Berisha: Rama i bëri atentat parlamentarizmit. Logo dhe vula? Para një padrejtësie, njeriu nuk tërhiqet. Do bëjmë luftë deri në fund me Edi Ramën

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët, fillimisht ka përshëndetur ekipin kombëtar të futbollit për fitoren e shkëlqyer dhe më pas është shprehur se, Edi Rama të enjten (12 tetor) ka ekzekutuar pluralizmin në parlament, duke i emëruar opozitës përfaqësuesin në Komisionin e Reformës zgjedhore.

Berisha deklaroi se, pas kësaj situate opozita do të rishqyrtojë situatën dhe do të dalë në konkluzionet e saj. ‘Opozita, në ditët në vazhdim, do të shqyrtojë situatën shumë kritike të krijuar nga votimi i djeshëm në parlament dhe do të dalë me konkluzionet e saj.

Ajo çka fakton dita e djeshme, fakton se Rama dhe pluralizmi janë të papajtueshëm, se Edi Rama nuk pajtohet me pluralizmin politik të vërtetë në Shqipëri’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij me gazetarët.

Berisha deklaroi se, PD dhe fronti opozitar do ti japë përgjigjen e merituar Edi Ramës. ‘PD dhe fronti opozitar do të japë përgjigjen më të merituar Edi Ramës. Ne nuk dorëzojmë as pluralizmin as opozitarizmin. Le të bëjë ç’të dojë ai me Lul Bravën dhe Alibashën, por ne nuk i dorëzojmë ato’, deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me mediat.

FJALA E PLOTE:

Nuk mund të fillohet ky takim me ju pa një urim shumë të veçantë për kombëtaren tonë, ekipin në tërësi, golëshënuesit e mbrëmshëm Seferin dhe Asanin, me golat e tyre fantastikë, trajnerin, i cili po e ngjit këtë skuadër, këtë ekip kombëtar në nivelet më të larta.

Magjia e këtij trajneri është pothuaj reale. Silvinjo është shkrirë në një me psikologjinë e lojtarëve dhe krijon tek ata siguri të madhe dhe motivim të fortë.

Ndeshja në vlerësimin tim modest, ishte më e bukura e kombëtares tonë që unë kam parë ndonjëherë.

Por nuk ishte vetëm fusha, nuk ishin vetëm entuziazmi dhe ndezja flakë e fansave nën himnin e kënduar nga Shkurte Fejza, po pati momente po kaq pikante sa edhe vetë golat. Sa edhe vetë himni.

Ju e patë, aq sa ishte të themi lartësimi dhe krenaria që krijoi ekipi me lojën e tij fantastike, por aq ishte domethënia e ndëshkimit që i bënë përçarësit të kombit, i cili nxinte sterrë.

Ju jeni dëshmitarë se si rrinte si në gjemba. Si tiran, pa duartrokitur njëherë ekipin. Sepse shihte ato. Përçarësi i kombit.

Se ç’ndodhi më pas mes tij dhe Dukës, atë jeni gazetarë dhe investigojeni, por unë them se ajo ishte përgjigjja më e merituar që i dhanë një përçarësi, që edhe ditën e ndeshjes, në prag të samitit të Procesit të Berlinit, shfrytëzoi parlamentin për një fjalim koprolalik, kundër udhëheqjes politike të Kosovës, si vëllai i Vuçiçit, siç thotë ai, apo të themi Pashiqi shqipfolës apo argati i Beogradit, siç e quan PD.

Të gjithë zhvillimet në arenën ‘Air Albania’ janë një simfoni madhështore e një suksesi, që unë e quaj të jashtëzakonshëm të ekipit kombëtar dhe fansave tanë, që janë absolutisht, janë tifozët më patriotë, më të civilizuar, më të qytetëruar, më të zjarrtë, më të përkushtuar të Europës.

Dhe nëse një ditë, dhe do jetë një ditë, që kombëtarja jonë do dalë kampionë e Europës, unë them se tifozët tanë që sot janë kampionë të Europës.

Unë njerëzit do ju kërkoja që komentet e tjera për këtë ndeshje të ua lëmë specialistëve.

Ne të vazhdojmë tani me problemet tona të mëdha, të cilat janë atentati që Edi Rama i bëri parlamentarizmit, pikërisht në ditën e ekzekutimit të opozitës shqiptare në vitet ‘46.

Pikërisht atë ditë zgjodhi të votojë në mënyrë totalitare, të votojë në mënyrën më antidemokratike, për t’i emëruar opozitës përfaqësuesin që ai do.

Me këtë akt të shëmtuar, Edi Rama pasi ka grabitur dhe plaçkitur qindra, mijëra vota, tregon se edhe ata 620 mijë që votuan kundër tij, është i gatshëm të shkelmojë mbi votat e tyre dhe të mos përfaqësitë e këtyre votave në parlament. Është i gatshëm të përdorë pseudoopozitën për qëllimet e veta dhe është i vendosur të bëjë gjithçka për një sistem qeverisje të bazuar mbi bandat, drogën dhe krimin.

Opozita, në ditët në vazhdim, do të shqyrtojë situatën shumë kritike të krijuar nga votimi i djeshëm në parlament dhe do të dalë me konkluzionet e saj.

Ajo çka fakton dita e djeshme, fakton se Rama dhe pluralizmi janë të papajtueshëm, se Edi Rama nuk pajtohet me pluralizmin politik të vërtetë në Shqipëri.

Pluralizmi politik i vërtetë është ai që ushtrohet në parlament, dhe ai dje mori përsipër emërimin e përfaqësuesit të partive opozitare sepse zoti Oerd Bylykbashi është zgjedhur nga PD, por edhe nga partitë e tjera opozitare kanë dhënë dakordësinë e tyre të plotë si një nga ekspertët më të shquar të të drejtës elektorale.

Por kjo nuk i intereson, i intereson pengu i tij Brava me Alibashën.

PYETJE-PERGJIGJET ME GAZETARET:

Pyetje: Një javë më parë ju deklaruar se të gjitha ato manipulime elektorale në maskaradën e zgjedhjeve të 14 majit, ju do të ua paraqisni ndërkombëtarëve ditën e samitit. Për ta kuptuar më qartë, do të organizojë PD dhe opozita një protestë ditën që do të mbahet samiti.

Sali Berisha: Nuk kemi parashikuar protestë ditën e samitit, por dokumentet elektorale janë shpërndarë në të gjithë botën. Libri i zi i farsës elektorale është shpërndarë në të gjitha qendrat, në të gjitha qeveritë e vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve anëtare të OSBE, BE dhe Këshillit të Europës dhe institucioneve përkatëse. Libri është dërguar kapitull për kapitull online ODIHR-it dhe ne jemi shumë të kënaqur me raportin objektiv profesional që ata kanë publikuar.

Pyetje: Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar ka pasur edhe diskutime partiake. Ka pasur propozime nga deputetët e pranishëm që kjo mbledhje të mos shtrihet vetëm për koordinimin e qëndrimeve në parlament, por edhe si do të vazhdojë çështja e PD, ka pasur edhe propozime për ribërjen e PD. Çfarë mendimi keni për këtë?

Sali Berisha: Ti ndajmë pak. Së pari, çdo deputet, pa përjashtim ka të drejtë dhe tagër të diskutojë për PD, kjo është gjëja më normale. Së dyti, dua të jem i hapur me ju, jo vetëm në anë mbledhje, por edhe në disa mbledhje të tjera, ekzistojnë mendime që për karshi plaçkitjes së vulës dhe logos nga Edi Rama, PD mund të gjejë modalitete të tjera ligjore, gjë e cila është normale si diskutim. Por mendimi im është ky, se para një padrejtësie njeriu nuk tërhiqet. Ne do të bëjmë një luftë deri në fund me Edi Ramën, i cili pa diskutim që kërkon të mbajë peng logon tonë me Lul Pengun dhe Alibashën. Ju e shihni, ligji është taksativ që Gjykata e Lartë duhej ta kthente përgjigjen brenda 29-30 ditëve, pak a shumë ky është afati dhe kjo është e prerë. Por Gjykata e Lartë e kontrolluar nga Sadushi i partisë, e mban aty vetëm e vetëm për të penguar dërgimin tonë në Strasburg. Sepse nuk ka proces më të padrejtë. Shikoni sa interesant është. Gjykatësja Sadushi, Petra quhet nëse nuk gaboj, njeh Enkelejd Alibeajn kryetar, është e sigurtë keni vendimin. Gjykatësi tjetër thotë është Lul Basha nuk ka dhënë dorëheqjen. Pra në vend që të marrë Lul Bashën dhe ta çojë atje, për mashtrim publik, apo nuk është kështu. Ka kryer mashtrim publik se, thotë se nuk e ka sjellë me shkrim. Ashtu, por është mashtrim publik ky atëherë, ai dënohet gjer në 5 vite burg. Kur një personalitet publik përdor pushtetin e tij për të kryer një mashtrim publik, në gjithë botën ai shkon atje ku e ka vendin. Kurse këtu, siç don Edi Rama. Këtu gjykatësit vendosin një herë që nuk është kryetar. Herën tjetër u thotë Edi Rama se këtë do e quash kryetar. E kuptoni çfarë drejtësie? Nuk ka drejtësi këtu, është në kontroll të plotë. Këto janë dy vendime të kundërta. Jo, thotë është kryetar Lulzim Basha se nuk e kam me shkrim dorëheqjen e tij. Nuk e ke dorëheqjen e tij, merre të pandehur për mashtrim publik. Po publikun nuk ka rëndësi kjo, për publikun është padroni i tyre është Edi Rama. Ç’të hysh në këta, janë një kalbësirë.

Pyetje: Me këtë situatë PD ka dy vite që vazhdon me zvarritje në gjykata, kanë kaluar dy palë zgjedhje. Në 2025 si do të vijojë.

Sali Berisha: Do të fitojë zgjedhjet në 2025. PD do të fitojë zgjedhjet. E rëndësishme është se do të fitojë zgjedhjet.

Pyetje: Kemi dilema se cila është PD…

Sali Berisha: Nuk ka dilema. Ka paturpësi dhe akt kriminal nga Edi Rama i cili e ka këtë në kuadër të luftës kundër pluralizmit.

Pyetje: Z. Berisha, ditën e djeshme pas seancës parlamentare, deklaruar se Edi Rama vrau pluralizmin edhe ditën e sotme e theksuar sërish këtë gjë. Tashmë me këtë fakt, që thoni se Rama nuk e do pluralizmin, çfarë do të ndodhë me PD. Mos ndoshta do të shkoni drejt bojkotit.

Sali Berisha: PD dhe fronti opozitar do të japë përgjigjen më të merituar Edi Ramës. Ne nuk dorëzojmë as pluralizmin as opozitarizmin. Le të bëjë ç’të dojë ai me Lul Bravën dhe Alibashën, por ne nuk i dorëzojmë ato.

Pyetje: Në parlament asnjë akt i juaj nuk merret parasysh. Si do të luftoni Edi Ramën.

Sali Berisha: Kjo është shumë e vërtetë, por edhe për këtë do e mbajmë përgjegjës.

Pyetje: Me vendim të kryesisë, ju do të mblidhni kuvendin në muajin nëntor. Krahas jush a do të votëbesohen edhe bashkëpunëtorët dhe a do të ketë hapësira edhe për deputetët që u janë bashkuar rishtas.

Sali Berisha: Deputetët e bashkuar rishtas janë të gjithë anëtarë të Këshillit Kombëtar, njihen me statut. Së dyti, ky Kuvend, sipas statutit mblidhet për votëbesimin e kryetarit. Po a do ketë procese të tjera, këtë nuk mund ta them, varet nga kërkesat. Pra, statuti parashikon se kryetari votëbesohet në Kuvendin e partisë.

Pyetje: Nëse do ti referohemi mbledhjes së fundit që keni zhvilluar me shumicën e deputetëve të PD, një pjesë e konsiderueshme e tyre kërkojnë zgjidhje politike për bashkimin e PD, dhe përgatitjen për zgjedhjet e 2025. Z. Berisha a është i gatshëm ky grupim për zgjidhjen politike të situatës dhe nëse këta deputetë shikojnë problematikë ‘non gratën’ tuaj, çfarë bën Sali Berisha për PD.

Sali Berisha: Sali Berisha nuk e ka fshehur kurrë, përkundrazi i ka qëndruar me vendosmërinë më të madhe një akti, që ka në bazë nga alfa në omega, korrupsionin transnacional. Se çfarë kërkon X apo Y, njëri apo tjetri, secili i ka rrugët e hapura për të ndjekur çdo procedurë që do. Kurse unë ndjek në mënyrë transparente ato që kam deklaruar. Rikthimi i Sali Berishës është një realitet jashtëzakonisht i veçantë. Gëzohem shumë që po rikthehet edhe kombëtarja jonë edhe Kosova dje me Andorrën, shumë e vërtetë. Rikthimet janë rigjallërime. Por, askujt nuk i mohohet e drejta të ketë qëndrimin e vet. Të kërkojë procedurën që do e me radhë. Është Parti Demokratike kjo, parti e mendimit të lirë.

Pyetje: Z. Berisha porsa i përket një deklarate që keni bërë para pak ditësh, se nëse ju nuk do të jeni pjesë, në tryezën e reformës zgjedhore dhe Kuvendi do të njohë Bashën si kryetar të PD, keni përdorur fjalën destabilitet. Çfarë do të thotë kjo?

Sali Berisha: Kjo do të thotë, mendoj unë, unë jam dhe do jem në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë faktorët opozitarë. Kjo do të thotë se është e domosdoshme dhe jetike një lëvizje mbarëpopullore kundër këtij regjimi që është totalisht mobokraci. Nuk e di a morët vesh ju që Luftar Hysa, që hyn dhe del në zyrat e Edi Ramës si në zyrat e tij, rezulton bos më kryesor i Sinaloas. Rezulton investitor në kazinotë më të mëdha të botës. Pra, faktikisht ky është vetëm njëri. Edi Rama me një mijë fije është i lidhur me krimin. Qytetarët do flasin. Qytetarët do flasin! Ju e patë, nuk ka ndodhur kurrë në 32 vite, as me Ramiz Alinë që të shkojë një kryeministër në Nju Jork në Asamblenë dhe të mos kthehet dot me një fotografi. Absolutisht kurrë nuk ka ndodhur. Edhe Ramizi kur shkoi, solli fotografi, të themi atë që është. Ajo fotoja e famshme që bëhet kur presidenti i SHBA shtron një pritje për të gjithë delegacionet dhe Edi Rama foto nuk kishte, kështu që nuk besoj se e ka fshehur foton me presidentin dhe Zonjën e Parë të SHBA. Por problemi është se dështuan edhe një seri fotosh. T’ua tregoj unë fotografitë e ekipit lëpirës në avion, që po ktheheshin me të, fotografi më mjerane, njerëz më të mjerë nuk mund të shohësh. Kishin dështuar në çdo përpjekje për të bërë fotografi. Përveç me Vuçiçin. Po ai nuk e donte atë. Donte të bënte takime të fshehta kundër Albin Kurtit. Pra, siç e shihni… Plus, çështja McGonigal është në zhvillim të fortë. Pra, ka humbur, ka humbur përfundimisht veten e tij, e ka braktisur. Futuni në arkiva dhe gjeni një kryeministër… Me ministrin e Jashtëm të Katarit e kishte një, por me Al Thanin e kishte se ishte presidenti, e kishte marrë Begaj me vete, nuk mund të thoshte ma hiç këtë. Nuk thuhet. Foto mund të kishte dhe me Vuçiçin, por nuk e nxori dot. Pa le më Erion Veliaj, e morët vesh vetë.

Pyetje: A mendoni ju zoti Berisha se rikthimi i kombëtares kishte të bënte edhe me ndryshimin e trajnerit, duke qenë se Edi Reja nuk prodhoi rezultatet që duhej dhe u ndryshua edhe trajneri dhe me këta lojtarë ne po shkojmë në ‘Euro 2024’.

Sali Berisha: Në fakt unë kam vlerësim më të lartë për këtë trajner. Po ti marrësh këta, janë futbollistë të fortë, shumë të mirë. Reja mbase ishte pak nervoz, ndoshta, nuk e di, se nuk e kam ndjekur, por ky ua ka gjetur kordat këtyre në mënyrën më të përsosur. Kam vlerësim shumë të madh për të. Ka vetë atë formimin si futbollist. Nuk është se Italia nuk është një shkollë shumë e fortë futbolli, por Brazili është një shkollë më e madhe futbolli të themi atë që është.

Pyetje: Krahasimi me politikën …

Sali Berisha: A kanë lidhje me politikën. Jo nuk e lidh me politikën, e lidh me shkollën e futbollit që e ka kultivuar Silvinjo dhe ai ka gjetur mënyrën, jo shumë debate dhe lajme, por punë. Silvinjo po flet me rezultate sepse këta futbollistë kanë qenë edhe më përpara, të shkëlqyer, por nuk kishin. Reja ndoshta ishte pak më nervoz më shumë seç duhet.

Pyetje: Rama është duke u takuar me kryeministrin britanik Rishi Sunak, dhe mësa informacione që kam, pritet një marrëveshje e madhe. Ndoshta jo sot, por në ditët në vijim mes Shqipërisë dhe Britanisë. Opozita duket se është e izoluar në faktorin ndërkombëtar, jo vetëm te SHBA dhe Britani, por edhe në shtetet e tjera. A keni ju kontakte dhe deri në çfarë niveli shkojnë kontaktet tuaja me kancelaritë europiane. Opozita është tërësisht e izoluar dhe kur thoni për prova që i keni dërguar, cila është forma e kontaktit tuaj me kancelaritë?

Sali Berisha: Nuk është ashtu. Është krejt ndryshe nga ajo që thua ti. Qoftë me përfaqësues këtu, qoftë në rrafshin ndërkombëtar, për këtë të garantoj. Është komplet tjetër. Natyrisht protokolli është qeveria. Nuk ka pse të ftojë kryeministri i Britanisë nga opozita. Fton sepse Shqipëria krijoi probleme madhore me eksportin e krimit në Britaninë e Madhe. Jo me emigrantët, problemi i madh i Britanisë është kriminaliteti, se këta i prishën atë TIMS-in dhe me qindra e mijëra të kërkuar, u nisën drejt Britanisë së Madhe dhe kjo i shqetësoi ata. Natyrisht duke u bërë vendburimi kryesor për emigracionin në Britani, Britania merret me ty pastaj. Se në Britani, mund të shkojnë emigrantë nga 15 apo 25 vende. Por Shqipëria ka gjithmonë vendin e parë ose të dyrë nga këto që shkojnë dhe Britania e Madhe ka shumë të drejtë të kërkojë një kuadër ligjor bilateral për përballimin e këtij problemi. Pse vendi anëtar i NATO-s, vend që po ecën drejt BE-së, pse ikin njerëzit. Atëherë hajde e merrini. Kurse të tjerat janë ndryshe. Nuk është ashtu.

Pyetje: Rikthemi edhe njëherë tek samiti i Berlinit që mbahet të hënën. Deklaruat në mbledhjen e kryesisë së do të komunikimit me liderët Europianë dhe do ti thoni të gjitha të vërtetat e regjimit të Ramës. Në çfarë forme do të komunikoni, meqë sot deklaruat se nuk do të ketë protestë.

Sali Berisha: Komunikimi është komunikim. Ne jemi në komunikim konstant me kancelaritë, zyrat përkatëse që merren me vendin, që kanë interes dhe dërgojmë materiale direkt çdo javë. Ky është komunikimi ynë. Kemi publikimet, do të vazhdojmë me publikimet. Natyrisht këto nuk janë të vetmet burime që ata kanë. Burime kryesore kanë ambasadat, agjencitë e tyre. Por tonat janë aty.

Fundjavë të mbarë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale