Berisha: Projektligji i Ramës nuk lejon hetimet parlamentare. Rama mashtroi publikisht për udhëtimet me çarter

DEKLARATA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN E PËRJAVSHME ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Në konferencën e përjavshme të mbajtur sot, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha se, projektligji i Edi Ramës nuk lejon hetimet parlamentare.

Berisha tha se, Rama mashtroi publikisht për udhëtimet me çarter.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama nuk e përmendi komisionin hetimor për McGonigal sepse ai do të tregojë se është marrë dy herë në pyetje në SHBA. Edi Rama është përgjegjës për të gjitha fajet që ka pranuar McGonigal para drejtësisë amerikane

Berisha gjatë fjalës së tij u shpreh se, Edi Rama po bllokon negociatat vetëm pse Beleri nuk lejon që mafia e pushtetit të pushtojë brigjet. Berisha tha se, sot revolta po vlon në shpirtin e çdo shqiptari.

Berisha tha se, projektligji për komisionet hetimore është tipik ligji i shpellës.

Kryedemokrati u bëri thirrje qytetarëve që të thonë fjalën e tyre kundër këtij regjimi banditesk. Berisha tha se, sot revolta po vlon në shpirtin e çdo shqiptari.

Kryetari i PD, Sali Berisha përgëzoi autorin e shkrimit në Zërin e Amerikës për kompleksin “Partizani”, i cili është përpjekur të bëjë një analizë të ekuilibruar. Berisha tha se, investigimi i Zërit të Amerikës për kompleksin ‘Partizani’ kishte dy pasaktësi.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, dëshira e tij është që deputetët të jenë në Kuvendin Kombëtar, por bashkëpunimi do të vazhdojë sikur kanë qenë në sallë. Berisha tha në konferencën me gazetarët se, grupi parlamentar i PD është i bashkuar.

DEKLARATA E PLOTË

Seanca e gjyqit për Edi Ramën shtyhet për ditën tjetër.

Por sot, krye temë e ditës është përpjekja e tij, i tmerruar gjer në palcë, që të ndalojë me ligj hetimin e vërtetë parlamentar, si mjetin e vetëm sot në Shqipëri, me të cilin qytetarët shqiptarë ushtrojnë sovranitetin në kuptimin e kontrollit të pushtetit të qeverisë së tyre.

Edi Rama, pasi ka shndërruar drejtësinë me SKAP-in dhe gjykatat speciale, në një karikaturë të shëmtuar, në një seksion të PS-së, pasi në Shqipëri për shkak të kurtheve ligjore, referendumi nuk mund të realizohet, dhe ka mbetur e vetmja dritare e kontrollit të abuzimit të qeverisë me pushtetit komisioni hetimor parlamentar, pasi e bllokoi për tetë herë me radhë, tani ka dërguar ligjin qesharak, i cili kërkon të ruajë privacinë e tij dhe familjes së tij për të gjitha abuzimet që ata kanë bërë.

Kërkon t’i japë mundësi bllokimi çdo lloj hetimi parlamentar, duke përcaktuar në kundërshtim me çdo ligj dhe rregull, mënyrën e zgjedhjes së ekspertit, nuk beson as në ekspertët e certifikuar nga gjykatat, por beson vetëm në ekspertët që mund të përzgjedhë me votën e tij, de facto të mos lejojë asnjë lloj eksperti që nuk do falsifikojë dhe mashtrojë përpara se të caktohet, ju e keni vënë re që thotë se eksperti zgjidhet me dy të tretat. Ekspertët merren nga lista e ekspertëve që ka gjykata, ata kanë një certifikim, por Edi Rama kur bie puna te hetimi i krimeve të tij të tmerrshëm, ai do vetëm ekspertët që ia cakton Fatmir Xhafa apo ndonjë tjetër. Ky i fundit është aktivizuar shumë kohët e fundit, por mbetet ai që ka qenë.

Ju e shihni se pas betejave të pandërprera të opozitës për të ushtruar të drejtat kushtetuese të popullit opozitar, të drejtat kushtetuese të parlamentit, Edi Rama dërgon në parlament ligjin ku de facto i përjashton mundësinë opozitës që të hetojë, së pari 140 udhëtimet e tij me çarter në dy vite, me të cilat shpenzimi shkon në rreth 22 milionë euro.

Këto udhëtime përbëjnë një nga abuzimet më të mëdha, më kriminale të një sundimtari qoftë dhe të një principate më të humbur, pa le më të një vendi anëtar të NATO-s.

Nëse Edi Rama, siç mashtroi shqiptarët publikisht, nuk paska abuzuar me Ismailin e tij me 140 udhëtime në dy vite, ndërkohë që në 4 vite, një president i SHBA bëri gjithsej 74 udhëtime pune.

Pra, nëse 140 udhëtimet paskan qenë vërtet takime me kryeministrat apo kryetarët e shteteve, apo samitet ndërkombëtare, Edi Rama duhet t’i tregojë ato se në fakt ato kanë qenë vakanca në vende ekzotike dhe në Paris, kanë qenë siç thuhet rëndom, rrugë për transportin e ekspozitave të dështuara të tij. Pra, kanë qenë përdorime tërësisht personale dhe përbëjnë krim të shëmtuar politik.

Edi Rama, i cili kur rreshtoi disa nga komisionet për t’u shfajësuar, nuk e përmendi dot njërin prej tyre, komisionin McGonigal.

Ai nuk e përmendi dot, sepse ai komision do u tregojë shqiptarëve se si Edi Rama është marrë dy herë në pyetje, në hyrje dhe në dalje në aeroportin Xhon Kenedi të Nju Jorkut nga punonjësit e FBI.

Se si atij i janë kufizuar të gjitha lëvizjet, përveç një itinerari të caktuar, se si ai në një akt të pashembullt në historinë e protokollit të OKB, mikpritësit më kryesor, që është presidenti i SHBA, për herë të parë nuk e qasi në pritjen që jep për nder të kryeministrave dhe kryetarëve të shteteve.

Edi Rama u përpoq të mashtrojë shqiptarët me mediat e tij, se ai meqë u ftua presidenti, nuk u ftua vetë. Kjo është një gënjeshtër e bazuar në mashtrim. U them me përgjegjësi të plotë, se në asnjë rast, protokolli i SHBA nuk e ka përjashtuar kryeministrin për shkak të pranisë së presidentit dhe janë treguar bujarë dhe kanë ftuar si presidentin, por edhe kryeministrin.

Por Edi Rama nuk u ftua me qëllim, sepse nuk meritonte se atje është person nën hetim dhe ky përbën skandal madhor ndërkombëtar.

Edi Rama është përgjegjës për të gjitha fajet që ka pranuar McGonigal para drejtësisë amerikane sepse është bashkëfajtor në shkallë të barabartë.

Nëse McGonigal ka pranuar të punojë në kundërshtim me ligjet e vendit të vet, kundër opozitës, është kërkesa e Edi Ramës kundrejt shpërblimeve që e ka angazhuar atë.

Është dijenia e plotë e Edi Ramës për gjobëvënien si grup i strukturuar kriminal Rama-McGonigal-Duçka-Neza, kanë funksionuar në Tiranë e Prishtinë dhe në Maqedoninë e Veriut dhe kushedi edhe në Bosnje.

Ju e patë, nuk e shqipëroi një fjalë, por shqiptarët duhet ta dinë. Po pse duhet të dijë drejtësia amerikane më shumë se shqiptarët për kreun e tyre delinkuent në krye të qeverisë.

Kjo nuk mund të ndodhë. Edi Rama do hetohet, do hetohet gjer më një.

Edi Rama dërgon ligjin në parlament sepse me hetimin parlamentar, i përmbyset Dubai i tij në Durrës. I përmbyset lavatriçja më e madhe e parave të drogës dhe të vjedhjes me Bitcoin në Europë.

I përmbyset pra parajsa e krimit që do të ndërtojë duke mbyllur portin mijëravjeçar të shqiptarëve dhe duke u bërë një supermiliarder mbi pronat e qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.

Prandaj ai dërgon këtë ligj, me të cilin ai de facto suprimon sovranitetin e brendshëm të vendit, që shprehet me fuqinë e qytetarëve për të kontrolluar pushtetin e qeverisë së tyre.

Edi Rama nuk mund të pranojë komisionet hetimore parlamentare për sterilizimin, sepse ai është bosi i sterilizimit.

Kurrë një ministër nuk mund të nxirrte kryeministrin e vendit me një gërshërë të thyer dhe me një pincë me një krah për të mashtruar publikisht shqiptarët se ja si operoheshin ju, para se muratori im të merrte sterilizimin e veglave të kirurgjisë.

Në këtë rast, Beqaj është thjesht një Lefter Kokë, kurse koka e Meduzës e vjedhjes dhe e krimit është Edi Rama.

Edi Rama nuk pranon dot komisionin hetimor parlamentar për check-upin që e ka bashkëshortja e kushëririt, që regjistron në seri shpirtra të vdekur si në defteret e Çiçikovit për të vjedhur dhe mbushur xhepat me miliona euro.

Edi Rama nuk mund të pranojë hetimin e plaçkitjes së pronave të qytetarëve shqiptarë me të ashtuquajturat investitorë strategjikë sepse është vetë një nga makutërit, një nga plaçkitësit më të mëdhenj të këtyre pronave.

Po bllokon negociatat, siç i ka bllokuar për 10 vite me radhë, i bllokon edhe tani vetëm e vetëm pse Beleri është një lloj Bollanoje që nuk lejon që mafia e Edi Ramës dhe pushtetit të pushtojë brigjet dhe tokat e banorëve të bregut. Nuk lejon.

Këtu është gjithë problemi, ndaj dhe ai nuk pranon hetimin.

Qytetarë, do thoni ju fjalën tuaj. Sot revolta po vlon në shpirtin e çdo shqiptari.

Sot revolta po zien në shpirtin e çdo shqiptari.

Sot më shumë se kurrë, imagjinata e shqiptarëve punon për mosbindjen civile.

Parlamenti është bërë shembulli më i gjallë, më frymëzues, më magjepsës i të gjithë atyre që janë të vendosur të angazhohen në një betejë pa kthim për përmbysjen e këtij regjimi banditesk.

Edhe njëherë, seanca e gjyqit shtyhet për ditën e hënë.

PYETJE-PËRGJIGJE

Isa Myzyraj, Ora News: Sipas propozimit të Ermonela Felaj të ligjit të ri për Komisionet Hetimore, pika 13 e nenit 12 e kufizon këtë komision dhe me propozimin e shumicës së anëtarëve të një Komisioni Hetimor seancat mund të bëhen të mbyllura. Si e shihni këtë propozim dhe a është një tentativë për t’ju shmangur përgjegjësisë publike nga ana e socialistëve, pasi edhe anëtarët e komisionit detyrohen të betohen për ruajtjen e sekretit të asaj seance.

Berisha: Është tipik ligji i shpellës, kaloi tek shpella, po fole prapa koke. Ky është hapi drejt saj. Të betohem se nuk do të nxjerr asnjë sekret në qoftë se Linda Rama te Abi Bank ka patur aksione, ta zëmë. Të betohem se nuk nxjer asnjë sekret në qoftë se Edi Rama ka udhëtuar me dhjetëra herë me Ismailin e tij për vakanca në vende të ndryshme.

Pra, është tipik ligji i bodrumit, i shpellës.

Bekim Bici, Top News: Z.Berisha, referuar nga të gjitha këto që kanë ndodhur ka zëra në PD që kërkojnë të nisin protestat duke nisur edhe nga data 8 dhjetor që është një ditë shumë e rëndësishme në PD, që në fakt është edhe krijimi de facto, dhe jo de jure i krijimit të PD. A është data 8 dhjetor një ditë proteste për PD?

Berisha: Nuk ka një vendim të tillë, por protestat kur fillojnë nuk mbarojnë. Ky është vendimi: beteja pa kthim, beteja pa kthim do thotë nuk ndalojmë. Nuk do jenë protesta të zakonshme, jo absolutisht. Do jetëprotestë e mosbindjes civile që Shqipëria nuk ka njohur deri sot.

– Në qoftë se ju u shprehët që gjyqin do e shtyni për një herë tjetër, unë do doja që t’ju pyesja lidhur me një vendim tuajin mbi atë që ju pretendoni, se sipas jush keni qenë të detyruar që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që si nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të territorit të miratoni aktet e KRRT aktet e dala nga Bashkia e Tiranës. Por në një lajm të publikuar nga Zëri i Amerikës, rezulton që sipas tyre ju kenifirmosur aktin për ndryshimin e destinacionit një muaj pasi një para s etë dilte vendimi Gjykatës Kushtetuese. Cila është e vërteta?

Berisha: E lexova me interes shkrimin dhe e përgëzoj autorin që është përpjekur të bëjë një analizë të ekuilibruar. Por ka dy pasaktësi. Dy pasaktësi, nuk besoj të qëllimshme, pse?

Pasaktësia e parë është ajo që thoni ju. Është e vërtetë ajo që thotë gazetari investigativ, se vendimi është marrë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese që shprehet në mënyrë taksative që nuk mund të ndryshohet asnjë vendim që nga KRRT është marrë një muaj prapa, por Sali Berisha është njeri i ligjit.

Kur u ndërhyra të Zogu i Zi, unë më parë bëra ligjin. Kalova ligjin, dekretova aktin normativ, shfrytëzova kompetencën e qeverisë për akte normative. Se unë nuk kisha të drejtë të ndërhyja, dhe unë dekretova, autorizova qeverinë që të ndërhyj. Si të ndërhyj?

Nuk mund të ndërhyjë qeveria në bashki, por prefekti që është në territorin përkatës kishte të drjetë sipas dekretit që unë bëra të mbledhë KRRT dhe të anulojë vendime.

Ky dekret u shpall i pavlefshëm, nuk u anulua. Mirëpo, për mua ishte njëlloj, nuk kisha më bazë ligjore, besoj se e qartësova. Nuk kisha asnjë bazë ligjore që unë personalisht të hyja në bashki. Ishte hequr ligji.

Që të bëja dekret për së dyti, ajo ishte një karshillëk, ishte një përplasje institucionale që nuk duhet ta ndërmerrja. Aq më tepër kur ju e dini kryetari i kongresit të autoriteteve lokale rajonale të Europës për këtë çështje. Dhe ai ç’është e vësrteta qendroi në anën e Edi Ramës dhe ideologjikisht ishte i njëjtë me të, por për mua ishte institucion  i respektuar në KE.

Pra, në momentin kur unë deklaroj se unë nuk kisha më ligjin mbit cilin më lejoi mua të veproj, sepse gjykata e kishte anuluar atë 10 ditë përpara. Kjo është e vërteta.

E dyta, çfarë lexova aty me vëmendje. Ka një moment të dytë. Tek ndryshimi i ligjit për sportin. Ligjet kanë hierarkinë e tyre, dhe në çështje të pronësisë prevalon gjithmonë ligji bazë i kthimit dhe kompensimit të pronës.

Tani kemi këtu ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave të vitit 2004. Në nenin 7, pronat që nuk kthehen dhe rreshtohen këtu në pikën A,B,C,Ç,D,DH të gjitha llojet e pronave publike dhe shtetërore se kanë dallim, publike dhe shtetërore që nuk kthehen.

Neni 2, çfarë thotë? Neni 2 thotë: në rast se pronat e paluajtshme që përfshihen në pikën 1, pra në të gjitha pikat e këtij neni, pra propozohen të tjetërsohen, pra të ndryshojnë pronarë. Tjetërsimi është ndryshimi i pronarit. Ato i kalojnë subjekteve të shpronësuara.

Të dashur qytetarë ndër të tjera dëgjoni.

Është ky nen që i jep çdo pronari çdo pronë e cila vendoset në proces tjetërsimi. Qoftë koncension, qoftë privatizim të çfarëdolloj tjetër. Asnjë ligj nuk mund të prevalojë mbi këtë ligj, dhe e vërteta është që është ky ligji i 2004 ka shërbyer si bazë për qeverinë time, i modifikuar në kuptimin që kam shtuar kompensimin, nuk kam bërë asgjë më shumë, por kam forcuar komponentin kompensim, sepse kur një pronë nuk ishte e zënë ti nuk mund të prishje universitetin për ta kthyer, ti do kompensoje atë pronë.

Po të kemi parasysh këtë ligj, asnjë ligj tjetër, dhe le ta marrim ligjin e sportit. Ligji i sportit nuk thoshte fare për pronarin. Nuk e përmendte pronarin dhe privatizimin. Mjafton që përmendte koncensionin, koncensioni ishte tjetërsim dhe ky i kalonte automatikisht të shpronësuarit. Ligjin për sportet unë e kam diskutuar me ju. Atë klauzolë që vura në 2008 ishte që ruhet me kusht që të ruhet destinacioni.

Çfarë citon gazetari te Zëri Amerikës? Bën një analizë, thashë edhe njëherë, në tërësi objektive, pro citon Erion Braçen. Ndonëse them që ai ligj në komisione është miratuar me unanimitet nga të gjithë deputetët. Sepse gabimisht një vit më parë ishte hequr fare privatizimi që kishte ekzistuar në ligjin e 2005. Kishte ekzistuar, ishte hequr për arsye të panjohura, dhe në komisionin e parlamentit ai ligj u miratua në unanimitet nga të gjithë deputetët në sallë.

Por, Erion Braçe që bën objeksion aty, dhe që gazetari e ka studiuar, në qoftë se e lexoni me vëmendje, fjalinë e parë të ligjit e mbyll me (pikë). Fjalia e parë e ligjit nuk mbyllet me (pikë), me ligj. Ndahet me presje nga fjalia në vazhdim, dhe ky është dallimi esencial.

Vërtet në rast se fjalia e parë, e cila thotë: Terrenet sportive i privatizohen pronarit kur ka të tillë. Por në rast se i privatizohen pronarit dhe vihet një (pikë), e shkëpusje nga kushti. Kurse këtu i privatizohen pronarit (presje) kur ka të tillë (presje), ose ikën me koncension në përputhje me ligjin (presje) me kusht që të mos ndryshojë denstinacioni.

Pra, kushti funskionon për të gjitha fjalitë para kushtit, përndryshe në qoftë se donte veçonte pronarin, ligjvënësi do thoshte. Ta zëmë se nuk vinte (pikë), por vinte (presje), atëherë do thotë: për këtë rastine fundit me kusht që të mos ndryshojë destinacioni. Pra jepet koncensioni, por meqënëse kemi rastin privatizimin, në rastin e dytë do thoshte ligjvënësi: me kusht që të mos ndryshojë destinacionin.

Por kjo është thënë për të dyja. Kjo është në tërësi, ai artikull kishte bërë një investigim mund të them të plotë, përveçse i ka shpëtuar ky moment që fjalia, e kshte botuar vetë atë se nuk e kisha parë, fjalia në fjalën e Erion Braçes ndan fjalinë e parë me pikë. Po të ndahet me pikë është shumë e drejtë. Pika e shkëput nga kuptimi, nuk e detyron më kushtin, por është ndarë me presje.

Osman Stafa, News 24: Z.Berisha, a është normale që një ligj konkretisht për Komisionet Hetimore parlamentare të bëhet nga mazhoranca pa dialog dhe pa konsensusin e opozitës, në një kohë kur vetë ky ligj ka për subjekt kryesisht në shumicën e rasteve ka për objekt vetë qeverinë. Pra jë i korruptuar të paraqesë dhe të përcaktojë formën se si do ai vetë të hetohet. Dhe ky ligj në qoftë se do votohet nga PS, a do ta çoni në Komisionin e Venecias?

Berisha: Ky ligj nuk mund të votos, se PS nuk i ka votat, vetëm në qoftë se blen edhe vota në opozitë, është tjetër pastaj. Komisioni Hetimor parlamentar është institucion kushtetues dhe është vetëm ligj organik, nuk është ligj i thjeshtë. Vjen nga Kushtetuta.

Kështu që, ai tregoi  vullnetin e tij për të bllokuar hetimin, tmerrin e tij që ka nga hetimi, por ne do vazhdojmë betejën pa kthim në parlament dhe parlamenti nuk do mund të funksionojë në qoftë se nuk do rikthehet e drejta e popullit, e drejta e qytetarëve për të ushtruar kontroll mbi pushtetin e qeverisë.

– Sipas burimeve të mia z.Berisha, z.Bardhi dhe deputetët të cilën mbështesin taë nuk do të vijnë në Kuvendin Kombëtar të thirrur prej jush ku ju do të votëbesoheni. Duke marrë shkas edhe nga diskutimi që keni patur para disa ditësh në lidhje me vendimin palrmaentar për të çuar në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjen e Shqipërisë me Italinë të emigrntëve, ku duket se ju nuk qenë fort tifoz për ta çuar direkt, por keni shkuar te vendimi i grupit.

Përpara zgjedhjeve të 2025, a jeni ju i gatshëm për ta ndarë postin e PD nga kandidati për kryeministër?

Berisha: Unë e kam ndarë tani atë, si mund të themi kështu?

Unë kam premtuar publikisht. Fakti që, pas zgjedhjeve do këtë një votim  të dytë, do të thotë që është ndarë. Është unike në botë. A mund të gjesh ti një fitimtar tjetër veç Sali Berishës, që thotë të votojë populli pasi ka fituar zgjedhjet, se do i ftioj zgjedhjet, kjo e sigurt. Shko e pyesni Edi Ramën po të doni si është strukur e si është bërë.

Por unë do e bëj atë, se unë kam sensin e realizmit dhe të të gjitha gjërave.

Kandidati për të larguar Edi Ramën. Edi Rama do largohet nga protesta e mosbindjes civile, po për të larguar, për të mundur në qoftë se e kryeson, se nga PS nuk votohet, ata janë mafie, nuk votohet.

Pra, do të jetë Sali Berisha. Por, pas zgjedhjeve Sali Berisha ka deklaruar se do të bëjë një votim referendum, me kandidatura tjera për kryeministër.

– Pra, ju humbisni zgjedhjet e 14 majit, votëbesoheni dhe po thoni që do fitoni zgjedhjet e 2025 dhe ka shanse që Sali Berisha të humbasë?

Berisha: Jo, zgjedhjet e 14 majit Edi Rama i vodhi, të jemi realistë, i rrëmbeu. Dhe këtu besoj, nuk ka njeri që e mohon dot më këtë. Po ajo që themi ne është, që nuk do mundë dot që të vjedhë më zgjedhjet. Kjo betejë ka një qëllim, që shqiptarët të votojnë të lirë atë që duan dhe të mos guxojë më njeri t’u kontrollojë më vullnetin, t’ju diktojë votën.

Olta Blaceri, Vizion Plus: Pas humbjes së zgjedhjeve lokale ju premtuat analizë të brendshme, e cila nuk u bë. A mund të themi një ditë para Kuvendit Kombëtar, ku gaboi të PD për shkak të humbjes së thellë që ky rezultat të mos përsëritet?

Berisha: Tani, PD është në një betejë pa kthim, por analiza vazhdon dhe do vazhdojë. Kuvendi Kombëtar ka qëllim absolut ndezjen e fuqishme të motorëve të aksionit pa kthim, të betejës pa kthim, duke mos injoruar në mënyrë absolute analizën që partia do bëjë tani dhe në vazhdim.

Anesti Bajramemaj, A2 CNN: Nëse në Kuvendin e PD, siç është edhe e konfirmuar nuk do vijnë deputetët që mbështesin z.Gazment Bardhi, a mund të themi që grupi parlamentar i PD nuk është i bashkuar?

Berisha: Jo, nuk mund të themi. Grupi parlamentar i PD është i bashkuar. Do ta kuptojmë këtë si një proces. Sepse, është apo jo grupi parlamentar i bashkuar, po e dëshmon beteja epike që këta deputetë po bëjnë në parlament.

E fshinë parlamentin monist. E mbushën parlamentin monist pëllëmbë e badigardë. E futën në Zoom e stër-Zoom, e të tjera me radhë. Ishim bashkë aty kur Edi Rama erdhi me një autokolonë makinash si të ishte Kim Jong-un dhe jo kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s.

Pra, grupi është sot simbol i qendresës së PD. Problemet, të cilat nuk i injoroj, janë në zgjidhje e sipër. Kjo është e sigurt. Por ky proces që ndodh nesër, është proces statutor dhe një proces që ka një qëllim madhor, të përcaktojë për çdo demokrat, të qartë, projektin tonë.

– Pra nëse deputetët e Gazment Bardhit nuk do të jenë pjesë, nuk do të ketë asnjë qejfmbetje mes jush dhe atyre?

Berisha: Dëshira është që deputetët të jenë në Kuvendin Kombëtar, por bashkëpunimi do të vazhdojë sikur kanë qenë në sallë, kjo është reale.

Mariglen Kume, MCN Tv: Në nenin 81 të Kushtetutës përcaktohen qartë ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar, dhe në të mesa lexoj në të gjitha pikat nuk përfshihet ligji për Komisionet Hetimore. Keni një strategji tjetër se si do ta pengoni që të mos miratohet?

Berisha: Strategjia jonë në parlament vazhdon ajo me skenarët që patë ju dhe që i mori vesh e gjithë bota skenarët tanë. Skenarët tanë janë thirrje për shqiptarët, thirrje për komunitetin ndërkombëtar të shpëtojmë pluralizmin dhe demokracinë në Shqipëri.

Por, mund t’u them dhe tjetrën, ka një ligj sot në fuqi dhe Edi Rama e shkelmon, nuk e respekton. Ka një nen Kushtetute, Edi Rama e shkelmon atë. Ai nuk lejon kontrollin dhe ne do bëjmë gjithçka që qytetarët të ushtrojnë kontrollin. Do bëjmë gjithçka, do ketë një lëvizje të padiskutueshme të mosbindjes civile.

Qytetarët duhet të ushtrojnë kontrollin e tyre, përndryshe duhet të firmosë secili miratimin e diktaturës. Të shpërbëhemi siç po shpërbëhemi, të largohemi nga ky vend, siç po largohemi. Të votojmë dhe të na i numërojnë bandat votat.

– Po ditën e djeshme ministri i Drejtësisë ka lajmëruar që ka depozituar ligjin për amnistinë që ndodh, përfitojnë mbi 600 persona. Do ta jepni ju votën si opozitë për këtë?

Berisha: Së pari, në mos dhjetëra me qindra atë burgosur, të cilët refuzojnë amnistinë, sepse janë të pafajshëm, absolutisht të pafajshëm në qelitë dhe burgjet e Shqipërisë. Ju nuk ju lejojnë si gazetarë, por iu them ju se ato që tregojnë, letrat që unë kam prej tyre flasin për situata që përveçse në një pushtim të egër mesjetar, ku gjuha nuk lejon një komunikim mund të jetë i tillë.

T’ju jap ju një shembull.

Janë arrestuar në një dorë 52 vetë nga Korça, Shkodra, Berati, Tirana e me radhë. Organizatë kriminale, njerëz që nuk kanë njohur kurrë, nuk kanë folur kurrë me njëri tjetrin.

Ai që ruante parcelat e drogës në Tepelenë, ai është shef komisariati. Ky që mund të ketë vaditur. Ai i ruante, i kontrollonte këta, ai është shef komisariati. Ky që mund të ketë marrë, po e supozojmë se ka qenë rojë apo ka vadit aty, ky është në burg pa asnjë vendim, por jo prej 1-2 muajsh, por prej dy vitesh pa asnjë vendimi gjyqësor.

Ua tregova njëherë tjetër. Ka ardhur prokurori gjerman për aferën Amant Josifi. E kanë marrë dhe e kanë çuar në një call center. E faktuar që asnjëri nga ata djem dhe vajza nuk dinin gjermanisht, asnjëri prej tyre.

I kanë marrë 50, nuk kanë shkuar të call centerat që bënin mashtrimin. I kanë marrë i kanë futur në komisariat dhe është reale kjo që iu them. Pa asnjëlloj dokumentacioni tjetër, vetëm nga pamja fizike, ti do rrish, ti do ikësh, kanë mbajtur 17 vetë.

Jo, s’ka më tragjike dhe kjo është reale. Dhe kjo gjykatësja që fshihet pas krimit, kjo i dënon, 2 muaj paraburgim dhe pas 60 ditësh kjo nuk ka zbardh vendimin dhe ata vazhdojnë në paraburgim edhe për 75, 80, 90 ditë të tjera, sepse gjykatësja që me ligj është e detyruar të zbardhë ligjin brenda 48 orëve, nuk çon vendimin se regjimi do të ushtrojë terror, t’i mbajë ata në burg.

Këta nuk janë për amnisti zotëri. Këta janë për pafajësi dhe për dëmshpërblim për atë që iu është bërë. Këta janë me qindra, të them unë që jam me qindra. Kam letra prej tyre.

Unë nuk dua amnisti, dua pafajësi, sepse thotë, i kam treguar drejtorit dhe kam qenë në detyrë, dhe i kam thënë drejtorit: drejtor, ky person ishte me ngarkesë droge me se ishte, për një arsye më dha të themi 200 euro. Dhe kur mbas dy vitesh thotë, më erdhën me arrestuan se ke marrë 200 euro. Në një kohë kur ka mundësi t’i ketë dorëzuar ato 200 euro, nuk mund të dëgjosh ti gjëra që dëgjove.

Ky është një sistem i shpartalluar, i turpshëm që shkelmon në mënyrë çnjerëzore mbi të drejtat e qytetarëve. Ata duan pafajësi.

I dëgjon ti këta: i kapën spaçatorët. Po ti je një trafikant ti Taulant Balla që nuk ke shok. Që ke filluar që në rininë tënde studentore me trafik femrash dhe je denoncuar zyrtarisht nga diplomatët tanë në Bukuresht. Është denoncuar zyrtarisht me shkresë nga diplomati ynë se ky nxjerr viza për prostituta. Ndalohet në kufi në Malin e Zi. Kalonte, përdorte pasaportën për trafik droge në Maqedoni, përdor pasaportën 54 herë me Edmon Begon, edhe ky del e na flet për spaçatorët. Kap njerëz, fut.

Unë nuk jam për të mos arrestuar ata që shpërndajnë. Po nuk është kjo, porblemi janë ata që sjellin në radhë të parë. Ata që sjellin bëhen investitorë strategjikë. Ata që sjellin bëhen blerës votash, blerës komisarësh, blerës ministrash.

Pra, kjo është e gjithë. Amnistia është një shkallë e një hipokrizie ekstreme.

Ju ftoj nesër të ndiqni Kuvendin. Betejë pa kthim!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale