Berisha: Qëndresa jonë do të vazhdojë në parlament dhe jashtë tij. ‘Geogenix’ do sjellë 100 mln euro me burime të dyshimta me ndërmjetësimin e Veliajt për ineneratorin e Tiranës

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët ka përshëndetur rezolutën e Parlamentit Europian që dënonte ashpër Serbinë dhe kërkonte që ajo të dënonte sulmin terrorist, dhe nga ana tjetër kërkonte heqjen e masave ndaja Kosovës.

Berisha gjithashtu sulmoi Edi Ramën për ndërhyrjet në punët e brendshme të Kosovës. ‘Ndërhyrjet flagrante të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës janë një akt tmerrësisht negativ dhe me pasoja të rënda për situatën në rajon’, u shpreh kryetari i PD-së.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë publik sot në media një zhvillim të fortë të lidhur me aferën e inceneratorëve, ku siç theksoi Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, po bëjnë gjithçka që të jenë pronarët realë të vjedhjes së shekullit.

‘Sot, me datën 20.10.2023, aksionerët e kompanisë Geogenix BV, kanë ardhur në Tiranë për të zhvilluar një takim pranë Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, pasi kërkojnë të sjellin 100 milionë euro në Shqipëri me burime të paqarta, për të bërë investime te inceneratori i Tiranës!’, tha Berisha.

Duke komentuar aksionin e djeshëm të opozitës në parlament, Berisha u shpreh se protestat dhe qëndresa do të vazhdojë, ndërsa mohoi bojkotin.

‘Ne do qëndrojmë në parlament me protestën tonë më të fuqishme. Dhe kjo protestë, ju garantoj se nuk do mbetet vetëm në sallën e parlamentit. Dora dorës, gradualisht ajo do shtrihet në rrugë, në sheshe, në institucionet e tjera të vendit’ – deklaroi kryetari i PD-së, Sali Berisha, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me këtë çështje gjatë konferencës së përjavshme për shtyp.

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA:

Jam këtu për të përshëndetur në emër të PD, rezolutën e Parlamentit Evropian kushtuar Kosovës, në të cilën, në çdo paragraf, del e qartë përgjegjësia e plotë e Serbisë në të gjitha zhvillimet konfliktuale në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, në përpjekjet e saj konstante për destabilizimin e Kosovës, në qëndrimet e saj, të cilat fund e krye orientohen drejt mbajtjes së shtetit serb në Kosovë.

Mbështes plotësisht këtë rezolutë dhe e konsideroj një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm, zbatimi i kërkesave të të cilit, vërtet hap rrugën për normalizim apo ecje drejt normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë.

Rezoluta me qartësi të kristaltë, kërkon hetimin e lidhjeve të Serbisë me grupin terrorist të armatosur, të stërvitur në territorin e saj, dhe të dërguar në Kosovë.

Akt ky që u parapri nga një seri aktesh të tjera dhune, të nxitur nga falanga serbe, bojkote të udhëhequra nga Lista Serbe, një parti terroriste e inkriminuar në të gjitha segmentet e saj. Do më falni, por tmerrësisht simotër me partinë e Vuçiçit dhe partinë e Edi Ramës. Sepse asnjë normë demokratike ajo nuk lejoi.

Udhëhiqet nga ekstremistë dhe terroristë si Radoiçiç, mban lidhje të tmerrshme me bandat dhe krimin njësoj si partia e Vuçiçit dhe partia e Edi Ramës.

Por ajo që unë dua të shpreh këtu dhe për të cilën PD do të angazhohet të punojë ngushtë me Parlamentin Europian dhe asambletë e tjera parlamentare të institucioneve ndërkombëtare, do të jetë dënimi i qëndrimeve destabilizuese të Edi Ramës, në mbështetje të politikave destabilizuese të Aleksandër Vuçiçit dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës.

Ndërhyrjet flagrante të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës janë një akt tmerrësisht negativ dhe me pasoja të rënda për situatën në rajon.

Përpjekjet e tij, që kur ka ardhur në pushtet, për të diktuar për llogari të Sllobodan Millosheviçit të ri, apo Aleksandër Vuçiçit, se kush duhet të qeverisë në Kosovë, me qëllimin e vetëm zbatimin e planeve t përbashkëta të ndarjes së Kosovës, janë edhe këto një çështje jashtëzakonisht shqetësuese për PD-në, por kam bindjen se do jenë po kaq shqetësuese për komunitetin ndërkombëtar.

Shqipëria nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në punët e brendshme të Kosovës.

Të gjitha ndërhyrjet e brendshme të Edi Ramës në punët e brendshme të Kosovës, kanë ndihmuar direkt padronin e tij, sepse me këto ndërhyrje ai është përpjekur të çlirojë Vuçiçin, Slobodanin e ri, nga vlerësimet reale për të, dhe për ta paraqitur atë si një njeri të arsye dhe paqebërës, në një kohë kur ai është një serbomadh me çizme, siç ishte Sllobodani, dhe ka bashkautor në projektet e tij Edi Ramën, që në Kosovë e njohin si vëllaun e Vuçiçit.

PD e ka shpallur atë si argat i Beogradit, kurse në komunitetin ndërkombëtar rëndom konsiderohet si Pashiqi i Tiranës.

Ndaj në mbështetje të kësaj rezolute dhe në plotësim të saj, do të bëjmë çdo përpjekje që Edi Ramës t’i vihet nga komuniteti ndërkombëtar, kufiri te thana, të ndalohen ndërhyrjet e tij në punët e brendshme të Kosovës, pasi në mënyrë absolute jo vetëm nuk ndihmojnë marrëveshjen, por përkundrazi e vështirësojnë atë në shkallë maksimale.

Tani mund t’u them se ka nevojë për disa hetime ndërkombëtare për ngjarjet në veri të Kosovës, për implikimet direkte të Vuçiçit, por nuk përjashtohen aspak edhe implikime të tjera.

Ndaj dhe e përshëndes këtë rezolutë, një rezolutë që është një kontribut real, mbi bazën e të cilës mund të ecet drejt finalizimit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe normalizimit të marrëdhënieve, por duhet që Serbia duhet detyrimisht të japë llogari mbi bazën e kësaj rezolute dhe t’i përgjigjet pikë për pikë zbatimit të saj.

Çështja tjetër që unë desha t’u sjell në vëmendjen tuaj, është një çështje shumë e veçantë.

Sot, me datën 20.10.2023, aksionerët e kompanisë Geogenix BV, kanë ardhur në Tiranë për të zhvilluar një takim pranë Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, pasi kërkojnë të sjellin 100 milionë euro në Shqipëri, me burime të paqarta, për të bërë investime te inceneratori i Tiranës.

Unë ju kam njoftuar këtu në mënyrë të përsëritur për lidhjet e Erion Veliajt me Tosin dhe Alfredo Presecin. Ju kam njoftuar këtu lidhjet e Presecit me kompaninë e ish-komandantit të Pasdaranit, Gardës Revolucionare të Iranit.

Kam paraqitur këtu disa fotografi, dokumente që faktonin këto lidhje.

Ekziston një akuzë e hapur nga një anëtar i këtij grupi, Gabriele, i cili u mbajt këtu në burg disa muaj dhe u lirua pa asnjë akuzë, por me kusht që të mos kthehet më në Shqipëri se ai i dinte të gjitha këto zhvillime të brendshme të këtij grupi supermafioz.

Pra, kam denoncuar këtu udhëtime të Erion Veliajt me Presecin, me çartera, takime të Erion Veliajt, por ajo që është tani, mund t’u them se Belind Këlliçi ka denoncuar dhe faktuar dje me dokumente, ka dorëzuar dosjen në SPAK, në të cilën fakton se këta individë, të marrë në pyetje nga autoritetet italiane, por edhe shqiptare, kanë mashtruar si autoritetet italiane, po ashtu edhe autoritetet shqiptare. Pasi grupi i ekspertëve që punon me zotin Këlliçi, kanë dokumente origjinale që faktojnë të kundërtat e atyre që kanë deklaruar Preseci dhe Tosi në prokurorinë italiane dhe shqiptare.

Sipas deklaratave të tyre, ata nuk kanë lidhje dhe nuk njohin fare Zoton dhe Mërtirin, ndërkohë kur dokumentet e dorëzuara në SPAK, tregojnë se janë takuar me Klodian Zoton dhe Mërtirin shpeshherë gjatë vitit 2022.

Ndërkohë që Klodian Zoto që në vitin 2021 ishte person në kërkim, ndërsa këta takoheshin në vitin 2022.

Takimet, mbledhjet janë zhvilluar në Milano, Zvicër dhe Vjenë.

Këta zotërinj që vijnë sot me ndërmjetësimin, sipas burimeve, të Erion Veliajt, unë kam denoncuar lidhjet e hershme të Veliajt me Teheranin, këta kanë gjetur nga burime që duan hetim, 100 milionë euro borxh. Nga kjo ata përfitojnë vetë 25 milionë euro bonus. Më pas këto aksione do ia kthejnë përmes një personi të besuar, Mirel Mërtirit, pra Erion Veliajt. Mërtiri, tani thonë, nga Vjena ka kaluar në Holandë. Madje thuhet se atje ka gjetur si strehë, nuk e di, por prokuroria nuk ka interes fare për këto punë.

Këto janë zhvillime të tjera në aferën e vjedhjes së shekullit ku Erion Veliaj dhe Edi Rama po bëjnë gjithçka që të mbeten pronarë realë të saj.

Sot kanë takimin në ora 1, pas këtij lajmi ndoshta nuk e bëjnë aty, e bëjnë diku fshehtas, por lajmi është shumë i vërtetë.

PYETJE PERGJIGJET

Pyetje: Z. Berisha. Një pyetje për sa i përket aksionit të PD-së. Për 10 vite PD është në opozitë, kemi parë protesta dhe aksione të ndryshme, siç pamë dhe dje një aksion tuajin në parlament, por në fakt përpos protestave dhe bojkoteve nuk kemi parë konkretizime që opozita ti imponohet mazhorancës për çështje të caktuara. Nëse dhe aksioni juaj në parlament dështon, a ka PD një skenar të dytë.

Sali Berisha: E vërteta është se demokratët në 10 vite bënë përpjekje shumë të mëdha. E vërteta është se përpjekja dhe sakrifica e tyre e madhe, e veçantë, 90 ditë, ditë e net në bulevard në një çadër, u përdor për pazar në mënyrën më të shpërfytyruar, siç dalin gjërat mbrapa, nga Lulzim Brava. U përdor për pazar me Edi Ramën. Dhe në mënyrë të padiskutueshme, demokratët nuk i kanë humbur zgjedhjet e vitit 2021. Absolutisht jo!

Por Lulzim Pengu, në vend se të mbronte votën e tyre, zgjodhi dhe rrugën që e tregon edhe tani që të hyjë në qeveri me Edi Ramën. Në këtë kontekst, ju keni të drejtë, sakrifica dhe mundi i tyre nuk u kurorëzua, nuk solli atë që ata meritonin. Të them unë ty, si një njeri që ka ndjekur nonstop çadrën, çadra e dridhi Edi Ramën, e tmerroi Edi Ramën, e theu Edi Ramën. Ata djem, burra, gra, vajza që sakrifikuan aty tre muaj, me zërin e tyre e bënë Edi Ramën të paketojë zyrën. Por ai përdori aktin imoral të blerjes dhe në një takim 5-orësh, siç faktohet mbrapa, ai de facto e denatyroi plotësisht liderin e opozitës. E shndërroi në një plaçkë pazari.

Dhe kujtoni më pas veprimet e mëpasshme. Kjo nuk mund të ndodhë më. Është e vërtetë që gjatë këtyre dy viteve nuk ka pasur një lëvizje të qëndrueshme, për rrjedhojë nuk ka pasur një sukses real. Po është e vërtetë që dje nisi për të mos u ndalur më gjer në ditën e fitores. Dhe unë jam sot më i bindur se kurrë në këtë fitore. Do thoni ju, pse filloi në parlament? Në një rezistencë, lëvizja fillon kudo ku presioni, dhuna është më e madhe. Aktualisht në parlament u shfaq me egërsinë më të madhe. Dhe na përket ne, dyzet e ca burrave e grave të mbrojmë aty jo vetëm të drejtat tona si deputetë, por të gjithë qytetarëve që kanë votuar kundër Edi Ramës.

Kemi dy vite që ne përpiqemi me përkushtim të vërtetë, që parlamenti të funksionojë si institucion në interesin më të mirë të shqiptarëve. Një opozitë që ka dorëzuar në parlament 31 ligje, që të gjitha ligje që synojnë të ndryshojnë jetën e qytetarëve shqiptarë, nga minimumi jetik tek ligjet kundër korrupsionit.

Ato, Edi Rama i ndryn në sirtarin e Lindës së parlamentit. Pra, parlamentin e shndërron në institucion personal të tij. Kemi dy vjet, që me dhjetëra e dhjetëra herë, kërkohen ministra në komisionet parlamentar. Nuk vijnë. Kemi dy vjet që kërkojmë dokumente zyrtare, që me ligj duhet t’u jepen qytetarëve, jo më deputetëve. Absolutisht nuk i japin. Sot, zonja Zhupa denoncoi se ata nuk i japin dokumente Gjykatës Kushtetuese. Këta sillen si bandë, se bandë janë. Dhe mohojnë një të drejtë ndër më madhoret kushtetuese të deputetëve, krijimin e komisioneve hetimore parlamentare, e cila në Kushtetutë është taksative, e cila me Gjykatë Kushtetuese është shpallur taksative. E kanë mohuar gjer tani 6 herë. Sepse të gjitha komisionet hetimore që janë kërkuar, nga McGonigal, te konflikti i interesit, te koncesionet në shëndetësi, të patronazhistët, vjedhja e TIMS, të gjitha çojnë te Edi Rama. Dhe sipas Edi Ramës, ai nuk mund të hetohet sepse duhet të largohet. Ju keni dëgjuar për Olta Xhaçkën, por Edi Rama është 5-herë më shumë në konflikt interesi se Olta Xhaçka. Personalisht ai.

Pra, nëse ti sillesh kështu, ne si deputetë dy rrugë kishim ose të braktisim parlamentin, soe të nisim betejën në parlament. E kemi diskutuar gjatë dhe vendosëm të nisim betejën në parlament. Se braktisja do ishte një gjë që ai do e pëlqente shumë. Ne do qëndrojmë në parlament me protestën tonë më të fuqishme. Dhe kjo protestë, ju garantoj se nuk do mbetet vetëm në sallën e parlamentit. Dora dorës, gradualisht ajo do shtrihet në rrugë, në sheshe, në institucionet e tjera të vendit. Nuk mund të pranojmë ne një gjë të tillë.

Këtu gjithçka kalon në urdhrin e një njeriu. Është gjë e pabesueshme. Por është plotësisht se ai është një njeri që nuk respekton asnjë parim, asnjë normë. Ai vjen me një mendësi nga më atavistet të etërve të tij dhe ka një qëllim të vetëm, pushtetin e vet. Ai do përballet… Dëgjoni ju, filani thotë vila iu gjet, s’iu gjetën burimet. Po Edi Rama, a e dini ju apo jo? Vila e tij, 57 metra themelet, është ndërtuar në një kohë kur ai ka të deklaruar në ILDKP 3800 euro të ardhura dhe 400 mijë lekë teprica përveç rrogës. Kaq ka të deklaruar.  Dhe sa erdhi në pushtet, shkarkoi Zana Gjukën se po hetonte, se nisi hetimin. Për të mos thënë pallatin e zonjës Linda Rama, pesë kate në sheshin e pallateve, pa asnjë faturë bankare, doganore, tatimore. Sikur ka mbirë vetë aty ku është. Dhe kur pyetet, thotë është bërë me pare gjaku. Çfarë do të thotë kjo pare gjaku? Dil e sqaroje pak. Kjo është një nga aspektet, ndaj dhe tani Edi Rama tregoi vullnetin e plotë për zhdukjen e çdo hapësire ndaj opozitës. Opozita do qëndrojë me forcën më të madhe. Ky është një fillim, ju mund të thoni i vonuar. Mund të jetë pak i vonuar, nuk e mohoj. Po gjërat kanë një rend që dikton. Zgjedhjet dikuan shumë gjëra, para zgjedhjet diktuan shumë gjëra. Pas zgjedhjet diktuan. Tani jemi në betejë dhe do vazhdojmë këtë betejë gjer në rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve.

Pyetje: Në fakt në mbledhjen e fundit që keni zhvilluar me shumicën e deputetëve të PD-së, të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit 2021, përveç kësaj strategjie që e keni zbardhur, për bllokimin e seancave apo komisioneve parlamentare, është diskutuar edhe mundësia e grevës së urisë dhe është përmendur greva e urisë së Pjetër Arbnorit në 1997. A keni këtë si opsion?

Sali Berisha: Absolutisht greva e urisë është përmendur, ashtu siç thoni ju. Plotësisht! Ka gatishmëri të vërtetë dhe është një opsion. Nuk ka diskutim, kjo është betejë. Ne e kemi nisur këtë, kur ai de facto na asgjësoi ne në parlament. Kur arriti gjer aty sa të na caktojë përfaqësuesin tonë në komisionin e reformës elektorale. Çfarë mund të presësh më shumë se kaq? Ka një eliminim më të fortë se ky? Pra, ne caktuam Oerd Bylykbashin, një ekspert i shquar, i njohur edhe nga komuniteti ndërkombëtar për njohuritë e tij në të drejtën elektorale, dhe ai thotë unë dua Enkelejdin. Jo atë, nuk e pranoj, pranoj Enkelejdin. Pranon pengun. Kështu pastaj nuk mund të ecet. Ai këtë situatë e krijoi vetë, për këtë situatë do përgjigjet. Ky është njëri aspekt, por çdo aspekt tjetër është i tillë. Merrni ju qëndrimin ndaj Kosovës. Nuk mund të pranojmë ne kurrë këtë. Ne kemi qëndruar në një pozicion të vetëpërmbajtur sepse ne nuk duam të ndërhyjmë në punët e brendshme të Kosovës. Në raste madhore kur cenohet interesi kombëtar, siç janë çështjet e territorit, sigurisht e kemi këtë të drejtë. Por në raste të tjera nuk kemi ne, Kosova ka përfaqësuesit e vet. Më vjen keq që e përsëris, jam marrë gjithë jetën me të. Që në momentin që Kosova ka pasur përfaqësuesit e vet, kam pasur vetëm një fjalë për udhëheqjen politike të Beogradit. Kurrë në tryezë me mua nuk diskutoni çështjen e Kosovës.  Kurse ky organizon kurthe. A nuk u takua ky fshehtas me Vuçiç në Nju Jork? Dhe tre apo pesë ditë më vonë, Radoiçiç bëri atë që bëri. Dhe ky nuk e mohoi, përkundrazi doli e tregoi se çfarë kishin biseduar atje. Pa shprehur ngushëllime për Afrim Bunjakun, të rënin. Tani merr fund kjo gjë, jemi gjysma e kombit. Nuk mund të sillet kurrë në këtë mënyrë, ose ta mbyllë gojën të mos ndërhyjë në punët e brendshme, ose do i bëhet ajo problem i madh këtu brenda.

Pyetje: Përpara zgjedhjeve të 14 majit, jeni shprehur se koalicioni juaj do të fitonte zgjedhjet. Pas 14 majit jeni shprehur se PS i vodhi zgjedhjet, keni renditur edhe se një faktor tjetër se opozitës nuk i janë lënë komisonerët, anëtarët e KZAZ etj. Z. Berisha 2025 është shumë afër dhe ju në mbledhje që keni zhvilluar ju jeni kundër krijimit të një partie të re edhe pse disa deputetë jua kanë propozuar. Do të jetë prap koalicioni që do të shkoni në zgjedhjet e 2025. Cila është formula që pas zgjedhjeve të 2025 të mos e përdorni më argumentin që na kanë vjedhur logon.

Sali Berisha: Ne jemi në betejë dhe ne do të bëjmë gjithçka, qëllimi i kësaj beteje është që shqiptarët të votojnë të lirë. Kur them që shqiptarët të votojnë të lirë, të respektohen ligjet që u shkelën një për një. Ju thoni se fitoi, unë them se i vodhi. T’i thuash atij që vjedh, fitove, në rastin e zgjedhjeve, është si t’i thuash atij që vjedh në një shtëpi, që nuk është plaçkë e vjedhur, por është e jotja. Nuk mund të shkohet më me një logjikë. Kur ai vjedh, nuk jam në gjendje të them sa fituam, por jam në gjendje të them këtë, se duke mos pasur në gjysmën e komisioneve, komisionerë dhe numërues, duke mos pasur emrin e kryetarit të koalicionit në fletën e votimit, duke pasur zero financime për 61 kandidatë, krahasuar me 1.2 milionë që mori Lul Brava, duke shpërndarë zarfin te 683 mijë pensionistë, me 50 mijë lekë, po them këto publiket, ai zgjedhjet me diferencë 100 mijë vota nuk i ka fituar kurrë. Se këto së bashku janë të paktën 200 mijë vota. Kjo është e vërteta… Ndaj ne në zgjedhje do futemi pa diskutim me koalicion, por PD do ketë logon që i takon asaj. Ne po ecim, do e mbajë Gjykata e Lartë në mënyrë antiligjore, antikushtetuese, pastaj ne do shkojmë në Strasburg dhe atje kam besim te drejtësia evropiane dhe do fitojmë kauzën tonë të drejtë.

Pyetje: Z. Berisha, pak më e qartë dua të jem, edhe kolegët. Ku ndryshon aksioni juaj politik nga ai i Lulzim Bashës.

Sali Berisha: Ndryshimi është si nata me ditën. I madh shumë. I pari, ai tradhtoi aksionet e demokratëve, kurse unë u dal zot atyre gjer në ditën e fundit të jetës sime. I kam dalë zot atij aksioni edhe kur nuk kisha asnjë funksion drejtues. Ndryshimi është shumë i madh. Këto që them janë të vërteta. Koha provoi se ai ishte një fatkeqësi, nuk po e lëshoj gojën më shumë. Ai përdori qenien në krye të PD, lëvizjen, forcën politike për qëllime tërësisht personale. Këto janë të faktuara dhe do faktohen gjëra të tjera. E dëgjuat historinë e kullave? Ky i kishte vënë gjobë atij, prandaj e sulmonte. Apo, e theksova edhe mbrëmë, Papulin? Papulin e paska sulmuar nja dy-tre herë në parlament Paplulin se po ndërtonte ai kulla. Kur del, shkon dhe merr dy-tre vila te Papuli. Ndryshimi është si nata me ditën. Ai është një fatkeqësi për opozitën. Nga ta dinin demokratët se ka një njeri të tillë? Nga ta dija unë se ai ishte i tillë? Tani dalin gjërat.

Pyetje: A jeni i bindur se do të futeni në koalicion me aleatin më të ngushtë, Partinë e Lirisë, Ilir Meta sepse partia e zotit Meta me 4 deputet nuk u është bashkuar në aksione. Edhe dje nuk ndenji në foltoren e parlamentit dhe ju kujtoj se në 2008, bëri një grevë urie dhe nuk është se fitoi diçka.

Sali Berisha: Ajo bëri një grevë urie edhe bravo i qoftë që bëri grevë urie. Unë jam i apasionuar pas çdo lloj rezistence, pavarësisht se në atë kohë më ra ta bëjë kundër meje, por e vlerësoj grevën e urisë së tyre, sepse ai bëri detyrën. Ai nuk ishte dakord me ndryshimet kushtetuese. Është një aleat i çmuar i PD-së dhe opozitës dhe do të bashkërendohen të gjitha veprimet me Partinë e Lirisë.

Pyetje: Meqë thatë që bravo i qoftë zotit Meta që bëri grevë për ndryshimet kushtetuese të 2008, i bie që jeni penduar për këto ndryshime kushtetuese, pasi ka shumë zëra që në fakt i kritikojnë ato ndryshime, se futja në ngërç e parlamentarizmit kanë ardhur nga këto ndryshime.

Sali Berisha: Në mënyrë absolute, ato ndryshime kishin vetëm një qëllim, përfaqësimin e krahinave të ndryshme të vendit, nga përfaqësues të tyre. Çfarë ndodhte para atyre ndryshimeve? Nga Fushë Kruja në Vermosh dhe Tropojë, socialistët mund të kishin 150 mijë apo 200 mijë vota. Nuk kishin asnjë deputet në parlament. Pra, ishin të gjithë deputetë të PD. Elektorati socialist i gjysmës së Shqipërisë, mbetej pa përfaqësues në parlament. E njëjta gjë ndodhte edhe me PD-në në zonat në jug të vendit. Kjo nuk më pëlqente mua, edhe në aparencë e paraqiste si të ndarë shoqërinë tonë. Dhe aty në atë ligj, kishte një gjë, çdo parti merrte votat e veta, nuk ia mohuam ne me koalicion. Shkoni dhe merrni rezultatin. Çfarë bëri Edi Rarma? Me ndryshimet që bëri më vonë, përjashtoi koalicionin e vërtetë. Sot, në një koalicion, të gjitha votat janë të detyruara të hidhen për partinë kryesore, këto të tjerat mbeten pa identitet. Dhe kjo është krejtësisht e papranueshme. Ndaj dhe unë, edhe sikur të mos ishte kjo, në qoftë se një ndryshim kushtetues pas shumë vitesh, debatohet dhe bëhet objekt kundërshtirash nuk ke pse insiston për të penguar ndryshimin e tij. Aq më tepër, kur unë udhëhiqem nga një besim se sistemi që vuri Edi Rama, ka qenë antidemokratik. Të gjitha sistemet kanë qenë demokratike.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale