FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratke, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë konferencës së mbajtur me gazetarët këtë të mërkurë, ka dënuar ashpër vendimin për zgjatjen e hetimeve ndaj Ilir Metës dhe mbajtjen e tij në burg, duke e quajtur një veprim politik dhe kriminal nga Edi Rama dhe prokurori Altin Troplini.
Lideri opozitar, Sali Berisha, tha se Meta mbahet në burg pa prova dhe pa urdhër arresti, në shkelje të ligjit dhe të të drejtave të njeriut. Berisha paralajmëroi se Rama do të mbajë përgjegjësi për këtë akt dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë ndaj regjimit që ai e cilëson si “narkodiktaturë”.
Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi zgjedhjet e 11 majit 2025 si një farsë elektorale të organizuar nga “narkoshteti” i Edi Ramës. Berisha akuzoi qeverinë për një proces kriminal, ku janë përdorur qindra miliona euro për blerje votash, përmes shpërndarjes së parave për pensionistët, faljes së gjobave, prokurimeve për oligarkët, legalizimeve dhe punësimeve masive gjatë fushatës.
Berisha u shpreh gjatë konferencës për shtyp se janë kultivuar masivisht edhe sipërfaqe të mëdha me kanabis për të financuar manipulimin.
Ndër të tjera Berisha shtoi se, një nga praktikat më të rënda është mbledhja e kartave të identitetit të qytetarëve të moshuar për t’i penguar të votojnë, duke i mbajtur me pretekstin e dhënies së pensionit. Berisha publikoi dëshmi konkrete tronditëse për këtë praktikë dhe e cilësoi si një shkelje të rëndë kushtetuese me urdhër direkt nga Edi Rama.
Lideri opozitar, Sali Berisha deklaroi se të gjitha strukturat e Partisë Demokratike janë të angazhuara në identifikimin, verifikimin dhe certifikimin e farsës elektorale të 11 majit. Berisha ironizoi ata që e akuzojnë opozitën, duke thënë se faktet që dalin çdo ditë dëshmojnë manipulimet e Edi Ramës dhe të zyrtarëve të tij, si Altin Troplini. Sipas Berishës, një makineri e madhe propagandistike po përpiqet të fshehë të vërtetën dhe të fajësojë opozitën, por gjithçka po zbulohet nga dëshmitë konkrete që dalin përditë. Ai sulmoi analistët dhe mbështetësit mediatikë të qeverisë, duke i quajtur mercenarë të krimit, dhe thotë se kjo është fushata më e rëndë e manipulimit elektoral në Europë pas rënies së Perdes së Hekurt. Për Berishën, me “shtetërimin” e votës së diasporës, Edi Rama po afrohet me regjime si ai i Bashar al-Asad, duke përmendur përqindje të larta të votave pro Ramës në Fier. Në këtë “gjyq publik” ndaj farsës, Berisha tha se janë të gjithë demokratët dhe 600 mijë qytetarë që nuk votuan Ramën.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Edi Ramën për presione të jashtëzakonshme dhe kërcënime ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë gjatë zgjedhjeve të 11 majit, një gjë që sipas tij nuk ka ndodhur askund tjetër. Lideri demokrat tha se opozita po paraqet prova konkrete për manipulimet, si rasti i pensionistëve që u janë marrë kartat e identitetit për t’i penguar të votojnë. Berisha theksoi se kjo është një betejë kombëtare dhe ndërkombëtare, e cila ka mbërritur edhe në Bruksel, ku europarlamentarë kanë denoncuar zgjedhjet si farsë. Berisha premtoi se opozita do vazhdojë të publikojë fakte tronditëse.
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se është në një mision për të mbrojtur të vërtetën dhe demokracinë, ndaj sipas tij, kundërshtarët janë të “shfazuar” dhe në panik. Berisha theksoi se nuk është çështje moshe për të mbrojtur të vërtetën dhe se kjo është detyra e çdo qytetari deri në fund të jetës. Berisha rikujtoi gjatë konferencës për shtyp arritjet e tij të mëparshme, si përmbysja e diktaturës, anëtarësimi në NATO, dhe transformimet ekonomike e infrastrukturore, por nënvizon se kthimi i tij në politikë pas dorëheqjes ishte për të mbrojtur Partinë Demokratike nga kontrolli i jashtëm dhe për të refuzuar sanksionet e vendosura ndaj tij pa prova. Berisha akuzoi qeverinë për propagandë të përditshme dhe tha se ai është i vetmi që përballet çdo ditë me këtë makineri për të mbrojtur të vërtetën përballë shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se beteja e tij është për t’i dhënë shqiptarëve të drejtën të votojnë të lirë dhe pa presion. Berisha theksoi se kjo është një betejë dhe një mision personal, dhe se ndryshe nga kundërshtarët, ai nuk bën retorikë, por flet me fakte. Lideri opozitar akuzoi “kasnecët e Edi Ramës” si mashtrues dhe shërbëtorë të propagandës që duan të mashtrojnë qytetarët. Sipas Berishës, janë dhunuar të drejtat themelore të njeriut dhe e drejta e votës, dhe ai do vazhdojë të denoncojë këto shkelje çdo ditë.
FJALA E PLOTË
Vendimi i fundit i kreut të organizatës kriminale Edi Rama dhe Altin Troplinit për të mbajtur në burg kryetarin e Partisë së Lirisë, partisë së dytë më të madhe opozitare, është një akt politik, kriminal që dëshmon frikën dhe tmerrin e Edi Ramës nga Ilir Meta.
Që dëshmon papajtueshmërinë e tij, intolerancën absolute atërore ndaj opozitës dhe opozitarizmit.
Ilir Meta u burgos në mënyrë brutale, pa asnjë urdhër arresti, me urdhër të vetëm të Edi Ramës.
Ilir Meta u mbajt dhe mbahet në burg si person në hetim pa asnjë provë, asnjë fakt penal.
Ndaj tij, edhe pasi dorëzoi dosjen në gjykatë, Altin Troplini me urdhër të Edi Ramës, kërkoi shtytje 6 muaj të hetimeve.
Kjo përbën shkelje të rëndë të ligjeve të vendit dhe konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Kjo dëshmon edhe njëherë për të shumtën herë, konkluzionin e Samuel Huntington se forma më e shëmtuar e diktaturave, midis të gjitha diktaturave, është bandokracia apo narkodiktatura.
Huntington, ky historian gjenial dhe sociolog, në analizën që u bën diktaturave, konkludon se narkodiktatura është forma më e keqe e tyre.
Sepse, thotë Huntington, kjo diktaturë nuk respekton asnjë parim, asnjë rregull, asnjë ligj, asnjë kriter.
Urdhëroni pra, e kanë arrestuar pa i paraqitur fletë arrestin, sepse Edi Rama me çdo kusht donte që të goditej nga banditë që i kishte dërguar për atë qëllim. Një person i mbrojtur nga Garda e Republikës.
E mbajnë në qeli pa asnjë provë, vetëm urdhër politik.
Dorëzojnë dosje në gjykatë pa fakt penal dhe vendosin t’i zgjasin edhe 6 muaj hetimet dhe për këtë qëllim duhet mbajtur në burg.
Nuk ka kufi urrejtja e Edi Ramës për kundërshtarin politik.
Ajo është identike me urrejtjen e babait të tij xhelat, që firmosi në gusht të vitit 1988, varjen në litar të kundërshtarit politik, Havzi Nela.
Ajo është e njëjtë me dajon e tij xhelat, Spiro Koleka, që kërkonte me 11 dhjetor të vitit 1990, tanket dhe mitrolozët mbi studentët.
Edi Rama është një njeri që udhëhiqet verbërisht vetëm nga urrejtja dhe fakultetet më të errëta të qenies njerëzore.
Duke shprehur solidaritetin e plotë me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dënoj me forcën më të madhe vendimin e fundit të Edi Ramës dhe Altin Troplinit dhe i garantoj se do përgjigjen për këtë vendim.
I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të qëndrojë vendosmërisht ndaj narkoregjimit të Edi Ramës, i pari dhe i vetmi i këtij lloji në Europë.
Sot, përsëri jam këtu për farsën e shëmtuar elektorale të narksoshtetit të 11 Majit 2025.
E vërteta është se farsa siç po provojmë çdo ditë me fakte, është tërësisht një proces kriminal nga alfa tek omega e saj.
Për Edi Ramën dhe narkozyrtarët e tij, nuk kanë mjaftuar përdorimi i 76 milionë eurove, 100 euro për çdo pensionist për të blerë vota.
Nuk kanë mjaftuar 200 milionë euro gjoba dhe kamata të falura 2 ditë para zgjedhjeve.
Nuk kanë mjaftuar 500 milionë euro prokurime tek oligarkët e tij për të blerë vota.
Nuk kanë mjaftuar dhjetëra mijëra punësime për vota.
Nuk kanë mjaftuar 29 mijë hektarë kanabis në të cilat mbillen së paku 100 milionë rrënjë kanabis.
Nuk kanë mjaftuar dhjetëra mijëra leje legalizimesh, ndërtimi, certifikata pronësie, duke përdorur fuqinë ekzekutive në fushatë elektorale.
Nuk ka mjaftuar organizimi i mbi 4500 aktiviteteve në periudhën katërmujore elektorale për të ndikuar tek zgjedhësit.
Por ai ka urdhëruar edhe metoda të tjera kriminale sepse Edi Rama është i gatshëm të marrë çdo vendim, të urdhërojë çdo akt dhe çdo veprim për të ruajtur karrigen e tij të krimit.
Këtu është dëshmia tronditëse se si narkobanditi, punonjësi i shtetit, shkon dhe mbledh kartat e identitetit të qytetarëve, me pretekstin se do i disbursojë pensionin dhe kartat ua mban, duke ditur bindjet e tyre politike, që ata të mos votojnë.
Pra ky bandit, punonjës i shtetit, narkobandit, ky me urdhër të Edi Ramës shkelmon të drejtën kushtetuese themelore të qytetarëve.
Unë dua të përshëndes këtë çift të moshuar, por njerëz kurajozë, që e denoncuan haptas këtë akt të përsëritur me mijëra e mijëra raste.
Ju, është bërë tashmë e njohur, se një nga detyrat kryesore të punonjësve, është mbledhja e kartave të identitetit, gjer në 20 të tilla, në mënyrë që narkoqeveria të blejë të drejtën e votës ose t’i përdorë ato me emra të tjerë. Kjo është histori tjetër.
Le të ndjekim rrëfimin e tyre, një aktakuzë e rëndë, e cila rrëzon të gjithë propagandën e pseudointelektualëve, intelektualëve të llumit, që çdo ditë përpiqen duke trilluar dhe mashtruar, herë si analistë e herë si banalistë, të mbrojnë veprën kriminale të Edi Ramës, të mbrojnë farsën elektorale që iu imponoi popullit shqiptar ky narkodiktator.
Këta janë një grusht i vogël njerëzish, të cilët janë të lidhur me fijet më të errëta me krimin. Krimin e të gjitha llojeve, nga krimi i dikurshëm politik gjer te narkokrimi i sotëm.
Por të vërtetat që paraqiten këtu dëshmojnë, nxjerrin në pah fytyrën e vërtetë, që ata mbrojnë, Edi Ramës.
VIDEO-DENONCIMET
Denoncuesi: Kush jeni, si e keni emrin?
Qytetari: Lodovik …
Denoncuesi: Lodovik kush …
Qytetari: Lodovik Rrethi.
Denoncuesi: A doni me votu nesër…
Lodovik Rrethi: Po ishalla…
Denoncuesi: A keni kartë?
Lodovik Rrethi: Jo. E kam kartën por na e ka marrë ai mjeshtri…
Denoncuesi: Si e ka emrin …
Lodovik Rrethi: Besmiri … te posta.
Gentian Ndoj: Kartën tënde kush e ka marrë?
Lodovik Rrethi: Besmiri.
Gentian Ndoj: Besmiri … Pse nuk ta kthen kartën Besmiri…
Lodovik Rrethi: Nuk di gjë, puna e tij. Ai nuk i hedh lekët ai…
Gentian Ndoj: A të duhet karta ty…
Lodovik Rrethi: Më duhet nesër, kismet …
Gentian Ndoj: Pse të duhet karta…
Lodovik Rrethi: Me votu.
Gentian Ndoj: Sa kohë ka që ta ka marrë kartën?
Lodovik Rrethi: Ka 1 javë.
Qytetarja: Marie Rrethi.
Denoncuesi: Sa vjeç je?
Marie Rrethi: 78.
Denoncuesi: Pensionin a e ke marrë
Marie Rrethi: Jo.
Denoncuesi: A don me votu nesër?
Marie Rrethi: Po nesër, për Zotin do të mi bin se s’bën more, s’ka ka ja man. Unë atë ja du.
Denoncuesi: Ç’ka?
Marie Rrethi: Kartat i du në shtëpi.
Denoncuesi: Kush ua ka marrë kartat …
Marie Rrethi: Ky Besi na i ka marrë.
Denoncuesi: Ku punon ai.
Marie Rrethi: Don lek.
Denoncuesi: Çfarë lekësh?
Marie Rrethi: Lekët e pensionit…
Denoncuesi: Tash sa kohë ua ka marrë kartat.
Marie Rrethi: Ka tash 1 javë, tash ni javë po them unë se, kartat janë marrë ma tepër.
Denoncuesi: Pra, ai ua ka marrë kartat dhe nuk ua kthen.
Marie Rrethi: Nuk i kthen, për s’gjallë nuk i kthen.
Denoncuesi: A keni shku me ja kërku kartat?
Marie Rrethi: Ka shku Liku, i kam thënë Likut, çfarë është mor kështu, thotë. Duhet me ja çu Luisit, Luis Lazrit, për me i pru te shpia.
Denoncuesi: E çfarë i ka thënë ai për kartat.
Marie Rrethi: I ka thënë du me ja çu asaj. Mi jep mor mu, i ka thanë kartat. Jo jo i ka thënë, do ja çoj atje, se do i çoj dhe lekët. As ka pru lekë, as ka pru karta.
Denoncuesi: Pra, ju s’keni kartë?
Marie Rrethi: Jo në shtëpi. Jo, jo atje i ka, ai vetë i ka marrë. Hala vaki s’më ka bë kështu.
Gentian Ndoj: Një rast flagrant ka ardhur nga fshati i Barbullushit, ku një denoncues është ankuar pranë Partisë Demokratike, sepse një punonjës poste, i cili shpërndan pensionet në Barbullush, Besmir Lepi u ka marrë kartën e identitetit dhe nuk ua rikthen.
Qytetarët pa kartën e identitetit nuk mund të votojnë, ndaj i bëj thirrje organeve kompetente, Policisë së Shtetit që të marrin masa ndaj këtyre personave sepse po kryejnë krime zgjedhore.
Pra, këto janë karta identiteti të gjetura në Petrelë.
Këto janë karta identitetit të hedhur përtokë në Petrelë ditën e votimeve.
Këto janë me fotografi, janë me numër, janë me të gjthë elementët e një karte identiteti.
Këta persona janë përjashtuar nga votimi ose me kartat e tyre kanë votuar të tjerët.
Por të gjitha këto krime mbrohen nga Altin Troplini, kjo është e vërteta.
Besoj se këto dy dëshmi tregojnë se proporcionet e përdorimit të kartave si elementë për të privuar, për të mohuar të drejtën e votimit.
Ja ku janë përtokë dokumentet e identitetit, asnjë konkluzion, asnjë qëndrim Skapi i partisë, Altin Troplini me kompaninë e tij.
PYETJE-PËRGJIGJE
Isa Myzyraj, Ora News: Z.Berisha, sot bëhen fiks një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve të 11 majit. Ndërkohë që ju keni vazhduar duke denoncuar çdo ditë atë që ju e quani farsë zgjedhore, por ka munguar një aspekt tjetër në PD, ai i mbledhjes së strukturave, kryesia e PD, këshilli kombëtar ende nuk është mbledhur për të analizuar ndoshta edhe për të dalë në një qëndrim i forumeve të PD, përveç kryetarit. Padyshim kryetari përfaqëson partinë, por edhe forumet janë shumë të rëndësishme.
Berisha: Po kush ia sjell kryetarit këto? I mbijnë nga qielli?
Të gjitha strukturat e PD janë të angazhuara në identifikimin, në verifikimin dhe certifikimin e farsës elektorale.
Natyrisht, siç e keni konstatuar edhe ju, një mal gjigant propagande mashtrimi është ngritur me qëllimin e vetëm që të mbulojë farsën elektorale, por gjithçka po shkrihet si bryma para diellit, si bora para diellit, nga këto fakte të përditshme që flasin dhe akuzojnë Edi Ramën dhe Altin Troplinin më shumë se gjithçka tjetër.
Pra, kjo që po ndodh këtu është një përgjigje ndaj trillimeve, mashtrimeve, dezinformimeve që pseudointelektualë, mercenarë të paguar nga krimi, të lidhur me krimin edhe në të shkuarën e tyre më të largët, përpiqen çdo ditë të sfumojnë, përpiqen çdo ditë të mbrojnë farsën elektorale të Edi Ramës dhe të fajësojnë opozitën si përgjegjëse për farsën.
Nuk ka amoralitet mediatik më të madh se ky.
Imagjinoni këta njerëz se si zhvishen. Këta janë pengje të të shkuarës dhe të vetes së tyre që detyrohen të marrin pjesë në një fushatë të tillë avokatie të krimit më të madh elektoral që ka ndodhur në Europë pas rënies së Perdes së Hekurt.
Ju e morët vesh që Edi Rama me shtetërimin e votës së diasporës, u afrua dhe vetëm dy pikë e ndajnë nga Asadi. Në Fier ishte 93 përqind Rama, 95 përqind ishte Asadi para se të merrte avionin.
Kështu që, këtu është Këshilli Kombëtar, anëtarësia e PD, këtu janë 600 mijë qytetarë që nuk votuan Edi Ramën, janë në këtë gjyq publik që i bëhet farsës elektorale.
Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, ju sot, por edhe më herët denonconi drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, se është i kapur nga Edi Rama dhe nga krimi. Unë kam një pyetje sa i takon drjetuesit të BKH. Është mbyllur procesi për përzgjedhjen e drejtuest të BKH-së, pra për kandidatët. Keni ju informacione kush po lobon për të zgjedhur drejtuesit e rinj të BKH-së, ku edhe BKH-ja ka një rol shumë të rëndësishëm sa i takon hetimive dhe se si funksionon SPAK?
Berisha: Të lobojë cili të dojë, ai do emërohet nga Edi Rama.
Aty janë futur disa emra, për të dalë ndonjë Çako, apo si Çako.
Kaq, nuk lëshon vend ai.
Po Ardi Veliu ka garuar për këtë vend, apo jo?
Jo ë? Nuk ka se ka qenë rezervë.
Osman Stafa, News 24: Ju prej kohësh z.Berisha jeni duke publikuar pamje të asaj që e konsideroni farsë elektorale të 11 majit, dokumente, pamje, dokumente, që keni bërë të njëjtën gjë edhe në vitin 2023. Të paktën, kujtojmë nga më të famshme, makinat që ndiqnin njëra tjetrën në Shkodër, që ishte rasti më flagrant, por. Çfarë kërkoni ju, çfarë synoni ju të arrini në fund z.Berisha, me publikimin e këtyre të dhënave, vetëm kërkoni të ndërgjegjësoni shqiptarët me çfraë ka ndodhur, apo keni shpresë se diçka tjetër do të ndodhë?
Berisha: Ne kërkojmë të faktojmë çdo shqiptari dhe mbarë komunitetit ndërkombëtar se cila ishte farsa e narkoshtetit.
Në këtë kontekst, pra kjo betejë është sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare, kjo përpjekje.
Ju e patë, ishit dëshmitarë se në dy ditë në Bruksel u arrit realisht që farsa elektorale e 11 Majit të ishte në bankën e akuzës.
Ua thashë, fjalimet që u mbajtën aty nga europarlamentarë të rëndësishëm shumë, nga vëzhgues të zgjedhjeve nga Parlamenti Europian, nga udhëheqës të PPE, aty ishin një pretencë e vërtetë për farsën elektorale.
Por, ne qëndrojmë në parimin që çdo gjë do faktojmë.
Ne duhet të faktojmë të gjitha pretendimet tona.
Nuk është një gjë e re se mblidheshin kartat, por me rëndësi të madhe është deklarata e këtyre dy pensionistëve, që punonjësi i postës shkon dhe ua merr një javë më parë se do ua sjell pensionet dhe nuk u jep as pensionet, as kartat që të mos votojnë dot.
Këta janë dhjetëra mijëra, mos më shumë.
Ne këtu e vazhdojmë këtë betejë duke paraqitur fakte tronditëse.
Ju çdo ditë do dëgjoni fakte tronditëse.
Ne e kemi kapur në flagrancë Edi Ramën me krime monstruoze elektorale dhe bandën e tij që udhëheq.
Sigurisht që ne do të arrijmë…
Ai po bën presione të jashtëzakonshme, janë kërcënuar vëzhguesit ndërkombëtarë këtu, që nuk di të ketë ndodhur në ndonjë vend tjetër.
Janë kërcënuar egërsisht, vetë Edi Rama dhe ministri i tij, Igli Hasani që këtu në Shqipëri thotë jam shqiptar, shkon në Greqi e thotë jam grek.
Po çfarë është ai? As grek, as shqiptar nuk është. Se këta që janë si puna e këtij dhe Vangjelit, këta nuk janë për asnjërin komb.
Po, po! Tavon e kam fjalën, jo Vangjelin, aleati ynë.
Pra, këta kërcënojnë, ne mbrojmë të vërtetën para shqiptarëve dhe botës se kjo ishte një farsë.
Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, krahas farsës, a mendoni ju se frymëzoni shqitparët për të qenë kryeministri i vendit. Krahas farsës, pra nuk i heq asnjë presje gjithë denoncimit që thoni. Vet Sali Berisha, a frymëzon shqiptarët për t’u marrë atyre besimin për të qeverisur vendin, më pas 3 dekadash në politikë?
Berisha: Në qoftë se ka një politikan në këtë tokë, që ka dëshmuar qëndrime të pamposhtura në respekt të parimeve themelore të një sistemi demokratik, është Sali Berisha.
Dhe unë po i heq të gjitha mënjanë, përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërtimet e institucioneve të reja të rendit demokratik, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kalimin nga sistemi më hiperkolektivist në ekonominë e tregut, kalimin e Shqipërisë nga vendi me të ardhura të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, lëvizja e lirë dhe marrja e rekomandimit për statusin e kandidatit për në BE, MSA, transformimi tërësor i infrastrukturës rrugore të vendit, dy projektet e shekullit, TAP dhe Devolli, po i lëmë këto të gjitha, por po marr vetëm dy.
Sali Berisha u ngrit pasi ishte larguar, humbi zgjedhjet, dha dorëheqjen pa asnjë imponim nga askush. Por bëri një detyrë dhe mori një vendim të drejtë.
Humbi zgjedhjet, dha dorëheqjen, dha dorëheqjen edhe nga çdo funksion në parti.
A nuk ishte ky një akt madhor në favor të demokracisë?
Edi Rama me Xhorxh Sorosin, me armiqtë e egër të demokracisë shqiptare, sanksionoi Sali Berishën, dhe meqë e kishin pa asnjë fakt, bazë apo dokument, kërkuan që ta rëndonin atë politikisht, të kontrollonin PD-në.
Kush u ngrit?
Sali Berisha u ngrit pikërisht për të thënë jo. PD-në nuk do e kontrollojë kush kurrë përveç anëtarëve të saj. Kryetarin e saj.
A nuk janë këto kontribute madhore të atij Sali Berishe që ishte tërhequr nga jeta politike?
Po pse nuk e bëri dikush tjetër? Fatos Nano nuk u ngrit, dha dorëheqjen, por të dytën më ka takuar ta bëj vetëm unë.
Kjo është e vërteta.
Mund të kesh 30 vite, por varet nga kulmet që ke mbrapa.
Këto janë kulme, këto janë maja frymëzime.
Çfarë tregojnë këto të dytat? Tregojnë mision.
Dhe kjo që po bëj është mision.
Ky është një mision dhe prandaj janë të shfazuar.
Në qoftë se i sheh, një tërbim dhe një verbëri gjer në primitivizëm.
Përpiqen me çdo kusht të mbrojnë farsën, ish-njerëz të lidhur me krimin politik, me krimin ordiner, njerëz që paguhen nga narkoshteti dhe borderotë e tij, nga mëngjesi gjer në darkë përpiqen të mashtrojnë shqiptarët.
Sali Berisha po i kundërvihet kësaj propagande në mënyrë të përditshme për të mbrojtur të vërtetat para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar.
Nuk ka moshë kurrë mbrojtja e të vërtetës.
Njeriu i qytetëruar, të vrtetën duhet të mbrojë gjer orën e fundit të jetës së tij. Ky duhet të jetë raporti i tij me të vërtetën, pavarësisht nga çcmimi që paguan.
Imagjinoni nëse nuk do bëheshin këto konferenca të përditshme, do lexoje poezitë e këtyre llum-intelektualëve, duke hymnizuar mandatin e katërt të Edi Ramës.
Se për ata, këta nuk janë qenie njerëzore. Këta që flasin nuk kanë pse të votojnë. Këta janë qenie inferiore.
Është një situatë komplekse, por kësaj here e përshkruar.
Nuk po qëndroj kot unë kundër sepse është raporti i komunitetit ndërkombëtar që i kushton 5 faqe fushatës dezinformuese të medias, kontrollit qeveritar të medias.
Dhe unë çdo ditë do mbroj të vërtetat sepse ky është interesi më i mirë i shqiptarëve.
Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, go ju çojë misioni juaj për të vërtetat e zgjedhjeve, kandidat për kryeministër në vitin 2029?
Berisha: E vërteta është që nuk po bëj gjë tjetër, veçse të jenë shqiptarët që me votën e lirë të përcaktojnë kryeministrin e tyre të ardhshëm.
Kjo është beteja ime.
Kjo është një betejë.
Ky është misioni im.
Unë po përpiqem çdo ditë dhe do përpiqem që shqiptarët të votojnë të lirë, ët zgjedhin të votojnë jo nën presionin e këtyre horrave, që nuk kanë ligj, kod as moral.
Këtyre plaçkitësve të fshirë nga çdo lloj standardi, shërbëtorë të Edi Ramës.
Të atyre kasnecëve që hiqen, shërbëtore të gënjeshtrës janë, që duan të mashtrojnë shqiptarët.
Është mision ky, por në dallim nga të tjerët, unë flas me fakte, se edhe unë mund të bëj retorikë.
Unë nuk bëj retorikë.
Unë po paraqes fakte se si janë dhunuar të drejtat themelore të njeriut dhe e drejta e votës së shqiptarëve.