Berisha: Rama i tmerruar nga denoncimet e Sali Berishës, mendoi të shpëtojë duke e vendosur në ‘arrest shtëpie, por krijoi me qindra e mijëra Sali Berishë të tjerë

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur para mbështetësve të tij, të cilët protestojnë për 28 ditë kundër vendimit politik me ‘arrest shtëpie’ të dhënë ndaj liderit të opozitës nga gjykata e dirigjuar nga Edi Rama.

Kryedemokrati ka theksuar se Edi Rama është i tmerruar nga denoncimet e tij, prandaj dhe urdhëroi gjykatën për ta vendosur në ‘arrest shtëpie’.

Por sipas kryetarit të PD-së, me këtë vendim Rama krijoi me qindra e mijëra Sali Berishë të tjerë.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, se bashkë me 5 drejtorë të tij kanë vjedhur 30 milionë euro prokurime publike.

Gjithashtu lideri i opozitës denoncoi dhe vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën, se ai me Gaz Demin dhe Pëllumb Gjokës po vjedhin paratë e Rrugës së Arbrit.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Ju misionarëve të vërtetë të qëndresës së njeriut për dinjitetin e tij.

Misionarëve të vërtetë të qëndresës së njeriut për lirinë e tij.

Misionarëve të vërtetë të qëndresës së njeriut për vlerat më të larta të individit dhe shoqërisë.

Misionarë të vërtetë të qëndresës së shpresën, për të ardhmen, për interesin kombëtar dhe mbi të gjitha të qëndresës për të vërtetën e cila kurrë nuk tretet, nuk humbet, nuk mposhtet, por vetëm ndriçon, ndriçon çdo ditë e më shumë, zemrën e njeriut, zemrën e një kombi të tërë.

Kam një përshëndetje të përzemërt për oratorët e mrekullueshëm, fjalët e tyre plot frymëzim, pasion, vërtetësi.

Edi Rama i tmerruar nga fjala, denoncimet e Sali Berishës, mendoi të shpëtojë prej tij duke e vendosur atë në arrest shtëpie. Por krijoi me dhjetëra, qindra, mijëra Sali Berishë të tjerë të cilët e shndërruan në ‘rrugën e Shpresës’, rrugën e gjyqit publik të regjimit.

Rrugën e gjyqit publik të vjedhjeve të Edi Ramës dhe suitës së tij.

Rrugën e gjyqit publik të lidhjeve të tij me krimin.

Rrugën e gjyqit publik vjedhjeve të familjarëve të tij, të pasurimit të familjes së tij, të 16-fishimit të të ardhurave duke shfrytëzuar karrigen e tij.

Të shpërdorimit dhe vjedhjes me qindra milionë eurove me djegësat, me sterilizatorët.

Të denoncimit të aferës prej miliarda euro të portit të Durrësit, të denoncimit dhe gjyqit publik për Edi Ramën, skandalin e tij ndërkombëtar me McGonigal.

Edi Rama të mbron sot Altin Dumani, por bashkë me Dumanin do të të japim ndëshkimin më të rëndë që meriton.

Miqtë e mi!

Me praninë tuaj, sakrificën tuaj të përnatshme ju jeni bërë burim shprese për çdo shqiptar.

Ju po zgjoni çdo ditë e më shumë, luanin e fjetur tek shqiptarët.

Ju po trimëroni dhe rrisni guximin e shqiptarëve kudo që janë.

Unë sot kam një përshëndetje të përzemërt për përfaqësuesit e Matit dhe Bulqizës që janë mes  jush.

Dua të përshëndes demokratët e Matit, në 33 vjetorin e themelimit të degës së PD.

Të përshëndes demokratët e Bulqizës.

Të dashur miq!

Themelimi i PD-së në Mat është një akt epik. Mati 33 vite më parë mbi të gjitha ishte qendër ushtarake, qendër divizioni, qendër të themi të vërtetën, regjimi nga një anë kishte persekutuar thellësisht banorët e Matit, nga ana tjetër kishte bërë gjithçka për të mbajtur nën kontroll të plotë, për të shtypur sa më shumë ata.

Atë ditë, Azem Hajdari në një miting me guximtarët e Matit, u përball me një situatë ndër më të rrezikshmet.

Falangat ekstremiste, terroriste, donin me çdo kusht të provokonin gjakderdhje.

Por dështuan. Demokratët, për armë të vetme kishin guximin dhe ngadhënjyen mbi ta.

Dega e themelua dhe dega e Matit do të shndërrohej në një nga degët më të suksesshme të PD.

Mati, Bulqiza, Dibra janë sot zonat më të ndëshkuara, më të vjedhura, më të plaçkitura, më të rrënuara.

Të dashur miq!

Denisa foli për Agron Malajn. Por a e dini ju se ku vjedh më shumë Agron Malaj? Vjedh në Tiranë me Erion Veliaj. Firma e tij me emër të të vëllait, ka ndarë me Erion Veliajn dhe ujësjellësin mbi 30 mln euro.

Është një rrjet i tmerrshëm hajnash, hajdutësh të pamëshirë, që ndajnë pasuritë tuaja me njëri tjetrin.

Të dashur miq!

Këto ditë keni dëgjuar se u bënë disa kontrolle te zyrtarët e Erion Veliajt.

A e dini ju se çfarë janë ato?

Belind Këlliçi ka denoncuar që në maj të vitit të kaluar kompaninë e famshme ‘5D’.

‘5D’ do të thotë 5 drejtora. 5 drejtora të bashkisë me në krye Erion Veliajn, kanë vjedhur 30 mln euro prokurorime, para publike me familjarët e tyre.

Po rruga e Arbrit.

Të dashur miq!

Rruga e Abërit, kur e dorëzuam në vitin 2013, ishin pa ndërtuar gjithsej 27 km. 32 km ishin të përfunduara.

Çfarë po ndodh me 27 kilometrat. Me 27 km e rrugës së Arbrit e gjerë 10-11 metra, po i shkon çmimi fiks sa Rrugës së Kombit e gjerë 27 metra në akset e saj.

A ka vjedhje më të madhe?

Shikoni pse. Kur të shihni Gazin dhe Olsi Ramën do të shikoni tabelat mbrapa, ‘Gjoka Kompani’. Pra paratë po i vjedh Olsi me Demin bashkë me Gjokën dhe çmimi i rrugës ka kaluar në ato 27 kilometra në 11 milionë dollarë kilometri.

Të gjitha këto e tmerrojnë Edi Ramën ndaj dhe ai bën çdo gjë të mbajë pushtetin me çdo kusht sepse e di, se ndëshkimi për këto vjedhje do të jetë i jashtëzakonshëm për të dhe organizatën e tij kriminale.

Edhe njëherë dua të thirrje qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Të bashkohemi në këtë betejë, sepse vetëm beteja pa kthim është beteja e fitores.

Se vetëm beteja pa kthim është beteja e shpëtimit.

Se vetëm beteja pa kthim do të rikthejë votën e lirë.

Sepse vetëm beteja jonë pa kthim me mosbindje civile do të vendosë pluralizmin e vërtetë politik.

Sepse vetëm beteja pa kthim do të rikthejë shpresën dhe do të bëjë Shqipërinë vendin e shpresës së madhe të shqiptarëve.

Sepse vetëm beteja pa kthim do të çojë shqiptarët drejt fitores, do të çelë dyer e mbyllura të Europës për shqiptarët.

Do të hapë rrugën e zhvillimit.

Do të shndërrojë pasuritë përrallore të Shqipërisë, në të mira për qytetarët e saj.

Vetëm beteja pa kthim do të presë me gërshërët e ligjit, lidhjet e tmerrshme të krimit dhe mafias qeveritare me bandat, në Shqipëri, Europë, Meksikës dhe kudo që janë.

Pra kjo betejë është shpëtimtare për çdo shqiptar që e do këtë vend.

Për çdo shqiptar që i beson lirisë dhe vlerave më të larta, idealeve më fisnike të individit.

Ftoj qytetarët shqiptarë, të mos harrojnë se armiku i egër i tyre, Edi Rama, nuk kërkon asgjë tjetër vetëm heshtjen e tyre.

Nuk kërkon asgjë tjetër vetëm indiferencën e tyre.

Heshtjen e tyre do ta shndërrojë në vjedhjen gjithnjë e më të madhe për ta.

Heshtjen e tyre do ta shndërrojë çdo javë dhe çdo ditë në përçmim dhe poshtërim për ta, në largim të shqiptarëve nga Shqipëria, në shkretëtim të këtij vendi, në izolim të Shqipërisë.

Ndaj dhe ne të ngrihemi si njerëz të lirë, që e duam këtë vend, që i besojmë Shqipërisë.

Dhe ju garantoj se angazhimi juaj në këtë betejë do të firmosë në kohë rekord të shkurtër, fundin e Edi Ramës, regjimit të mafias së tij, regjimit të fundërrinave, regjimit të bandave.

Ndaj të gjithë o sot o kurrë të vazhdojmë këtë betejë për fitoren e Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë fitorja.

Fitore, fitore, fitore.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale