Berisha publikon shifrat: Shqiptarëve po u bëhet plaçkitja më e madhe me çmimet e naftës! Për 1 litër naftë paguajnë 1.1 euro taksa

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në konferencën e mbajtur me gazetarët ditën e stome, ka denoncuar çmimet e larta të naftës dhe taksat e shumta që shteti shqiptar vendos mbi të, duke i cilësuar ato si “plaçkitje” për qytetarët. Berisha theksoi se shqiptarët paguajnë 1.1 euro taksa për çdo litër naftë, një shumë shumë më e lartë se në shtetet me të ardhura më të larta si Luksemburgu dhe Maqedonia e Veriut. Berisha renditi taksat që përbëjnë këtë çmim, përfshirë akcizën dhe taksat e qarkullimit, dhe vuri në dukje ndikimin e këtyre çmimeve të larta në jetesën e qytetarëve dhe çmimet e produkteve të tjera.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi qeverinë për çmimet e larta të naftës dhe ka përmendur kontrabandën qeveritare të karburanteve si një shkak tjetër të rritjes së çmimit. Ai theksoi se kontrabanda e naftës është e mundur vetëm me mbështetje dhe pjesëmarrje të qeveritarëve, duke nxjerrë të dhëna që tregojnë se Shqipëria ka një prodhim të naftës më të ulët se sa Kosova, e cila zhdoganon më shumë naftë pa prodhim vendas.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se në vitin 2013, Shqipëria zhdoganohej 700 mijë ton naftë me 480 mijë automjete, ndërsa tani, me dyfishin e automjeteve, zhdogon vetëm 630 mijë ton naftë. Ai e cilësoi këtë si një abuzim të madh qeveritar dhe një formë të “kontrabandës qeveritare” që ndikon direkt në çmimin stratosferik të naftës.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka premtuar se do të përgjysmohet ngarkesa fiskale mbi naftën në Shqipëri dhe çmimet do të ulen, duke i afruar ato me ato të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Ai tha se nafta nuk do të shitet kurrë më me një variacion çmimi më shumë se 10% krahasuar me këto dy vende. Berisha shpjegoi se Kosova merr naftë nga Durrësi dhe e shitet 40% më lirë, dhe se kjo “vjedhje” do të marrë fund. Berisha theksoi se do të ketë një rënie drastike të taksave mbi naftën, duke e vendosur Shqipërinë në nivele më të ulëta ngarkesash krahasuar me rajonin, dhe ka premtuar se kjo do të jetë pjesë e paketës së tij të 100 ditëve për të ndihmuar qytetarët shqiptarë.

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka premtuar se qeveria do të ulë çmimet dhe do të krijojë një “kartë konsumatori” për të rimbursuar TVSH-në e ushqimeve dhe produkteve bazë. Ai theksoi se kjo do të përkthehej në shtesë për pensionistët dhe ndihmë për qytetarët. Berisha kritikoi qeverinë për heqjen e subvencioneve dhe rritjen e taksave ndaj fermerëve, duke shkaktuar rënien e blegtorisë dhe prodhimit vendas. Ai premtoi rikthimin e politikave për mbështetje të prodhimit të brendshëm dhe uljen e varësisë nga importet.

Kryetari i PD, Sali Berisha prezantoi programin e 100 ditëve të para të PD-së, duke theksuar se do të përqendrohet në çështje emergjente si pensionet, minimumi jetik, rroga minimale, nafta dhe karta e konsumatorit. Ai premtoi rritje të menjëhershme të pensioneve dhe ndihmave sociale, duke siguruar 200 euro për ata që marrin pensione të ulëta. Berisha theksoi se do të synohet të vendoset Shqipëria në krye të rajonit për paga dhe pensione, dhe kritikuoi qeverinë aktuale për vjedhjen dhe mungesën e transparencës. Programi i plotë do të publikohet në shkurt.

Kryedemokrati, Sali Berisha premtoi se shteti do të marrë përsipër pagesën për fëmijën e tretë, duke mbuluar të gjitha shpenzimet e tij nga lindja deri në 23 vjeç. Ai tha se kjo masë do të jetë në përputhje me të ardhurat e familjes dhe ka efekt pozitiv në rritjen e natalitetit. Berisha theksoi se kjo është një nga mënyrat për të përballuar shpopullimin e Shqipërisë dhe për të ndihmuar në rikthimin e emigrantëve. Berisha kritikoi qeverinë aktuale për pasojat e shpopullimit dhe situatën e krijuar në vend.

Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Pandeli Majkon si “kriminel elektoral” në Kukës, duke thënë se ai ishte përgjuar me vendim gjykate për lidhje me trafikantë droge dhe armësh. Berisha përmendi një rast ku Majko është regjistruar duke bërë pazare për blerjen e votave dhe përdorimin e parave për të ndihmuar në fushata elektorale. Ai e lidh këtë me korrupsionin dhe përfshirjen e Majkos në aktivitete kriminale, duke kritikuar gjithashtu dështimin e oficerëve të ligjit në trajtimin e këtyre veprimeve.

Berisha shprehu optimizëm për mbështetjen e shqiptarëve jashtë vendit, duke thënë se ata mezi presin të votojnë për të hequr qeverinë aktuale, që ai e akuzon si një “diktaturë droge.” Ai theksoi takimet e organizuara nga Partia Demokratike në vende si Itali, Greqi, SHBA dhe Britani, ku atmosfera ishte shumë pozitive, edhe pse nuk ishin zhvilluar në salla luksoze, për shkak të mundësive modeste financiare.

FJALA E PLOTË

Sot jam para shqiptarëve dhe para jush për të denoncuar publikisht plaçkitjen e madhe që u bëhet shqiptarëve në çdo litër naftë dhe për të paraqitur alternativën e PD-së.

Në vitin 2013, nafta në bursë ka qenë 97 cent, në Shqipëri është shitur me 140 lekë, në përputhje me kursin. Kurse me 7 prill të viteve më parë, nafta në bursë ka qenë 97.2 cent, në Shqipëri është shitur me 2.2 euro.

Në mars të po këtij viti që citoj, nafta në Maqedoni shitej me 1.3 euro. Në Slloveni, që ka të ardhurat disa herë më të larta, shitej me 1.4, kurse Austria me 1.35 naftën.

Nafta në Luksemburg, që ka të ardhurat mbi 100 mijë euro për banor, shitet 1.1 euro atë vit. Në Shqipëri shitej po atë ditë, 2 euro e 6 cent.

Nafta, se kam marrë disa raste që të nxirret një mesatare, në Shqipëri shitej me 239 lekë, në bursë ajo shitej me 1 gjer 1.8 dollarë. Kurse në SHBA, atë ditë nafta shitej 0.8 dollarë, pra pothuajse tre herë më lirë se në Shqipëri.

Janë vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.

Kjo taksë e tmerrshme mbi shqiptarët shënon një grabitje të tyre të pamëshirë dhe vendos shqiptarët, njerëzit me rrogat më të ulëta në Europë, përballë çmimeve më të lartë në botë të naftës, më të larta se Singapori që i ka të ardhurat 80 mijë dollarë për frymë, më të larta se Luksemburgu që kryeson shpeshherë edhe botën për të ardhura për frymë.

Çfarë ndodh? Pse kjo?

Sepse nafta jo vetëm peshon në buxhetin e të gjithë atyre që kanë automjete dhe ata sot janë qindra mijëra, por peshon në çmimin e të gjitha produkteve që kërkojnë transport, dhe çdo produkt kërkon transport.

Pra, gjobën e naftës e paguajnë jo vetëm ata që kanë automjete, por edhe ata nuk kanë automjete, sepse kanë një përqindje të fortë, 15-20 përqind në çmim transporti i mallrave.

Pse këto çmime?

Dy janë faktorët më madhorë. Unë kam bërë një analizë që i duhet PD për të bazuar alternativën e saj sepse kjo do marrë fund 100 ditët e para të qeverisjes së saj. Ky qëndrim hyn në paketën 100-ditëshe.

Kjo tabelë tregon se Shqipëria është në krye, jo të gjitha taksat i tregon kjo kollonë, por tregon se është 0.60 për litër në Shqipëri dhe është vetëm 0.26 euro për litër në Maqedoninë e Veriut.

Janë pra në Shqipëri 3 herë më të larta se në Maqedoninë e Veriut. Janë dy herë më të larta se në Bosnje, janë dy herë më të larta se në Kosovë.

Për të zbërthyer tani të vërtetën e taksave që u merren shqiptarëve nëpërmjet naftës, kam tabelën e mëposhtme, të cilën po e lexoj.

Akciza: 38 lekë për litër.

Taksa e qarkullimit, e cila në vitin 2013 ka qenë 7 lekë, është sot 27 lekë.

Taksa e karbonit: 3 lekë.

Taksa e rilicencimit, se këta i ndajnë me lote: 7-10 lekë.

Markimi dhe skanimi: 3 lekë.

Kontrolli i pompave: 2 lekë.

Tvsh: 30 lekë.

Në total 1.130 lekë.

d.m.th secili shqiptar që blen një litër naftë, i paguan qeverisë për këtë litër nafte në mënyrën më kriminale 1 euro e 13 cent, që nuk ndodh në asnjë vend të botës.

Natyrisht ky tatim i qytetarëve për çdo litër nafte 1.1 euro është unik, nuk ekziston në asnjë vend përveçse në Shqipëri dhe në mënyrë të padiskutueshme kjo ka ndikim të fuqishëm në çmimin e naftës.

Pra, është qeveria me absurditetin dhe pangopshmërinë e saj që ndikon në këtë çmim, në parimin se ata që kanë makina, kanë edhe para për të blerë.

Po se kjo ndikon te të gjithë qytetarët në çmimet e mallrave që blejnë, kjo ka pak rëndësi për ta.

Por edhe ata që kanë makina, pjesa dërrmuse e tyre janë të mesëm dhe poshtë në të ardhurat që kanë.

Dhe është një qëndrim totalisht i vjetër, anakronik. Për vete shëtit me ‘Ismailin’, 21 milionë euro me 140 fluturime, kurse shqiptarët, thotë, makinat nuk duhet t’i përdorin ose le të bëjnë ç’të duan.

Por a është vetëm kjo shkaku i këtij çmimi stratosferik? Jo, nuk është vetëm kjo. Cila është tjetër? Kontrabanda qeveritare e naftës.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, nafta nuk mund të kontrabandohet pa bekimin direkt të qeveritarëve dhe pjesëmarrjes së tyre.

Po nga dalin të dhënat për këtë kontrabandë?

Shqipëria kishte në vitin 2024, 868 mijë automjete.

Kosova ka gjithsej 445 mijë automjete, pra pothuajse gjysëm për gjysëm më pak.

Por Kosova, me gjysmën e automjeteve të Shqipërisë, e cila nuk nxjerr asnjë ton naftë, zhdoganon 630 mijë ton naftë, kundrejt Shqipërisë me 550 mijë ton naftë.

Po, janë të dhëna zyrtare këto.

Urdhëroni se çfarë ndodh, gjykojeni vetë, në një kohë kur Shqipëria prodhon rreth 1 milion ton naftë, Kosova nuk prodhon asnjë litër. Maqedonia nuk prodhon asnjë litër, por cmimet atje janë të paktën 40 përqind më të ulëta se në Shqipëri.

Besoj se paraqitëm këtu disa të dhëna të abuzimit qeveritar të tmerrshëm me naftën.

Pra, për t’u theksuar, Shqipëria në vitin 2013 me 480 mijë automjete, zhdoganonte 700 mijë ton naftë. Kurse Shqipëria sot me dyfishin e automjeteve, zhdoganon 630 mijë ton naftë.

Nafta, siç e shihni, është ari i zi me të cilin qeveritarët dhe kontrabandistët vjedhin më shumë se me çdo gjë.

Tani, edhe njëherë e them, kontrabanda e naftës është kontrabandë qeveritare. Transportohet me tren ose anije.

Në vitin 2013, kishte 30 kompani të licencuara për naftën, sot janë reduktuar në 5 kompani.

Tani, ku qëndrojmë ne?

Cili është zotimi ynë?

Zotimi ynë është ky, në territorin e Republikës së Shqipërisë, nafta nuk do mund të shitet kurrë me variacion çmimi plus-minus 10 përqind me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, vende që nuk prodhojnë një litër naftë.

Kosova naftën e merr kryesisht nga Durrësi. Pra nafta nga Durrësi shkon në Prishtinë, transportohet dhe shitet 40 përqind më lirë. Merr fund kjo vjedhje e tmerrshme mbi shqiptarët.

Qeveria nuk ndërhyn në çmime, por qeveria nuk toleron kurrë spekulime.

Sikundër garantoj shqiptarët se ngarkesa fiskale mbi naftën, që është mbi qytetarët, do të njohë një rënie drastike. Do të përgjysmohet.

Nafta është energji dhe energjia është zhvillim.

Ndaj dhe kjo ngarkesë do të zbresë në nivelin e ngarkesave më të ulëta në rajon, në mënyrë që nafta në Shqipëri të zbresë në nivelet e ulëta, se ka vende në rajon që e kanë më të larta se Maqedonia dhe Kosova.

Këto dy vende do merren modeli i çmimit të naftës.

Do jetë kjo paketë e 100 ditëve, pjesë e paketës me të cilën ne synojmë t’u dëshmojmë shqiptarët se të ardhurat e tyre po rishpërndahen në një mënyrë më të ndershme dhe se do jenë ata përfitues kryesorë.

PYETJE-PËRGJIGJE

Isa Myzyraj, Ora News: Herë pas here ju keni paraqitur në konferenca për shtyp, paketa dhe idetë e PD me të cilët do të shkojë në zgjedhjet e 11 majit. Kur jemi 4 muaj para zgjedhjeve, kemi vetëm konferencat tuaja për shtyp, nuk kemi ende një program për qytetarët. Këto premtime a i konsultoni dhe me lidershipin e PD. Nëse unë marr në intervistë një drejtues të PD, do ma thotë këtë, apo nuk e di fare çfarë do të ndodhë me naftën?

Berisha: Dy momente. Së pari nuk përfaqësojnë programin e plotë, por programin e 100 ditëve të para të PD. Programi i plotë është pothuajse në përfundim. Me think-tanket tona, departamentet dhe think-tanke ndërkombëtare dhe do të paraqitet para jush gjatë muajit shkurt. Muaji shkurt është muaji i paraqitjes së dorëzimit të librit dhe programit të PD.

Natyrisht programi trajton të gjithë problematikat e Shqipërisë dhe zgjidhjes së tyre.

Por janë disa çështje sirenat e të cilave ulërijnë në të gjithë Shqipërinë dhe këto kemi vendosur ti kemi në paketën e 100 ditëve. Është lehtë tu thuash shqiptarëve se do të ketë një ndryshim imediat për mirë, dhe nga një anë të duket se kjo është si një premtim bosh. Jo nuk është bosh. Janë pensionet, minimumi jetik, rroga minimale, rroga mesatare, nafta, karta e konsumatorit.

Këta janë emergjencë dhe qytetari shqiptar 3 muaj pas ardhjes në pushtet të PD-së, do të marrë frymë më lirshëm nga gjendja e tij ekonomike.

Unë mund të ju them vetëm një gjë. A e dini ju se nga 505 mijë pensione pleqërie në Shqipëri, vetëm 241 mijë janë të plota, janë 170 mijë lekë. E kuptoni. 55-58% e tyre janë jo të plota, janë drejt hiçit.

200 euro për çdo shqiptar dhe mbi atë bazë nisin llogaritë e tjera. Ai që merr pension sot 120 euro, ai do të marrë 200 euro. Ai që merr pension 170 euro, do marrë 200 euro. Ai që merr ndihmë ekonomike, 60 euro apo sa e merr do marrë 200 euro. Ai që merr pension invalidi nën 200 euro, do marrë 200 euro.

Kjo nuk mjafton, është vetëm hapi i parë. Objektivi absolut dalja në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet. Pse do marrë pensionisti malazez 450 mijë lekë. Çfarë ka ai që të marrë 450 mijë lekë pension? Ka një qeveri që nuk vjedh si kjo.

Ka një kryeministër që nuk blen instilacione dhe del në kullën e fildishtë për të uruar vitin e ri.

Po normal, do transformohet, do të jetë një program transformues.

Osman Stafa, News24: Malësia e Gjakovës, Kukësi, pazarin, naftën, i marrin në Kosovë. Përdorin dhe spitalet e Kosovës për nevojat e tyre. Sikundër më pas është Librazhdi, Përrenjasi, Pogradeci shkojnë në Maqedoni për ushqime dhe naftë. Korça shfrytëzon Greqinë. Ju folët sot për naftën, përsa i takon ushqimeve a ka PD një plan duke qenë se, edhe çmimet  e ushqimeve, se ju flisni për rritje pagash, pensionesh etj. Po të shkojë 200 euro, të bësh një shportë prap nuk kalon më shumë se 2 javë. Sikundër ju thoni për naftën, a do të vlejë kjo edhe për çmimin e ushqimeve.

Berisha: Pa asnjë diskutim që do ketë dhe kjo do jetë karta e konsumatorit.

Të gjitha këto kategori do rimbursohen për TVSH-në e ushqimeve dhe produkteve të tjera bazë të jetës.

Dhe kjo e llogaritur nga ekspertët për pensionet është e barabartë me pensionin e tre muajve, pra është shtesë tre pensione.

Pastaj qeveria do punojë që çmimet të vijnë në ulje.

Ka publikuar këto javë EUROSTAT një studim shumë interesant. Çfarë tregon? Tregon se në vitet 2009-2013, çmimet në Shqipëri të ushqimeve dhe produkteve bazë uleshin. Po pse ranë? Sepse u shtuan në mënyrë të fuqishme numri i krerëve të lopëve të racës. Vetëm Myzeqeja numëronte 35 mijë krerë.

Këta hoqën çdo subvencion, rritën doganat për kimikatet dhe dengu i barit arriti me atë çmim, sa prodhimi i qumështit të lopës nuk e kompensonte dhe fermerët u detyruan të therin masivisht gjedhët dhe të imëtat.

Dhe sot në krahasim me vitin 2013, blegtoria është më shumë se përgjysmuar.

Përsëri ne rikthehemi të paguajmë për çdo kokë dhe çdo prodhim. Dhe siç ndodhi ato vitet që u rritën, do rikthehet përsëri. Kjo uli çmimet, kjo hoqi qumështin pluhur që tani vjen nga Serbia dhe shqiptarët hanë djathë me qumësht pluhur, përkundrazi eksportohej qumësht, sidomos nga zonat e jugut për në Greqi.

Osman Stafa, News24: Aktualisht Shqipëria trajton me rreth 100 mijë lekë të vjetra rreth 1 mijë fëmijë jetimë. Statusi i fëmijëve jetim jepet vetëm për ata që nuk kanë as nënë e as baba. Ndërkohë janë rreth 26 mijë fëmijë të tjerë që nuk kanë njërin nga prindërit. Këta trajtohen me ndihma 25, 17, 11 mijë lekë. Nuk e di si mundet një nënë me dy fëmijë të vegjël se si mund të kalojë muajin. A ka PD një strategji për këtë kategori të lënë në harresë.

Berisha: Pa diskutim që do vendosim së pari shpërblimin për çdo fëmijë. Ky shpërblim do jetë në proporcion me të ardhurat e familjes.

Së dyti, nuk mund të them me paketën e parë, por për qëllime strikt demografike, shteti do marrë përsipër pagesën për fëmijën e tretë, të plotë nga lindja gjer 23 vjeç me çdo lloj shpenzimi.

Dhe kjo është faktuar që jep efekte.

Vendet që e kanë vendosur këtë praktikë, dhe në qoftë se ka një vend në Europë që e ka jetike këtë praktikë sot me këtë zbrazje të tmerrshme që i krijuan vendit, është Shqipëria.

Fëmija i tretë i paguar nga shteti është një nga rrugët, përveç rikthimit të emigracionit, një nga rrugët e domosdoshme për ripopullimin e Shqipërisë.

Shqipëria po shpopullohet, po ikin të gjithë, po mbesin trafikantë dhe hajdutë me Edi Ramën në krye.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Do të ndalem tek denoncimi juaj i sotëm se para zgjedhjeve të 2021, se si janë përdorur bandat nga PS. Çfarë garancish keni ju që me personazhe të tjerë të botës së krimit, Edi Rama nuk po përdor të njëjtin skenar edhe para zgjedhjeve të 2025.

Berisha: Edi Rama do të përdorë të njëjtat mjete. Ju i shifni se ç’po ndodh në Shkodër. Vrasje pas vrasje vetëm për mandatin e Edi Ramës në Shkodër. Policia iku thotë në drejtim të paditur, ju garantoj se çdo vrasje në Shkodër, ka mbështetjen e policisë.

Takimet në Dubai kanë pasur vetëm këtë qëllim. Ju e patë se çfarë dokumenti paraqita para jush sot, por a ka një ndryshim sot. Ka një ndryshim të madh. Ky ndryshim qëndron në tre rezoluta ndërkombëtare që e damkosin shtetin shqiptar si ndërmarrje të përbashkët mes pushtetit dhe krimit. Të gjitha këto na bëjnë ne që të vazhdojmë të sigurtë në betejën tonë, kundër kësaj narkodiktatura.

Qeveria do ti përdorë këtë, Rama nuk heq dorë, është në grahmat e fundit. E pranoi para 4 ditësh. E kam përdorur atë, por e ka përdorur Taulanti më shumë. E kam përdorë tha, por të tjerët e kanë përdorur më shumë këtë Sky Ecc, Enchrochat, Matrix etj.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Për votën e diasporës, do të nisë regjistrimi i emigrantëve në 11 janar. Sa besim keni te institucionet aktuale se do të ruajnë paprekshmërinë e votës.

Berisha: Institucionet aktuale po bëjnë gjithçka për të kontrolluar atë votë. Ne po bëjmë gjithçka që ata të mos e kontrollojnë dot atë votë. Kjo është e vërteta. Ata kanë tregu anësi të paimagjinueshme për të kontrolluar votën e emigrantëve.

Por ne kemi qëndruar fort dhe kemi hedhur poshtë çdo përpjekje që ata bëjnë për kontrollin e votës së emigrantëve. Procesi është në vazhdim, ne po e ndjekim, se nuk ka përfunduar akoma.

Ne e ndjekim sepse Edi Rama e sigurtë është e për karrigen e tij është i aftë të marrë çdo vendim.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Dy javë më parë prezantuar një platformë për votën e diasporës ku i bëtë thirrje emigrantëve të regjistrohen në portalin e PD, për të treguar dhe mbështetjen për forcën që ju drejtoni. Sa emigrantë janë regjistruar deri tani. Një pyetje përsa i përket lëvizjeve brenda PS. Pandeli Majko është larguar si drejtues politik i qarkut të Kukësit dhe është sjellë në Tiranë, ndërkohë që në Kukës është dërguar Eduart Shalsi.

Berisha: Pandeli Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës.

Pandeli Majko është i regjistruar në tavolinë me regjistrues, të vendosur me vendim gjykate nga Shërbimi Informativ Kombëtar, jo për Pandeli Majkon, por për trafikantë droge dhe armësh që mblidheshin aty.

At shkon dhe bie zoti Pandeli. Dhe aty, është shumë e vërtetë, dosja është edhe tek ata, është edhe tek unë, aty shkon Pandeliu me këtë Alban Çelën dhe drejtorin e OSHEE të Kukësit dhe fillojnë.

I thotë atij drejtorit, ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale dhe do i marrësh në një kompani këtu buzë Erzenit. Ato kushtonin nja 40 deri në 60 mijë euro. Por i thotë, do faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 do i dërgohen Tropojës për të blerë vota, 200 mijë do dërgohen në Durrës, të tjerat do përdoren në Kukës.

Oficeri, i cili ishte në detyrë për të hedhur në çark trafikantët, habitet.

Përveç kësaj, në bisedë aty, përfaqësuesit e Hasit kërkojnë armë, sepse Miftar Dautin, thonë ata, nuk e mundim dot. Kandidatin tonë, është reale çdo gjë.

Tani ky oficer, njeri i përgjegjshëm, njeri i ligjit, e merr regjistrimin, përgatit dosjen dhe shkon e dorëzon në Skap. Po, dokument zyrtar.

Vlora që vodhi arkivën sekrete të shërbimit të Kosovës dhe e çoi aty ku e çoi, ajo e di, dyshime shumë të forta se e çoi në Beograd, refuzon ta presë oficerin.

Dhe oficeri mbetet jashtë shërbimi, kishte kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën dhe sot nuk e di ku është.

Pra, ky është Majko.

Majko shkoi përsëri në vendin e krimit, por duket se e kanë parë që atje nuk e pëlqejnë dhe e kanë sjellë në Tiranë, po sjell gjysmën e ministrave të tij në Tiranë se qytetarët e Tiranës kanë një revoltë të jashtëzakonshme me Lal Vjedhësin, njeriun më të shpifur që ka pasur ndonjëherë Tirana si kryetar bashkie.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Po për votën e diasporës…

Berisha: Për votën e diasporës, nuk kam statistika.

Por çfarë kemi bërë ne?

Ne kemi organizuar një seri takimesh në Itali, Greqi, SHBA, Britaninë e Madhe.

Dhe ne vazhdojmë takimet, natyrisht jo në salla luksoze sepse, thashë ne nuk kemi, me të ardhurat tona modeste, por atmosfera është e shkëlqyer.

Kemi një atmosferë jashtëzakonisht optimiste nga shqiptarët jashtë vendit që mezi presin të firmosin me votën e tyre rrëzimin e kësaj diktature droge.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale