Berisha: Protesta ka filluar. Në grahmat e fundit, Rama po përpiqet të shpëtojë regjimin e tij duke përdorur kriminelë me uniformë dhe toga të zeza

KONFERENCA E PLOTE E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme me gazetarët është shprehur se Edi Rama i cili po ndodhet në grahmat e fundit të pushtetit të tij, po përpiqet të shpëtojë regjimin e tij duke përdorur kriminelë me uniformë dhe toga të zeza.

Gjatë konferencës, Berisha, i kërkoi publikisht Ramës që të votojnë në Kuvend, amendamentin që u heq deputetëve çdo mbrojtje që i dallon ata nga qytetari i thjeshtë. “Garantoj çdo qytetar se unë po mbroj qytetarët, duke mbrojtur Kushtetutën. Askush nuk e ndal vrullin e kësaj beteje pa kthim”, theksoi ai.

Gjatë fjalës në konferencën për gazetarët, kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka komentuar edhe situatën sa qesharake aq dhe të rëndë që krijoi dje SPAK duke anashkaluar avokatët e zgjedhur nga ai si përfaqësues ligjor, duke emëruar një avokat kryesisht në hetimin e nxitur ndaj tij, një avokat që ishte shprehur publikisht kundër Berishës, me deklarata fyese në rrjetet sociale.

‘A e patë kë zgjodhi ajo? Po ajo ishte fenomenale? Sikur ta porosisja unë. Atë Kmerin e Kuq.

Ajo ishte gjëja më e bukur. Ajo e përzgjodhi. Edi Rama ia çoi. Edi Rama ia nisi, do u them edhe personin që ua nisi. Edi Rama ia çoi, ku e njihte ajo’, tha kreu i PD-së gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTE

Edi Rama në një degradim total moral, psikik dhe të gjithanshëm, po përjeton krizën më të thellë të keqqeverisjes së tij.

I ngërthyer nga seriali i veprave penale të kryera në drejtimin e organizatës kriminale që ka ndërtuar, i ngërthyer nga zbulimet të telefonave të kriptuar që ka përdorur, që ka menduar se çdo bisedë e tij është e sigurt.

Vetëm bisedat me McGonigalin janë tërkuzë saqë kalojnë nga njëra anë në anën tjetër të Atlantikut.

Por nuk janë vetëm këto biseda, janë bisedat me eksponentët më të rrezikshëm të krimit dhe bosët e trafiqeve.

Nga 8 mijë SKY ECC, Encrochat dhe nja dy-tre të tjerë, telefona të kriptuar në Shqipëri, përqendrimi më i lartë ka qenë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave.

Edi Rama, i damkosur në mënyrë përfundimtare si hajduti më i madh i pasurive publike në historinë e këtij vendi, si njeriu që ndërtoi sarajet e tij duke pasur të deklaruara gjithsej 400 mijë lekë dhe 38 mijë euro.

Që deklaron se bleu truallin me 2 dollarë, që thotë se e ndërtoi me paratë e emigracionit, pa pasur një qindarkë të deklaruar gjëkundi. Një nga ndërtimet më të kushtueshme, me një oborr, me një park 5 mijë metrash, një njeri që ka firmosur në çdo fazë procesin e vjedhjes më të madhe të shekullit.

Një njeri që kur filloi karrierën si kryeministër, u akuzua në raportin e OSBE se kishte të fshehura në offshore 200 milionë euro dhe nuk e çeli gojën dot të përgënjeshtronte apo të hidhte në gjyq.

Edi Rama përjeton fundin e tij të pashmangshëm.

Pas rrënimit përfundimtar të votës, atë e pret përgjigjja e merituar e 600 mijë votuesve idealistë, që besojnë të vota dhe vlerat e demokracisë.

Në këtë kontekst, e damkosi në mënyrë përfundimtare edhe raporti i fundit i ODIHR-it.

Edi Rama ka krijuar për familjarët e vet, pasuri të paligjshme përrallore.

Olsi i tij, ortak i Amant Josifit, i cili u ka vjedhur në bashkëpunim, qytetarëve europianë nga 1 miliard gjer në 2.8 miliardë euro.

I vëllai i tij u shndërrua në përfaqësuesin kryesor të Shqipërisë në raport me biznesin kinez.

I vëllai i tij është de facto njeriu numër një i uzinës së drogës në Xibrakë.

Edi Rama, në shkelje të plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, anëtarit të familjes së ngushtë, i ka hapur mundësitë për të përdorur pushtetin e tij dhe për të përfituar dhjetëra tendera direkt ose si nënkontraktore.

Disa burime më thonë, prej 7 vitesh, në kundërshtim flagrant me çdo ligj, zonjusha nuk ka deklaruar asnjëherë në ILDKP pasurinë.

Edi Rama, i mirënjohur tashmë si Pashiqi shqiptar, është shndërruar në figurën më të urryer pas Enver Hoxhës në histori për çdo patriot shqiptar.

Ai po përpiqet, në grahmat e fundit, të shpëtojë regjimin e tij me ritorsione, me dacibao, duke përdorur kriminelë me uniformë dhe toga të zeza, që nuk pyesin për Kushtetutë, për ligje, për procedura.

Por zbatojnë si mercenarë porositë e tij.

Të gjitha këto janë motivet më të fuqishme për çdo shqiptar të vërtetë të shndërrojmë këtë vjeshtë, në vjeshtën e triumfit të mbarë shqiptarëve mbi këtë regjim antishqiptar, diktatorial, çnjerëzor, kleptokratik.

Ndaj dhe unë jam sot këtu, se e di që për të shprehur këto, për të gjithë shqiptarët, por prapë një problem, problemin e gjykatës.

Garantoj çdo qytetar se unë po mbroj qytetarët, duke mbrojtur Kushtetutën.

Përndryshe unë 10, 100 herë shkoj pa asnjë lloj, bile me një projekt të fuqishëm për të zbardhur të vërtetat aty ku nxihen, pavarësisht është gjykatë, është prokurori, është parlament, është shesh.

Ndaj dhe e ftoj këtë burracak, këtë frikacak të ketë kurajo, të vijë të votojmë amendamentin që u heq deputetëve çdo mbrojtje që i dallon ata nga qytetari i thjeshtë në Kushtetutë në raport me sistemin e drejtësisë.

Të vetmen votë, që unë e garantoj se unë e di që ata mund të mos e votojnë një pjesë e tyre, por deputetët e opozitës do e votojnë që nesër në parlamentin e Shqipërisë.

Nuk autorizohet një mercenare që ka humbur çdo gjë njerëzore, të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj.

Kushtetuta nuk mund të shkruhet në tavolinën e gjykatësit, as të prokurorit.

Unë po mbroj vetëm qytetarin dhe Kushtetutën që është pa diskutim, ombrella e tyre e vetme.

Por për të provuar nëse kam unë ndonjë ndrojtje apo kufizim për t’u marrë në pyetje në prokurori apo gjykatë, unë nuk kam asnjë vetëkufizim.

Por nuk është çështja për pyetje, por aty është një vendim që kufizon lirinë e deputetit. Të cilin unë në parim e kam pranuar. Por Edi Rama e hodhi poshtë.

Është Edi Rama që në vitin 2012 e hodhi poshtë në parlament.

Tani i them, bëhu burrë në ta mban dhe hajde të votojmë dhe mos përdor mercenarë që marrin përsipër të shkruajnë Kushtetutën në tavolinat e shtetit.

Së dyti, e garantoj se me asnjë masë, me asgjë mbi tokë, vrullin e kësaj beteje pa kthim, nuk do mund ta ndalojë.

PYETJE PERGJIGJET ME GAZETARET:

Pyetje: Z. Berisha pse u larguan dy përfaqësuesit tuaj ligjorë ditën e djeshme nga seanca?

Sali Berisha: E vërteta është që shumë të qartë, ose përfaqësuesit e mi shkojnë aty për një qëllim për të treguar se ku ndaj gjykatës, ndaj institucionit për arsye të formimit tim tregojnë respektin tim. Se mund të mos i çoja fare. Mund t’u thosha dilni bëni deklarata në media dhe aty mos shkoni. Jo, ata kanë shkuar. Ata kanë paraqitur një kërkesë. Largimin e kësaj gjykatëseje. A e patë kë zgjodhi ajo? Po ajo ishte fenomenale sikur ta porosisja unë. Atç kmerin e kuq. Ajo ishte gjëja më e bukur, ajo e përzgjodhi. Edi Rama ia çoi, Edi Rama ia nisi. Po, po. T’u them edhe personin me të cilin ia nis, po nuk ka rëndësi. Po Edi Rama ia nis, po ku e njihte ajo.

Pra, kanë shkuar për këtë qëllim. I kanë kërkuar: largohu, se ke shkelur Kushtetutën. Në qoftë se gjykatësja do thoshte: e thërras Sali Berishën për ta pyetur për efekte të hetimit të gjykatës, çfarë është e drejtë ligjore e saj, unë do shkoja cilido të thërriste. Po ajo  thërret për të komunikuar një masë vendim të cilin e merr duke shkruar vetë Kushtetutën. Nuk ka histori më të turpshme se kjo. Ndaj edhe ata i kërkuan këtë gjë, sigurisht që ajo… Nuk kam komunikuar se çfarë u ka thënë. Se çdo gjë komunikohet me Ramën, me EnchroChat apo me çfarëdo mjeti nuk mund të them tani, se duhet të pres ca kohë deshifroj. Por komunikon me Ramën. Dhe prap do shkojnë kur të thirren, kur të kenë për të shkuar. Unë rri në kontakt me organet, pavarësisht se Edi Rama mban këtë qëndrim.

Pyetje: Ditën e djeshme keni zhvilluar një mbledhje me Kryesinë e grupimit tuaj, ndërkohë që nesër do të zhvilloni mbledhje me Këshillin Kombëtar. Ditën e djeshme ka patur propozime nga më të ndryshmet deri te ato më ekstremet për të reaguar me protesta, por jo nga këto protesta që kemi parë deri më tani. Juve z. Berisha ndryshoni nga plani që thatë para se të niste e gjithë kjo çështje me SPAK kur keni deklaruar protesta të qëndrueshme, pra që të vinit të shesh dhe të vazhdonit të qëndronit për protesta të zgjatura, apo keni një strategji tjetër tani?

Sali Berisha: Asgjë nuk ndryshon kjo nga strategjia e mëparshme. Asgjë, edhe aty në mbledhje të Kryesisë. Ne kemi nisur betejën në parlament, por e kemi nisur absolutisht me vendosmërinë më të fortë. Kur kemi nisur betejën në parlament, ne natyrisht kemi vetëdije se çfarë përfaqëson grupi parlamentar, j vetëm për ne si forcë politike por edhe për qytetarët. Nuk ka diskutim se ajo do shoqërohet nga një mbështetje e fuqishme popullore. Por një gjë do jetë, këto protesta nuk ndalen më nga asnjë masë që mund të marrë Edi Rama. Të bëjë çfarë të dojë, ne e morëm këtë vendim, pasi ai dëshmoi se kundër demokracisë, është i aftë të bëjë gjithçka. Edhe me ato vota të cunguara që morëm, të njerëzve idealistë që nuk u trembën dhe nuk i shitën, Edi Rama i zhvlerësoi totalisht deputetët në parlament. Ai kaloi në ekstrem, ai kaloi çdo vijë të kuqe, çdo ekstrem. Ne do i përgjigjemi, do i përgjigjemi, do i përgjigjemi. Unë ua kam thënë edhe para se të ndodhte kjo. Ai kur e pa se nuk ka më kontroll mbi opozitën e vërtetë, përveç Bravën të tij, nxori historinë më të turpshme të një shekulli. Një dokument me 200 faqe, ku nuk fakton asnjë akuzë me asnjë provë. Ndaj dhe detyrohet, duke mos pasur asnjë provë, asnjë akuzë, detyrohet të përfundojë me masa sigurie për persona nën hetim. Pas tre vitesh hetimi. Tre vite që heton. Nuk ka mbetur dokument pa parë, pa shqyrtuar. Ju vet i keni par aty, lexojini. Kanë çdo dokument. I kanë fshehur, siç kam thënë. Kanë fshehur me qindra dokumente për të manipuluar. Por nuk ka gjetur. Ka dërguar 22 ish-punonjës të administratës për arrest me Prokurorinë Felaj në gjykatë. Por gjykatësit kanë refuzuar Prokurorinë Felaj. I kanë thënë Prokurorisë Felaj se nuk kanë asnjë shkelje ligjore. Kjo është e vërteta! Shikoni çfarë skenari? Ta bëjnë të madhe që njerëzit të thonë oo me të vërtetë këtu ka ndodhur diçka. Asgjë. Kjo piramidë që ka ngritur kjo dacibao çmontohet rresht për rresht. Ai është procesi më i përsosur që mund të ketë ndodhur në rrafshin ligjor. Ky proces ka vetëm një shkelje ligjore, duhet ta pranoj këtu dhe atë e ka bërë Edi Rama. Edi Rama ka ndryshuar destinacionin që në vitin 2006. Më datën 6 qershor. Kështu që me këtë vetëm sa tregoi se çfarë përfaqëson.

Pyetje: Ju thatë se do të nisin protestat. A do ti propozoni Këshillit Kombëtar një datë për nisjen e protestave.

Sali Berisha: Do konsultohemi me Këshillin Kombëtar, por zakonisht ky është atribut i kryesisë së partisë. Protesta ka filluar. Protesta ka filluar në parlament dhe të jeni të bindur se do jetë shumë serioze. Javë pas jave.

Pyetje: Ju e cituat avokatin Artan Simoni dhe dhatë mendimin tuaj. Nga ana tjetër a keni një mendim për dy avokatet që janë caktuar tashmë për të ju mbrojtur ju në gjykatë, ku njëra prej tyre është ish-kandidate për deputete e LSI-së, tashmë Partia e Lirisë dhe tjetra sipas zërave njihet si mbështetëse e PD-së.

Sali Berisha. Së pari, nuk kam asnjë njoftim dhe unë duhet të njoftohesha sipas procedurës.

Mesa di unë, duhet të njoftohesha, por kaq familjar nuk jam me rregullat. Kam avokatin.

Së dyti, për persona që nuk i njoh, nuk komentoj. Është normale. Nuk kam asnjë lloj komenti dhe kjo është normale. Ai që u hoq, ai ishte valutë. Se si e hoqën atë, nuk me mora vesh.

Pyetje: Pas shpalljes non grata nga SHBA, ju keni thënë se nëse del vetëm një provë që ju apo të afërmit tuaj, keni fituar qoftë edhe një qindarkë nga korrupsioni ju do të largoheni përgjithmonë nga politika. Nëse gjykata do të shpallë fajtor Jamarbër Malltezin, a do të largoheni përgjithmonë nga politika, apo nuk do ta njihni vendimin, siç edhe nuk keni njohur zgjedhjet e 14 majit.

Sali Berisha: Unë mendoj se kjo pyetje ka marrë përgjigjen më të plotë nga dacibao e Edi Ramës dhe larove të tij. Pasi kërkuan 3 vjet me lupë, nuk gjetën asnjë provë. Sepse një provë të vetme të qëndrueshme, i lejonte ata të formulonin aktakuzë penale. Në asnjë rresht, në asnjë rast ata nuk konfirmojnë një provë të vetme, sepse nuk ekzistojnë. Sigurisht ata kanë thënë se Jamarbër Malltezi, përfundoi nga 113 metra tokë, si investitor, përfundoi me 5.4 milionë euro. Mirëpo, ata nuk thonë, ndonëse e pohojnë se duhet të jem i saktë, pohojnë se ndërtuesi Fatmir Bekteshi që ishte aksioner me 40 përqind të kompanisë Homeplan, deklaroi se ne që në fillim të tre vendosëm të shesim në gropë, në themel. E thotë ai. Po ata, për të mos falsifikuar dhe mashtruar qytetarët me 5.4 milionë euro, duhet të analizonin të gjithë faturat e shitjes dhe blerjes së pallateve në gropë. Ato janë me qindra e qindra. Ajo kompani ka një bilanc. Dhe ata duhet t’u thonin qytetarëve se pas bilanceve, ky person nuk ka 5.4 milionë euro. Por nuk e bëjnë këtë se e dinë se ky person, qindarkë për qindarkë, i ka të vetat. Por ata janë përpjekur të krijojnë ushqim për horat, për manipulatorët, për të keqshfrytëzuarit. Mund të thonin se është futur jo me 113, por me 1250 metër katror, se ka blerë te kushërinjtë. Kështu që asgjë nuk qëndron aty. Prandaj, edhe pyetja që bën, nuk qëndron se unë kam folur për prova dhe fakte, por jo për trillime dhe manipulime. Për mashtrime. Besoj se jam i qartë.

Pyetje: Gjyqtarja Irena Gjoka ka kaluar të dy shkallët e vetingut, dhe nuk është kundërshtuar pothuajse nga asnjë provë dhe fakt që ajo ka paraqitur. Edhe një ankimim që kishte bërë Komisioneri Publik e kishte tërhequr. A jeni duke krijuar një precedent të rrezikshëm, sepse sot e quajtët gjyqtaren, kriminele me uniformë me toga dhe të urdhëruar nga Rama. A jeni duke krijuar një precedent të rrezikshëm duke kërcënuar gjyqtarë e prokurorë.

Sali Berisha: Nuk ka asnjë kërcënim. Gjykatësja me urdhër të Edi Ramës po kërkon të krijojë një precedent të tmerrshëm që nuk ka ndodhur kurrë. Të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj. Ky është mercenarizëm ekstrem. Nuk shkruhet Kushtetuta. Kushtetuta zbatohet. Asnjë ligj, asnjë person, asgjë nuk mund të dalë mbi Kushtetutën.

Ja çfarë thotë neni 73, pika 2: Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës pa autorizimin e Kuvendit. Po deshe ju lexoj nen tjetër, ky nuk është vetëm për deputetët, është për të gjithë qytetarët: Askush nuk mund të pengohet të dalë lirisht jashtë shteti. Thotë neni 38, pika 2. Nëse ti pranon të rrëzojmë Kushtetutën, atëherë hajde të rrëzojmë Kushtetutën. Të rrëzojmë Kushtetutën, kjo nuk ndodh! Cili jam unë në këtë rast? Unë ofroj, e kam bërë në vitin 2012, që t’i krijoj çdo kusht gjykatësit dhe prokurorit, që të heqim këtë nen. Edi Rama e ka mbrojtur me çdo kusht,. Tani përsëri, e vetmja ftesë dhe e fundit që kam për Edi Ramën, urdhëro të heqim këtë nen. Shiko, ai kontrollon çdo qelizë të drejtësisë, unë nuk kam frikë.  Urdhëro të bëhemi të barabartë me qytetarët. Por këtë nuk e do ai, se ai do të shërbehet me mercenarë që i lejojnë vetes të shkruajnë Kushtetutën. Nuk mund t’ia lë këtë trashëgimi unë vetes sime.

Pyetje: Dje Z. Paloka në një intervistë për MCN revolta e qytetarëve është aq e lartë sa ju është propozuar të rrokin armët. Në këto protesta nëse shkelet kushtetuta dhe ndodhin të gjithë ato që ju i thoni janë të jashtëligjshme, do i bindeni qytetarëve të rrokni armët.

Sali Berisha: Kryengritja është paqësore. Por, çdo mjet i mosbindjes civile do jetë në fushë. Kryengritja është paqësore, por mosbindja civile do organizohet çdo kohë e më shumë. Por kjo është lëvizje pa kthim. Ne do fitojmë. Ne e meritojmë të fitojmë se po mbrojmë parimet më themelore të demokracisë. I merr deputetët dhe i shndërron në një… Po pse të rrinë në parlament ata? E shkatërron parlamentin në një mënyrë, ç’të thuash se nuk dua të lëshoj gojën.

Kështu që beteja nuk ndërpritet.

Pyetje: Avokatët tuaj kanë dorëzuar kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Mbi çfarë argumenti ligjor është bërë kjo kërkesë dhe në rast se nuk do të pranohet kërkesa juaj për përjashtimin e gjyqtares, cili do të jetë hapi i radhës.

Sali Berisha: Avokatët e kanë kërkuar përjashtimin e gjykatëses mbi bazën e faktit se ka shkruar në mënyrën më kriminale në tavolinën e saj Kushtetutën. Prandaj ajo nuk e meriton asnjë minutë të jetë në atë detyrë. Dhe unë e siguroj, e kam thënë edhe këtu, që me procedurë ligjore do të vazhdohet gjer në fund ky problem. Nuk mundet një gjykatëse të shkruajë Kushtetutën. Bazuar mbi këtë Kushtetutë, është precedenti i disa rasteve.

Pyetje: Z. Berisha, sot disa herë keni cituar kushtetutën dhe keni artikuluar kushtetutën. A po fshiheni ju pas kushtetutës dhe a keni frikë të shkoni në gjykatë dhe të përballeni me akuzat që janë ngritur nga drejtësia.

Sali Berisha: Së pari nuk ka asnjë akuzë të ngritur nga drejtësia. Duhet të keni njohuritë e nevojshme. Asnjë akuzë. Nuk kanë qenë në gjendje, me gjithë keqësinë e tyre ekstreme, me gjithë zellin patologjik, janë angazhuar në manipulim dhe fshehje dokumentesh dhe në fund pas tre vitesh në 200 faqe, nuk kanë ngritur asnjë akuzë. Çdo njëri që thotë akuzë, kur e bën pa dashje, duhet të mësojë që nuk ekziston. Kur e bën me dashje, tregon keqësinë e tij shpirtërore. Nuk kanë ngritur akuzë. Dokumenti i tyre më dërgon mua dhe dhëndrin tim në gjykatë, dhe Fatmir Bektashin, një ndërtues në dijeninë time korrekt dhe që ka zbatuar ligjet. Pra dërgon këto tre persona në gjykatë, si persona në hetim. Dhe kjo person në hetim është krejt tjetër. Të qartësohemi, nuk kanë hapur çështje penale ndaj nesh. Se nuk kanë gjetur. Nuk kanë gjetur asnjë provë, asnjë fakt, asnjë dokument që të faktojë se është kryer shkelja më e vogël ligjore. Kanë kaluar në donkishotizma klasore duke sulmuar ligjet të reformave themelore në parlament. Dhe duke i lidhur ato… Të them unë ty, për heqjen e vizave të garantoj se janë ndryshuar të paktën 15 lidhe dhe ka dhjetëra vendime. Dhe është njëlloj të thuhet se këtë e bëri Sali Berisha për të hequr vizat për familjen e tij. Pra, një përpjekje për të marrë pushtetin e parlamentit, për të marrë pushtetin e ekzekutivit… jo se janë vendime kolektive, jo, por janë vendime të bazuara në ligj. Një gjë duhet ta dini ju dhe çdo shqiptar, aty ku zbatohet me përpikmëri ligji, nuk ka dhe nuk mund të ketë korrupsion. Korrupsioni është një fenomen që lind dhe lëshon shtat vetëm në rast se shkelet ligji. Ligjet e përjashtojnë. E dyta, unë po mbroj kushtetutën. Unë kam shkuar në prokurori sa herë me kanë thirrur dhe do të shkoj sa herë do të më thërrasin. Nuk ka diskutim, e kam shpjeguar pse shkoj. Pikërisht për këtë që thua ti, fshihem unë apo Edi Rama, hajde të heqim nenin e ta shohim kush fshihet. Unë nuk fshihem, unë votoj. E kam provuar këtë, kam qenë kryeministër kur e kam kërkuar heqjen e këtij neni. E bëj dhe sot në opozitë, nuk kam komplekse.

Pyetje: A keni ju informacione nga SPAK se në Kuvendin e Shqipërisë mund të mbërrijë ndonjë shkresë që lidhje për heqje mandati deputeti të opozitës për çështje të caktuara.

Sali Berisha: Asnjë lloj preokupimi ose interesi se çfarë mund të ketë SKAP-i i partisë me parlamentin, absolutisht nuk kam. Nuk kam! Kjo, për mua Kushtetuta nuk është SKAP-i, nuk është Edi Rama, nuk është gjykatësi, është shteti shqiptar. Është ligji themelor i shtetit shqiptar.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale