Berisha: PPE kërkon krijimin e një qeverie teknike për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Mbështet plotësisht protestën rinore qytetare për shkak të kauzës të saj të drejtë

BASHKËBISEDIMI ONLINE I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në bashkëbisedimin e sotëm online me qytetarët ka deklaruar se raporti i misionit faktmbledhës të Partisë Popullore Europiane (PPE) i ardhur në Tiranë në Shkurt 2026, për Shqipërinë përbën, sipas tij, ‘pasqyrën më besnike të realitetit aktual shqiptar’. Ai u shpreh se raporti, u miratua me unanimitet në asamblenë politike të PPE në Vjenë të zhvilluar në datat 29-30 qershor 2026, dhe paraqet Shqipërinë si një shtet të kapur nga krimi i organizuar dhe nga lidhjet e tij me nivelet më të larta të qeverisë.

‘Ky raport është pasqyra më besnike e paraqitur ndonjëherë në historinë e këtij vendi, nga alfa tek omega,’ deklaroi Berisha, duke shtuar se dokumenti ‘denoncon rrënimin e procesit zgjedhor dhe përdorimin e burimeve shtetërore nga partia në pushtet’, theksoi kryetari i PD-së gjatë fjalës së tij. Ai shpreh se raporti ngre shqetësime për, siç tha, ‘shndërrimin e zgjedhjeve në farsë’, përfshirjen e krimit të organizuar, si dhe ‘rrjetet e patronazhistëve’ dhe kapjen e institucioneve.

Berisha u shpreh se, në raport pasqyrohet edhe ‘zhdukja e vijës ndarëse midis shtetit dhe partisë në pushtet’, si dhe deformimi i garës ekonomike përmes prokurimeve publike dhe koncesioneve. Dokumenti i PPE-së denoncon gjithashtu ndikimin e ‘narkoeurove’ në ekonomi dhe e përshkruan situatën si një ‘çështje madhore sigurie për Europën’.

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, një nga pikat kryesore të raportit, , është kërkesa për krijimin e një qeverie teknike apo kujdestare për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. ‘Kërkesa për qeveri teknike për zhvillimin e zgjedhjeve është kërkesa më maksimale dhe më e rëndësishme për Partinë Demokratike dhe për qytetarët shqiptarë,’ u shpreh Berisha, duke theksuar se me qeverinë aktuale ‘nuk mund të ketë zgjedhje të lira, por vetëm farsa elektorale’.

Lideri i opozitës Sali Berisha shtoi se kjo kërkesë, tashmë është mbështetur edhe nga protesta qytetare që sot është në ditën e 35-të të saj, të cilën ai e cilësoi si ‘një lëvizje rinore dhe qytetare me rëndësi historike’. Berisha e akuzoi Edi Ramën dhe qeverinë e tij, për lidhje me krimin e organizuar, duke e cilësuar Shqipërinë si një vend ku, sipas tij, ‘rendi dhe siguria janë në duart e krimit’. ‘Për ne, Suel Çela, Ervis Doçi, Troplinët, Bajrët e të tjerë janë krerë të organizatave kriminale, por mbi ta janë gjeneralët e tyre politikë që drejtojnë shtetin,’ deklaroi Berisha, duke përmendur emra të figurave të njohura publike dhe politike.

Kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, PD do të ndjekë ‘politikë zero tolerancë ndaj lidhjeve të politikës me krimin dhe kartelet e drogës’, duke paralajmëruar se, sipas tij, të gjithë përgjegjësit do të përballen me drejtësinë.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që sonte të jenë në shesh në protestën kombëtare të thirrur nga qytetarët. ‘Sot Tirana, sot Shqipëria, sot qytetarët shqiptarë, të gjithë ju ftoj të vërshoni në bulevard dhe sheshet e kryeqytetit në një akt historik për t’u ndarë nga njëra prej të këqijave më të mëdha që ka kapluar vendin,’ deklaroi lideri i opozitës Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit në rrjetet sociale me qytetarët.

FJALA E PLOTE

Java që lamë pas ishte një javë zhvillimesh intensive.

Për PD-në kjo javë filloi me miratimin e raportit të misionit faktmbledhës të Partisë Popullore Evropiane që erdhi në datat 26-27 shkurt të këtij viti, i përbërë nga 27 anëtarë, përfaqësues të forcave politike kryesore të anëtarësuara në PPE, i kryesuar nga sekretarja e përgjithshme e PPE.

Ajo çka mund t’u them unë ju se raporti i miratua me unanimitet të plotë në asamblenë politike të PPE dhe se ky raport është pasqyra më besnike e paraqitur ndonjëherë në historinë e këtij vendi kushtuar realitetit aktual shqiptar.

Nga alfa tek omega, ky raport paraqet Shqipërinë një shtet të kapur nga krimi i organizuar dhe lidhjet e tij me nivelet më të larta të qeverisë.

Të kapur nga oligarkët që diktojnë çdo gjë.

Të kapur nga kartelet e drogës dhe droga.

Raporti paraqet rrënimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. U referohet raporteve më prestigjioze ndërkombëtare të OSBE/ODIHR dhe institutit V-Dem.

Ndalet në shndërrimin e procesit zgjedhor në një farsë të vërtetë zgjedhore nga përdorimi i të gjitha resurseve shtetërore dhe administrative nga partia shtet.

Pjesëmarrja aktive e krimit të organizuar dhe karteleve të drogës.

Rrjetet terroriste politike të patronazhistëve.

Raporti ndalet gjerësisht jo vetëm në zhdukjen e linjës midis institucioneve shtetërore dhe partisë në pushtet, por dhe zhdukjen e linjës dhe krijimin e fushës krejtësisht të pabarabartë në të gjithë veprimtaritë e tregut, prokurimet publike, koncesionet.

Pra një shtet i kapur në të gjitha anët.

Raporti denoncon dëmin e tmerrshëm të narkoeurove në qeverinë shqiptare, pra de fakto narkoshtetin shqiptar dhe e paraqet atë si një raport madhor sigurie për Evropën.

Në raport, një vend të veçantë zënë bllokimi i luftës kundër korrupsionit nga Edi Rama në rastin e Belinda Ballukut, e cila citohet me emër si famëzezë për veprat e saj.

Dhe po kështu drejtoresha e AKSHI-t dhe Linda e AKSHI-t.

Të gjitha pasqyrohen si qëndrime antiligjore, antikushtetuese të Edi Ramës.

Cilido që lexon atë raport konstaton se PPE denoncon me të madhe shtypjen e pluralizmit politik, mohimin e të drejtave elementare kushtetuese të deputetëve të opozitës në parlament.

Aty numërohen të gjitha dhunimet që i janë bërë PD-së, bllokimi i komisioneve hetimore për Edi Ramën, refuzimi i interpelancave nga Edi Rama, refuzimi i mocioneve me debat në kundërshtim me Kushtetutën dhe denoncohet gjithashtu moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dëshmi kjo e kapjes së të gjitha pushteteve nga një dorë.

Por ky raport dhe rezoluta e këtij raporti kanë një risi tjetër shumë të rëndësishme.

Ato kërkojnë dhe mbështesin krijimin e një qeverie teknike apo kujdestare për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme pasi PPE bindet se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por vetëm farsa elektorale.

Kjo është një arritje e madhe jo vetëm për PD, por edhe për shqiptarët.

Në rezolutën e miratuar për raportin renditen të gjitha problematikat e mëdha të raportit, por shtohet gjithashtu paragrafi për protestën rinore qytetare të shqiptarëve, që arrin sot në ditën e 35-të të saj.

PPE mbështet protestën për shkak të kauzës të saj të drejtë.

Mendoj se kjo është një arritje e madhe në radhë të parë për ata djem dhe vajza, burra dhe gra që kanë 35 ditë që protestojnë për një kauzë të madhe kombëtare me orë e orë të tëra dhe janë bërë shembull në mbarë botën për protestën e tyre paqësore.

Pra mund të themi se sot protesta mund të jetë ndoshta e vetmja protestë në 30 vitet e fundit në Shqipëri dhe Evropë, e cila ka marrë mbështetjen e plotë të të gjithë spektrit politik.

Pra, krahas këtyre zhvillimeve, siç jeni informuar, PD mbajti mbledhjen e parë të këshillit kombëtar dhe zhvilloi zgjedhjet për kryesinë e re të PD.

Mund të them se në këtë proces, anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD me përgjegjësi të lartë reflektuan frymën e Kuvendit të PD, Kuvendit të Ripërtëritjes së saj.

Dhe rreth dy të tretat e kryesisë u ripërtërinë në tërësi me zonja, vajza, gra dhe të rinj.

Me këtë rast uroj të gjithë zgjedhurit suksese në detyrën e tyre që u besoi Këshilli Kombëtar.

Po falënderoj me mirënjohjen më të thellë të gjithë ata që kandiduan, bashkëpunëtorët e mi të gjithë këtyre viteve për kontributin e tyre thelbësor në PD, qëndrimet e saj.

Java u karakterizua nga një dhunë, nga një egërsi çnjerëzore për të mos thënë edhe shtazore e Edi Ramës, Taulant Ballës dhe falangave të tyre ndaj protestuesve paqësorë.

Para shqiptarëve, para gjithë botës u pa se si ndaj një grupi protestuesish paqësorë, falangat e narkopolicisë u vërsulën me brutalitet dhe tërbim të papërmbajtur.

Me gaz lotsjellës të skaduar.

Me spraj speci të përdorur për arinjtë.

Me topa uji.

Me shqelma në kokë.

Me gurë.

Me të gjitha mjetet, ndaj vajza dhe djemve të cilët dhunën më maksimale e patën hedhjen e vezëve dhe qeseve me miell drejt deputetëve.

Dhuna e përdorur nga narkopolicia ndaj protestuesve ishte dhuna më hakmarrëse, më primitive.

Në të gjithë botën, politikanët janë gjuajtur me vezë, me miell, etj.

Tek ajo hyrje janë gjuajtur edhe gjatë periudhës kur kemi qenë ne, por nuk ka ndërmarrë kush një operacion të tillë të egër, brutal, duke i qëlluar me shqelma në kokë protestuesit e rrëzuar përdhe.

Duke i rrahur dhe torturuar edhe në makinat e policisë.

Në një akt kriminal, u përpoqën të simulojnë plagosje të policëve, në një kohë kur ato ishin të gjitha fake.

Jam interesuar atë ditë gjatë gjithë kohës me mjekë dhe me mundësi të tjera, absolutisht të gjithë policët që janë dërguar aty, përveç njërit që ka shkuar në QSUT për një problem tjetër, jo për goditje, të tjerët kanë qenë të gjithë vetëm e vetëm për të akuzuar protestuesit se kanë ushtruar dhunë me gjëra qesharake krejtësisht të parëndësishme.

Aq e vërtetë kjo, saqë u arrit të kapet edhe dëshmitari i rremë, i cili nga shtrati i spitalit u gjet duke shkelmuar protestuesit pasi luajti rolin e të plagosurit.

Sot ata dalin para gjyqit.

Unë kërkoj në emër të PD, lirimin e tyre të menjëhershëm dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që ushtruan dhe urdhëruan një dhunë ndaj protestuesve paqësorë.

Të dashur miq, sot është 4 korriku, është 250 vjetori i pavarësisë së SHBA, një ngjarje e madhe për kombin e madh amerikan dhe mbarë njerëzimin, për sa kohë SHBA kanë qenë dhe janë vendi udhëheqës i lirisë në botë.

Ndaj dhe t’i urojmë ne edhe mijëra e mijëra vite të tjera si shtyllë e pamposhtur e lirisë dhe demokracisë në mbarë botën.

BASHKËBISEDIMI ONLINE ME QYTETARËT:

Tos Doçi: Përshëndetje doktor. E para të uroj shëndet, pyetja ime për ju i nderuar Doktor është përse në PD më kollaj hyjnë në poste të rëndësishme e kanë ata që janë kundërshtarë të Berishës se sa demokratët qe i janë besnikë PD dhe ty doktor?

Sali Berisha: Në fakt, ju keni atë mendim i nderuar, po unë nuk kam atë mendim.

Në qoftë se ju analizoni listën e të zgjedhurve, ju aty keni njerëz që vijnë me një sakrifica të mëdha për PD-në dhe kauzën e saj. Vajza, djem, keni djem të rinj, të bashkuar me PD-në në kohërat më të vështira.

Por besoj se jemi dakord bashkë edhe ju dhe çdo demokrat, ka patur dhe ka një kërkesë legjitime: ripërtëritjen, ripërtëritjen e Partisë Demokratike.

Ndaj dhe në këtë kontekst, apo në këtë kuadër, mund të ketë dhe emra të cilët vërtet nuk janë kaq të njohur, por ju garantoj se kanë, ka prej tyre, ka prej tyre nga penat më të fuqishme, jo të Shqipërisë, por dhe në rrafshin ndërkombëtar.

Me publikime në mbrojtje të Partisë Demokratike, të konservatorizmit, në mediat më serioze të botës. Ka prej tyre, ekspertë nga më të shquarit në fushat më të rëndësishme sot.

Pra, ju me shumë të drejtë, keni insistuar dhe insistoni të ripërtërihet Partia Demokratike.

Unë them se hapat që janë bërë janë absolutisht në drejtimin e duhur dhe së bashku do t’i thellojmë edhe më tej ato.

Nuk po dua të komentoj me raste të veçanta, por në qoftë se ju ndaleni, ju do gjeni edhe më shumë nga këto që thashë unë.

Klementina Guraziu: Çfarë pritshmërish keni nga protesta e sotme?

Sali Berisha: Sot është dita e kombit shqiptar. Sot qindra mijëra shqiptarë po vërshojnë nga toka, deti, ajri, nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e botës, për në kryeqytetin e vendit, Shqipëri.

Sot është dita në të cilën Edi Rama, në rast se i ka mbetur edhe vetëm një nanogram arsye, jep dorëheqjen një minutë e më parë.

Dhe zonja Guraziu, unë dua t’i them, t’i jap dhe një paralajmërim Edi Ramës. Sepse këto ditë ai bëri një deklaratë tipike të diktatorit hakmarrës.

Ai u tha protestuesve me mburrje dhe krenari se monopolin e dhunës e kemi absolutisht ne, e kishte fjalën për shtetin.

Tashti unë dua t’i them atij, dua t’i kujtoj vetëm një gjë. Mos të të rrejë mendja se vërtet ti ke falangat e policisë dhe forcën e mjeteve të tyre.

Po dije një gjë, historia ka faktuar se fuqinë nukleare e ka sovrani, e ka populli.

Dhe mos guxo, mos guxo të tentosh të matesh me popullin. Zemërimi i popullit, hakmarrja e popullit është tashmë e mirënjohur si fuqi nukleare njerëzore.

Suela Gjedede: Në protestë dëgjohen thirrje ‘Rama në burg, Berisha në burg’ që reflektojnë pakënaqësi ndaj të dyja kampeve politike. Si e komentoni kontrastin mes masave të ndërmarra nga qeveria Rama ndaj protestuesve dhe mbështetjes politike që protesta mori nga Partia Popullore Europiane ku bën pjesë edhe PD-ja?

Sali Berisha: Për sqarim zonjë, mbështetja që mori nga Partia Popullore Europiane ishte rezoluta që paraqiti Partia Demokratike, në të cilën kërkoi mbështetje për protestën.

Kurse thirrjet, e kam theksuar dhe theksoj, ato thirrje as nuk e kanë penguar dhe as nuk do ta pengojnë kurrë Partinë Demokratike për t’i dhënë mbështetjen më të fuqishme protestës dhe do thoni ju pse?

Së pari, do të ishte tradhti e lartë po të mos mbështesje ata të rinj në idealet, ëndrrat, sakrificat e tyre.

Së dyti, të pesë kërkesat e tyre janë absolutisht kërkesa për të cilat Partia Demokratike ka vite që i mbron dhe lufton. Të gjitha ligjet që kërkohen të ndryshohen janë kërkesa shumë të drejta për të cilat ne i kemi kundërshtuar në komisionet parlamentare, i kemi kundërshtuar në deklarata publike, i kemi kundërshtuar në seancë parlamentare, i kemi kundërshtuar në dëgjesa publike, por në fakt për disa prej tyre kemi marrë dhe kemi paguar edhe çmimin për të cilin jemi krenarë.

Natyrisht, besoj se jemi dakord, kryekërkesa e protestës, prej 3-4 vitesh është dhe kërkesë kryesore e Partisë Demokratike: largimi i Edi Ramës dhe qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme.

Atëherë, ke të drejtë, a mund të pengohej Partia Demokratike për shkak të disa thirrjeve të opozitës së opozitës apo grupeve të paguara nga Xhorxh Sorosi apo të tjerë e të tjerë me radhë?

Absolutisht jo. Nuk mund të pengohesh kurrë.

Partia Demokratike zgjodhi rrugën më të drejtë. Partia Demokratike deklaroi se kjo nuk është protestë e saj dhe nuk bën asnjë përpjekje as më të voglën për ta ngjyrosur atë.

Është një protestë rinore, qytetare në të cilën kanë marrë pjesë me qindra dhe mijëra demokratë, anëtarë dhe anëtare, mbështetës dhe mbështetëse të thjeshtë, por edhe drejtues dhe deputetë të Partisë Demokratike, që të gjithë pa përjashtim si qytetarë të thjeshtë, në moton e një lëvizje qytetare.

Pra, ne kemi qenë luajalë, kemi mbështetur në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar me të gjithë potencialet tona dhe do ta mbështesim këtë lëvizje, pa asnjë interferencë në mënyrë kategorike në problemet e saj të brendshme.

Fatmir Topi: Doktor Berisha, pas Këshillit Kombëtar dhe zgjedhjes surprizë të kryetares së Këshillit Kombëtar, Juli Ermiri, a do të ketë sërish rinovime dhe surpriza të tjera edhe tek nënkryetarët, sekretariatet teknike e të tjerë, apo thjesht ndryshim rolesh brenda kupolës aktuale të PD-së?

Sali Berisha: Zoti Topi, ju falënderoj për pyetjen. Fryma e Kuvendit Kombëtar është fryma e ripërtëritjes, ajo që thoni ju. Zonja Emiri është një artiste e shquar, por është dhe një mbrojtëse e flaktë e kauzave të drejta.

Ajo me kolegët e saj kanë mbrojtur në mënyrën më të vendosur, do të thosha më heroike, Teatrin Kombëtar nga Neronët që e shkatërruan.

Ka qenë një oratore dhe ka folur, është përballur me dhunën policore familjarisht dhe me pasoja, dhe mendoj se besimi që i shprehu Këshilli Kombëtar është plotësisht i merituar.

Jam i një mendje me ju, Partia Demokratike duhet t’i mbahet frymës së Kuvendit të saj. Por gjithçka përcaktohet me votë, këtë dua ta them se, duhet të jemi shumë të qartë.

Shyqyri Myrtollari: Zoti doktor, përshëndetje. Një nga kërkesat kryesore të qytetarëve që protestojnë prej 35 ditësh sot, është krijimi i një qeverie teknike që do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe të gjithëpranuara. Edhe kjo kërkesë ka qenë e artikuluar prej kohësh nga PD-ja. Cili është mendimi juaj për këtë formulë dhe si mund të arrihet politikisht?

Sali Berisha: Ju falënderoj për pyetjen dhe ju përshëndes. Po, kjo ka qenë kërkesë e jona kryesore dhe nuk është se ne kemi bërë një shpikje, por kemi parë vende të tjera të cilat me qeveri teknike i kanë dhënë përgjigje të plotë problemit të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Natyrisht kemi mirëpritur shumë kërkesën e protestës rinore, qytetare, për krijimin e një qeverie teknike si kërkesë e parë e tyre.

Në rast se i referoheni, në rast se ke parasysh, ata theksojnë që kjo qeveri nuk duhet të jetë partiake. Ne i mbështesim plotësisht ata. Ne nuk synojmë të ndajmë pushtet në këtë qeveri, por synojmë një qeveri e cila të përmbushë misionin e madh të rikthimit të votës së lirë ndaj shqiptarëve.

Edhe një sqarim do bëj këtu.

Pse është mbështetur dhe është gjetur e mençur kërkesa e tyre për kufizimin e mandatit të kryeministrit në dy mandate?

Shyqyri, në rast se ndalemi bashkë nga 91-shi gjer në vitin 2013, Shqipëria ka njohur pesë rotacione. Pra në 21 vite, 4 apo 5 rotacione. Mund të thoni si të doni, por kjo dëshmon për një demokraci që funksiononte. Që rotacioni nuk pengohej.

Për hir të së vërtetës nuk u pengua rotacioni as në 97-ën, por nuk u pengua rotacioni as në 2005-ën nga paraardhësi im. Nuk u pengua rotacioni në vitin ’92. Nuk u pengua rotacioni në vitin 2013.

Bllokimin e rotacionit e solli kreu i meduzës. Një njeri i lidhur kokë e këmbë e në xhep me krimin dhe kartelet.

Në qoftë se do kishte patur një nen kushtetues që nuk i lejonte kryeministrit mbi dy mandate, shqiptarët do kishin humbur tetë po jo 16 vite në një kohë shpejtësie të madhe. Kjo është arsyeja shyqyr, pse unë i kam mbështetur dhe i mbështes dhe të gjithë së bashku i mbështesim këto kërkesa.

Albania and Americans: Zoti Berisha, është e vërtetë që u zgjodhën disa të rinj në kryesi, por fatkeqësisht përveç moshës, nuk duket se ka ndonjë element tjetër risie. Përveç kësaj, shumica e tyre hiqni Nikola Kedhin dhe Juli Emirin, janë anonimë jashtë partisë. Nuk i njeh njeri dhe duket se zgjedhja e tyre ka të bëjë më shumë me mbështetje dhe grupime brenda partiake sesa qytetare. A mendoni se kjo përbën problem për atë që ju e quani ri-përtëritje?

Sali Berisha: Mendoj se analiza e juaj për këta të rinj është e mangët.

Natyrisht ju përmendët me të drejtë dy emra, por të garantoj se midis këtyre të rinjve, ka vajza dhe djem me cilësi dhe aftësi të mëdha.

Por edhe tjetrën mund të them, njerëz nuk vijnë nga të themi nga boshllëku.

Janë njerëz që kanë patur aktivitet në Forumin e Rinisë të Partisë Demokratike.

Janë të tjerë që kanë patur në Departamentin Brain Gain.

Pra në qoftë se bëhet fjalë për afrim të të rinjve, në vlerësimin tim, këto kanë qenë kandidatura shumë dinjitoze dhe është një zhvillim pozitiv.

Ernest Koçe: I nderuar doktor, pyetja ime lidhet me faktin, nëse është koha e përshtatshme për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë.

Sali Berisha: Ju falënderoj zoti Ernest. Ne e kemi depozituar kërkesën për mocion, por qeveria, ashtu siç thotë në raportin dhe rezolutën e Partisë Popullore Europiane, qeveria refuzon dhe shkel të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës.

Nuk pranon mocionet të cilat janë të përcaktuara në kushtetutë. Ne kemi depozituar, por edhe një sqarim do bëj këtu, ka tre javë që kemi depozituar në Kuvendin e Shqipërisë kërkesën për ndryshimin e ligjeve të kërkuara nga përfaqësia e protestës.

Kryetari i parlamentit dhe në veçanti Taulant Balla me 4 mbiemra nuk pranon t’i fusin në rendin e ditës për shkak, grupi parlamentar vendosi të mos paraqitet në seancë plenare gjersa, gjersa në atë seancë të paraqiten amendamentet për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë përfaqësuesit e protestës.

Reti Kumria: Jam krenare për ju zoti Sali Berisha, sepse edhe pse protestuesit kanë përmendur edhe emrin tuaj, ju keni mbajtur një qëndrim për t’u admiruar. Vazhdoni kështu, dilni në mbrojtje popullit e do shohësh që ke për të qenë kryeministri i Shqipërisë. Ju përshëndet nga Milano.

Sali Berisha: Unë ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe ju siguroj se kurrë, as mua as Partinë Demokratike, gjethet nuk do ta pengojnë të shohin trungun.

Gledi Meraj: Doktor Berisha, jeni politikani më i madh që sulmoheni, ofendoheni, gjykoheni dhe akuzoheni me pa të drejtë. Së fundmi me një refren në kor si të majtë por edhe pseudo të djathtë me parrulla si komunist apo bashkëpunëtor me kryeministrin Rama. Pse ndodh kjo sipas jush?

Sali Berisha: Në fakt Edi Rama pasi dështoi me të gjitha përpjekjet e tij, me sanksionimin tim korruptiv nëpërmjet mikut të tij George Soros dhe Anthony Blinken, me atentatin që organizoi në mes të bulevardit, me procesin e turpshëm politik, me arrestimin 333 ditë, me vulën që mori dhe grabiti logon e PD-së, e pa që ka vetëm dështime.

Dhe u kthye pastaj, ndërseu lakejtë e puthadorë që të bëjnë të krahasojnë të pakrahasueshmet. Të krahasojnë Sali Berishën, i cili është politikani që ka dhënë dorëheqje më shumë në Shqipëri, i cili nga e gjithë karriera e tij politike 13 vite janë pushtet kurse i gjithë rreshti është opozitë ose i tërhequr. I cili është e vërteta tani e them dhe këtu, është i vetmi politikan me një veting në të hollësishmin, kombëtar dhe ndërkombëtar. Ndaj dhe Edi Ramës i intereson dhe i leverdis shumë të krahasohet sadopak me Sali Berishën dhe lakejtë e tij e bëjnë këtë gjë. Asgjë s’ka më të pabarabartë se këta dy persona.

Fabio Hunda: Doktor, 4 Korriku përkon me festën e pavarësisë së SHBA-ve, ditëlindjen e Edi Ramës dhe protestën e qytetarëve me pjesëmarrjen e diasporës. Çfarë simbolike ka kjo datë dhe cili është mesazhi juaj i urimit për Edi Ramën?

Sali Berisha: Mesazhi im për Edi Ramën është: jep dorëheqjen para orës 7 në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të zhvillojnë festën më të bukur për lirinë e tyre dhe 250-vjetorin, 250-vjetorin e pavarësisë të vendit mik, aleatit të madh, Shteteve të Bashkuara.

Jep dorëheqjen, mos prit të të heqin.

Olsi Saraçi: Doktor, a nuk duhet që Partia Demokratike të jetë përsëri zyrtarisht në shesh duke iu bashkuar protestës, sepse dashur ose padashur protesta duke mos pasur kokë, po krijon një vakum politik i cili po prek jo vetëm protestën por edhe opozitën. A do të pranonit ju që të vinit gjithë potencialin tuaj politik në suport të kësaj proteste?

Sali Berisha: Olsi të falënderoj për pyetjen. Në qoftë se ju e keni ndjekur, protesta vërtet ka qenë jopartiake.

Dhe në fakt, të jemi të sinqertë, kjo ka qenë një nga aspektet më madhështore, më epike, më historike të kësaj proteste.

Janë përpjekur disa opozitë e opozitës të paraqiten sikur ata e menaxhojnë, sikur ata, kështu, por e kam theksuar, ata bëjnë rolin e mizës që thotë Deni Dido, rrinë në bishtin e kalit dhe i rren mendja se po tërheq karrocën.

Pra, unë them se ne vepruam shumë drejt, u bëmë thirrje dhe të garantoj që kanë qenë me qindra dhe mijëra demokratë në mënyrë të vazhdueshme, vijnë nga rrethet, vijnë çdo natë, s’ia kritikojnë, por thjesht si qytetarë dhe jo si partiakë.

Ndaj protestës, përveç respektimit të plotë të sovranitetit të saj, ne kemi përshtatur një qëndrim, mbështetje të plotë të kërkesave të saj dhe kategorikisht asnjë përpjekje për partizim apo politizim.

Besoj se do të ishte e pafalshme në qoftë se ne nuk do ta respektonim këtë protestë rinore, qytetare, por ne absolutisht jemi të gatshëm të dalim në protestë në çdo kohë.

Dhe një nga shkaqet që unë nuk kam bërë thirrje të jemi në protestë, ka qenë edhe fakti se ne ishim në protesta. Dhe natyrisht ne na takonte të ishim në protestë, por kësaj here pa simbolet, pa ngjyrat partiake.

Vebija Alzeneli: Doktor, sa ndëshkuese ishin ndryshimet kushtetuese të 2008-ës për Partinë Demokratike dhe Sali Berishën?

Sali Berisha: Nuk jam në gjendje t’ju jap një përgjigje zoti Alzeneli të saktë. Pse do më thoni ju? Sepse ato ndryshime kushtetuese nuk e penguan Partinë Demokratike të fitonte zgjedhjet. Ato ndryshime kushtetuese nuk penguan në vitin 2013 rrotacionin.

Më vonë, më vonë u bënë ndryshime të tjera nga Edi Rama, antidemokratike, të cilat i dhanë një krah të fuqishëm partisë së tij. Ai përcaktoi standarde antidemokratike për partitë aleate, e të tjerë me radhë.

Kështu që, mundet, vetëm një moment ju lutem. Ato ndryshime u diktuan, nuk kishin listat të mbyllura ato, jo, por u diktuan nga një fakt sepse harta elektorale e Shqipërisë, për fat të keq, u nda në mënyrë të papranueshme në Jug dhe Veri, në kuptimin e asaj që, me dhjetëra ose qindra mijëra demokratë në Jug nuk kishin një përfaqësues në Parlament, dhe e njëjta gjë për socialistët në Veri. Kjo më dukej shumë e padrejtë.

Ndaj dhe u përdor sistemi rajonal për të cilin tani nuk e mbroj më sepse është bërë një sistem gjerësisht i kritikueshëm, universalisht i kritikueshëm, ndaj dhe jam gati të votoj një listë të hapur siç pretendon shumica.

Fatmir Selmanaj: Përshëndetje doktor Berisha. Raporti përfundimtar ishte negativ për 11 majin. Ata si në vitin 2001 me qeverinë Nano, i hodhën poshtë zgjedhjet dhe ne të urojmë të jeni i zoti për t’i kundërshtuar zgjedhjet e vjedhura, gjë që siç e dimë nuk ndodhi me ish-kryetarin. Tani çfarë konkluzioni të saktë ose si do të vihet në funksion ky raport në drejtim të qeverisë Rama 4? A mund të njësohen këto me kërkesat e protestës? Respekte nga Vlora.

Sali Berisha: Shumë faleminderit për pyetjen.

Mendoj se pyetjes tuaj i dha një përgjigje të fuqishme raporti i misionit faktmbledhës të Partisë Popullore Europiane dhe rezoluta, e miratuar të dyja me unanimitet në asamblenë politike të Partisë Popullore në Vjenë.

Kërkesa për qeveri teknike për zhvillimin e zgjedhjeve, në vlerësimin tim, është kërkesa më maksimale dhe më e rëndësishme për Partinë Demokratike dhe për qytetarët shqiptarë.

Kjo u realizua.

Nuk është e lehtë, duhet të jemi realistë domethënë, që instanca ndërkombëtare, institucione ndërkombëtare, organizata ndërkombëtare të arrijnë në një konkluzion të tillë, të shprehen, kjo është një proces i tërë që duhet dokumentuar, me qindra, për të mos thënë mijëra dokumente.

Dhe në atë raport në qoftë se e lexoni e keni në faqen e Partisë Demokratike, ndër të tjera citohet edhe ky libër. Edhe ky libër: ‘Big fat farce on Albanian elections’, i cili sipas raportit dhe sipas librit, ka mbi 2500 e sa dokumente, fakte të dhunimit të zgjedhjeve në 1500 faqet e tij.

Ndaj dhe, na përket ne tani, të ndahemi me Edi Ramën për të zhvilluar zgjedhje.

Dhe jemi në betejë, kjo betejë do të kurorëzohet me sukses.

Mund t’ju them se protesta rinore, qytetare, në qoftë se ne me protestat tona dhe dokumentet që arritëm ndërkombëtare, ia dolëm ta plagosim rëndë Edi Ramën, protesta qytetare e ka plagosur atë në mënyrë fatale.

Përparim Karpuzi: Doktor, ju lutem shpëtojeni Shqipërinë dhe Kosovën. Sa keni qenë ju, jemi kënaqur tre herë në vit vinim në Durrës në sezon deti. Çmimet ishin të lira, ishim shumë të lumtur. Tani në pesë vjet asnjëherë nuk po mundemi të vijmë ne kosovarët në Shqipëri. Respekte doktor Saliberisha nga komuna Lipjan.

Sali Berisha: Zoti Përparim ju falënderoj shumë për pyetjen.

E vërteta është që këto vite Shqipërinë e mori droga dhe e përpiu droga në mënyrë të tmerrshme.

A mund të imagjinoni ju sot, Tirana, në krahasim me të ardhurat, është qyteti i dytë më i kushtueshëm në Europë? Ndërkohë, qytetarët shqiptarë kanë të ardhurat më të ulëta. Çmimet stratosferike.

Rendi dhe siguria në duart e krimit.

Por, ju siguroj se Partia Demokratike do të ketë, do të dëshmojë zero tolerancë ndaj politikanëve të lidhur me krimin, ndaj bosëve të drogës, karteleve të drogës dhe organizatave kriminale.

Sepse për ne, Suel Çela, Ervis Doçi, Troplinët, Bajrët e të tjerë, janë vërtet krerë të organizatave më të rrezikshme, por mbi ta, gjeneralë të tyre, janë Taulant Balla, Edi Rama, Taulant Balla, dhe zyrtarët e tjerë të partisë së krimit, që të gjithë do shkojnë para ligjit.

Besnik Kala: Përshëndetje doktor. Në oborret e Rilindjes po përdorin terma që Saliberisha dhe Edi Rama kanë një marrëveshje top sekret. Çfarë përgjigje u jep patronazhistëve gjithashtu edhe shqiptarëve?

Sali Berisha: Janë të mbytur dhe kërkojnë të kapen në fijen e barit, në fake, në trillime.

Sali Berisha, e thashë dhe njëherë Besnik, pasi ka bërë pluhur të gjitha përpjekjet e Edi Ramës.

Edi Rama përdori në aktet më të turpshme kriminale, lobime korruptive e tjerë e tjerë, për sanksionimin e Sali Berishës.

Dhe tregonte me gisht si një pervers nëpër parlament e në fjalime.

Ndërsei skapin e tij, arrestoi vit elektoral, 333 ditë, e të tjerë e të tjerë, të mos i numëroj tani. Dështoi me të gjitha, dhe tani mendon se mund ta mirësojë figurën e tij të zezë duke u krahasuar sadopak me Sali Berishën.

Edi Rama është kreu i krimit në Shqipëri, partia e tij është partia e krimit, shteti i tij është narkoshteti i parë dhe i vetëm në Europë dhe largimi i tij nga pushteti është qëllimi më madhor i Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare.

Ofelia Meta: Zoti Berisha, kongresmeni republikan Joe Ëilson, një njeri i afërt me Trump, ka kërkuar hetimin e Edi Ramës si të lidhur me narkotrafikun dhe ka hapur procedurat për këtë në Kongresin Amerikan. Cili është komenti juaj?

Sali Berisha: Unë përshëndes përzemërsisht një iniciativë të tillë.

Dhe garantoj Kongresin e Shteteve të Bashkuara dhe çdo institucion tjetër, se Partia Demokratike disponon fakte të pakundërshtueshme të lidhjeve të tmerrshme të Edi Ramës me kartelet më të fuqishme të drogës në Europë dhe në botë, dhe jo vetëm të Edi Ramës por dhe të vëllaut të tij, Olsi Rama.

Lejtënantëve të tij, Ergys Agasi.

Dhe tani është rikthyer përsëri në aktivitet të plotë, Saimir Tahiri, që çdo ditë me Lubi Ballukun, bëjnë plane se si të mbrojnë narkoshtetin në katin e dytë të selisë së partisë së krimit.

Pra, është në interesin më të madh në vlerësimin tim të Shteteve të Bashkuara dhe të sigurisë së atij vendi të madh por dhe të Shqipërisë, nga kartelet e drogës, hetimi i kreut të meduzës, Ramaduros së Ballkanit, apo të Evropës, padrinos të karteleve më të fuqishme të drogës në Europë dhe në botë.

Këto ishin pyetjet. Një përmbyllje?

Përmbyllja është një dhe vetëm një:

Një thirrje nga zemra për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Sot Tirana, sot Shqipëria, sot rinia e Shqipërisë, sot qytetarët shqiptarë, pensionistët e këtij vendi, që të gjithë ju ftoj të vërshoni në bulevardin, rrugët dhe sheshet e kryeqytetit në një akt historik me një guxim epik për t’u ndarë nga njëra prej të këqijave më të mëdha që ka kapluar vendin në tërë historinë e tij.

Faleminderit.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale