Berisha publikon fakte dhe dëshmi shokuese për manipulimin e votave të diasporës: Rama shtetëzoi procesin e votimit të diasporës nëpërmjet akteve më madhore korruptive! Jemi në fazën e dokumentimit të farsës, më pas do nisin të gjitha format e domosdoshme të protestave në Shqipëri dhe në botë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr.Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët këtë të premte, akuzoi kryeministrin Rama për një nga manipulimet më të rënda zgjedhore në historinë e Shqipërisë, duke shtetëzuar dhe deformuar procesin e votimit të diasporës përmes akteve masive korruptive. Kryetari i PD e quajti këtë një krim elektoral kushtetues që mohon të drejtën themelore të votës për mbi 340 mijë shqiptarë jashtë vendit.

Sipas Berishës, ky veprim është një hakmarrje primitive ndaj diasporës dhe një rikthim në metodat e diktaturës, duke e shndërruar votimin në një instrument të narkoshtetit. Berisha bëri thirrje për rezistencë dhe mobilizim total të diasporës dhe gjithë qytetarëve për të rrëzuar regjimin dhe për të rikthyer votën e lirë si themel i demokracisë shqiptare.

Lideri opozitar, Sali Berisha publikoi video dhe dëshmi tronditëse, të cilat provojnë manipulimin masiv të votave të diasporës nga Edi Rama përmes një skeme të organizuar shtetërore dhe korruptive. Berisha akuzoi qeverinë se ka kontrolluar të gjithë procesin përmes nënkontraktorëve, ambasadave dhe mjeteve të tjera shtetërore, duke e kthyer votimin jashtë vendit në një farsë të mirëplanifikuar.

Berisha publikoi raste konkrete, përfshirë transportimin e grumbujve të votave drejt konsullatave dhe përdorimin e ambienteve si qendra bixhozi për manipulim. Lideri i Partisë Demokratike përgëzoi demokratët e Selanikut për dokumentimin e procesit dhe e cilëson votimin e diasporës si një operacion tërësisht të kontrolluar nga pushteti për qëllime elektorale.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se PD është në fazën e dokumentimit të një farsa elektorale të orkestruar nga Edi Rama, që përfshin manipulime masive në votat brenda dhe jashtë vendit. Berisha theksoi prova tronditëse, përfshirë përdorimin e fondeve publike, administratës shtetërore, dhe kanabisit për qëllime elektorale.

Lideri democrat, Sali Berisha paralajmëroi nisjen e protestave në Shqipëri dhe jashtë saj, duke e quajtur këtë proces zgjedhor “më të shëmtuarin në histori” dhe një dëshmi që Rama kurrë nuk ka fituar zgjedhje realisht.

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh për gazetarët se laptopi i përfshirë në skandalin elektoral i përket “partisë së krimit” dhe është provë e manipulimit të zgjedhjeve. Ai akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën, Belinda Ballukun dhe bashkëpunëtorët e tyre për ndërtimin e një rrjeti të paligjshëm që shkel rëndë standardet ndërkombëtare dhe shërben për realizimin e farsës elektorale.

Lideri opozitar, Sali Berisha theksoi se pa rikthimin e votës së lirë, Shqipëria nuk mund të ketë një opozitë të vërtetë. Ai deklaroi se opozita e vërtetë nuk mund të pajtohet me një sistem të manipuluar dhe premton mobilizim të plotë për rikthimin e votës së lirë. “Çdo opsion është në tavolinë,” – tha  ndër të tjera Berisha, duke nënvizuar se beteja në çdo front është e pashmangshme.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi SPAK-un se po hedh “karamele” për të mbrojtur Ergys Agasin dhe Edi Ramën, duke inskenuar veprime të vogla për të fshehur lidhjet me krimin. Berisha tha se lajmin për aksionin e fundit e ka shpërndarë vetë Agasi, për të mashtruar opinionin publik, ndërsa karteli “Troplini” vazhdon i paprekur. Berisha i cilësoi këto si “shashka mediatike” që nuk duhen pranuar.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se deputetët e mazhorancës nuk përfaqësojnë popullin, por kartelet e drogës. Berisha tha se deputetët e rinj janë zëdhënës të krimit në parlament dhe u bën thirrje të dorëzojnë mandatet për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja Berisha tha se, parlamenti është kthyer në një skenë ku përfaqësohen baronët e drogës dhe rrjetet kriminale nga Durrësi në Elbasan, përfshirë emra si Troplini, Suel Çela e të tjerë.

FJALA E PLOTË

Dokumente të pakundërshtueshme faktojnë krimin e shëmtuar kushtetues elektoral të Edi Ramës, manipulimin e tij ekstrem, shtetëzimin e procesit të votimit të diasporës nëpërmjet akteve më madhore korruptive të njohura ndonjëherë.

Shtetëzimi dhe manipulimi i votës së shumicës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që kësaj here me një përfaqësi prej 340 mijë vetësh zgjodhën të votojnë, është një goditje e rëndë e idealeve të lirisë së shqiptarëve, e përpjekjeve të tyre madhore për të qenë së bashku, pavarësisht se ku jetojnë, për të gëzuar të drejtat kushtetuese të vendit të origjinës.

Ky manipulim është i paprecedent në historinë e votimeve të diasporës dhe mund t’u them këtu se në dijeninë timë, diaspora shqiptare është e fundit që fitoi të drejtën e votës.

Shqipëria kishte mbetur i vetmi vend në të cilin njëlloj si në ditët e zeza të diktaturës komuniste, nuk u lejohej të votonin, pavarësisht se ata në Kushtetutë dhe në dokumente zyrtare kishin të drejtën e votës dhe ishin të listuar në listat e votimit.

Ky akt hakmarrës primitiv poshtërues për çdo qytetar shqiptar, ky akt shkelmues i idealeve të lirisë të shqiptarëve, de facto shndërroi procesin e;elektoral të diasporës në një instrument të shëmtuar të narkoshtetit shqiptar, narkodiktaturës në Shqipëri.

PD në betejën e saj, në luftën e saj për votën e lirë të shqiptarëe, ka besimin më të madh se diaspora shqiptare do të mobilizohet dhe angazhohet me të gjithë forcën, potencialin e saj, kundër narkodiktaturës së Edi Ramës në Shqipëri dhe do japë kontributin e madh në rivendosjen e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe kudo që janë.

Në këtë rast, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë që votuan, të përgatiten për një luftë pa kompromis kundër këtij narkoshteti si një ndëshkim i merituar për krimin monstruoz që kreu ndaj atyre dhe vendit dhe për rikthimin e të drejtës së votës qytetarëve shqiptarë.

Këtu janë video të përgatitura për të dëshmuar se si Edi Rama nëpërmjet mekanizmave korruptive, nënkontraktorëve, ambasadave, etj, e shtetëzoi procesin e votimit dhe realizoi manipulimin më të madh.

Urdhëroni, dengje me vota.

Ky me krah votash shkon drejt konsullatës.

Dua të përgëzoj shumë demokratët e Selanikut për punën e shkëlqyer që kanë bërë në dokumentimin e këtij procesi, manipulimit të këtij procesi.

Qendrat e bixhozit janë përdorur gjerësisht pra…

Siç e patë, me dëshmitarë, një proces fund e krye i kontrolluar dhe i manipuluar.

PYETJE-PËRGJIGJE

Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, në fjalën tuaj ju deklaruat se qytetarët shqiptarë, ata që janë në diasporë dhe në Shqipëri duhet të bëhen gati për t’u përballur me betejë kundër qeverisë. Ju tashmë jeni i bindur se do të nisni valën e protestave, çfarë do të ndodhë pas denoncimeve për farsën elektorale?

Berisha: Pa asnjë mëdyshje, do nisin të gjitha format e domosdoshme të protestave në Shqipëri dhe në botë.

Por, kjo është faza e dokumentimit, e verifikimit të të gjithë farsës elektorale që ka ndodhur me votën e shqiptarëve në Shqipëri dhe diasporë.

Dhe kjo vazhdon sepse siç e shihni, dy rrethe do i paraqesim këtu, janë kontrolluar në Shqipëri për ligjshmërinë e procesit dhe në tërësi konstatohen manipulime, përçudnira, fakte që tejkalojnë edhe imagjinatat njerëzore.

Pra ne po bëjmë këtë verifikim.

Nuk është i thjeshtë sepse është edhe i komplikuar, por edhe kohëkonsumues.

Kontrolli i videove është më hektik se kontrolli i fletëve të votimit.

Pra ky është një proces të cilit ne do i shkojmë deri në fund për të faktuar se si Edi Rama instaloi farsën elektorale në Shqipëri dhe se ai nuk ka fituar kurrë zgjedhjet.

Ata që besojnë se Edi Rama ka fituar zgjedhjet në këtë farsë, ata ose janë njerëz që nuk kanë minimumin e kulturës ligjore elektorale dhe nuk e dinë se çfarë është farsë, ose janë njerëz në shërbim të tij.

Natyrisht ka një propagandë të papërmbajtur për të spostuar vëmendjen nga kjo punë e jashtëzakonshme që po bëhet nga ne për dokumentimin e farsës.

Ka argumente nga më banalet që as njerëz me IQ stërminimale nuk do ia lejonin vetes t’i përdornin.

Mirëpo paraja, pagesat, interesat kriminale, i bëjnë që ata të nxjerrin çdo lloj pseudoargumenti, pseudobanaliteti se në qoftë se ti flet për zgjedhje, kur sheh se çfarë është bërë me votën e mbi 300 mijë shqiptarëve, që janë një seksion i këtyre zgjedhjeve, kur konstaton se sa gjerësisht është përdorur Treni Bullgar, po marr vetëm këtë.

Unë po i lë të gjitha, sepse kultura elektorale ligjore çdo njeriu që ka ABC-në e saj, e detyron të mos pranojë për zgjedhje po farsë të gjithë ato procese ne të cilat qeveria jep gjysmë miliard euro prokurime në kundërshtim me ligjin.

Në të cilat qeveria jep 100 euro shpërblim për 48 përqind të votuesve në mes të fushatës elektorale.

Në të cilat qeveria përdor dhjetëra mijëra punonjës si operatorë politikë elektoralë.

Në të cilat qeveria përdor të gjithë potencialin e saj logjistik në zgjedhje.

Në të cilat qeveria fal 200 milionë euro dy ditë para zgjedhjeve.

Në të cilat qeveria dekreton mbjelljen e një sipërfaqe 140 herë më shumë se e lejon ligji me kanabis vetëm për zgjedhjet.

Pra, këto për ata që kanë minimumin e kulturës ligjore elektorale janë të mjaftueshme për të kuptuar që kjo është një farsë elektorale.

Por e kam thënë dhe e them, vota vdiq pa hyrë në kuti, e megjithatë në ditën e zgjedhjeve, me procedurën e zgjedhjeve, qeveria ka shtrirë duart e veta të zeza për ta bërë këtë farsë më thellë dhe më të shëmtuar që ka ndodhur ndonjëherë.

Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, ju ditën e djeshme në përfundim të konferencës suaj paralajmëruat se ende nuk po denonconi materialet e laptopit që i ka rënë në dorë opozitës. Ky laptop, i përket eksponentëve të lartë të PS, përsona të lidhur me botën e krimit apo ndonjë anëtari të PS që ka qenë pjesë e shtabeve elektorale të PS?

Berisha: Laptopi i përket partisë së krimit.

Natyrisht është vepër e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe atyre të cilët ndërtuan një rrjet monstruoz në kundërshtim me parimet ndërkombëtare për farsën elektorale.

Anisa Kadesha, TVSH: z.Berisha, ndërsa flisni për protesta qytetare, cili do të jetë sipas jush roli i deputetëve në parlament në legjislaturën e re parlamentare?

Berisha: Mbrojtja, lufta me të gjitha mjetet që shqiptarët të votojnë të lirë.

Ka vetëm një objekt tani, shqiptarët duhet të votojnë të lirë.

Opozitë të vërtetë pa rikthyer votën e lirë, vendi nuk mund të ketë.

Nuk mund të jetë opozitë e vërtetë ajo e cila pajtohet me këtë situatë.

Kurrë, kurrë!

Sepse ajo shndërrohet, futet si satelit në një orbitë dhe është një opozitë e pavlerë.

Ndaj dhe opozita do mobilizojë të gjithë potencialet e saj t’u rikthejë shqiptarëve votën e lirë.

Kjo është e gjitha.

Anisa Kadesha, TVSH: Pra, nuk është opsion bojkoti i parlamentit?

Berisha: Çdo opsion është në tavolinë, por në tërësi beteja në çdo front është opsioni më i pëlqyer

Osman Stafa, News 24:  Ditën e djeshme është publikuar lajmi se Spak ka kontrolluar shtëpinë, apo bizneset e një prej personave që ju keni atakuar më së shumti, Ergys Agasi. Si i shikoni këto veprime të Prokurorisë së Posaçme?

Berisha: Karamele, flluska të hedhura për të mbrojtur Ergys Agasin dhe Edi Ramën.

Çfarë qëndron aty?

Dy makina që Troplinët kishin parkuar në oborrin e Ergys Agasit, shkoi policia dhe i mori, në një kohë kur kartelit Troplini nuk i është prekur as një e dhjeta, as një e njëzeta e perandorisë së tyre, të ekonomisë së ngritur mbi drogën dhe krimin.

Shashkat mos i pranoni, ju lutem.

A e dini kush e hapi lajmin? Autori i lajmit është vetë Ergysi.

I tha një kolegut tënd gazetar…

Edhe ju bëni investigime, edhe unë bëj investigime.

U duk ajo. Ergysi vetë…

Osman Stafa, News 24: PS ka nisur akademinë politike për trajnuar deputetët rishtas që do të hyjnë për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë në shtator. Nëse ju do të kishit mundësinë për të qenë lektor për një orë, cila do të ishte tema që do të donit të referonit përpara tyre?

Berisha: Me deputetët e partisë së krimit kisha vetëm një fjalë: nuk përfaqësoni popullin, përfaqësoni kartelet e drogës dhe krimin në Shqipëri.

Ju vend në parlament nuk keni! kaq

Dorëzoni mandatet, të bëhen zgjedhje dhe kjo është e gjithë puna.

A e pe ti se çfarë bëhet?

Të gjitha votat në fletët pa firma i merrte vetëm një person që quhet famozja Sara Mile. E kuptuat pra.

Kanë ndodhur gjëra që ndoshta Treni Bullgar është thjesht njëri komponent se duket se ka pasur dhe ndërhyrje të tjera shumë më të mëdha.

E thashë në fjalën e parë që mbajta, aty në parlament vjen Elvis Doçi, Xhevdet Troplini, Fatmir Troplini, vjen Poja, vjen karteli i drogës Troplini.

Në parlament vjen karteli i drogës i Gjushit, Shqopës, etj me radhë.

Në parlament vjen karteli i heroinës dhe kokainës i Elbasanit, Suel Çela me lejtnantët e vet.

Pra, vijnë baronët e drogës.

Kjo është e vërteta e parlamentit që vjen.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale