personale të Edi Ramës dhe do hetojmë.
Se unë i njoh ato zona, për rrethanat e shkuara që kam pasur.
Ky po i dhuron ato për veten e tij, me gjasat më të mundshme. Është një akt plaçkitje, nuk ngopet, siç plaçkiti Kanionin e Gjipesë.
Jo unë, tha, po mamaja dhe Olsi, janë pronarë aty, që s’kanë qenë kurrë pronarë.
Tani na zhduken edhe territore të tëra ku kanë qenë të vendosura postat e policisë në pozicionet më të përshtatshme për kontrollin e territorit.
Eda Grimci: Doktor, zhvillimet e fundit rreth hetimeve që lidhen me Klodian Allajbeun, kanë kthyer në qendër të vëmendjes dyshimet për korrupsionin klientelist në sektorin e shëndetësisë, plaga më e madhe për shqiptarët. Do të ishte me interes të dëgjonim vlerësimin dhe qëndrimin tuaj politik për këtë çështje, si dhe çfarë zgjidhjesh propozon Partia Demokratike për t’i dhënë fund lidhjeve klienteliste mes pushtetit dhe biznesit. PD-ja është e vetmja që denoncon këtë gjë, pra nuk jemi njësoj me hajdutët e Rilindjes, ndërkohë që shumica e mediave dhe portaleve hesht dhe nuk e publikon këtë lajm.
Sali Berisha: E vërteta është që vjedhje në sistemin e shëndetësisë, janë vjedhjet me koston më të dhimbshme që kushtojnë jetë njerëzore. Dhe është reale që këto vjedhje bazohen në favorizime të oligarkëve të fushës së shëndetësisë, që të gjitha në kurriz të të sëmurëve shqiptarë dhe të pasurimit të zyrtarëve të kësaj fushe.
Gjatë qeverisjes sonë, Eda, janë statistika shumë të sakta. Edhe atëherë ka pasur korrupsion, nuk e mohoj, por çmimi që paguajnë nga xhepi i tyre qytetarët për shëndetësinë sot në Shqipëri, është më i larti në Europë, dhe është dy herë më i madh se ai që ishte në kohën tonë, në një kohë kur ne nuk kishim premtuar shëndetësi falas. Është dy herë më i madh.
Së dyti, siç e dini, në mënyrë absolute nuk ka ekzistuar ato tetë vite, çështja e mungesës së ilaçeve për spitalin onkologjik. Në asnjë rrethanë, unë mund të them një gjë, që kurrë nuk do ta toleroja një gjë të tillë. Ato ilaçe janë jetike, të një rëndësie jetike, për ata të sëmurë.
Nuk duhet të kesh shpirt, duhet të jesh i zhveshur nga çdo gjë, që të pranosh t’u mungojnë ilaçet atyre.
Do ta tregoj prapë këtu, Eda, një episod. Jo për të sëmurët me sëmundje neoplazike. Por, më sjellin një herë në tryezë një kërkesë për Exjade. Exjade ishte një medikament shumë, shumë i kushtueshëm, që përdorej nga të sëmurët me talasemi, të cilët detyroheshin në faza të caktuara të mbanin shiringa me injeksione në bark.
Rastisi që këto ishin vajza të reja. Si të thuash, në një farë mënyre i lëndonte mjaft. Ne e morëm ilaçin. Ne vendosëm ta marrim atë ilaç në një kohë kur vende të tjera nuk e kishin marrë. E morëm dhe nuk gabuam. S’mund të imagjinohet.
Morëm tre ciklotronë. Tre ciklotronë për neurokirurgjinë dhe për onkologjinë. Nuk mund të mungonin. Sot thonë që nuk ka skaner të teknologjisë më të lartë. Ne i sollëm ato, natyrisht kanë dalë jashtë funksionit, koha, teknologjia ecën.
Pra, nuk them se ishte e përsosur, jo, por absolutisht nuk mund të kishte kurrë mungesë ilaçesh jetike. Nuk mund të kishte kurrë mungesë aparaturash të diagnostikimit të gjerë, të teknologjisë më të lartë që duheshin. Kjo është.
Ciklotronët janë pothuajse jashtë përdorimit. Pjesët e këmbimit vijnë dhe mbeten aty rezervë, mbeten të depozituara në magazinë dhe nuk i vendosin, etj. Pra si brakiterapia, herë funksionon, herë s’funksionon. Ka një braktisje të këtyre të sëmurëve, të gjitha këto nga korrupsioni i papërmbajtur i ministrave, për hir të së vërtetës, edhe Edi Rama ka duart e tij të zeza në këtë vjedhje.
Si u zhdukën këto? Po, u zhdukën këto fonde, sepse u vodhën. Sterilizimi, për të cilin spitalet paguanin, po e marr në mënyrë arbitrare 1 lek, u privatizua nga Edi Rama dhe ministri i tij Beqja, u privatizuan duke rritur çmimin sipas vlerësimeve reale të vetë ekspertëve me 84 herë. 84 herë!
Edi Rama, për këtë vjedhje monstruoze, ju kujtohet apo jo, kalonte nga studiot në televizione, kishte marrë një pincë me një krah dhe një gërshërë të thyer, dhe thoshte, ‘ja me se operoheshim’.
Mashtronte për të mos prishur gojën se mund t’i vësh çdo epitet. Absolutisht, ua them shqiptarëve që s’ishte kurrë e vërtetë. Përkundrazi, për sallat e operacionit të fëmijëve janë sjellë komplete kirurgjikale të praruara, që s’mund të ndryshkeshin kurrë.
Dhe ky kishte marrë në kazermë një pincë të thyer e shkonte… shkonte sepse do vidhte me Beqjen. Dhe tani as e kanë thirrur dëshmitar ndonjëherë. Ogertën, korbën e Covid-it, që i vazhdoi ato, se Beqja vërtet i vendosi, po ato mund të ndërpriteshin në çdo kohë. I vazhdoi ato për vite të tëra, duke ndarë paratë me Ramën, nuk e kanë thirrur një herë për to.
Sepse SPAK-u është seksion i partisë së tyre.
Griselda Selimaj: Mirëdita Doktor, dje Rama ka bërë gjestin më të shëmtuar, duke folur me një fjalor përçmues, me një fëmijë me aftësi ndryshe. Në zgjedhjet e mëparshme e ka deklaruar se kush voton Kënetën e Bufave, duke iu referuar PD-së, duhet të jetë autik. A mund të kërkoni thirrjen e Komisionit të Etikës, ose ndëshkim nga instancat përkatëse si brenda apo jashtë vendit, për fjalorin e një kryeministri ndaj atyre me aftësi ndryshe, por edhe të shqiptarëve në tërësi përfshirë protestuesve që i quan korba dhe sorra? Faleminderit.
Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen. Edi Rama manifeston në mënyrë të përsëritur psikologjinë e një birboje, e një urrejtësi. E ka të trashëguar, e ka familjare.
Absolutisht ua them unë ju. Sepse, në edukatën e tyre familjare, mëshira për atë që është në nevojë, dhembshuria për të nuk ekziston.
E vura re gjestin. Gjest më të ulët dhe më çnjerëzor nuk mund të kishte. Kur foli për nënën, që përdori terma prej halabaku në vlerësimin e saj, ai imitoi djalin e tij, që mbante kokën në një anë, shtrembër, djalë me aftësi të veçanta. Ishte një akt shumë, shumë i shëmtuar.
Dhe në një farë mënyre e nxjerr Edi Ramën në nivelin e instinkteve më bazale, më shtazore të njeriut.
Pse e imiton ti atë? Çfarë kërkon që të imitosh?
Unë pashë se fatmirësisht, pavarësisht nga kontrolli që u bën mediave konvencionale, mediat sociale e kishin trajtuar në mënyrën më të merituar dhe më të gjerë dhe unë i përgëzoj ato. Komisioni i Etikës… natyrisht ne do t’i shohim të gjitha modalitetet, po këtu nuk ka organizata që mbrojnë fëmijët. Janë shushunja. Ato janë shushunja që plaçkitin fonde për mbrojtjen e fëmijëve.
Nuk mund të mos e them se një nga aktet për mua më të shëmtuara, më kriminale, ka qenë publikimi nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonaj, në një akt urrejtje dhe armiqësie ndaj meje, të emrave të tre fëmijëve me autizëm, për fajin e vetëm se dhëndri im dhe fëmijët e mi, i kishin sponsorizuar familjet e tyre, kishin paguar shpenzimet për trajtimin e tyre në qendrën e autizmit që drejtohet nga doktoreshë Liri Berisha, pa asnjë lloj shpërblimi mbi tokë, përveçse për pasionin e vet. Dhe këta e gjetën këtë akt korruptiv, shih se çfarë janë këta…
Po këta edhe nazistë, edhe sigurimsë të poshtër po të ishin, ndoshta deri këtu nuk shkonin. Nazistët shkonin, edhe sigurimsat shkonin. Po mund të bëjnë prokurorët një akt të tillë? Mirëpo çfarë t’u thuash prokurorëve kur e bën Edi Rama atë akt?
Kur duke mbajtur fjalimin, lëshon kokën mbi sup për të imituar djalin me aftësi të ndryshme.
Këta, përsa i përket ndjeshmërisë, janë në nivel shtazor. Këta janë në nivel shtazor. Kjo është e vërteta dhe asnjë organizatë e të drejtave të fëmijëve nuk ngriti zërin për ato tre fëmijë. Duke treguar se s’janë gjë tjetër vetëm shushunja të shpifura, të fondeve që jepen për mbrojtjen e fëmijëve.
Prishila Sterkaj: Cili është hapi i radhës i Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të sekretariateve? A do të ketë zgjedhje të tjera apo do të nisni përgatitjet për të dalë në fushatë?
Sali Berisha: Prishila, faleminderit për pyetjen. Do të jemi, në këtë drejtim, do të jemi shumëplanësh.
Së pari, riorganizimi do vazhdojë. Unë ju siguroj juve dhe siguroj shqiptarët se Partia Demokratike ka vlera të çmuara shumë, të cilat do vazhdojë t’i paraqesë para tyre.
Së dyti, do përqendrohemi me të gjitha energjitë tona në organizimin e partisë, digjitalizimin, modernizimin e saj, përsosjen e vizionit të saj dhe, pa diskutim, përgatitjes më të mirë të mundshme për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ju falënderoj shumë për pyetjet, komentet dhe mirëpres çdo vërejtje, sugjerim nga ju të dashur qytetarë dhe qytetare.
Por do ta mbyll me një thirrje: të bëjmë gjithçka për të mbështetur këtë protestë qytetare.
Ua them me bindjen më të madhe dhe në interesin tuaj më të madh se nuk ka investim më të rëndësishëm, më fisnik sesa investimi në suksesin e një proteste rinore qytetare.
Është, mendoj unë, detyrimi më i madh i çdo qytetari që beson se ka përgjegjësi për veten, familjen, komunitetin, shoqërinë dhe kombin.
Ndaj dhe kam thirrje për çdo anëtar, për çdo simpatizant, për çdo mbështetës dhe mbështetëse të Partisë Demokratike dhe për çdo qytetar: të bëjë gjithçka, për të ndarë nga koha e tij, në mbështetje të kësaj proteste, e cila për hir të së vërtetës e ka falimentuar Edi Ramën.
Unë kisha deklaruar në mënyrë të përsëritur se ne e plagosëm atë rëndë, por tani mund t’ju them se është i plagosur fatalisht.
Ai nuk ka më shpresë.
Ndaj dhe është në duart tuaja, të gjithsecilit prej jush, të investojë të gjithë forcën, entuziazmin, vendosmërinë dhe guximin në këtë protestë qytetare dhe të jetë kjo një protestë e suksesit shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.


