Berisha: Procedura për kompleksin Partizani ka vetëm një shkelje, ajo mban firmën e Edi Ramës. Ja shkresa që gjyqtarja Irena Gjoka u shkarkua nga unë

KRYETARI I PD, SALI BERISHA BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Ditën e sotme në një bashkëbisedim të zhvilluar në rrjetet sociale me qytetarët Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha se, Rama nuk lejon hetimin e thjeshtrës, e cila ka fituar dhjetëra tendera prej 7 vitesh në kundërshtim me Kushtetutën.

Berisha tha se, Edi Rama është e keqja më e madhe pas Enver Hoxhës. Ai tha se, Edi Rama nuk mund të pranojë të hetohet për sarajet e tij, 57 metra të gjatë themelet, të cilat ai i ndërtoi kur kishte të deklaruar në ILDKP, gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë të reja.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se, gjyqtarja Irena Gjoka e cila ka në dorë dosjen e hetimit kundër tij, është në konflikt interesi, pasi e ka shkarkuar nga detyra në 1996 me akuzën për korrupsion.

Berisha ka publikuar një dokument ku është përgjigjja e Ministrisë së Drejtësisë drejtuar avokatëve të tij, që deklaron se Irena Maneku ka masë disiplinore. Berisha tha se, Irena Gjoka u shkarkua nga unë për korrupsion dhe po fshihet pas krimit të saj.

Berisha tha se, Edi Rama ka krijuar mekanizmin me të cilin krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Ai nxjerr Bajrët për të penguar të gjithë votuesit që duan të votojnë me vullnetin e tyre të lirë, duke mos i lejuar ata.

Kryetari i PD, Sali Berisha iu përgjigj pyetjes së një qytetari se, a do të vazhdojë gjyqi publik ndaj Edi Ramës. Berisha tha se, gjyqi publik kundër Edi Ramës, do të vazhdojë deri sa të ju dëshmoj se çfarë rreziku përfaqëson ai ndaj qytetarëve.

Berisha iu përgjigj pyetjes së një qytetari tjetër, se a do të fillojnë protestat. Berisha tha se, çdo shqiptar opozitar duhet të betohet për vendosmërinë e tij pa kthim, kontributin e tij pa kthim kundër kësaj diktuare.

FJALA E PLOTË

Ju kërkoj ndjesë për vonesë, por një arsye objektive më detyroi që të filloj me vonesë këtë bashkëbisedim që unë e pres gjithnjë me shumë kënaqësi.

Natyrisht, sot, çështja më kryesore që unë desha të diskutoj me ju, lidhet me aktet diktatoriale të Edi Ramës, të pashembullta në 32 vite, akte me të cilat Edi Rama konfirmon publikisht vendosjen e diktaturës së bandave në Shqipëri, konfirmon veten një diktator që nuk respekton ligjet, votën, Kushtetutën, që ka përqendruar gjithçka në duart e tij.

Këto nuk janë deklarata politike, por të ëvrterta dramatike, para se gjithash për çdo qytetar shqiptar.

Sot, 43 deputetë të opozitës janë angazhuar në një betejë pa kthim në parlament, për faktin më të paimagjinueshëm, sepse Edi Rama ka urdhëruar konfiskimin e të drejtave të tyre themelore politike, të drejta që burojnë nga vota juaj, të drejta të dhëna me Kushtetutë deputetëve, në mënyrë që ata të mund të mbrojnë interesat tuaja.

Duke u mohuar deputetëve të drejtën e procesit legjislativ, të paraqitjes së ligjeve, rezolutave dhe amendamenteve, të cilat sipas Kushtetutës dhe rregullores së parlamentit, duhet të ndjekin një proces normal parlamentar, ai de facto u vendos veton.

Edi Rama, jo një herë, por gjatë këtyre dy viteve, ka mohuar 8 komisione hetimore parlamentare.

Këto komisione hetimore parlamentare, kanë në epiqendër të hetimit të tyre, Edi Ramën personalisht, familjarët e Edi Ramës, ministrat e Edi Ramës, oligarkët e Edi Ramës.

Këto komisione synojnë të paraqesin para shqiptarëve se si Kushtetuta e vendit, thyhet, dhe se si familjarët e Edi Ramës pasurohen në kundërshtim me përcaktimet e Kushtetutës.

Në Kushtetutë, familja e ngushtë e deputetit, dhe kjo nënkupton bashkëshorten, prindërit dhe fëmijët, nuk lejohet të sigurojnë asnjë të ardhur tjetër përveç rrogës, nga sektori publik qendror apo vendor.

E vërteta është se thjeshtra apo vajza e familjes së Edi Ramës, prej 7 vitesh, ka fituar me dhjetëra e dhjetëra tendera në kundërshtim me Kushtetutën.

Dhe thuhet se nuk bën as deklarimin e pasurive në ILDKP. Pra, qëndron mbi ligjin dhe Kushtetutën. Dhe Edi Rama nuk pranon të hetohet.

Nuk pranon të hetohet Edi Rama për sarajet e tij, të cilat janë ndërtuar në një tokë që ai pretendon se e ka blerë me 1.5 dollarë, në një kohë kur toka kushtonte minimumi 20 dollarë në atë zonë.

Por ky është vetëm një aspekt. Aspekti tjetër antiligjor i hapur është se ajo tokë nuk mund të blihej për qëllimet që e ka blerë Edi Rama. Pra, ka shkelur ligjet.

Edi Rama nuk mund të pranojë të hetohet për sarajet e tij, 57 metra të gjatë themelet, të cilat ai i ndërtoi kur kishte të deklaruar në ILDKP, gjithsej 3800 euro dhe 400 mijë lekë të reja.

Edi Rama nuk pranon të hetohet sepse nuk ekziston asnjë burim transparent me se u ndërtuan sarajet. E shoqja deklaroi se është ndërtuar me paratë e ‘Kurbanit’, ndërkohë që për ‘Kurbanin’ nuk ekzistonin fatura tatimore, fatura bankare, fatura ndërtimore.

Më vonë, Edi Rama deklaroi se ka punuar në emigracion. Shumë mirë, po si i solle ato para nga emigracioni? Me cilën bankë i solle? Sa ishin ato para? Cili ishte burimi i tyre?

Je akuzuar se ke shitur ikona të vjedhura. Jo nga unë, por nga Fatos Nano.

Je akuzuar se je burgosur në Francë. Jo nga unë, por nga koleksionisti Gjergji Thimio dhe nuk e ke kundërshtuar kurrë.

A nuk duhet të dinë qytetarët për të gjitha këto?

A nuk duhet të dinë qytetarët se si u ndërtua pallati 5-katësh në sheshin e pallateve nga Linda Rama dhe familja e saj? Për të cilin nuk ekziston asnjë faturë.

Linda Rama deklaron se është ndërtuar me para gjaku. Po pare gjaku do të thotë para krimi. Nuk e di, unë nuk kam asnjë të dhënë që familjarët e saj janë të implikuar në krime.

Po ajo që duan të dinë shqiptarët është se si u ndërtua pallati.

Dhe sapo Zana Xhuka, ish-kryetarja e ILDKP, ndërmori në përputhje me ligjin, procesin e hetimit të këtyre aferave, Edi Rama e shkarkoi nga detyra në mënyrë antikushtetuese

Ai e shkarkoi Zana Xhukën, por ama OSBE në raportin e saj deklaroi se Edi Rama ka të fshehura në bankat offshore 200 milionë euro. Dhe kjo deklaratë i përket vitit 2014. Ai kurrë nuk e mohoi këtë.

Po nëse ne nuk përqendrohemi tek Edi Rama, këtu ligj e Kushtetutë nuk ka më.

Edi Rama sot është e keqja më e madhe pas Enver Hoxhës.

Ne duam të votojmë, Edi Rama nxjerr Bajrët, nxjerr bandat dhe nuk le të votojnë. Edi Rama ka krijuar mekanizmin me të cilin krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim.

Ne duam të votojmë dhe Edi Rama shpërndan 683 mijë zarfa për pensionistët, të gjitha të ndaluara me ligj.

Ne duam të votojmë, Edi Rama nuk na lejon të regjistrojmë emrin e partisë në fletën e votimit.

Ne duam të votojmë, Edi Rama ka prerë çdo fond dhe kandidatët garuan pa asnjë qindarkë nga fondet publike.

Pra, vota nuk na ka vlerë më. Të drejtat kushtetuese nuk kanë më vlerë

Kur u mohohen deputetëve, imagjino se çfarë ndodh me ju

Pas gjitha këtyre, Edi Rama kaloi në akte të mirëfillta politike diktatoriale.

Ai urdhëroi larot e tij që funksionojnë në SKAP dhe drejtësi si një organizatë kriminale, të privojnë kryetarin e PD nga liria e lëvizjes jashtë shtetit

Të burgosin anëtarin e Këshillit Kombëtar dhe kryetarin e Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, vetëm për motive politike.

Pas 3 vitesh hetim, nuk është gjetur asnjë shkelje ligjore. Asnjë shkelje ligji, procedure në trajtimin e kompleksit Partizani nga Sali Berisha apo administrata e tij.

Po, ka një shkelje, duhet të jem i sinqertë me ju.

Dhe kjo shkelje mban firmën e Edi Ramës. Është Edi Rama që në kundërshtim me ligjin e urbanistikës, në një kohë kur klubi Partizani nuk i ishte kthyer pronarëve, por ishte pronë shtetërore, vendos me firmën e tij për t’i ndërruar destinacionin nga terren sportiv, në zonë ndërtimi.

E bëri me valixhe eurosh këtë, nuk e di, por ai këtë e bëri në shkelje të plotë të ligjit

Përpiqet të paraqesë reformat e thella transformuese të qeverisë së PD, 2006-2013, sikur ato janë bërë për të favorizuar Jamarbër Malltezin, i cili ka përfituar nga këto reforma dhe ka marrë 410 metra tokë. Trashëgimi familjare, e konfiskuar 60 vite më parë nga regjimi komunist.

Por këto reforma në 6 vite, iu rikthyen shqiptarëve, 1 miliard e 577 milionë metër katrorë tokë. Iu rikthyen shqiptarëve rreth 120 milionë metër katrorë truall. Nga të cilat një ish-pronar, siç ishte Jamarbër Malltezi, nga familja Begaja, ka marrë 400 metra. Dhe kjo familje, Begeja, e cila është në toplistën e familjeve të konfiskuara nga regjimi komunist për floririn, ka disponuar mbi 1 milion metër katrorë tokë në Tiranë. Ka marrë më pak se 8 përqind të tyre

Atëherë pse kjo burgosje politike? Pse shkel Kushtetutën dhe sanksionon kryetarin e PD, deputet, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën? Se Kushtetuta kërkon që të merret leje në parlament.

Edhe njëherë dua të sqaroj se unë në vitin 2012 kam kërkuar ndryshimin e Kushtetutës që të mos merret asnjë leje në parlament. Edi Rama e hodhi poshtë me pretekstin se Sali Berisha na arreston. Sali Berisha voton që tani për çdo masë që do të sugjerojnë organet e drejtësisë. Por Kushtetuta nuk mund të shkelmohet. Këtë e bëjnë banditët.

Unë nuk mund të shkel kurrë Kushtetutën, pse një grup i strukturuar kriminal, i përbërë nga një prokuror, ish-oficer i policisë sekrete të Enver Hoxhës, i përbërë nga një gjykatëse, shtojcë e bandave të vendit, e cila konfiskon dosje dhe u mohon qytetarëve të drejtën e procesit gjyqësor.

Nga një gjykatëse, pa dinjitet, pa cipë, që fshihet pas krimit të saj.

Unë jam sot këtu para jush, ju më keni dëgjuar me ditë të tëra që t’i kërkoj të bëjë publike a ka qenë apo jo e ndëshkuar nga Sali Berisha në vitin 1996. Është fshehur pas krimit që ka kryer. Është fshehur pas shkeljes flagrante të ligjit të konfliktit të interesit, si një mercenare e Edi Ramës

Atëherë, meqenëse ajo është fshehur, unë po u jap ju, e kam ruajtur për ju, e kam ruajtur për ju këtë shkresë.

Kjo shkresë është përgjigjja që Ministria e Drejtësisë u jep avoketërve, që pranon se Irena Gjoka, gjykatësja Irena Maneku ka masë disiplinore.

Shikoni sa qesharake, thonë nuk e dimë nëse është Gjoka kjo Maneku apo tjetër, në një kohë kur kjo është gjykatësja që fshihet pas krimit, sepse ka kryer krim duke shkelur ligjin e konfliktit të interesit.

Sepse kur ka shkuar dosja, e tëra me mashtrime, një piramidë mashtrimi, ka qenë e detyruar nga ligji të deklarojë se nuk kam asnjë konflikt interesi në gjykimin e kësaj dosje.

Ja ku është shkresa. Dokumente të tjera do i faktojnë se kjo Maneku është Gjoka dhe Gjoka është Maneku, meqenëse ajo kryen krimin e shëmtuar dhe i fsheh ministrit të Drejtësisë faktin se ajo është i njëjti person. Është shkarkuar nga Sali Berisha për shkelje të rënda dhe korrupsion.

Don Muzaka: Z. Berisha, gjyqi publik kundër Edi Ramës sa do të vazhdojë?

Berisha: Gjyqi publik i Edi Ramës, i lidhur me sanksionet ndaj Sali Berishës dhe burgosjen politike të Jamarbër Malltezit, do të vazhdojë gjersa unë të paraqes para shqiptarëve, çdo fakt/dokument se Edi Rama dhe larot e tij, organizatë kriminale në organet e drejtësisë kanë kryer një krim të shëmtuar politik. Kanë akuzuar një njeri, i cili ka përfituar mes qindra e mijëra qytetarëve shqiptarë nga procesi i privatizimit në përputhje me ligjin, 400 metra tokë të konfiskuar familjarëve të tij në 1946. E bëj këtë, jo për vete, ju garantoj, jo për Jamarbër Malltezin, absolutisht. E bëj për ju, si dëshmi se çfarë rreziku të madh përfaqëson Edi Rama me drejtësinë e tij që kontrollon sot totalisht dhe është i aftë të ndëshkojë cilindo prej jush në cilën do mënyrë që ai të dëshirojë. Kjo është shprehje më tipike e diktaturës së bandave që nuk njeh ligj, mora, por thjeshtë urdhrat e atij personi tepër të rrezikshëm për ju, që ka përqendruar të gjitha në duart e tij.

Eljon Kaja: Doktor përshëndetje. Çfarë pritet të ndodhë më 2 dhjetor kur të mblidhni Kuvendin Kombëtar.

Berisha: Kuvendi Kombëtar i PD ka për qëllim kryesor, të përpunojë platformën ‘Opozita në aksion’. Sot në kushtet e diktaturës së instaluar përfundimisht, kur vota nuk ka më vlerë, kur të drejtat kushtetuese të deputetëve nuk kanë më vlerë, kur krimi prodhon votën dhe vota krimin, kur qeveria dhe ministrat nuk lejojnë kontrollin parlamentar ndaj tyre, kur drejtësia merr vendime strikt politike dhe kontrollohet nga një njeri, Kuvendi është për një plan veprimi kundër kësaj diktature gjer në përmbysjen e saj. Pra në këtë kontekst Kuvendi synon së pari të ndërgjegjësojë shoqërinë shqiptare me mesazhet e tij, për diktaturën e instaluar për faktin se Edi Rama përfaqëson një rrezik madhor për çdo shqiptar, të përcaktojë rrugët e kapërcimit, e shpëtimit të Shqipërisë. Rrugët e shpresës, rrugët e fitores.

Petrit Matija: Doktor a e keni diskutuar për një datë që të fillojnë protestat, duhen thirrur qytetarët që tu bashkohemi deputetëve.

Berisha: Unë të falënderoj shumë Petrit, për mendimin dhe sugjerimin tuaj, dhe kjo do të ndodhë. Por çfarë mendimi dhe sugjerimi kam unë. Çdo ditë secili prej qytetarëve, opozitar ose jo, por njeri i ndershëm, që e sheh vendin e tij, ku vota nuk ka vlerë, ku gjykata nuk ka drejtësi, ku në parlament opozita është politikisht e ekzekutuar, duhet të mendojë se çfarë do të bëjë ai për të shpëtuar Shqipërinë. Me se do të angazhohet, çfarë kontributi do të japë ai. Unë jam i bindur se në këtë mënyrë unë i bindur se ne do të arrijmë një lëvizje të fuqishme popullore, në një uragan që nuk ka diktaturë që mund ti rezistojë. Ky është synimi ynë. Ne kemi shpallur betejë pa kthim. Secili demokrat, demokrate, opozitar, duhet të betohet për vendosmërinë e tij pa kthim, kontributin e tij pa kthim kundër kësaj diktuare. Në 1991 përmbysëm një diktaturë, pikërisht se qëndruam në betejë pa kthim, se arritëm të bashkojmë të rinj, burra, gra, vajza, djem, të moshuar kundër saj. Dhe kjo po ndodh dhe tani. Deputetët do të qëndrojnë të pamposhtur aty ku ju i keni mandatuar. Nuk ka dyshim se në çdo nevojë ata do të gëzojnë mendoj unë, dhe e meritojnë mbështetjen tuaj jetike.

Gazi Kuçi: Përshëndetje doktor. Dua të më përgjigjesh, pse po ndjek rrugën e ankimit. Ngele duke u ankuar sikur nuk dimë se çfarë bën Edi Rama. Ti vetëm ankohesh dhe aksionet sporadike, pa vlerë.

Berisha: Asnjë ankesë nuk ke nga unë. Mendoj se denoncimi nuk është ankesë. Po, unë natyrisht në pozicionin që kam, e kam detyrim moral, ligjor, të gjithanshëm, t’u faktoj shqiptarëve sot gjëmën e madhe që po i bën demokracisë shqiptare, Edi Rama. Këtë nuk mund ta merrni për ankim. Ankimi ka karakter krejt tjetër. Kjo që bëj unë është pikërisht për mbrojtjen tuaj, për ndërgjegjësimin tuaj. Ju thoni se këto i dini, mund t’i dini ju, po ju jeni një. Përgjegjësia ime është të bind masivisht shqiptarët. Dhe këtu nuk ka asnjë ankim, por një dëshmi, një demaskim i të keqes më të madhe që ka pllakosur vendin. I katandisjes së tij në një diktator bande.  Që akuzon një njeri se pse ka marrë 400 metër në përputhje me ligjin nga 1 miliard e 577 milionë metër katrorë tokë. Ai nuk e ka me mua, e ka me ju, e ka me çdo qytetar.

Imagjinoni se çfarë ndodh me qytetarin e thjeshtë me këtë drejtësi që kontrollon Edi Rama. Zbërthimi i Edi Ramës është detyrë parësore, sepse duhet vendim. Dhe ai vendim po vjen. Nuk e marr vesh se si e vlerësoni ju, por beteja njëmujore në parlament ka bërë që parlamenti monist të mos ekzistojë. Është futur në Zoom, në kundërshtim me ligjin. Pra, nuk ka asnjë ankesë këtu. Ai që e interpreton si ankesë, e ka gabim. Ka një përballje dhëmb për dhëmb me njeriun, i cili është shndërruar me aktet, qëllimet e tij në të keqen më të madhe të Shqipërisë, pas Enver Hoxhës.

Aured Kanaçi: Doktor përshëndetje, mesa kemi parë ju nuk keni marrë pjesë në asnjë ndeshje në stadium të Kombëtares shqiptare. A do ta ndiqni këtë herë nga stadiumi finalen Shqipëri-Ishujt Faroe?

Berisha: Kam përshëndetur shumë përzemërsisht dhe kam ndjekur me kënaqësi dhe nderim të veçantë, shkallët e suksesit që ngjiti kombëtarja shqiptare, dhe që u kurorëzuan dje me biletën për të marrë pjesë në kampionatin evropian për herë të dytë, një sukses historik.

Prania ime në stadium, siç e di ti, ka qenë e rrallë, ekzotike.

Por kjo nuk do të thotë se unë nuk ndjek me shumë kënaqësi dhe pasion lojën e bukur dhe kam admirimin e madh për këtë ekip, në tërësi për liderin e ekipit, që ka ndryshuar për kaq shumë ekipin dhe të gjithë futbollin shqiptar.

Peno Jano: A do të ngrihet vetingu i politikanëve të ndëshkohen dhe t’u sekuestrohen pronat e tyre të grabitura shqiptarëve?

Berisha: Vetingu i politikanëve është i domosdoshëm dhe unë e kam mbrojtur gjithnjë, por të gjitha vendet që duan të bëjnë vetingun e vërtetë të politikanëve ngrenë komisionin parlamentar të etikës. Komision i cili ka tagrin për të marrë çdo informacion në çdo institucion. Temo, vetëm një javë më parë komisioni i etikës së Kongresit të OKB përjashtoi nga e drejta e rikandidimit një kongresmen i cili kishte probleme serioze etike, dhe në qoftë se bëjmë komisionin, duhet ta bëjmë komision të parlamentit.

Sepse kërkesa që paraqitet në aparencë ishte për ta dhënë SKAP-it të Edi Ramës dhe ky ishte një mekanizëm se si të merrje peng atë donte Edi Rama, duke e kursyer nuk ndodhte në botë. Ky mekanizëm do të thotë të vendosje shtetin policor mbi tempullin.

Po kështu, çdo deputet është i detyruar të deklarojë çdo të dhënë në ILDKP, nuk përjashton fare, është një institucion shumë i rëndësishëm. Po çfarë tregon historia? Historia tregon se kur ILDKP vendosi hetimin e Linda Bashës dhe Edi Ramës, kryeministri e shkarkoi atë në mënyrë antikushtetuese.

Në qoftë se duam të bëjmë veting të vërtetë të politikanëve, atëherë është një komision etike i parlamentit që ngrihet dhe funksionon në mënyrë konstante vetëm për këtë qëllim, i cili me ligj ka autoritet të plotë mbi të gjitha institucionet dhe mbi çdo dokument që i nevojitet atij për të bërë shqyrtimin e pasurive dhe integritetit të deputetit. Po ata nuk e donin këtë. Ata duan një veting të cilin ta kontrollojë Edi Rama. Ai nuk është një veting, ai është një veting politik. Ky që them unë është një veting i vërtetë, dhe unë jam për këtë formë vetingu.

Uesli Shurdho: A nuk duhet që fillimit të protestave t’i paraprijnë takime më të shpeshta me bazën e PD ku deputetët të shpërndahen në zonat e tyre për takime, sepse kemi edhe probleme edhe njëfarë përgjumje të elektoratit?

Berisha: Këto takime kanë filluar dhe po zhvillohen, përveç takimeve që unë po bëj në rrethe dhe do vazhdoj. Janë grupe tëra të PD që po takohen, por këto duhet tëintensifikohen, të shpeshtohen, duhet të jenë një veprimtari e vazhdueshme konstante e PD. Jam shumë dakord me ty.

Peno Jano: A do ta ulni numrin 140 të deputetëve në krahasim me numrin e popullsisë?

Berisha: Në krahasim me numrin e popullsisë jam dakord me ju që numri i deputetëve mund të jetë më i ulët, por ndryshimet kushtetuese kërkojnë një kohërum jo të thjeshtë. Ajo që mund të bëhet dhe që unë e kam theksuar jam të hapet rruga e referendumeve. Referendumet sot për sot ekzistojnë në Kushtetutë de juro, por de facto janë të parealizueshme, ndaj edhe ne do luftojmë të bëjmë referendume të realizueshme, dhe pastaj çdo ndryshim i cili gjykohet se është në interes të publikut, shoqërisë shqiptare,  t’i nënshtrohet referendumit.

Hafiz Onuzi: Të përshëndes z.President dhe kryeministër, një pyetje kisha. Gjykatësja Gjoka si hyri në gjykatë prap pasi u akuzua për korrupsion. A do të ketë një hetim në lidhje me këtë?

Berisha: Gjykatësja Gjoka që fsheh krimin e vetë, dhe që shkel ligjin në mënyrën më kriminale, sigurisht që do bëhet përgjegjëse për gjithë veprimtarinë e saj, por kjo është fytyra e drejtësisë së Edi Ramës.

Imagjinoni ju sot gjykatën e faktit më të rëndësishëm të vendit, që quhet gjykatë speciale, e kryeson një person që fshihet dhe i përgjigjet Ministrisë se Drejtësisë, se nuk jam Maneku unë, se unë jam Gjoka.  Në një kohë kur mbiemri i vajzërisë është Maneku dhe ajo mban dy mbiemra.

Në qoftë se Ministria e Drejtësisë nuk e ka pyetur, atëherë është bashkëfajtore në krim me gjykatësen. Kërkojnë të fshehin, por ju garantoj ju, se gjykatësja do të ketë absolutisht të gjitha përgjegjësitë për veprimet e saj. Se ish Kaleci, i policisë famëzeze të sigurimit të shtetit do marrë të gjitha përgjegjësitë e tij, i cili edhe sot, edhe në këtë moment qendron në detyrë si zagari i Edi Ramës, sepse ligji për prokurorinë e nxjerr atë jashtë shërbimit. Ka një ligj prokuroria sot, dhe ai nuk mund të jetë në prokurori. Ka një nen kushtetuta, neni 6 i saj, i cili e përjashton atë nga Kushtetuta, kurse ai rri si mercenar për të zbatuar urdhra dhe mbahet aty në kundërshti me Kushtetutën, ligjin, sepse kryen shërbime politike kriminale të Edi Ramës.

Do dalë ai nga ajo detyrë, do dalë edhe me shpejtësi, sikundër, Millona e cila merr dosjen e qytetarit. Jamarbër Malltezi ka paditur për shpifje Taulant Ballën. Gjykimi është bërë në Gjykatën e Lartë. Jamarbër Malltezi donte ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese, në përputhje me të drejtat themelore të qytetarit. Dhe nga Gjykata Kushtetuese në Gjykatën e Strasburgut, për të mbrojtur Taulantin e saj, për lidhjet e saj obskure me një njeri, me politikanin zyrtarisht ndër më të inkriminuarit zyrtarisht në Shqipëri, Taulant Ballën.

Ajo ka marrë dosjen e ka futur në sirtar dhe prej një viti nuk ua jep avoketërve që të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Natyrisht, për këtë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, për shpifjet që ka bërë dokumentet dhe manipulimet, do ketë përgjegjësi të plotë. Nuk është çështja këtu për këtë që bën ndaj Jamarbër Malltezit, jo, absolutisht, është çështja për këtë që bën ndaj Kushtetutës, ndaj ligjit, ndaj të drejtave themelore si një mercenare e pushtetit kriminal të Edi Ramës dhe Taulant Ballës.

Milaim Lela: Krahas urgjencës për rrëzimin e mafies kur do të dalë PD me alternativë dhe program qeverisës, dhe pse jo me qeveri hije për të bindur publikun se ne jemi alternativa serioze për ta nxjerrë vendin nga gremina?

Berisha: Së pari, dua të theksoj se beteja është betejë dhe kërkon mbi të gjitha përqendrimin total në fitoren e saj. Mund të shkruajmë vëllime në programe, dhe të garantoj që i kemi dhe so i përpunojmë, por ato mbeten eletër e vdekur në qoftë se ne nuk shpëtojmë Shqipërinë nga kjo diktaturë.

Do rikthehem pak në një moment në 2013. Cila ishte Shqipëria në 2013?

Shqipëria në 2013 nuk ishte një vend pa probleme, por ishte një vend që u anëtarësua në NATO, ishte një vend që lëvizi lirshëm, ishte një vend që në një përballje të jashtëzakonshme ia doli të garantojë kalimin e projektit TAP në kompeticion me Southstream-in rus.

Ishte një vend që ndërtoi një infrastrukturë krejt tjetër. Ishte një vend që doli nga gropa e tmerrshme e shekujve, varfërisë në grupine të ardhurave të mesme të larta dhe në qytetarët me rroga më të larta në rajon.

Ishte një vend ku drejtësia në 60-70 përqind i jepte në faor të qytetarëve. Ishte një vend ku vendimet e drejtësisë zbatoheshin sipas raportit të KE në shifra të krahasueshme me vende anëtare të BE.

Nuk ishte një vend pa të meta. Ishte një vend në të cilin shqiptarët lëviznin lirshëm, por ama u rikthyen 180 mijë familje shqiptare nga emigracioni dhe investuan në Shqipëri.

Le të kthehemi pak, pas 10 vitesh, ku është Shqipëria sot?

E boshatisur në prooporcion më shumë se çdo vend tjetër i Europës. Një vend ku kryeministri është i lidhur, ku kriminelët më ë mëdhenj shpallen investitorë strategjikë nga kryeministri. Ku ministri i Brendshëm është personi më i akuzuar në sallën e gjyqit si i ipmlikuar në vrasje. Ku regjistrimet që faktojnë implikimin e tij shkatërrohen, jo të ndiqen me urdhër të prokurorit Kreshnik Ajazi, personit që ju ka bërë 54 udhëtime me pasaportë diplomatike vetëm për të mundësuar kalimet e ngarkesave të drogës të Edmond Begos dhe trafikantëve të tjerë.

Milaim, në qoftë se ne nuk arrijmë t’i japim përgjigje me urgjencë këtyre problemeve, çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se çdo gjë tjetër mbetet në letër. Po, në funksion të mobilizimit të tyre, sigurisht që ne duhet të paraqesim alternativë, por mbi të gjitha, meqë jam këtu, detyrë madhore e secilit prej nesh është të afrojmë çdo të ri, çdo të re, çdo qytetar, çdo qytetare në këtë front, në këtë betejë.

Nuk është e lehtë, por është shpresa e fundit e shqiptarëve, dhe unë jam i bindur se do të jetë një betejë e sukseshme. Faleminderit shumë!

Arben Prifti: A do të ligjërohet dhe sigurohet minimumi jetik i shqiptarëve? A do të rriten pensionet e ulëta dhe a do të ulen pensionet e larta marramendëse të të përkëdhelurve të politikës që mbajnë në mjerim shqiptarët?

Berisha: Të garantoj që nga hapat më të para do të jetë vendosja e minimumit jetik. Vendosja e minimumit jetik jep përgjigje të gjithë problemeve, përgjigje të themi prap minimale, se minimum quhet ai të pensioneve të ulëta, i dyfishon ato. I jep përgjigje ndihmës ekonomike, e rrit 2 herë e gjysmë atë. I jep përgjigje varfërisë ekstreme, e zhduk përfundimisht atë. Si varfëri ekstreme, nuk them si varfëri, se varfëri dhe varfëri ekstreme janë të ndryshme.

Pra, a do vendoset? Të garantoj që do jetë një nga aktet e para që do vendoset. Ju mund të më pyesni mua për faturën. Nuk ka asnjë vështirësi për ta vendosur Shqipëria atë sot. 400 mln euro ka përcaktuar Edi Rama për portin e ri që do ndërtojë në Porto Romano, sepse po përvetëson 1.4 m2 truall në Portin e Durrësit për të ndërtuar parajsën e tij me bosët shqiptarë të drogës të vendosur në Dubai dhe Amant Josifin që iu ka vjedhur miliarda qytetarëve europianë, ortaku e i Olsi Ramës.

Pra, ky premtim i imi është jë mundësi, dhe mos harro Arben. Unë në vitin 2012 remtova dyfishimin e rrogave të arsimtarëve. Ishte një premtim shumë i vështirë, ta them haptas, ishte një faturë shumë e madhe, dhe të mjekëve dhe të infermierëve po ashtu, dhe ato u bënë realitet.

Kurse ky premtim i minimumit jetik prej 200 eurosh sa e ka llogaritur Avokati i Popullit me organizatën botërore të punës është shumë më lehtë i realizueshëm dhe do realizohet.

Ivi Monda: Këto ditëpo shohim masakra çnjerëzore në Palëstinë, dhe ju si të gjithë politikanët e tjerë po bashkoheni në mbrojtjen që i bëhet Izraelit, që po bën një nga holokaustet më mizore, që po vret fëmijë të pafajshëm. Ç’mund të na thoni për këtë meqë jeni një human në zanatin tuaj prej mjeku?

Berisha: Përgjigja ime për ju është kjo. Më datën 7 tetor kur organizata terroriste e Hamasit ndërmori sulmin brutal të befasishëm kundër Izraelit, ekzekutimi i qindra e qindra hebrejve në një festoval a festë fetare çfarë ishte, për çdo qytetar, mendoj unë ishte një akt ripërsëritje, sigurisht në proporcion e holokaustit.

Ishte një moto: të vrasim hebrenjtë. Dhe këtë unë e kam dënuar, e dënoj me ashpërsinë më të madhe. Po në qoftë se dënoj këtë, të garantoj se nuk pajtohem kurrë me vrasjen, ekzekutimin e fëmijëve, grave, dhe civilëve në rripin e Gazës.

Kam bindjen, unë nuk mund të pretendoj se e dua më shumë Izraelin se sa udhëheqësit e saj, por në bindjen time ky qendrim është në kundërshtim me interesesat e vetë Izraelit.

Hamasi është një organizatë terroriste, Izraeli është një shtet demokratik, është një shtet ligjor dhe me asgjë nuk mund të justifikohet vrasja e fëmijëve, vrasja e civilëve, e të sëmurëve, etj.

Për ta përfunduar. Më datën 7 tetor e kam konsideruar sulmin e Hamasit, në raport me çështjen palestineze, unë e quaj të drejtë çështjen palestineze, besoj se ju duhet ta keni të qartë këtë, pa asnjë ekuivokë.

Në raport me këtë çështje e kam quajtur një sulm suicidal, dhe kam bindje se sulmet suicidale nuk i shërbejnë kauzës palestineze. Thashë ishte holokaust për anën e Izraelit, po edhe për palestinezët unë e konsideroj atë një sulm suicidal.

Duke theksuar këto, them se historia ka provuar se luftrat edhe në rast se fitohen, ajo është një fitore e përkohshme e cila nuk qendron, por shndërrohet në një problem madhor për ata që menduan se e fituan luftën, dhe të mbajnë pushtimin.

Eshtë e vërtetë që janë një organizatë terroriste. Është e vërtetë që Xhihadi është një organizatë superekstremiste, por problemi është se nuk janë vetëm njerëz, ata janë edhe një ide.

Dhe ne si miq të Izraelit, duam që Izraeli të jetojë në paqe, por jemi padiskutim mbështetës të kauzës palestineze dhe të ekzistencës së dy shteteve, shtetit hebre dhe shtetit palestinez në ato dy territore.

Klodiana Dervishi Nela: Shpesh flitet për diasporën si element deciziv në rimëkëmbjen e Shqipërisë dhe rikuperimit të gjendjes së saj mjerane politike. Çfarë strategjie reale keni për të kthyer trurin e larguar prej vitesh nnë mënyrë që të kontriubuojnë për vendin e tyre. Si do mund të afroni vërtetë njerëz me vlera dhe kontribute jashtë vendit që shprehin dëshirën për t’u angazhuar në një proces të hapur e demokratik rekrutimi?

Berisha: Unë e konceptoj në dy momente themelore këtë rol.

Sot mendoj se çdo shqiptar patriot, çdo shqiptar që iu besn vlerave të demokracisë, pluralitetit në parlament, drejtësisë së pakapur, të pavarur. Që beson se Shqipëria ka të gjitha potencialet për qytetarët e saj, duhet të angazhohet në një betejë. Duhet të anagzhohet në këtë betejë për shpëtimin e Shqipërisë nga kjo e keqe e madhe, aty ku është. Duhet të organizojë protesta. Duhet të bëjë gjithçka për të rritur vetdijen me institucionet demokratike të vendit se çfarë përfaqëson Edi Rama.

Sepse Edi Rama është i aftë të marrë çdo vendim për karrigen e tij. Cilat janë lidhjet e Edi Ramës me megaferat korruptive? Cili është qendrimi i tij ndaj votës?

Që ne të shohim dritë dhe shpresë, duhet të votojmë. Që ne të votojmë duhet të zhdukim këtë të keqe të madhe që na konfiskon votën. Unë nuk them që ju të vini në Tiranë dhe të merreni me protestat që bëhen këtu, por ju mund të protestoni shumë mirë dhe të aktivizoheni njëlloj asi diaspora anti-komuniste shqiptare, e cila trokiste në gjitha dyert e institucioneve të vendeve të lira për të denoncuar barbaritë e komunizmit në Shqipëri.

Ama kjo që ndodh në 10 vite është genocid. Në qoftë se lexon kartën e OKB për genocidin, është krijimi i kushteve për largim të qëllimshëm të shqiptarëve në Shqipëri.

Çdo student, çdo shqiptar, i diasporës apo i emigracionit ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për të luajtur në këtë komb, dhe ky rol shpresoj të përmbushet.

Ju siguroj se ne do kemi projektin braingain. Në vitet 2005-2013 në fillim ne kishim në administratën shtetërore vetëm 1 përqind të punonjësve të shkolluar në perëndim. Ne arritëm në 22 përqind me një politikë softlanding, dhe numri u rrit në 22 përqind të atyre që punonin në administratë, pa llogaritur mijëra të tjerë për shkak të krijimit të klimës së biznesit, etj. Dhe mijëra të tjerë erdhën në universitete.

Pra, nuk ka diskutim që Braingain do të jetë një nga drejtimet themelore të punës në mënyrë që Shqipëria të përballet me sukses me të gjitha kërkesat e kohës.

Përsëri sot, thirrja ime për çdo shqiptar, të hidhet në veprim kudo që është në mënyrë që Shqipëria të shpëtojë nga kjo diktaturë e shëmtuar. Mos harroni se Samuel Hangtinton kur ka bërë studimin, në studimin e tij me llojin e diktaturave, diktaturëne mobokracisë, diktaturën e bandave, e vlerëson më të keqe se çdo diktaturë tjetër, dhe kjo sot është në Shqipëri.

Ndoc Bushgjoka: E konsideroni veten dhe forcën tuaj politike sadopak fajtore për gjendjen e sotme ekonomike, politike dhe shoqërore? Si do bëhet e mundur që PD të shërohet nga gabime të tilla të zgjedhjes në poste shumë të rëndësishme të tillë si: Bamir Topi, Lulzim Basha, Jemin Gjana? Si do të riparohen gabime të tilla si, ndërrimi i Kushtetutës dhe është e arsyeshme dhënies së të drejtave pakufij të kryeministrit duke zbehur të drejtat e qytetarëve?

Berisha: Së pari, ju keni të drejtë, sepse figura të caktuara të PD dëshmuan veten të zhveshur nga çdo parim dhe ideal. Po në qoftë se hyjmë në histori, nuk është i famshëm vetëm Skënderbeu, por është famëzi dhe Hamzai, etj. Ndaj edhe nuk ka diskutim që përzgjedhja, nuk po zgjatem por ti ke të drejtë, PD duhet të përzgjedhë dhe duhet të jetë shumë më e vëmendshme.

Së dyti, ndryshimet kushtetuese sa do që sot i kritikojnë, ato ndryshime i dhanë Shqipërisë rotacionin. Ish-kryeministri Sali Berisha dha dorëheqjen pas atyre ndryshimeve.

Në rast se më pyesni ju mua, ku qendron problemi themelor? Kushtetuta mundtë ndryshohet, unë nuk kam kundërshtim, se tani gjersa njerëzit mendojnë, por u them unë ju, nuk është Kushtetuta.

Nuk është Kushtetuta, është vendimi i njeriut për të mbajtur me çdo kusht pushtetin. Çdo qytetar duhet ta dijë se kryeministri i cili betohet se do respektojë me dhimbje dhe sido që të jetë vendimin e qytetarëve, ai përmbush një nga detyrat më themelore të tij, pranon rotacionin e pushtetit.

Këtë megjithë problematikën që kishte, e bëri Fatos Nano. Këtë e bëri Sali Berisha. Por në qoftë se kryeministri vendos që të mos dorëzojë pushtetin, të garantoj se vetëm mosbindje civile dhe kurrë me votë, ai nuk largohet.

Dje unë po bisedoja me një bashkëpunëtoren time, dhe po diskutonim për zgjedhje. I shpjegova: në vitin 2009 i vëzhgoi Audrey Glover, me të cilën ju mbase ju ju kujtohet se cilat tkanë qenë qendrimet e mia ndaj saj.

Por kjo zonjë, të cila unë e kisha shpall dikur non grata dhe e pranova se Edi Rama po bëhej gati të bojkotonte zgjedhjet në qoftë se unë refuzoja, pati integritetin të shkruajë në raport se: kryeiministri 3 muaj më parë bëri një vendim, ne të cilin përjashtonte përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje. Përjashtonte përdorimin e shtetit në zgjedhje, dhe ai e zbatoi me përpikmëri vendimin.

Po kështu në 2007 ishin zgjedhjet ç’të thuash, për shkak se Edi Rama imponoi një trakt sikur Shqipëria ishte një repart ushtarak. Por me gjithë atë ai komision që vëzhgoi zgjedhjet ka një fjali aty ku thotë. Ajo fjali shprehet se: qeveria nuk bëri përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Pra, u ndala pak t’u them se përcaktuese, t’u garantoj nuk është Kushtetuta, nuk është kodi zgjedhor. Përcaktues është vullneti nëse një njeri vendos të respektojë Kushtetutën dhe ligjet, apo të bëhet demon, satan i qytetarëve dhe të shkelmojë vullnetin e tyre të mos lëshojë karrigen. Dhe ky është rasti i Edi Ramës. Dhe ky ishte rasti i Enver Hoxhës. Ky është rasti i diktatorëve.

Çfarë tha Edi Rama, z.Bushgjoka? 3 muaj para zgjedhjeve mblodhi punonjësit në kryeministri dhe iu deklaroi: kodi zgjedhor, tha? Një kinezëri. Kaq është. Po qe se zhduk kodin zgjedhor nuk ka më zgjedhje.

Ndaj, edhe sigurisht që duhet të përqendrohem te të gjitha të metat, defektet dhe problemet, por duhet të gjejmë forcën, guximin për t’u përballur me të keqen më të madhe që ka patur vendi nga Enver Hoxha gjer sot, dhe që quuhet Edi Rama.

Ju falënderoj shumë! Ishte një kënaqësi e veçantë ky komunikim me ju. Shumë faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale