Berisha: Prova jonë është më e madhja, më e vështira, por është më fisnikja, më e shenjta në tërë ekzistencën e PD-së

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka denoncuar Policinë e Shtetit se bëri gjithçka për të fshehur vrasjen e qytetarit në Pogradec, pasi vrasësi ishte i nipi i një zyrtari të mazhorancës socialiste. ‘Policia e narkoshtetit bëri gjithçka të fshihte vrasjen makabre të një qytetari, vetëm e vetëm se vrasësi ishte i Rilindjes’, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar akuzat në drejtim të mazhoracës socialiste të Edi Ramës, se çdo ditë që kalon në pushtet, është një plaçkitje e madhe e pronave që kanë mbetur ende. Berisha paralajmëroi se ‘në shënjestër është edhe tuneli i nëndetëseve në Porto Romano’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha , u shpreh se PD do t’u prij shqiptarëve në një revoltë të fuqishme për të përzënë narkoshtetin dhe rikthyer votën e lirë. ‘Miq, përveç revoltës, përveç revoltës, përveç revoltës nuk ka rrugë tjetër’, theksoi kryedemokrati.

Gjatë gjatës së tij, kryetari i PD-së Sali Berisha ka vlerësuar aksionin politik të Partisë Demokratike, si provën më të madhe dhe më të vështirë përgjatë këtyre viteve të demokracisë. ‘Prova jonë është më e madhja, më e vështira, por është më fisnikja, më e shenjta në tërë ekzistencën e PD-së’, u shpreh kryetari i PD-së, Sali Berisha në fund të fjalës së tij gjatë tubimit të përnatshëm.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve guximtarë, misionarëve të pamposhtur të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.

Një nderim të veçantë për oratorët e parlamentit të fjalës së lirë, që përcjellin këtu nga kjo platformë çdo ditë të vërtetat që fsheh, krimet që kryen, vjedhjet monstruoze, të ligat që regjimi diktatorial i bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve, u shkakton qytetarëve të këtij vendi.

Të dashur miq, asnjëherë nuk duhet të harrojnë shqiptarët se çdo ditë që kalon me këtë narkoregjim në pushtet është një ditë jo e mirë, është një ditë e keqe për qindra e qindra shqiptarë që mbledhin plaçkat e tyre dhe largohen nga Shqipëria.

Është një ditë e keqe, jo e mirë për qindra mijëra fermerë shqiptarë që shkojnë drejt falimentimit për shkak të vasalitetit të Edi Ramës ndaj Beogradit dhe Ballkanit të Hapur. Për shkak të kontrabandës së qeveritarëve të korruptuar dhe mbetjes në fushë të prodhimeve të fermerëve shqiptarë.

Çdo ditë që kalon është një ditë jo e mirë për fëmijët shqiptarë, studentët, nxënësit sepse është një ditë rënie tjetër e shkollimi, e arsimit në Shqipëri si në asnjë vend tjetër.

Çdo ditë që kalon në këtë vend është në avantazh të krimit, vrasjeve, makabriteteve dhe fshehjeve të tyre.

Dje, një babai me dy fëmijë, një njeriu të ndershëm i morën jetën në mesditë në Pogradec. Por për së dyti atë e vrau policia e narkoshtetit, e cila në një ngjashmëri me Klodian Rashën, bëri gjithçka të fshihte vrasjen makabre të një qytetari, të një babai, vetëm e vetëm se vrasësi ishte i sojit të krimit, i sojit të Rilindjes.

Dhe policia lëshonte komunikatë, përdhoste të vdekurin, viktimën. Policia në një akt ndër më kriminalët, për të mbrojtur xhelatin, vrasësin fshihte shkakun e vdekjes.

Shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit.

Shpreh respektin tim për reagimin e menjëhershëm të gazetarëve të Pogradecit dhe qytetarëve të atij qyteti të mrekullueshëm, pa të cilët të vërtetën e vrasjes së një njeriu të pafajshëm nga vrasësi rilindas dhe policia e Rilindjes do ta merrte varri.

Miqtë e mi, çdo ditë që kalon është një ditë vjedhje më shumë e qytetarëve shqiptarë.

Është një ditë mbylljesh dosjesh kriminale nga organizata kriminale e Skapit të partisë me në krye mercenar Dumanin.

Çdo ditë që kalon është plaçkitje e madhe e pronave që kanë mbetur ende.

Miq, a dëgjuat dy ditë më parë nën moton ‘rroftë ushtria’ se tunelin e nëndetëseve të Porto Palermos do e shndërronin në përdorim ushtarak dhe turistik.

Hajdutët mor miq, nuk kanë asnjë normë morale.

Mund të numërojnë gjer nesër në mëngjes se një ditë se një ditë e qetë për këtë qeveri është një ditë e zezë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ndaj dhe beteja e pandalshme është rruga e vetme.

Përballja e guximshme është rruga e vetme për të përmbysur këtë regjim armiqësor, antikombëtar.

Këtë regjim që po plaçkit këtë vend sa askush ndonjëherë në histori.

Të dashur miq, Erion Veliaj pasi ‘kolegët’ e Skrapit me në krye mercenarin e amnistuan, tani paguan paratë e qytetarëve të Tiranës për audite për të shpëlarë fytyrën e tij të zezë.

Për të mbuluar me mafian ndërkombëtare vjedhjet e tij të tmerrshme.

Për të mashtruar shqiptarët përsëri e përsëri.

Miq, përveç revoltës, përveç revoltës, përveç revoltës nuk ka rrugë tjetër.

Demokrate e demokratë, sot jeni para provës më të madhe në tërë jetën tuaj, në tërë ekzistencën tuaj.

Kjo provë është prova e jetës për çdo demokrate e demokrat.

Do t’u prijmë ne shqiptarëve në një revoltë të fuqishme për të përzënë narkoshtetin dhe rikthyer votën e lirë apo do firmosim mandatin e katërt të Edi Ramës dhe gllabërimin e opozitës nga honet e historisë?

Prova jonë është më e madhja, më e vështira, por është më fisnikja, më e shenjta në tërë ekzistencën e PD-së.

A do përmbysë diktaturën e krimit dhe drogës kjo parti apo do firmosë fasadën e saj për t’u vjedhur përsëri mandatet qytetarëve shqiptarë?

Mosbindje civile, greva, greva urie, protesta, të gjitha format, ja të vdesim ja të rrojmë për liri.

Votën nuk duhet ta falim kurrë!

Nuk mundet kurrë të mposhtë një popull një grup hajdutësh, kriminelësh, vjedhësish.

Çdo shqiptar t’i bëjë thirrje guximit të tij.

Çdo shqiptar t’i bëjë thirrje virtytit të tij.

T’i bëjë thirrje dashurisë dhe detyrimit që ka ndaj këtij vendi.

Ndeshja finale na pret.

Duhen vepra, duhen vepra, duhen vepra!

Duhet fitore, fitore, fitore!

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale