FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në konferencën me gazetarët ditën e sotme, ka prezantuar planin të detajuar për uljen e çmimeve të banesave dhe përmirësimin e kushteve ekonomike në Shqipëri. Berisha propozoi disa masa fiskale dhe ekonomike që synojnë lehtësimin e barrës tatimore dhe rritjen e konkurrencës në treg.
Një nga masat kryesore është ulja e taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 8% në 2%, që do të sjellë uljen e çmimit të banesave. Kodi fiskal do të miratohet brenda tre muajve dhe do të mbetet i pandryshueshëm për katër vjet, përveçse për lehtësime tatimore. Berisha propozoi gjithashtu tatimin e sheshtë prej 10% mbi kapitalin dhe të ardhurat jo nga paga, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para, që nuk do të tatohen. Po ashtu, TVSH do të ulet nga 20% në 15%, ndërsa bizneset me xhiro deri në 18 milionë lekë do të përjashtohen nga TVSH.
Kryetari i PD, Sali Berisha propozoi shfuqizimin e disa taksave dhe tarifave që rëndojnë mbi qytetarët dhe bizneset, përfshirë taksën për strehimin social, tarifën për lejen e zhvillimit dhe tarifën për rivlerësimin e pronës, që do të ulet nga 5% në 1%. Këto masa kanë për qëllim të stimulojnë zhvillimin e sektorit të ndërtimit dhe të lehtësojnë barrën tatimore për bizneset dhe qytetarët.
Po ashtu, Berisha prezantoi edhe një program për uljen e çmimeve për biznese dhe konsumatorë, duke përfshirë uljen e akcizës për birrën nga 300-600 lekë për hektolitrin dhe uljen e çmimit të energjisë për bizneset në 6 lekë për kilovatt-orë. Ai propozoi gjithashtu gjithashtu uljen e taksës së shitjes së pronës nga 15% në 2% dhe heqjen e taksës për karburantin, duke synuar përafrimin e çmimit të karburantit me fqinjët.
Në kuadër të programit për zhvillimin ekonomik, lideri opozitar, Sali Berisha paraqiti masa për mbështetje të sipërmarrjes, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë. Ai propozoi që investitorët në zonat malore të kenë 8 vite pa taksa, ndërsa investitorët në zona të tjera të kenë 5 vite pa taksa. Po ashtu, për punonjësit sezonalë të turizmit do të garantohen kushte më të mira dhe mbrojtje gjatë periudhës së mungesës së turistëve. Për të rinjtë nën 30 vjeç, Berisha propozoi zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muajt e parë të punësimit, si dhe përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 25 vjeç.
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi gjithashtu se për gratë do të ketë zero tatim fitimi për vitin e parë të biznesit, si dhe mbështetje për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për 4 muajt e parë të punës, si edhe krijimin e një fondi për mbështetje të bizneseve të grave dhe ka premtuar kredi të buta bankare për gratë, duke pasur përparësi për ato që investojnë në startup-e dhe inovacione.
Në kuadër të programit “Made in Albania”, Berisha paraqiti krijimin e 4 zonave të lira ekonomike në qarqet kryesore të Shqipërisë, ku nuk do të mund të investohet nga kompani me konto offshore. Po ashtu, ai theksoi se qeveria do të mbështesë dixhitalizimin e bizneseve dhe instalimin e paneleve diellore, duke mundësuar energji falas për shqiptarët brenda 3 vjetësh. Startup-et dhe inovacioni do të mbështeten nga banka e zhvillimit, dhe kompanitë “Made in Albania” do të kenë përparësi në financimin për dixhitalizimin.
Berisha ka kritikuar ashpër qeverinë e Edi Ramës, duke akuzuar kryeministrin për dështimin në mbajtjen e premtimeve, si krijimi i 300 mijë vendeve pune, heqja e TVSH-së për ushqimet dhe ulja e çmimit të energjisë. Ai ka theksuar se shqiptarët nuk kanë parë asnjë premtim të mbajtur nga Rama dhe ka akuzuar qeverinë për keqmenaxhim të ligjit për minimumin jetik, që do të sillte pensione më të larta për qytetarët.
Berisha ka deklaruar se Korporata Shqiptare e Investimeve, që ai e cilëson si “piramidën më të madhe të grabitjes së pronave”, do të shkrihet menjëherë dhe çdo vendim dhe ligj që është bazuar në korrupsion do të anulohet. Ai ka kritikuar investimet e huaja, duke theksuar se ato përfshijnë vetëm blerjen e apartamenteve nga jashtë dhe jo investime serioze. Në fund, Berisha ka premtuar ndëshkimin e aktorëve të përfshirë në skandale korruptive dhe ka theksuar se do të krijohet një klimë më miqësore për bizneset në Shqipëri.
Berisha ka akuzuar qeverinë dhe bandat e lidhura me të për përfshirjen në korrupsion dhe krime të organizuara, duke thënë se shumë projekte ndërtimi financohen nga grupe kriminale dhe jo nga bankat. Ai ka përmendur lidhjet e Edi Ramës me bandën e Suel Çelës dhe ka theksuar se bandat janë të lirë dhe po kontrollojnë aktivitete të ndryshme, duke përfshirë lojërat e fatit dhe shpërndarjen e parave nga narkotrafiku. Berisha ka kërcënuar se krimi elektoral do të konsiderohet një vepër e rëndë kriminale dhe ka premtuar zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Ai ka kritikuar gjithashtu rritjen e çmimeve dhe pagat e ulëta, duke thënë se kjo është një formë e spastrimit etnik të popullatës nga ky regjim.
Berisha ka deklaruar se çmimi prej 3 euro për 1 mijë pulla fiskale është një propozim që vjen nga Bashkimi Europian dhe se këto çmime do të zbatohet në Shqipëri. Ai ka theksuar se pullat fiskale të kompanisë zvicerane, që ishin të teknologjisë “smart” dhe mund të zbulonin kontrabandën, janë zëvendësuar me pulla pa garanci, duke hapur mundësitë për kontrabandë. Berisha ka njoftuar gjithashtu se po ndjek zhvillimet që mund të çojnë në rikthimin e këtyre pullave me një emër tjetër, por ka theksuar se çmimi i pullave do të mbetet 3 euro për 1 mijë pulla, sipas standardeve të BE-së.
Berisha ka kritikuar Edi Ramën për kopjimin e premtimeve të Partisë Demokratike (PD), duke theksuar se Shqipëria, me rrogat e ulëta, nuk mund të pranohet në Bashkimin Europian. Ai ka shpjeguar se rrogat janë një kriter shumë i rëndësishëm për integrimin në BE dhe ka akuzuar Ramën se ka penguar rritjen e rrogave. Berisha ka premtuar se, nëse PD fiton, ky kriter do të plotësohet brenda tre muajve të parë të qeverisjes së saj. Ai gjithashtu ka përmendur një deklaratë të Ramës në tetor, ku ai e quajti situatën ekonomike si “shkatërrim” dhe “apokalips”.
Berisha ka theksuar se paketën e dhembshurisë e kishte paraqitur para 15 muajsh, por ajo ishte refuzuar nga Kuvendi. Ai ka akuzuar forcën tjetër politike për kopjimin e programit të PD, pasi shqiptarët nuk e pranuan më. Berisha ka theksuar se programet janë të përllogaritura dhe do realizohen në masë të plotë. Ai ka bërë një lidhje të ngushtë midis korrupsionit dhe problemeve të shumta në vend, duke përmendur mungesën e ilaçeve dhe pasigurinë ekonomike që ka shkaktuar rënia e kursit të euros dhe largimi i shqiptarëve. Ai ka premtuar zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit dhe se do të ndëshkohen ata që janë përgjegjës për këto probleme.
Berisha ka komentuar ardhjen e Chris LaCivita, duke thënë se do ta mbajë datën e vizitës si një surprizë për Edi Ramën, për t’i shkaktuar një efekt të papritur kur ai të arrijë. Ai ka theksuar se çdo shpenzim i partisë do të jetë transparent dhe në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të vendit të kompanisë. Berisha ka shtuar se puna me kompanitë konsultative elektorale, si dhe bashkëpunimi me LaCivita dhe ekipin e tij, funksionon çdo ditë, me këshilla dhe shqetësime të përditshme, përmes komunikimeve online dhe prezencës fizike në zyrat përkatëse.
Berisha ka theksuar se PD është e angazhuar për një reformë të sistemit të drejtësisë, duke kritikuar vonesat dhe korrupsionin që e bëjnë procesin ligjor të padrejtë dhe të pasigurt. Ai ka theksuar se qytetarët presin shumë vite për një vendim dhe se sistemi aktual është i kontrolluar politikisht, duke bllokuar investimet dhe zhvillimin ekonomik. Berisha ka kërkuar një sistem ligjor të pavarur dhe transparent, që të garantojë drejtësi dhe siguri për qytetarët.
Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi qeverinë Rama për dështimin në realizimin e premtimeve si krijimi i 300 mijë vendeve pune, heqja e TVSH-së për ushqimet dhe ulja e çmimit të energjisë. Ai kritikoi qeverinë aktuale për keqmenaxhim të ligjit për minimumin jetik dhe dështim në përmirësimin e kushteve për pensionistët. Berisha gjithashtu hodhi akuza ndaj qeverisë dhe bandat lidhur me të për korrupsion dhe krime të organizuara, duke përmendur financimin e projekteve nga grupe kriminale dhe lidhjet me bandën e Suel Çelës.
Ndër të tjera, Berisha propozoi uljen e çmimit të pullave fiskale dhe ka kritikuar vendimin për zëvendësimin e pullave “smart”, duke hapur mundësi për kontrabandë. Ai theksoi se Shqipëria nuk mund të pranohet në BE me rroga të ulëta dhe ka premtuar rritjen e rrogave brenda tre muajve të ardhshëm.
Në lidhje me korrupsionin, Berisha kërkoi zero tolerancë dhe ka premtuar ndëshkimin e atyre përgjegjës për problemet ekonomike dhe sociale. Ai komentoi gjithashtu ardhjen e kryestrategut të fushatës elektorale, Chris LaCivita, duke theksuar se çdo shpenzim i PD do të jetë transparent dhe në përputhje me ligjet e Shqipërisë.
Berisha kritikoi me tone të ashpra sistemin aktual të Drejtësisë, duke kërkuar një sistem ligjor të pavarur dhe transparent, që garanton drejtësi dhe siguri për qytetarët, si një përparësi të programit të PD.

FJALA E PLOTË
Ekonomia, ekonomia, ekonomia është programi i Shqipërisë Madhështore.
Konsulta intensive janë zhvilluar me biznesin, me grupet e interesit ndaj dhe ato janë pasqyruar në programin tonë.
Kështu që sot po ju paraqes ju edhe njëherë të plotë programin e Made in Albania, programi që synon të nxisë prodhimin në Shqipëri, të ndezë motorët e prodhimit që po shuhen, po bien nga viti në vit në mënyrë të pandalshme.
Përveç garancive ligjore të një kodi fiskal që do miratohet tre muajt dhe nuk do mund të ndryshohet, përveçse në rast se lehtësohet, jo rëndim për biznesin gjatë 4 viteve.
Pra, kodi fiskal që do miratohet 3 muajt e parë nuk do mund të ndryshohet gjatë 4 viteve për rëndime, por vetëm për lehtësime.
Do të ulet numri i shkallëve të ndryshme tatimore.
Vendoset taksa e sheshtë 10 përqind mbi kapitalin, mbi të ardhurat nga puna, me përjashtim të 50 mijë lekëve të para nuk do tatohen.
Taksa e sheshtë 10 përqind mbi të ardhurat jo nga paga.
Zero taksim për profesionet e lira dhe biznesin e vogël.
Tavani vjetor për tatim fitimin zero për biznesin e vogël.
Kufiri i përjashtimit nga TVSH do jetë 18 milionë lekë xhiro vjetore.
TVSH do ulet në 15 përqind, ikën tabuja 20 përqind.
Taksa e ndikimit në infrastrukturës do ulet nga 8 përqind e çmimit të shitjes në 2 përqind të preventivit.
Shkak themelor i çmimeve strastosferike në ndërtim janë taksat absurde që vendosen mbi sipërfaqen e ndërtimit, të cilat në fakt sipas rastit, minumimi 10fishuan taksën e përparme dhe në raste të tjera edhe 20 apo 30 fishuan atë.
Dhe e gjitha kjo iu faturohet qytetarëve, duke ua shndërruar në pamundësi blerje.
Ose duke i shndërruar apartamentet në molla të ndaluara.
Jo vetëm kaq, por kjo ka një ndikim shumë të fortë tek qiratë. Dhe në vendin me rrogat më të ulëta në Euiropë, qiratë janë në nivelet më të lartat.
Ne e ndryshojmë rrënjësisht këtë situatë.
Taksa 3 përqind e strehimit social mbi çmimin e shitjes shfuqizohet. Nuk do ekzistojë.
Tarifa 1 përqind e lejes së zhvillimit mbi vlerën e investimit shfuqizohet.
Tarifa e rivlerësimit të pronës do ulet nga 5 në 1 përqind.
Në konsultat tona, akciza për birrën do jetë me dy fasho.
600 lekë hektolitri për prodhuesit mbi 200 mijë hektolitra në vit.
Dhe duke respektuar standardin e BE, 300 lekë hektolitri për prodhuesit nën 200 mijë hektolitra në vit.
Çmimi i pullave fiskale nga 17 euro për 1 mijë pulla do ulet në 3 euro për 1 mijë pulla.
Çmimi i pullave fiskale për verën do ulet nga 25 euro për 1 mijë pulla në 3 euro për 1 mijë pulla.
Për verën, do të unifikohet akciza e lidhur me gradacionin e alkoolit.
Akciza do të lidhet me prodhues të mëdhenj dhe të vegjël.
Ajo që kanë vendosur këta mbi 12.5 përqind është një absurditet me brirë. Ne do nxisim prodhimin vendas. Natyrisht respektojmë rregullat e BE.
Edhe njëherë, në qoftë se në nga aktet e para, hedhim në Lanë Ballkanin e Hapur, ne u qëndrojmë besnikë detyrimeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit dhe procesi i integrimit në BE, pasi ato janë të studiuara.
Psh BE pranon diferenca në akciza midis prodhuesve të mëdhenj dhe të vegjël dhe kjo është e bazuar në kostot që ka prodhuesi i madh me prodhuesin e vogël, por brenda një diapazoni të caktuar, pra nuk mund të jetë më shumë se 50 përqind diferenca.
Por, siç e shihni, ne arrijmë të nxisim prodhimin në këtë mënyrë.
Shpërblimet e dhëna me dëshirë dhe pa shtrëngesë nga klientët në njësitë që ofrojnë ushqime dhe pije janë të ardhura të përjashtuara nga tatimi si për kompaninë ofruese të shërbimit edhe për të punësuarit si kamarierë që përfitojnë prej tyre.
Pra, ai që në botë quhet tip, në Shqipëri e quajnë bakshish, nuk tatohet.
E kam theksuar edhe herën tjetër, energjia elektrike për biznesin nga 18-24 orë që është sot, do shitet në 6 lekë. Zbret pra 3-4 herë.
Taksa e shitjes së pronës ulet nga 15 përqind në 2 përqind.
Taksa Rama e karburantit hiqet dhe në të gjitha pikat e shitjes së karburantit nuk mund të shitet karburant me ndryshim çmim plus/minus 10 përqind me pompat e vendeve fqinje.
Bimët medicinave marrin një mbështetje preferenciale të fuqishme krahas ullirit dhe arrorëve dhe bimëve aromatike.
Ato janë dhe duhet të jenë një burim i fuqishëm i të ardhurave të zonave ku ato rriten dhe nuk ka një vend tjetër të ketë biodiversitetin e Shqipërisë. Do ofrohen lehtësira logjistike dhe të llojeve të tjera. Linja kredi dhe nxitje e fuqishme e barabartë me ullirin dhe arrorët, të cilët ngelen përparësi të pandryshueshme dhe të suksesit tonë.
Qeveria dhe operatorët turistikë do të bashkëpunojnë në mënyrë që punonjësit sezonalë të turizmit të mund të paguhen me një rrogë bazë në periudhën kur në pikun e mungesës së turizmit, gjatë stinës që nuk ka turistë, sepse ata dalin në qiell të hapur pa asnjë mbrojtje.
Një pjesë e tyre janë sezonalë, janë studentë, janë nxënës, por të tjerë që nuk janë sezonalë në këtë punë, do të trajtohen me dinjitet dhe nuk do mund të flaken sipas sezonit, sikundër kujdesje e veçantë do bëhet për këta punonjës lidhur me kushtet e jetesës së tyre që duhet të jenë brenda standardeve njerëzore.
Ligji për investimet strategjike pëson ndryshim rrënjësor.
Çdo titull strategjik i dhënë me koncesion anulohet.
Çdo shqiptar që vjen për të investuar në Shqipëri do të jetë 5 vite pa taksa kudo që të investojë.
Por ataqë investojnë në zonat malore, ata do jenë 8 vite pa taksa, siç ka qenë ligji që e anuloi Edi Rama, por e rikthen tani për grupe që i interesojnë atij.
500 të parët thotë ai, se ata 500 të dytët janë të njerkës ata, nuk mund të përfitojnë. Me ca koncepte të ndryshkura.
Eksportet, përveç bordit që u informova ju, do krijohet bordi që do monitorojë dhe kompensojë dëmet e krijuara nga lëkundjet e kursit të narko-euros.
Do krijohet fondi për mbështetjen, mbrojtjen dhe nxitjen e eksporteve.
Për të rinjtë, zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muajt e parë të punësimit. Çdo i ri nën 30 vjeç.
Përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat gjer në moshën 25 vjeç.
Stimuj fiskalë dhe mbështetje financiare për investitorët nën moshën 35 vjeç që duan të investojnë në startup-e dhe inovacion.
Mbështetje e fortë e arsimit profesional dhe ekselencave të tij për biznesi.
Për zonjat, gratë, zero tatim fitimi për vitin e parë të biznesit. Subvencionim i sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore për 4 muajt e parë, me kushtin që gjysma e të punësuarve të jenë femra dhe të rinj.
Kredi të buta bankare nga banka e zhvillimit me preferencë për gratë dhe krijimi i një fondi për mbështetjen e bizneseve të grave.
Pra, do bëhet gjithçka për pushtetërimin ekonomik të grave në Shqipëri.
Kjo është një mënyrë e suksesshme për të luftuar pabarazinë e madhe gjinore që ekziston në rrafshin ekonomik midis burrave dhe grave.
Kjo është e domosdoshme gjithashtu në mënyrë që gratë, vajzat të mund të shpalosin në kushte normale talentin, aftësinë e tyre në fushën e biznesit.
Do krijohen 4 zona të lira ekonomike në qarqet e mëdha të vendit në standardet më të mira, në të cilat nuk do mund të investojnë kompanitë me konto offshore.
Asgjë nuk mund të vijë, se pastaj do vërshonin miliarda para të vjedhura nga ministrat dhe qeveritarët, do ktheheshin këtu në zona industriale.
Qeveria do bashkëpunojë ngushtë me biznesin për dixhitalizimin e të gjitha bizneseve.
Qeveria në bashkëpunim me sistemin bankar do të ndërmarrë bashkëfinancimin e vendosjes së paneleve diellore nga jugu në veri, paneleve fotovoltaike në mënyrë që në krye të 3 viteve të pagesës së qirasë, çdo shqiptar të marrë energjinë falas nga këto panele.
Startup-et dhe inovacioni do njohin një mbështetje të fuqishme nga banka e zhvillimit.
Kompanitë Made in Albania do jenë përfitueset e para nga financimi buxhetor i proceseve të dixhitalizimit.
Pra, programi ekonomik Made in Albania i Shqipërisë Madhështore, është pa mëdyshje programi më i mirë që është paraqitur ndonjëherë në Shqipëri në raport me lirinë ekonomike, në raport me konkurrencën dhe barazinë e garës, në raport me klimën miqësore për investitorët dhe investimet, në raport me tërheqjen e investimeve të huaja, në raport me nxitjen e eksporteve.
PYETJE-PËRGJIGJE
Berisha: Kopjimi i programit të PD nga Edi Rama, erdhi pas rënies dramatike të pikëve të tij në sondazhe, pasi shqiptarët e përcollën me neveri programin e tij për zhapinj, hardhucë, zhaba dhe thithlopa, e përcollën me neveri keqpërdorimin e bravës për të hutuar shqiptarët dhe konstatoi se shqiptarët janë të interesuar, jetësisht, për pensionet, rrogat, për luftën ndaj korrupsionit, pra për mirëqenien e tyre.
Ajo ç’ka mund tu them shqiptarëve është se, në historinë e premtimeve, Edi Rama ka vetëm një rekord, mashtrim, mashtrim, mashtrim.
Dhe kur të gënjen njëherë, çdo njeri mund të gënjehet. Kur gënjen dy herë, ke gënjyer veten. Por po u gënjeve për të tretën herë është e tmerrshme, është njëlloj sikur të besosh gënjeshtrat e tua.
Ai që gënjehet tre herë ai, i lejon vetes të besojë gënjeshtrat e veta, atëherë nuk ka më faj Edi Rama këtu. Pse e them këtë? Nuk e them vetëm me 62 premtimet e tij të pambajtura, asnjë prej tyre.
300 mijë vende pune, heqje TVSH për ushqimet, legalizimet sikur Enveri të ngrihej nga varri nuk do të na pengojë, legalizime pa prishje dhe asnjëherë. Ulje të çmimit të energjisë elektrike, nga 77 në 95. Zgjidhjen personalisht, se do të merrej personalisht me dy gjëra, me legalizimet dhe ujin e pijshëm.
Pra shqiptarët në memorien e tyre nuk gjejnë dot asnjë premtim të mbajtur nga Edi Rama. Vetëm mashtrim, mashtrim, mashtrim.
Vijmë tek premtimet e fundit.
Para 15 muajsh kam dërguar në parlament ligjin për minimumin jetik, me qëllim që ky ligj të miratohej dhe të mos merrte karakter politik, unë përzgjodha minimumin jetik të përllogaritur nga Avokati i Popullit dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës ILO. Pra ishte plotësisht kredibël se nuk kishte abuzim politik në përllogaritjen e tij. Pavarësisht se sot ka ministre që thonë se jetohet mirë me 140 euro. Ata e mbajtën ligjin dhe betejë pas beteje, Rama e hodhi poshtë dhe nuk pranoi kurrë ta votonte.
Çfarë sillte ligji i minimumit jetik? Ligji sillte mes tjerash, në mënyrë automatike pensioni minimal 200 euro, sepse nuk mund të kishte pas vendosjes së ligjit të minimumit jetik, asnjë shqiptarë që merrte ndën 200 euro.
Sot ka pensione të plota, minimale, në fshat 120 euro. Sot 57 përqind e pensioneve në Shqipëri janë të pjesshme e jo të plota.
Megjithatë, nëse Edi Rama do të provojë se nuk është një rrenc 2 metra, të thërrasim parlamentin dhe të votojmë ligjin. Të vijë nesër. Grupi ynë parlamentar, deputetët tanë do lenë çdo gjë dhe do vijnë në parlament të votojnë ligjin.
Por nuk ka më keq se të tallesh, të mashtrosh njerëzit në nevojë.
Edi Rama kishte 8 miliardë euro në tavolinën e kryeministrit dhe la për pensionistët 16 mln euro. Ndaj të përdorësh për qëllime politike, vuajtjet, dhimbjet që u krijon me varfëri të tjerëve, rrezikon të marrësh ndëshkime shumë të rënda.
Pra e bëri krejtësisht për të shpëtuar nga pikët që po i fundoseshin, sepse mendoi se mund ti mashtrojë shqiptarët, Luli kështu, Luli ashtu. Zhabat, bretkosat, këto e ato.
Osman Stafa, Neës 24: Z.Berisha, është një çmenduri ajo që po ndodh me çmimet me sektorin e ndërtimit në Shqipëri, të apartamenteve apo të qirave, duke e krahasuar Tiranën me vende të zhvilluara si Gjermania, Franca etj. Në fakt, ju thatë se çmimet e larta në ndërtim vijnë si shkak i taksave të larta. Nderkohë që, raportet ndërkombëtare flasin edhe për injektim të parave nga burime kriminale, që sjellin rritjen fiktive të çmimeve. Si do e pëballojë PD këtë çfarë po ndodh me shitjen dhe qiratë e shtëpive?
Berisha: Absolutisht është e vërtetë ajo që thonë raportet ndërkombëtare, por ne i marrim gjërat siç janë. Së pari, këto çmime 10-fish, 20-fish, këto shkojnë të gjitha në çmimin e sipërfaqes së ndërtimit. Dhe nuk blen ndërtuesi, por blen klienti. Klienti nuk blen dot, qytetari
nuk blen dot.
Së dyti, merri kullat që ne i quajmë monumente të drogës dhe korrupsionit. Është e faktuar që 80%, ose më shumë e financimit të tyre nuk vjen nga bankat, vjen nga nëntoka. Vjen nga nëntoka me bekimin e Edi Ramës.
A e dini ju kush është mëkëmbësja e Ramës për lejet dhe për projektet. Ajo është zonja Rroko. Motra e dy lejtnantëve të Suel Çelës. Faktikisht lejet e ndërtimit dhe projektet i menaxhon Edi Rama me Suel Çelën. Kjo është e vërteta.
Zero tolerancë ndaj krimit të organizuar. Zero tolerancë.
Ata do të kenë atë fat që kanë pasur bandat në vitet 2005-2013. Sot ata janë të lirë, sot Suel Çela bën ligjin në lagjen e tij. E di e gjithë Elbasanit përveç ky Proda, ‘Matrixi’ i policisë dhe Dumani i Skapit, që nuk e dinë se ku ndodhet ai. Ai është i lirë.
Altin Hajri është i lirë dhe kërcënon njerëzit rrugëve.
Troplini drejton defakto portin dhe lojërat. Po e mbush Durrësin në të 4-anët me lojëra fati, që ndan të ardhurat me PS-në dhe Edi Ramën.
Bajrët po shndërrohen në një bankomat për shpërndarjen e narkoeurove sipas ligjit të bandës.
Pëllumb Gjoka nga qelia drejton banditët e tij në Velipojë.
Ta harrojë, mbi ta do të rëndojë i tmerrshëm krimi elektoral, ta mbajnë mend mirë.
Përveç krimeve të tjera, vepra më e rëndë kriminale, pas vrasjes do u konsiderohet krimi elektoral.
Kjo është pra, ne do i presim ato burime.
Si mundet të përballen njerëzit me rroga më të ulëta, me çmimet më të larta për strehimin, me çmimet më të larta për ushqimet. Ky është një mekanizëm i spastrimit etnik të këtij populli nga ky regjim që bazohet mbi krimin, vjedhjen e tyre.
Mariglen Kume, MCN: Ju në programin tuaj deklaruat pak më parë se do të anuloni ligjin, ose investime strategjike. Çfarë nënkuptoni me këtë? Nuk do të jepni më investime strategjike, apo do anuloni dhe vendimin për investime strategjike, të cilat janë në zhvillim e sipër dhe disa të tjera pritet të nisin?
Berisha: Së pari, gjithçka, çdo vendim dhe ligj i hartuar mbi korrupsionin, do anulohet.
Asnjë vendim dhe ligj dhe procedurë, që është kryer në përputhje me procedurën, konkurrencën, transpoarencën dhe ligjit nuk do anulohet.
Korporata shqiptare e investimeve, piramida më e madhe e grabitjes së pronave të shqiptarëve, do shkrihet menjëherë.
Dhe ajo që merr përsipër që me një vendim qeverie, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, të plaçkisë pronat e shqiptarëve, absolutisht do dënohet me rreptësinë më të madhe.
Zotëri, nuk dua të rikthehem te e shkuara fare, por ama kemi trefishuar investimet e huaja me rekorde.
Kurse këta zotërinjtë kanë si investime blerje apartamentesh nga jashtë vendit. Ky është investimi kryesor që bëhet sot në Shqipëri, blerje apartamentesh.
Pashë të dhënat e fundit unë, nuk ka investitor serioz që vjen.
Ndaj dhe ne qëndrojmë fuqishëm kundër akteve korruptive dhe kriminale.
A mund të mbahet titulli strategjik i Artan Gaçes që është vendosur mbi tokën publike? Me dokumente të falsifikuara sikur është e tij.
Dhe tani del e dënohet ky Goro, dhe mirë ia bëjnë se nuk kam asnjë keqardhje për të, por Oltës nuk i hyn gjembi në këmbë.
Keni parë ju? Sepse për shkak të ndërthurjeve që ka pasur ajo, aty janë aksionerë vëllezërit Rama. Po, duhet të jenë se si ka mundësi, merr 10 mijë metra katrorë tokë publike, burgoset kryetari i bashkisë, dhe ai përkundrazi mbrohet. Përkundrazi, shkelet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Oltën.
Këto do ndëshkohen, do marrin ndëshkim të gjitha.
Por përpjekja jonë në radhë të parë është krijimi i një klime sa më miqësore për biznesin.
Mariglen Kume, MCN: Z.Berisha, pullat fiskale janë prodhur më parë nga një koncensionar në mos gaboj dhënë nga qeveria juaj. Më pas me ministrin Mete përfundoi ky koncesion dhe nuk u rinovua. Duket se ka një partneritet publik-privat sërish ku kompania që ka qenë atë kohë, duket se rikthehet sërish, por tashmë me disa pirueta të pronësisë, nga Zvicra ka kaluar në Mbretërinë e Bashkuar. Ka informacion PD se çfarë po ndodh me pullat fiskale?
Berisha: Po e ndjek me interes.
Pullat fiskale të kompanisë zvicerane kanë qenë pulla smart dhe ato nuk lejonin me detektorë ato zbulonin çdo kontrabandë.
Kanë qenë pulla me kod, pulla smart.
Këta, për t’i hapur dyert në të katër anët e kontrabandës, e morën dhe ia dhanë printimin e tyre, ndërmarrjes së prodhimit të letrave me vlerë, duke hequr çdo garanci që kishin.
Po e ndjek këtë. Kam dijeni që po tentohet të rikthehet me një emër tjetër, por ne po e ndjekim, jemi në dijeni të këtyre zhvillimeve.
Sidoqoftë unë shpalla çmimet dhe çmimet nuk ndryshojnë.
Pse ato çmime? Ato janë çmime të BE. 3 euro për 1 mijë pulla janë çmime të BE, nuk i kemi shpikur.
Ne do zbatojmë çmimet e BE, ta dijë edhe ajo kompania që interesohet, ne do zbatojmë këto çmime.
Ermal Rizaj, Syri Tv: Z.Berisha, z.Rama deklaroi se pensioni minimal 200 euro dhe ai mesatar 400 euro janë premisa për vitin 2030. Ju, keni një afat si z.Rama, apo keni një afat tjetër për realizimin e këtij premtimi?
Berisha: Ky premtim hyn në fuqi tre muajt e parë të qeverisjes së PD.
Ai kopjoi, por unë këtu ua kam thënë, Shqipëria me këto rroga nuk pranohet në BE.
Rrogat janë një kriter shumë qenësor, i pashpallur.
Dhe ky e frenoi rritjen e rrogave.
Ne me trendin e rritjes së rrogave po plotësonim këtë kriter, dhe miqtë e mi në Komision dhe jashtë, e kishin pëlqyer këtë.
Se kjo është një pengesë, sikur të mos kesh asgjë tjetër, po i panë rrogat kaq të ulëta, thonë le se do vijnë të gjithë tek ne.
Pra, hyn në fuqi tre muajt e parë të qeverisjes së PD.
Pyeteni Ramën, a nuk the në tetor që ky është shkatërrimi, është fundi, është apokalipsi.
Jo, nuk del me gazetarët.
Isa Myzyraj, Ora Neës: Si e vlerësoni prezencën tuaj në një ambient ku ka shumë të shkarkuar të Reformës në Drejtësi, dhe nga ana tjetër ne nuk kemi parë një qendrim të PD sa i përket kandidimit të z.Komici për deputet në PS?
Berisha: E kam theksuar dhe e theksoj se, PD-ja është e vendosur për një reformë të sistemit të drejtësisë. Pse? Sot çdo shqiptar për një çështje civile nëqoftëse nuk paguan çmimet e kokës rryshfet, do të presë 15 vite.
Sot qytetarët shqiptarë, janë të vetmit në Europë dhe botë, që nuk kanë një proces ligjor të drejtë. Iu mohohet një proces ligjor i drejtë. Defakto se, dejure e kanë. Defakto nuk kanë proces ligjor.
Të lesh qytetarët e tu pa një proces ligjor të drejtë, faktikisht spostohet në një hapësirë parashtetërore. Por edhe kohërat para shtetërore kanë pasur kodet e tyre, sidomos çështjet civile që janë çështje themelore.
Tani a mund të pranohet kjo situatë. Nëse ju ndiqni dinamikën e grumbullit të dosjeve, rritja e grumbullit të dosjeve është e frikshme.
Ka qenë 120 mijë para 3-4 vitesh dhe këto 4 vite që funksionon i tërë sistemi, u rikthye Gjykata e Lartë, në këto 3-4 vite ka arritur në 150 mijë.
Gjykata Administrative që ishte një risi e reformës që bëmë në sistemin e drejtësisë është përgjysmuar në kapacitet dhe faktikisht në vendimet e saj duhet të presësh vite e stërvite dhe përveç kësaj, siç dëshmuan përfaqësuesit e dhomave të biznesit, vendimet janë në tërësi në favor të qeverisë.
Por bllokimi i çështjeve civile i kushton vendit, përveç se mohimi i një të drejtë, e paimagjinueshme, i kushton vendit miliarda euro për shkak të bllokimit të pronave, të kredive, të fondeve etj., në këtë sektor.
Bllokimi i çështjeve civile e bën Shqipërinë absolutisht vendin më të papërshtatshëm për investimet e huaja. Nuk ka investitor që mund të vijë në këtë sistem drejtësie, pasi ti ke zhdukur atë që quhet siguri ligjore. Po nuk ka proces, nuk ka siguri ligjore.
Atëherë ti detyrohesh të firmosësh me të huajt se do të njoh autoritetin ligjor të këtij vendi, apo atij vendi. Ta ekstraterritorializosh procesin, përndryshe ai nuk vjen dhe ka shumë të drejtë.
A mund të pranohet kjo? Besoj se këto sirena bien për çdo qytetar, pavarësisht se një pakicë e qytetarëve kanë punë me sistemin e drejtësisë, por ai është i të gjithëve.
Së dyti. Lëmë krejtësisht karakterin politik, por marrim thjeshtë strukturën, funksionimin. Ky është sistemi i vetëm në botë, që nuk ka ekzistuar as në diktaturën komuniste i tillë, ku prokurori që harton dosjen, survejon me ligj gjykatësin që do shqyrtojë dosjen. E regjistron telefonin e tij dhe pastaj merr vendime mbi të, mbi regjistrimin e telefonit apo informacioneve të tjera që mund të marrë.
Tani më thuaj ti mua, ka drejtësi më këtu? Këtu nuk ka gjykatës më. Këtu defakto gjykatësi është bërë me të 4-mbiemra, Irena Gjoka. Por qytetarit i duhen gjykatës dhe kjo nuk mund të vazhdojë. Nuk mundet.
Çdo vend duhet të ketë gjykatësin dhe jo afërmendshmin që thotë, se gjykatës bën atë që i themi.
Jashtë çdo lloj standardi, kjo nuk mund të vazhdojë. Nuk mund të vazhdojë një drejtësi e cila në vit elektoral, ka guximin të amnistojë krime monstruoze elektorale që lidhen me zyrtarë të lartë, dhe në të njëjtën kohë arreston dhe ndjekje penale liderët kryesorë të opozitës.
Unë besoj se çdo forcë politike demokratike është e detyruar të mbrojë interesin e qytetarëve dhe në këtë rast, reforma është jetike, është imperative.
Nuk mund të rrijnë qytetarët shqiptarë pa të drejtën e një procesi ligjor, siç është sot që duhet të presin 15 vite.
Nuk mund të kenë shqiptarët një gjykatës të cilit prokurori i kontrolluar nga qeveria, i kontrollon çdo gjë dhe i di çdo gjë.
Ky është sistemi. Unë ju ftoj ju, ftoj mediat të ua thonë të vërtetën shqiptarëve.
Para se Donald Trump të fitonte, amerikanët u thuheshin superlativa për drejtësinë, sepse ajo përdorej kundër Trump. Donald Trump thotë se, drejtësia nuk do jetë një armë politike kundër kundërshtarëve. Besoj se gjërat po bëhen tani shumë të qarta.
Enkel Xhangoli, Klan Neës: Prej disa javësh ju vijoni të prezantoni programin tuaj dhe sigurisht me bazën nëse riktheheni në pushtet do t’i mbani ato. Por ju keni bërë edhe premtime të cilat mund të mbaheshin edhe gjatë kohës që keni qënë në opozitë. Ju prej disa muajsh zhvilluat një seri protestash në kuadër të mosbindjes civile, duke iu premtuar demokratëve që para zgjedhjeve do të kishin një qeveri teknike. Çfarë ndodhi, pse nuk u realizua kjo qeveri teknike?
Berisha: Tani, programet paraqiten në fushatë elektorale, por paketën e dhembshurisë, thelbin e saj, ne e paraqitëm edhe para 15 muajsh dhe ne e mbrojtëm në komisionet parlamentare.
Por ajo u refuzua në mënyrë kategorike.
Natyrisht çdo forcë politike, programin e qeverisjes e paraqet para dhe gjatë fushatës elektorale.
Forca tjetër politike, siç e shihni, pa program, me duar në xhepa, u detyrua të kopjojë, pasi e pa që shqiptarët nuk e pranuan më, e refuzuan paraqitjen e tij me banorët e parkut zoologjik dhe të pellgjeve, u kthye duke kopjuar programin tonë se nuk ka çfarë të thotë.
Këtë mund të them lidhur me pyetjen tuaj.
Janë plotësisht të përllogaritura të gjitha dhe do realizohen 100 përqind.
Kjo është një gjë e sigurt.
Po të thoni, do u them një moment, shumë flitet për korrupsionin, po korrupsioni është nëna e të gjitha të këqijave.
Në qoftë se nuk do kishte korrupsion, do kishim sot djegësin e Tiranës, i cili do ishte i fuqishëm për të djegur të gjithë mbetjet e Shqipërisë së mesme, jo vetëm të Tiranës. Mirëpo aty nuk ka tullë. Atë e hëngri korrupsioni.
Në qoftë se nuk do kishim korrupsion, nuk do vdisnin të sëmurët për mungesë ilaçesh siç ndodh çdo ditë tashmë. Dhe njeriu, që e ka detyrë personale si kryeministër, që ato të mos mungojnë, lan duart e thotë po janë krime kundër njerëzimit. Sikur ia bën opozita dhe jo ai vetë.
Korrupsioni plaçkit, grabit paratë e atyre ilaçeve.
Korrupsioni është faktor kryesor i largimit të shqiptarëve nga Shqipëria se këta mbeten me pensione të ulëta, me rroga të ulëta.
Po marrim rënien e kursit të euros. Sigurisht që buxheti i shtetit, qoftë edhe duke marrë kredi, duhet t’u përgjigjej këtyre eksportuesve, se këta eksportues janë punësuesit kryesorë. Punësonin dhjetëra mijëra punonjës. Ishin dhjetëra mijëra familje që ushqeheshin. Ata ranë njëra pas tjetrës dhe njerëzit ikin, ikin ikin. Dhe kjo krijon një pasiguri të madhe në vend.
Imagjino tani qindra mijëra prindër, gjyshër, që u largohen fëmijët e tyre, që u largohen fëmijët e tyre në çfarë pasigurie mbeten ata këtu në vetminë e tyre.
Dhe pse u ikin? U ikin sepse ata nuk i mbajnë dot me pensionet e tyre, u ikin sepse nuk kanë vende pune.
Pra është gjithë kjo situatë që do të ndryshojë me shpejtësi të madhe.
Me zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj krimit.
Dhe ata të harrojnë se mund të lajë kush pare në ndërtim.
Atje ku janë, do i kapim dhe do i sjellim këtu, para ligjit, siç e kemi provuar atë.
Elda Menga, Top Channel: Si do të jetë forma e bashkëpunimit me Chris LaCivita. Do të jetë i stacionuar në një zyrë në selinë e PD, apo ky bashkëpunim do të jetë online.
Meqë jemi në prag të fushatës elektorale, dhe kryefjalë e fjalës suaj ishin shifrat. A kemi tashmë një faturë të bashkëpunimit me Chris LaCivita?
Berisha: Datën e ardhjes, unë u garantoj që do të vijë, por po e lë si surprizë për Edi Ramën që t’i bjerë kokës në tavolinë kur të vijë.
Nuk po ua them se duhet ta ketë surprizë ai. Do vijë.
Sherifi do vijë.
Chris do vijë.
Çdo gjë, ju siguroj se çdo shpenzim i kësaj partie, do të jetë transparent dhe në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe ligjet e vendit tjetër.
Prandaj këtu nuk mund të ketë asnjë lloj aludimi tjetër.
Do jetë edhe në zyrë, edhe online. Tani online e kemi çdo ditë sa për dijeni.
Çdo ditë punojmë me të, funksionon me këshilla, me probleme.
Do ketë një njeri të kompanisë së tyre të instaluar përfundimisht. Ai do shkojë, do vijë.
Kjo është praktika e punës me këto kompani konsultative elektorale.