Berisha: Rama dhe Vuçiçi ja hedhin fajin BE-së për vonesat e integrimit, dhe nuk respektojnë standardet dhe shtetin e së drejtës

PERGJIGJA E PARE E PYETJEVE PER KRYETARIN E PD-së, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ‘THE WESTERN BALKANS PARADIGM‘

EKSTRAKT

Gjatë ndërhyrjeve në konferencën ‘The Western Balkans Paradigm’, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç ndaj procesit të integrimit europian. Berisha falënderoi edhe Partinë Popullore Europiane për ndihmën që po i jep PD-së dhe Shqipërisë.

‘Partia Popullore Europiane po ofron mbështetje të rëndësishme për Shqipërinë, përfshirë një mision faktmbledhës të paralajmëruar nga Presidenti Manfred Weber dhe i mbështetur nga David McAllister. Ky hap synon të hedhë dritë mbi problemet konkrete në vend dhe t’i pasqyrojë ato në Bruksel’ u shpreh gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Brisha.

Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi Ramën dhe Vuçiçin se, në vend që të shikojnë përmbushjen e standardeve për integrimin, i’a hedhin fajin Bashkimit Europian për vonesat. Sipas tij, ide të tilla si ‘Ballkani i Hapur’ janë përdorur për të shmangur angazhimet e vërteta ndaj vlerave europiane dhe për të mbuluar mungesën e vullnetit politik për reforma reale.

‘Megjithëse në BE ekziston një lodhje nga zgjerimi, fajësimi i saj nga liderë si Rama dhe Vuçiç për vonesat në integrim është mashtrues. Në vend që të përmbushnin standardet europiane, ata promovuan nisma alternative si ‘Ballkani i Hapur’, duke shmangur thelbin e integrimit: shtetin e së drejtës dhe parimet demokratike’, theksoi kreu i PD-së.

‘Ballkani nuk mund të fajësojë të tjerët për gjendjen e vet; përparimi drejt BE-së kërkon përgjegjësi dhe përkushtim ndaj vlerave themelore’, tha gjatë fjalës së tij në këtë konferencë, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:

Dua të them se Partia Popullore Europiane po ofron një ndihmë të madhe. Presidenti Weber, ka qenë në asamblenë e fundit politike dhe ai tha se, do të dërgojë një mision fakt gjetës në Shqipëri.

David McAllister po jep ndihmesën e vet.

Pra ne jemi të inkurajuar sepse misioni i tyre faktmbledhës do të jetë me shumë rëndësi për të hedhur dritë për rastet tona konkrete dhe për ti pasqyruar në Bruksel.

Padyshim ka një lodhje prej zgjerimit, sepse sa më tepër të zgjerohet BE-ja, aq më i vështirë bëhet edhe menaxhimi.

Por nuk është ky shkaku i vonesave të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Është e vështirë që ka qenë një çast kur lindi ideja për ti ofruar një partneritet Ballkanit Perëndimor, por zgjati shumë pak, dhe Procesi i Berlinit synonte që ti afronte sa më pranë BE-së.

Problemi është se autokratët e rajonit, filluan me projekte të reja.

Shpeshherë ne mendonim se as Rama dhe as Vuçiç nuk ishin të interesuar për integrimin. Ata shanin dhe hidhnin fajin lodhjes dhe shpikën ‘Ballkanin e Hapur’. Kërcënuan opsione të tjera, dhe nuk respektuan parimin thelbësor të integrimit në BE, që nuk është lodhja e BE-së e cila kishte ngadalësuar procesin e integrimit të Ballkanit.

Ne e dimë që nuk është një proces i shpejtë, por është një proces i pandalshëm. Ishte një proces që vijonte.

Këta persona duke ngritur tezën e lodhjes europiane dhe duke fajësuar europianët për procesin e ngadaltë, i lejuan vetes që të mos shqetësoheshin për parime dhe standarde.

Ata këtë rrugë ndoqën.

Unë mendoj se asnjë nuk duhet të ua verë veshin atyre për çështje të lodhjes.

Patjetër që ka probleme. Brenda një familje të madhe dhe të zgjeruar, patjetër që ka probleme dhe nuk e mohon kush, por Ballkani nga një vend luftërash është kthyer në një protektorat krimi.

Ballkani vetë ka problemet e tij dhe nuk mund të fajësojë të tjerët për luftërat që kaloi, as për protektoratin kriminal që është kthyer.

Kështu që në gjykimin tim është që të mbajmë idenë e respektimit të standardeve dhe shtetit të së drejtës.

Kjo është vlera më thelbësore.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale