FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN E PËRJAVSHME ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi sot gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët farsën elektorale të 14 majit, duke iu referuar vendimit të Gjykatës për të shpallur përsëritjen e zgjedhjeve në Bashkinë e Rrogozhinës, pasi ishte verfikuar manipulimi me kutinë e burgut të Rrogozhinës.
Berisha tha se, në vend që gjykata të kërkonte dënimin si kriminel elektoral të Ulsi Manjës, Erion Veliajt dhe drejtorit të burgut të Rrogozhinës, që stisën qendrën e votimit në burg për të ndryshuar rezultatin, ata kërkua ripërsëitjen e zgjedhjeve në të gjithë Bashkinë. Në rastin e Bashkisë së Rrogozhinës, nxjerrja e pavlefshme e kutisë së burgut do të nxirrte direkt fitues kandidatin e opozitës, Shkëlqim Hoxha.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se si Rrogozhina janë shumica e bashkive në të githë Shqipërinë.
Lideri i PD denoncoi skenarët destabilizues që po përgatiten për Kosovën nga dy autokratët e Ballkanit.
Berisha u shpreh se Rama dhe Vuçiç duan luftë në Kosovë dhe plani i tyre është ndarja e Kosovës. Berisha i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të jetë i vëmendshëm ndaj këtyre dy autokratëve.
Berisha denoncoi heshtjen e Ramës, që për asnjë moment nuk dënoi rrëmbimin e policëve të Kosovës nga bandat e Beogradit. Berisha përsëriti thirrjen drejtuar autoriteteve të Kosovës që të bashkëpunojnë për shtensionimin e situatës dhe rikthimin sa më parë të Marrëveshjës së Ohrit, si një marrëveshje e cila jep një përparim të madh në maarrëdhëniet mes dy vendeve.
I pyetur në lidhje me zhvillimet politike në rradhët e pengjeve të regjimit, Berisha tha se ky është një skenar i Ramës kundër PD dhe opozitarizmit.
FJALA E PLOTË
Mirëdita!
Çdo ditë që kalon, farsa zgjedhore 14 maj 2023 nxin edhe më shumë, bëhet më e zezë. Hapjet e dokumenteve dëshmojnë se me 14 maj, shqiptarët përjetuan një farsë të atillë që mund të mbahet mend vetëm në kohërat e diktaturës.
Por, në mënyrë antiligjore po sillen edhe organet e trajtimit të ankesave. Flamurin e lakejve të regjimit e mban si gjithnjë drejtuesi i KAS, por paralel ecin edhe institucionet e tjera.
Dje, në Kolegjin Elektoral u shqyrtua dosja e Rrogozhinës, në të cilën kutia e burgut të Rrogozhinës nuk plotësonte asnjë kusht ligjor të një qendre të votimit. Pra, para çdo gjykatësi me minimumin e minimumit të integritetit profesional, ajo shpallej e pavlefshme. Dhe tani gjykata, në një vendim të kontrolluar, shpalli të gjithë zonën të pavlefshme për një qendër votimi.
A ka logjikë njerëzore të dënosh 10 mijë, 15 mijë, sa mund të jenë zgjedhësit e Bashkisë së Rrogozhinës që votuan për manipulimin? Në vend që gjykata të kërkonte dënimin si kriminel elektoral të Ulusi Manjës, Erion Veliajt dhe drejtorit të burgut të Rrogozhinës, që stisën në kundërshti me ligjet për të ndryshuar rezultatin qendrën e votimit në burg. Skandaloz është votimi i dokumentuar në Kuçovë.
Ju do shihni aty të gjitha mekanizmat e manipulimit të votës brenda qendrës së votimit. Ju do shihni përpjekjet e tmerrshme për të fshehur nga KAS këto mekanizma.
Kështu janë me rradhë pjesa dërrmuese e të gjitha bashkive për të cilat janë paraqitur ankesat, ndërkohë komisionit po i afrohet fundi në hartimin e raportit, natyrisht priten edhe rezultatet e shqyrtimit të ankesave, se ato duhet që të pasqyrohen.
Pra, edhe njëherë me 14 maj nuk kishte zgjedhje, por farsë zgjedhore.
Tani, do të rikthehem në një moment tek ngjarjet e datës 14 qershor. Me 14 qershor, ose natën e 13 qershorit Edi Rama anuloi takimin e parashikuar në kuadrin e Lidhjes së Prizrenit, mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Kosovës në Gjakovë. Me 14 pasdite, Putini i Vogël rrëmben në një praktikë që mund ta shihni vetëm në kufirin e Koresë së Veriut me Korenë e Jugut, edhe aty nuk guxon ta praktikojë Kim Jong Un-i të rrëmbejë njerëz me uniformë në mënyrën më kriminale dhe banditeske.
Siç e patë ju, Edi Rama tha se unë hesht se po pres.
A ishin të lidhura këto dy veprime kundër Kosovës njëra me tjetrën? Koincidenca flet shumë.
Unë fakte nuk kam për lidhjen konkrete mes dy ngjarjeve, por duke pasur parasysh se Edi Rama është publikisht i njohur si një argat i Vuçiçit, edhe ndonjë mëkat t’i lidhësh nuk është. Pra, në të njëjtën ditë që anulohet mbledhja, në të njëjtën ditë sivëllai i tij i madh, Vuçiçi, ndonëse ky mund të jetë më i madh se ai rrëmben sikur të ishte udhëheqës i Koresë së Veriut policë në territorin e Kosovës krye një agresioni.
Jo atë ditë, por as të nesërmen, Edi Rama nuk shqipëron një fjalë as për rrëmbim, as për të dënuar aktin. Mos u çudisni ju, kur të vrapojë në Beograd me ‘Ismailin’ dhe t’i sjellë ata në Tiranë po në kuadër t ëkëtij skenari, sepse i duhet të tregojë një peshë për të lehtësuar veten përpara procesit McGonigal. Gjithçka po e bën tani për mbijetesën para një procesi që i qëndron si Shpata e Demokleut dhe nuk ka forcë në botë që mund ta shpëtojë.
Unë e kuptoj që ju mund të thoni se, si tepër po i lidh këto gjëra. Nuk i kam lidhur unë, po pse ndodhën të dyja në një ditë? Më thoni ju mua. Pse mbledhja u anulua paradite, dhe rrëmbimi u krye pasdite? Çfarë do të thotë Edi Rama që nuk e dënon aktin, por kërkon lirimin? Lirimin kërkoje, por dëno njëherë rrëmbimin. Sepse rrëmbimi është i stilit të Kim Jong Un-it. Sepse një skenë të tillë jemi mësuar ta shikojmë vetëm në kufi të Koreve.
Pra, siç e shihni ky është një skenar i përkeqësimit të krizës, në një kohë kur kërkohet shpërshkallëzimi i saj, shtensionimi i saj.
Rama dhe Vuçiç po e acarojnë atë. Rama dhe Vuçiç po koordinojnë gjithnjë në projektin e tyre të mëparshëm. Çdo ditë, ka tri ditë rresht që serbomadhi, Vuçiç, njeriu që e ka vendin në Hagë për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj boshnjakëve dhe ndaj shqiptarëve, flet për luftë. Thotë se Albin Kurti do luftë, si mund të dojë një vend pa ushtri luftë? Një vend që ka një forcë simbolike. Luftë do ai me vëllain e tij, me vasalin e tij këtu në Tiranë, sepse duan ndarjen e Kosovës.
Prandaj dhe unë i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të jetë i vëmendshëm ndaj veprimeve të këtyre dy autokratëve famëzinj, të cilët kanë plane ogurzeza për pushtetin e tyre, për rajonin. Plani i tyre është ndarja e Kosovës, që nuk mund ta bëjnë kurrë. Këto janë shqetësime shumë serioze.
Ndërkohë, përsëris thirrjen time ndaj autoriteteve të Kosovës që të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë me KFOR, EULEX, BE dhe SHBA për shtensionimin e situatës dhe rikthimin sa më parë te Marrëveshja e Ohrit, si një marrëveshje e cila në vlerësimin tim, jep një përparim të madh në marrëdhëniet midis dy vendeve. Natyrisht, nuk jep njohjen, por kam qenë dhe mbetem gjithnjë i mendimit se politika tuturje, e tëra ose asgjë nuk është ajo që mund të zbatohet në këtë rast.
PYETJE-PËRGJIGJE
Osman Stafa, News24: Z.Berisha, ditën djeshme ka patur zhvillime për sa i përket pjesës tjetër të PD që ne media i referohemi PD zyrtare. Kanë hapur garën, zyrtarisht kryesia për zgjedhjet e 29 korrikut. Zyrtarisht, z.Berisha, a po ndahet PD, dhe ju a do ta shikoni mundësinë, a ekziston mundësia që të krijohet një logo e re për ju. Duke qenë se, nëse shkoni përsëri në 2025 në zgjedhjet e përgjithshme do përdornit të njëjtat arsye që nuk keni patur anëtarë në komisionet qendrore, apo edhe në KZAZ, apo qendrat e votimit?
Berisha: Ajo që shihni ju është skenari i Edi Ramës. Dhe sot nuk ka njeri që në analizën më minimaliste nuk konstaton që ai është një skenar i Edi Ramës, dhe që nuk ka asgjë të përbashkët me PD dhe opozitarizmin. PD, opozita shqiptare është në një përballje të madhe me Edi Ramën, është në njëproces qëndrese të pamposhtur ndaj një skenari që synonte zhdukjen e opozitës, skenari që synonte që vendosjen e opozitës shqiptare në kontrollin eplotë të qeverisë.
Ky skenar ka dështuar me turp, jo përfundimisht, beteja vazhdon dhe jam i sigurt që do fitojmë.
– E shikoni edhe mundësinë e një partie të re?
Berisha: Partinë e kemi ne. Skenarët e Edi Ramës nuk na lëvizin dot ne nga partia jonë.
– Z.Berisha, në zgjedhjet e 14 majit një nga arsyet kryesore që ju keni përmendur ka të bëjë me mospasjen e vëzhguesve dhe anëtarëve në qendrat e votimit, që sipas jush më pas u kthyen në masakër. 2025 do ju çojë përsëri kështu, sepse zyrtarisht nuk e keni.
Berisha: Edhe njëherë. Objektivi absolut është qëndresa dhe shkatërrimi përpjekjeve për asgjësimin e opozitës shqiptare. Kjo është një qëndresë që bëhet në emër të interesit më të madh të shqiptarëve, shqiptarët duhet të kenë opozitën e tyre, nuk duhet t’ua kontrollojë askush, përveç atyre vetë, dhe këtë po bëjmë dhe këtë do të bëjmë. Ne jemi në të drejtën tonë, padrejtësitë nuk na përkulin. Ne nuk përkulemi para padrejtësive, ne nuk tërhiqemi para padrejtësive.
Andon Kello, MCN Tv: Ditën e sotme ndodhet për vizitë zyrtare kryeministri hungarez, Viktor Orban. A jeni ju pjesë e agjendës së tij? A e keni ftuar t’ju takojë, apo ju ka kërkuar ai takim, pasi flasim fim një vit më parë më 15 qershor 2022, ju keni qenë ndër të parët që e keni uruar për fitoren Viktor Orban, dhe ai në një letër falënderimi ju ka ftuar të bëheni bashkë mbrojtjes së vlerave kristiano-konservatore.
Berisha: Ai është një mik i çmuar, ndaj të cilit unë ruaj marrëdhëniet dhe respektin tim. Hungaria është një vend mik i shqiptarëve. Nuk kam kërkuar, dhe nuk ka kërkuar të më takojë.
Kjo nuk lëkund aspak marrëdhëniet tona me partinë e tij dhe me atë personalisht.
Erneta Shevroja, ABC News: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga reagimet që janë bërë deri më tani nuk ka mbështetje për veprimet që ka marrë dhe qendrimet e deritanishme, ndërkohë që mbështetje ka brenda në Kosovë. Ju çfarë mendoni se duhet të bëjë Shqipëria në rast se marrëdhënia acarohet me Serbinë?
Berisha: Personalisht, jam kundër çdo sanksioni ndaj Kosovës dhe çdo lloj ndëshkimi. Nuk ka gjë më të pamerituar, sesa të ndëshkosh për shkak të përpjekjeve për të rikthyer Putinin e Vogël që prodhon skena të Koresë së Veriut në një vend që nuk ka shëruar plagët e luftës akoma.
Sikundër, Albin Kurti dhe cilitdo qeveritar të Kosovës, i bëj thirrje dhe autoriteve të Kosovës të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë me KFOR-in, EULEX-in, BE dhe SHBA për shtensionimin e situatës dhe rikthimin tek marrëveshja e Ohrit, e cila pas marrëveshjes së Uashingtonit që unë e mbështeta fuqimisht, kjo krijoi një shpresë se një dialog konstruktiv po fillonte midis dy palëve.
Unë kam bindjen, dhe kjo bindje e imja nuk lidhet me asnjë tjetër, se marrëveshja e drejtë i intereson Kosovës dhe nuk i intereson Beogradit, ndaj edhe në këtë kontekst Kosova duhet të bëjë, mendoj unë, autoritetet, çfarë të kenë në dorë për një marrëveshje të drejtë. Jam shprehur disa herë dhe shprehem për Asosacionin. Asosacioni në kuadër të Kushtetutës së Kosovës për mua është e drejtë e patjetërsueshme e pakicave serbe në Kosovë.
Natyrisht, populli i Kosovës ka udhëheqjen e vetë, e ka të votuar dhe këto nuk janë këshilla për qeverinë e Kosovës, këto janë qendrimet e mia si një njeri që është marrë gjithë jetën me çështjen e saj.
– Për sa i përket pozicionit të Shqipërisë, çfarë duhet të bëjë ajo në rast se kemi një acarim të marrëdhënies?
Berisha: Shqipëria ka luajtur një rol jo miqësor ndaj Kosovës. Edi Rama është angazhuar po aq shumë sa Aleksandër Vuçiç për ndarjen e saj. Edi Rama ka mbështetur të gjitha projektet e Serbisë së Madhe gjatë 8 viteve të fundit, dhe është bashkëautor, bashkëfjator në bllokimin e këtij procesi.
Meqë jam këtu, unë i bëj thirrje faktorit ndërkombëtar të mbajë larg Edi Ramën nga ky proces, se në mënyrë absolute, jo që nuk ndihmon, por e komplikon më shumë. T’i kërkosh Edi Ramës është njëlloj në një farë mënyre deri diku, si t’i kërkosh Dodikut, por Dodikut jo sllav.
Edi Rama është argat i Vuçiçit, aq sa është Dodiku, nuk dua të krahasoj, por nga pikëpamja e marrëdhënieve me Vuçiç këta i kanë të njëjta. Madje, Dodik ndonjëherë ka marrëdhënie edhe më të pavarur, kurse Rama ka marrëdhënie të turpshme, marrëdhënie prej argati. Çdokush që sheh atë skenë e dënon. Ajo është skenë që e sheh në Korenë e Veriut. Çfarë ka për të heshtur aty? Apo ky ia anulon mbledhjen, ai ia rrëmben policët pastaj.
Osman Stafa, News24: Z.Berisha, u bë një kohë e gjatë tashmë që drejtoni PD, që ju mbështet, anëtarët, deputetët, ndërkohë që përgjatë gjithë kësaj kohe në këtë seli nuk ka arhdur asnjë ndërkombëtar për sa i përket BE apo SHBA, thuajse të të gjitha niveleve. Sali Berisha i para vendimit, 19 maj 2021, kur juve ju shpallën NON GRATA nga SHBA. Çfarë do të mendonte në qoftë se kryetari i PS do të shpallej NON GRATA dhe do të izolohej nga ndërkombëtarët, dhe çfarë mendon Sali Berisha tani, teksa për një kohë të gjatë juve izoluar nga ndërkombëtarët, asnjë ambasador, apo asnjë delegacion që vjen nga jashtë nuk vjen t’ju takojë. Ju dëmton kjo z.Berisha para shqiptarëve?
Berisha: Kjo është relative që thua ti, nuk është tamam ashtu, por ka të vërtetë brenda. Po mbroj një të vërtetë me motivacionin më të madh. Po qendroj me një motivacion maksimal kundër një padrejtësie që ka në bazë korrupsionin transnacional shqiptaro-ndërkombëtar,po qendroj më i motivuar se kurrë kundër një përpjekje për t’i shkatërruar këtij vendi opozitën shqiptare. Asgjë nuk më impresionon mua në këtë betejë, të jesh i sigurtë ti, fare.
Pse?
Sepse këto janë të drejtat më themelore. Kam thënë dhe e them, vetëm një dokument të vetëm po e paraqitët, unë iu them mirupafshim. Por, asgjë nuk pranoj unë mbi bazë shpifjesh, trillimesh të ulëta, të turpshme, mafioze të cilat kanë në bazë korrupsionin politik, korrupsionin monetar, korrupsionin erotik, etj. Kjo, jo.
Këtu kemi të bëjmë me vijë të kuqe që unë nuk e tejkaloj këtë, ndaj edhe do vazhdoj përpjekjen e kësaj beteje, derisa të bind edhe shqiptarin e fundit se vendi duhet të ketë në opozitë të pavarur. Derisa të bind shqiptarin e fundit se korrupsioni transnacional është një rrezik madhor kombëtar për demokracinë dhe ekzistencën e kombit shqiptar.
Statistika e fundit tregon se shqiptarët janë ata që braktisin 10 herë më shumë se të gjitha kombet në Europë vendin e tyre, 10 herë më shumë, 10 herë, thotë EUROSTAT. Kjo pikërisht, ka në bazë këtë luftë që iu bë opozitës, sepse nuk ka opozitë, nuk ka shpresë. Ndaj edhe motivet e mia janë të pakrahasueshme, të mëdha.
Anisa Kadesha, TVSH: Z.Berisha. ju keni thënë se autoritetet britanike kanë thënë se, nuk ua heqin dot NON GRATËN për shkak se iu bië reputacioni. Ju do ta bëni publik këtë komunikim që keni patur me autoritetet?
Berisha: Do ta bëj publike çdo gjë. Unë siç e dini ju, kam fiksuar parimet e mia në këtë betejë. Pena ime është arma ime e vetme dhe më e fuqishme. Kam marr dhe do informoj shumë shpejt, por do të zgjedh momentin ku ju do të shihni se çfarë turpi, se cila është fuqia e korrupsionit të Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Lulzim Bashës tek Alastair King-Smith, i cili ka mashtruar dhe mashtron qeverinë e tij në një mungesë të plotë të dinjitetit të një zyrtari diplomatik të madhërisë së tij Charles III. Kjo është betejë, e cila do bëhet deri në fund.
Si zakonisht, ju uroj një fundjavë të mbarë dhe ju falënderoj.