FJALA PËRMBYLLËSE E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TRYEZËN E DISKUTIMIT MBI ZHVILLIMET E PORTIT TË DURRËSIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës për mbyllëse në tryezën e diskutimit për zhvillimet në Portin e Durrësit, e cilësoi projektin si një nga aferat më të mëdha korruptive në Europë.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se synon përvetësimin e pasurisë publike përmes transformimit të portit aktual dhe ndërtimit të një porti të ri, që sipas tij do t’u kushtojë shqiptarëve rreth 1 miliard euro. Berisha theksoi se projekti dëmton rëndë pozicionin strategjik të Shqipërisë dhe rrit kostot e transportit dhe mallrave.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se zhvendosja e portit dobëson rolin gjeostrategjik të vendit dhe favorizon interesa të ngushta ekonomike. Ai kritikoi gjithashtu mungesën e reagimit nga mediat dhe institucionet, duke e cilësuar situatën si shqetësuese për demokracinë dhe transparencën.
Lideri demokrat, Sali Berisha paralajmëroi se Partia Demokratike do ta trajtojë këtë çështje si prioritet kombëtar dhe do të ndërmarrë protesta dhe veprime për ta kundërshtuar projektin.

FJALA E PLOTË
Edhe njëherë u falënderoj shumë për organizimin e këtij takimi.
Falënderoj të gjithë diskutantët, të cilët me përgjegjësi të madhe dhe vërtetësi trajtuan në çdo dimension këtë aferë, e cila në rrafshin korruptiv tejkalon sot çdo aferë tjetër në Europë dhe ndoshta në botë.
Kjo sepse kryeministri pasi dështon në ryshfete për portin e jahteve, i kthehet portit kryesor të kombit dhe mendon e beson se atë mund ta përvetësojë tërësisht me një arab të 1001 netëve për të ndërtuar Dubain e tij.
Nuk ka një akt të tillë në historinë e një vendi.
Të gjithë këtë vjedhje të përmasave të paimagjinueshme e bazon në mashtrimin e qytetarëve.
Jo vetëm përvetëson pasurinë numër një publike të shqiptarëve, që është porti i Durrësit, por gjobit shqiptarët me 1 miliard euro për ndërtimin e një porti të ri, i cili ndëshkon kombin jo vetëm me 1 miliard euro që do paguajnë, por e ndëshkon si një projekt që nuk i përgjigjet absolutisht as pozicionit strategjik natyror të Shqipërisë, pasi është 4 herë më i vogël se porti i Durrësit, dhe Durrësi është pozicioni strategjik më fizibël, më i përshtatshëm në të gjithë bregun e Adriatikut.
Kështu që ky projekt jo vetëm përvetëson disa miliardë dollarë, rreth 4 miliardë dollarë pasuri publike, por ky projekt i jep një goditje fatale pozicionit gjeostrategjik dhe favoreve që rrjedhin nga ky pozicion.
Porti është një ndëshkim madhor edhe për transportin, për çmimin e mallrave sepse shumica e tyre do vijnë nga Tivari, do vijnë nga portet e tjera, në Vlorë është mbyllur porti, Saranda nuk ka, Shëngjini jo, kështu që ky vend me 400 kilometra breg është pothuajse pa porte.
Në një kohë kur ky ishte nyja më e rëndësishme, më e përshtatshme sidomos pas ndërtimit të Rrugës së Kombit.
Rruga e Kombit është korridori më fizibël.
Nëse ju kujtohet ju, edhe Marrëveshja e Uashingtonit përcaktonte hekurudhën Nish-Durrës dhe një port edhe më të thellë sepse ky është pozicioni gjeografik i Shqipërisë.
Shqipëria ka këtë avantazh, Shqipëria e ka paguar çmimin më të shtrenjtë për shkak të këtij pozicioni, e kanë pushtuar fuqitë e huaja nja 30-40 herë vetëm për shkak të pozicionit.
Tani në vend se të përfitojë, tani ky ia heq edhe këtë avantazh për t’u bërë miliarder, për të ndërtuar Dubain e 1001 netëve dhe natyrisht për qëllime antishqiptare të mirëfillta siç duket me të gjithë veprimtarinë e tij të ethshme që tani se e sheh se BE e ka bërë personazh të diskredituar, doli si hajdut mbarë Europës me votimin që bëri për Lubi Ballukun dhe qëndrimin që mban ndaj aferës së AKSHI-t, tani shpresa e vetme e tij ka mbetur Aleksandër Vuçiç dhe çiftimi i tij me Aleksandër Vuçiç ku kërkon një lloj tjetër integrimi, një kuadër ligjor që nuk ekziston në BE.
E thatë edhe ju në fjalët tuaja, ky ka modelet e vitit 1946, më keq.
Metrin katror të 100 hektarëve privatë në Porto Romano, ky e përcakton me 5 euro metrin katror, në një kohë kur gjykata e ka vlerësuar atë me 115 euro, çka do të thotë se vetëm pronarëve u duhet paguar për këtë lëvizje 115 milionë euro, të cilat për çdo muaj mospagesë, rriten interesat dhe hajde e merre vesh se sa shkojnë.
Por ky nuk pyet për këto.
E kam treguar shumë herë, por po e tregoj edhe njëherë.
Erdhi këtu në vitin 2001 një ambasador i shquar amerikan, ishte mik i ngushtë i Xhorxh Bushit dhe ai takoi një nga këta rilindësit.
I them unë, si e kalove në atë darkë ti.
Ta them unë, më tha. Unë kam qenë avokat dhe gjatë jetës time kam pasur disa klientë miliarderë, por problemi im me ta ishte se nuk ishte asnjëri prej tyre që nuk donte të vidhte miliardin e dytë.
Kështu që edhe puna e këtij.
Ky nuk ndalet.
Ky thotë, ky arab të ketë miliarda, pse të mos jem unë miliarder si ai.
Dhe e merr si maskë atë.
Por ne nuk do ta lejojmë.
Ndaj dhe ne, portin e Durrësit do ta trajtojmë në axhendën tonë si çështje kombëtare të dorës së parë.
Mbrojtjen e interesit kombëtar, se nuk është vetëm i qytetarëve të Durrësit, por është i mbarë Shqipërisë, ne do e përcaktojmë këtë si çështje madhore kombëtare, strategjike, të rëndësishme, antikorropsion e me radhë.
Nuk ka, i tejkalon të gjitha të tjerat.
I tejkalon në rrafshin monetar, në përmasat e vjedhjes, në interesin strategjik dhe kombëtar të vendit.
Nuk mund ta lemë këtë njeri të veprojë në këtë mënyrë.
Ndaj dega e PD të Durrësit do bashkërendojë me kryesinë e PD në Tiranë një seri masash, qëndrimesh, protestash, revoltash.
Nuk ndalet ky.
Duhet të jemi të qartë, nuk ka forcë që ta ndalë këtë në vjedhje përveç qytetarëve.
Disa qeveri perëndimore protestuan para votimit të Lubi Ballukut. Nuk ia hoqi se ishte vetë.
Duhet të dini një gjë, lidhjet më të tmerrshme janë lidhjet e krimit për njeriun.
Ata që kanë kryer krime, bëjnë gjithçka për të shpëtuar lëkurën e tyre.
Dhe ky bën çdo gjë për të shpëtuar lëkurën.
Lufta kundër korrupsionit në këtë vend është e pashpresë për sa kohë të jetë Edi Rama aty.
Ndaj dhe ne do e bëjmë këtë çështje kryesore të axhendës tonë.
Ju e shihni, ky i dominon totalisht mediat.
Ky ka vendosur tentakula mafioze.
Nuk ka mafie më të keqe, mafia e censurës është më e poshtër se mafia e drogës sepse ajo vret fjalën e lirë, vret mendimin e lirë, vret të vërtetën, manipulon të vërtetën.
Dhe për një komb, ajo është mafia më e rrezikshme.
Dhe ky, kujtoni pak, gjithë kjo çështje se mund të jenë një apo dy studio televizive që e kanë trajtuar, dhe gjithë të tjerat nuk e fusin në rend dite fare.
Në një kohë që duhet t’u bien sirenave në qoftë se misioni kryesor është mbrojtja e interesit publik.
Nuk ka shkelje më të rëndë, nuk ka plaçkitje më të madhe të interesit publik se sa porti i Durrësit.
Jo. Merren me çdo gjë tjetër dhe nuk merren me çështjet kryesore sepse janë në tërësi të narkotizuar nga paratë që marrin nga qeveria.
Ndaj janë vetëm qytetarët që me zërin e tyre duhet të bëjnë që të ushtojë fuqishëm në Shqipëri dhe në Europë mbrojtja e këtij interesi strategjik, kombëtar, ekonomik financiar në portin e Durrësit.
Dhe ne do ta bëjmë këtë.


