FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË FOLTOREN E KUVENDIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sot qeverinë e Edi Ramës se në vend që të rrisë rrogat e mjekëve, vendos që ti ndëshkojë duke miratuar një ligj që i mban peng për 5 vit.
Berisha kërkoi në Kuvend që të tërhiqet ligji për kushtëzimin e diplomave të studentëve të mjekësisë. Ai bëri thirrje që studentë të të gjitha fakulteteve dhe familjet e tyre të bëhen bashkë dhe të protestojnë kundër këtij ligji atavist.
‘I bëj thirrje studentëve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen studentëve të mjekësisë se kauza e tyre është e drejtë. Se ndëshkimi që u bëhet atyre është një atavizëm e regjimit të etërve të tyre. U bëj thirrje prindërve të mbështesin kauzën e drejtë të fëmijëve të tyre.
Nuk ka atentat më të rëndë ndaj lirisë së zgjedhjes se sa kjo që ndodh sot në parlament, dhe ndodh sepse keni vjedhur 138 miliardë në një vit’, tha kryetari i PD-së, Sali Berisha në Kuvend.
FJALA E PLOTË
Zonja deputete, zotërinj deputetë!
Zonja kryetare e seancës.
Sot ndërkohë që po flasim, para parlamentit kanë ardhur në një protestë të ligjshme, kundër një akti absurd, që revokon kohërat e shkuara, më të zezat e këtij vendi, studentët e Fakultetit të Mjekësisë.
Ju me procedurë të përshpejtuar, pa asnjë konsultim, jashtë çdo lloj standardi të ligjbërjes, keni sjellë këtu për të kaluar gjysmë fshehtas një ligj i cili ndëshkon çdo student, çdo të ri që ëndërron të diplomohet mjek në këtë vend. Me këtë ligj në fakt ju shkatërroni edhe bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët shqiptarë, shkatërroni Fakultetin e Mjekësisë.
Ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale, bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike. Në thelb, ai ka në themel vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen e shumave kolosale që ju bëni.
Kontrolli i Lartë i Shtetit faktoi se vetëm në 1 vit, kanë vjedhur dhe shpërdoruar 138 miliardë lekë. Vetëm në 1 vit keni vjedhur dhe shpërdoruar një shumë të atillë me të cilën mund të rriteshin rrogat së paku 170 % të të gjithë shqiptarëve. Dhe ju në vend që të përdorni stimulin, interesin e mjekut të ri për të shërbyer në zonat në të cilën ka mundësi të marrë një rrogë më të madhe, të shpërblehet për një start më të mirë ekonomik për jetën e tij, ju i tregoni kamxhikun sot dhe i kërkoni në mënyrën më absurde që ai të firmosë, se do të shërbejë 5 vite në periferi apo në Shqipëri dhe pastaj mund të largohet nga Shqipëria.
Akt i tillë është i pashembullt edhe njëherë.
Ju u tallët me këtë sistem. Në kulmin e covidit një vend shumë më i zhvilluar se ne, anëtar i BE-së, kur konstatoi se mjekë dhe infermierë po largoheshin me shpejtësi drejt Gjermanisë, dhe kjo është Hungaria, vendosi rroga të njëjta me Republikën Federale Gjermane.
Sigurisht që është e kushtueshme, jo e lehtë, por është e detyrueshme nëse do të mbash një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarëve. Kurse ju u tallët, i përdorët për paradë, për të mashtruar, për të maskuar krimin tuaj të shëmtuar, me të cilin ju jeni përgjegjës për vdekjen e mbi 20 mijë shqiptarëve nga Covid, ngjitjen e Shqipërisë në 3-4 vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë. Kur KLSH-ja çon ministren për hetim penal në skap, Edi Rama ndërhyn brutalisht dhe përfundon e akuzuar, Silva Bino, në një kohë kur çdo gjë e drejtonte Manastirliu.
Pra pasi faktuat se kemi një sistem shëndetësor ndër më të shpartalluarit, tani doni të shpartalloni Fakultetin e Mjekësisë. Doni që ata të cilët kanë ëndërr të marrin të bëjnë gjithçka, të shkojnë në vende të tjera për t’u diplomuar dhe të mos diplomohen në Shqipëri për shkak të kamxhikut tuaj.
Ky është një akt i turpshëm. Ky është një akt i njerëzve të papërgjegjshëm, armiqësor ndaj studentëve.
Në vitet e mia studenteske kishim një detyrim. Do na merrnin ushtar 3 muaj.
I garantoj studentët se pas këtij detyrimi ndaj studentëve të mjekësisë, një seri detyrimesh të tjera do vendosen një e nga një.
Ndaj u bëj thirrje gjimnazistëve në radhë të parë, të ngrihen kundër këtij regjimi, që vret dhe shkërmoq ëndrrat tuaja për të marrë qenë mjekë, humanistë, për të diplomën e profesionit më fisnik.
I bëj thirrje studentëve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen studentëve të mjekësisë se kauza e tyre është e drejtë. Se ndëshkimi që u bëhet atyre është një atavizëm e regjimit të etërve të tyre. U bëj thirrje prindërve të mbështesin kauzën e drejtë të fëmijëve të tyre.
Nuk ka atentat më të rëndë ndaj lirisë së zgjedhjes se sa kjo që ndodh sot në parlament, dhe ndodh sepse keni vjedhur 138 miliardë në një vit. Dhe jeni të gatshëm të vidhni vitin tjetër 150 miliardë. Në vend që të mendoni të kundërtën, të caktoni rroga të larta, të dy ose trefishoni rrogat e mjekëve dhe t’i jepni vendit sistemin që meriton. E keni mirë ju se nuk mjekoheni në spitalet tona. E keni mirë se nuk doni t’ia dini për përkeqësimin e treguesve shëndetësore nga viti në vit. Dhe tani eureka, hajde të votojmë ligjin për të ndëshkuar studentët, për të ndëshkuar ëndërrën njerëzore të të bërit mjekë, të drejtën e zgjedhjes së të rinjve.
Kërkoj tërheqjen e këtij ligji si një ligj atavist, si një ligj antidemokratik, si një ligj që shkelmon të drejtat dhe liritë e studentëve shqiptarë.