PRONONCIM PËR MEDIA I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA JASHTË KUVENDIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaroi jashtë Kuvendit se ajo që ndodhi në Parlament nuk përbën procedurë të përshpejtuar, por një shkelje flagrante të Kushtetutës, duke theksuar se një procedurë e tillë nuk mund të zhvillohet në më pak se një javë. Gjatë prononcimit për media Berisha tha se mazhoranca po vepron pa ligj dhe pa moral.
Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për grusht shteti përmes Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar vendimin e saj si mbrojtje politike për ministren Belinda Balluku dhe për vetë Ramën. Ai tha se në dosjet hetimore përfshihen drejtpërdrejt edhe emra të lidhur me kryeministrin dhe familjen e tij.
Në lidhje me investimet në Sazan dhe Zvërnec, Berisha tha se Zvërneci është çështje private, ndërsa për Sazanin deklaroi se PD mbështet investimet amerikane, por qeveria Rama e ka përdorur këtë marrëveshje për influencë politike. Ai kujtoi se ishulli i Sazanit është ofruar për investime edhe nga qeveritë e mëparshme, përfshirë edhe qeverinë e tij.
Sa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë, Berisha theksoi se PD ka votuar dhe do të votojë në përputhje me qëndrimet e SHBA-së në çështjet e sigurisë, duke nënvizuar se interesi i Shqipërisë është parësor dhe se në këtë fushë ai lidhet ngushtë me mbështetjen amerikane. Ai shtoi se, nëse do të duhej të zgjidhte mes Europës dhe SHBA-së për sigurinë, do të zgjidhte SHBA-në.
Në fund, Berisha deklaroi se qytetarët shqiptarë do t’i japin përgjigjen e tyre qeverisë në protestën e paralajmëruar të së shtunës.
PRONONCIMI I PLOTË
Një sqarim, kjo që shihni ju nuk është procedura e përshpejtuar.
Kjo që shihni këtu është një akt që shkel në mënyrë flagrante nenet e Kushtetutës, që përcaktojnë afatin e një procedure të përshpëjtuar që nuk mund të jetë kurrë më e shkurtër se sa një javë.
Këta nuk kanë Kushtetutë, nuk kanë ligj, nuk kanë moral.
Edhe njëherë, kjo nuk është procedura e përshpejtuar.
Për çdo shqiptar, duhet ta ketë të qartë se procedura e përshpejtuar e këtij parlamenti është e përcaktuar me nene kushtetuese, të cilat e ndalojnë zhvillimin e saj më shpejt se një javë nga iniciativa.
Në këtë kontekst, arsyet e kësaj që ndodhi janë të shumta, por para së gjithash është grushti i shtetit që po konsumon Edi Rama me Gjykatën Kushtetuese, e cila sot për turpin e saj vendos për të shtyrë më tej mbrojtjen e Lubi Ballukut dhe zhvlerësuar kërkesën e prokurorisë speciale për pezullimin dhe arrestimin e saj.
Pra, kemi të bëjmë me një akt kuverturë për grushtin e shtetit që po bën Edi Rama në mbrojtjen e vetes së tij de facto.
Qytetarët duhet ta dinë se në tre rreshta të dosjes së Lubisë, dy janë për Edi Ramën.
Qytetarët duhet ta dinë se në dëshmitë e Gerond Meçes dhe të tjerë, në tre rreshta për Mirlindën e AKSHI-t, dy janë për Lindën e Surrelit, Lindën e kunatit të florinjtë.
Kunati i florinjtë është Armand Frangu, që merrte qindra milionë euro nga AKSHI edhe në kushte të rrëmbimit të rivalëve të tij në tendera.
Pra, këto që ndodhin janë një përpjekje për të zgjatur jetën, por unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë, ditën e shtunë në ora 5 do t’i japin përgjigjen më të merituar kreut të organizatës kriminale dhe vetë organizatës.
Ambrozia Meta: Po falja e Sazanit dhe Zvërnecit a është një përpjekje e kryeministrit Edi Rama për të korruptuar familjen Trump dhe pse nuk e denoncon opozita këtë?
Sali Berisha: Jo, janë të ndryshme Ambrozia.
Për sa i përket Zvërnecit është një çështje private. Unë nuk di të jetë dhënë tokë publike aty, por do ta shohim.
Për sa i përket Sazanit, e kam deklaruar,deklarata ime është kjo: ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike.
I sigurt që dështoi, sepse po të mos dështonte, nuk merrte përsipër të përpiqej të bënte gazi i dheut presidentin e SHBA në një samit që u bë kryelajm i atij samiti.
Ndaj dhe këtu duhet t’i ndajmë gjërat.
Zvërneci është investim publik. Sazanin ai e dha, por po të më çosh pak më tutje, mund të them disa gjëra të tjera, të palidhura me këtë.
Si rregull a nuk duhet opozita t’i kërkojë kryeministrit Edi Rama se mbi ç’baza po e negocion këtë marrëveshje? Pak a shumë siç keni bërë me Portin e Durrësit. Pse për Sazanin keni një lloj menefregizmi?
Sali Berisha: A doni të jemi i sinqertë? Sazanin edhe qeveria ime e ka ofruar. Unë nuk mund të mos jem ai që jam.
E kemi ofruar, sepse në kohën kur ne kemi bërë vlerësimin, ai ka qenë një ishull aspak i lakmuar.
E ofroi Fatos Nano para meje. E ofrova unë, ra kriza. Ia ofrova mikut të shquar të kombit shqiptar, Silvio Berluskoni.
E pranoi dhe bëri projektin. Bëri një projekt shumë të mirë, por erdhi kriza financiare.
Aty janë dokumentet.
Pse e ofruam? Sepse nuk është i lehtë për t’u zhvilluar.
Tani fondet janë shumë të mëdha sepse sipas asaj që kam dëgjuar janë dy miliardë euro të fondit sovran arab.
Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim.
Por çfarë marrin shqiptarët sepse po falim diçka për llogari politike dhe akses tek presidenti Trump?
Sali Berisha: Sazanin e ka ofruar Fatos Nano. E ka ofruar Sali Berisha dhe janë bërë projektet nga i ndjeri Silvio Berluskoni.
Sazanin e ofroi ky. Dhe ky gjeti Xhared Kushner, i cili erdhi me një fond shumë të madh.
Por çfarë bëri ky? Në qoftë se marrëveshja ishte që ta firmoste para zgjedhjes së presidentit Trump, ky mashtroi. Ky nuk e firmosi para zgjedhjes së presidentit dhe ky u përpoq gjer në fund ta përdorë atë për të paktën edhe një fotografi me Lindën.
A e dëgjuat atë që tha mbrëmë se i rrodhi ajo? Të paktën një fotografi me Lindën të kemi. Ajo nuk ndodhi.
A fiton kapital politik Edi Rama nga kjo marrëveshje?
Sali Berisha: Nuk ka gjë në botë që t’i japë më kapital Edi Ramës. Në qoftë se ka një figurë të nxirë. A e di kur ishte mirë Edi Rama? Kur ishte Maduro në pushtet. Se thoshin është Ramduro, por është edhe Maduro. Maduro iku, tani ky ka mbetur i vetëm.
Osman Stafa: A do e votoni në 12 Bordin e Paqes?
Sali Berisha: Ju ftoj ta ndiqni seancën.
Njëherë të qartësohemi, nuk ka emër më të nxirë sot në Europë se Edi Rama.
Është baras me Lukashenkon dhe pak më poshtë.
Në Komisionin e Jashtëm do ketë debate dhe ju do i ndiqni ato.
Por PD ka një parim, nga i cili nuk ka lëvizur kurrë.
Në çështje të sigurisë ka votuar si SHBA, dhe kjo është e faktuar sa në 8 vite në pushtet ne, përfaqësuesit tanë kanë pasur porosi konstante.
Çka ky nuk e ka bërë. Ky votoi një rezolutë me Jemenin për Palestinën dhe kundër SHBA.
Prit, ky është qëndrimi ynë.
Qëndrimi ynë është ne votojmë pro.
E dyta, si shqiptarë, kemi një arsye të dytë. Ata janë faktori më përcaktues në pavarësinë e Kosovës, në lirinë e Kosovës.
Pavarësisht se kjo gjeopolitikë sot ka trajta të tjera, personalisht në çështje të sigurisë unë do votoja SHBA.
Si do votojmë tani? Kjo mbetet për t’u parë.
Ambrozia Meta: Në këtë rast a ka një zgjedhje mes Europës dhe SHBA se duket se dy nga vendet kyçe, Italia dhe Franca i kanë thënë jo Donald Trumpit?
Sali Berisha: Tani në rast se vjen problemi për të zgjedhur për çështje sigurie, absolutisht do zgjidhja SHBA për sa kohë ato t’i qëndronin angazhimit të sigurisë së Shqipërisë.
Ne jemi për procedurë kushtetuese, por në qoftë se më pyesni mua, për çështje të sigurisë, pa diskutim që unë jam i palëkundur për sa kohë SHBA të mbeten të angazhuara për sigurinë.
Osman Stafa: Cili është qëndrimi i PD për Groenlandën?
Sali Berisha: U zgjidh ajo, mori zgjidhje. Mbështesim zgjidhjen. Po merr zgjidhje ajo në interesin më të mirë edhe të Danimarkës, edhe të vendeve evropiane, edhe të SHBA.
Me ato që po lexoj, marrëveshja kuadër që është dakordësuar mes Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe përfaqësuesve të presidentit Tramp, është një marrëveshje që i jep zgjidhje.
Ambrozia Meta: Ju keni thënë se mbroni interesin e vendit tuaj. A do vlejë kjo edhe në rast se interesi i vendit tuaj vendoset përballë interesit të SHBA të Donald Tramp?
Sali Berisha: Absolutisht për mua, ta keni shumë të qartë. E para Shqipëria pa asnjë lloj diskutimi. Dhe interesi i Shqipërisë nuk mundet kurrsesi, por në fushën e sigurisë, interesi i Shqipërisë është mbrojtja nga SHBA.


