Berisha: Proces shembullor, i ftoj të gjithë demokratët të përmbushin këtë detyrim statutor

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka votuar paraditen e sotme në referendumin për kryetarin.

Duke folur për gazetarët, Berisha u shpreh se ky është një proces shembullor, ndërsa ka ftuar të gjithë demokratët që të përmbushin këtë detyrim, që rrjedh nga statuti i partisë.

Prononcimi i kryetarit të PD-së, Sali Berisha:

Përshëndes të gjithë demokratët dhe demokratet që kanë votuar gjer tani në mbarë Shqipërinë në një proces shembullor.

Në një proces në të cilin në mënyrën më demokratike referendare i shprehin besimin, ose shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo dhe kundër tij.

Me këtë rast ftoj të gjithë demokratët e tjerë që nuk kanë votuar të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor.

Të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm ndaj një procesi më demokratik që ekziston në të gjitha partitë moderne evropiane dhe botërore, në një pjesë të tyre më falni se janë pakicë, shumica përdorin procedura të tjera duke përfshirë edhe vetëm duartrokitjen në sallë për zgjedhjen e kryetarit.

I garantoj, i garantoj se do të përmbush me përkushtim të madh detyrimet e mia ndaj besimit të tyre, ndaj qëndrimeve të tyre. Faleminderit!

Pyetje: Zoti Berisha, në rrjetet sociale janë publikuar, ose më saktë vetë ish-deputeti Ervin Salianji ka publikuar disa foto ku qytetarët, ose demokratë kanë marrë fletën e votimit, nuk kanë zgjedhur emrin tuaj por kanë shënuar emrin e Ervin Salianjit. A jeni i penalizuar që nuk e keni rival përballë?

Sali Berisha: Unë besoj se përpëlitjet e një përfaqësuesit të botës së krimit nuk mundet me asgjë të përlyejnë këtë proces më demokrat në Shqipëri. Përfaqësues të botës së krimit nuk kanë dhe nuk do kenë kurrë vend në këtë parti.

Ndarja jonë me botën e krimit është ndarje për jetë a vdekje. Kjo është zgjidhje përfundimtare e jona. Askush dhe asnjëri nuk mund të mendojë se të konsiderojë fuqi në këtë parti, fuqinë e krimit. Jo. Zero.

Faleminderit. Mirupafshim.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale