FJALA E KREUT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E PARLAMENTIT
Shqiptarët e panë se këtu pak kohë më parë, pikërisht personi që i lëshoi karrigen McGonigalit aty sipër foli si një kufomë e pakallur. Foli kështu, dhe iku si hije se ka kryer krime shumë të rënda.
Sepse, siç thotë e respektuara Ëashington Post, që ai në një dalje televizive e quajti gazetën më serioze. Siç thotë kjo e respektuara, McGonigal dhe Edi Rama ishin të zhytur deri në grykë në veprimtari sekrete, të paligjshme.
Unë nuk kam fakte të zbërthej të gjithë veprimtarinë e tyre sekrete, por kam besim të plotë se kjo gazetë ndër më autoritaret ka patur dhe ka informacion të plotë mbi llumin e zhytur të veprimtarisë sekrete gjer në fyt të McGonigal dhe Edvin Gonigalit.
Doli këtu, dhe mendoi se duke lexuar sipas tij aktakuzën do mund të mashtronte shqiptarët. Unë dua t’i informoj shqiptarët se ka dy dokumente zyrtare të autoriteteve të SHBA. Njëri si publikim daton në shtatorin e vitit që kaloi. Ai është një vendim gjykate për të hetuar çdo gjë rreth Edi Ramës. Për të hetuar çdo telefonatë, çdo sms, çdo email, çdolloj komunikimi që ai ka patur me cilindo në botë.
Por, ky urdhër të ndershme zonja dhe ty Ulisi që je si je, s’po të them as i ndershëm, as i pandershëm, ky urdhër ju përfshin të gjithëve ju: të hetohen të gjithë ministrat e qeverisë dhe çdo njeri tjetër.
Pra, jeni që të gjithë të hetuar. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe çdo person i lidhur me të, përfshirë dhe jo kufizuar, kryeministrin e Shqipërisë. Pra, secili prej jush jeni nën hetim, ndaj më mirë mendoni se nuk do shpëtoni. E pamundur që ju në të gjithë ato komunikime, të mos keni kryer vepra të përbashkëta me Edi Ramën.
Tani, për të qartësuar qytetarët. Edi Rama ka kryer së pari pabesinë dhe krimin e shëmtuar të rekrutimit me korrupsion të kryeagjentit. Në datën 9 shtator është takuar me McGonigalin në zyrë. Kush ia solli Ramës McGonigalin? Duçka juaj.
Gënjen ai thotë, nuk ishte në takim. McGonigal dhe Nezën në zyrë i solli Duçka.
Po çfarë është Duçka? Ai është njeriu që Rama e ka pajisur me pasaportë diplomatike, është zëvendësministri i Edi Ramës që shkruante artikuj kundër gjykimit të Hagës për detin e Kinës Jugore, Duçka është personi që vinte me avion special të konglomeratit kinez, një nga më gjigandët në botë, dhe e merrte Ramën në Pekin. Duçka është njeriu që organizonte sponsorizimin prej qindra e mijëra dollarësh të udhëtimeve dhe ekspozitës së Ramës në Hong Kong.
Duçka është njeriu që solli McGonigal.
A ishte agjent rus McGonigal apo jo, këtë e ndan drejtësia e vendit të tij. Por ai ishte tradhtar i vendit të tij që u shit të Deripaska dhe shërbimet ruse nqs kanë qenë budallenj që s’kanë patur asnjë vështirësi që të rekrutojnë një tip të dobët, të pa karakter, amoral si ai.
Së dyti, Edi Rama u miqësua aq shumë me të, sa kishte sekretin më të madh miqësinë me të, nuk e ndante as me shefin e shërbimeve, as me drejtorin e policisë më vonë, e ndante me Damianin, me atë zotërinë aty edhe me këto këtu. Mos më thoni jo, se do të nxjerr dokumente. Mos ndërhy në diskutim!
Ju jo vetëm që shtroheshit, po bënit dhe favore. Jepnit liçensat siç ju thoshte ai. Nuk është e vërtetë, thotë Edi Rama se gjykata amerikane ka deklaruar në aktpadi, se nga zyra e kryeministrit u bë porosia te McGonigal për të hetuar lobimin e opozitës. Gjykata amerikane nuk gënjen. Gjykata amerikane ka shkruar ato të cilat ia ka faktuar prokurori i çështjes dhe ka çdo dokument. Ata disponojnë dokument se Dorian Duçka ishte që i dha Agron Nezës paratë për ta shpërblyer për kompaninë. Ata disponojnë çdo gjë.
Prandaj dhe kryetari juaj është kufomë e pakallur politike. Le të mbështetet tek ti sa të duash Pandeli, nuk bëhet kurrë me moral më ai. Pse erdhi aty tek ti, nuk fiton moral ai më. Ai që i fut mikut thikën, ai është për t’u hedhur.
Të blejë sa të dojë deklarata, të ardhme nuk ka. Ka futur administratën e vetë dhe ju në një vorbull qerthull korruptive, spiunazh që askush se merr vesh, se dinë dot se ku fillon dhe mbaron lëmshi. Rrini me të! Ne do e heqim atë, komisionin do e krijojmë. Komisioni është një detyrim kushtetues. Janë 1000 pyetje për t’i dhënë përgjigje shqiptarëve.
A e dini ju sa biznesmenë janë gjobitur? E ka denoncuar Ylli Ndroqi publikisht, dhe e përgëzoj.E kanë kërcënuar më pas Duçkat e tij me pasaportë diplomatike se nuk na dhanë një qindarkë. Jeni evidentuar dhe ju bashkë me ta aty, por se çfarë keni bërë aty do dalë. Se nuk rasti sot, por do ketë një ditë tjetër që do t’i themi ca gjëra edhe për ty.
Së fundmi, foli këtu për shenjtorin Lou Bladel. Lou Bladel e solli te Edi Rama, McGonigal.
Shikoni se çfarë shkruante për Lou Bladel Sokol Balla: Bladel në datë 8 tetor të vitit 2018, po kryeson grupin e investigimit të dosjeve të korrupsionit të opozitës. Ja, pra se si e përdori Ernst and Young për të mashtruar për opozitën.
Tani është koha e opozitës, opozita do transparencë. Asgjë nuk mund të na pengojë ne. Edi Rama ka dhënë ryshfet, dënohet për rushfet. Rama ka fshehur krim, dënohet për fshehje krimi. Komisioni hetimor parlamentar është jetik, edhe ai do të krijohet. Ndaj zotëri nqs ju ka mbetur ndërgjegja më minimale, njerëzore, politike, kombëtare, mos tentoni të pengoni komisioni se do destabilizoni totalisht vendin për një kufomë politike që nuk ka të ardhme. Që i kanë prerë biletën përfundimisht. Që vrapon këtu e aty për të marrë sadopak kredenciale politike, por i ka përtokë ua them unë. Që u kërkon takim, jo këtu, por edhe në Beograd të tjerëve që ta presin dhe i thonë jo, nuk të presim!
Pra, nuk keni pse mbroheni, më mirë të krijojmë komisionin. Ju e dëgjuat, nuk hodhi dot poshtë ansjë akuzë. Nuk paraqiti dot asnjë fakt. Iku, nuk ia mban!
A e dini ju që deri në fund të vitit 2022 ka vazhduar ekipi Rama-McGonigal gjobat ndaj biznesmenëve? A e dini se akuzohet edhe për disa gjëra të tjera që komisioni do t’ua thotë shqiptarëve. A e dini ju se akuzohen për shumë gjëra, ky komision ka një rëndësi jetike. Mos luani me fatin e vendit, sepse duhet që shqiptarët të dinë çdo gjë.
Unë e di se shumë prej jush e keni takuar, nuk them gjë nëse nuk keni bashkëpunuar në aktivitet. Çdonjeri do të donte të takonte shefin e kundërzbulimit të FBI, por ju që e keni marrë dhe shëtitur ju të dy, por edhe ndonjë tjetër këtu prapa meje.