Berisha publikon dokumentin: Balluku firmosi për kalimin e aksioneve te Pacolli! Çdokush mund të dyshojë se këto aksione janë të Ramës dhe Lubisë. Afera e aeroportit të Vlorës shpërtheu pas takimit të Pacollit me Ramën!

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një konferencë për mediat në selinë e PD-së, ku ka denoncuar sërish aferën e aeroportit të Vlorës. ‘Afera e aeroportit të Vlorës shpërtheu pas takimit të Pacollit me Ramën!’, deklaroi Berisha, duke shtuar se ‘kjo është përballje mes shtetit dhe aksionarëve’.

Kreu i PD-së theksoi se aeroporti i Vlorës ka ‘një histori recente abuzimesh dhe kosto të fryra’. Sipas tij, tenderi i vitit 2017 shfaqi oferta me kërkesa garancie 120 milionë euro nga katër kompani turke, ndërkohë që vlera e parashikuar ishte 105 milionë euro. ‘Dy ministra, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, refuzuan firmosjen’, tha Berisha, duke akuzuar qeverinë se më pas firmosi një kontratë me 140 milionë euro, duke e kthyer projektin në ‘një investim të mbingarkuar dhe një krim ndaj shqiptarëve’.

Lideri i opozitës paralajmëroi se taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë miliona euro ‘edhe nëse asnjë avion nuk ulet’ dhe kërkoi transparencë e përgjegjësi për këtë aferë. Gjatë konferencës, Berisha publikoi edhe një dokument që, sipas tij, tregon se kush ka firmosur për kalimin e aksioneve të aeroportit të Vlorës tek Pacolli. ‘Balluku firmosi për kalimin e aksioneve te Pacolli! Çdokush mund të dyshojë se këto aksione janë të Ramës dhe Lubisë’, deklaroi ai.

Sipas kreut demokrat, kontrata koncesionare e aeroportit të Vlorës përbën ‘një aferë të pastër korruptive me kosto marramendëse për qytetarët shqiptarë’. Ai akuzoi kryeministrin Rama, ministren Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë si përgjegjësit e vërtetë pas kësaj marrëveshjeje, duke theksuar se ‘emra si Pacolli apo Valon Kastrati janë thjesht prestanome në një skemë që parashikon miliona euro fitime për koncesionarin, ndërsa taksapaguesit mbeten të gjobitur’.

Berisha përmendi mungesën e dokumentacionit për transferimin e aksioneve dhe theksoi se kontrata, që zgjat 35 vjet, ‘përfshin pagesa deri në 140 milionë euro nga buxheti i shtetit edhe nëse aeroporti nuk funksionon’. Ai deklaroi gjithashtu se kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë ‘në mënyrë të paligjshme në tenderin e aeroportit të Vlorës, vetëm katër ditë para mbylljes së tij’, duke ndryshuar termat për të përjashtuar ‘një kompani të huaj serioze’ dhe për t’ia dhënë projektin ‘klientëve të preferuar të qeverisë’.

Në vijim, lideri i opozitës zbuloi se kjo kompani e huaj, e përjashtuar sipas tij mbi baza korruptive, ‘ka paraqitur prej dy vitesh një padi në SPAK kundër procedurës së ndjekur nga qeveria shqiptare’. Ai akuzoi drejtpërdrejt Ramën dhe ministren Balluku si përgjegjës për manipulimin e tenderit, duke e krahasuar këtë aferë me atë të inceneratorëve dhe duke shprehur bindjen se ‘përgjegjësit do të japin llogari’.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha iu përgjigj interesit të gazetarëve mbi garën për drejtimin e Partisë Demokratike, duke deklaruar: ‘Do të ketë një garë të hapur për kryetarin e PD-së. Do të jem pjesë e garës.’ Lideri i opozitës reagoi gjithashtu pas largimit të Zheni Gjergjit nga radhët e PD-së, duke e cilësuar këtë akt si ‘një tradhti ndaj besimit të demokratëve’.

‘Nuk është fjala për një raport personal mes individëve dhe meje,’ tha Berisha, ‘por për një raport me ata mijëra demokratë që kanë mbështetur dhe besuar tek këta përfaqësues. Të gjithë ata që shkelmojnë mbi këtë besim janë automatikisht jashtë kësaj force politike.’

Ai shtoi se ‘demokratët e vërtetë, ndonëse në kushte të vështira, nuk tradhtojnë, dhe kush largohet, i bashkohet partisë së krimit.’

Kreu i PD-së sqaroi edhe pozicionin e opozitës në lidhje me përfaqësimin në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ai tha se ende nuk janë përcaktuar emrat e përfaqësuesve të opozitës në këtë komision, duke shtuar se ‘do të mandatojmë përfaqësuesit përkatës vetëm pasi të jetë sqaruar platforma dhe mënyra e funksionimit të komisioneve parlamentare’.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nënvizoi se aktualisht po zhvillohen diskutime paraprake në Komisionin e Ligjeve dhe se ‘çdo vendim do të merret në përputhje me qartësimin e mëtejshëm të rrethanave dhe kritereve të punës’. Duke komentuar zhvillimet për përbërjen e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Berisha theksoi se ‘paketa e ndryshimeve zgjedhore duhet të jetë fryt i përbashkët i të gjitha forcave të opozitës’.

Në këtë kontekst, ai shprehu rezervat për përfshirjen e Tom Doshit si pjesë e opozitës në këtë komision. ‘Opozita është e hapur ndaj partive të vogla, – u shpreh Berisha,- duke theksuar se zëri i tyre nuk do të injorohet, përkundrazi do të respektohet dhe përfshihet në vendimmarrje.’

FJALA E PLOTE:

Aeroporti i Vlorës falimentoi para se të fillojë funksionimin.

Faktikisht, i ndërtuar mbi një korrupsion të tmerrshëm, ngrehina e tij u shemb para fillimit të funksionimit.

Në aparencë, mediat dhe qytetarët shohin një përballje midis dy aksionerëve dhe në këtë aspekt kjo nuk është një gjë e pazakonshme.

Por kjo është vetëm në aparencë.

Afera e aeroportit të Vlorës eksplodoi tre javë më parë kur biznesmeni dhe politikani i njohur kosovar, Bexhet Pacolli, foli nga zyra e kryeministrit shqiptar.

Doli nga zyra e kryeministrit shqiptar.

Tani, që dy ortakë mund të kenë mosmarrëveshje njëri me tjetrin, kjo është një ndodhi e zakonshme.

Por që një kryeministër të implikohet në ngatërresën apo në përballjen e dy ortakëve njëri me tjetrin, kjo është gjëja më e pazakonshme.

Ky është moment i cili flet shumë më tepër se sa të gjitha të tjerat.

Pra kemi të bëjmë jo thjesht me një përballje midis dy aksionerëve, por kemi të bëjmë me një përballje midis shtetit dhe aksionerëve.

Kemi të bëjmë me një përballje të tillë, sepse nëse shfletoni arkivat e medieve, do gjeni se janë mediat ato që njoftuan fillimin e procesit kundër këtij e kundër atij, pa filluar procesi.

Por janë breshëri të pafundme mesazhesh të pushtetarëve direkt të interesuar në këtë aferë që kanë vërshuar drejt aksionerëve.

Cili është morali?

Dora e zezë e atyre që kanë stisur këtë aferë të tmerrshme është e shtetit dhe e qeverisë.

Unë dua të informoj qytetarët se aeroporti i Vlorës ka një histori recente të tillë.

Në vitin 2017 hapet një tender, në të cilin paraqiten 4 kompani të mëdha turke për ndërtimin e aeroportit.

Kompanitë turke, duke pasur parasysh se në aeroport do të kishte më shumë zogj se pasagjerë, kërkuan një garanci me 120 milionë euro, ndërkohë që aeroporti ishte përllogaritur të ndërtohej me 105 milionë.

Dua të deklaroj këtu se dy ministra refuzuan firmën e kësaj kontrate.

E refuzoi Arben Ahmetaj, e refuzoi Damian Gjiknuri.

Dhe e refuzuan pikërisht për shkakun se kompania kërkonte 120 milionë euro pagesa nga qeveria, edhe sikur asnjë avion të mos fluturonte në këtë aeroport pas përfundimit të tij.

Një çmenduri.

Aeroporti është me rrezik të lartë dhe kështu është aeroporti.

Të ngrihesh mbi UFO-n për të mbushur valixhet me paratë e taksapaguesve është krim i shëmtuar.

Të dalësh dhe të kapardisesh si Lubia, që nuk më lejohet t’i vë epitete, se po ndërtojmë në Vlorë aeroportin më të madh në Ballkan, duke dëshmuar injorancë dhe babëzi.

Çfarë imagjinate është që të mund të ndërtosh në Vlorë, në një rreth që ka gjithsej banorë aktualë asnjë më shumë se 170 mijë?

Të thuash që po ndërtoj aeroportin më të madh të Ballkanit, për të mbuluar vjedhjen e tmerrshme që ke planifikuar të bësh.

Po pse? Sepse logjika ekonomike dhe e gjithanshme imponon: një, ndërtimin me faza. Faza e parë, 20-30 milionë, siç është vepruar me aeroportin e Tiranës, i cili mund të jetë sot në fazën e tretë ose të katërt të ndërtimit. Rritet vëllimi, zgjatet pista, zgjerohet fusha, etj.

Por që në fillim, duhej që aeroporti të ishte më i madhi në Ballkan.

Një krim ndaj shqiptarëve ky, njëlloj si në Kukës. Shkoni në Kukës, e shndërruan në park fotovoltaik aeroportin.

Por jo, do ta bëjmë më të madhin që vjedhja të jetë maksimale.

Dhe çfarë bëri?

Atë që Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj nuk e firmosën, Lubia e firmosi me 140 milionë euro.

Dhe a mund ta kuptoni ju që aeroporti që ndërtohet me 105 apo me 110 brenda 10 viteve u merr taksapaguesve shqiptarë edhe sikur asnjë avion të ulet në pistën e tij, në total 135-140 milionë euro.

A ka njeri që mund të gjobisë, përveç hajdutëve që nuk kanë asnjë lloj morali dhe që janë të aftë të bëjnë çdo gjë.

Përpiqen jo Bexheti, jo Valoni, jo Valoni, jo Bexheti.

Ç’punë kanë ata?

Shtylla e zezë e korrupsionit është garancia që është dhënë nga Lubi Balluku, e papërmbajtur në hajnitë dhe vjedhjet e saj.

Dhe që mbrohet nga Skapi i partisë.

Ja ku është…

Kjo është e vërteta.

Prandaj dhe këta, të gjithië janë vërsulur gjoja në grindjen që ka Bexheti me Valonin.

Po në qoftë se ata kanë grindje, le t’i zgjidhin. Janë qytetarë privatë ata.

Pra, janë interesa kriminale të Edi Ramës, Lubi Ballukut, Taulant Ballës dhe dhëndrit të Lubi Ballukut, djalit të Sadri Abazit.

Po, ka marrë kushërirën e parë të Lubisë.

U garantoj se mënyra se si po e trajtojnë këta, nuk po hyj fare se kush ka të drejtë prej këtyre të dyve, absolutisht, sepse unë jam i lirë nga ky problem sepse e kam denoncuar i pari si një aferë të tmerrshme korruptive.

Tani shoh që në qoftë se në djegësin e Tiranës u vodhën paratë dhe nuk u hodh një tullë, në aeroportin e Vlorës janë premtuar 140 milionë euro, edhe sikur një avion të vetëm të mos ulet në pistën e tij gjatë 10 viteve të para.

Se është me rrezik.

Atëherë kjo ka një gjë shumë të thjeshtë, në qoftë se nuk duan të vjedhin, nuk ndërtohet aeroport me 100 milionë euro, ndërtohet aeroport me 15 milionë euro.

Fillohet, shtohen pasagjerët, shtohet pista, shtohet mjedisi.

Shtohen çarterat e mëdhenj, zgjatet pista.

Kjo praktikë është ndjekur me Rinasin dhe e kanë ndjekur privatët këtë praktikë.

E kishin gjermanët, e ndoqën, nga gjermanët e morën kinezët, po këtë bënë. Nga kinezët, e morën shqiptarët, po këtë bënë.

Tani ku fle lepuri?

Ua them unë.

Çfarë ka ndodhur?

Lubia, jo vetëm firmos kontratën për një siguri 140 milionë, por Lubia një vit mbrapa firmos transferimin, ja ku e keni zëvendëskryeministre dhe ministre.

Firmos kalimin e aksioneve nga kompania turke, e cila është kompani me ekspertizën në ndërtimin dhe menaxhimin e aeroporteve, pa të cilën aeroporti nuk ndërtohej. Pra firmos kalimin e aksioneve nga kjo kompani tek Mabco Construction.

Që në këtë moment, tenderi rrëzohet.

Shtyllë kryesore e tenderit nuk ishte Mabco Construction sepse nuk kishte asnjë eksperiencë, por kishte kompania turke që ishte ndërtuese dhe menaxhuese aeroportesh.

Dhe, një numër kompanish të tjera që u paraqitën në tender, por që nuk kishin ekspertizën e kompanisë turke, u përjashtuan.

Tani, kompania me ekspertizë u thotë mirupafshim dhe Lubia firmos për kalimin e aksioneve tek Pacolli.

Tani, çdo shqiptar absolute të dyshojë se ato aksione janë të Edi Ramës dhe Lubi Ballukut.

Dhe këtu mund të jetë, kjo do hetim të gjithanshëm, shkaku i angazhimit kaq intensiv të Edi Ramës, Lubi Ballukut, Taulant Ballës e me radhë në një aferë që në pamje është një aferë midis dy ortakëve. Pa lidhje me shtetin.

Njeriu nuk duhet të marrë asnjë anë, absolutisht, por i vetmi transferim aksioni në katër vite, i miratuar nga qeveria, sepse duhen miratuar nga qeveria sipas ligjit tregtar, është transferimi i aksioneve të kompanisë turke, që është bërë në shkelje të ligjit.

U lumturua Lubia, Edi Rama apo Tao nga ato aksione, këto sigurisht pa hetim nuk mund të thuhet.

Por fakti që implikohen kaq thellë, fakti që kanë firmosur një kontratë të tillë i akuzon këta absolutisht si direkt përgjegjës për të gjithë këtë aferë megakorruptive.

Mos harroni, nuk ka një dokument ku të jetë firmosur transferimi i aksioneve nga Pacolli tek Valoni. Nuk ka.

Dhe tani vërsulen të gjithë.

Po ç’punë keni ju në punën midis ortakëve?

Unë i kam denoncuar, këtë Valonin nuk e kam njohur fare, kur kam denoncuar unë kam pasur parasysh Pacollin se ai ishte emri kryesor.

Dhe nuk mund të pranoja unë kurrë sigurinë për 600 mijë bileta.

Se kjo është një gjë e tmerrshme, të gjobitësh shqiptarët.

35 vjet koncesion, fitimi është 700 milionë fitimi. Parashikimi.

Por injoroje parashikimin. 10 vitet e para, shqiptarët i paguajnë koncesionarit 140 milionë për trafikun e munguar.

Besoj se çdo shqiptar e ka të qartë tani se këtu Pacolli dhe Valoni janë thjesht prestanome, por emrat e vërtetë të kësaj afere të tmerrshme janë Edi Rama, Lubi Balluku dhe qeveritarët e tjerë.

Përgëzoj dy ish-ministrat që kanë refuzuar të firmosin jo për 140 milionë, por edhe për 120 milionë euro gjobë për taksapaguesit shqiptarë.

Gjobë e vërtetë.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Marsi Korreshi, SYRI TV: E krahasuat aferën e aeroportit të Vlorës me atë të djegësave, konkretisht me djegësin e Tiranës. Djegësat patën disa arrestime, jo të paktën ata që ju u cilësoni si përgjegjës direkt për djegësin e Tiranës, por pati disa arrestime në rang ministrash apo zyrtarësh të lartë të përfshirë. A mendoni se, fat të njëjtë do të ketë edhe për aeroportin e Vlorës. Do të ketë hetime, arrestime deri në nivelin e Belinda Ballukut apo Edi Ramës, që ju e bëni përgjegjës direkt.

Sali Berisha: Aq sa pat për inceneratorët Altin Troplini, aq do të ketë dhe për aeroportin nga Ndini apo ndonjë tjetër. Sepse tani, prej 2 vitesh një kompani e huaj ka paraqitur padi në SPAK se është përjashtuar absolutisht mbi baza korruptive. Një kompani shumë serioze.

Dhe çkanë bërë, si e kanë përjashtuar atë. Ajo është paraqitur me dokumente shumë të rregullta, të standardeve më të mira. Edi Rama dhe Lubia 4 ditë para se të mbyllet tenderi, kanë ndryshuar termat e tenderit, që nuk mund ta bësh kurrë. Vetëm e vetëm që të përjashtohej kompania e huaj e një vendi partner, dhe ti jepej tenderi atyre që kishin caktuar këta.

Një kompani turke që do të vinte vetëm si, patericë për të realizuar, por faktikisht ishte Pacolli. Natyrisht shumë të ngjashme.

Edhe atje. Të themi atë që është, Arben Ahmeti e refuzoi 4-5 herë. Askush nuk e ka denoncuar më shumë se unë atë për korrupsion. Merrni ju që nga 2008 e deri më sot, por atë që ka, ka ai, nuk mund të ja mohosh tjetrit.

Pavarësisht se një njëri i papërgjegjshëm, një mercenar i vërtetë i ligjit, një turp i drejtësisë dhe hetimit, Altin Troplini, merret direkt dhe u thotë shqiptarëve, por e arrestoj sepse gjeta pllaka në banjon e tij të paguara nga Klodian Zoto apo Mirel Mërtiri. A e morët vesh ju apo jo se, ku e katandisi Troplini djegësin 130 mln, tek pllakat e ish-bashkëshortes së Arben Ahmetajt.

Dhe për këtë Arben Ahmetaj që e kishte kundërshtuar 5 herë më shkrim djegësin e Tiranës, kishte mbrojtur interesin publik, e arreston sepse i dërgon këtë dokument, apo dokumente hoteli, seç kishte fjetur në një hotel, me një shpifës të paguar i dërgon në një lokal dokumentet Linda Rama në emër të të shoqit.

Kjo është, këto nuk pranohen, nuk kanë moral.

Daniela Maloku, ReportTV: Mbrëmjen e djeshme është shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale një deklaratë e deputetit tuaj, Besart Xhaferri, i cili deklaronte se z. Berisha duhet të largohet në 2026, kur i mbaron dhe mandati 4-vjeçar, në rast se nuk na ka faktuar farsën zgjedhore dhe nuk e ka çuar vendin sërish në zgjedhje. Keni një koment mbi këtë deklaratë, e cila është shpërndarë dhe nga Rilindja Demokratike.

Sali Berisha: Së pari, cilido që lexon raportin paraprak të OSBE-ODIHR dhe ka kulturën minimale në të drejtën elektorale, kupton se zgjedhjet kanë qenë farsë.

Janë zhvilluar në kushtet e partisë së shtet, e thotë këtë rekomandimi i Këshillit të Europës.

Janë zhvilluar në kushte të pabarabarta e thotë raporti paraprak i OSBE-ODIHR. Që këtu zgjedhjet janë farsë dhe jo zgjedhje.

Së dyti, ju garantoj se çdo deputet, anëtar, mbështetës i kësaj partie do të jetë i lirë të shprehë çdo mendim që ka.

Natyrisht interpretimi i nenit të statutit, duhet të jetë i saktë. Statuti bën fjalë për zgjedhje, e jo për farsa dhe tani që ta mbyllim këtë punë, do të jetë anëtarësia e PD-së që do ti bëjë interpretimin përfundimtar.

Do të ketë një garë për kryetarin e PD-së.

Daniela Maloku, ReportTV: Do jeni sërish kandidat në 2026?

Sali Berisha: Sigurisht që do të jem. Pyetje është kjo. Por e hapur ama, cilido.

Andon Kello, ABCNews: Po ditën e djeshme, ish-deputetja e PD-së Zheni Gjergji ka pranuar ofertën e qeverisë për tu emëruar drejtoreshë e spitalit rajonal të Elbasanit. Është e disata demokrate që ndryshon kah politik dhe duket se Edi Rama e paska pasur seriozisht ‘peshkimin’ e demokratëve për emërime në administratën shtetërore.

Sali Berisha: Nuk është kjo një raport i këtyre individëve me Sali Berishën. Kemi të bëjmë një raport me ata që i kanë votuar, me ata që i kanë mbështetur.

Një gjë mund të them, për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe atë mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike.

Sepse 99.9 përqind në mos më shumë, të atyre që i kanë mbështetur këta individë janë të papunë, janë në kushte të vështira, por nuk jepen.

U kanë shërbyer këtyre pak, se janë shumë pak, 3-4 vetë janë gjithsej, kështu që bëjnë një vendim, kalojnë në partinë e krimit, në partinë që i përkasin dhe vetëm kaq.

Pra, ky është komenti jo vetëm për atë, por për të gjithë ata. 3-4 janë në Shqipëri, mund të jenë edhe më shumë…

Osman Stafa, News24: Kë ka mandatuar PD për të qenë në krye të reformës zgjedhore dhe reformës territoriale?

Sali Berisha: Akoma nuk kemi.

Do mandatohen, por tani për tani po bëhen diskutime paraprake në Komisionin e Ligjeve.

Natyrisht po shqyrtohen rrethanat, kriteret dhe me radhë.

Nuk ka akoma një ekip të mandatuar nga ne që ky do jetë për këtë reformë apo për atë reformë.

Sapo të qartësohet çfarë platforme do zbatohet në punën e këtyre komisioneve, atëherë ne do marrim vendimet…

Osman Stafa, News24: Ditën e sotme është publikuar një lajm se, si do të organizohet komisioni për reformën zgjedhore, me anëtarë, 8 nga mazhoranca dhe 8 opozita. Mazhoranca pritet të ketë 7 anëtarë të PS-së dhe një i PSD-së. Ndërkohë që në krahun e opozitës të tre grupet parlamentare do të përfaqësohen, 5 anëtarë PD, 1 PL, 1 PR dhe pritet të ketë dhe Agron Shehaj një anëtar në krah të opozitës. Sa i takon partive të tjera, nëse do u kërkojnë Lëvizja Bashkë, Shqipëria Bëhet, një mundësi për të qenë dhe ato pjesë e këtij komisioni për reformën zgjedhore, a do pranojë PD?

Sali Berisha: Tani, nuk kam asnjë dijeni për përbërjet, për këtë që më thoni ju. Sepse fillimisht në një variant që më sollën mua ishte që Tom Doshin e kalonin në opozitë, e kalonin tek ne.

Prit, se doli dje nga Skapi tani, a e ka ndryshuar apo jo, të shohim çfarë do thotë Toma vetë.

Prandaj nuk mund të flas gjë.

Osman Stafa, News4: Po për partitë e reja ..

Sali Berisha: Për partitë e reja, ju siguroj se edhe jemi të hapur për ta, por pa asnjë diskutim që zëri i tyre do mbahet shumë parasysh.

Po, nuk kemi ne, për ne është e rëndësishme të ndjekim një rrjedhë të përbashkët me opozitën.

Një mendim të përbashkët.

Unë nuk kam asnjë paragjykim për asnjërën nga këto forca politike. Jo. Me to për Tiranën krijuam një koalicion të themi, një mbështetje…

Për shembull, avantazhi që ka kandidati ynë nuk e ka pasur ndonjë kandidat ndonjëherë.

Të gjitha forcat politike e mbështesin atë.

Në një rast.

Në rastin tjetër absolutisht edhe paketa e reformës zgjedhore do jetë fryt i përbashkët i të gjitha forcave të opozitës.

Ta them unë që këtu. Ne nuk kemi asnjë lloj, përkundrazi unë edhe në parlament ndjehem jo mirë kur shkojnë dhe u lënë atyre një kohë 2 minuta se nuk kanë grup, i diskriminojnë në shkallë ekstreme, pavarësisht se ata përfaqësojnë zgjedhësit e të tjerë me radhë.

Unë nuk jam kurrë për këto gjëra.

Po këta kanë frikë nga opozita dhe frikë nga zëri i opozitës.

Po të kishin kërkuar që të kishin grup parlamentar, ne do ta konsideronim shumë seriozisht që edhe ata të kishin grupin e tyre parlamentar.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale