Berisha: Rama është shndërruar në avokat të pashembullt të Hysenit, Agasit, Yeffetit, Beqirit, Karçanajt dhe Ballukut. Të enjten në ora 10:00 të gjithë në protestë kombëtare pa simbole para parlamentit

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën kombëtare të së enjtes, duke ftuar demokratët dhe qytetarët të mblidhen para Parlamentit në orën 10:00. Ai e nisi fjalën e tij me akuzat ndaj qeverisë, duke deklaruar se ‘kriza në Shqipëri thellohet çdo ditë e më shumë’, ndërsa e cilësoi vendin si ‘narkoshtetin më të konsoliduar në Evropë dhe në botë’.

Kreu i PD-së Sali Berisha akuzoi Edi Rama se po mbron zyrtarë të përfshirë, skandale të rënda korrupsioni. ‘Ai është shndërruar aktualisht në një avokat të pashembullt në histori të Vlorës Hysenit, Ergys Agasit, Roni Yeffetit, Linda Karçanajt, Ermal Beqirit, Belinda Ballukut’, tha Berisha. Sipas tij, Rama po përpiqet të zbusë akuzat ndaj këtyre personave përmes daljeve publike. ‘Kalojnë nga një dalje televizive në një tjetër, përpiqet të shfajësojë, përpiqet të lehtësojë aktet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar’, u shpreh ai.

Kryetari i Partisë Demokratike Berisha ia kushtoi edhe situatës së studentëve në nisje të vitit të ri universitar. Ai tha se studentët shqiptarë janë ‘më të përçmuar në Evropë, më të shpërfillur, më të keqtrajtuar’, duke kritikuar kostot e larta të jetesës dhe situatën e banesave. ‘Imagjinoji ju se çfarë do të thotë të marrë qira ai në Tiranë kur është gjetur se qiraja mesatare është 720 euro. Kjo është si t’i detyrojnë studentët të lënë universitetin, të largohen’, deklaroi Berisha.

Gjithashtu kreu i PD-së Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e së enjtes. ‘Ditën e enjte, protestë kombëtare qytetare. Demokratë e demokrate nga Tirana dhe mbarë Shqipëria do jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj’, tha ai. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ftoi qytetarët të jenë para Parlamentit në orën 10:00, duke e cilësuar protestën si ‘një protestë për çdo shqiptar, është një protestë për Shqipërinë’.

FJALA E PLOTE:

Kriza në Shqipëri thellohet çdo ditë e më shumë.

Narkoshteti shqiptar faktohet si narkoshteti më i konsoliduar në Evropë dhe në botë.

Qëndrimet e Padrinos janë një rrezik i madh jo vetëm kombëtar, por një rrezik për rajonin dhe më gjerë.

Aktet e tij të papërgjegjshme, ai është shndërruar aktualisht në një avokat të pashembullt në histori të Vlora Hysenit, Ergys Agasit, Roni Yeffetit, Linda Karçanajt, Ermal Beqirit, Belinda Ballukut.

I pabesë, i pakarakter siç është, pasi lau duart me ta, tani bën avokatin e tyre.

Asnjë njeri nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël se në çdo veprim dhe çdo akt të koordinatorit Ergys Agasi, se çdo veprim dhe akt i Ermal Beqirit, Linda Karçanajt dhe Vlora Hysenit, është urdhri i Edi Ramës, janë ndarja e parave me Edi Ramën, është menaxhimi i parave të Edi Ramës.

Kjo është e vërteta.

Zërat po gumëzhijnë dhe ndaj ky kalon nga një dalje televizive në një tjetër, përpiqet të shfajësojë, përpiqet të lehtësojë aktet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar, por akte ndër më të rënda në historinë e botës.

Shefja e shërbimit inteligjent, që ka dorëzuar sekretet më të rëndësishme të shtetit tek kartelet e drogës dhe ndërmjetësi i tyre, po të kemi parasysh se këto kartele janë shpallur organizata terroriste nga presidenti i SHBA, kjo shkon në lartësinë e tradhtive më të mëdha.

Dhe Edi Rama, nuk po përdor epitete, u thotë shqiptarëve se aleatët e çmojnë Vlorën. Shiko gjer ku arrin ky.

Dhe në qoftë se për të parën thoshte se ajo Linda me katër prona banon në shtëpi me qira, këtë thonë se partnerët kanë mendim të shkëlqyer.

Si mund të kenë partnerët një mendim të shkëlqyer për një tradhtarë të misionit të saj.

Përpiqet me çdo kusht të mbrojë veprat e tij.

A kujtoni ju se ishte i izoluar?

Ne kemi denoncuar me keqardhje, jam i detyruar të denoncoj disa herë aktivitetet antikushtetuese të SHISH.

Janë njerëz që kanë ndërmarrë akte me të cilat kanë shkelmuar Konventën e Vjenës ndaj përfaqësuesve të vendeve mike dhe partnere në Shqipëri.

Kanë ndërmarrë akte të rënda antikushtetuese ndaj opozitës dhe drejtuesve të saj.

Kanë ndërmarrë akte të rënda antikushtetuese ndaj qytetarëve dhe të rinjve protestues. Dhe këtu nuk ka qenë vetëm një njeri se ato i ka marrë duke dhënë urdhra atyre Jurgenëve dhe të tjerëve që janë aty.

Se tani këta duan të bëjnë sikur nuk ka ndodhur asgjë në atë shërbim.

Madje edhe kjo është e gjora, dhe nxori në paturpësinë më të madhe jetën private të njerëzve për të krijuar një dominancë tjetër psikologjike.

Se si e si t’i ndihmojë mafiozët, banditët, zyrtarët e tij.

Ndaj dhe Komisioni i Sigurisë duhet të kërkojë urgjentisht të ndërmarrë hetim në lidhje me veprimtarinë në shkelje të Konventës së Vjenës dhe Kushtetutës të këtij grupi të strukturuar kriminal, që tani del i kryesuar… në fakt kryetar është Edi Rama, Padrino, por në arrest shtëpie është Vlora Hyseni.

Zonja dhe zotërinj deputetë, filloi viti universitar.

Studentët shqiptarë janë më të përçmuar në Evropë, më të shpërfillur, më të keqtrajtuar.

Prej kohësh janë marrë masa dhe po bëjnë gjithçka që të sistemojnë sa më pak në kampusin e tyre sepse duan të ndërtojnë kulla dhe t’ua prishin godinat.

Dhe imagjinoji ju se çfarë do të thotë të marrë qira ai në Tiranë kur është gjetur se qiraja mesatare është 720 euro.

Kjo është si t’i detyrojnë studentët të lënë universitetin, të largohen.

Në Gjirokastër ua kanë zënë konviktin, e kanë shndërruar konviktin e vajzave në strehë për refugjatët.

Pra, viti i ri shkollor fillon me një përçmim.

Asnjë kompensim studentëve për çmimet, të cilat konvertohen në kequshqyerje për ta.

Unë i përshëndes përzemërsisht studentët e qytetit të Durrësit, që sot i dhanë atë përgjigje të merituar Padrinos. Ishte shembull qëndrimi i tyre.

Uroj dhe shpresoj që mbarë studentët dhe rinia shqiptare të dalë në ballë të kësaj përpjekje.

Protesta rinore qytetare po zvarrit çdo ditë në bulevardin e Tiranës kufomën politike të Edi Ramës.

Ndaj dhe ditën e enjte, protestë kombëtare qytetare.

Demokrate e demokratë nga Tirana dhe mbarë Shqipëria do jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj. Jemi protestë rinore qytetare për një kauzë jashtëzakonisht të madhe.

Protestohet kundër reformës territoriale, me të cilën Padrinoja kërkon me një të rëndë të lapsit, duke shkelmuar interesat e dhjetëra mijëra qytetarëve të shuajë edhe 15 bashki të tjera.

Demokrate e demokratë, kudo që ndodheni, ajo është dita e qytetarëve, prandaj të ndodheni para parlamentit në ora 10.

U ftoj të vini tek të njohurit tuaj në Tiranë një ditë para në traditën më të mirë të protestave të fuqishme.

Ftoj bizneset e Tiranës të mbështesin këtë protestë me të gjitha mundësitë e tyre.

Është një protestë për çdo shqiptar, është një protestë për Shqipërinë.

Nuk është një protestë për këtë apo atë parti.

Ndaj dhe zonja e zotërinj deputetë, këto pak ditë që na ndajnë, takimet tuaja me elektoratin janë të një rëndësie të jashtëzakonshme për pjesëmarrjen masive maksimale në këtë protestë kundër Padrinos dhe regjimit të narkoshtetit të tij.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale