FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Foltoren para Kryeminsitrisë akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Rama për keqqeverisje, korrupsion dhe lidhje me krimin. Ai tha se Rama ndodhet në panik dhe kërkon mbështetje politike pasi e ndjen fundin e tij.
Berisha theksoi se Shqipëria po përballet me rritje të kostos së jetesës, paga të ulëta dhe emigrim të lartë, duke shtuar se qytetarët po detyrohen të bëjnë blerje në vendet fqinje për shkak të çmimeve të larta në vend.
Në fjalën e tij, ai kritikoi edhe politikën e jashtme të qeverisë, veçanërisht në raport me Kosovën dhe nismat rajonale, duke e akuzuar Ramën për qëndrime të dëmshme ndaj interesave kombëtare.
Lideri demokrat, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe theksoi se prioriteti i opozitës është garantimi i votës së lirë dhe rikthimi i dinjitetit të qytetarëve. Ai përfundoi se protesta më 8 maj është momenti vendimtar për opozitën dhe do t’i japë regjimit përgjigjen që meriton.

FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë të gjithë ju që çdo të hënë mblidheni këtu si zëri i vërtetë i shqiptarëve.
Mblidheni këtu si dëshmia e papajtueshmërisë me regjimin e këtij armiku të egër të shqiptarëve, të qytetarëve, të mbarë vendit.
Të dashur miq, pasi refuzoi dhe përdori si mburojë 83 mandatet e krimit, Edi Rama në mbrojtje të dosjes së tij dhe Lubi Ballukut, është bërë për çdo shqiptar më armik, më i rrezikshëm se kurrë ndonjëherë më parë.
Me këtë vendim ai u faktoi shqiptarëve se nuk do të lërë vendim pa marrë, veprim pa kryer për të shpëtuar lëkurën e tij.
Sepse e vërteta është, prapa fustanit të Lubisë qëndron lëkura e Edi Ramës, të lidhur përjetësisht në krim dhe vjedhje si ata, nuk mund të gjesh të tjerë.
Edi Rama e ndjen këtë, ka një panik të madh, ka një tmerr nga qytetarët.
Dy ditë më parë në Dibër u bëri thirrje socialistëve të Dibrës të na mbroni nga këta dhe ata, me atë gjuhën e tij prej ordineri, pra e ndjen veten të përfunduar.
E ndjen të përfunduar se e ka shumë të qartë se nuk ka qytetarë dibranë, nuk ka qytetarë shqiptar që mund të mashtrohet dhe mund të pranojë moralin e hajdutit të Edi Ramës.
Nuk ka dibran, nuk ka shqiptar që nuk konstaton se jeta e tij bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Se xhepat e tij zbrazen gjithnjë e më shumë.
Se çmimet e dyqaneve rriten vazhdimisht.
Se e ardhmja për fëmijët e tij në Shqipëri bëhet e pamundur.
Ndaj dhe kërkon mbrojtje.
Ne ftojmë shqiptarët, ne ftojmë çdo qytetar shqiptar të bashkohemi në këtë betejë vendimtare.
Kjo betejë është vendimtare.
Ne nuk do pranojmë kurrë që ky person që mund t’i vësh 100 epitete, të mbajë peng shqiptarët dhe Shqipërinë.
Ne kemi një program, së pari t’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve, të votojnë si qytetarë të lirë.
Askush më mirë se ne, që kemi vuajtur diktaturën më të egër nuk e di se gjithçka fillon me votën e lirë.
Dhe ne, të gjithë sa jemi këtu, mijëra e mijëra të tjerë, të bashkohemi si luftëtarë të votës së lirë, si misionarë të votës së lirë.
Edi Rama kërkoi mbrojtje në Dibër, në një kohë kur Dibra është boshatisur si kurrë në historinë e saj.
Jo vetëm Dibra, por pothuajse e gjithë Shqipëria rurale është bërë si pothuajse e paqenë.
Është vendosur në hapësirën e ekzistencës apo mosekzistencës së saj.
Sot, mijëra qytetarë nga Dibra, nga Korça, nga Tropoja, Kukësi, Shkodra, vrapojnë të blejnë naftën në vendet përreth.
Vrapojnë të bëjnë pazaret në vendet përreth sepse Shqipëria është vendi me rrogat më të ulëta dhe çmimet më të larta.
Është vendi i shndërruar në koston më të lartë të jetesës dhe të papërballueshme.
Atëherë kush mund ta mbrojë Edi Ramën sot? Askush.
Por Edi Ramën nuk e mbrojnë dot as socialistët.
E mbron vetëm mafia që ndan me ta krimin.
Dhe mos harroni se ajo parti është themeluar mbi krimin, ka vazhduar mbi krimin dhe sot është e pushtuar nga krimi.
Socialist të ndershëm që e mbron atë, nuk ka.
Qytetar të ndershëm që e mbron atë, nuk ka.
Shqiptar të ndershëm që i thotë vetës shqiptar dhe mbron atë, nuk ka.
Nuk ka pasur antishqiptar më të hapur pas Enver Hoxhës se Edi Rama.
Imagjinoni pak, cila ishte pozita e Beogradit në vitin 2013 dhe si e ndihmoi ky që dele të zezë të bëjë Prishtinën dhe të nxjerrë Beogradin si konstruktiv, shërbëtori i Vuçiçit.
Nuk e harrojnë shqiptarët këtë.
Nuk e harrojnë shqiptarët kurrë shpalljen e veriut të Kosovës si tokë e askujt.
Nuk harrojnë shqiptarët kurrë projektin e shtrirjes së shtetit serb në Kosovë, të asociacionit që thotë ky.
Nuk harrojnë shqiptarët kurrë kërcënimin që i bëri me Vuçiçin dhe Putinin Kosovës se do përfundojnë në kohën e bronzit.
Nuk harrojnë shqiptarët kurrë zhdukjen e Kosovës nga harta e Ballkanit të Hapur dhe paraqitjen e saj si territori i Serbisë.
Nuk harrojnë shqiptarët kurrë sanksionet që vendosi ndaj qeverisë së Kosovës dhe Kosovës ky bastard vetëm për të zbatuar urdhrat e Beogradit.
Nuk harrojnë shqiptarët kurrë Ballkanin e Hapur që shkatërroi bujqësinë shqiptare dhe tregun shqiptar. Nuk harrojnë shqiptarët, kanë memorie.
Dhe thirrjet e tij nga samiti në samit në mbrojtje të padronit të tij Vuçiç, që të mos zbatojë sanksionet e Rusisë. Se këtë nuk mund ta bëjë.
Nuk harrojnë shqiptarët që ky serb e kaluar serbëve, që me të drejtë është quajtur kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiqit, vallen e Ballkanit të Hapur, duke përjashtuar Kosovën.
Nuk harrojnë shqiptarët kurrë dhe thirrjen që drejtonte ky paranojak i shpifur, i turpshëm, i cili vetëm para dy muajsh deklaronte në samite ndërkombëtare se Europa është paqja, se Europa është morali i paqes, se Europa është kultura e paqes dhe se Europa nuk ka nevojë të marrë këshilla nga përtej Atlantikut.
Ky, ky, po, po.
Kurse dje, dilte si zëdhënës i Putinit, Europa nuk i flet Putinit, duhet të dialogojë me Putinin.
Asnjë komb i qytetëruar nuk mban në krye një tradhtar si ky.
Asnjë komb i qytetëruar nuk pranon të qeveriset nga një apatrid si ky.
Miq, Edi Rama është i plagosur për vdekje, nuk ka shpresë.
Ai mendoi se e mbylli çështjen e Ballukut dhe të Lindës së tij, gjysmës më të mirë siç e quan ai Lindën e Surrelit me AKSHI-n.
Asgjë nuk ke mbyllur Edi Rama.
Gropa të hapura do të mbeten për ty, për Lindat dhe të gjithë ata që kanë vjedhur shqiptarët.
Opozita është në këmbë.
Opozita është e pamposhtur.
Opozita, në protestën e saj të 8 majit, do të japë mësimin që meriton.
Opozita sot është më e pamposhtur se kurrë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!


