Berisha: Rama do e ndajë veten, Lubinë dhe Lindat e tij mbi ligjin, kurse të tjerët ne qytetarë nën ligjin. Ditën e diskutimit të imunitetit të Lubi Ballukut, të gjithë tek parlamenti!

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN PARA KRYEMINISTRISË

EKSTRAKT

Në foltoren para kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e cilësoi situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, si një moment kritik për demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Që në nisje të fjalës së tij, ai e vendosi theksin te mobilizimi qytetar dhe karakteri i protestës, duke i shprehur se ‘vendi po hyn në një fazë kritike si asnjëherë më parë.’

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, Edi Rama po mbron korrupsionin dhe po sfidon hapur parimin e shtetit ligjor. ‘Rama deklaroi publikisht se korrupsioni do të mbrohet, nuk do të luftohet’, duke e cilësuar këtë si një precedent të papranueshëm në historinë politike të vendit. Sipas Berishës, deklarata se ‘lufta kundër korrupsionit është më e dëmshme se vetë korrupsioni’ përbën një përmbysje të rendit moral dhe institucional mbi të cilin duhet të funksionojë një shtet demokratik.

Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha theksoi se ‘shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për Shqipërinë’ dhe se përgjigjja e qeverisë ka qenë sfiduese. ‘Edi Rama do të ndajë në qytetarë mbi ligjin veten, Lubinë, Lindat e tij dhe qytetarët nën ligjin ne të tjerët.’, tha Berisha. Ai u shpreh se, Rama nuk e heq imunitetin e Belinda Ballukut, për të cilën ai pretendon se po mbrohet politikisht, duke deklaruar: ‘Nuk heq ai imunitetin e Lubisë…’

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur për integrimin evropian paralajmëroi për devijim nga kriteret themelore të Bashkimit Europian dhe duke e paraqitur këtë si një rrezik historik për vendin. Berisha theksoi se ‘fati ynë është integrimi në Europë’ dhe se çdo tërheqje nga standardet e shtetit ligjor përbën goditje ndaj ‘ëndrrës europiane’ të shqiptarëve.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, një mirënjohje të pakufishme për ju, njerëz idealistë, guximtarë që mblidheni këtu çdo të hënë për t’u rikujtuar shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo se java është e idealistëve, e guximtarëve, e kryengritësve.

Dua të përshëndes gjithashtu me shumë mirënjohje ata dhjetëra mijëra qytetarë për marshin e tyre epik të paparë më parë në rrugët e Tiranës, në të cilin ata dhanë mesazhin e një qytetarie të pamposhtur, e njerëzve që janë të vendosur në misionin e tyre.

Mirënjohje të pakufishme!

Të dashur miq, duhet të flasim hapur, t’i themi gjërat siç janë.

Vendi po hyn në një fazë kritike si asnjëherë më parë.

Edi Rama, siç e shihni, pasi është kapur, është vërtetuar si kryehajduti i kombit, deklaroi publikisht se korrupsioni do të mbrohet, nuk do të luftohet.

Deklaroi publikisht para secilit shqiptar se lufta kundër korrupsionit është me dëmshme se vetë korrupsioni.

Me këtë ai u tha qytetarëve shqiptarë se asgjë në botë nuk më pengon të vazhdoj t’u vjedh me të gjithë pushtetin që kam.

Kjo ishte deklarata më e padëgjuar ndonjëherë në historinë e një vendi.

Por ndonjëri që mund të mendojë se kjo është një deklaratë pa substancë, i them se jo, e keni gabim.

Kjo deklaratë është bërë në një kohë kur shqiptarët kanë bërë protesta më të fuqishme kundër vjedhjes së tyre, kundër mbrojtjes së korrupsionit.

Kjo deklaratë është bërë kur komuniteti ndërkombëtar ka sjellë në Tiranë ministra kryesorë të Europës, ka sjellë në Tiranë komisionerë të Komisionit Europian.

Ka sjellë mesazhet më të prera, më të qarta se vjedhjet e qytetarëve shqiptarë nga qeveria nuk do i tolerojmë.

Në tërë historinë e shtetit, kurrë ndonjëherë komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë lëvizja të tilla kaq të fuqishme.

Përveç kësaj, dy delegacione për mbledhje faktesh, njëri i Parlamentit Europian i përbërë nga deputetë të gjithë spektrit politik. Përfaqësuesit e 30 partive politike të qendrës së djathtë ishin këtu për mbledhje faktesh.

Thashë ministra, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, ministri për Europën i Gjermanisë, komisionari për ligjet i KE, erdhën këtu për të dhënë mesazhin se korrupsioni nuk mund të mbrohet.

Se shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për Shqipërinë.

Cila ishte përgjigja e Edi Ramës?

Përgjigja e Edi Ramës ishte se lufta kundër korrupsionit sjell më shumë probleme se vetë korrupsioni.

Nuk ka sfidë më të rëndë se kjo.

Nuk ka sfidë më poshtëruese për shqiptarët se kjo.

A e dini se çfarë ka ndodhur?

Një bloger afrikan, Samson Oxhiajo, që u bë i famshëm në botë- dëgjojeni edhe ju o policë për të marrë vesh se cili është njeriu që i mbroni zyrën- që u bë i famshëm në mbarë botën sepse shkroi dy rreshta, filan politikan thotë se korrupsioni është i dëmshëm kur nuk jam unë.

Me këtë frazë, Samson pushtoi hapësirën komunikative të botës.

Por çfarë shkruan Oxhiajo para dy ditësh në blogun e tij?

Ai shpall superyll të korrupsionit Edi Ramën.

Edi Rama, informon ai në blogun e tij të famshëm, ka deklaruar se lufta kundër korrupsionit sjell më shumë probleme se sa vetë korrupsioni.

Dhe thotë, pra dëgjojeni, Edi Rama është brendi ndërkombëtar i korrupsionit.

Miqtë tanë, që u kthyen në vendet e tyre, që ishin këto ditë, çfarë mesazhesh sjellin?

Sigurisht tejet të veçanta.

U shokuam nga ato që panë në Shqipëri.

U shokuam nga ato që dëgjuam në Shqipëri.

Dhe tani në zyrat e lartë të qeverive të tyre na thonë, keni të drejtë, keni shumë të drejtë, e kuptojmë që kemi qenë të painformuar për narkoshtetin shqiptar, për shtetin e Edi Ramës, për vjedhjet e Edi Ramës.

Ua thashë këto se shqiptarët duhet të dinë realitetin.

Por e thashë këtë edhe për një arsye tjetër, se në kuptimin më absolut të fjalës, shpresa e vetme jemi ne.

Një mirënjohje të pakufishme ndaj të gjithë atyre qeveritarëve, deputetëve, zyrtarëve të vendeve të tjera që erdhën këtu me mesazhin e prerë të dënimit të korrupsionit, të funksionimit të ligjit dhe të Kushtetutës.

Por Edi Rama vazhdon.

Edi Rama do të ndajë në qytetarë mbi ligjin veten, Lubinë, Lindat e tij dhe qytetarët nën ligjin ne të tjerët.

As Kushtetuta më staliniste e planetit e vitit 1974 e Shqipërisë nuk kishte një ndarje të tillë.

Ndaj dhe është kohë kritike dhe jemi vetëm ne shqiptarët që mund t’i japim përgjigjen që meriton atij dhe asaj bande me mandate kriminale që kërkojnë të vishen me parzmore ligjore për të na vjedhur, për të vazhduar vjedhjet e tyre.

Nuk heq ai imunitetin e Lubisë, përkundrazi ai tregon siç është, njeri pa dinjitet, njeri i zhveshur nga çdo normë morale, njeri me zero integritet se është skllav i Lubi Ballukut.

Është skllav i saj.

Ai, që në bashki është bërë me 200 milionë euro duke vjedhur me asistente kryesore Lubinë dhe ndaj tani i thotë largohu ti dhe sill këtë të duash dhe sot kabineti i ri është kabineti Balluku.

Se Rama, ata ministra që ka vu aty, nuk i ka takuar kurrë. Ata kanë qenë asistentët e Ballukut në vjedhje, që të gjithë dhe ky i vendosi ministra përtë siguruar atë.

Dhe e bëri këtë me motivin se lufta kundër korrupsonit është më problem se korrupsioni.

Përsëri ftoj shqiptarët të ndërgjegjësohen se këto kohë më shumë se kurrë nga viti 1945-1946 po luhet me fatin e tyre.

Fati i të gjithë shqiptarëve pas rënies së Perdes së Hekurt ishte të anëtarësohemi në BE një ditë. Ishte fati evropian, fati më i mirë.

Në fakt, këtë fat kanë shkruar në librat e tyre edhe në fundin e shekullit të 19 dhe fillimin e shekullit 20 rilindasit. Shqipëria, zonjë në Europë, ishte ëndrra e tyre.

Shqipëria zonjë në Europë është anëtare e BE.

Ç’po ndodh?

Tani që ka shpallur moton se unë do i vjedh shqiptarët pa pyetur njeri, tani shkruan me padronin e tij, Aleksandër Vuçiç një faqe të tërë në gazetën më të madhe të Europës se nuk ka nevojë të anëtarësohemi me të drejta të plota në BE.

Vetëm një armik i shqiptarëve, një tradhtar, një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me këtë komb, mund të marrë përsipër të shprehet në këtë mënyrë.

Qytetarët duhet ta dinë, procesi i integrimit në BE ka disa dimensione. Po dy janë dimensionet më të lidhura ngushtë me jetën e tyre.

Janë dimensioni i Kopenhagenit, çka do të thotë se qytetarit i garantohen të drejtat e tij, barazia para ligjit, drejtësia, vota, etj, dhe ky pikërisht këtë dimension e jep. Nuk kemi nevojë. Jo, thotë.

Tregun e lirë, atë na e jepni ne.

Dhe tërhiqet nga ato që quhen arritje të komunitetit në kuptimin më shumë se arritje në fakt, kjo fjala acquis ka hyrë në shumë gjuhë, pikërisht ato standarde që kanë të bëjnë me qytetarin, me komunitetin.

Mirëqenia është pa diskutim.

Çfarë e dallon sot Europën nga çdo pjesë tjetër e botës?

Mirëqenia.

BE është bashkimi në mirëqenie, bashkimi në shërbime të shkëlqyera.

Është bashkimi në një sistem arsimor, shëndetësor, në një shërbim dinjitoz.

Pra, ky shkruan me paturpësinë më të madhe në mënyrën më kriminale se këto nuk na duhen ne.

Padronit të tij Vuçiç dhe këtij këtu, kriteret e Kopenhagenit dhe standardet e komunitetit dhe qytetarëve, këto nuk na duhen.

Se këto nuk i arrin dot.

Se ky, për të qëndruar në pushtet, do vjedhë zgjedhjet.

Se ky, për të qëndruar në pushtet, do vjedhë qytetarët.

Se ky, për të garantuar një grup standardesh, ky duhet të mos vjedhë qytetarët.

Ndaj dhe heq dorë prej tyre duke shkatërruar në këtë mënyrë ëndrrën më të bukur të këtij kombi, ëndrrën evropiane.

Do thoni ju, po mirë, çfarë do bëjnë të tjerët? Nuk mund të bëjnë asgjë të tjerët.

Të mos mashtrojmë veten.

Të tjerët bënë maksimumin.

Nuk mund të bëjë më shumë një vend se sa të dërgojë këtu ministrin e Jashtëm me mision të prerë që shteti ligjor duhet të funksionojë.

Nuk mund të bëjë më shumë Komisioni se sa të dërgojë Komisionerin për Ligjet që t’i thotë se rruga drejt Europës mbyllet në qoftë se ti mbron Lubinë.

Nuk kanë çfarë bëjnë më shumë.

Të jemi njerëz të qytetëruar.

Të marrim përgjegjësitë tona, të bëjmë vetë ne.

Ndaj të bashkohemi.

E përshëndes parafolësin, është dita e historisë kjo.

Është dita e bashkimit, ditë në të cilën u themeluar kapitulli më i lavdishëm i historisë së këtij kombi, rezistenca ndaj superfuqisë më të madhe të kohës.

Çfarë e kemi Edi Ramën ne?

Asgjë nuk e kemi për ta hedhur aty ku e meriton, në kosh të plehrave.

Një aventurier që nuk ka asgjë shqiptare në qenien e tij, që tani për të ruajtur miliardat e tij, bashkohet me Vuçiçin.

Kur bashkohet? Kur Europa e ka damkosur.

Se edhe atë, për ca kohë e ndihmoi në mënyrë të jashtëzakonshme Edi Rama.

Historia do i nxjerrë të gjitha, por tradhtinë që i ka bërë kombit shqiptar në tërësi dhe Kosovës në veçanti, nuk ia ka bërë asnjë shqiptar tjetër pas Enver Hoxhës.

Por edhe atij, një kriminel, një autor gjenocidi, një njeri që organizonte safarin, gjahun e njerëzve në Sarajevë, gradualisht Europa e nxori se kush është.

A u kujtohet ju o miq kur bënte thirrje të mos vendosen sanksione se Vuçiçi nuk po zbaton sanksionet kundër Rusisë?

A e mbani mend kur thoshte se gabim i madh, nuk mund t’i vendosë Serbia sanksione Rusisë, se përmbyset Serbia?

A u kujtohet kur kalonte nga një samit në një tjetër si avokat i djallit?

Po.

Tani që Europa e kuptoi kush është ai, tani i del zot ky. Tani ky shkruan kryeartikullin me të, për t’i thënë Europës që nuk jam me ty, jam me Vuçiçin.

Këto nuk na zgjidhin ne, këto vetëm na ftojnë ne të zgjidhim këtë situatë.

Çdo shqiptar që i thotë vetes shqiptar, duhet të bashkohet me ne.

Është kollaj, unë e kuptoj që njëri ka frikë, tjetri ka këtë vërejtje, tjetri ka atë vërejtje, të gjitha janë të pranueshme.

Por nuk është e pranueshme të humbasim fatin tonë.

Fati ynë është integrimi në Europë.

Fati ynë është integrimi në Europë për sa kohë BE t’i ketë dyert e hapura.

Dhe tani që i ka dyert e hapura, po na i mbyll Edi Rama.

Ndaj dhe në këtë betejë që kemi nisur, nuk mund të humbasim kurrë.

Po humbëm ne, u garantoj se Shqipëria pas pak dekadash nuk do ekzistojë.

Imagjinoni ju, qytetarë të dorës së parë, qytetarë të dorës së tretë.

Europë e stër-Europë, këta të gjithë do ia mbathin të shkojnë në Europë, të bëhen qytetarë europianë, të lënë Shqipërinë.

Ftoj çdo shqiptar, ditën e diskutimit në parlament të imunitetit të Lubi Ballukut, të gjithë tek parlamenti.

Parlamenti i qytetarëve.

Parlamenti i shqiptarëve, jo i hajnave.

Jo i hajdutëve.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale