DEKLARATË PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, ditën e sotme në një deklaratë për media denoncoi atë që ai e cilëson si skandal dhe vjedhen më të madhe të shekullit, vijimin e pagesave për incineratorët që nuk ekzistojnë askund.
Berisha u shpreh ara mediave se, Rama doli para gazetarëve duke rrëfyer ve[prat e tij më të rënda penale, duke filluar me vjedhjen me inceneratorët, për të vijuar më tej dhe me vjedhjen me PPP-të në shëndetësi.
Bersha tha se, Rama po përpiqet me çdo kusht që të fshehë gjurmët e krimit të tij dhe të Erion Veliajt për inceneratorë që nuk gjenden askund, por që flakët e tyre po i përvëlojnë për aferat e tmerrshme në të cilat janë përfshirë.
Vjedhjet me shifra marramëndëse të cilat janë kryer për inceneratorin e Elbasanit, 28 milionë euro, atë të Fierit 40 milionë dhe të Tiranës për 6 vite rresht ku iu vodhi shqiptarëve 130 milionë euro, sipas Berishës, Rama është shprehur se i ka kryer këto gjëra kanë ndodhur për mangësi dhe nevojë.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, djegësi Veliaj ka marrë nga 16 institucione lokale dhe qendrore 224 pagesa me një total prej 65.9 miliardë lekë, apo 65.9 milionë euro, nga të cilat 59.3 miliardë lekë, apo 59.3 milionë euro, djegësi i Veliajt i ka marrë nga Bashkia e Tiranës.
Berisha u theksoi se, pasi kanë vjedhur mbi 200 milionë euro me djegësat, prej të cilëve asnjë nuk ekziston në funksion, Edi Rama po merr një kredi mbi 100 milionë euro, pikërisht për t’u rikthyer aty ku ishin në vitin 2013, te strategjia me landfille, veçim dhe riciklim.
DEKLARATA E PLOTË
Edi Rama, në daljen e tij të fundit publike i faktoi shqiptarëve se ai është autori numër një i vjedhjeve të shekullit, vjedhjes me inceneratorët dhe vjedhjes me PPP-të në fushën e shëndetësisë.
Ai doli të shtunën para gazetarëve për veprat penale më të rënda të djegësve dhe sterilizimit të sekuestruara si vepra krimi, duke vlerësuar krimet e shëmtuara që kanë ndodhur me to thjesht si mangësi në ndërtime.
Konkretisht ai u shpreh: “Gjëra kanë ndodhur, ka patur mangësi dhe nevoja.”
Me mangësi dhe nevoja Edi Rama përpiqet të mbyllë vjedhjen dhe krimin e shëmtuar me djegësin e Elbasanit, me të cilin iu vodhën qyetarëve nga klani i plehrave me në krye vet Ramën 28 milionë euro, dhe tani ka ngelë një rrangall pa funksion, ç’ka dëshmoi qartë djegien e malit të plehrave në Elbasan, pikërisht ditën kur Rama tha se ai ekziston dhe përpjekja e hapur e tij për djegien dhe asgjësimin e kësaj vepre të krimit.
Edi Rama vlerësoi si mangësi dhe nevojë krimin e shëmtuar dhe vjedhjen e 40 milionë eurove me djegësin e Fierit, i cili sipas dokumenteve zyrtare në pranverën e vitit 2021 u njoftua nga pronari në letër i kompanisë Zoto, se djegësi i Fierit ka përfunduar, dhe kërkohej nga Ministria dhe Bashkia në qytetin e Fierit që ta marrin atë në dorëzim.
Të njëjtën gjë mashtruan publikun deputetët socialistë, të cilët gjatë Komisionit Hetimor Parlamentar, bënë një vizitë në qytetin e Fierit dhe thanë se djegësi funksionon. Në fakt, mangësitë e Ramës janë krime të shëmtuara. Djegësi i shpallur funksionues në pranverën e vitit 2021, dhe sot e kësaj dite nuk funksionon, përreth tij është ngritur një mal i tërë plehrash, të cilët Rama me çekistët e vet u përpoq ta digjte ditën e shtunë njëlloj si ato të Elbasanit.
Tani për djegësin e Fierit flitet se aty nevojiten, pasi janë shpenzuar 38 milionë, nevojiten dhe 4 milionë të tjera që mafia e plehrave t’i vjedhë, përvetësojë dhe t’i çojë në kontot bankare dhe shqiptarëve t’i çojnë një rrëngullinë që thuhet se është çmontuar nga Kostanca e Rumanisë si një impiant i viteve ’70.
Edi Rama në apologjinë e vjedhjes më të madhe të shekullit, quajti mangësi dhe nevojë vjedhjen në 6 vite në djegësin e Tiranës të 130 milionë eurove. 128 milionë prej të cilave sipas kontratës duhet të shpenzoheshin për ndërtimin e plotë të djegësit të Tiranës.
Rama dhe Veliaj, janë përgjegjës kryesorë për faktin se janë zhdukur 130 milionë euro dhe gjurmët e djegësit të Tiranës nuk ekzistojnë.
Duhet të informoj qytetarët, se nga data 4 prill të vitit 2018 deri 23 gusht të vitit 2023, djegësi Veliaj ka marrë nga 16 institucione lokale dhe qendrore 224 pagesa me një total prej 65.9 miliardë lekë, apo 65.9 milionë euro, nga të cilat 59.3 miliardë lekë, apo 59.3 milionë euro, djegësi i Veliajt i ka marrë nga Bashkia e Tiranës.
Por djegësi Veliaj, për të cilin nuk ekzistojnë gjurmë mbi tokë, përveç 65 milionë euro që ka marrë nga fondet publike të 16 institucioneve vendore dhe qendrore, me një vendim anti-ligjor të Erion Veliajt, ka marrë dhe 65 milionë euro të tjera nga komanitë private të cilat janë detyruar me polici që çdo kuintal dhe, apo inerte ta depozitojnë në fushën e Sharrës minierën e floririt të Edi Ramës.
Më sipër theksova se janë 16 institucione, të cilat i kanë përcëlluar flakët e djegësit të Tiranës që nuk ekziston. Kështu, përveç bashkive të qarkut, për kompaninë de facto Rama dhe Veliaj, kanë paguar edhe institucionet që vijojnë kanë paguar edhe Ministria e Kulturës, disa transaksione Gjykata e Lartë, disa transaksione, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, disa transaksione, Drejtoria e Policisë së Shtetit, edhe ajo është përfshirë nga flakët e djegësit Veliaj. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qendra e Formimit Profesional. Nuk mund të mbetej pa u përfshirë edhe INUK-u i famshëm, dhe kurrsesi Mirlinda e AKSHI-t, apo Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, Spitali Distrofik, etj.
Në këtë rast, ftoj çdo qytetar shqiptar të shtrojë pyetjen: kush mund t’i vinte 10 institucione qendrore përveç Edi Ramës në flakët e djegësit të Erion Veliajt? A ka shqiptar që mund të besojë se këtë fuqi magjike e kishte një hajdut ordiner me emrin, Klodian Zoto. Kurrë, jo. Përveç SKAP-it të partisë dhe mediave të qeverisë, këtë mashtrim të paskrupullt nuk e beson njeri.
Ndaj edhe, në këto kushte, mbetet vetëm fjala e qytetarëve shqiptarë.
Duhet doemos që ata të ngrihen në mbrojtje të pasurive të tyre publike, të ngrihen kundër kupolës së mafies së rrezikshme të plehrave, të kryesuar nga Edi Rama.
Asnjë njeri nuk duhet të ketë iluzionin më të vogël se SKAP-i i partisë është totalisht jashtë çdo lloj mundësie që të kafshojë krerët e partisë të zhytur deri në vesh në aferën e djegësave.
Në këtë kontekst, do ishte e pafalshme për qytetarët, që detyrat që do të përmbushin vet ndaj zgjidhjes përfundimtare të kësaj afere, ta kërkojnë nga institucionet e kapura këmbë e kokë nga Edi Rama.
Gjithashtu, me këtë rast dua të informoj se pasi kanë vjedhur mbi 200 milionë euro me djegësat, prej të cilëve asnjë nuk ekziston në funksion, Edi Rama po merr një kredi mbi 100 milionë euro, pikërisht për t’u rikthyer aty ku ishin në vitin 2013, te strategjia me landfille, veçim dhe riciklim.
Kur mediat publikuan këtë lajm, si një gënjeshtar ordiner, Edi Rama e quajti akt i një të marri, publikimin. Por dokumentet faktojnë se kjo është një e vërtetë, dhe ne do njohim publikun me dokumentet që provojnë, se pasi kanë vjedhur 200 milionë euro me djegësat, dhe kanë kanë zhdukur paratë, dhe tani detyrohen të kthehen te ajo strategji, të cilin qeveria e mëparshme e hartoi me 4 milionë euro mbështetje nga Komisioni Europian, dhe që Edi Rama e dogji në mënyrë anti-ligjore me djegësat e tij që nuk ekzistojnë.
Dhe në këtë rast, iu bëj thirrje qytetarëve që të ngrihemi ndaj këtij njeriu që nuk njeh normë, kufi, ligj, moral dhe nuk ndalet para asgjëje, para vjedhjeve të përsëritura të pasurive të tyre.
Faleminderit!