KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën për mediat gjatë ditës së sotme, duke iu referua studimit të EUROSTAT-it, deklaroi se zhvlerësimi i euros në raport me lekun është tregues i ndikimit të parave të drogës në ekonominë shqiptare duke theksuar se, euroja në Shqipëri është zhvlerësuar me 33 për qind, më shumë se në çdo vend tjetër të marrë në shqyrtim.
‘EUROSTAT ka studiuar raportin e euros me 40 monedhat kryesore të planetit. Gjen se leku është monedha më e fortë në botë në raport me euron. Gjen se euro në Shqipëri është zhvlerësuar më shumë se në çdo vend tjetër, 33 përqind’, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së Sali Berisha tha se, zhvlerësimi i euros lidhet me paratë që futen në Shqipëri nga trafiku i drogës dhe ndërtimi është fusha kryesore e investimeve. Gjatë konferencës ai e cilësoi Shqipërinë si një qendër të pastrimit të parave kriminale. ‘Kemi transformimin përfundimtar të lekut në narkos. Dhe sot e tutje nuk do quhet më lek, por do quhet narkos. Pesë mijë narkos, kjo do jetë monedha e re e Shqipërisë’, u shpreh Berisha.
Për liderin e opozitës shqiptare Sali Berisha, pasojat e zhvlerësimit të euros rëndojnë mbi qytetarët, fermerët dhe sipërmarrësit e ndershëm, ndërsa përfitimet shkojnë te grupet kriminale dhe zyrtarët e lidhur me to. ‘Të gjithë faturën e kësaj e paguajnë në mënyrën më të dhimbshme qytetarët e thjeshtë shqiptarë. I gjithë ky përfitim shkon në kontot e bosëve të drogës dhe qeveritarëve të lidhur me ta’, tha Berisha.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha u bëri thirrje Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin analiza dhe masa ndaj asaj që e cilësoi si përkeqësim të ekonomisë shqiptare nga ndikimi i narkotrafikut. ‘Dënimi politik dhe masa të tjera, sanksione ndaj regjimit, janë të domosdoshme për të shpëtuar shqiptarët nga kjo situatë jashtëzakonisht e rëndë’, deklaroi kreu i PD-së.
Në fjalën e tij, lideri i demokratëve, Sali Berisha komentoi gjithashtu vendimin për përjashtimin nga parlamenti për dy muaj të kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, dhe nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Klevis Balliu. Ai e cilësoi vendimin si të paligjshëm dhe antikushtetues, duke deklaruar se Edi Rama është ‘armik i egër i parlamentarizmit, i protestës dhe fjalës së lirë’.
I pyetur nga gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha kundërshtoi edhe propozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përdorimin e numërimit elektronik në katër bashki gjatë zgjedhjeve lokale. ‘Asnjë bashki nuk pranojmë ne numërim elektronik, në mënyrë të prerë. Partia Demokratike nuk pranon!’, tha ai, duke deklarua se, procesi është manipuluar dhe se në të është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Kombëtar.

FJALA E PLOTE:
Sot, në historinë e këtij vendi, shënohet rekordi më i zi i kohërave.
EUROSTAT shpall se leku shqiptar thyen rekordin botëror në raport me zhvlerësimin prej tij të euros dhe dollarit, por EUROSTAT është marrë me euron.
EUROSTAT ka studiuar raportin e euros me 40 monedhat kryesore të planetit.
Çfarë gjen EUROSTAT nga studimi i 40 monedhave të planetit?
Gjen se leku është monedha më e fortë në botë në raport me euron.
Gjen se euro në Shqipëri është zhvlerësuar më shumë se në çdo vend tjetër 33 përqind.
Gjen se zhvlerësimi i dytë më i madh i euros është 18 përqind dhe ky është Izraeli me ekonomi 10 herë, 15 herë më e fuqishme se e Shqipërisë.
Zhvlerësimi i tretë është Zvicra me ekonomi trilion.
Ka një zhvlerësim të lehtë me 6 përqind në Meksikë, tek Sinaloa. Në Serbi me dinarin, 6 përqind.
Ka një zhvlerësim euro me dollarin e Singaporit 3 përqind.
Kurse me dy monedha të tjera, përveçse dy që mbetet pa ndryshim euro ka fituar terren.
Për shembull unë u them këtu, me sterlinën ka fituar 1 përqind.
Me dollarin e Hong Kongut ka fituar 5 përqind.
Me koronën norvegjeze ka fituar 17 përqind. Norvegjia vetëm fondin sovran të investimeve e ka 2 triliard euro.
Pra, çfarë kemi këtu?
Kemi transformimin përfundimtar të lekut në narkos.
Dhe sot e tutje nuk do quhet më lek, por do quhet narkos.
Pesë mijë narkos, kjo do jetë monedha e re e Shqipërisë.
Me këtë studim të EUROSTAT, Shqipëria shpallet de facto lavatriçja kryesore e parave të drogës mbi tokë.
Unë u interesova për të parë kursin e këmbimit të pesos në Kolumbi.
Nuk ka pësuar zhvlerësim euro në Kolumbi, as dollari, sepse paraja e madhe vjen në Shqipëri.
Sepse kontejnerët me euro dhe dollarë vijnë me gjemi në Shqipëri.
Pra, midis të gjitha vendeve të cituara apo të kualifikuara si narko-shtete, Shqipëria e Edi Ramës rezulton më narko-shtet se çdo shtet tjetër.
Banka e Shqipërisë, e cila ka përgjegjësitë e veta të padiskutueshme, megjithatë duhet të njohim, ajo ka studiuar se ç’po ndodh me lekun në Shqipëri, dhe çfarë ka gjetur? Betonin e drogës si shkakun kryesor.
Ka gjetur lidhje midis kursit në rënie të euros, dhe kjo është vetëm në vitin 2024, se po të hysh më tej do kishte rënë përtokë në vitin 2026, kursit të euros dhe sipërfaqes së lejeve të ndërtimit. Pra, parave të drogës.
Ky është faktori më kryesor që përcakton këtë rënie katastrofale të euros dhe dollarit.
Këtë goditje shkatërrimtare për ekonominë shqiptare.
Por sot do ndalem vetëm në këtë komponent.
Zhvlerësimi me 33 përqind nga viti 2016, dhe po të shkojmë në vitin 2013, euro ka qenë 1400 fiks, rënia është edhe më e thellë, por po marrim 10-vjeçarin, po marrim vitin 2016.
Urdhëroni se si ka qenë kursi i euros, është dorëzuar me 140 lekë një euro në vitin 2013, ka vazhduar është mbajtur, në vitin 2017 ka filluar rrëzimi gjersa ka rënë përdhe.
Sot është 91-92 lekë.
Të gjithë faturën e kësaj e paguajnë në mënyrën më të dhimbshme qytetarët e thjeshtë shqiptarë.
Të gjithë faturën e kësaj e paguajnë në mënyrën më të dhimbshme fermerët shqiptarë.
E paguajnë në mënyrën më të dhimbshme sipërmarrësit e ndershëm shqiptarë.
I gjithë ky përfitim shkon në kontot e bosëve të drogës dhe qeveritarëve të lidhur me ta.
Ky studim dëshmon edhe njëherë se Shqipëria është lavatriçja numër 1 në botë e parave të drogës.





Unë kam një thirrje për tre institucione: Bankën Botërore, Fondin Monetar, të cilët kanë bërë një investim monetar dhe në knoë-hoë 35-vjeçar në ekonominë e Shqipërisë, dhe tani që shohin të përmbysur të gjithë ato për çka ata kanë subvencionuar dhe qëndruar, duhet të ngrenë zërin e tyre, të ndihmojnë Shqipërinë për të shpëtuar nga kjo tirani drogë që po shkatërron ekonominë shqiptare.
Unë i bëj thirrje Komisionit Evropian, me të cilin Shqipëria ka hapur dhe mbyllur kapituj e kapituj negociatash, të ndalet tek narko-shteti.
Unë e di se ka zëra të cilët e mohojnë, por i garantoj se ata që e mohojnë nuk janë as në të mirën, as në interesin e Komisionit Evropian, Bashkimit Evropian, as të shqiptarëve.
Jo. Sepse pavarësisht nga fjalët, pavarësisht nga shkrimet, raportet, narko-leku është i pamëshirë ndaj ekonomisë dhe ndaj qytetarëve shqiptarë.
Dhe i siguroj që përbën rrezik shumë serioz jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin dhe më gjerë.
Komisioni Evropian është institucion themelor i Bashkimit Evropian.
Ka çdo potencial dhe mundësi të ndalet në një analizë gjakftohtë, të shqyrtojë të dhënat e këtij studimi të EUROSTAT, institutit evropian të statistikave.
Çdo javë e çdo muaj, Shqipëria paguan çmimin e saj, shqiptarët paguajnë çmimin e saj.
Nuk ka armik më të rrezikshëm se armiku që nuk njihet.
Dhe në fakt duhet ta pranojmë, për narko-euron kanë një meritë të veçantë gazetarë dhe publicistë shqiptarë, të cilët kanë analiza të shkëlqyera.
Por për fat të keq nuk ekzistojnë të tilla nga ata që priteshin më shumë se çdokush tjetër.
Berisha u bën thirrje ndërkombëtarëve: Sanksionet ndaj regjimit janë të domosdoshme për të shpëtuar shqiptarët nga kjo situatë jashtëzakonisht e rëndë
Në këtë rast gjithashtu unë u bëj thirrje të gjitha agjencive partnere të vendeve partnere të luftës kundër drogës dhe shpëlarjes së parave: në qoftë se kërkoni rastin më klasik, urdhëroni ku është Shqipëria, në të cilën thyhen qafën dy monedhat më të forta të planetit për shkak të kontejnerëve dhe vagonëve të parave të pista të drogës që hyjnë në ekonominë shqiptare.
I bëj thirrje MONEYVAL-it dhe të gjitha agjencive të tjera, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Seksionit Antidrogë, sirenat më të fuqishme të alarmit për një vend kanë rënë prej kohësh, por duhen dëgjuar.
Shqipëria sot është Guinea-Bissau e Afrikës, e cila u shndërrua në narko-shtetin e parë dhe të vetëm në Afrikë.
Kurse Shqipëria sot është më narko-shtet se çdo narko-shtet tjetër në botë dhe është narko-shteti i parë dhe i vetëm në Europë.
Natyrisht, opozita ka detyrë dhe e ka bërë këtë, ka paralajmëruar që në vitin 2014 se Shqipëria po shndërrohet në Kolumbinë e Europës.
Opozita ka paralajmëruar në vitin 2017 se në Shqipëri po instalohet narko-shteti, u instalua narko-shteti.
Opozita ka arritur me përpjekjet e saj të përfshijë në një seri rezolutash të organizatave ndërkombëtare të partive politike narko-shtetin shqiptar dhe narko-euron si faktor shkatërrimtar. Por, dënimi politik dhe masa të tjera, sanksione ndaj regjimit, janë të domosdoshme për të shpëtuar shqiptarët nga kjo situatë jashtëzakonisht e rëndë.
Sot Edi Rama urdhëroi, pa asnjë bazë ligjore, të përjashtojë kryetarin e grupit të Partisë Demokratike dhe nënkryetarin e komisionit të sigurisë, zotërinjtë Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, dy muaj nga parlamenti.
Armik i egër i parlamentarizmit, i protestës dhe fjalës së lirë, Edi Rama me akte të tilla dëshmon se është një narko-diktator i urryer për shqiptarët.
Dënojmë me forcën më të madhe këtë vendim antiligjor, antikushtetues, kryekëput të pabazë.
Natyrisht, grupi parlamentar do mblidhet të shqyrtojë qëndrimet përkatëse ndaj këtij vendimi.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Marsi Korreshi, SYRI TV: Zoti Berisha, ndërkohë pak muaj para zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë edhe një propozim publik dhe një ftesë drejtuar partive politike për implementimin e votimit elektronik në katër bashki të mëdha të vendit. Cili është qëndrimi i Partisë Demokratike?
Sali Berisha: Asnjë bashki nuk pranojmë ne numërim elektronik, në mënyrë të prerë. Partia Demokratike nuk pranon!
Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme.
Në numërimin elektronik është implikuar direkt dhe shërbimi informativ kombëtar, narko-shërbimi informativ tani.
Janë krijuar servera paralelë, ka patur probleme të mëdha, ne nuk pranojmë asgjë të manipulueshme më në procesin zgjedhor.


