FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një konference të gjatë për mediat ditën e sotme, akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe zv/kryeministren Belinda Balluku për shkatërrim, falsifikim dhe manipulim të dokumenteve shtetërore me qëllim bllokimin e hetimeve dhe proceseve gjyqësore që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e fondeve publike. Berisha deklaroi se këto veprime po kryhen në mënyrë të organizuar në institucione dhe agjenci shtetërore, përfshirë AKSHI-n, të cilën e cilësoi si pjesë të një mekanizmi për fshehjen e provave.
Sipas Berishës, nga dosjet hetimore rezulton vjedhja dhe shpërdorimi i rreth 1.2 miliardë eurove në sektorin e infrastrukturës, si dhe të paktën 700 milionë euro përmes qindra prokurimeve sekrete, të cilat përfundojnë te persona të lidhur familjarisht me kryeministrin. Ai i cilësoi këto veprime si akte të rënda antikushtetuese dhe u shpreh se, pavarësisht përpjekjeve për zhdukjen e dokumenteve, provat nuk mund të fshihen.
Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi qeverinë për ndërhyrje direkte në sistemin e drejtësisë dhe për bllokim të mandateve të arrestimit ndaj zyrtarëve të lartë, duke përmendur raste konkrete nga e kaluara dhe aktualiteti. Ai deklaroi se Partia Demokratike do t’i përgjigjet kësaj situate me të gjitha mjetet demokratike, përfshirë betejën ligjore dhe protesta të fuqishme, të cilat pritet të zhvillohen së shpejti. Data e protestës do të përcaktohet pas konsultimeve brenda opozitës, deklaroi ndër të tjera Berisha.
Në lidhje me zgjedhjet, Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh kategorik se PD dhe opozita nuk do të marrin pjesë në asnjë proces zgjedhor pa krijimin e një qeverie teknike që të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ai theksoi se kjo kërkesë nuk është vetëm e PD-së, por një domosdoshmëri për funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, duke shtuar se një qeveri që bllokon drejtësinë, nuk mund të administrojë zgjedhje.
Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve, Berisha konfirmoi se në tryezën e opozitës do të ftohen të gjitha partitë opozitare pa përjashtim, me synim ndërtimin e një fronti të gjerë opozitar kundër narko-regjimit. Ai u shpreh se bashkimi i opozitës është i domosdoshëm për t’i dhënë një përgjigje të fortë situatës politike dhe institucionale në vend.
Sa i përket protestave, kryedemokrati tha se nuk e konsideron praninë e flamujve partiak si pengesë për bashkimin e qytetarëve dhe forcave opozitare, duke theksuar se partitë politike kanë një rol të rëndësishëm në mobilizimin dhe organizimin e protestave. Ai shtoi se, megjithëse protestat qytetare pa flamuj janë të mirëpritura, realiteti politik tregon se angazhimi i partive mbetet vendimtar.
Në përgjigje të kritikave për qëndrimet e tij ndaj drejtësisë, Berisha hodhi poshtë krahasimet me kryeministrin Rama, duke deklaruar se ai ka respektuar procedurat ligjore dhe institucionale, pavarësisht se i ka cilësuar akuzat ndaj tij si të pabazuara. Ai theksoi se, gjatë kohës kur ka qenë në pushtet, nuk ka ndërhyrë kurrë për të bllokuar kërkesat e drejtësisë ndaj ministrave apo zyrtarëve të lartë.
Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se do të vazhdojë denoncimet publike për çështjet që lidhen me krimin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit, duke theksuar se vepron në interes të publikut dhe të demokracisë. Ai deklaroi se, pavarësisht presionit politik dhe mediatik, opozita do të vazhdojë betejën për rikthimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e interesit qytetar.
FJALA E PLOTË
Mirëdita!
Në epiqendrën e krimit të organizuar në Shqipëri, në Ballkan dhe në Europë, ndërtesën e Ramaduros, makineria e manipulimit, shkatërrimit, asgjësimit, falsifikimit të dokumenteve punon me tre turne.
Lubi Balluku dhe Edi Rama kanë mobilizuar grupe të tëra me të cilat shkatërrojnë, falsifikojnë, manipulojnë dokumente si në dikasteret dhe agjencitë në varësi të Lubisë, ashtu dhe në AKSHI-n e familjes Rama.
Ndaj dhe po bëhet gjithçka për të bllokuar proceset gjyqësore të një rëndësie të jashtëzakonshme, shqyrtimi i dosjeve të gjertanishme nxjerr vjedhjen dhe shpërdorimin e 1.2 miliardë eurove nga Rama dhe Balluku në sektorin e infrastrukturës dhe të paktën 700 milionë euro në kopshtin privat të Edi Ramës me 530 prokurime sekrete, nga të cilat të gjitha direkt apo me prestanome për baxhanakun e floririt apo kunatin e florinjtë të Linda Ramës dhe baxhanakun e florinjtë të Edi Ramës, Armand Frangun.
Këto janë akte jashtëzakonisht të rënda dhe antikushtetuese.
Edi Rama me makinërinë e tij të shkatërrimit të dokumenteve, falsifikimit dhe manipulimit, nuk mund të fshehë kurrë mbi 500 e sa kontrata sekrete të firmosura nga Linda e AKSHI-t me porosi të Lindës së Surrelit për kunatin e florinjtë.
Nuk fshihen ato.
Nuk fshihen dot sepse janë 800 transaksione sa për asnjë shqiptar tjetër në historinë e thesarit brenda një viti për Armand Frangun.
Dielli me shoshë nuk mbulohet.
Përpjekja që bën Edi Rama me Lubi Ballukun për të bllokuar procesin e drejtësisë përbën një krim permanent, krim në vazhdim për të dy ata.
Sot, de facto, Këshilli i Mandateve i hoqi mandatin Lubi Ballukut.
Mbledhja është plotësisht valide.
Do të bëhet përgjegjës para ligjit dhe Kushtetutës për çdo pengesë që do sjellë Niko Peleshi.
Edi Rama pretendon për tre javë dhe se nuk kanë lexuar dosjen në një kohë kur Pamela ka lexuar dosjen dhe videot, jo vetëm mesazhet.
Po, po, se duhen thënë të gjitha gjërat ndonjëherë.
Po, se këta tejkalojnë çdo gjë vije të kuqe, janë të pacipë, tejkalojnë çdo kufi.
Ç’do të thotë ajo nuk i kemi lexuar?
Çfarë nuk ka lexuar? Ajo ka marrë motrën avokate.
Çfarë ka mbetur pa lexuar aty?
Por ka ngelur vetëm koha që u duhet për të shkatërruar qindra e qindra dokumente.
Kjo po ndodh para syve të shqiptarëve, kjo po ndodh para syve të komunitetit ndërkombëtar të gjithë Europës dhe botës.
Po ndodh një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në histori.
PD do t’i përgjigjet me të gjithë forcën kësaj situate si me rrugë ligjore, ashtu edhe me protesta të fuqishme të ligjshme.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, pavarësisht nga pretendimet e Edi Ramës se nuk ka vend për ndërhyrjen e Delta Forcës, pasi sipas tij, Shqipëria nuk është Venezuelë dhe nuk ka naftën e Venezuelës, e vërteta është se Shqipëria, në disa aspekte është Venezuelë tipike.
Nuk ka rezervat botërore të naftës, por Ramaduro dhe Maduro janë si një pikë uji të pistë të ndarë në mes.
Rama udhëheq kartelet më të fuqishme të kokainës në Europë, kartelin Çopja, kartelin Troplioni, kartelin Çela- i heroinës kryesisht ky i fundit.
Rama është faktuar se njëlloj si Ramaduro arreston kundërshtarët politikë, përdor institucionet për shtypjen e pluralizmit.
Edi Rama, njëlloj si Ramaduro, i ka familjarët e zhytur në drogë.
Ai të shoqen, ky vëllain. Olsin, me dokumente.
Rama, njëlloj si Ramaduro ka varfëruar shqiptarët në shkallë të pabesueshme. Nga njerëzit më të paguar në vitin 2013 në rajon, janë sot njerëzit më të keqpaguar në rajon.
Ramaduro njëlloj si Maduro përzë qytetarët nga vendi i vet. 40 përqind e shqiptarëve kanë ikur gjatë regjimit të Ramës kundrejt 20 përqind në rastin e Venezuelës.
Pra, vërtet gjeografia është krejt tjetër, vërtet përmasat janë të ndryshme, vërtet rezervat e naftës janë të ndryshme, por ngjashmëria midis Ramaduros dhe Maduros janë identike, vëllezër siamezë, në raport me drogën, me demokracinë, me shtypjen, në raport me qytetarët dhe grabitjen e tyre.
Ndaj dhe i them edhe njëherë jep dorëheqjen menjëherë.
Jep dorëheqjen sepse do të tërheqin dhe mos harro kurrë 20 shkurtin se çfarë dinë të bëjnë shqiptarët me kultet e rreme, me kultet satanike.
Pra, jep dorëheqjen.
PYETJE-PËRGJIGJE
Klajdi Bodlli, Syri Tv: Nëse shkojmë në skenarin që Shqipëria do të ketë zgjedhje të parakohshme, a është e gatshme PD të hyjë në këto zgjedhje pa qeveri teknike, më pas për të kaluar në zgjedhje tjera?
A ka PD një plan, ose kur është koha më e përshtatshme për të nisur funksionimin kjo qeveri teknike?
Berisha: Së pari, pa qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet, në zgjedhje nuk shkohet.
Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Ne e kemi deklaruar këtë dhe kjo është një e vërtetë e faktuar tashmë. E faktuar jo vetëm nga ne, por dhe nga komuniteti ndërkombëtar, vëzhguesit e zgjedhjeve.
Ndaj dhe PD dhe opozita, kërkon largimin e Edi Ramës, kërkon një qeveri teknike e cila të përgatisë një proces zgjedhor të drejtë.
Kjo është kërkesa jonë.
E dyta, natyrisht në kohën e duhur do të japim mendimet tona edhe për qeverinë teknike dhe personat e për gjithë këtë.
Për ne rëndësi vendimtare ka përgatitja e një procesi zgjedhor të drejtë, dhe mos bllokimi i drejtësisë, i ligjit dhe Kushtetutës.
Dy janë kushtet, se një qeveri që bllokon drejtësinë është për tu hedhur në Lanë.
Drejtësia nuk mund të bllokohet. Është kushti i të gjitha kushteve që të funksionojë ndarja e pushteteve, jo si sot që një njeri merr të gjitha pushtetet në një dorë, merr dhe vlerësimin e provave, thotë se, urdhërat që kam dhënë me mesazhe nuk janë prova, nuk janë urdhëra. Dëgjoni deri ku shkon.
Pra, ky e pranon fajin e vet.
E ka pranuar që kur thotë se nuk jemi Venezuela me naftë.
Që kur thotë se, mesazhet nuk janë prova. Ky do të thotë se është një vëlla siamez me Maduron dhe Lubia është prestanomi i tij se, ato të gjitha i ka urdhëruar ky.
Isa Myzyraj, Ora Neës: Ditën e premte, knei thirrur, dhe keni nisur tanimë shpërndarjen e ftesave për tryzën e opozitës. A do ju dërgohet ftesa dhe partive tjera opozitare që nuk janë aleate me PD?
Berisha: Të gjitha partitë pa përjashtim do ftohen.
Ne mendojmë se është koha për të krijuar një front të gjerë opozitar, në mënyrë që me shkallën më të lartë të përgjegjësisë, forcat politike opozitare të qëndrojnë në lartësinë e kërkesës së kësaj kohe, të bashkërendojnë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë goditjen përfundimtare narko-regjimit të Edi Ramës.
Janë të ftuara pa përjashtim të gjitha.
Isa Myzyraj, Ora Neës: Përmendët në fjalën tuaj 20 shkurtin e 1991. Protesta e radhës së PD, do të jetë para datës 20 shkurt, apo 20 shkurt?
Berisha: Do përcaktohet, por ka mundësi para datës.
Nuk është përcaktuar.
Sot fillojnë konsultimet.
Do përcaktohet, do ketë njoftim.
Por do ketë pa diskutim protestë.
Nuk ka, nuk heqim dorë ne.
Ne jemi tani, e kemi thënë edhe më para ne këtë, strategjia jonë është protesta.
Mariglen Kume, MCN: Z.Berisha, ndërkohë që ju keni bërë ftesën për bashkimin për protesta të të gjithë frontit opozitar, nga ana e Shqipëria Bëhet, ka patur një propozim që të dilni në protestë,në shesh, pa praninë e flamujve partiak. Jeni të gatshëm ju të shkoni në shesh si qytetarë, si shoqëri civile, pa praninë e flamujve për t’u bashkuar?
Berisha: Nuk besoj se flamujt mund të jenë pengesë për bashkimin. Ne nuk kemi asnjë pretendim që partia Mundësia të mos vijë në protestë me flamurin e vet.
Të gjitha partitë të vijnë me simbolet e tyre.
Çfarë ka rëndësi themelore, them unë. Ka rëndësi vërtetësia si opozitë e vërtetë.
Unë mund të them se, flamujtë e partive ku përveç tyre do të ketë dhe jashtë spektrit të këtyre flamujve.
Janë një frymëzim dhe jo një pengesë, sepse flamuri i partisë Mundësia, frymëzon të gjithë ata që e mbështetën atë parti dhe tani e çojnë përpjekjet e saj të drejta, të ndershme për ndryshimin.
Po kështu flamuri i PD-së.
Tani të themi të vërtetën, nuk është se nuk do të dënonim të shihnim derdhjen pa flamuj të qytetarëve, por kjo nuk po ndodh.
Sepse, të jemi realist, në tërësi kjo është kjo është e rrallë, pavarësisht se çfarë thuhet, janë forcat politike ata që mobilizojnë dhe organizojnë protestat.
Ka pasur dhe ndodh. Për shembull ndodhi me armët kimike, por ajo ishte një situatë shumë e mprehtë, akute, të cilën adoleshentët kryesisht e konceptuan atë një rrezik direkt për jetën e tyre dhe dolën, bravo u qoftë, shkruan një kapitull të mrekullueshëm në historinë e protestave.
Por nuk besoj se kjo është një problem, e rëndësishme është që ne të bashkërendojmë, bisedojmë dhe të gjejmë rrugë më të mira për ti dhënë përgjigje narkoshtetit.
Mariglen Kume, MCN: Ju akuzoni kryeministrin Edi Rama se ka bllokuar drejtësinë. Nga ndryshon kryeministri Rama nga ju si kryetar i PD, që ditën e djeshme kur ishit para SPAK, adresuat një sërë akuzash në lidhje me një akuzë të re të ngritur ndaj jush. Duket sikur e gjithë politika është kundër drejtësisë?
Berisha: Kjo është të krahasosh të pakrahasueshmen.
Pra, ndaj meje është ngritur një akuzë pa baza, totalisht pa baza.
Por unë kam respektuar me rigorozitet të gjithë procedurën.
Dhe e kam theksuar, as që më ka shkuar ndërmend që të mos respektoj procedurën, as më ka shkuar ndërmend të organizoj protesta, që opozita organizon protesta, ta dini këtë.
Edhe në SHBA janë organizuar protesta para gjykatave. Unë nuk e bëj atë…
Masa e parë e sigurisë ishte antikushtetuese dhe unë të garantoj që ajo në Strasburg do rrëzohet.
E miratoi Gjykata Kushtetuese duke shkelmuar Kushtetutën.
Ajo gjykatë që sillet si organizatë e PS-së.
Shikoni, kanë dhënë një vendim ata për kryetarin e PD me datën 17 dhe asnjë njeri në Shqipëri nuk e di cili është vendimi.
Kanë njoftuar seancë plenare dhe nuk kanë bërë asnjë sqarim apo njoftim për publikun.
Po të lexosh rregulloren e tyre është një rregullore jo e një institucioni serioz.
Një rregullore në të cilën thuhte se relacionet dhe vendimet e ndërmjetme nuk u jepen palëve.
Si shpellë mafie.
Si nuk u jepen palëve? Nuk kisha dëgjuar kurrë.
Sekretohen pra, shikoni çfarë mentaliteti ka.
Sigurisht ndaj këtyre do luftohet, por jo të mos respektohet ama.
Por për të bërë përmbledhjen, ky është Sali Berisha këtu, ka qenë kryeministër 8 vite, ka pasur përballë një prokurore që e kishte shpallur armike të egër, e dini vetë ju dhe nuk i heq asnjë fjalë asaj unë, por kurrë nuk më ka shkuar ndërmend që unë t’i kthej asaj kërkesën për heqje imuniteti të një ministri. Absolutisht asnjëherë. Përkundrazi, çdo kërkesë nuk ka pasur nevojë të vendosë parlamenti, e kanë dhënë ministrat më përpara.
E ka dhënë Lulzim Basha dy herë, e ka dhënë Fatmir Mediu dhe ka dhënë edhe dorëheqjen. E ka dhënë Ilir Meta pa e kërkuar akoma prokuroria.
Ky është standardi.
Ata që përpiqen të bëjnë shqiptarët budallenj, gabohen.
Por shqiptarët e kishin këtë standard dhe ishte një arritje e madhe.
Ishte një arritje e madhe, kurse sot Edi Rama, dhe nuk është hera e parë, këtë gjë bënë me Saimir Tahirin ata, erdhi mandati ndërkombëtar i arrestit nga Antimafia Italiane, e hodhi poshtë, nuk e pranoi.
Vjen mandati nga Spaku për arrestin e Lubi Ballukut, e bllokon, nuk e pranon.
Nuk kanë asnjë lloj krahasimi.
Ato që unë i kam deklaruar, i kam me përgjegjësi të plotë dhe nuk i kam për interesa të Sali Berishës. Të jeni të sigurt për këtë.
I kam për interesin publik.
Jam kryetari i një partie opozitare, jam deputet dhe jam i angazhuar çdo minutë, çdo orë të mbroj interesin publik.
Po në qoftë se Altin Troplini mban në xhep mandat-arrestin e Elvis Doçit gjersa mbarojnë zgjedhjet, si të duket ty kjo, si mund t’i themi kësa?
Dhe ikën Elvis Doçi, ai aty është, por nuk shkojnë për ta kapur se ka bashkëpunëtorët.
Unë këto do i denoncoj.
Ose në qoftë se unë kam këtu dokumente që faktojnë inkriminimin kokë e këmbë të Taulant Ballës, por e amniston Altin Troplini, unë Altin Troplinin e bëj bashkautor me Taulant Ballën.
Se këto janë evidente, të jap votat, më arresto kundërshtarët. Ky është shteti.
Shiko, nuk mërzitem unë, kam durim.
Para disa vitesh unë i kam informuar shqiptarët për narko-shtetin dhe shumë kthenin kokën. Në Shqipëri nuk kishte asnjë shkrim për narko-shtetin nga mediat shqiptare, por kishte nga mediat ndërkombëtare.
Miqtë e Edi Ramës në Europë dhe në vendet e tjera përpiqeshin ta servirnin si model Ramaduron. Unë nuk mërzitesha, unë e dija që ata zemëroheshin me mua kur më dëgjonin.
Unë e dija se ata mërmërinin kundër meje kur më dëgjonin.
Por prapëseprapë përgjegjësitë e mia ndaj shqiptarëve, detyrimet e mia si person publik ndaj këtij vendi, më bënin mua që të mos tërhiqesha nga të vërtetat.
Por tani që kanë dalë hapur, kanë shpërthyer fushës, tani bëjnë tjetër, por tani është vonë veçse.
Është shumë vonë.
Se tani 1 milion shqiptarë kanë ikur nga Shqipëria sepse tani ekonomia shqiptare është shndërruar në ekonomi droge, ku sektori privat për shkak të drogës dhe narko-euros jep vetëm 49 përqind të rritjes.
Dhe tani shqiptarët nga më të mirëpaguarit që ishin në vitin 2013, janë më të keqpaguarit.
Por prapë kombet e vjetra kanë një veti, rigjenerohen.
E kanë këtë, se përndryshe ikin, i merr historia.
Por ne nuk na merr dhe ne do rigjenerohemi.
Edhe këtë që bëj me këta, në qoftë se unë flas për ta, unë flas sepse di dosjet e krimit që fshehin ata.
Po, di prokurorët e inkriminuar që nuk vendosin para ligjit për bashkëpunim me krimin, dhe që i di Dumani, i ka në dosje.
Ndaj e bëj këtë unë.
Po nëse nuk do e bëja, nuk jam ai që duhet të jem.
Nuk mbroj interesin publik.
Ndaj dhe e bëj këtë unë.
E bëj në kushte shumë të vështira.
Ti e sheh propagandën, janë 40 banalistë që paguhen nga mëngjesi gjer në darkë vetëm për editoriale dhe shpifje kundër Sali Berishës dhe opozitës. Me emër, me listë emërore që paguan qeveria.
80 le të bëhen, 200 le të bëhen, unë do vazhdoj, do mbroj të vërtetat që i interesojnë publikut.


