Berisha: Rama e ballukja nuk mendojnë dot për fëmijët e Bulqizës se hanë darka 10 mijë dollarëshe me armikun e SHBA

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË 32 VJETORIN E THEMELIMIT TË DEGËS SË BULQIZËS

Të dashur, demokrate e demokratë të Bulqizës.

Të dashur deputetë, ish-deputetë, drejtues qendror e lokalë, të PD-së Bulqizë, Peshkopi, Mat.

Të dashur miq!

Së pari një përshëndetje vëllazërore, ju dhe të gjithë banorëve të Bulqizës, Peshkopisë dhe Matit, në këtë ditë të veçantë për banorët e këtij qarku. Një mirënjohje të thellë dhe të pakufishme para të gjithë atyre burrave dhe grave, intelektualëve, punonjësve, minatorëve, fermerëve, të Bulqizës, të cilët themeluan 32 vite më parë në këtë rreth Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Ata ishin dhe do të nderohen gjithmonë si njerëz të misioneve fisnike. PD-ja u themelua në vendin e diktaturës më të egër, më çnjerëzore. U themelua si partia e lirive dhe të drejtave të qytetarëve të Bulqizës dhe Shqipërisë. Demokratë në vizionin tonë, së bashku me gjithë shqiptarët, në një revolucion që përbën një nga faqet më të ndritura të historisë tonë kombëtare për liri, në rrugë paqësore përmbysëm një rend barbar.

Misioni ynë ishte misioni i rikthimit të lirisë dhe dinjitetit të qytetarëve shqiptarë. Misioni ynë ishte vendosja e Shqipërisë dhe shqiptarëve në anën e drejtë të historisë, rreshtimi i tyre me aleatët e vetë natyral. Misioni ynë ishte mbrojtja e interesit kombëtar pavarësisht nga çmimi.

Shqipëria vinte në vitin 1990, si vendi më i tradhtuar. Kombi shqiptar ishte kombi më i tradhtuar. Enver Hoxha edhe në vitin 1982 mburrej se Kosovën ua lamë Titos, ua lamë jugosllavëve. Ne u ngritëm me guxim për të drejtën e shqiptarëve për të qenë të lirë kudo që janë, u ngritëm me guxim për të mbrojtur çështjen shqiptare.

Nuk kishim shkolla politike, po kishim ideale të larta fisnike njerëzore, kishim dashuri për Shqipërinë dhe sot demokrate e demokratë, mblidhemi në këtë sallë e kudo që jemi me një trashëgimni të pakrahasueshme e cila bën krenar ju, fëmijët tuaj dhe brezat që vijnë.

Por sot pas 32 vitesh ne përballemi me një monizëm të ri. Ky monizëm nuk bazohet më në doktrinën çnjerëzore Marksiste-Leliniste, por bazohet në krimin, drogën, vjedhjen, varfërimin tuaj. Bazohet në urrejtjen e qeveritarëve ndaj qytetarëve. Bazohet në diskrimimin masiv të qytetarëve.

Ndaj dhe ne jemi sot në këmbë, jemi përsëri në një revolucion, në një besë me njëri-tjetrin se do të ecim të sigurtë drejt fitores tonë. Sot kemi para jush kandidatë të shkëlqyer, Durim Fikun, në Peshkopi, Mat, kudo, njerëz që i zgjodhët me votën tuaj të lirë. Kemi kandidatë të vullnetit tuaj politikë. Nuk ndalin nga shpellat, nga perdet, por vijnë me firmën tuaj, vijnë me respektin e thellë ndaj jush.

Shqipëria nuk ka patur ndonjëherë kandidatë të vullnetit të lirë, siç janë kandidatët tanë në këto zgjedhje. Revolucioni ynë ka një mision kryesor, fitoren e tyre, përmbysjen e monizmit bashki në bashki. Revolucioni ynë ka një mision, përmbysjen e regjimit të Edi Ramës. Një regjim i cili nuk është armik vetëm i demokratëve, por i mbarë shqiptarëve. 

Miqtë e mi!

Nga viti 2014 deri në vitin 2022, nga ky regjim u larguan nga Shqipëria 937 mijë shqiptarë vetëm në BE. Nga këta rreth 80% nën moshën 32 vjeçare. Kurrë në histori, asnjë luftë, asnjë epidemi, asnjë pushim dhe asgjë nuk ka shkretuar shqiptarët sa Edi Rama.

Edi Rama nga mëngjesi deri në darkë me balluket dhe stërballuket nuk ka asnjë synim, vetëm të ju mashtrojë ju në mënyrë që të vazhdojnë të vjedhin. Nëse i hidhni sytë sot Shqipërisë, u them unë ju pasuria më e madhe e shqiptarëve përsëri ndodhet në Bulqizë edhe pse janë nxjerrë miliona e miliona ton krom. Ndodhet në Bulqizë, në Martanesh.

Hidhni sytë këto vite, sikur dilni nga një luftë. Rrugë të shkatërruara, qendra shëndetësore, shkolla të mbyllura. Koha ka ndaluar për ju njerëz punëtorë, të mençur me intelektualë të fuqishëm, me potenciale të mëdha, sepse edhe rentën e hoqi. Sepse oligarkët i paguan atij ryshfetin, ua hoqi edhe rentën që duhet ta përfitonit me ligj për qytetin tuaj, për infrastrukturën tuaj.

Nuk vazhdohet me këta. Këta nuk kanë shpirt, ndjenja. Po si mund të mendojnë për fëmijët në Ostren, apo në ndonjë fshat tjetër, ai që ulet dhe drekon me armikun, me armikun e SHBA-së. 10 mijë dollarë darkën. Po si mund të mendojë për fëmijët e Bulqizës, ballukja që këput biftekun 1 mijë euro.

Por një zyrtar kurrë nuk mund të lëshohet në luks dhe shfrenim. Sepse një zyrtar e din nga i merr ai të ardhurat. Nëse nuk vjedh, 10 mijë euro është rroga e tetë muajve e tij. 1 mijë euro është pothuajse rroga mujore e saj. Por këta vjedhin, i kanë paratë pa numër, këta nuk pyesin. Ka ardhur koha të ua presim biletën.

Para kësaj zonjës, ishte një zonjë tjetër e cila nuk udhëtonte dot me veturë, por kishte helikopterin e ushtrisë. 15 udhëtime, Olta. Olta që e bën burrin strategjik, 15 mijë euro udhëtimi nga Farka në Peshkopi me helikopter. Ajo nuk mundej, sepse ishte kaq e pasur me lekët tuaja sa makina i dukej hiç gjë asaj.

Nuk vazhdohet më tutje me ta. Një gjë u them, shumë nga ju nuk e kanë përjetuar diktaturën, por ju garantoj se Enver Hoxha mundin tuaj e bëri bunker e tunele, por në këtë mënyrë kurrë siç vidhet Shqipëria nga këta njerëz, nuk është vjedhur në tërë historinë e saj, as nga pushtuesit më të egër.

Të dashur miq!

Jemi në një betejë dhe kjo betejë kërkon ta bëjmë natën ditë, që kandidati për kryetar bashkie Dëfrim Fiku, të jetë kryetar bashkie. Kandidatët tanë në Peshkopi e Mat të jenë kryetarë bashkie. Të ngrihemi me gjithë forcën tonë, të mos përkulemi para asnjë presioni.

Frikë kanë ata nga ne, frikë kanë hajdutët nga ju, frikë ka Edi Rama, tmerr ka Edi Rama. Nuk vjen dot në parlament, nuk shkon dot në qeveri, shëtit si fantazëm, sepse ka kryer aktet më armiqësore, më antidemokratike, më antikushtetuese.

A mundet një njeri një shqiptar, ti futë thikën, të korruptojë, kryezbuluesin e SHBA.

Kush e bën atë, e bëjnë ata që ruajnë urrejtje atërore ndaj vendit të madh të lirisë, por kurrë një shqiptar i vërtetë nuk bën një gjë të tillë.

E morët vesh se si banda e tyre kapte njëri pas tjetrit me listë biznesmenët për ti gjobitur, në emër të kujt, në emër të Edi Ramës. Atëherë koha është të ulemi me çdo shqiptar, me çdo socialist. Ju garantoj unë ju, se duke përjashtuar kryetarin aktual në ikje të bashkisë, i cili ka veset e Edi Ramës, po, po i ka me dokumente, i ka me dokumente dhe ndonjë grup rreth tij, të gjithë socialistë, demokratë, të paparti, shohin me shpresën e madhe, presin me padurim të bashkohemi dhe të ecim drejt fitores.

Nuk është kjo një lëvizje për demokratët, është një lëvizje për shqiptarët, është një lëvizje për Shqipërinë, është një mision i ri, në të cilën jeni thirrur ju demokrate e demokratë, janë thirrur çdo shqiptar që e duan këtë vend, që i besojnë këtij vendi dhe që duan ti japin një krah, ta ndalojnë nga rrokullisja, duan ta shohin përsëri në këmbë.

Shqipëria është tokë e bekuar, një nga vendet më të pasura të Europës, Shqipëria ka njerëz punëtorë, të fortë, të sakrificës. Kjo që bën Edi Rama me përzënien e shqipatrëve është gjenocid ndaj shqiptarëve.

Ndaj kjo periudhë, kjo kohë deri në 14 maj të jemi të gjithë në fushatë të gjithë protestë, të gjithë në fitore.

Rrofshi ju, rroftë Bulqiza, rroftë fitorja!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale