KRYETARI I PD, SALI BERISHA KONFERENCË ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi konferencën e radhës me gazetarët ditën e sotme, ku akuzoi qeverinë Rama për dështim në adresimin e problematikave ekonomike dhe sociale, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar dhe përgatitjet e PD-së për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Në hyrje të delaratës së tij, Berisha kritikoi aktivitetet e qeverisë në Kuç dhe Pogradec. Ai i cilësoi ato si “ahengje qeveritare”, duke argumentuar se në një kohë kur qytetarët protestojnë prej muajsh në Tiranë, qeveria nuk po merret me problemet reale të vendit.
Lideri demokrat u ndal te çështjet e pensioneve, arsimit, shëndetësisë, ushqimit dhe strehimit. Ai ngriti shqetësimin për familjet që përballen me rrezikun e varfërisë dhe urisë, si dhe për qytetarët e Tiranës që përballen me kosto të larta qiraje. Berisha kërkoi vendosjen e minimumit jetik, heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë dhe subvencionimin e qirave.
Kryedemokrati përsëriti kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Rama, duke theksuar se e ka humbur legjitimitetin për shkak të mënyrës së zhvillimit të zgjedhjeve, mbrojtjes së korrupsionit dhe përqendrimit të pushtetit.
Berisha paralajmëroi se PD do të vazhdojë të mbështesë protestat qytetare dhe se do të punojë që pakënaqësia ndaj qeverisë të shndërrohet në reagim më të gjerë në rrugë dhe sheshe.
I pyetur nga gazetarët se kur do të hapë PD gara për zgjedhjet vendore të vitit 2027, Berisha deklaroi se partia do të nisë në një kohë shumë të afërt përgatitjet për procesin elektoral. Ai konfirmoi se primaret mbeten pjesë e procesit të përzgjedhjes së kandidatëve dhe mohoi ekzistencën e ndonjë vendimi për përjashtimin e tyre.
Berisha u pyet edhe për ndërhyrjen e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës në debatin për reformën territoriale. Ai tha se reforma territoriale dhe reforma zgjedhore duhet të miratohen në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe iu referua rekomandimeve të institucioneve evropiane. Sipas Berishës, ekspertiza e Këshillit të Evropës është veçanërisht e rëndësishme për Shqipërinë, e cila ndodhet në fazën e post-monitorimit.
I pyetur nëse PD do të dorëzojë në Kuvend propozimin për një hartë me 100 bashki, Berisha tha se opozita do të vijojë fillimisht dëgjesat dhe konsultimet me qytetarët.
Ai theksoi se PD do të vazhdojë të dëgjojë komunitetet në të gjithë vendin dhe se numri përfundimtar i bashkive mund të ndryshojë pas këtij procesi. Berisha akuzoi Edi Ramën se e ka refuzuar propozimin e opozitës dhe se synon të mbajë kontrollin mbi territorin dhe pushtetin vendor.
Në lidhje me reformën zgjedhore, Kryetari i PD, Sali Berisha sqaroi se PD nuk i ka kushtëzuar dy proceset, atë territorial dhe atë zgjedhor, por pranoi se ato kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ai tha se opozita ka marrë pjesë në komisionet përkatëse për të përfaqësuar interesat e qytetarëve dhe për të mos e lënë procesin pa përfaqësim opozitar.
Berisha konfirmoi gjithashtu qëndrimin e PD-së në favor të propozimeve për lista të hapura dhe proporcional kombëtar, të cilat janë artikuluar edhe nga protestuesit.

FJALA HYRËSE
Java që kaloi u mbyll me shelegët e Kuçit dhe koranin e Pogradecit.
Barkderrat e shtetit nuk kanë të ngopur.
Në një kohë kur prej mbi 3 muajve protestohet në rrugët e Tiranës kundër një qeverie që nuk ka legjitimitet, protestohet kundër një qeveri armike në qëndrimet e saj ndaj qytetarëve, Edi Rama ka zgjedhur ahengjet qeveritare.
Duhet ta mësoni ju se, Kuçi ka shumë gjëra për të cilat është i njohur, por edhe për shelegët dhe gatimin e tyre.
Dhe kjo ishte arsyeja e takimit në Kuç.
Korani nuk ka nevojë për komente.
Po cili ishte rezultati i këtyre takimeve?
Mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime.
Çfarë doli nga Pogradeci?
U mblodhën për të zgjidhur hallet e kombit.
Çfarë solli si rezultat kjo mbledhje?
Do më shkruante një mik i imi pensionist: dua ta falënderoj atë plakun që përqafoi Edi Ramën se na shpëtoi nga ulja e pensioneve.
Çfarë solli? Çfarë dëgjuan nxënësit, mësuesit e këtij vendi për vitin e ri shkollor?
Çfarë dëgjuan të sëmurët e Shqipërisë për shëndetin e tyre?
Çfarë dëgjuan mbi 30% e shqiptarëve, që janë në rrezik për kafshatën e gojës, janë të kërcënuar nga uria sipas të dhënave të fundit të FAO-s?
Dëgjuan se do merremi me ushqimin.
Çfarë dëgjuan qytetarët shqiptarë, që në Tiranë duhet të paguajnë qira më shumë se 2/3-tat e rrogës së tyre?
Çfarë dëgjuan studentët, të cilët nisin vitin e ri shkollor në universitet në pamundësi për të paguar qiratë e larta, apo të rinjtë për të blerë një strehë familjare?
Pra, a mund të imagjinohet një shkëputje stratosferike e tillë, e cila shpreh një shkallë stratosferike inkriminimi të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale, që kalojnë nga ahengu qeveritar në aheng tjetër qeveritar dhe bëjnë sikur në Shqipëri nuk ndodh asgjë.
Shqipëria ka nevojë urgjente për vendosjen e minimumit jetik.
Të dhënat e fundit mbi kërcënimin e urisë janë kambanat më alarmuese, të cilët kërkojnë para së gjithash vendosjen e minimumit jetik dhe heqjen e TVSH-së për të gjitha ushqimet bazë.
Kërkojnë subvencionimin e qirave strategjike nga narko-eurot dhe narko-dollarët.
Kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës, i cili ka humbur çdo legjitimitet.
Nuk është legjitim për shkak të farsës elektorale.
Nuk është legjitim për shkak të mbrojtjes së korrupsionit dhe vjedhjeve që ka bërë.
Nuk është legjitim për shkak të instalimit të narko-shtetit në Shqipëri dhe diktaturës autoritare.
Nuk mund të ketë një fjalim të tij, në qoftë se, ose nuk fillon me hale, ose nuk mbyllet me hale. E ka të pamundur!
Ky ka ngelur në fazën e kompleksit anal.
Si mund ta shpjegoj ndryshe?
Sulmon me fjalë të tilla protestën, zërin e fuqishëm qytetar, të cilin po e dëgjon gjithë bota, por jo njeriu i paligjshëm.
I zhytur në mjete luksoze, duke shmangur konferencën e shtypit, se nuk ia mban të dalë para gazetarëve, filloi të viktimizojë veten për një incident, për të cilin bëj këto sqarime.
Së pari, agresori u arrestua, por ishte Edi Rama që nuk e ndoqi, megjithëse kishte qeverinë e vet, nuk ndoqi gjyqin dhe procesin gjyqësor.
U pajtua apo kishte arsye të tjera, unë nuk e di.
Së dyti, me përgjegjësi të plotë deklaroj se ai, aty ku ishte, në atë dhomë, ishte me një burrë tjetër. Nuk të lë ky pa i nxjerrë të gjitha.
Dhe ai ka emër dhe mbiemër. Se pse ishin, atë nuk e di, jo, nuk e them.
Por e vërteta është me dëshmitarë se ai nuk ishte vetëm në dhomë. Jo, nuk ishte vetëm.
Po të dojë, ia them edhe emrin se me kë ishte, megjithëse përpiqet ta faturojë dhe ta politizojë.
Ndaj dhe, nuk qenë të paktë ata që e quajtën krim pasioni këtë akt, që unë e dënova me forcën më të madhe.
E kam dënuar me forcën më të madhe.
Është arrestuar autori.
Por se çfarë pazaresh bëri ai apo çfarë raportesh kishte me Edi Ramën, atë nuk e di.
Dhe tani merr, pas 30 vitesh mashtron qytetarët se ja kush më ka thyer hundën mua.
Tregoje të vërtetën siç është, megjithëse e kam treguar pjesërisht, por këto që thashë, këto janë 100 përqind të vërteta.
Nuk them se ishte krim pasion apo nuk ishte krim pasioni, unë them se çfarë thonë të tjerët.
Por them se Edi Rama refuzoi të ndjekë procesin gjyqësor, ndonëse de facto ata ishin në pushtet.
Kjo është historia e tij, që përpiqet të mashtrojë, të bëjë viktimën, të nxisë, të ngjallë dhembshuri, empati, etj, etj, për gjëra të cilat janë jashtëzakonisht të paqarta.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Elda Menga, TCH: Z. Berisha, kam disa pyetje në fakt që lidhen në thelb me garën elektorale të pritshme për zgjedhjet vendore të vitit 2027. Sot, deputeti i PS, Erion Braçe njoftoi se po pret garën për Tiranën, të cilës do i shkojë gjer në fund, madje propozoi që kandidatin e PS për betejën vendore ta zgjedhin socialistët me votë. PD kur do e hapë garën e saj të primareve për të përzgjedhur kandidatin e saj? Pyetja e parë.
Sali Berisha: Faleminderit! PD në kohë shumë të afërt do të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm.
Çështja e hapjes së garës, ndonëse në njëfarë mënyre nuk është se nuk është punuar, është punuar, por po vazhdon puna dhe në momentin më të parë do ta shpallim.
Elda Menga: Do ketë përjashtim nga rregulli këtë herë për të mos zhvilluar primare, apo do i qëndroni besnik statutit?
Sali Berisha: Jo, nuk ka asnjë vendim që të përjashtohen primaret. Nuk ka.
Elda Menga: Ndërkohë, për këto zgjedhje, do keni kandidat të pavarur për Tiranën, apo PD do shohë mundësinë e shqyrtimit?
Sali Berisha: Gjithçka do vendoset në javët e ardhshme.
Elda Menga: Ndërkohë, pyetja ime vijonte, nëse kandidati i PD do jetë politik, pra brenda strukturave të saj, a do ishte kandidat potencial për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti?
Sali Berisha: Ilir Alimehmeti është një personalitet i shquar i PD dhe i qytetit të Tiranës. Gjithçka do përcaktohet në javët e ardhshme.
Elda Menga, TCH: Ndërkohë, sot Shoqata e Bashkive ka njoftuar se do të zhvillojë një dëgjesë me Kongresin e Autoriteteve Lokale të Këshillit të Evropës për reformën territoriale duke pretenduar se procesi nuk është respektuar nga PS, madje nuk ka pasur transparencë. A mendoni se ndërhyrja e Këshillit të Evropës do bëjë të mundur që PS të heqë dorë nga, mund të themi, plani i saj për të miratuar në mënyrë të njëanshme reformën territoriale?
Sali Berisha: Miratimi gjithëpërfshirës i reformës territoriale dhe reformës zgjedhore është një përcaktim shumë i qartë në raportin e muajit tetor të vitit të kaluar të Komisionit Evropian.
Po të lexoni këtë raport, këto dy janë kushtet më kryesore të përcaktuara në raport për Shqipërinë.
Këshilli i Evropës ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me Komisionin Evropian dhe Bashkimin Evropian, ndonëse është një institucion më i gjerë, përfshin të gjitha vendet e kontinentit përveç Rusisë të cilën e kanë përjashtuar apo pezulluar këto kohë.
Për BE-në dhe për mbarë Evropën, institucioni më kompetent për çështje të qeverisjes vendore është Kongresi i Autoriteteve Rajonale dhe Lokale pranë Këshillit të Evropës.
Evropa vetë, BE, është bashkim i kombeve dhe rajoneve të Evropës.
Pra, duhet kuptuar kjo që rajonet kanë një autoritet të bashkëpunojnë direkt me Brukselin.
Këtu është rëndësia shumë e madhe e reformës territoriale dhe e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
Unë e falënderoj Kongresin për këtë bisedë që kanë online me përfaqësuesit tanë.
Nuk kam dijeni, ndoshta kanë veças edhe me përfaqësues të PS, por gjykoj se absolutisht e domosdoshme ekspertiza të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës duke pasur parasysh edhe një gjë tjetër, që ne jemi një vend në post-monitorim.
Pra, përsëri, ne vëzhgohemi.
Anesti Barjamemaj, A2 CNN: Edhe një pyetje sa i takon Reformës Territoriale. Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Tiranës kanë njoftuar se do kërkojnë 30 dëgjesa, ndërkohë që z. Teliti në emër të grupit të këshilltarëve pohoi se nëse mazhoranca nuk pranon këto dëgjesa, ata do i bëjnë të vetëm. Ju ndërkohë keni propozuar një hartë me 100 bashki. Do e dorëzoni këtë hartë me 100 bashki në parlament, apo do prisni dëgjesat në të gjithë bashkitë e vendit?
Sali Berisha: Ne do vazhdojmë dëgjesat, do vazhdojmë konsultat, do vazhdojmë bisedat me qytetarët. Në parlament, ne kemi aq vota sa kemi. Edi Rama u tërhoq.
Ne e çuam në parlament, e dorëzuam reformën, por Edi Rama u tërhoq në mënyrë të njëanshme sepse do me çdo kusht ta ketë në dorë Shqipërinë.
Ai ka mision shpopullimin e Shqipërisë dhe vazhdon në këtë mision.
Është totalisht në një mision antishqiptar.
Klajdi Bodlli, Syri Tv: Z. Berisha, me shumë mundësi mazhoranca do e kalojë e vetme reformën territoriale. A ka një plan PD në rrafshin elektoral, duke qenë se një pjesë e bashkive do ndryshojnë, si do përballet me mazhorancën në zgjedhjet e vitit që vijnë?
Dhe pyetja e dytë, teksa afati i komisionit të reformës zgjedhore është shtyrë, mos ndoshta ka në plan PD që t’i paraprijë një vendimmarrje të mazhorancës duke propozuar një reformë elektorale, një sistem të ri elektoral duke qenë se ju keni mbështetur dhe propozimin e protestës për një listë të hapur me proporcional kombëtar?
Sali Berisha: Tani, ne nuk i kemi të kushtëzuara reformën territoriale me reformën elektorale, por ato janë edhe të lidhura në disa aspekte.
Ne duhet ta kemi të qartë, kemi marrë pjesë në këto komisione për të qenë avoketër të qytetarëve, sepse veçanërisht për reformën territoriale, insistimi i qytetarëve ka qenë shumë i ndjeshëm që ne të jemi të pranishëm. Që ne të mos luajmë me karrige bosh.
Ne e bëmë këtë dhe bëmë punë shumë serioze.
Tani ne do vazhdojmë konsultat në të gjitha bashkitë, sepse mund të mos jeni 100, mund të jenë edhe më shumë.
Si do veprojë Edi Rama?
Edi Rama ka vetëm një interes, etjen e tij të tmerrshme për pushtet dhe pushtetin e tij.
Nuk pres që kjo të ndryshojë, por pres gjithashtu që reagimi i shqiptarëve të jetë edhe më i fuqishëm.
Vjeshta do jetë një verë e nxehtë për Edi Ramën.
Nuk përfundon vera, jo, absolutisht jo.
PD do bëjë gjithçka që pakënaqësia universale që ekziston ndaj Edi Ramës të shpërthejë si energji në rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.
Qoftë si protestë qytetare, që ne e kemi vlerësuar dhe e vlerësojmë shumë, por qoftë pastaj si protesta partiake, të cilat janë edhe ato të ligjshme, por ne do dëshironim të vazhdohet si protestë qytetare.
Elda Menga, TCH: Nuk na dhatë një koment për z. Braçe si kandidat. Si u duket si kandidat?
Sali Berisha: Po pse do të komentoj unë kur ata shkojnë t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit. Se a nuk u shpall njëherë kjo Korba e Covid-it si kandidate? U shpall zyrtarisht nga Rama.
Tani, e kupton që kjo është një luftë e brendshme midis tyre në klan.
Nuk ke ç’i bën, le të vazhdojnë, po Tirana nuk voton më partinë e krimit në mënyrë përfundimtare.
Për këtë u siguroj.


