Berisha: Protesta, detyrim madhor për ata qindra e mijëra të rinj që u larguan nga Shqipëria

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA GJATË TAKIMIT NË DEGËN 11 të PD-së

U përshëndes shumë përzemërsisht dhe u falënderoj për këtë pritje.

Takohemi së bashku ne një moment, jashtëzakonisht të rëndësishëm për PD, opozitën shqiptare dhe Shqipërinë.

Takohemi së bashku në prag të një samiti të një rëndësie të jashtëzakonshme që mbahet në Tiranë në të cilin vijnë liderët e të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që vijnë në këtë samit. Njëri prej tyre, duhet të themi të vërtetën është përfaqësuesi më i zi i mafias shqiptare dhe ndërkombëtare, e për fat të keq ky është përfaqësuesi i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndaj dhe ne, forcë politike e vokacionit perëndimor, forcë politike e cila integroi Shqipërinë në NATO dhe bëri hapa të jashtëzakonshëm në integrimin Europian, në datën 6 dhjetor, ditën e samitit do të jemi në protestën tonë më të fuqishme që kemi bë ndonjëherë.

Protesta jonë, nuk ka asnjë shenjë proteste përveç se mikpritje ndaj liderëve të BE-së.

Por duhet të jemi të vërtetë, protesta jonë ka të bëjë me një armik të vlerave evropiane në Shqipëri, i cili për fat të keq, duke grabitur votën e shqiptarëve, përfaqëson shqiptarët në atë samit dhe ky është Edi Rama.

Ne dalim në atë protestë, me misionin për ti paraqitur Europës dhe botës se aty janë të paktën 1 mijë gazetarë, të vërtetën, apo Shqipërinë reale, të vërtetat e zeza të regjimit monist të Edi Ramës. Të regjimit të Ramës, i cili duke grabitur votën e qytetarëve dhe aspak me meritë, duke shndërruar shtetin e tërë në një makineri elektorale, duke përdorur miliona narkoeuro për të blerë votën, duke përdorur banda dhe rivendosur sistemin e patronazhistëve që në segmente të caktuara ka funksionuar identik si terroristë të kuq, ai ka grabitur votat e shqiptarëve dhe ulet së bashku me liderët të zgjedhur me votën e lirë të popujve të tyre.

Në këtë kontekst protesta jonë është zëri i popullit opozitar për vlerat europiane dhe kundër një armiku të vlerave Europiane në Shqipëri, që është Edi Rama.

Do ti meritoni të gjitha këto që bën Edi Rama ndaj nesh, nëse në datën 6 nuk do të jemi të gjithë në shesh, për të mbrojtur të drejt tona dhe për të paraqitur realitetin shqiptar, një realitet krejt tjetër nga ai që e paraqet propaganda e Edi Ramës, nga ai që paraqesin lobistët e Edi Ramës, të cilët duke përdorur dhjetëra milionë euro të taksave tuaja, korruptojnë kudo në vendet e tjera, qëndrime, deklarata që nuk kanë asgjë të përbashkët me realitetin shqiptar.

Ndaj dhe protestën në datën 6, duket ta kuptojmë si një mision për të përfaqësuar vlerat tona, idealet që kemi, lumenjtë e vuajtjeve, dhimbjeve e sakrificave të pamerituara, që ky regjim me padrejtësitë e tij, iu imponojë qytetarëve shqiptarë dhe në veçanti, popullit opozitar.

Këtë protestë, duhet ta konsiderojmë një detyrim madhor, për ata qindra e mijëra të rinj të cilët u larguan nga ne, nga vatrat, familjet e tyre, vetëm e vetëm se Shqipëria nuk u ofronte atyre në këto kushte në këtë regjim, ato kushte dhe mundësi që u takonin për të shkritë energjitë e tyre dhe për të ndërtuar jetën në vend.

Në këtë kontekst, kjo është protesta më e rëndësishme që kemi organizuar ndonjëherë, zëri ynë nuk mund të jetë askund tjetër, përveç se në protestë.

Ju keni lexuar, se si mediat e huaja, eksponentë të huaj, vend i varfër, qytetarë të varfër. Jo nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur. Se ne jemi ata që në vitin 2013 i kishim rrogat më të larta se Maqedonia, Serbia, Bosnja, i gjithë rajoni. Dhe e nisëm me rrogën e tretë më të ulët në botë, kishim pas vetëm Ugandën dhe Angolën.

E çfarë ndodhi? Prap kemi rrogat më të ulëta, paguhemi 20-30 % më pak se në Kosovë. Pse  kështu. Sepse kjo qeveri, vetëm vjedh. Kjo qeveri në këto 9 vite ka rritur nga 62.6 % që e dorëzuam në shtator të vitit 2013 në 107%. Ne e rritëm borxhin nga 58.4 në 62.6, e rritëm 4.2 %. Me rritjen e borxhit ne dyfishuam rrogat, pensionet, ndërtuam 11 mijë km rrugë, ndërtuam mijëra shkolla, qindra ujësjellës e kanalizime në të 4 anët e vendit. Subvencionuam mijëra fermerë. Si dhe pse ndodhi, pse kjo. Për faktin e thjeshtë se ne nuk ndërtonim një rrugë me çmim 8 herë se në Europë. Jo, rrugët në Shqipëri ndërtoheshin me një çmim 20-30 % më të ulët se në Europë.

Rrugët e mëdha që të gjitha i kemi ndërtuar me kompani të mëdha evropiane. I kemi ndërtuar me garë të hapur, në përputhje me të gjitha manualet e ndërtimit, të cilat nuk kanë kurrë çmime të tilla përrallore. Sot rruga Lekaj-Fier, të cilën secili prej jush kush e di sa herë e ka bërë, tani ç’bënë. Morën 320 mln euro për të bërë rrugë anësore dhe rikonstruksion që i bie 7 mln euro kilometri. Ndërkohë, ajo rrugë në segmentin Lushnje-Fier është ndërtuar me 1.2 mln euro kilometri dhe nga Shkëmbi i Kavajës në Lushnje është ndërtuar me 2 mln euro km.

Meremetimi 2 herë më shumë se ndërtimi nga e para. Vjedhje, vjedhje e vetëm vjedhje. Nuk mund të ketë asnjë arsye tjetër.

Ju nuk e ndoqët dot buxhetin e lanë natën që të mos e ndiqnit dot. Por ai ishte buxheti i hajdutëve. Ua thashë, hajdeni të bëjmë buxhet për qytetarët, që të konsiderojë rrogat, pensionet, ndihmën ekonomike, arsimin, shëndetësinë, për interesat e qytetavëre. Jo buxhet hajdutësh.

Opozita bëri 23 amendamente, të gjitha anti krizë. A po vuajnë shqiptarët sot, po vuajnë. Po blejnë bukën, qumështin, djathin, vajin, 7% më shtrenjtë se mesatarja e BE-së dhe këto janë dhëna statistikore të INSTAT. Blejnë naftën si në Zvicër dhe Gjermani. Pra a janë në një siklet ekonomik. Po janë të gjithë.

Atëherë hajde ti godasim këto faktorë në mënyrë që ti çlirojmë. Dhe propozuam 230 milionë, 100 milionë më pak se po vjedhin me rrugën, jo në asnjë mënyrë dhe votuan njëri pas tjetrit, sikur të ishin robotër, njerëz që nuk kanë asnjë ndjenjë njerëzore, njerëz që nuk mendojnë për të sëmurë, as për të rinj, fëmijë, shkollë, për asgjë, përveç vetes dhe privilegjeve si deputetë. I hodhën poshtë të gjitha amendamentet.

Amendamentet nëse do të miratoheshin jepnin një lehtësim serioz të problemeve ekonomike, pasi ulnin TVSH e ushqimeve, përgjysmonin aksizën, hiqnin taksën 23% për profesionet e lira, pra ishte një paketë tërësisht anti krizë.

Pse u ndërmor ajo, të ju them unë ju.

Në pamje të parë, dikush mund të thotë që ju ua prishnit buxhetin me të. Por jo, përkundrazi, absolutisht nuk bëhej asgjë tjetër, veç se buxheti kthehej nga një magazinë për ta vjedhur qeveritarët paratë, kthehej në dobi të qytetarëve.

Sipas KLSH-së, këta kanë vjedhur dhe shpërdoruar, 122 miliardë lekë në 8 muaj. Kanë vjedhur 1.1 miliardë euro në 8 muaj. Dhe ju garantoj se janë më shumë. Disa gjëra që janë të vërteta në atë listën nuk ishte përfshirë. Vetëm naftë këta vjedhin minimumi 250 mijë ton. Pra i hodhën poshtë të gjitha. Kjo e rrogave ishte 15-16% e atyre që vjedhin, të gjitha të marra së bashku ishin 51% e 122 miliardë lekëve që kanë vjedhur në 8 muaj.

Për këta qytetarët nuk ekzistojnë, ekzistojnë vetëm babëzia e papërmbajtur për të vjedhur sa më shumë. Nuk ngopen.

Sot këshilltari kryesor i Olta strategjikes, që u bë ministre për të marrë  investitor strategjik, për të lumturuar burrin, u shpall në kërkim. Spanja lëshoi urdhër-arresti. Sigurisht Olta e njoftoi, Rama e njoftoi, sepse padrinoja i vërtetë i Josifit që është edhe djali i drejtoresësh së përgjithshme të shërbimit civil, ai ka shef Olsi Ramën.

Është Olsi Rama mbikëqyrës kryesor i të gjithë tregut të bitcoin, të monedhave.

Për të ua rikujtuar pak, para 2 vitesh, Rama solli me urgjencë, fshehtas pothuajse, ligjin për kriptomonedhën, sepse ishte i vëllai që do të drejtonte dhe kanë vjedhur grupi i Amant Josifimit me Olsi Ramën si shef politik, 2.2 miliardë euro, qytetarëve evropiane.

I kanë kthyer një pjesë të tyre të mirë në para të pista, ose shkojnë dhe i depozitojnë në Emirate të Bashkuara Arabe.

Këta nuk ngopen.

Një ambasador amerikan, fisnik ishte ai, kishte qenë avokat i shquar dhe e takoj një person, dhe e pyeta si tu duk; lëre tha mos e pyet. Kam pasur unë klientë gjatë jetës time, disa prej tyre kishin vjedhur nga 1 miliardë, por problemi ishte se asnjëri prej tyre nuk donte të mos vidhte miliardin tjetër.

Edhe këta rendin të çmendur pas pasurisë. Ky erdhi në pushtet duke i thënë OSBE-ja me raport, 200 milionë euro në bankat offshore dhe nuk e hapi gojën, nuk e përgënjeshtroi nuk i hodhi në gjyq, se i’a dinin se ku i ka.

Sigurisht tani i duken thërrime. Tani duan miliardat dhe duan Portin e Durrësit. Porti i Durrësit është ndërmarrje e tij, siç ishin inceneratorët dhe koha do të vërtetojë se ndërmarrja është Edi Rama dhe se arabi është një okazional, një miliarder dhe ky do të ndjekë rrugën e tij të bëhet një Alabar në Mesdhe.

Kështu që kemi 1 mijë arsye për të dalë në datën 6 dhjetor në protestë për të ju faktuar të tjerëve; nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur. Jetojmë në një monizëm të plotë.

Sot Shqipëria për treguesit e zbatimit të ligjit, që është treguesi më themelor, jemi 53 shkallë poshtë Kosovës dhe 4 shkallë nën Vietnamin komunist. Po pse? Sepse Edi Rama ka uzurpuar të gjitha institucionet, duke vjedhur votën. Njëri pas tjetrit i ka shndërruar në vegla të tij, i ka marrë të gjitha institucionet e quajtura të pavarura, me drejtësi, me shërbim informativ, me polici, të gjitha me radhë.

Ka çuar shefin e Shërbimit e çoi për shkollim në Amerikë, që e ndalon ligji dhe çoi një këshilltarin e tij me porosinë e vetme që oficerët e SHISH në terren të mos transmetojnë në qendër të dhënat për qeveritarët. E dyta i porositi asnjë të dhënë me partnerët nuk do të jepet, pa u kontrolluar më parë nga ai zotëria dhe nga Rama, gjë që e nxjerr jashtë loje shërbimin.

Pra kemi të bëjmë me një gjendje e cila mund të ekzistojë vetëm në Bjellorusi. Ne kemi këtë rast për të ju dëshmuar Europës dhe botës se cili është realiteti shqiptar dhe ne duhet ta bëjmë këtë.

E them këtu para jush, kjo është vetëm një betejë, sepse ne me Edi Ramën do të kemi beteja të tjera shumë të forta dhe shumë të mëdha e nuk duhet të kemi asnjë iluzion.

Ai demokrat që mendon se mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën, ai gabon shumë rëndë.

Ai qytetar që mendon se Rama pranon vullnetin e tij, gabon shumë rëndë. Ne jemi para alternativës se çfarë do të bëjmë me këtë armik të votës së lirë? Do të dorëzohemi, largohemi? Jo do të qëndrojmë dhëmb për dhëmb.

Do ta mposhtim, absolutisht ne do të fitojmë sepse kauza jonë është e drejtë dhe ai përfaqëson një kalbësirë që qëndron mbi krimin, drogën dhe nuk përfaqëson asgjë tjetër.

Ndaj dhe çdo demokrat e demokrate duhet të jetë i betuar për të vazhduar këtë betejë deri në fitoren përfundimtare të idealeve tona demokratike, rivendosjen e shtetit pluralist, shembjen e monizmit siç shembëm monizmin komunist në vitin 1991, do të shembim tani monizmin e bazuar në krimin, drogën e një njeriu që është monument i zi, i krimit, mafias, vjedhjes, në Shqipëri, Ballkan, Europë dhe kudo.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale