Berisha: Procesi duhej të fillonte me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh. Rama dyfishoi pagat e zyrtarëve të lartë!

PRONONCIM PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PARA PARLAMENTIT

EKSTRAKT

Gjatë një prononcimi për media ditën e sotme, Kryetari i PD, Sali Berisha para Parlamentit u shpreh se, Rama dyfishoi pagat e zyrtarëve të lartë, procesi i cili duhej të fillonte me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh.

Berisha tha se, ka qenë dhe do jetë pro gjithmonë për rritjen e rrogave, por faktori shkatërrimtar për këtë vend qendron te ngrirja e rrogave. Kryedemokrati u shpreh se nuk do ta votojë këtë ligj, pa filluar të paktën me rritjen e minimumit jetik deri në 200 euro.

Lideri i opozitës u shpreh për media se, Edi Rama ka blerë vota 3 deri në 4 herë më shumë se Tom Doshi. Ai shtoi se Edi Rama çoi zarf për herë të parë në historinë e zgjedhjeve, zarfin me 50 mijë lekë për 670 mijë pensionistë.

Kryetari i PD, Sali Berisha u pyet nga gazetarët për “rikthimin” e Bashës, Berisha tha se, Basha po bën agjendën e shkruar nga kryeministri Edi Rama.

DEKLARATA E PLOTË

Një farsë e turpshme me përmasa cinike të një cinizmi, pashpirtësie, hipokrizie të paparë u zhvillua sot në Parlament. Pasi mashtrojnë shqiptarët, duke paraqitur rrogën e presidentit, të admiralit, dhe të Rezartit, të gjitha këto nga 2.2 në 4.6 milionë lekë rritje, solli në Parlament një ligj në të cilin ata që janë nën nevojë, largimi i të cilëve po shkatërron Shqipërinë, mjekë, mësuesit, policët, ushtarakët përfitojnë një rritje 1.5%, ose -1%.

Një akt i tillë është jashtë çdo imagjinate. Një cinizëm i tillë ndaj punonjësve të këtij vendi, tejkalon çdo cak.

Kam qenë, jam dhe do jem gjithnjë për rritjen e rrogave, kjo nuk ka diskutim. Në qoftë se ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend, ka qenë ngrirja e rrogave. Por sot kjo farsë, ky akt ku dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1% ose zbresin- se kjo është përllogaritja me inflacionin e INSTAT-it, se po të përllogariten me llogaritjen e EuroStat, ju garantoj që rënia është edhe më e madhe se kaq.

Pra, dje kam insistuar që  ky proces të fillojë me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh. E përllogaritur në mënyrë të paanshme me speacialistë, kompetentë të fushës, nga avokati i popullit, duhet të ishte akti i parë për t’i dhënë përgjigje kësaj situate të rëndë, këtij mjerimi të frikshëm të krijuar në Shqipëri.

Në vend që të fillonte me vendosjen e minimumit jetik, që do i jepte përgjigjen përfundimtare ndihmës ekonomike, pensioneve nën 200 euro dhe bënte një zbutje të mjerimit, minimumi jetik zhduk mjerimin në kuptimin e varfërisë ekstreme. Ishte një masë plotësisht e mundshme, kur dihet që qytetarëve u vidhet nga pushtetarët çdo vit pothuajse dyfishi i fondit të përgjithshëm të pagave.

Kjo u mbyll në mënyrën më të turpshme nga njerëzit të cilët vjedhin shqiptarët nga mëngjesi deri në darkë, ditë për ditë e kështu me rradhë.

Pyetje: Pra, grupi juaj nuk do ta votojë këtë ligj?

Berisha: Ne nuk do e votojmë. Ne kemi propozuar dhe propozojmë. Ne nuk jemi kundër rritjes së rrogave, kategorikisht nuk jemi. Nuk jemi për mashtrimin e nëpunësve, punonjësve. Nuk jemi për mashtrimin e mësuesve, mjekëve, punonjësve, për mashtrimin e ushtarakëve, për mashtrimin e policëve. Nuk jemi.

Në qoftë se u themi se paga mesatare do dyfishohet, hajde ta çojmë, të fillojmë me minimumin jetik dhe të vazhdojmë pastaj, jo nga koka në fund, por nga fundi në kokë.

Ka një gjë. Janë këto të tjera shumë të papajtueshme me mënyrën e një jetese normale, dhe ka një moment tjetër që ta dini që dallon diktaturat nga demokracitë, nga vendet e lira. Është edhe diferenca e pagave në sektorin publik. Nuk është ajo ndonjëherë që paga mesatare e një vendi të lirë të jetë më shumë se 4-5 herë se paga mesatare e atij vendi. Kurse në këtë mënyrë paga mesatare bëhet 10 herë më e madhe, shkohet drejt sistemeve totalitare.

Pyetje: A ju tremb kthimi i Lulzim Bashës?

Berisha: Çfarë më tremb mua? Çfarë flet? Atë po e përdor Rama siç do. Po lëre çfarë më tremb mua ai. Mos bëj shaka. Ta pyes Ramën, a e lejon Rama apo jo atë. Të pyesë Ramën, pse do më pyesë mua ai. Ai është vegël në duart e Edi Ramës.

Ai bën se çfarë i thotë Rama. Mos më pyesni për agjendën e tij, agjendën e tij ia shkruan Rama.

Çfarë kërkoni tjetër nga unë. Unë po e them. Atij agjendën ia bën Rama, pikë mbaroi puna. Të bëjë ç’të dojë, asnjë lloj interesi nuk kam.

Pyetje: Në zgjedhjet e 14 maji logo e PD mori 103 mijë vota?

Berisha: Ato janë vota të Sali Berishës, siç e di ti. Është logo e cila iu mor Sali Berishës, dhe është vota e PD.

Bëri ndonjë fushatë Basha? Ku e bëri fushatën, më thuaj pak? Ai është historia e kalit të Timurit. Ato i mori kali Timurit. E morën e vunë logon aty, dhe i mori logoja. Lavdi logos.

Pyetje: Z.Berisha, kryeministri Rama pak minuta më parë në Parlament tha që mazhoranca fitoi masivisht për shkak se u refuzua opozita. Keni koment për këtë?

Berisha: Ajo që kam për të dhe për çdo shqiptar, është se zgjedhjet u vodhën masivisht dhe ky është një krim i shëmtuar. Cilido që ka dyshimin më të vogël, të shohë partinë e blerjes së votës të Tom Doshit, dhe ju garantoj se Toma është vetëm një lejtnant i Edi Ramës në këtë proces. Se Edi Rama ka vjedhur, ka blerë vota të paktën minimumi 3 deri në 4 herë më shumë se Tom Doshi.

Pse e them këtë?

Së pari, Edi Rama ka para pakrahasimisht më shumë se Toma.

Së dyti, ka të gjithë strukturat e shtetit për të realizuar votëblerjen.

Së treti, përveç parave, Edi Rama ka përdorur metodat më të hapura, ka përdorur zarfet, të cilët avoketërit e vjedhjes së votës që bërtasin në studio ‘rroftë hajduti’, duke dëshmuar një degradim të plotë të dinjitetit të tyre nga paratë e qeverisë. Edi Rama çoi zarf për herë të parë në historinë e zgjedhjeve. Zarfin me 50 mijë lekë për 670 mijë pensionistë.

Ata që bërtasinn ‘rroftë hajduti’ ata bëhen palë e një krimi monstruoz për të fshehur një krim. Dhe të jenë të bindur se kanë kryer një krim postelektoral të përmasave të barabarta me krimin elektoral.

Pyetje: Z.Berisha, por kjo mund të ripërsëritet sërish. Cila është masa që do marrë opozita. Duke vijoni duke ngrtiur akuza publikisht, apo do merrni masa konkrete?

Berisha: Ne nuk po ngremë akuza publikisht, janë faktet. Të fundit që mund të shtojnë pyejte janë avoketërit e vjedhjes së votës. Sepse, pas këtyre zgjedhjeve janë përdorur studiot si zyra avokatie për hajdutët e votës. Do ju jap një shembull, se jeni dhe vajza shumë prej jush.

Një natë përpara votimeve, apo dy arrestuan në klubin e vet Belerin. Dhe unë po e shoh aty, ai ishte duke ngrënë picë me dy bashkëpunëtorët e vet dhe thanë e kapën në flagrancë, duke shitur vota. E ndoqa.

Çfarë pashë të nesërmen që më tronditi thellësisht?

Pashë një nënë me tre fëmijë, e cila shkoi dhe u arrestua në 2 të natës, i la fëmijët në gjumë, e morën bashkë me djalin e madh, që edhe pushtuesi më i egër nuk kryente një akt të tillë. Dhe ajo nënë, në vend që të qarkullonte në të gjitha studiot televizive si dëshmia më e turpshme, më flagrante e një akti kryekëput politik kundër një qytetareje të pambrojtur, ajo nënë u zhduk, u shua.

Nuk shkoi një njeri t’i marrë një intervistë, përveç intervistës së parë, sepse studiot u helmuan nga paratë e krimit që pagoi qeveria për t’i shndërruar në avoketër. Dhe në vend të retorikës, sesi mund të merret një nënë në dy të natës, në kundërshti me Kushtetutën, të lërë fëmijët e vegjël vetëm dhe të çohet në Vlorë.

Në vend të kësaj pyetje, retorika se ku u blenë votat, dhe kjo vetëm e vetëm se Doshi ua kishte mbyllur gojën me euro. A mund të shtrohej një gjë e tillë? Dufe nacionaliste të vërbëra ndaj Belerit.

Unë iu them ju se çdo akt politik nga cilidoqoftë është akt i rrezikshëm për vendin. Është akt antidemokratik. Dhe tjetri, pavarësisht nga etnia e tij në një vend të lirë normal, ka të drejtë përveçse kur vendos gjykata ndryshe, të zgjedhë dhe të zgjidhet në të gjitha nivelet.

Në qoftë se ne i flakim këto parime, ju garantoj që ne ecim me shpejtësi drejt së shkuarës. Por interesat mafioze të Edi dhe Olsi Ramës dhe klaneve të tyre për trojet fantastike, të bukura të bregut bëjnë që Beleri të akuzohet. Mos harroni se këta montojnë dhe zërin. Mos u çudisni. Ju jap unë juve shembuj ku montohet zëri, dhe ku ti betohesh se është zëri i tij. Gjithçka bëhet në laborator.

Pra, këto janë përpjekje të turpshme për të zaptuar trojet në Himarë nga klani Rama. Janë edhe këto, gjithashtu përpjekje për të mbuluar megakrimin e tmerrshëm elektoral. Përdorimin e të gjitha mjeteve për të deformuar rezlutatin. A keni parë ndonjëherë në unison të thirret ‘rroftë hajduti’ si kësaj here? Nuk keni parë, dhe as nuk keni për të parë më. Histori tmerrësisht e dhimbshme.

Pyetje: Z.Berisha. z.Gazmend Bardhi sapo tha që grupi parlamentar të PD do votojë ligjin për rritjen e pagave. A keni një negociatë me z.Bardhi dhe znj.Tabaku për bashkimin e demokratëve?

Berisha: Ne nuk e votojmë ligjin, thashë edhe njëherë. Ligji nuk votohet nga ne. Sepse ligji për ne së pari, duhet të fillojë me minimumin jetik, vendosja e minimumit jetik i cili duhet të jetë 200 euro, dhe ua them një gjë me një efekt shumë të madh, sepse pasi t’i japësh ti tjetrit mbi 6 dollarë në ditë, i ke dhënë një mundësi minimale jetese dhe e ke nxjerrë nga varfëria ekstreme. Dhe të tillë janë qindra e mijëra shqiptarë.

Së dyti, hedh poshtë me përçmim indeksimin që kanë përcaktuar në të cilin rrogat e mësuesve, mjekëve, ushtarakëve, policëve rriten 1%, 2%, ose zbresin 1%, nuk rriten fare, ndërkohë që rrogat e zyrtarëve të lartë rriten realisht me 70%-80% për të mos thënë edhe 90%, ndaj edhe nuk mund të votohet ky ligj.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale