Berisha: Rama dërgoi kriminelët e RENEA-s për të dhunuar deputetët e opozitës duke u treguar tytat e armëve. Ai dhe dhe organizata e tij kriminale njohin vetëm një gjuhë, gjuhën e mosbindjes civile

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në tubimin qytetar, ka reaguar ashpër ndaj dhunimit të deputetëve demokratëve në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë nga forcat e policisë RENEA dhe kërcënimin me armë të këtyre të fundit. ‘Rama dërgoi kriminelët e RENEA-s për të dhunuar deputetët e opozitës duke u treguar tytat e armëve’, u shpreh Berisha gjatë protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri demokratik, Sali Berisha, teksa mbajti fjalimin e tij ditën e sotme, ju drejtua Ramës, teksa u shpreh se nuk ka tunel që e shpëton atë nga vrulli i urrejtjes popullore. ”Në Surrel qoftë apo kudo tjetër, të dërgosh RENEA-n kundër deputetëve, t’u nxjerrësh armët e zjarrit deputetëve, përsërit skenarët e viteve ’45 të sojit të paraardhësve të Edi Ramës dhe Hoxhës në krye të rendit”, shtoi Berisha.

Në ditën 290 të protestës në rrugën e Shpresës, Kryetari i PD, Sali Berisha në mbylljen e fjalimit të tij bëri thirrje edhe njëherë për qytetarët për vazhdimin e mosbindjes civile, si forma e vetme për të pasur qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. “Kjo qeveri njeh vetëm revoltën popullore dhe zemërimin e qytetarëve”- u shpreh ndër të tjera Berisha

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në fjalimin e tij gjatë tubimit qytetar te ‘Rruga e Shpresës’, ju drejtua efektivit që sot ju drejtoi armën deutetëve të opozitës, teksa u shpreh se askush nuk mund dhe nuk do ta mbrojë atë. “Nuk të mbron ty as Ervin Porja apo Troplini, as Ilir Shullazi, as Edvin Hajduti”, shtoi Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore për ju qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.

Përshëndetje të përzemërta oratorëve, deputetit Dash Sula për fjalën e tij dhe të gjithë oratorëve që nga kjo tribunë e fjalës së lirë përcjellin në mbarë vendin, në mendjen dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë, të vërtetat e këtij regjimi që bazohet mbi krimin, drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve.

Miqtë e mi, sot ishte ditë beteje për opozitën.

Ishte ditë triumfi.

Ishte ditë sulmi.

Ndaj dhe në emër tuaj dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë deputetët e opozitës, të cilët me qëndrimin e tyre u dëshmuan shqiptarëve se çfarë përfaqëson narkoparlamenti i Edi Ramës.

Se çfarë përfaqëson regjimi i tij dhe çfarë janë të aftë të bëjnë gangsterët, kriminelët me uniformë, narkodeputetët e këtij regjimi.

Sot në oborrin, në sallën e parlamentit, opozita e frymëzuar nga qytetarët opozitarë, e vendosur të mbrojë me mosbindje civile Kushtetutën, ligjin, të drejtat e popullit opozitar, dëshmoi se ai parlament i narkoshtetit, nuk meriton të jetë asnjë ditë më.

Se ai parlament është thjesht një vegël e verbër e Edi Ramës, i cili për të trysnuar, për të dhunuar deputetët e opozitës, dërgoi aty kriminelë të RENEA-s, të armatosur që u drejtuan tytat e armëve deputetëve, të cilët në misionin e mosbindjes civile po përfaqësonin vullnetin e popullit opozitar.

Aktet e sotme të Elisa Spirogjokës, të deputetëve, të mercenarëve me uniformë, gardistëve, të cilët zbatonin urdhrat e Spirogjokës, bastardit të familjes Hoxha në krye të ministrisë së rendit, që sillte i tmerruar për veten e tij, bandën e RENEA-s kundër deputetëve, dëshmoi se parlamenti është në agoni dhe se jetën e ka të shkurtër.

Unë kam një përshëndetje shumë të veçantë për qytetarët, të cilët pas mosbindjes civile te bashkia, sulmuan në parlament bandat e qeverisë.

Të dashur miq, zhvillimet e sotme dëshmojnë para çdo shqiptari se ka vetëm një rrugë dhe kjo është mosbindja civile.

Por unë dua t’i them Edi Ramës, ti që dërgon banditë të armatosur kundër deputetëve, i bindur të jesh se nuk ka tunel, nuk ka vrimë miu që të shpëton ty nga vrulli i urrejtjes popullore, mosbindjes civile.

Në Surrel qoftë apo kudo tjetër, të dërgosh RENEA-n kundër deputetëve, t’u nxjerrësh armët e zjarrit deputetëve, përsërit skenarët e viteve ’45 të sojit të paraardhësve të Edi Ramës dhe Hoxhës në krye të rendit.

Parlamentin e asgjëson, e shndërron në institucion krimi. Në një institucion ku Kushtetuta digjet.

Qytetarë dhe qytetare, me Kushtetutë, me ligjet, bandat me uniformë të policisë nuk mund të shkelin në parlament.

Kjo është garancia që Kushtetuta u ka dhënë përfaqësuesve tuaj, në mënyrë që ata të vendosur të mbrojnë me të gjithë mënyrat interesat tuaja.

Kurse sot Edi Rama me bastardin e familjes Hoxha në krye të rendit, mendoi se do t’i frikësonte deputetët me banditë të armatosur.

I përshëndes deputetët që i treguan vendin dhe i garantoj se për aktin që kanë kryer sot do të përgjigjen gjithë jetën.

Altin Muço, ti që nxore revolen ndaj deputetit, vend mbi tokë nuk do të kesh!

Bandit, mercenar që nuk njeh Kushtetutë, nuk njeh ligj, nuk njeh moral.

Nuk të mbron ty as Ervin Porja apo Troplini, as Ilir Shullazi, as Edvin Hajduti.

Nuk të mbron njeri ty!

Ke bërë një akt që nuk e ka bërë kush nga viti 1945 gjer sot.

Trimëria, guximi, vendosmëria e deputetëve të opozitës në sallë dhe jashtë sallës e shndërroi parlamentin në kështjellën e pamposhtur të opozitës.

E shndërroi parlamentin në kështjellën e qëndresës, në kështjellën e fitores.

Qytetarë dhe qytetare, Edi Rama, organizata e tij kriminale qeveri, organizatat e tjera kriminale në institucione, njohin vetëm një gjuhë, gjuhën e mosbindjes civile.

Njohin vetëm një gjuhë, gjuhën e revoltës popullore.

Njohin vetëm një gjuhë, zemërimin e qytetarëve.

Ndaj dhe ju bëj thirrje të vazhdojmë betejën tonë.

Betejën pa kthim.

Është radha jonë.

Është radha jonë.

Është radha jonë.

Qeveri teknike, zgjedhje të lira!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale