Berisha publikon skandalin: SKAP-i ftoi edhe Bolinon si dëshmitar të rremë në dosjen ‘Partizani’. Rama ka firmosur 4 vendime për grabitjen e tokës së bashku me Bolinon

DEKLARATA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCË ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Ditën e stome në konferencën për shtyp të mbajtur me gazetarët, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha se, Edi Rama ka firmosur 4 vendime të personalizuara për grabitjen e tokës së bashku me Bolinon.

Berisha tha se, me këto vendime, Edi Rama hyn në librin Gines për përdorimin e firmës së vet në 4 vendime për vjedhje të hapur publike së bashku me Karlo Bolinon.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha gjatë konferencës se, SKAP-i ftoi edhe Bolinon si dëshmitar të rremë në dosjen “Partizani”. Në vend që Bolino të marrë atë që meriton, bashkë me Ramën, për grabitjen e hapur të 5 mijë m2 tani ata rrijnë dhe e diskutojnë Bolino me Ramën nëse ishte publike apo private.

Berisha tha se, ne jemi në këmbë, jemi në betejë pa kthim për t’i dhënë reston hajdutit që preku zgjedhjet.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, vendimi i një gjykatëseje të shkarkuar për të marrë pushtetin e parlamentit dhe për t’ia dhënë atë Ramës përbën një puç. Berisha tha se, përmbysja e diktaturës prevalon mbi gjithçka tjetër, grushti i shtetit duhet të anulohet me të gjitha mjetet.

DEKLARATA E PLOTË

Mirëdita, të dashur qytetare dhe qytetarë. Të nderuar gazetarë dhe gazetare.

Së pari, dua të kërkoj ndjesë, sepse për grabitjen e rreth 5000 m tokë nga Rama dhe Bolino, nga tetori i vitit 2019 gjer në korrik të vitit 2020, Edi Rama ka firmosur jo tre vendime, siç kishim paraqitur dy herë më parë në këtë sallë, por ka firmosur katër vendime të personalizuara për grabitjen e tokës së bashku me Bolinon.

Pra, gazetarët kanë gjetur edhe një vendim tjetër që është vendimi 589, datë 22.07.2020 me të cilin Edi Rama ndërhyn përsëri në kontratën para vendimit të parë me Karlo Bolinon.

Me këto vendime Edi Rama hyn në librin Gines për përdorimin e firmës së vet në 4 vendime për vjedhje të hapur publike, së bashku me Karlo Bolinon.

Përveç 4 vendimeve të qeverisë të firmosura nga vetë Edi Rama dhe të personalizuara për Bolinon janë gjetur edhe 3 firma të tjera qeveritare. Njëra e Ramës në lejen e ndërtimit, dhe 2 të znj. Anila Denaj në kontratë dhe lejen e ndërtimit, të gjitha këto për përvetësimin e rreth 5000 m2 tokë nga Bolino, sigurisht për Ramën.

Gazetarët investigativë provuan qartë me dokumente të reja të bëra publike mbrëmë në emisionin ‘Plug’, se si Edi Rama ktheu pushtetin në shërbim të tij dhe mikut të vetë, Bolino.

Unë siç thashë më sipër kisha paraqitur para jush të vërtetën se Edi Rama si kurrë ndonjëherë në jetën e tij kishte firmosur fap e fap, njëri pas tjetrit nga tetori i vitit 2019 gjer në korrik të vitit 2020, 4 vendime të personalizuara për t’i falur Bolinos së tij, natyrisht për të grabitur për vete tokën 4900 m2 që kushtonte së paku 1.2 milionë euro.

Toka prej rreth 5000 m2 që u grabit me 4 vendime të personalizuara qeverie për kompaninë e Bolinos, por de facto Rama-Bolino, të firmosur fap e fap nga Edi Rama, në planin e caktuar të Tiranës ishte e caktuar për gjimnaz për një komunitet prej 60 mijë banorësh që nuk kishte një gjimnaz të tillë.

Me VKM-në e fundit që u paraqit sot, Edi Rama ndryshon VKM-në e datës 06.05.2020, ndryshon përsëri kontratën dhe çfarë shkruan në kontratë, në ndryshimi.

Ndryshimi thotë për rikonstruktim total minimal. Nuk ka njeri që mund ta zbërthejë fjalën “rikonstruktim total minimal”, në një kohë kur me vendimin e parë Rama miraton kontratën në të cilën bëhej fjalë për rikonstruksionin e objekteve. Ishin tre objekte, dhe kontrata me Bolinon ishte rikonstruksioni i tyre.

Ndërkohë, fill dy muaj pas vendimit të parë Rama jep lejen e ndërtimit. Ja ku e keni.

Leja e ndërtimit. Pra kontrata është rikonstruksion, nuk leje rikonstruksioni, është leje ndërtimi, të cilën në gjitha ligjet e vendit e jep bashkia, por për pronën e tij personale me Bolinon e firmos vetë Edi Rama. Dhe habitshëm, e firmos dhe ministrja e familjes znj. Anila Denaj. Ministrja ka firmosur kontratën, por çdo edhe te leja ndërtimit, Rama e di, kush tjetër nuk mund ta dijë që kjo duhet të ishte krejtësisht atributi ligjor i Bashkisë së Tiranës.

Por pas lejes së ndërtimi Rama nxjerr vendimin e 3-të, i cili në kundërshtim me kontratën që ishte për rikonstruksion urdhëron prishjen e objekteve, duke shkelur rëndë nenet e kontratës. Dhe këtë e bën pasi kishte dhënë lejet e ndërtimit, por ajo që është më e veçantë se dy muaj pasi urdhëron prishjen e objekteve me VKM-në e 3-të, me VKM-në e 4-t Edi Rama urdhëron rikonstruksionin total mininal.

Përveç kësaj, ka shkelje tjera të rënda të kontratës. Është shkelur neni 5 pika 13. Mos harroni, kontrata është ligj. Shkelja e kontratës është shkelje ligji, e cila thotë: qeramarrësi duhet duhet që ne momentin e përfundimit të kësaj kontrate të dorëzojë pronën të padëmtuar.”

QIramarrësi së bashku me Edi Ramën të dy së bashku kanë rrafshuar pronën, e kanë zhdukur pronën që morën. Përveç kësaj, ka një shkelje tjetër shumë domethënëse të kontratës. Bolino merr kredi. Kontrata e ndalon që qIramarrësi në asnjë rast nuk mund të rëndojë me barrë pronën objekt të kësaj kotrate. Pra nuk mund të lerë kolateral pronën publike, por Bolino merr kredi te Abi Bank, banka dhe ajo me tentakula të familjes, e dini vetë ju, znj. Rama e plotëfuqishme e bordit të kësaj banke, merr pra sikur ta kishte pronën e vetë private.

Të gjitha këto faktojnë se kemi të bëjmë me një vjedhje të hapur publike.

Por ka edhe një aspekt shumë interesant. Rama burgosi dhe e lë në arrest si kundërshtar politik, Jamarbër Malltezin, i cili nga prona e tij legjitime, ka marrë 408 m2 pa asnjë vendim të personalizuar në një afat kohor 15-vjeçar. Në qoftë se Karlo Bolino do të ishte i birësuar nga familja Begeja, ai do të përfitonte jo më shumë se 408 m2. Por binjakëzimi apo birësimi i tij me Edi Ramën, bën që Bolino të marrë vetëm nga prona e Begejave, se pjesa dërrmuese është e tjerëve, tre herë më shumë se sa Jamarbër Malltezi. Kjo pa qenë as i birësuar, as dhe pronar kurrë as Edi Rama në atë truall.

Mirëpo problemi është se këta kanë SKAP-in, të përbërë nga laro, nga një grup i organizuar kriminal, që ftojnë dhe Bolinon si dëshmitar të rremë në dosjen ‘Partizani’.

Në vend që Bolino të marrë atë që meriton, bashkë me Ramën, për plaçkitjen e hapur të 5 mijë m2 tokë. Tani ata rrijnë dhe e diskutojnë Bolino me Ramën nëse  ishte publike apo private, ju them unë se e sqarova, toka ka qenë e privatëve, një pjesë rreth 1 mijë metra ka qenë e Begejsve, pjesa tjetër e familjeve të tjera, nuk e di se kush janë. Por, familjet kur kanë bërë dokumentet për tokën, u është thënë nga bashkia se kemi në plan të ndërtojmë një gjimnaz. Dhe ato me bujari kanë hequr dorë nga kërkesat për kthimin e pronës dhe aty ka qenë në plan, siç e dini, ndërtimi i një gjimnazi.

Pra, toka e lënë nga familjet për sevap, për të ndërtuar shkollën, plaçkitet nga dy hajdutë, që nuk kanë din e imam dhe plaçkitin edhe vakëfet për t’u pasuruar vetë me to. Kjo është e vërteta që diskutojnë për pronat, se ishin nuk ishin, pronat të paktën të Begejsve janë rreth 1 mijë e sa metër, për tjerët, s’kam pse flas për familje tjera dhe del përsëri se ka marrë nga 1.577.400.000 metër tokë të kthyera dhe të kompensuara, ka marrë 400 metër nga toka e vetë, e gjyshërve, arrestohet dhe burgoset, kurse hajdutët si Rama dhe Bolino kanë marrë nga tokat e familjes së tij 3 herë më shumë tokë dhe gëzojnë 5 mijë metër tokë të plaçkitur me vendime qeverie të turpshme të personalizuara për këtë tokë.

PYETJE-PËRGJIGJET ME GAZETARËT

Osman Stafa, News24: Kam dy pyetje në lidhje me kuvendin e 2 dhjetorit që do të zhvilloni? A ju shkakton ndonjë emocion …

Berisha: A mund të përqendrohemi tek këto zbulimet e reja. Unë mund të të përgjigjem, por dokumentet e reja të cilat pasurojnë dokumentet e një vjedhje që hyn në Guines, për 4 vendime të personalizuara.

-A ju shkakton ndonjë emocion data 2 dhjetor, duke qenë se demokratët, anëtarët e Kuvendit Kombëtar kanë në dorë ose të ju votëbesojnë ose të ju shkarkojnë.

Berisha: Jam besimplotë te demokratët dhe i vendosur të respektoj çdo vendim të tyre…

-Duke qenë se zgjedhjet për kryetar të PD-së, apo zgjedhjet e Bashës, duket se nuk kanë shumë histori, pasi janë një formalitet, ç’ka pritet që edhe Kuvendi i 2 dhjetorit të jetë një formalitet për ju, duke qenë se garat brenda PD, i keni fituar gjithmonë. Që nga 14 maji keni paraqitur me prova, fakte, video atë që ju e cilësoni si vjedhje e zgjedhjeve të 14 majit që është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është Sali Berisha para Kuvendit kombëtar të demokratëve, a do të mbajë përgjegjësi, a do të njohë Sali Berisha përgjegjësi tek vetja, se ndoshta ka edhe ai një pjesë të fajit në humbjen e zgjedhjeve të 14 majit.

Berisha: Për vjedhjen e zgjedhjeve të 14 majit, në kod dhe moral, në ligj dhe moral, mban përgjegjësi vetëm ai që vjedh. Dita e zgjedhjeve nuk është provë force, është ditë integriteti, është garë që bazohet në ligjin e asgjësuar nga Edi Rama. Duke thënë këtë, Sali Berisha mban përgjegjësi për çdo lloj dobësie të shfaqur gjatë fushatës, ditën e zgjedhjeve dhe me radhë. Por për vjedhjen nuk ka askush përgjegjësi pse hajduti vjen dhe vjedh. JO! Përgjegjësinë e ka hajduti dhe ne duhet të mësohemi t’i japim përgjegjësinë atij që e meriton. Dhe ne do ia japim, prandaj jemi në këmbë, jemi në betejë pa kthim, për t’i dhënë reston hajdutit që preku zgjedhjet.

Anisa Kadesha, RTSH: A keni ftesë për deputetët që u janë bashkuar së fundmi?

Berisha: Deputetët janë të ftuar pa përjashtim që të gjithë, por varet nga vendimi i tyre. Nëse nuk vijnë, janë të mirëpritur, nëse vijnë, janë të mirëpritur dhe do vijnë.

Ardit Hoxha, EuroNews: Gjatë ditës së djeshme në dy takime që zhvilluat fillimisht me kryetarët e degëve dhe kryesinë, folët për mosbindje civile dhe u kërkuat kryetarëve të degëve që të identifikojnë pikat nevralgjike dhe të nisin një bllokim. A është ky një paralajmërim dhe një thirrje e Sali Berishës për të prodhuar, ndoshta kaos dhe bllokim e funksionim të ekonomisë normale?

Berisha: Kjo është një thirrje e Sali Berishës për të bërë çdo gjë për të përmbysur bandodiktaturën, narkodiktaturën, e cila ka kaluar në format më ekstreme të uzurpimit të sovranitetit të brendshëm kombëtar. Ka realizuar një grusht shteti të mirëfilltë brenda shtetit dhe këtë grusht shteti nuk e ka bërë për të marrë pushtetin e presidencës, sepse atë e ka në xhep; nuk e ka bërë për të marrë pushtetin e gjyqësorit se ata i ka në kontroll të plotë, këtë gusht shteti e ka bërë për të marrë pushtetin e opozitës dhe parlamentit. Sovraniteti i një vendi, i brendshmi, në të gjithë fjalorët politikë të botës, përcaktohet si fuqia e popullit apo e qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Bllokimi që Edi Rama u bën komisioneve hetimore parlamentare është bllokimi i fuqisë së qytetarëve për të kontrolluar qeverinë e tyre. Ky është përqendrim i të gjitha pushteteve në një dorë, asgjësim i sovranitetit të brendshëm, është mohim i të drejtave bazë kushtetuese të parlamentit dhe marrje e pushtetit të parlamentit. Vendimi i larove të SKAP-it dhe gjykatëses së Edi Ramës tregon një marrje të pushtetit të parlamentit. Nuk është imuniteti atribut personal i deputetëve, imuniteti është atribut që Kushtetuta i jep parlamentit, në mënyrë që në padrejtësi apo në përpjekje për të marrë pushtet, askush të mos cenojë dot funksionimin e tij. Dhe unë këtë e them edhe njëherë, në rastin konkret, vendimi i një gjykatëseje të shkarkuar nga Sali Berisha, por nuk ka rëndësi edhe po të mos jetë shkarkuar, për të marrë pushtetin e parlamentit dhe për t’ia dhënë atë Edi Ramës, përbën një puç të vërtetë dhe krim kushtetues. Ata të cilët, unë e them prapë, nuk ka diskutim që ruaj respektin më të madh për zyrtarët bëjnë detyrën dhe që zbatojnë ligjin, por ata që bëhen avoketër të këtyre akteve antikushtetuese si lakenj të Edi Ramës, ata në mënyrë absolute do të trajtohen si ekstremistë të tij dhe pa asnjë lloj ndryshimi. Pra, jemi në këto kushte. Është bërë një grusht shteti brenda shtetit. Parlamentit i është hequr mundësia e kontrollit parlamentar, atëherë opozita do të qëndrojë absolutisht me të gjitha mjetet dhe të mos ketë kush iluzion për këtë. Sigurisht nuk do ndodhë nesër, por ajo do ndodhë dhe ju garantoj se lëvizja kësaj radhe do jetë nga ato që nuk i ka parë ndonjëherë vendi. Gjithnjë në kuadrin e mosbindjes civile. Përmbysja e diktaturës prevalon mbi gjithçka tjetër. Grushti i shtetit duhet të anulohet me të gjitha mjetet. Grushti i shtetit duhet të anulohet me të gjitha mjetet.

Andon Kello, MCNTV: Ditën e djeshme Greqia paraqiti në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së, deklaratën zyrtare për ngrirjen e negociatave me Shqipërinë, duke vendosur si kusht Fredi Belerin. Kërkesa e Greqisë është e thjeshtë, betimi i tij. Në këto kushtet, kush është duke e penguar rrugën e integrimit Europian të Shqipërisë, hapjen e 5 kapitujve, Beleri i opozitës, gjykata e drejtësisë, apo qeveria e Edi Ramës?

Berisha: Absolutisht vetëm Edi Rama, sepse ligjet e vendit nuk e ndalojnë kurrë Belerin për të bërë betimin. Dhe betimet janë bërë në këtë vend, jo një por disa, pavarësisht se kanë qenë të burgosur. Është Edi Rama që ka marrë pushtetin juridik dhe nuk lejon të betohet. Betimi i Belerit nuk kërkon vendim gjykate, nuk kërkon vendim prokurorie, kërkon urdhër administrativ nga ministri i Drejtësisë që ta shoqërojnë në sallën e mbledhjeve të bashkisë së Himarës ku të bëjë betimin. Është ministria e Drejtësisë, është drejtoria e Përgjithshme e burgjeve, është gjithçka ekzekutive. Për të mos thënë që organet e kontrolluara nga Edi Rama të drejtësisë, kanë pranuar si provë atë që me procedurë penale nuk pranohet si provë. Pra, po e pengon Edi Rama. Nuk po kërkon Greqia asgjë tjetër, veçse zbatimin e ligjeve të vendit. Po e bllokon për qëllimet më mafioze, është i harbuar, i tërbuar pas trojeve në Himarë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale