Berisha: Qytetari shqiptar është sot qytetari më i pasigurt. Siguria shëndetësore dhe siguria ushqimore në Shqipëri janë në duart e mafies së pashpirt

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

ESKTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, akuzoi kryeministrin Edi Rama se me anë të një vendimi kriminal, anulloi ligjin që garantonte ilaçe të sigurta në Shqipëri. ‘Me një vendim mafioz, të nxitur nga Vilma Nushi dhe Tom Doshi, Edi Rama abrogoi ligjin që garantonte ilaçe të sigurta’, u shpreh Berisha.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka vijuar me akuzat në drejtim të kryeministrit Edi Rama për sa i përket gjendjen alarmante që ndodhet shëndetësia në Shqipëri, si dhe ilaçet që përdorin të sëmurët. Sipas tij, ‘mijëra e mijëra shqiptarë kanë humbur jetën nga ilaçet kallpe! Përgjegjësia direkte është e Edi Ramës’.

Kryedemokrati Sali Berisha ngriti alarmin për importin e helmeve bujqësore në Shqipëri, që sipas tij janë ndër më të rrezikshmet. Duke folur para qytetarëve, në tubimin e asaj që njihet si rruga e Shpresës, Berisha tha se siguria ushqimore është tashmë në duart e mafies.

Ashtu siç është bërë traditë e demokratëve tashmë, lideri demokrat, Sali Berisha në tubimin maratonë, mbrëmjen e sotme solli në vëmendje të qytetarëve se PD, do të ketë gjithmonë përparësi absolute do të ketë sigurinë e qytetarit shqiptar.

Kryetari i PD-së Sali Berisha ka premtuar se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, çdo prind do të paguhet për çdo fëmijë. ‘Garantoj çdo prind se do të paguhet për çdo fëmijë në mënyrë që të mos u mungojë më asnjë vakt’, u shpreh Berisha gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme dhe nderimin më të thellë për ju misionarët e të vërtetës, shpresës, të ardhmes dhe fitores së shqiptarëve.

Të dashur miq, situata e qytetarit shqiptar në aspektet më kryesorë të jetës së tij është nga më të pasigurtat apo më e pasigurta se çdo qytetari tjetër në një vend jashtë lufte.

Sot nuk mund të bëhet fjalë për kurrfarë sigurie për të nesërmen për qytetarin që nuk ka tre vakte ushqim për fëmijët e tij.

Dita, java, muaji janë të pasigurta për të.

Dhe kjo pasiguri e madhe është një nxitje për largimin e tij nga Shqipëria, për të gjetur një vend ku ai mund të ushqejë normalisht fëmijët e tij.

Pasiguria e qytetarit shqiptar siç faktojnë me dhjetëra e dhjetëra dokumente, fakte, është shumë e madhe, për fatin më të keq, në sektorin e kujdesit shëndetësor.

Natyrisht fjala këtu është për qytetarët, të cilët nuk mund të përballojnë shërbimet private të kujdesit shëndetësor.

Ata që shkojnë në shërbime private, ata që drejtohen jashtë shtetit, ata janë pakica e pakicës në Shqipëri.

Kurse shumica e shumicës në këtë vend përjeton pasigurinë maksimale në kujdesin shëndetësor që atij i ofrohet.

Me një vendim mafioz klientelist, i nxitur kryekëput nga Vilma Nushi dhe Tom Doshi, Edi Rama abrogoi ligjin me të cilin ne kishim garantuar futjen në Shqipëri vetëm të ilaçeve të sigurta.

Me të cilin ne kishim ndaluar në mënyrë të prerë futjen në territorin e Shqipërisë të ilaçeve kallp.

Ky ligj, i cili lejonte importin vetëm të ilaçeve që shiteshin në dy ose më shumë vende të BE, që ishin të miratuara nga enti evropian i ilaçeve ose enti i SHBA i ilaçeve, bëri që Shqipëria të sigurojë ilaçe të cilësisë së njëjtë me vendet e BE.

Këto ilaçe, rimbursoheshin ato që ishin gjenerike, 95 dhe 100 përqind.

Por çfarë ndodhi? Ndodhi me ardhjen në pushtet, nga ligjet e para që u abroguan ishte ligji i importeve të ilaçeve. Asokohe e vërteta e pamohueshme është se në Shqipëri kishin zyrat e tyre kompanitë më serioze perëndimore të prodhimit të ilaçeve.

Me angazhimin personal të Edi Ramës për të ndarë fitimet me Vilmën, bashkëshorten e kushëririt të tij dhe Tom Doshin, ligji u abrogua.

Shqipëria u invadua nga ilaçe të importuara nga stoqe, po të mos thonë edhe placebo, pa efekte, nga prodhimet e Tom Doshit dhe importet e Vilma Nushit, duke shkaktuar në këtë mënyrë humbjen e jetëve të mijëra e mijëra shqiptarëve.

Duke rrënuar në mënyrë përfundimtare sigurinë e ilaçeve në Shqipërinë, faktikisht sigurinë jetike të mjekimit të të sëmurëve.

Por nuk ka dyshim se sektori i shëndetësisë në raport me shëndetin dhe jetën është edhe sektori më delikat.

Në këtë kuadër, ka edhe mjekë, por edhe infermierë të cilët shkelmojnë parimet e humanizmit dhe ata që shkelin Betimin e Hipokratit, pa dyshim meritojnë të humbasin diplomat dhe të ndëshkohen me ligj.

Por miqtë e mi, në qoftë se në Shqipëri hynë ilaçe kallpe, kjo nuk është përgjegjësi e mjekëve. Kjo nuk është përgjegjësi e infermierëve.

Kjo është përgjegjësi e qeverisë direkt, e ministrit të shëndetësisë dhe Edi Ramës.

Në qoftë se në Shqipëri për vite nuk funksionon aparatura e radioterapisë, brakioterapia jetike për sulmin, dominimin dhe kufizimin e neoplazive të gjirit, ky është një krim kundër njerëzimit, i kryer nga qeveria, i kryer nga drejtoria e spitalit, ministria dhe kryeministria.

Nuk janë mjekët ata të cilët mund të sigurojnë aparatura, është qeveria që ka detyrim absolut të garantojë funksionimin e pandërprerë, të garantojë rifunksionimin e tyre.

Është qeveria e cila është e detyruar të garantojë sigurimin e pandërprerë me ilaçe.

Është krim i shëmtuar të mungojë jodi muaj dhe vite. Të mungojnë ilaçet më themelore të sëmundjeve neoplazike sepse paratë vidhen.

Sepse kontratat firmosen dhe njëlloj si 5D, më keq akoma, ilaçet nuk vijnë, pagesat bëhen, paratë vidhen.

Qytetari shqiptar është sot qytetari më i pasigurt.

Siguria ushqimore në Shqipëri është në duart e mafies së pashpirt.

Në Shqipëri, importohet të dashur qytetarë dhe qytetare, helmet bujqësore më të rrezikshme të nxjerra prej vitesh apo dekadash jashtë përdorimit.

Në Shqipëri kontrolli mbi përdorimin e pesticideve është inekzistent.

Prodhimet masivisht kthehen nga tregjet për përmbajtje të lartë të helmeve.

Këto ditë doli se akulloret, ndonëse BE dhe enti respektiv kanë dhënë alarmin, AKU-ja e korruptuar e Edi Ramës i lejoi ato të shiten në Shqipëri, në një kohë kur është tashmë e njohur se konsumator kryesor janë fëmijët e këtij vendi.

A nuk është ky një krim i shëmtuar tjetër?

A nuk është kjo një dëshmi e tmerrshme e pasigurisë që ekziston në këtë vend?

Të dashur miq, të gjitha këto janë një apel për ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar, të mos lejojmë të na nëpërkëmbin në një mënyrë të tillë mafiozë në pushtet.

Unë garantoj qytetarët shqiptarë se PD, përparësi absolute do të ketë sigurinë e qytetarit shqiptar.

Se kjo parti me rikthimin në pushtet do të ndalojë importin e çdo bari, ilaçi të pacertifikuar nga enti evropian dhe amerikan dhe që nuk ka tregtim të gjerë në hapësirën e Shengenit.

Se kjo parti do të ndëshkojë me forcën e ligjit çdo spekulim që do bëhet në drejtim të shëndetit dhe mjekimit të të sëmurëve në Shqipëri.

Dhe se buxheti i shtetit do të mbulojë në Shqipëri listën më të zgjeruar të barnave se të çdo vendi tjetër në Europë.

Po miqtë e mi, nuk do pranojmë kurrë që shqiptarët të paguajnë nga xhepi i tyre si sot, 60 përqind të shpenzimeve për kujdesin shëndetësor.

Ju garantoj se me një program të përpiktë, këto shpenzime do të jenë 50 përqind më të ulëta.

Këto shpenzime do përgjysmohen.

Garantoj se do të vendoset ligji më i rreptë për importet e helmeve bujqësore dhe blegtorale.

Do vendoset kontrolli më i rreptë për përdorimin e tyre.

Do bëhet gjithçka që prodhimet tona bujqësore të jenë prodhimet më të shëndetshme të standardeve më të mira.

Miqtë e mi, këto janë detyrime ligjore kushtetuese.

Por për Shqipërinë janë dy herë më të mëdha sepse këto janë gjithashtu faktorë që largojnë dhe largojnë shqiptarët nga Shqipëria.

Garantoj çdo prind se do të paguhet për çdo fëmijë, në mënyrë që kurrë më fëmijëve shqiptarë të mos u mungojë të gjitha vaktet njëlloj si fëmijët e vendeve të tjera të Europës.

Ndaj dhe thirrja ime për çdo shqiptar, të vendosim ndryshimin, të ngrihemi për ndryshimin.

Të ngrihemi për qeveri teknike.

Për zgjedhje të lira dhe të ndershme!

Ndryshim dhe vetëm ndryshim.

Fitore, fitore, fitore!

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Faleminderit.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale