Berisha: Primaret janë rruga që anëtarësia e PD të flasë. Të riorganizojmë strukturat nga grup seksioni në degë. Kush ka bashkëpunuar me kundërshtarin, nuk ka vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIM ME KRYETARËT E DEGËVE

EKSTRAKT

Gjatë fjalës së mbajtur para kryetarëve të degëve, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e përkufizoi vitin 2026 si vitin më vendimtar për opozitën dhe për fatin politik të Shqipërisë, duke theksuar se përballja me qeverinë aktuale nuk është më një betejë e zakonshme politike, por një mision historik për rrëzimin e asaj që ai e cilëson si një narko-diktaturë. ‘Ky është viti i provës së madhe, ky është viti i sfidës më të madhe që kemi patur ndonjëherë në jetën tonë politike, ky është viti më përcaktues për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë.’

Kryedemokrati Sali Berisha nënvizoi se PD pavarësisht kushteve të pabarabarta, ka arritur të paraqesë para opinionit ndërkombëtar realitetin e qeverisjes aktuale, duke e ekspozuar atë si një regjim autoritar të lidhur me krimin dhe trafikun ndërkombëtar. ‘Ne kemi dalë, ja kemi dalur të paraqesim me sukses para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të vërtetat dramatike të narko-shtetit.’ Ai theksoi se propaganda qeveritare, e mbështetur nga kontrolli i mbi 90% të mediave, ka shërbyer për të mbuluar krimin dhe korrupsionin, ndërsa PD ka arritur të miratojë 7 rezoluta ndërkombëtare kundër regjimit të Edi Ramës. ‘Arritëm t’u faktojmë botës se ky demon pushteti ka të përqendruara në duart e tij pushtete më shumë se diktatori i fundit komunist në Shqipëri.’

Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i opozitës Sali Beriaha lëshoi akuza të rënda ndaj Edi Ramës, që sipas tij ka urdhëruar hakerimin e dosjeve të SPAK. ‘Kryeministri që urdhëron hakerimin e dosjeve të prokurorisë speciale. Hakeruesi i thotë kolegut të tij se këto do t’ia nisë menjëherë Edi Ramës.’ Berisha e cilësoi këtë si provë të shkatërrimit të shtetit ligjor dhe të shndërrimit të pushtetit në një organizatë kriminale. ‘Ai del një padrino i një organizate kriminale që nuk njeh asnjë normë, asnjë parim, asnjë ligj.’

Lideri i PD-së Sali Berisha akuzoi qeverinë për vjedhje masive të buxhetit të shtetit, duke theksuar se nga 67 miliardë euro taksa, shumica dërrmuese është përvetësuar në mënyrë kriminale. ‘Në masën 90%, gjer në 100% është vjedhur, vjedhur dhe vetëm vjedhur.’ Ai përmendi shembuj konkretë si infrastruktura rrugore, Porti i Durrësit dhe skandalet në AKSHI. ‘Ka rrëmbyer portin e Durrësit, dhe ka gjobitur me të paktën 1 miliardë euro taksapaguesit shqiptarë.’ Kryetari i PD-së Sali Berisha e lidhi drejtpërdrejt drejtimin e AKSHI-t me familjen e Kryeministrit. ‘Linda e AKSHI-t është Linda e Surrelit. Ta dijë çdo shqiptar.’, tha ai. Ai akuzoi se përmes lidhjeve familjare dhe figurave kriminale është kontrolluar sistemi digjital dhe janë abuzuar qindra miliona euro fonde publike.

Kryetari i PD-së theksoi se largimi i Edi Ramës nuk do të vijë nga drejtësia apo nga faktorë ndërkombëtarë, por vetëm nga qytetarët dhe opozita. ‘Atë nuk e heq kurrë drejtësia, atë duhet ta heqim ne.’  Ai e quajti këtë një betejë të guximtarëve dhe idealistëve. ‘Është koha e njerëzve që vendosin të sakrifikojnë për idealet e tyre.’

Gjatë takimit me kryetarët dhe sekretarët e degëve, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, Partia Demokratike është një parti e madhe dhe këtë e kanë faktuar votat. Pasi u shpreh se, partia do të bëjë analizën e saj, Berisha theksoi se, do të evidentohen dhe ata anëtarë apo drejtues që nuk kanë punuar gjatë fushatës, për qejfmbetje se nuk ishin në lista, ndërsa u shpreh se kush ka bashkëpunuar me kundërshtarin le të shkojë tek partia e krimit.

‘Individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike. Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës. S’janë të shumtë, aq sa janë. Të tjerë, të tjerë, të cilët zemërimi, prish se jeni këtu. Zemërimi, nuk i lejoi të ngrihen mbi zemërimin e tyre dhe të gjejnë forca të angazhohen në betejën në fushatë elektorale’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Në fjalën e mbajtur gjatë takimit me kryetarët e degëve dhe sekretarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri të ditur se, nuk do të hiqet dorë nga primaret. Sipas tij, këto janë rruga se si anëtarësia flet, pasi primaret janë një standard bazë për demokracinë e brendshme.  

Berisha u shpreh se, duhet që të riorganizohen strukturat e PD-së nga grup seksioni deri në degë, listat e anëtarësisë të jenë të sakta. ‘Jemi partia më e madhe e cila duhet tani të vërtetohet në çdo segment, në çdo zonë, në çdo terren. Ne jemi parti e terrenit. Terrenin ne e zotërojmë kur të kemi zot, kur të kemi të vërtetuar partinë tonë se është aty. Anëtarësinë tonë se është aty. Të dimë seksionet, i kemi familje apo kemi më shumë se familje? Edhe kjo. Mos u ngrini kundër seksioneve, kundër anëtarëve në një familje. Jo, nuk jam unë për atë. Se janë ata demokratë janë’, theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Ky takim, kjo mbledhje ka dy qëllime kryesore të një rëndësie shumë të madhe. Jemi mbledhur sot për përgatitjet që duhet të bëjmë për datën 24 janar. Për secilin prej jush, për secilin prej jush, për çdo anëtar dhe anëtare të Partisë Demokratike, për çdo opozitare dhe opozitar, duhet të ketë të qartë se ky është viti i provës së madhe, ky është viti i sfidës më të madhe që kemi patur ndonjëherë në jetën tonë politike, ky është viti më përcaktues për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Ne nisim këtë vit pasi në një betejë të pabarabartë, në një betejë të vështirë, ne kemi dalë, ja kemi dalur të paraqesim me sukses para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar të vërtetat dramatike të narko-shtetit, të diktaturës autoritare apo autokracisë elektorale të Edi Ramës.

Nuk ka qenë një gjë e thjeshtë, ka qenë një gjë shumë e vështirë për faktin se siç e dini, propaganda koprolalike që ai ka ndërtuar në vend duke vendosur në kontroll mbi 90% të mediave kundrejt pagesave, kundrejt ryshfeteve, për të mashtruar qytetarët shqiptarë dhe për të glorifikuar të keqen, për të mbrojtur krimin, vjedhjen, drogën dhe farsën elektorale, po atë mashtrim ai u ka ndërmarrë, duhet thënë gjithashtu, jo pa sukses në komunitetin ndërkombëtar.

Me lobimin e tij dhjetëra, qindra miliona euro në zyrtarë të ndryshëm të llojit McGonigal, Mogherini, Coldea e të tjerë, e të tjerë, lista e tyre sigurisht shumë e gjatë dhe ne nuk e dimë, por këta i marrim vesh se i nxjerrin aksidentet.

Ai ka bërë gjithçka, ka krijuar një mburojë rreth aktivitetit të tij kriminale si drejtues, patron i organizatës kriminale shtetërore më të rrezikshme të Europës, që është qeveria e tij. Ne arritëm në shtatë rezoluta ndërkombëtare në një hark kohor 14 mujor, të miratuara dhe të firmuara nga të gjitha partitë e spektrit politik tonë në Europë, në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën.

Arritëm të paraqesim me vërtetësi tiparet e shëmtuara kryesore të narko-diktaturës së Edi Ramës, diktaturës autoritare të tij. Arritëm t’u faktojmë botës se ky demon pushteti ka të përqëndruara në duart e tij në mënyrë antikushtetuese dhe anti-ligjore pushtete më shumë se diktatori i fundit komunist në Shqipëri.

Se ky demon pushteti kontrollon në çdo qelizë, nëpërmjet lidhjeve me krimin dhe drogën, pushtetin në Shqipëri. Arritëm të faktojmë se ky është një armik i egër i pluralizmit që përdor Dumanët e tij kundër pluralizmit politik në Shqipëri, përdor Dumanët e tij si liçencë për krime të shëmtuara elektorale.

Arritëm t’u faktojmë të tjerëve lidhjet e tij me Sinaloan e Meksikës, me grupe të tjera trafikantësh në Shqipëri, në Europë dhe në botë.

Ju jeni dëshmitarë të disa zhvillimeve të fundit, të cilat i hoqën çdo maskë atij. I hoqën çdo maskë. Njeriu që shëtiste nga samiti në samit, nga studio televizive në studio televizive, duke u mburrur për reformën e tij model të drejtësisë që s’e ka parë Evropa ndonjëherë, që s’e ka parë bota ndonjëherë.

Njeriu që me këtë flamur do të dilte në çdo takim dhe çdo samit, del tani njeriu që s’ka asnjë normë, asnjë parim, asnjë princip. Dhe se, që në momentin kur një dosje, në të cilën në tre rrjeshta, dy janë për të, dhe një për Lubi Ballukun, ai përdor të gjithë pushtetin e krimit të tij, përdor 83 mandate të krimit për t’i mbyllur rrugën drejtësisë, për të bërë grusht shteti me parlament, për të asgjësuar pushtetin e drejtësisë.

Dhe këto që ju keni dëgjuar, janë, ju garantoj se janë maja e ajsbergut. Sot unë paraqita para shqiptarëve një rast unik që mund të ketë ndodhur ndonjëherë. Kryeministri që urdhëron hakerimin e dosjeve të prokurorisë speciale. Dhe hakeruesi kriminel që i fut duart e zeza në dosje, i thotë kolegut të tij se këto do t’ia nisë menjëherë Edi Ramës.

Pra, në çdo lloj, në çdo lloj varianti që ta kthesh, ai del një bandit mbi bandit, ai del një padrino i një organizate kriminale që nuk njeh asnjë normë, asnjë parim, asnjë ligj, asnjë kushtetutë. Ky është njeriu që kemi përpara.

Të nderuar drejtues të degëve të Partisë Demokratike, zhvillimet kanë treguar se rrethi i tij më i ngushtë është një rreth hajdutësh profesionistë, që s’kanë asnjë kufi në përvetësimin, vjedhjen, e miliarda, miliarda euro taksa të qytetarëve shqiptarë. Është tragjike. Një fakt është tragjik.

Qytetarët nuk e kanë të qartë se nga 67 miliardë euro që ata kanë paguar nga mundi e djersa e tyre taksa, një shumë mbi dy herë më e madhe se ajo e tetë viteve 2005-2013, në masën 90%, gjer në 100% është vjedhur, vjedhur dhe vetëm vjedhur. Janë ndërtuar në 12 vite të marra së bashku, nga 11.000 km rrugë, as 1.000 km rrugë dhe që të gjitha, siç e shihni, shemben sikur të ishin kartoni njëra pas tjetrës.

Janë ndërtuar me çmime të dhjetëfishta, janë ndërtuar me çmime të tetëfishta, të 15-fishta, krahasuar me çmimet në Greqi, në Kroaci, apo në vende të tjera. Pra, proporcionet e vjedhjes së buxhetit dhe pasurive publike kanë kufij vetëm qiellin. Dhe këto që flasim janë thjesht paratë e buxhetit, por shumë herë më tepër janë pasuritë publike.

Ka rrëmbyer portin, portin e Durrësit, të paktën e aferë 4 miliardë euro dhe ka gjobitur me të paktën 1 miliardë euro taksapaguesit shqiptarë për ndërtimin e portit të ri. Krenari e madhe AKSHI, thoshte ai. Shikoni se çfarë ndodh tek AKSHI. Në AKSH, kunati i tij, me emra të ndryshëm, ka marrë dhe ka përfituar me kontrata sekrete qindra tendera, ndër të cilat me fitim 98%. Si 98%?

Në mënyrë absolute, pa asnjë blerje, pa asnjë shitje, përveçse transferim paresh nga buxheti i

shtetit në kontën bankare të kompanisë së tij. Dhe dy-tre rroga të paguara në atë kompani. Nuk ka ndodhur vjedhje kurrë në botë.

Ky del dhe thotë se unë kam respektin maksimal për atë lindjen e AKSHI-t. Sepse Linda e AKSHI-t është Linda e Surrelit. Ta dijë çdo shqiptar. E kemi denoncuar përpara, e kemi denoncuar fort, por koha e provoi që Linda e Akshit është Linda e Surrelit.

Sepse ishte kunati i saj, ai që plaçkiste me qindra e qindra milionë euro për familjen në paratë publike në AKSHI-n e famshëm të tij. AKSHI merrte peng me urdhër të kunatit, biznesmen që guxonin të paraqisnin oferta për tendera në AKSH. AKSHI dhe i gjithë shteti kontrollohej nga një bandit, nga një mafioz që quhet Ergys Agasi, i cili merrej me vrasje, i cili merrej me kontrollin digjital elektronik të të dhënave personale të çdo shqiptari, të çdo të huaji dhe eksportonte të dhënat më sekrete të vendit në duart e organizatave kriminale dhe armiqve të NATO-s dhe të Shqipërisë.

Ky është pak a shumë kalbësira që kemi përpara dhe që ne duhet të matemi. Prandaj dhe ky vit është viti i misionit tonë. Një gjë ta ketë të sigurt çdo demokrat e demokrat. Mos kemi asnjë iluzion, të bëhemi tokësorë dhe realistë. Atë nuk e heq kurrë drejtësia. Ai ka të gjitha çelësat për t’ia mbyllur derën siç po ja mbyll drejtësisë. Nuk vjen kush nga jashtë për ta hequr. Atë duhet ta heqim ne. Ne shqiptarët na kanë votuar. Nuk na skualifikuan pavarësisht terrorit që ushtruan, na kanë votuar për ta hequr atë. Për të përmbushur misionin tonë, largimin e tij nga pushteti.

Ndaj dhe duhet një dialog intensiv me anëtarët tanë. Është, e themi, e kemi thënë dhe përpara, është koha e guximtarëve, është koha e idealistëve, është koha e njerëzve që vendosin të sakrifikojnë për idealet e tyre për të shpëtuar Shqipërinë, të ardhmen e shqiptarëve, të ardhmen e tyre.

Kjo protestë ka rëndësinë e madhe. Bota e pret me kohë këtë protestë. Shqiptarët e presin nga ne me kohë këtë protestë. Sikundër presin zërin tonë të revoltuar, kryengritjen tonë paqësore të përditshme gjerë në rrëzimin e tij.

Po të shohësh në aparencë, ne jemi një parti e madhe. Jemi me një elektorat të madh. Por natyrisht beteja krijon dhe problemet e veta. Ndaj dhe ne do e bazojmë këtë betejë në guximtarë, se vetëm ata, vetëm ata do mund të shpëtojnë Shqipërinë. Nuk mundet dhe njëherë, asnjë nga ne nuk mund të mendojë asgjë tjetër përveç përmbushjes së misionit tonë, largimit një minutë më parë nga pushteti të kësaj organizate kriminale që kryesohet nga Edi Rama.

E kuptoni ju? Ai nuk do tani. Ai thotë, ç’vlerë ka mesazhi? Por shkaku se në mesazh i janë dhënë dhe urdhëra ekzekutimi. Pam, pam, pam, i thotë Ergys Agasi atij që flet. Po se ka të vrarë dhe të zhdukur, kjo për Edi Ramën nuk është krim. Pra, është bërë një betejë e gjatë. Është arritur në këtë masë të tejkalohen perdet e tmerrshme të trasha të censurës dhe mashtrimit mediatik që ky krijoi mbi shqiptarët.

Kudo që shkon, ky shkon tani si një kryetar i një organizate kriminale, në të katër anët. Ndaj dhe, thirrja ime për ju, për kryesitë e degëve, për anëtarët dhe mbështetësit tanë, t’i përgjigjemi orës tonë, t’i përgjigjemi kohës, të mbrojmë ato ideale për të cilat kemi kushtuar jetën dhe vite e dekada veprimtari.

Çështja e dytë, jashtëzakonisht e rëndësishme. Se ne nuk kemi më luksin. Nuk kemi më asnjë mundësi që të ndjekim një lloj axhende me çështje një nga një. Jo. Jemi në emergjencë. Jemi në emergjencë të vërtetë. Ndaj dhe ne duhet të, duhet të vendosim që të gjithë rrugëtimin tonë ta kemi shumë planshe.

Partia Demokratike është një parti e madhe. Me votimet e saj, me votimet e saj pra që kanë marrë pjesë në pesë vitet e fundit, në tërësi janë mbi 40.000 anëtarë dhe anëtare që kanë ardhur dhe kanë votuar. Ka patur normal, siç ka, siç është fluksi i popullsisë, i popullatës dhe fluksi i anëtarësisë tonë, kanë emigruar, janë larguar, por në tërësi, në tërësi votimet tregojnë pak a shumë këto shifra.

Ndërkohë, si në çdo parti tjetër ka një numër, një përqindje të caktuar anëtarësie që quhet anëtarësi e fjetur, e cila nuk ndjek, nuk ndjek me disiplinë procedurat në parti, votimet e të tjerë, por ajo ekziston. Tani, ne shkojmë drejt zgjedhjeve, se jemi, ne do bëjmë analizat. Në këto rrethana që jemi ne do bëjmë patjetër analizën.

Do bëjmë analizën sepse është e domosdoshme analiza për ne. Është e domosdoshme për të nxjerrë secili nga ne përgjegjësitë, mësimet, përmirësimet, kritikat, qëndrimet. Nuk jemi ne kurrë ata që i shmangemi të vërtetave dhe realitetit. Në asnjë rrethanë. Dhe në qoftë se kjo nuk u fillua për disa muaj, e kam shpjeguar dhe e shpjegoj prapë para jush, kishte vetëm një shkak.

Betejën e egër që po zhvillohej midis nesh dhe qeverisë shqiptare që bënte çdo gjë për të mashtruar, deformuar, ndryshuar raportin ndërkombëtar për zgjedhjet e 11 majit. Kurse ne luftonim në kushte shumë të pabarabarta, por vetëm me fakte dhe me të vërteta, në mënyrë që ai raport të mos ndryshojë dhe është në nderin e atij ekipi dhe të atij drejtuesi dhe atyre drejtuesve të, të delegacioneve parlamentare dhe jo parlamentare të institucioneve ndërkombëtare, që raportin jo që nuk e ndryshuan, por përkundrazi, e plotësuan me një seri, me një, me një shumësi dokumentesh që ne i furnizuam në mënyrë të vazhdueshme, dokumente të pakundërshtueshme.

Kështu që në fund, Edi Rama që priste me çdo kusht që ato, ato zgjedhje të quheshin më të mirat se më parë, apo të quheshin kështu apo ashtu, ngeli me duar bosh, u turpërua, siç është, se turp s’ka ai, një deklaratë e bërë, përgënjeshtruar brenda 24 orëve dy herë si e pavërtetë nga një lobist i tij. Ndaj dhe tani, kjo ka qenë shkaku.

Tani ne jemi parti e mendimit të lirë, parti e hapur, parti që bëjmë gjithçka për korrigjimet, për përmirësimin, për ripërtëritjen, për zgjerimin e radhëve. Natyrisht, në këtë analizë që do bëhet, individë të caktuar, të cilët për hir të bizneseve të tyre kanë bashkëpunuar me kundërshtarin tonë, ata nuk kanë vend në mënyrë absolute në Partinë Demokratike.

Ata të shkojnë tek partia e tyre e krimit. Se të flirtosh me partinë e krimit është krim ndaj opozitës. S’janë të shumtë, aq sa janë. Të tjerë, të tjerë, të cilët zemërimi, prish se jeni këtu. Zemërimi, nuk i lejoi të ngrihen mbi zemërimin e tyre dhe të gjejnë forca të angazhohen në betejën në fushatë elektorale. A pati të tillë? Pati.

Nuk mund të themi që s’pati. I kemi të, janë të dokumentuar. Edhe këta të na falin, por të na falin, por në poste drejtuese nuk do mund të pretendojnë ata. Po ti je nënkryetar partie, ke qenë nënkryetar partie dhe tani më thua mua që thua që unë nuk punova në fushatë. Po si s’punove ti në fushatë? Apo pse s’e pate emrin tënd në listë, s’punove në fushatë ti?

Çfarë, ti nuk dole dot mbi zemërimin tënd, kupton apo jo? Prandaj të lutem, merr një pauzë, qetësohu, je, mbetesh ti, po mendo njëherë, se nuk të ka borxh partia ty, edhe gabim po të ketë bërë, se unë nuk them se ka patur një drejtësi maksimale në, në, në përcaktimin e listave e të tjerë e të tjerë.

Po dhe gabim, ti s’mund të reagojë kurrë me një indiferencë, sikur nuk po zhvillohet në një kohë kur ishte e gjithë, e gjithë anëtarësia jote në betejë. Edhe këta, aq sa janë, nuk janë shumë, u them që tani, jepni dorëheqje.

Në të mirën tuaj, nuk do zgjidhin në forume. Jo, nuk mund të zgjidhen. Sepse nuk ju ka, nuk dolët dot mbi zemërimin ju. Ndaj dhe kjo, kjo analizë, pra bëhet me qëllimin më të mirë, për të ripërtërirë forcat, për të ripërtërirë drejtimet në Partinë Demokratike. Por kjo nuk mund të bëhet, nuk mund të marri kurrë, nuk mund të marri kurrë karakterin që duam, në qoftë se ne nuk verifikojmë, identifikojmë çdo anëtar dhe anëtare të kësaj partie. Konstatoj një tendencë jo të favorshme ndaj primareve.

Zotërinj, zonja, primaret janë rruga e vetme për të pyetur anëtarësinë tonë, që anëtarësia jonë të flasë me votë. Anëtarësia jonë duhet të flasë me votë, siç ka folur.

Por në qoftë se në primaret, pa diskutim që ka patur probleme, hajde t’i studiojmë dhe t’i përmirësojmë primaret, bashkërisht. Urdhëroni t’i analizojmë dhe të korrigjojmë. Po dorë ne për të marrë, për të bërë të flasë anëtarësia jonë, nuk heqim. Ajo do flasë. Do flasë se është një standard bazë demokratik.

Por që ajo të flasë, është e domosdoshme t’i kemi regjistrat të vërtetë, të rregullt. T’i kemi regjistrat të rregullt. Dhe regjistrat në rregull i kemi vetëm atëherë kur ju, kryetarët, sekretarët e degëve dhe kryesitë, të angazhohen me seriozitetin më të madh në këto, të bëni regjistrat.

Partia Demokratike në qendër ka zero punë me regjistrat tuaja, me listat tuaja. Listat, siç keni marrë udhëzimin apo do e merrni, do të jenë tërësisht atribut i kryesive të degëve të Partisë Demokratike. Listat do të jenë. Ndaj dhe hartimi i këtyre listave, shpërndarja e dokumenteve, janë prodhuar dokumente, disa i kanë marrë, të tjerët do t’i marrin, shpërndarja e dokumenteve është detyrë thelbësore.

Ne nuk mund të ecim as me rumore, as me hamendje. Ne do ecim me regjistra konkrete dhe me një, me një strukturë të vërtetë solide të Partisë Demokratike. A kemi ne seksione në letër? Kemi me dhjetëra, me qindra. Po s’ka seksion aty ku s’ka fshat. Tani ju vetë, vetë e keni të qartë këtë, a kupton apo jo? S’ka seksion aty ku s’ka njerëz. Ndaj dhe tani është koha, nuk e kemi bërë ne këtë sa duhet, a kupton apo jo?

Se kemi patur problemet tona, kemi ne anë këtë mënyrë. Tani është koha t’i kthehemi organizimit, organizimit, organizimit.

Jemi parti e madhe. Edhe një herë jua them unë juve. Jemi parti e madhe se këtë e kanë faktuar shumë mirë votimet tona. Jemi parti e madhe se këtë e faktojnë dhe rezultatet.

Por jemi partia më e madhe e cila duhet tani të vërtetohet në çdo segment, në çdo zonë, në çdo terren. Ne jemi parti e terrenit. Terrenin ne e zotërojmë kur të kemi zot, kur të kemi të vërtetuar partinë tonë se është aty. Anëtarësinë tonë se është aty.

Të dimë seksionet, i kemi familje apo kemi më shumë se familje? Edhe kjo. Mos u ngrini kundër seksioneve, kundër anëtarëve në një familje. Jo, nuk jam unë për atë. Se janë ata demokratë janë.

Nuk është, nuk është faj pse i përket një familje, në asnjë mënyrë. Por aty ku është një familje, të përpiqemi dhe familje të tjera.

Të shohim ku ka mundësi të zgjerojmë si të zgjerojmë anëtarësinë. Pra, po të më pyesni mua, përveç detyrës së parë, detyra e dytë themelore është kjo: organizim, organizim, organizim. Ne të gjithë, kemi bërë mbledhje ne me të koordinatorët tuaj, kemi bërë mbledhje me drejtuesit politikë, kemi bërë mbledhje dhe me deputetë.

Të gjithë energjia jonë do të përqendrohet në këtë, ta quajmë si të doni, por në këtë riorganizim të partisë dhe mund të ketë riorganizim, sepse që tani kanë filluar të ketë të shprehen mendime për organizime të ndryshme në qytet, për, me një fjalë, jemi të hapur ne për çdo lloj vendimi.

I regjistrojmë, i përshtatim në statut, po nuk mund të themi se sot ne, në 2026-ën, pasi kanë emigruar mbi 1,300,000 shqiptarë, jemi ata që ishim. Jo, nuk jemi më ata që ishim. Është tjetër. Është tjetër në terren, është tjetër në funksionalitet. Ndaj dhe t’i japim përgjigjen më të mirë, përgjigjen më të mirë, kryetar dhe sekretar, nuk keni detyrë më të rëndësishme sesa kjo. Duhet të merrni të krijoni grupet e punës të listave.

Ndarja e dokumenteve dhe listat nuk kanë kurrë qëllim përjashtimin e kujt. Jo. Pse? E dini vetë ju. Në votime janë qindra anëtarë që erdhën dhe nuk votuan për shkak të qëndrimeve, kritereve që përcaktuam dhe ju i dini mirë dhe shumë nga ju i keni regjistruar emrat e tyre, unë nga ju i kam këto.

I keni regjistruar, s’voton se ka këtë. Pra, duhet, duhet ta kuptojmë këtë proces në asnjë mënyrë si përjashtues, por përkundrazi, urdhëro, ke af, plotëso formularin, ja të jap formularin, merr dokumentin dhe je i mirëpritur. Po ama këtë, këtë detyrim do ta plotësosh. Do plotësosh formularin e, e dokumentit që do marrësh, merr dokumentin dhe je automatikisht në listë. Je në listë.

Mos të duket këtu, mos t’i krijojmë kujt përshtypjen se me këtë proces ne po shmangim, përkundrazi. Ata që kanë anëtarësi nga vitet ’90 gjerë sot janë të vlefshëm edhe janë të mirëpritur përveç atyre që kanë ngrënë kafshatën e turpit dhe kanë, shkojnë dhe votojnë me këshilla socialiste apo punojnë për biznese të tyre dhe jo për interesat e demokratëve.

Me ata janë, nuk janë, nuk janë të paktë, s’janë shumë për fat të mirë, por kjo parti është parti e idealeve dhe jo e interesave të përziera, të përziera të këtij apo atij.

Ju falënderoj shumë.  

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale