Berisha publikon faktin tronditës: Rama hakeroi sistemet e SPAK, kërkuan informacion për arrestimin e Engjëll Agaçit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë konferencës me gazetarët ditën e sotme, akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama si organizatorin dhe urdhëruesin e hakerimit të sistemit të SPAK-ut, duke e cilësuar këtë ngjarje si një nga krimet më të rënda ndaj drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Berisha publikoi një dokumentin tronditës ku përmendet emri i Ramës si përfitues i drejtpërdrejtë i të dhënave të siguruara nga ndërhyrja e paautorizuar në sistemet e prokurorisë speciale.

Sipas Berishës, nga komunikimet e përfshira në dosjen hetimore rezulton se personi i dyshuar për hakerimin kishte kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin dhe synonte t’i dërgonte atij dokumente sekrete të hetimeve të SPAK-ut. Ai deklaroi se kjo dëshmon implikimin e drejtpërdrejtë të Ramës dhe e cilësoi atë si “kreun e organizatës kriminale të ekzekutivit shqiptar”.

Lideri democrat, Sali Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë për të mbrojtur ligjin dhe Kushtetutën. Ai e dënoi me ashpërsinë më të madhe përpjekjen për të vjedhur dhe kontrolluar dosjet e hetimeve, me qëllim manipulimin e drejtësisë.

Në sesionin pyetje-përgjigjeve, Berisha deklaroi se çdo deklaratë apo nismë e Ramës, përfshirë reformat zgjedhore dhe territoriale, është e pavlefshme për sa kohë ai nuk largohet nga pushteti. Kryedemokrati theksoi se kryeministri është i përfshirë në një seri veprash kriminale që, sipas opozitës, janë të dokumentuara në disa dosje hetimore.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masën e arrestit ndaj tij, Berisha e cilësoi atë politik dhe të motivuar nga urdhra, duke akuzuar sistemin e drejtësisë si të kapur nga qeveria. Ai tha se ndaj tij nuk ekzistojnë prova të reja dhe se emri i tij nuk përmendet në asnjë nga dokumentet e paraqitura nga SPAK.

Sa i përket situatës parlamentare, Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se Kuvendi është de facto i kontrolluar nga qeveria dhe se Partia Demokratike do të vendosë për qëndrimin e saj në seancat e ardhshme, duke paralajmëruar protesta si reagim qytetar ndaj qeverisë Rama.

FJALA E PLOTË

Sot, para jush dhe shqiptarëve, paraqes faktin tronditës, paraqes dokumentin që dëshmon se kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, njëheraz padrino i të gjithë mafies shqiptare, është autori i vërtetë që ka organizuar dhe urdhëruar hakerimin e SPAK-ut dhe dosjeve në SPAK.

Ju lutem, dëgjojeni.

Përshëndetje Doktor.

Një informacion të veçantë. Tek dosja e hakerimit të sistemit të SPAK-ut, hakeruesi përmend emrin e Ramës si personi që mund të ketë urdhëruar hakerimin.

Pjesë nga dosja:

Me datën 12 shkurt 2025, ora 21.17, Arnold Rrokaj i dërgon Zambak Gjonit një foto që duket si faqe interneti nga e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK-ut.

Më pas ai i dërgon një SMS me përmbajtjen ‘ah mos e hapsha dot’. Më tej Arnold Rrokaj i dërgon sërish një SMS Zambak Gjonit, ‘se do t’i shkruaj Rramës dhe hajt t’ua bëjmë robt’.

Pra, Arnold Rrokaj e kishte numrin e Ramës.

Dhe Arnold Rrokaj sapo të hapte faqen, do i dërgonte Ramës të dhënat e faqes, hajt t’u bëjmë këtë dhe atë, me gjuhën e Lubisë, se këtë gjuhë kishin ata me njëri-tjetrin, jo pallosh e kështu e ashtu.

Nga përmbajtja e këtij komunikimi, krijohet bindje e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK-ut, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së tyre tek persona të tretë.

Duke ia dërguar Ramës dokumentet, atij do ia dërgoj, thotë.

Në vijim, me datën 21 shkurt, pra 10 ditë më vonë, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi.

Pra, Engjëll Agaçit i kishte urdhër-arresti nga Antimafia Italiane apo shkaqe të tjera.

Arnoldi shprehet: Ja ta shikoj njëherë, po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka, nga këta që kam unë, nuk e ka njeri.

Se këta i paskan pasur të ndarë prokurorët se cilët do të hakerojnë.

Pra, besoj se edhe unë e kam denoncuar pa pasur asnjë dokument, dhe u kam deklaruar këtu se përfitues nga hakerimi ka qenë Edi Rama, një gjykatës, Ergys Agasi dhe e kam listën aty se kush kanë qenë porositësit e tyre.

Tani del fakt, nuk ka asnjë rëndësi, se Arnold Rrokaj do t’i raportonte direkt Ramës.

Pra kishte numrin e kryeministrit dhe do i jepte sihariqin e parë atij për faqet që kishin hakeruar.

Ky përbën një nga krimet më të shëmtuara dhe më të rënda.

Ky është implikim madhor i Edi Ramës dhe unë kërkoj dorëheqjen e tij urgjente.

Të dashur qytetare dhe qytetarë, shikoni pra se si kreu i organizatës kriminale të ekzekutivit shqiptar kërkonte të vidhte dokumentet sekrete të hetimit vetëm e vetëm që të mund të kontrollonte këtë proces në mënyrat e tij.

E dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt kriminal.

Edhe njëherë kërkoj largimin e menjëhershëm nga detyra të kryeministrit.

Sikundër u bëj thirrje shqiptarëve të marrin në dorë fatet e ligjit dhe Kushtetutës në këtë vend sepse Edi Rama po kërkon t’i shkelmojë, t’i nënçmojë, t’i përdorë ato për qëllime krejtësisht kriminale të vetat.

PYETJE-PËRGJIGJE

Marsi Korreshi, Syri Tv: Z.Berisha, kreu i qeverisë Edi Rama në mbledhjen me grupin parlamentar të PS, u tha socialistëve që duhet të vazhdojnë me reformat me ose pa dëshirën e opozitës. Keni qëndrim për këtë dhe cili do të jetë qëndrimi i PD për reformën zgjedhore dhe atë territoriale në nisjen e sesionit të ri parlamentar?

Sali Berisha: Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, kjo është përgjigjja ime për çdo fjalë të tij.

Të largohet menjëherë nga pushteti!

Seriali i veprave kriminale të tij nuk ka fund.

E deklarova dje, e deklaroj edhe sot, në dosjen e Lubi Ballukut, në tre rreshta, dy janë për Ramën, një është për Lubinë.

Në dosjen e Lindave, një është për Mirlindën, dy janë për Lindën dhe Frangun.

Një është për Ermal Beqirin, dy janë për Armand Frangun, për baxhanakun e Ramës dhe kunatin e Lindës.

Kështu që ai duhet të japë dorëheqjen.

Ky dokument është një aktakuzë e tmerrshme për të.

Andon Kello, Abc News: Z.Berisha, Shqipëria është mes 75 vendeve të cilat SHBA-të i pezulluan vizat për emigracionin. Pse mendoni ju se Shqipëria është në këtë listë?

Sali Berisha: Mendoj se përgjigjen kësaj pyetje ia dha qartësisht ambasada e SHBA.

Dhe unë nuk mund të shtoj as të heq ndonjë gjë nga shpjegimi i djeshëm i ambasadës.

Anisa Kadesha, Tvsh: Z.Berisha, Gjykata Kushtetuese e gjykoi të tejzgjatur masën e arrestit ndaj jush. Si e vlerësoni këtë vendim dhe kohën në të cilën gjykata u shpreh?

Sali Berisha: Tani, ky vendim, për ta pasur të qartë të gjithë qytetarët, ka të bëjë me animimin tim ndaj diligjencës së katërt, diligjenca në gjuhën e tyre, në fjalorin e tyre quhen provat, faktet, dokumentet që prokurorët janë të detyruar të paraqesin për çështjen çdo dy muaj.

Mbi bazën e këtyre dokumenteve, përshtaten qëndrimet nga organet gjyqësore.

Sipas ligjit, prokuroria duhet të raportojë çdo dy muaj dhe gjykata e shkallës së parë rivlerëson masën e arrestit edhe dy muaj pas vendosjes së saj.

Avokatët e mi kanë bërë gjer sot 4 ankesa të tilla.

Në ankesën e fundit ishte edhe kërkesa për revokimin tërësisht të masës së arrestit në shtëpi, pasi shkaku për të cilin ishte vendosur, ishte i paligjshëm.

Masa e detyrimit të paraqitjes dhe mosdaljes jashtë vendit ishin ekzekutuar në abuzim të plotë të ligjit nga SPAK-u sepse nuk kishin marrë formë të prerë dhe SPAK i aplikoi ato pa marrë formën e prerë.

Asnjë fjalë për këtë rast sepse kjo gjykatë nuk ka lidhje me ligjin, por me urdhra.

Tetë muaj iu deshën gjykatës për shqyrtimin e kërkesës për diligjencën katër, ndërkohë që afati ligjor është 3 muaj, ndërkohë që kërkesat e ministrave shqyrtohen për dy javë.

Pse? Sepse për këtë gjykatë, organizatë të partisë së krimit, opozita është armike.

Çfarë dallimi kishte kërkesa e katërt nga kërkesa e tretë apo e dytë?

Asnjë dallim, zero sepse asnjë provë të re nuk ka marrë SPAK në diligjencën dy, tre, katër, ku të përmendej Berisha.

Pra, unë në çdo diligjencë që ata kanë paraqitur, nuk citojnë fare emrin tim. Fare!

E kemi ankimuar këtë pas çdo vendimi deri në Kushtetuese.

Gjykatën Kushtetuese nuk e ka shqetësuar fare këtë fakt, pasi për të opozita është armike dhe kjo Gjykatë Kushtetuese si organizatë e partisë së krimit nuk ka lidhje me shtetin e të drejtës, as me liritë politike të individit.

A ka kuptim që vendimi shpallet jokushtetues, por nuk shfuqizohet?

E kanë shpallur jokushtetues vendimin e Irena Gjokës, por nuk e shfuqizojnë.

Shiko çfarë sharlatanësh.

Nuk e shfuqizojnë me pretendimin se nuk ekziston, por ai vendim ka prodhuar pasoja dhe pasojat e tij ekzistojnë.

Pasojat e tij janë masa e detyrimit të paraqitjes, është pasojë indirekte të atij qëndrimi të SPAK dhe atyre interpretimeve gjyqësore.

Por, këtu, ata së pari duhet të mbrojnë.

Ata janë Irena, ata kanë fytyrën, moralin, karakterin e Irenës dhe duan të mbrojnë vendimet e Irenës, delinkuente me tre vepra penale në detyrë.

Nga ana tjetër, me këtë vendim i kanë hapur rrugën për mbështetjes për Lubinë dhe ministrat, të cilat mund të dënohen për krime monstruoze dhe korrupsion.

Pra, e kuptoni ju që në pamje të parë duket sikur kanë bërë drejtësi, në të vërtetë janë treguar një seksion politik i partisë së krimit, ashtu siç janë.

Të turpshëm, të turpshëm!

Një vendim, i cili ka edhe sot pasojat e tij tek individi ndaj të cilit është marrë një masë antikushtetuese.

Nuk e shfuqizojnë për të mbrojtur nderin e Irena Gjokës, në fakt të vetes së tyre se janë Irena.

Se vërtet Irena ka dosjen me tre vepra penale, por nuk e ka më të vogël as ai hajduti donzhuan i gjykatës, etj, etj.

Pengje të turpshme që japin vendime të tilla.

Vendime krejtësisht mbi baza ideologjike.

Osman Stafa, News 24: Ditën e hënë, nis për vitin 2026 edhe seanca e parë plenare. Cila do të jetë marrëdhënia e PD me Kuvendin e Shqipërisë, sa kohë keni lajmëruar një protestë, të cilën e konsideroni reagim të qytetarëve ndaj qeverisë së kryeministrit Rama?

Sali Berisha: De facto, parlamenti është i aneksuar nga organizata kriminale e Edi Ramës.

Parlamenti është totalisht i aneksuar.

Se çfarë do bëjmë, do e vendosim, por fakti është ky që them unë.

Në qoftë se shkojmë, shkojmë për ta demaskuar.

A mund të shkohet kur në kundërshtim me Kushtetutën dhe rregulloren mbrohet Lubi Balluku?

A e kupton ti Osman që të gjithë ata që hyjnë në atë parlament nga partia e krimit, mund të thonë njëzëri se jemi Lubi.

Dhe janë shumica e tyre, jo të gjithë.

Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, në pranverë pritet që në PD të mbahen zgjedhje. Ju vet, e shpallni kandidaturën për kreun e PD, dhe nqs njëri prej, ndoshta rivalëve tuaj do të ishte Ervin Salianji, ju e konsideroni të përjashtuar, por a do pranonte PD kandidaturën e tij. Ju do kandidonit me të?

Sali Berisha: Një sqarim, nuk jam këtu për atë çështje, i vetëpërjashtuar.

Lexo nenin 24, është i vetëpërjashtuar.

Ua falin veten atyre, bëri zgjedhjen e vet.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale