FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS PROTESTËS KOMBËTARE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke folur nga shkallët e selisë blu deklaroi se aksioni opozitar do të vijojë me intensitet të lartë dhe se një protesta e re do të thirret ‘shumë shpejt’. Ai falënderoi mbështetësit për pjesëmarrjen dhe qëndresën në protestë ndaj regjimit.
‘Një mirënjohje të pakufishme dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju, për qëndresën, për heroizmin,’ u shpreh Berisha, duke shtuar se protestuesit ‘u shndërruan në tmerr të vërtetë për narko-regjimin e Edi Ramës’.
Kryedemokrati akuzoi drejtuesit e policisë Skënder Hitaj, Sokol Bizhga dhe Enton Allushi, duke i cilësuar si pjesë të një ‘strukturimi kriminal’, ndërsa deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga aksioni i saj politik. ‘Dosja Rama-Balluku nuk mbyllet gjer ditën e fundit të jetës së tyre,’ tha Berisha, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Berisha akuzoi drejtuesit e policisë për sulmin ndaj deputetëve dhe drejtuesve të PD-së të cilët janë lënduar rëndë. Ai theksoi se, ndaj tyre janë përdorur ‘granata zhurmuese’ dhe mjete të tjera.
Lideri i opozitës Sali Berisha, theksoi se protesta e radhës do të organizohet së shpejti dhe se opozita do të vijojë me forma të ndryshme veprimi politik. ‘Patjetër, shumë shpejt do të caktohet. Nuk tërhiqemi ne. Kryengritja jonë paqësore nuk njeh të zmbrapsur,’ deklaroi ai. Opozita do të krijojë një front më të gjerë politik dhe shoqëror kundër qeverisë, duke e quajtur këtë proces një ‘kryengritje paqësore’ me synim ndryshimin e pushtetit.
‘Protesta tjetër më e fuqishme do jetë. Protesta tjetër më tmerr për regjimin do jetë,’ u shpreh kryetari i PD-së Sali Berisha në deklaratën e tij.
FJALA E PLOTE
Një mirënjohje të pakufishme dhe përshëndetjet më të përzemërta për ju, për qëndresën, për heroizmin, qëndruat të pamposhtur ndaj një terrori të një regjimi që u soll sonte si një pushtues barbar.
Zëri juaj, qëndresa juaj, u shndërrua në tmerr të vërtetë për narko-regjimin e Edi Ramës.
Sot, me urdhër të Edi Ramës, Skënder Ballukut, Sokol tradhëtarit, besëprerit Bizhga, dhe Enton Allushit, shefi i policisë operative i njësisë operative, kanë treguar fytyrat e vërteta prej kriminelësh profesionistë.
Nuk kanë asgjë të përbashkët me punonjësit e policisë, por janë kriminelë të certifikuar, të cilët mendojnë se do zmbrapsin një popull të tërë në mbrojtje të dyshes famëzezë Rama dhe Balluku.
Tani, dhe një herë, deklarova para pak, po deklaroj përsëri.
Dosja Rama-Balluku nuk mbyllet gjer ditën e fundit të jetës së tyre. Ata janë të regjistruar në analet e këtij populli, hajdutët më të mëdhenj të historisë së shqiptarëve.
Ndaj dhe nuk ka forcë në botë që t’i mbrojë ata nga ndëshkimi mbarëpopullor.
Sot, në emër të Lubi Ballukut dhe Edi Ramës, Skënder Balluku që mori drejtimin e narko-policisë, shënjestroi dhe goditi drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike.
Luciano Boçi është në spital me djegie.
Flamur Noka përsëri pësoi goditje, por vazhdon detyrën. Klevis Balliu në spital. Në spital janë drejtues të tjerë.
Aulon Kalaja, gazetarja Aulon Kalaja, i goditur personalisht, edhe një hakmarrje për qëllimet e tij ndaj regjimit.
Drejtues dhe veprimtarë të tjerë të Partisë Demokratike janë të plagosur.
Sot, Sokol Balluku ka përdorur bombat kundër protestuesve, granatat e zhurmës që quhen dhe që kanë plagosur disa prej tyre. Kanë hedhur shishe molotov dhe kanë plagosur edhe protestues, por dhe policë, sepse u duheshin si dëshmitarë të gjoja akteve të protestuesve.
Dënoj me forcën më të madhe dhe ju siguroj se forcë në botë që të mposhtë kryengritjen tonë paqësore nuk ka.
Edhe një herë, nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufijshme ndaj jush, gra dhe burra, djem dhe vajza, guximtarë të pamposhtur. Faleminderit.
Pyetje: Si do të vijojë protesta juaj?
Sali Berisha: Patjetër, shumë shpejt. Do të caktohet shumë shpejt, nuk tërhiqemi ne. Kryengritja jonë paqësore nuk njeh të zmbrapsur.
Pyetje: Do të ketë ndryshim në strategji apo pason zgjedhjet tuaja si kryetar i PD-së, ose të dalim si kryetar.
Sali Berisha: Të gjitha, të gjitha format e protestave do përdoren. Këto janë protestat, janë, kjo është kryengritje paqësore që ka si mision përmbysjen e narko-regjimit të Edi Ramës. Ky mision është misioni i Partisë Demokratike, por edhe i forcave të tjera politike opozitare, i shoqërisë civile, i grupeve të tjera të interesit, të cilat, për të cilat do bëjmë gjithçka të bashkohemi në një front të përbashkët për t’i dhënë shtytjen përfundimtare këtij regjimi. Por një gjë është e sigurtë, që ne nuk ka, kjo kryengritje nuk ka të ndalur. E shtata apo e teta me radhë, e panjohur më parë në Shqipëri, kjo është bërë, ka një mbështetje sa shqiptare, aq dhe botërore.
Pyetje: Zoti Berisha, nuk më dhatë një përgjigje. Protesta e radhës do të jetë para apo pas 23 majit?
Sali Berisha: Nuk kanë asnjë lidhje këto, kanë lidhje me regjimin. Nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me proceset e brendshme të partisë. Përkundrazi, është, ju jeni dëshmitarë që disa muaj më parë unë deklarova që Partia Demokratike do të hidhet në një veprimtari shumëplanshe. Shumëplanshe. Pra, ne tani vërtet jemi në procese të brendshme, analiza dhe zgjedhje në të gjitha degët, por kjo nuk mund ta pengojë ne të mbajmë kryengritjen paqësore si shpresë e madhe e shqiptarëve. Ndaj dhe, rrofshi ju! Lere e tmerruat sot regjimin. E tmerruat. I patë ç’fytyra kishin.
Kriminelë, kriminelë dhe vetëm kriminelë mund të quhen. Protesta tjetër më e fuqishme do jetë. Protesta tjetër më tmerr për regjimin do jetë.
Natën e mirë dhe mirupafshim.


